English
Scroll top

Lumenjtë udhëhumbun

Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve janë degraduar nga eksploatuesit ilegalë që nga paslufta. Qeveria pati nxjerrë vendim për ndalimin e eksploatimit të rërës dhe zhavorrit por përpjekjet e saj për ta arritur këtë pothuajse në të gjitha rastet kanë dështuar. Edhe sot një numër i madh i kompanive vazhdon punën pa u penguar nga askush

Prishtinë, 21 Dhjetor 2015

Industria e ndërtimit në Kosovën e pasluftës u zhvillua hovshëm por kjo shkoi në dëm të lumenjve,  prej nga u nxor rërë e zhavorr pa kritere, në sy të institucioneve.

Eksploatuesit ilegalë sot e dominojnë tregun e rërës dhe zhavorrit. Këta operatorë që veprojnë pa leje nuk respektojnë asnjë kriter gjatë nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit dhe në këtë mënyrë kanë degraduar mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve si dhe kanë ndryshuar edhe rrjedhën natyrale të këtyre lumenjve.

Shiko Gazetën #16

Sipas Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në periudhën 2009 - 2014 janë evidentuar 178 operues ilegalë të cilët kanë kryer 207 operime ilegale. Por ky është vetëm numri i atyre që i ka evidentuar KPMM-ja, pasi që numri real i tyre është shumë më i madh.

Ndalja e operatorëve ilegalë që eksploatojnë rërë dhe zhavorr është shumë e vështirë për faktin se ka përzierje të kompetencave ndërmjet institucioneve dhe ka numër të vogël të inspektorëve. Për me keq, Preportr ka gjetur se edhe këta inspektorë që aktualisht punojnë janë të lidhur me partitë politike, dhe janë zënë duke u bërë favore kompanive të ndryshme ose u kanë kërkuar ryshfet atyre.

Institucionet shtetërore janë dorëzuar para eksploatuesve ilegalë. Drejtues të institucioneve dhe ish ministri i MMPH-së Dardan Gashi gjatë bisedës për Preportr e kanë pranuar se shteti në këto raste është treguar i pafuqishëm, duke u arsyetuar me faktin se operatorët ilegalë janë shumë të rrezikshëm dhe se kanë përdorur edhe armë kundër inspektorëve.

Një lajm i mirë që erdhi në fillim të vitit 2012 - se do t’u ndërpritet puna të gjithë eksploatuesve legalë dhe ilegalë - nuk solli efektin e dëshiruar.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalim të kësaj veprimtarie në fillim u kundërshtua nga eksploatuesit, të cilët e dërguan rastin në gjykatë. Për vetëm disa ditë Gjykata Supreme mori vendim për pezullim të vendimit të qeverisë. Megjithatë qeveria bashkë me organizata e individë që merren me mbrojtjen e mjedisit u ankuan në këtë gjykatë, gjë që rezultoi me revokim të vendimit të mëparshëm.

Megjithëse dukej si një dritë në fund të tunelit, ky vendim nuk u zbatua në tërësi. Në zbatim të këtij vendimi ishin angazhuar një mori institucionesh. Ishin thënë edhe fjalë të mëdha si ato që nëse makineritë nuk largohen do të ftohet KFOR-i për ndihmë, e madje edhe gjobat do të arrinin deri në 100 mijë euro.

Këto fjalë e angazhime nuk bën shumë punë. Edhe gjatë kohës sa ai ishte në fuqi (vendimit i ka skaduar afati) kompanitë ilegale vazhduan të dëmtojnë lumenjtë, sidomos ata të Rrafshit të Dukagjinit. Disa pjesë të lumenjve janë të dëmtuara. Edhe sot gjendja e tyre paraqitet shumë e vështirë.

Eksploatuesit ilegalë përveç që nuk u ndëshkuan morën edhe tenderë në institucione të Kosovës, e disa prej tyre ishin edhe financues të partive politike.

Tregu i ilegalëve

Gjatë kohës së hulumtimit, Preportr ka siguruar dosjen e plotë të kompanive të licencuara. Pasi i ka parë raportet e KPMM-së, ato të Doganave të Kosovës, importin e realizuar dhe sasinë e rërës që realizohet nga kompanitë e licencuara, ekipi jonë ka ardhur në përfundim se tregu në përqindje të madhe mbulohet me rërë dhe zhavorr nga kompanitë e palicencuara, për faktin se këto kompani nuk paguajnë taksa dhe rrjedhimisht edhe çmimet i kanë shumë më të ulëta.

Për shembull, është gjetur se për një metër kub rërë, një kompani e licencuar i jep taksë shtetit 1.25 euro. Kjo i bie që për kategorinë e parë të rërës që është 0.1 një kompani e licencuar shet një metër kub rërë me 15 euro, kurse kompanitë e palicencuara e shesin këtê sasi me 10 euro e ndonjëherë edhe më lirë. Kategorinë e dytë të rërës, apo 0.2, kompanitë e licencuara e shesin me 8 euro, kurse ato të palicencuarat me 4-5 euro, e kështu me radhë.

KPMM-ja nuk ka shifra se sa kompani të palicencuara që operojnë në Kosovë. Ajo ka vetëm evidencë të kompanive që i kanë zënë duke nxjerr rërë ilegalisht. Prej vitit 2009 deri në vitin 2014 ky institucion i ka evidentuar 178 operues ilegalë që kanë kryer 207 operime ilegale (disa kompani janë zënë nga dy e më shumë herë duke eksploatuar rërë dhe zhavorr).

KPMM-ja i ka dërguar disa prej këtyre rasteve në gjykatë, e të tjerat vetëm i ka identifikuar si operues ilegalë. Në 21 raste kompanive të cilat i kanë zënë duke operuar ilegalisht ua ka konfiskuar makineritë.

Poashtu, gjatë këtij hulumtimi kemi vënë re se nuk ka një kontroll efikas ndaj operuesve ilegalë në mungesë të inspektorëve. Kompetencat në këtë fushë bien në shumë  institucionet, prandaj edhe parandalimi i operimeve ilegale është më i vështirë.

Gjatë këtij hulumtimi Preportr ka siguruar të dhëna edhe nga Dogana e Kosovës, të cilat tregojnë se Kosova eksporton fare pak rërë e zhavorr, kurse importi është shumë më i madh. Pretendimet se me vendimin e Qeverisë së Kosovës i jepet më shumë hapësirë importit të këtyre mineraleve nga jashtë shtetit, e sidomos Serbisë, nuk mbështeten nga raportet e Doganës së Kosovës. Këto raporte tregojnë se gjatë kohës kur vendimi i qeverisë ishte në fuqi kishte një ngritje fare të lehtë të importit të rërës dhe zhavorrit i cili edhe ashtu nuk arrin të mbulojë tregun e vendit as përafërsisht.

Preportr ka kërkuar qasje në raportet e kompanive të licencuara, e që janë vetëm 20, për të parë se sa kanë planifikuar dhe sa kanë realizuar secila veç e veç që prej vitit 2008 deri në vitin 2015. KPMM-ja nuk na ka lejuar qasje në këto raporte duke u thirrur në konfidencialitet të cilin, sipas tyre, ua garanton ligji.

“Raportet që i dorëzojnë kompanitë e licencuara në KPMM mbahen në mënyrë konfidenciale në bazë të nenit 34 paragrafi 5 në ligjin nr. 03/ L-163 për minierat dhe mineralet”, thotë drejtori i KPMM-së, Midin Bojaxhiu.

Mirëpo, ata na kanë ftuar që t’i shohim disa prej raportimeve që kompanitë janë të detyruara t’i bëjnë në KPMM.

Në raportet e KPMM-së, Preportr ka gjetur se kompanitë e licencuara nuk arrijnë të realizojnë as 30-40 për qind të sasisë së rërës dhe zhavorrit të planifikuar. Për këtë, fajin ua hedhin kompanive të palicencuara dhe inspektoratit që nuk po merret më seriozisht me këta operues.  Kryetari i Shoqatës të Eksploatuesve të Rërës dhe Zhavorrit Sami Çeku, pronar i kompanisë “Besniku Q”, që merret me eksploatim të rërës dhe zhavorrit, thotë se ka rreth 100 kompani të palicencuara që merren me këtë veprimtari.

Eksploatuesit legalë ndihen të anashkaluar

Kompanitë e licencuara për eksploatim të rërës dhe zhavorrit të cilave, me Ligjin për Ujërat, u është caktuar distanca prej 150 metrash larg lumit për ta ushtruar këtë veprimtari, thonë se institucionet e Kosovës po përdorin standarde të dyfishta. Ata thonë se janë të detyruar të japin shumë para për ta marrë licencën dhe për ta mirëmbajtur atë. Më lart përmendëm se si KPMM-ja na ka lejuar të shohim raportimet e këtyre kompanive dhe kemi parë se ato raportojnë që nuk kishin ekploatur rërë dhe zhavorr për disa muaj. Arsyet më të shpeshta të tyre janë se nuk kanë llogari të eksploatojnë këto minerale pasi që ato nuk mund t’i shesin sepse çmimet e kompanive ilegale janë shumë më të ulëta.

“Ne jemi të detyruar të mos punojmë me muaj pasi kemi shumë pagesa për të bërë. Kemi punë me shumë institucione dhe kjo na vështirëson shumë punën. Duhet të marrim leje e të lidhim kontrata me shumë institucione”, thotë Sami Çeku. Çeku, që është kushëri i ish komandantit të UÇK-së Agim Çekut, sipas evidencës së operuesve ilegalë që e ka bërë KPMM-ja, është zënë duke nxjerrë rërë e zhavorr ilegalisht në vitin 2010.

Megjithatë, në KPMM thonë se kanë qenë dorëlirë me kompanitë legale. Ata nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese edhe kur këto kompani nuk kanë arritur të kryejnë detyrimet -  në këtë rast, kur nuk kanë arritur të ekploatojnë rërën dhe zhavorrin që e kanë planifikuar.

“KPMM-ja nuk e ka parë të arsyeshme të ndërmerr masa ndëshkuese për mosrealizim të planifikimit, ngase, siç jeni në dijeni, ndërprerja e veprimtarisë ilegale për fat të keq nuk është duke u kryer. Në anën tjetër, ndërmarrja e masave ndëshkuese do të ishte një rëndesë shtesë për ndërmarrjet legale”, thonë në KPMM.

Hektarë të tërë të shtretërve të lumenjve u degraduan

Menjëherë pas luftës, në Kosovë filloi të zhvillohet hovshëm sektori i ndërtimeve. Si rrjedhojë u shtuan kërkesat për rërë dhe zhavorr. Kompanitë e shfrytëzuan rastin duke vendosur makineri afër lumenjve dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa kurrfarë kriteri. Atyre madje nuk u është dashur të investojnë shumë -  vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit.

Preportr ka siguruar një raport që e ka bërë Agjencioni i Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM), i cili tregon se sa hektarë të lumenjve janë degraduar gjatë viteve 2009-2012. Sipas këtij raporti, në vitin 2009 janë degraduar 1004.77 hektarë sipërfaqe të lumenjve. Ndërsa në vitin 2012, megjithëse vendimi i qeverisë ishte në fuqi, kjo sipërfaqe e degraduar arriti në 1219.23 hektarë.

Sipas këtyre të dhënave, lumi që ka pësuar më së shumëti është Drini i Bardhë, pasi që në vitin 2009 ishin degraduar 861.1 hektarë të tij, kurse në vitin 2012 sipërfaqet e degraduara të këtij lumi arritën në 1011.75 hektarë. Pas Drinit të Bardhë radhitet Lumbardhi i Pejës. Këtij lumi në vitin 2009 i ishin degraduar 93.36 hektarë sipërfaqe, ndërsa, në vitin 2012 sipërfaqet e degraduara arritën në 134.5 hektarë.

Në Erenikun e Gjakovës 16.28 hektarë ishin të degraduara në vitin 2009. Në vitin 2012 kjo sipërfaqe arriti në 19.48 hektarë.

Këto të dhëna tregojnë se lumenjtë e Rrafshit të Dukagjinit janë më të dëmtuarit nga operatorët ilegalë. Pas tyre vinë lumenjtë e Komunës së Kamenicës, kurse as Ibri i Mitrovicës nuk i ka shpëtuar degradimit.

Në Kamenicë, lumi Desivojcë në vitin 2009 kishte 7.76 hektarë të degraduar, ndërsa në vitin 2015 degradimi është dyfishuar duke arritur në 18.95 hektarë të degraduar. Krivareka në vitin 2009 kishte 19.37 hektarë të degraduar, kurse në vitin 2012 degradimi është rritur në 25.26 hektarë.

Në Moravën e Binqës nuk ka pasur degradim shumë të theksuar në periudhën 2009 - 2012. Në vitin 2009 kishte 4.29 hektarë të degraduar, kurse në vitin 2012 sipërfaqja e degraduar arriti në 4.79 hektarë. Duhet theksuar se lumenjtë e Komunës së Kamenicës kanë hapësirë shumë më të vogël sesa ata të Rrafshit të Dukagjinit. Ibri, nga 2.64 hektarë të degraduar me 2009, në vitin 2012 arriti në 4.5 hektarë të degraduar.

Një raport  i vitit 2010 për gjendjen e ujërave në Kosovë, i realizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se degradimi i lumenjve ka marrë përmasa shqetësuese dhe përmenden disa prej lumenjve që janë ndër më të degraduarit. Lumenjtë më të dëmtuar sipas këtij raporti janë në pellgun e lumit Drini i Bardhë, që është më i dëmtuari, pastaj lumi Ereniku si dhe një pjesë e Lumëbardhit të Pejës.

Në raport theksohet edhe rreziku nga përmbytjet. “Ndër faktorët kryesorë që shpijnë deri te përmbytjet janë shtretërit e parregulluar të lumenjve dhe dëmtimi i shtretërve të tyre nga eksploatimi i rërës dhe zhavorrit pa ndonjë kriter”.

Raport më të detajuar mbi dëmtimin e lumenjve nga eksploatimi pa kriter i rërës dhe zhavorrit nuk ka. Megjithatë, Preportr ka arritur të sigurojë një raport të brendshëm të Agjencionit të Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, në bazë të të cilit kuptohet se gjendja e lumenjve nga eksploatimi pa kriter i rërës dhe zhavorrit është mjaft e rëndë me tendenca të përkeqësimit, e  sidomos kur kjo nuk ndodh vetëm në lumenjtë e mëdhenj të Rrafshit të Dukagjinit, por edhe në Komunën e Kamenicës, rajon ky që njihet për mungesë të ujit.

“Pas vendimit të ministrit (nr.02/46, datë 02.11.2011), inspektorati i MMPH-së ka realizuar gjithsej 103 inspektime në terren të seperacioneve të rërës dhe zhavorrit në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet në raport. Pasi tregohet për lumenjtë më të dëmtuar nga këto ndërhyrje, në këtë raport të realizuar në vitin 2012 theksohet se pavarësisht faktit se vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte në fuqi, shumica e operatorëve vazhduan punën.

“Si masë ndëshkuese ndaj operatorëve për mosrespektimin e vendimit u është tërhequr vërejtja me procesverbal si dhe u janë bërë inicime në Gjykatën për Kundërvajtje. Si masë ndëshkuese në Gjykatën për Kundërvajtje u dërguan gjithsej 34 operatorë, ku 16 prej tyre u shqyrtuan nga gjykata në nivel të Kosovës. Gjithashtu, pas vendimit nr. 02/46, u bënë 21 konfiskime të makinerisë me ndihmën e KPMM-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në raport.

Duke u bazuar në raportet e mëhershme mbi ambientin, vizitat në terren nga inspektorati i MMPH-së si dhe vizitat e komisionit për vlerësim të gjendjes së lumenjve, u bë evidentimi i pikave të nxehta të degradimit.

“Duke u bazuar në të gjitha burimet e informacioneve, si dhe në vizitat në terren, vlerësojmë se gjendja e lumenjve vazhdon të përkeqësohet në masë të madhe nga ekspolatuesit”, thuhet në raport.

U ndalën eksploatuesit, u shtuan gurthyesit

Vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk e rriti importin e rërës dhe zhavorrit, por i dha fuqi një kategorie tjetër që ta mbulojë tregun për nevoja të ndërtimit, e këta janë gurthyesit që, sipas ekspertëve, mund ta dëmtojnë rëndë ambientin, njëjtë si eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit.

Në një evidencë që Preportr e ka bërë në listën e gurthyesve të licencuar vërehet se në periudhën 2012- 2015 -  periudhë kjo kur vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte në fuqi - u licencua një numër i madh gurthyesish, që përbën dyfishin e atyre që kanë qenë më parë.

Në listën e kompanive të licencuara për hulumtim dhe shfrytëzim, e cila është publike në uebfaqen e KPMM-së, shihet se pas vitit 2010 u shtua interesimi i kompanive që kanë aplikuar për hulumtim dhe shfrytëzim të gurit të fortë.

Ministria e Mjedisit akuzohej nga kompanitë që nxjerrin inerte se vendimi i saj për ndalim të tërësishëm të këtij minerali ishte bërë me qëllim që t’u jepej më shumë hapësirë gurthyesve. Ish ministri i MMPH-së Dardan Gashi, gjatë një interviste për Preportr, ka pranuar se kanë pasur edhe këso akuzash, por se ai ka qenë më shumë në favor të asaj që eksploatuesve të rërës dhe zhavorrit t’u ndërpritej hovi, duke marrë parasysh këtu resurset e pakta të ujit që i ka Kosova.

“Tash, prej diçkaje duhet të ndërtohet. Mund të them se Kosova ka më shumë kodra se lumenj nëse duam ta banalizojmë këtë punë atë që e kemi më pak ia vlenë ta ruajmë më shumë”, thotë ai.

Gashi e pranon se nuk kanë bërë shumë që të ndalin punën e gurthyesve. Ai thotë se kishin bërë plane që me këtë punë të merren pas lumenjve, por se mandati i tij përfundoi.

Njohësi i fushës së ambientit, Zeqir Veselaj, thotë se ambientin e dëmtojnë shumë si eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit ashtu edhe gurthyesit. Ai tregon se si gurthyesit, pasi nxjerrin gurin, duhet ta rehabilitojnë hapësirën ku e kanë kryer këtë veprimtari, por ata në asnjë rast nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Sa i përket eksploatimit të rërës dhe zhavorrit, ai thotë se dëmet janë shumë të mëdha dhe të pariparueshme për dekada të tëra.

Zingjiri i pasojave nga gërryerja e shtretërve të lumenjëve

Kudo që gropohet afër lumenjve del rëra dhe zhavorri. Preportr ka dalë në terren dhe ka parë gropime të reja afër lumenjve, fakt që tregon se operatorët ilegalë e vazhdojnë punën pa i penguar askush. Gropat e mëdha në shumë pjesë të lumenjve shihen se e kanë devijuar rrjedhën e lumit. Njohësit e fushës së ambientit thonë se kjo është shumë e rrezikshme dhe paraqet potencial të madh për vërshime dhe dëme tjera që mund të bëhen nga këto devijime.

Ish ministri i MMPH-së, Dardan Gashi, mendon se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tërësishëm të eksploatimit të rërës dhe zhavorrit nga shtretërit e lumenjve është zbatuar rreth 70 deri 80 për qind.

Ai tregon se si në fillim e akuzonin se po e pengonte biznesin dhe thotë se qëllimi i tij ishte ta ndërprente tërësisht këtë biznes, pasi ai ishte shumë shkatërrues për lumenjtë e Kosovës.

Megjithatë, vendimi nuk ishte marrë bazuar në një studim paraprak.

“Studim në kuptim shkencor nuk e di që ka pasur, ka pasur dëmtime, dokumentacione që e kane alarmuar këtë çështje. Ka pasur probleme me viktima në njerëz, viktima në bagëti prej devijimit të shtretërve të lumenjve, vërshimeve, dëme materiale nëpër fshatra prej devijimit, pikërisht atje ku është prekë në mënyrë të padrejtë shtrati i lumit”, thotë ai.

Incizimet nga ajri që i kishte bërë KFOR-i, Ministrisë së Mjedisit i shërbyen si bazë që ta shtynte përpara këtë çështje.

“Është parë sidomos në vjeshtë dhe pranverë dëmi i madh që është duke u shkaktuar prej devijimit të shtretërve të lumenjve. Mos të flasim për aspektin biologjik të lumenjve që në atë zonë ku intervenohet është totalisht i shkatërruar, në kuptim të gjallesave që kanë jetuar aty”, thotë Gashi.

Ai përmend bashkëpunimin e mirë që e kanë pasur me banorët që jetojnë afër zonave të degraduara. Sipas tij, ata e kanë informuar këtë ministri për dëmet që u bëheshin lumenjve.

Ish ministri Gashi përmend edhe një mori arsyesh të tjera për nxjerrje të vendimit për ndalimin e tërësishëm të eksploatimit të rërës dhe zhavorrit në shtretër të lumenjve.

“Banorët e kanë përdorë atë ujë për ujitje të arave të tyre prej një kanali të caktuar. Më ata ujë nuk ka ekzistuar, ka shkuar tjetër kah po e zëmë, ose rënia e nivelit prej gropave që janë hapur e ka shtjerrë rrjedhën e lumit, do të thotë s’ka mundur lumi më që ta bart. Në qytete si në Pejë, Gjakovë e disa qytete të tjera ka pasur probleme edhe shëndetësore”, thotë ai.

Problemet shëndetësore, sipas tij, kanë ndodhur nga rënia e nivelit të ujit dhe, fatkeqësisht, nga përdorimi i lumenjve për kanalizim, “ka ndodhur që fekalet kanë mbetur nëpër rrjedhë të lumit, nuk ka mund më lumi që t’i bartë dhe ka shkaktuar edhe probleme tjera serioze”.

Gashi thotë se ata e kanë ditur se do të kenë konfrontim sepse nuk është e lehtë të mbyllen 130 kompani brenda natës.

“Mandej ka qenë frika se do të dëmtohet edhe industria e ndërtimit, mirëpo për këtë kemi pasur një studim që nuk dëmtohet në asnjë mënyrë, se zëvendësohet lehtë me gurë tjerë e ndoshta edhe më sigurtë për aspekt të ndërtimit se ky zhavorr nuk është i sigurt të përdoret në ndërtime të larta sidomos, për shkak të përbërjes që e ka”, thotë ai.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përkrahur nga persona dhe OJQ që merren me mbrojtjen e ambientit. Njëri nga ta, Zeqir Veselaj, thotë se ky është vendimi më i mirë që e ka marrë qeveria, pasi lumenjtë janë dëmtuar shumë pas luftës.

1/12
  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Lumenjtë udhëhumbun

    Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

  • Pas luftës kompani të ndryshme e shfrytëzuan rastin duke vendosur afër lumenjve makineri dhe duke eksploatuar rërë dhe zhavorr pa asnjë kriter. Madje atyre nuk u është dashur të investojnë shumë, vetëm të blejnë makinerinë dhe të fillojnë punën, pa e kryer asnjë obligim ndaj shtetit. Sot gjendja e lumenjve është e mjerueshme

Arsyetimet e institucioneve

Shteti është treguar i pafuqishëm në pengimin e operatorëve ilegalë që nxjerrin rërë dhe zhavorr pa kritere nga lumenjtë.  Ata kanë përmendur mungesën e inspektorëve, bashkëpunimin jo të mirë të institucioneve, atyre të nivelit lokal dhe qendror dhe, në rastet më të shpeshta, faji u është lënë gjykatave që nuk kanë qenë shumë efikase në trajtimin e lëndëve që për subjekt kanë dëmtuesit e lumenjve.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale për mossuksesin në terren arsyetohet me mungesë të inspektorëve.

“Numri i inspektorëve për inspektim të këtyre aktiviteteve është tepër i vogël kur dihet fakti se kemi katër ndërmarrje të minierave nëntokësore: “Trepça”, KEK, “Sharr Cem” dhe “Ferronikeli”, thotë Jahir Gashi, kryeinspektor i KPMM-së.

Në Ministrinë e Mjedisit thonë se ka qenë e pamundur të ndalohet tërësisht veprimtaria e kompanive ilegale pasi është hasur në vështirësi të shumta në terren. Disa prej operuesve kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ose kanë punuar pas orarit të punës.

“Për këtë kohë, në vitet 2008-2011, duhet të potencojmë se gjatë daljes së Inspektoratit në terren operatorët ilegalë kanë ikur vazhdimisht nga vendi i ngjarjes duke i lëne makinerinë në vendin e veprimit. Makineria, pra ekskavatorët kanë qenë pa targa të regjistrimit dhe si rrjedhojë e kanë pamundësuar veprimin konkret të marrjes se masave nga ana e Inspektoratit për shkak të pamundësisë se identifikimit të keqbërësve”, thotë Agim Qehaja, këshilltar i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Aganit.

Edhe Dardan Gashi ankohet për mosfunksionim të zingjirit institucional, si një prej arsyeve që vendimi i Qeverisë atë kohë nuk u zbatua plotësisht.  Sipas tij, pikat më të largëta prej qendrave nuk kanë mundur t’i kontrollojnë, e madje as bashkëpunimi me komuna dhe disa institucione të tjera nuk ka qenë i mirë.

“E kemi pasur shumë të vështirë pasi në fillim inspektorët tanë janë pritur me kallashnikovë prej pronarëve të kompanive, ata (kompanitë) njëjtë kanë pasur probleme me banorët”, thotë ai.

play

Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve janë degraduar nga eksploatuesit ilegalë që nga paslufta. Qeveria pati nxjerrë vendim për ndalimin e eksploatimit të rërës dhe zhavorrit por përpjekjet e saj për ta arritur këtë pothuajse në të gjitha rastet kanë dështuar. Edhe sot një numër i madh i kompanive vazhdon punën pa u penguar nga askush

Mirëpo ajo që Preportr ka gjetur gjatë hulumtimit është edhe fakti se inspektorët janë të partive politike. Ata  janë zënë duke u bërë favore kompanive të ndryshme, ose duke u kanë kërkuar ryshfet atyre. Sa për ilustrim, po japim vetëm shembuj të kryeinspektorëve të MMPH-së dhe KPMM-së.

Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, ka kandiduar në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2014; përfshirja e kryeinspektorit dhe inspektorëve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale në korrupsion (kryeinspektori Nuredin Bislimi dhe një inspektor, Lulzim Çitaku, janë dënuar në gjykatë për marrje ryshfeti); gruaja e ushtruesit të detyrës së kryeinspektorit të KPMM-së, Jahir Gashit, punon në gurthyesin “Mineral L.L.C” në Drenas. KPMM-ja i jep licencat për gurthyesit, inspektorati i kontrollon nëse ato realizohen siç duhet.

Institucionet si KPMM-ja dhe MMPH-ja ankohen se nuk kanë pasur raporte të mira edhe me gjykatat. Këto të fundit, sipas tyre, nuk i kanë trajtuar me prioritet lëndët që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit dhe në rastet kur i kanë trajtuar ato vendimet kanë qenë gjithmonë në favor të shkelësve të ligjit.

Kliko në foto për të parë listën e kompanive

KPMM-ja ka ngritur dhjetëra kallëzime penale dhe ka shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj kompanive që e kanë shkelur ligjin. Sipas të dhënave të KPMM-së, në vitin 2010 u ngritën 144 kallëzime penale, më 2011  u ngritën 91 kallëzime,  më 2012 dhe 2013 nga 44 kallëzime penale, më 2014 u ngritën 77 kallëzime kurse me 2015, deri në shtator, 27 kallëzime.

Një aktgjykim që e ka siguruar Preportr për një eksploatues ilegal në anën e Komunës së Kamenicës, si arsye të gjykatës për të shfajësuar të akuzuarin ishte mugesa e provave të mjaftueshme për ta dëshmuar se i akuzuari i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohej. Për shembull, në aktgjykim, një nga arsyet për shfajësim të operuesit ilegal përmendet fakti se ai ka punuar në tokën që është pronë e tij.

Gjykata i kishte hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë se i akuzuari kishte kryer vepra penale, vjedhje sipas nenit 252 paragrafi i parë, se kishte shkaktuar rrezik të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi i parë, dhe ndotje ose shkatërrim të mjedisit sipas nenit 276 paragrafi i parë i Kodit Penal të Kosovës. Në pikën e parë gjykata gjeti se i akuzuari ka nxjerrë rërë dhe zhavorr në pronën e tij dhe rrjedhimisht ai mund të bëjë çfarë të dojë me pronën e tij.

Burimi: KFOR

“Pasuritë nëntokësore janë të mira të përgjithshme, por në situata të tilla shpallet interesi i përgjithshëm publik, bëhet shpronësimi dhe toka kalon në pronësi të shtetit”, thuhet në aktgjykim.

Edhe sa i përket veprës tjetër penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, gjykata gjeti se prokuroria nuk kishte arritur të argumentojë rrezikun që i pandehuri ka mundur të shkaktonte me vendosjen e makinerisë aty dhe me hapjen e gropës.

“Pra prokurori do të duhej ta përshkruante qartë veprimin e rrezikshëm: cilat ishin dimensionet e asaj grope, gjerësia, thellësia, lokacioni, a kishin qasje në atë rrugë dhe afër saj njerëzit, kafshët”, thuhet në aktgjykim.

Edhe në nenin e fundit, atë të ndotjes dhe shkatërrimit të ambientit, prokuroria nuk e bindi gjykatën se i akuzuari e kishte kryer këtë vepër penale.

Gjykata nuk e mohoi në aktgjykim se ky i akuzuar kishte ushtruar këtë veprimtari pa licencë që lëshohet nga KPMM-ja.

Një plan për ndalimin e eksploatimit të lumenjve

Pas skadimit të afatit të Vendimit të Qeverisë për ndalimin e operimit të të gjithë operatorëve në shtretërit, brigjet dhe hapësirat përreth lumenjve për periudhën trevjeçare, me inicimin e Kabinetit të Ministrit Ferid Agani, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) së bashku me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) hartuan një plan të veprimit për ndalimin e veprimeve ilegale në sektorin mineral. Ky plan që është në fazën finale që pritet të procedohet për aprovim në Qeverinë e Kosovës parasheh veprimet që duhet ndërmerren për ndalimin e veprimeve ilegale në këtë sektor.

“Për implementimin e këtij plani janë planifikuar të kyçen të gjitha institucionet që kanë qasje qoftë të drejtpërdrejtë qoftë edhe indirekte në këtë veprimtari”, thotë këshilltari i ministrit Agani, Agim Qehaja

Kështu, përpos KPMM-së dhe MMPH-së në implementimin e këtij plani është e pëfshirë edhe MPB-ja përmes Policisë së Kosovës, Ministria e Financave përmes Administratës Tatimore të Kosovës, Ministria e Drejtësisë përmes Agjencisë për Administrim të Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Të gjitha këto hallka të këtij zinxhiri të veprimit institucional, sipas ministrisë, pritet t’i pamundësojnë operimet e mundshme ilegale në këtë sektor.

Po ashtu, MMPH-ja në një afat të afërt do të bëjë një analizë të gjendjes së lumenjve në terren.

“Për të folur për gjendjen e lumenjve duhet të kemi një analizë të saktë,  për një gjë të tillë duhet të bëhet studim i gjendjes duke bërë krahasimin mes periudhave të ndryshme kurse për masat që ka ndërmarrë inspektorati në vazhdimësi ndaj operatorëve ilegal së bashku me KPMM-në kudo që i ka hasur ka bërë konfiskimin e 21 rasteve të makinerisë eksploatuese”, thotë Qehaja.

Sa i përket vendimit paraprak të Qeverisë së Kosovës për ndalim të tërësishëm të eksploatimit të rërës dhe zhavorrit, në ministri thonë se ky vendim ka pasur ndikim, por në disa raste është keqpërdorur nga eksploatuesit ilegalë.

“Duhet theksuar se ndalimi i tërësishëm. përpos që krijoi mundësinë e depërtimit të rërës dhe zhavorrit nga vendet përreth, tek disa u bë atraktive që të provonin të merreshin me këtë veprimtari ilegale, ku nuk përjashtohet mundësia e veprimit të tyre, sidomos gjatë natës dhe pas përfundimit të orarit të punës”, thotë këshilltari Qehaja.

“Të themi të drejtën vendimi më herët ka qenë i mirë por nuk ka prodhuar efekt sepse resursi është i nevojshëm për ekonominë e tregut dhe nuk ka ndonjë arsye që ky resurs të pezullohet apo mos të merret fare”, thotë kryeinspektori Gashi.