Prishtinë, 01 Shkurt 2017
Pyjet e Kosovës janë ndër asetet natyrore që janë vënë nën shënjestër të shkatërrimit me qëllim të përftimit. Dëmtimi i tyre bëhet në mënyrë të vazhdueshme, në sy të institucioneve të cilat janë përgjegjëse për mbrojtjen e tyre. Pyjet duke qenë objekt i krimit ekonomik e që manifestohet kryesisht me prerjen ilegale dhe zjarre, shpeshherë të qëllimshme, janë shkatërruar pakthyeshëm si resurs për periudha të gjata.
Shumë familje të shtyra nga gjendja e rëndë sociale, prerjen ilegale të pyjeve dhe shitjen e tyre e kanë si të vetmin burim të mbijetesës. Mirëpo, dëmtimi më i madh u shkaktua kryesisht nga kompanitë të cilat fituan tenderë për pastrimin dhe shfrytëzimin e pyjeve. Këto kompani nuk respektuan kontratat dhe prerjet shumë herë tejkaluan masën e paraparë. Kjo dukuri ka qenë e pranishme sidomos në rajonin e Dukagjinit.
Se dhënia e këtyre tenderëve ka qenë shkatërruese për pyjet është e qartë edhe për Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, e cila ka marrë masa për ndërprerje të kontratave dhe dërgimin e rasteve në organet e ndjekjes gjatë viteve kur pyjet menaxhoheshin nga komunat (2010-2013).
Një arsye tjetër që ka ndikuar shumë në shkatërrimin e pyjeve ka qenë edhe përzierja e kompetencave ndërmjet institucioneve shtetërore (Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, drejtorive rajonale dhe komunave) të cilat kanë menaxhuar me pyjet. Ndarja e menaxhimit në tri institucione ka ngatërruar kompetencat ligjore dhe ka ulur përgjegjësinë në raport me menaxhimin e pyjeve. Duke marrë parasysh këtë situatë, Agjencia e Pyjeve të Kosovës është përpjekur që të hartojë një draft-ligj, ku do të koncentroheshin edhe njëherë kompetencat e pyjeve. Këto ndryshime janë pranuar nga të gjithë akterët dhe pritet të procedohen në kuvend.
Për vjedhjen e pyjeve shumë lëndë u dërguan në prokurori e gjykata, të cilat përfunduan të grumbulluara në sirtarë të patrajtuara me kohë ku si rezultat një pjesë e madhe e tyre u parashkruan. Vepra penale vjedhje e pyllit është vepra më e parashkruar (vjetërsuar) ndër vite. Nga viti 2001 deri në vitin 2014, rezulton se 1783 lëndë për vjedhje pylli janë parashkruar në gjithë Kosovën.
Në Kosovë pyjet më së shumti prehen për t’u shfrytëzuar për ngrohje. Një pjesë e konsiderueshme e druve që priten në rajonin e Dukagjinit shitën në dy tregjet e Pejës. Ekipi i Preportr i ka vizituar këto tregje dhe ka parë se një pjesë e druve nuk janë të damkosura me çekiç. Edhe Inspektorati i Agjencisë së Pyjeve konfirmon se në këto tregje ka gjetur shpesh dru që janë prerë ilegalisht, i ka konfiskuar dhe ka - dërguar rastet në organet e drejtësisë.
Por një pjesë e druve përdorën edhe për përpunim. Ky lloj i druve prehet më së shumti në rajonin e Dukagjinit dhe për këtë arsye në komunat e këtij rajoni ka një numër të madh të sharrave. Inspektorati i Agjencisë së Pyjeve ka bërë inspektime të kohëpaskohshme në këto sharra dhe ka gjetur dru të cilat janë prerë në mënyrë ilegale dhe disa nga këto sharra i ka mbyllur.
Njohësit e fushës së ambientit thonë se prerja e pyjeve shkakton dëme të shumta ekologjike, pasi që pyjet janë balancuesit kryesor të koncentrimit të dy gazrave kryesore e që janë oksigjeni dhe dyoksidi i karbonit.
Dukagjini i dëmtuar
Pyjet në Kosovë mbulojnë 481.000 hektarë, ose 45% të sipërfaqes së përgjithshme. Rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.6 milionë metra kub dru në vit, që nënkupton se ka mundësi të mëdha për prerje, me kusht që ajo të jetë e kontrolluar. Ndërkohë nevojat e qytetarëve janë diku rreth 1 milion metër kub në vit. Preportr hulumtimin e ka shtrirë me fokus në dëmtimin e pyjeve të komunave të Dukagjinit, kjo për arsye se ky rajon del të jetë njëri prej rajoneve më të prekura edhe për nga sasia e shkatërrimit edhe për nga cilësia e drurit të prerë. Lënda drusore e konfiskuar ndër vite dhe rastet e dërguara në gjykata e bëjnë këtë rajon më të prekurin në Kosovë, duke mos anashkaluar këtu edhe komunat tjera si Ferizajn dhe Podujevën ku gjendja po ashtu është shumë e rëndë.
Peja si komuna më e madhe e këtij rajoni ka më së shumti sipërfaqe pyjore rreth 25.709.72 hektarë, ndërsa Istogu i ka 19.000 hektarë. Komuna e Deçanit ka rreth 14.420 hektarë me pyje ku 10.903 hektarë prej tyre, janë pyje publike, kurse private 3517 hektarë. Ndërkaq, Komuna e Junikut posedon me 4668.90 hektarë me pyje, prej të cilave 3333.90 hektarë janë pyje publike dhe 1315 hektarë private.
Një pjesë e madhe e këtyre sipërfaqeve pyjore të këtyre komunave tanimë janë nën mbrojtje të rreptë të shtetit pasi janë pjesë e parkut kombëtar Bjeshkët e Nemuna. Ky park shtrihet në komunat Istog, Pejë, Deçan, Junik dhe Gjakovë dhe ka një sipërfaqe prej 63028 hektarësh.
Në pjesë të ndryshme të këtij rajoni shihen pjesë të mëdha të dëmtuara nga prerja pa kriter e druve. Më e keqja është se druve u është prerë pjesa e mirë në mes ndërsa tjetra është lënë për toke, gjë që ka bërë që dukja e këtyre pjesëve të jetë shumë e keqe.
Banorët përreth thonë se gjithë ky dëmtim i pyllit, por edhe zjarret që shkaktoheshin vite më parë janë bërë në mënyrë të organizuar. Ata thonë se kamionë të mëdhenj kanë bartur dru pa u penguar nga askush dhe prapa e kanë lënë në gjendje të mjerë hapësirën ku kanë punuar.
Vite më parë në bjeshkët e fshatit Carrabreg të Komunës së Deçanit, një pjesë e madhe e pyllit u dogj. Banorët kujtojnë se sa më vështirësi u ndal zjarri në mungesë të pajisjeve adekuate. Gjurmë të tij shihen ende. Më larg kësaj hapësire të djegur, vjen edhe një pjesë tjetër që është dëmtuar nga prerjet ilegale.
Preportr gjatë realizimit të këtij hulumtimi ka bashkëpunuar me banorët e kësaj ane të cilët me fotografi dhe video na kanë dëshmuar se edhe gjatë natës barten dru me kamionë dhe sipas të gjitha gjasave kjo bëhet në mënyrë ilegale.
Pyjet u dëmtuan me ndihmën e shtetit
Pyjet në Kosovë në një masë të madhe u dëmtuan me ndihmën e institucioneve. U dhanë tenderë kompanive në emër të pastrimit të pyjeve, e kompanitë shfrytëzuan rastin të prejnë më shumë dru se sa e kanë pasur të lejuar me kontratë. Komunat e Dukagjinit por edhe vetë Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK) kanë dhënë tenderë për pastrimin e pyjeve.
Më anë të kërkesave për qasje në dokumente zyrtare është kërkuar nga komunat e Pejës, Deçanit dhe Istogut të na lejohet qasje në tenderët që i kanë dhënë për pastrimin e pyjeve gjatë periudhës 2010-2013. Peja dhe Istogu kanë thënë për Preportr se këto komuna nuk kanë dhënë tenderë për pastrim të pyjeve, ndërsa komuna e Deçanit ka dërguar dy dokumente në të cilat Preportr ka identifikuar gjashtë kompani që kanë fituar tenderë. Por as përgjigja e kësaj komune nuk ishte komplet transparente, sepse Preportr ka arritur të gjejë edhe nëntë kompani të tjera të cilat kanë fituar tenderë të ngjashëm nga kjo komunë.
Preportr ka siguruar emrat e disa kompanive që kanë operuar në Komunën e Deçanit dhe Pejës gjatë viteve 2011-2012, të cilave u është shkëputur kontrata. Këto nëntë kompani janë paditur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Pejë nga Njësiti i Krimeve Ekonomike. Këto lëndë aktualisht janë duke u trajtuar në gjykatë.
Nga gjithsej 15 kompani që kanë fituar tenderë në komunën e Deçanit e që Preportr i ka siguruar, shtatë prej tyre janë paditur për shkelje të kontratës.
Njëra ndër kompanitë që ka shkelur kontratën është edhe kompania SH.P.K “MALI” i cila është në pronësi të Sali Kuçit. Ai në kohën kur ka fituar tender ishte këshilltar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Komunën e Deçanit, parti e cila është në pushtet në këtë komunë. Kuçi tani udhëheqë ndërmarrjen publike "Higjiena".
Drejtori i Drejtoratit Ligjor në APK, Kadri Kadrijaj, thotë se në vitet e para kur kompetencat kaluan te komunat u është bërë një dëm shumë i madh pyjeve përmes tenderëve. Ai thotë se gjatë këtyre viteve 12 operatorëve ekonomikë që kanë qenë të kontraktuar nga komunat e Dukagjinit u janë ndërprerë kontratat.
“Dihet edhe publikisht se 12 prej operatorëve që kanë qenë duke operuar në komunat e lartpërmendura iu kanë shkëputur të gjitha kontratat që i kanë pasur me autoritetet komunale dhe janë marrë të gjitha masat ligjore që janë paraparë me ligj. Edhe sot një pjesë e tyre janë duke u ballafaquar me organet e gjyqësorit”, thotë Kadrijaj.
Ai përmend shifra të mëdha të dëmit që u janë bërë pyjeve nga këta operatorë. “Është një shifër e dëmit që është bërë dhe që është llogaritur se brenda kontratave të operatorëve ekonomikë kanë qenë 3 mijë e 500 kubik të këtij dëmi”, thotë ai, duke shtuar se druri i prerë ishte i kualitetit të lartë, dru halorë. Ndërkaq vlera mesatare e këtij dëmi është së paku rreth 160 mijë euro.
Edhe në Drejtorinë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, thonë se dëmin më të madh në pyjet e Kosovës, konkretisht në këtë park e kanë bërë operatorët ekonomikë që janë angazhuar për pastrimin e pyjeve.
“Ne kur kemi ardhur i kemi gjetur një gjendje jo të mirë pyjet, pasi që vetëm në rajonin e Pejës, përjashto Deçanin, i kemi gjetur afër 30 mijë metër kub dru, të cilat kanë qenë të damkuara dhe të gatshme për transport”, thotë drejtori i kësaj drejtorie Fatmir Morina. Nëse bëjmë një kalkulim të thjeshtë për koston e druve që përdorën për ngrohje e që shiten në treg, del se sasia e druve të lartpërmendura ka vlerën rreth 1 milion e 350 mijë euro.
Ne kur kemi ardhur i kemi gjetur një gjendje jo të mirë pyjet, pasi që vetëm në rajonin e Pejës, përjashto Deçanin, i kemi gjetur afër 30 mijë metër kub dru, të cilat kanë qenë të damkuara dhe të gatshme për transport
Fatmir Morina, drejtor i parkut kombëtar në Bjeshkët e Nemuna
Se tenderët janë arsyeja kryesore e dëmtimit të pyjeve në këto anë e pranon edhe një organizatë joqeveritare lokale në Deçan.
Adem Lushaj drejtor i Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur në Deçan, thotë se ata vazhdimisht kanë ngritur zërin kundër dhënies së tenderëve, pasi që përmes tyre janë dëmtuar shumë pyjet në Dukagjin.
“Dhënia e tenderëve qoftë përmes ministrisë, agjencisë apo komunës, janë shkatërruesit më të mëdhenj të pyjeve në Komunën e Deçanit, por edhe në përgjithësi të rajonit të Dukagjinit. Shkatërrimi i pyjeve të Deçanit bëhet me letra, në mënyrë të organizuar apo siç e kemi quajtur krim i organizuar, qoftë nga niveli komunal apo shtetëror”, thotë ai.
Shumë institucione menaxhuese, përgjegjësinë nuk e merr askush
Dëmtimi i pyjeve në Kosovë disa herë ka qenë temë diskutimi në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo pak angazhime konkrete janë bërë në drejtim të trajtimit të kësaj çështje më seriozisht. Megjithëse ekziston Ligji për Pyjet që nga viti 2003, të cilit disa herë i janë bërë ndryshime dhe plotësime, në vitin 2012 janë miratuar edhe dy ligje të tjera për parqet Nacionale, ai për Bjeshkët e Nemuna dhe tjetri për Bjeshkët e Sharrit. Ideja e hartimit të këtyre ligjeve ishte që të mbrohen jo vetëm pyjet, por edhe flora dhe fauna që gjenden në to.
Me shumë kundërshtime të banorëve dhe të institucioneve relevante duke përfshirë edhe komunat në të cilat gjenden këto parqe, sot ato (parqet nacionale) menaxhohen nga një trupë e vetme që është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo nuk e ka ndryshuar shumë gjendjen në terren pasi që pyjet vazhdojnë të dëmtohen në mënyrë ilegale, por së paku e ka ndërprerë një praktikë të hedhjes së fajit të një institucioni ndaj institucionit tjetër, pasi që pyjet ku tani janë parqet nacionale dhe ku përfshihen shumica e pyjeve publike, menaxhoheshin nga tri nivele institucionesh (Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, drejtoritë rajonale dhe komunat).
Në Agjencinë e Pyjeve thonë se kjo mund të jetë njëra prej arsyeve që pyjet janë dëmtuar në masë të madhe. Ata madje thonë se në kohën kur kompetencat për pyjet kaluan të komunat nga viti 2010 deri në vitin 2013 gjendja u rëndua edhe më shumë. Kjo pasi komunat nuk e kishin infrastrukturën e nevojshme për evitimin e prerjeve ilegale dhe as burime njerëzore, duke përfshirë këtu edhe ekspertë të pyjeve.
“Pas vitit 2010, Agjencia Pyjore e ka vërejtur këtë konglomerat ligjesh dhe është përpjekur që të hartojë një draft-ligj të ri, ku do të koncentroheshin edhe njëherë kompetencat e pyjeve dhe do të jetë një autoritet i cili do të ketë edhe komentet për mbrojtjen dhe autoritet i cili do t’i marrë të gjitha masat ligjore që nga roja e pyllit e deri të organi më i lartë. Këto ndryshime janë pranuar nga të gjithë akterët dhe besoj që shumë shpejt ky ligj do të procedohet”, thotë Kadri Kadrijaj.