Prishtinë, 29 Dhjetor 2022
Projekti për sjelljen e gazit ka shkaktuar shumë diskutime në Kosovë. Kjo sidomos pas refuzimit të këtij projekti nga Qeveria e Kosovës. Lidhur me këtë projekt ka pasur shumë reagime, por pak informacione. Publikut, por as njohësve të fushës së energjisë, asnjëherë nuk iu janë ofruar informacione konkrete lidhur me këtë projekt. Kjo ka krijuar hapësirë për spekulime të ndryshme, si nga ato se ky gaz është i Amerikës dhe refuzimi i këtij projekti, politikisht interpretohej si refuzim i bashkëpunimit me Amerikën. Në anën tjetër gazi, përveç si aset energjetik, konsiderohej edhe si investim strategjik i Kosovës në aspektin politik.
Preportr ka bërë kërkesë disa herë në Ministrinë e Ekonomisë, për ta intervistuar ministren Artane Rizvanolli lidhur me këtë temë, por edhe pas pritjes për disa muaj, intervista nuk është mundësuar. Por, lidhur me temën e gazit ministrja Rizvanolli ka folur në institutin Riinvest gjatë një diskutimi publik me ekspertë të energjisë.
“Zhvillimet e fundit kanë shkuar duke e mbyllur derën. Prej momentit që kemi vendos mos të shkojmë me atë projekt, dera ka shkuar veç duke u mbyllur”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo ka thënë se përveç argumenteve dhe pakënaqësive që kanë qenë, është duke u parë që gazi është duke e shkaktuar krizën që po ndodh muajve të fundit. Sipas saj, Rusia është duke e përdorur gazin si armë, mirëpo kjo nuk e ndryshon faktin se kërkesa për gaz ka qenë duke u rritur.
Rizvanolli ka thënë se gazi ka qenë si proces i tranizicionit që pothuajse të gjitha vendet kanë llogaritur në të, kështu që kërkesa ka qenë duke u rritur.
Kur kam pyetur unë se ku do të merret gazi, me çfarë çmimi do të kontraktohet, besoni që askush nuk kishte menduar për atë punë.
Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë
Ajo ka shtuar se Kosova ka qenë duke hyrë për ndërtim të infrastrukturës me idenë se do të përdorët për një kohë të shkurtër, pa idenë se ku do ta marrim gazin.
“Është thënë gaz amerikan, por kur kam pyetur unë se ku do të merret gazi, me çfarë çmimi do të kontraktohet, besoni që askush nuk kishte menduar për atë punë. Mandej filluan ta “zbulojnë” se është gaz amerikan, është projekt amerikan, na shpallen “anti-amerikan etj. Thjeshtë kjo çështje duhet trajtuar me seriozitetin e duhur dhe në mënyrë kritike”, ka theksuar Rizvanolli.
Lidhur me këto deklarata të ministres, Luan Shllaku, njohës i fushës së energjisë dhe mjedisit gjatë një diskutimi në “Forum 2015” ka thënë se Kosova i ka disa mundësi për t’u furnizuar me gaz.
“Nuk është ashtu se askush nuk ka idenë se ku të merret gazi, se çfarë duhet bërë në këtë situatë, apo në çfarë mënyre gazi kish me impliku brenda, jo që ka shumë ide, por ka shumë obligime që dalin nga dokumentet paraprake. Kosova e ka pasur strategjinë 2018-2027, ku qartë thuhet se një nga kahet kryesore është ndërtimi i infrastrukturës së gazit, që nënkupton se duhet shkuar tutje dhe me u furnizuar me gaz”,
Gazi nuk po konsiderohet prioritet
Në draft strategjinë e energjisë së Republikës së Kosovës, i është kushtuar pak hapësirë opsionit të gazit. Në këtë dokument thuhet se aktualisht Kosova nuk ka rrjet të transmisionit të gazit dhe se për ndërtimin e një interkoneksioni për t’u lidhur me sistemet e transmisionit të gazit, qoftë me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), ose me terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në detin Egje apo Jon, d.m.th. përmes Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë, do të duheshin së paku 7-9 vjet.
“Ndërtimi eventual i një interkoneksioni do të mundësonte funksionimin e prodhimit të energjisë elektrike me bazë gazi dhe potencialisht shfrytëzimin e gazit natyror në industri. Opsionet për ndërtimin e një sistemi me bazë gazi natyror në Kosovë janë duke u analizuar në Master Planin e Gazit dhe në studimin e fizibilitetit për tubacionin e interkoneksionit të gazit në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, thuhet në draft-strategji.
Tutje, thuhet se Kosova ka edhe opsionin e shfrytëzimit të infrastrukturës së gazit që është planifikuar në Shqipëri (lidhja në TAP ose qasja në terminalin e LNG në Vlorë). Në këtë dokument theksohet se infrastruktura e gazit në këto vende dhe në Greqi ofron mundësi për (bashkë) investim në kapacitetet gjeneruese të energjisë elektrike.
Sabit Gashi – zv. drejtor i Departamenti të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë gjatë një diskutimi të po të të njëjtit format siç ishte ministrja Rizvanolli ka thënë se është punuar që disa vite në një projekt për gazin dhe se tani ka një dokument të parafizibilitetit për këtë çështje.
Ai theksoi se një bashkëpunim me Shqipërinë e ka një rezultat e që është studimi i fizibilitetit të gazit Shqipëri- Kosovë, është projekti Alko-Gap. Ai tha se nisma ka qenë e Republikës së Shqipërisë në vitin 2013 dhe Kosova i është bashkangjitur dhe është arritur të kualifikohet në listën e interesit të komunitetit të energjisë, dhe ka pasur një diskutim të jashtëzakonshëm se si mund të kualifikohej ky projekt, derisa nuk është kualifikuar projekti i Malit të Zi”, .
“Në vitin 2017 është fituar një donacion me ndihmën e IBRD-së (Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim) dhe është bërë studimi i parafizibilitetit për projektin auto-gap, i cili e nxirrte projektin fizibel dhe si rekomandim ishte që të bëhet një masterplan për gazifikim në Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, në këtë drejtim Kosova ka progres pasi që është në fazën finale të masterplanit të gazit dhe se tashmë janë disa drafte.
“E kemi një draft të një unaze të të gjitha qyteteve të Republikës së Kosovës që do të kyçen në gazsjellës me dy burime të mundshme të furnizimit një nga linja Shqipëri- Kosovë dhe tjetra përmes linjës me Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Gashi, i cili për dallim nga ministrja Rizvanolli, mendon se gazi është i domosdoshëm.
Sipas njohësve të fushës, për ta funksionalizuar një projekt të tillë të gazit, duhet së paku një periudhë kohore prej pesë viteve.
Nuk ka pasur argumentim për arsyet e refuzimit
Alban Hashani, drejtor i Institutit Riinvest thotë se arsyetimet e qeverisë lidhur me refuzimin e projektit të gazit janë publike, por nuk ka pasur asnjë argumentim të fortë për arsyet e refuzimit.
Ai thotë se lidhur me këtë çështje nuk ka informacione të plota dhe se pas vendimit të shkurtit të këtij viti të komisionit evropian që të klasifikojë gazin si energji të qëndrueshme, do të duhej t’i jepej më shumë analizë vendimit nëse duhet të heqim dorë prej gazit ose jo.
Hashani thotë se qeveria është duke punuar në masterplanin për gazin edhe në planin e fizibilitetit për interkonuksionin me Maqedoninë, i cili do t’i hapte rrugë infrastrukturës për gaz në Kosovë.
“Në masterplanin e ri për gazin, mund të rikthehet si opsion gazi. Megjithatë, kjo nuk reflektohet qartësisht në strategjinë e cila është duke u draftuar tani, e që do të aprovohet së shpejti”, thotë Hashani.
Ai thotë se konfiguracioni energjetik i Kosovës bazohet shumë në linjit, mbi 90 për qind të kapaciteteve dhe për rrjedhojë çdo burim alternativ do të mund të përmirësonte kombinimin energjetik të Kosovës. Ai mendon se në këtë kontekst gazi do të mund të shërbente si një burim shtesë, i cili edhe do ta lehtësonte procesin e tranzicionit energjetik.
Hashani thotë se implementimi eventual i projektit të gazit, në aspektin ekonomik është i mirëseardhur, sepse krijohet një alternativë e re, por duhet pasur parasysh se kapacitetet nuk do të krijoheshin menjëherë.
“Megjithatë, do të krijohej mundësia që gazi të shpërndahet edhe për grupe të tjera të konsumatorëve, si ngrohjet qendrore, gjë që do ta ulte konsumin në nivel të amvisërive, e cila siç e dimë, përdorë në mënyrë joefiçiente energjinë dhe kjo energji edhe mund të kursehej”, thotë Hashani.
Kosova do të përfitonte nga përdorimi i gazit
Burim Ejup, drejtor i Institutit INDEP, thotë se gazi është një prej opsioneve në tranzicionin e energjisë, dhe kur dihet se Kosova në fund të vitit 2020 ka nënshkruar marrëveshjen e Sofjes, e cila është një marrëveshje e gjelbër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e ku si pikë e parë është dekarbonazimi, më konkretisht parashihet që në vitin 2050 të mos ketë djegie fosile, që do të thotë të mos ketë as naftë, as gaz, as qymyr në funksion.
Ejupi mendon se në të ardhmen do të ketë shumë burime të ripërtritshme të energjisë, dhe gazi do të ndihmonte shumë në balancimin e energjisë, kur ka kriza të balancimit.
“Në këtë aspekt, sa i përket projektit që qeveria e ka refuzuar, nuk kemi informata, ajo çka dimë është se ai projekt ka kushtuar 450 milionë euro. 200 milionë kanë qenë grant, 200 milionë do të duhej të merrej një kredi”, theksoi Ejupi.
Burim Ejupi thotë se përfitimi ekonomik nga gazi do ishte se kostoja e ngrohjes së dimrit do të binte dhe qytetarët do të kishin më shumë para për shpenzime tjera. Ai thotë se përfitimi do të ishte te sigurimi i energjisë, tranzicioni më i butë, e që sipas tij këto elemente janë më të rëndësishme sesa kostoja ekonomike.
“Pra, në vitin 2050 për të dalë prej përdorimit të thëngjillit është një kosto që duhet ta paguajmë. Me gaz do ta paguanim më pak”, thotë ai.
Ejupi thotë se duke marrë parasysh që çmimi i rrymës do të shtrenjtohet edhe vitin tjetër, si dhe me krizat dhe luftën që po ndodh në Ukrainë, projekti i gazit kish qenë një siguri.
Ai thotë se mangësi e këtij projekti mund të konsiderohet kostoja, pasi që gazi duhet të blihet.
Në aspektin e qëndrueshmërisë energjetike Ejupi thotë se një termocentral me gaz deri në 250 megavat do të ishte i dobishëm. Ai thotë se një termocentral i tillë lëshohet edhe ndalet me një buton, ndërsa termocentralit me thëngjill i duhen deri në dy ditë për t’u balancuar në rrejt.
“Kështu që nëse e shohim në periudhë afatgjate, ndoshta mund t’i humbim 10 milionë euro për 10 vjet, por ne përfitojmë benefite tjera”, ka thënë Ejupi.
Lidhur me projektin e shumëpërfolur, Ejupi thotë se është përmendur që është një gazsjellës që vjen nga Greqia në Maqedoni dhe ideja ka qenë që të vijë nga Maqedonia në Kosovë.
“Ekziston një trase e vjetër e gazit nga Maqedonia për në Kosovë që ka ekzistuar në kohën e komunizmit, pra koston e shpronësimit nuk e kemi pasur pasi që veç ekziston traseja”, thotë Ejupi, duke shtuar se nuk janë dhënë detaje për aspektet tjera teknike se si është paraparë realizimi i projektit.
Lidhur me trasenë e viteve paraprake, njohësi i fushës së gazit Sabit Restelica thotë se Kosova ka një infrastrukturë të zhvilluar nëntokësore të gazpërҫuesit për gaz gjeneratorik. Sipas tij, gjatësia e gazpërҫuesit nëntokësor nga Obiliqi në drejtimet Fushë Kosovë-Prishtinë-Ferizaj-Kaҫanik-Hani i Elezit Shkup; Obiliq- TC Kosova B-Vushtrri-Mitrovicë-Zveҫan dhe Obiliq-Drenas, është rreth 240 kilometra, duke përfshirë gypin primar dhe degëzimet.
“Gjendja fizike e gazpërҫuesit ekzistues është shumë e keqe, por traseja e tij është shumë e saktë dhe ishte aset i përkohshëm në shfrytëzim të KEK-ut. Reparti i Gazifikimit të lignitit në Obiliq, kishte kapacitete për prodhimin e gazit gjeneratorik 90.000 metër kub për një orë, gaz të papërpunuar (60.000 metër kub për një orë me gaz të pastër nga pesë gjeneratorë të tipit Lurgy)”, thotë Restelica.
Gazi do të ishte një opsion alternativ i energjisë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se ky projekt përfshinte termocentralin me gaz dhe rrjetin e gazit, si dhe krahas tyre edhe bateritë akumuluese dhe investimet në rrjet energjetik për të ulur humbjet. Ai thotë se refuzimi i projektit të gazit ka qenë gabim dhe se thellimi i krizës energjetike po e dëshmon sa i rëndësishëm ka qenë ky projekt, pasi që kriza energjetike nuk është e përkohshme.
“Do të duhet një periudhë disavjeçare për të siguruar dhe ndërtuar burime tjera të furnizimit me energji dhe për të normalizuar situatën. Prandaj, projekti i gazit do të kishte ndihmuar shumë në këtë drejtim në një periudhë tri vjeçare. Nuk është dhënë asnjëherë arsyetim bindës përse është refuzuar ky projekt”, ka thënë Hoti për Preportr.
Ai thotë se Kosova do të kishte përfitime nga ky projekt, sepse do të siguronte një burim alternativ të energjisë përveç prodhimit vendor të energjisë me qymyr. Sipas tij, është e kuptueshme që pasojat ambientale do t’i kishim sikurse edhe vendet e tjera, por pasojat ambientale po i kemi edhe më të mëdha me thëngjill.
“Kosova do të përfitonte nga ky projekt edhe në aspektin gjeopolitik, sepse do të bëheshim pjesë e koalicionit ndërkombëtar demokratik në kundërvënie hegjemonisë ruse”, thotë Hoti.
Ish-kryeministri thotë se është esenciale për Kosovën që të kthehet projekti i gazit, pasi që do të ndihmonte shumë në stabilitetin energjetik dhe Kosova do të bëhej pjesë e rrjetit ndërkombëtar të gazit dhe energjisë, e cila gjë është e rëndësishme në aspektin gjeopolitik.
Ndërsa, sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin e energjisë ai thotë se ky sektor duhet të orientohet në burime energjetike të qëndrueshme dhe në bashkërendim me strategjitë e partnerëve tanë në fushën e energjisë.
“Sigurisht duhet të marrim gjithmonë parasysh aspektin e komplementaritetit në energji me Shqipërinë. Investimet në rritjen e efiçiencës në energji dhe rritja e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme janë aspekte të pandashme të investimeve në energji, por ato janë investime komplementare, e jo bazike, sa i përket furnizimi me energji. Projekti i gazit, që ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, është njëri ndër projektet më kapitale në këtë sektor”, ka thënë Hoti.
Projekti i gazit duhet të studiohet mirë
Luan Shllaku, drejtor i KFOS-it dhe njohës i fushës së energjisë dhe mjedisit, lidhur me projektin e gazit ka thënë se para se të refuzohej projekti , duhet të analizohet dhe të studiohet mirë.
Me çfarë lehtësie qeveria i tha jo gazit, tu e pas një dokument fizibiliteti. Dokumenti i fizibilitetit si i tillë të paktën sjell parametra teknik të cilët nuk mund t’i injorojmë. Ato i ka pasur në tavolinë qeveria dhe kanë thënë se nuk dimë çfarë gazi është.
Luan Shllaku, njohës i fushës së energjisë dhe mjedisit
“Me çfarë lehtësie qeveria i tha jo gazit, tu e pas një dokument fizibiliteti. Dokumenti i fizibilitetit si i tillë të paktën sjell parametra teknik të cilët nuk mund t’i injorojmë. Ato i ka pasur në tavolinë qeveria dhe kanë thënë se nuk dimë çfarë gazi është, ndërkohë që kanë studim fizibiliteti, të cilin unë e kam lexuar”, ka thënë Shllaku gjatë një diskutimi publik mbi energjinë në institutin Riinvest.
Ai theksoi se pakkush në Kosovë e di që Kosova ka qenë prodhues i gazit prej vitit 1970 deri ne vitin 1989, pra 19 vjet kemi prodhuar dhe se kapaciteti instalues ka qenë 500 metra kub.
Shllaku thotë se ajo që ka mbetur si trashëgimi janë gazpërçuesit, duke përmendur gazpërçuesin në Shkup, gazpërçues i cili është prej rrugës së Shkupit dhe depërton edhe në Kaçanik, në Termokos, në Feronikel, dhe në Trepçë.
Ai thotë se Kosova ka një rrjet dominant. Gjithsesi ata gypa nuk përdorën më, por ekziston traseja. Kjo trase sipas Shllakut nuk është përmendur kurrë nga politikanët, mbase që nuk e kanë ditur.
“Me kalu ka Obiliqi, vërehen më shumë elementët e gazifikimit sesa të termocentraleve”, ka thënë Shllaku.
Ai theksoi se është i domosdoshëm një diskutim i thellë për të vendosur a të shkohet me gazifikim apo jo.
“Unë nuk them duhet 100% me shku (me gazifikim). Unë them se duhet ta studiojmë, sepse nëse e studiojmë, nuk kemi nevoje për të ndërtuar termocentrale që djegin gazin, e jo qymyrin, që është si nata me ditën edhe në aspektin ambiental. Gjithashtu, mund ta zvogëlojmë konsumin, sepse shtatë qendra kosovare t’i lidhin ngrohtoret me gaz, është mjaftë, dhe nëse bëhet kjo, zvogëlohet konsumi për 500 megavat. Kjo është sikur me ndertu një 500 megavatesh të ri”, ka thënë Shllaku.
Shllaku thotë se pas fillimit të luftës në Ukrainë, askush nuk e sheh gazin si fosil, i cili është i ndaluar dhe duhet në vitin 2035 ta zvogëlojmë për 55%, e deri në vitin 2050, të hiqet krejt.
“Ata thonë është tranzicional, e dini për çfarë tranzicioni është fjala, për 20-30 vjet, nuk flasim tranzicional që me u frikësua me investu sepse pas tri vjetëve i kalon tranzicioni, po flasim për një tranzicion afatgjatë që ne këtu e kemi atë potencial”, theksoi Shllaku.
Geri Selenica, drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, ka thënë gjatë një diskutimi në “Forum 2015” se kostoja e importit të gazit është e madhe dhe e rritë dukshëm çmimin e energjisë dhe se një gjë e tillë shkakton varësi energjetike. Për këtë arsye ai thotë se ka qenë kundërshtar i gazsjellësit me Shkupin.
Sipas tij, zgjidhja më e qëndrueshme dhe e më e dobishme për Kosovën është që të mos ndërtojë projekte të lidhjeve të gazit me vendet e rajonit, por të prodhojë gaz vet. Ai thotë se kjo bëhet përmes teknologjisë së re, duke e shndërruar qymyrin në gaz.