E themeluar në shtator të vitit 2005, qëllimi i Organizatës Çohu është kufizimi i ndikimit të korrupsionit politik në institucionet publike të Kosovës. Përderisa Kosova mbetet një vend i varfër dhe i pazhvilluar, me rritje të ulët ekonomike, korrupsioni duket të ketë marrë një kahje tjetër, atë të zgjerimit. Për ta zvogëluar korrupsionin dhe për ta hapur rrugën për zhvillim, Çohu angazhohet për institucione transparente dhe llogaridhënëse. Në kuadër të aktiviteteve të saj, Çohu i monitoron rastet e dyshuara të korrupsionit në gjykatat e Kosovës, monitoron dhe raporton mbi parashkrimin e lëndëve të korrupsionit, rishikon dhe propozon ndryshime të infrastrukturës ligjore dhe institucionale kundër korrupsionit. Këto aktivitete kryhen nga Zyra Ligjore dhe Kundër korrupsion e Çohut. Rishikimi dhe analizimi i kontratave të prokurimit publik është aktivitet në të cilin organizata është specializuar dhe ka zhvilluar metodologji të veten hulumtuese duke gjeneruar kështu të dhëna të rëndësishme mbi shpenzimet publike. Për të nxitur hulumtimin dhe për të arritur tek audienca më të gjera, Organizata Çohu ka themeluar krahun e saj gazetaresk, Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese (QKGH) e cila e publikon revistën “Preportr”. Përmes aplikimit të metodologjisë së zhvilluar, “Preportr” ka publikuar hulumtime jetike mbi patronazhin politik, klientelizmin, prokurimin publik, energjinë, shëndetësinë, arsimin e lartë, kompanitë publike si PTK, KEK dhe ANP, apo mbi kontratat investuese të ashtuquajtura “strategjike” me vlerë të lartë monetare siç është “Rruga e kombit”.
Me rritjen e punës sonë, po rritemi edhe ne. Jemi gjithmonë në kërkim të vendeve të reja, të territoreve të reja për eksplorim dhe të fushave të reja për hulumtim. Lëvizja në drejtim të fushës së “të dhënave të hapura” (Open Data), që t’i eksplorojmë ato dhe t’i shndërrojmë në mjet për arritjen e një transparence dhe llogaridhënieje më të lartë të institucioneve publike, është, mes tjerash, një nga qëllimet e Zyrës për Qeverisje të Mirë dhe Demokratizim. Teknologjitë e reja ua mundësojnë organizatave të shoqërisë civile që të jenë më efikase dhe të arrijnë tek një publik më i gjerë. Duke qenë në mes të një organizate mbikëqyrëse (watchdog) dhe të një organizate hulumtuese (think-tank), Çohu nuk vendos kufij sa i përket përdorimit të metodave të ndryshme për të arritur synimet e saj të krijimit të institucioneve transparente, llogaridhënëse dhe demokratike.
AKTIVITET KRYESORE
Zyra për Demokratizim dhe Integritet Publik
Zyra për Demokratizim dhe Integritet Publik ka si fushëveprimtari monitorimin e punës së qeverisë dhe projekteve me rendësi për vendin. Kjo zyre fillimisht është marrë me monitorimin e punës së Qeverisë në çdo 100 ditë punë duke analizuar proceset me rendësi në periudha të ndryshme kohore. Ky departament së fundmi është marrë me monitorimin e tenderëve në ministritë me buxhet më të madh me rast është krijuar databaza e Organizatës me të dhënat përkatëse. Nga kjo Organizata publikon raporte analitike rreth shpenzimit të parasë publike, duke analizuar bizneset dhe rajonet të favorizuara, si dhe ndikimin politik në vetë shpenzimin e parasë publike.
Zyra e Këshilltarit Ligjor dhe Infrastrukturë Anti-kokorrupsion
Nëpërmjet Zyrës së Këshilltarit Ligjor dhe të Monitorimit të Legjislacionit Antikorrupsion Organizata ÇOHU! është një pjesëmarrëse e përhershme në grupet punuese për përpilimin e ligjeve. Përveç pjesëmarrjes në grupet punuese me Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera, jo rrallë ÇOHU! kërkon bashkëpunim me organizata tjera në ekspozimin e pikave të dobëta të identifikuara në legjislacionet ekzistuese dhe ato që janë në përgatitje e sipër.
Pjesë e rëndësishme e kësaj zyre është edhe kontakti me palët që kanë informacione dhe dokumente për të denoncuar, të cilat Zyra e këshilltarit ligjor i analizon dhe i raporton në Zyrën e Prokurorit Special, apo edhe në zyra tjera në varësi të rastit.
Zyra për Kompanitë Publike dhe Privatizim
Promovimi i praktikave të mira në menaxhim të aseteve publike, por edhe identifikimi i i korrupsionit, konfliktit të interesit dhe të keqmenaxhimit, është një pjesë e veçantë e punës së Organizatës. Ekspertët e organizatës në këtë fushë, por edhe bashkëpunimi me ekspertë nga jashtë, kanë bërë shpesh që ÇOHU! të jetë bartëse e debatit rreth politikave të qeverisë sidomos në raport me kompanitë publike. ÇOHU! ka qenë akteri kryesor në monitorimin e politikave mbi kompanitë publike dhe për këtë ka informuar dhe sensibilizuar në vazhdimësi Kuvendin e Kosovës. Rezultat i një punë të kësaj zyreje për herë të parë Kuvendi i Kosovës refuzoi tre herë radhazi Strategjinë e qeverisë për privatizimin e PTK-së me kërkesë për sqarime të mëtutjeshme, gjë që ka kontribuar ne shtimin e kontrollit ndaj ekzekutivit ne krijimin e politikave ekonomike.
Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese
Duke parë mungesën e investimit të mediave kosovare në gazetarinë hulumtuese dhe të pavarur, ÇOHU! ka themeluar një qendër për raportim hulumtues dhe për përkrahjen e gazetarëve hulumtues. Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese (Kosovo Centre for Investigative Journalism – KCIJ) bashkëpunon në baza të rregullta me dhjetëra gazetarë, kurse punon aktivisht me rreth dhjet prej tyre në hulumtimin e temave sidomos në fushën ekonomike dhe tema që kanë lidhshmëri me menaxhimin e kompanive publike. KCIJ boton një shtojcë të përdymuajshme në dy gazetat më të mëdha ditore, gjegjësisht në “Koha ditore” dhe në “Zëri”. Poashtu, kjo qendër boton një lloj shumë specifik të një magazine online me raporte hulumtuese dhe me pikëvështrime alternative mbi sferën publike përgjithësisht dhe në fushën ekonomike veçanërisht. Kjo qendër ka një bashkëpunim intensiv me qendra të ngjashme në rajon sidomos me Qendrën Rumune për Gazetari Hulumtuese, e njohur si një nga qendrat më të suksesshme në Evropën Juglindore.