English
Scroll top

A ndikoi subvencionimi i pajisjeve elektrike në zvogëlimin e konsumit?

Qytetarët që blenë pajisje efiçiente elektrike përmes subvencionimit nga Ministria e Ekonomisë thonë se kjo ka ndikuar në kursimin e energjisë elektrike. Njohësit e fushës së efiçiencës thonë se subvencionimi i këtyre pajisjeve duhet të vazhdojë në masë më të madhe, ndërkaq subvencionimi i faturave ka qenë e gabuar dhe “para e djegur”

Prishtinë, 23 Prill 2024

Kosova në vitet e fundit po përballet me vështirësi për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe kjo për disa arsye. Njëra ndër arsyet është rritja e konsumit gjatë sezonit të dimrit,jo për faktin se pjesa më e madhe ekonomive familjare, por edhe bizneseve ngrohen me energji elektrike.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë. Për shembull të dhënat për muajt shtator dhe tetor 2023 tregojnë se 50.3 për qind e energjisë elektrike është konsumuar nga amvisëria. Nga aktivitetet komerciale janë shpenzuar 26.2 për qind, ndërsa 10.9 për qind është konsumuar nga industria.

Shiko Gazetën #B37

Duke marrë parasysh këtë situatë nga Ministria e Ekonomisë thonë se kanë ndërmarrë disa hapa për të subvencionuar pajisjet elektrike efiçiente, të cilat shpenzojnë më pak energji elektrike. Subvencionimet e para janë dhënë për pajisje efiçiente për ngrohje.

Ministria e Ekonomisë ka vendosur disa kritere sa i përket llojit të pajisjeve të cilat duhet të blihen, përkatësisht të subvencionohen nga kjo ministri. Për shembull, pajisjet që janë të shënuara me simbolet “A++” hyjnë në kategorinë e pajisjeve që konsumojnë më pak energji për të prodhuar nxehtësi, përkatësisht për të funksionuar.

Këto pajisje janë subvencionuar me 40 përqind deri në vlerën 400 euro, ndërkaq ata që kanë aplikuar duhej të dëshmonin se të paktën në njërin prej muajve në mes të periudhës dhjetor 2021 - shkurt 2022 kanë shpenzuar mbi 800 kilovatë energji elektrike.

Ministria e Ekonomisë gjatë vitit 2022 me mjetet e saj ka implementuar masa për investim në pajisje ngrohëse efiçiente si: pompë termike, kondicioner/klimë, kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.

Sipas të dhënave që na i ka dërguar kjo ministri, me rreth pesë milionë euro investime kanë përfituar mbi 9000 konsumatorë familjarë.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Ekonomisë thuhet se në kuadër të ‘Pakos Mbështetëse për Energji’ me donatorë nga BE-ja për vitin 2023 për konsumatorët familjarë janë paraparë 10 milionë euro investime për pajisjet ngrohëse, pajisje efiçiente elektroshtëpiake si rrobalarëse, enëlarëse dhe frigorifer dhe subvencionimi në investimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme.

Subvencionime pati edhe në pajisjet e energjisë së ripërtëritshme si sistemi diellor për ngrohje të ujit sanitar dhe sisteme diellore fotovoltaike.

“Në kuadër të ‘Pakos Mbështetëse për Energji’ nga fondet e BE-së për herë të parë janë paraparë masat mbështetëse për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me pesë milionë euro investime, masë kjo e shpallur me datë 22.11.2023”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie. Pajisjet e subvecionauara për këtë masë janë të njëjta me ato që janë subvencionuar qytetarët.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se subvencionimi i këtyre pajisjeve ka ndikuar që të kursehet energjia elektrike.

“Në bazë të raportit nga komisioni i verifikimit në ME, i cili ka bërë verifikimet dhe vlerësimet në terren për pajisjet efiçiente ngrohëse për vitin 2022, ka rezultuar se shpenzimet e faturës së energjisë elektrike për vitin 2022 janë ulur mbi 30%”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.

Sipas të dhënave të ministrisë, deri me 11 dhjetor 2023, kanë përfituar gjithsej 18 mijë e 313 konsumatorë familjarë në vlerë prej 8 milionë e 634 mijë e 963 euro të disbursuara.

Por, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovë (ASK), nuk është vërejtur rënie e konsumit, por rritje. Sipas këtyre të dhënave, gjatë muajit nëntor 2023, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 648.95 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 432.84 GWh ose 5,49% më shumë sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak. Ndërkaq, gjatë muajit dhjetor të vitit 2023, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 853.83 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 608.16 GWh ose 12,69% më i madh sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak (dhjetor 2022).

Subvencionimi i faturave – para e “djegur”

Burim Ejupi, drejtor i institutit INDEP thotë se iniciativa për të subvencionuar blerjen e pajisjeve elektrike efiçiente është shumë e mirë, por fatkeqësisht e vonuar. Ai thotë se kanë qenë të befasuar për të mirë se qytetarët kanë aplikuar shumë shpejt dhe se ka pasur interesim të madh për t’i blerë këto pajisje, pasi që qytetarët po e dinë rëndësinë e efiçiencës së energjisë.

Sipas tij, e vetmja mënyrë që të kursehet energjia elektrike është efiçienca e energjisë elektrike përmes pajisjeve dhe t’i zvogëlojmë shpenzimet me pajisje që shpenzojnë më pak.

“Ne si INDEP në gusht të vitit të kaluar kemi kërkuar nga qeveria që ta shtojë fondin me para të qeverisë. Kur dihet që thirrja ka qenë e hapur për gjashtë javë, por brenda dy javëve u mbyllë, pasi që kërkesat kanë qenë goxha të mëdha”, thotë Ejupi.

Ai thotë se duke marrë parasysh se konsumi kryesor i energjisë elektrike është në ngrohje dhe derisa nuk kemi edhe në qytete tjera ngrohtore, subvencionimi i pajisjeve është zgjidhja e vetme dhe se qeveria duhet të shtojë investimet në këtë drejtim.

Subvencionimi i faturave është sikur me i djeg ato para, e që kanë qenë 87 milionë euro. I është ndihmuar qytetarëve, tri fatura i janë paguar dhe prapë e kemi problemin e njëjtë, krizën e faturave. Në anën tjetër ato para kishin hyrë në ekonomi dhe konsumi i energjisë do të kishte rënë. P.sh një klimë efiçiente e zvogëlon faturën 20 – 30 për qind.

Burim Ejupi, IDEP

“Për shembull, nëse subvencionimi bëhet me 100 milionë euro, në ekonomi hynë 200 milionë euro dhe qeveria i kthen rreth 30 përqind të subvencionimeve përmes taksave dhe tatimeve dhe pjesën tjetër në mënyrë indirekt për pesë vjet i kthen krejt”, thotë ai.

Sipas Ejupit subvencionimi i faturave të energjisë elektrike ka qenë një gabim, pasi që ato para kanë shkuar huq dhe se të njëjtat do të duhej të investoheshin në subvencionimin e blerjes së pajisjeve efiçiente.

“Subvencionimi i faturave është sikur me i djeg ato para, e që kanë qenë 87 milionë euro. I është ndihmuar qytetarëve, tri fatura i janë paguar dhe prapë e kemi problemin e njëjtë, krizën e faturave. Në anën tjetër ato para kishin hyrë në ekonomi dhe konsumi i energjisë do të kishte rënë. P.sh një klimë efiçiente e zvogëlon faturën 20 – 30 për qind”, theksoi Ejupi.

Qytetarët kërkojnë vazhdimin e subvencionimit

Preportr përmes platformës ECR ka realizuar një anketim online me qytetarë lidhur me ndikimin që mund ta ketë pasur subvencionimi i pajisjeve elektrike në kursimin e energjisë. Në pyetjet e parashtruara janë përgjigjur 145 qytetarë. Mbi 49 për qind e tyre kanë thënë se janë përfitues të pajisjeve efiçiente.

Në bazë të përgjigjeve, qytetarët më së shumti duket se janë të kënaqur me klimat efiçiente. Në pyetjen se sa ka ndikuar kjo pajisje që të shpenzoni më pak energji elektrike, 36.3% kanë deklaruar se ka ndikuar mesatarisht, 31.8% se ka ndikuar shumë, 25% se ka ndikuar pak dhe 6.8% se nuk ka ndikuar fare. Ndërsa, për pompat termike 42% e respondentëve kanë thënë se ka ndikuar mesatarisht, 25% se ka ndikuar shumë dhe 25% se nuk ka ndikuar fare.

Mbi 86% e respondetëve kanë thënë se qeveria duhet të vazhdojë subvencionimin e pajisjeve efiçiente për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa në pyetjen se a duhet të subvencionohen faturat e energjisë elektrike, pra që një pjesë të paguhen nga qeveria, 41.7% e respoendetëve janë shprehur se qeveria duhet të subvencionojë faturat e energjisë elektrike.

A ka ndikuar pajisja që e keni përfituar të shpenzoni më pak energji elektrike?

Një pjesë e respondentëve kanë komentuar në pyetësor se duhet të hiqet pragu prej 800 kilovatë, sepse ky shpenzim bëhet brenda pak ditëve nëse përdorët pompa termike. Nëse shpenzohen më pak se 800 kilovatë, çmimi për një kilovat është 7.9 centë, ndërsa nëse shpenzohen më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, çmimi për një kilovat në këto raste kostoja llogaritët 14.25 centë.

Lidhur me këtë bllok tarifë prej 800kw ka mendime dhe qasje të ndryshme, e para që stimulon qytetarët që kursejnë energjinë elektrike, por në anën tjetër një pjesë kërkon ky prag të hiqet, pasi që është një penalizim për qytetarët që nuk kanë opsione tjera për ngrohje ndërkaq kostoja është e lartë. Edhe kur është vendosur nga ZRrE për këtë prag ka pasur diskutime dhe propozime të ndryshme.

Burim Ejupi thotë se INDEP ka sugjeruar ndarjen e tarifës së energjisë elektrike në tre blloqe, me qëllim të adresimit të nevojave të ndryshme të konsumit. Propozimi i INDEP-it ishte që të përdoret një sistem ku deri në 600 kilovatë përfshin konsumin normal të një familjeje brenda një muaji, për shembull, në raste kur përdoret ngrohja qendrore e qytetit. Për sasinë e energjisë nga 600 deri në 1200 kilovatë-orë, e kemi menduar për ekonomitë familjare që ngrohen me energji elektrike, veçanërisht ato që nuk kanë qasje në forma alternative ngrohjeje.

“Ndërsa, çdo konsum mbi 1200 kilovat-orë e konsiderojmë si shpenzim luksi, dhe për këtë arsye, çdo konsumator që e tejkalon këtë limit do të përballët me një tarifë më të lartë. Ndarja e tillë me tre blloqe siguronte edhe që të gjithë të ndjenin rritjen e të mos kishte dallime të mëdha nga 800 në mbi 800 siç ndodhi me faturat e janarit, por edhe rritja të ishte graduale dhe e përballueshme sidomos për konsumin nën 1200 kilovatë”, thotë Ejupi.

Lidhur me këtë çështje profesori i fushës së energjisë Agron Dida thonë se pragu ndikon që të kursehet më shumë energjia elektrike. Ai thotë se në Kosovë duhet të ketë sa më shumë vetëdijesim të qytetarëve për ta kursyer energjinë elektrike.

“Në sistemin edukimit fillor dhe të mesëm duhet të mbahen ligjërata të veçanta të disa lëndë, e që fokusi të jetë në kursimin e energjisë elektrike dhe energjisë në përgjithësi”, thotë Dida.

Ai thotë qeveria duhet të mundësojë sa më shumë subvencionim në izolim apo pajisje elektrike në mënyrë që të kursehet energjia elektrike.

“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente është shumë i nevojshëm. Në anën tjetër duhet të ndalohet me ligj importimi i disa pajisjeve që nuk janë në përputhje me standardet efiçiente dhe që shpenzojnë shumë energji elektrike. Ato duhet t’i eliminojmë nga tregu”, thotë Dida.

Kondicionerë në vend të druve

Preportr ka kontaktuar me disa përfitues të pajisjeve elektrike, ndërkaq tre prej tyre kanë pranuar të flasin për ndikimin që kanë pasur këto pajisje në shpenzimin e energjisë elektrike.   edhe u prononcuan.

Roland Ahmetaj që është përfitues i pompës termike thotë se nuk ka vërejtur ndryshim në faturën e energjisë elektrike edhe pas përdorimit të kësaj pajisje.

“Këta dy muajt e fundit nuk kam vërejtur që ka pasur ndryshim të faturës së energjisë elektrike dhe nuk kam vërejtur ndonjë ndryshim. Ka ndiku deri diku, por jo aq sa kam pritur”, thotë ai.

Durim Krasniqi thotë se ka hequr dorë nga ngrohëset klasike dhe ka blerë kondicioner, njërën prej tyre përmes subvencionimit nga ministria. Ajo thotë se ka vërejtur se ka shpenzuar më pak energji elektrike me përdorimin e kondicionerëve, apo klimave siç quhen në masë të madhe nga qytetarët.

“Tani po me vjen fatura e energjisë 30-40 euro më pak, sesa kur nuk e kam pas klimën që e kam përfituar me subvencionim. Para klimës i kam pasur dy nxehëse klasike, por ato harxhonin shumë dhe nuk jemi ngrohë si duhet. Tani i kam tri klima, njërën e kam ble me subvencionim. Po e vërejë që ka shpenzime më pak, por edhe ajri më i pastër”, thotë Krasniqi, duke shtuar se edhe me komshinjtë kur po e diskutojnë faturën e rrymës, pasi që ata nuk kanë klima, po e vëren se në krahasim me ata, më lirë i ka ardhë fatura nga KEDS-i.

A mendoni se qeveria duhet të vazhdojë të subvencionojë me pajisje të tilla efiçiente qytetarët dhe bizneset?

Mentor Bojku deri në vitin e kaluar ishte ngrohur me dru, ndërkohë që vendosi të blejë kondicionerë, por edhe ta izolojë shtëpinë, pasi që kishte përfituar subvencionim. Ai thotë se subvencionimi i pajisjeve elektrike dhe izolimi i shtëpive duhet të vazhdojë, e jo të subvencionohen faturat e energjisë elektrike.

“Tani i kam tri klima efiçiente që i përdori, njërën e përdori gjatë gjithë kohës, kurse tjerat kohë pas kohë. Unë kam paguar 30-45 euro verës kur nuk përdori asgjë për ngrohje, ndërsa tani paguaj 90 euro, e më së shumti 110 euro. Para izolimit dhe klimave jam ngrohur me dru, dhe kur i krahasoj shpenzimet, tash po shpenzoj më pak. Paratë që i kam shpenzuar për dru, nëse i shpërndajmë nëpër muaj, po më bjen shumë më lirë”, thotë Bojku.

Në dy hulumtimet që ka realizuar Preportr lidhur me prerjet ilegale të pyjeve, rezulton se pyjet në masë të madhe janë prerë për t’u përdorur për ngrohje. Duke e marrë parasysh këtë fakt, njohësit e fushës së mjedisit thonë se duhet gjendur alternativa tjera për ngrohje, në mënyrë që të parandalohet prerja e pyjeve, pasi që ky veprim ka pasoja shumëdimensionale mjedisore.

“Evaporimi i sipërfaqeve pyjore, ndikon në ngopjen e ajrit me lagështi dhe shfaqjen e reve që sjellin të reshurat. Përveç kësaj pyjet pengojnë edhe erozionin e tokave përmes rrënjëve të drunjve. Pra prerjet e pyjeve e kanë çrregulluar ciklin e reshjeve në shumë vende të botës”, thotë Zeqir Veselaj, profesor i fushës së mjedisit.

Ai thotë se regjenerimi i pyjeve është një proces që merr kohë për të ardhur në gjendjen siç kanë qenë. Duhet pritur mbi 30 vjet që një lis të arrijë të zhvillohet sërish në gjendjen që kanë qenë. Kjo do të thotë që dëmet janë afatgjata dhe prekin shumë gjenerata.

“Në pyjet tona rigjenerimi i pyjeve të larta llogaritet të zgjatë 30-40 vjet (pra prej prerjes e deri kur druri arrin lartësinë në të cilën është prerë)”, thotë nder të tjera Veselaj.

Preportr ka kërkuar nga KEDS dhe KESCO për të marrë të dhënat e konsumit të energjisë elektrike nga ekonomitë familjare për periudhën dhjetor 2022 – janar 2023 dhe  dhjetor 2023 – janar 2024, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.