Prishtinë, 15 Maj 2014
Një pjesë e mirë e lumenjve në Kosovë janë të ndotur dhe kjo ka bërë që shumë pjesë të tyre sidomos ato që janë afër zonave të banuara të mos jenë të përdorshëm.
Në Kosovë ka vetëm një impiant të ujërave të zeza dhe të gjitha ujërat tjera të zonave urbane po edhe rurale derdhen në lumenj. Gjendja më e vështirë paraqitet me lumin Prishtevka, i cili më shumë i ngjason një kanalizimi sesa një lumi.
Pak më mirë sesa në këtë lum gjendja paraqitet në lumenjtë: LLap, Drenica e Sitnica. Disa lumenj më të vegjël janë në gjendje edhe më të keqe. Preportr, ka dalë në teren dhe për së afërmi e ka parë gjendjen e disa lumenjve, duke identifikuar pika ku gjendja paraqitet më e vështirë qoftë nga derdhja e ujërave të zeza, qoftë nga dredhja e mbetjeve nga fabrika, sidomos ato ushqimore.
Muaj më parë Preportr, ka bërë monitorimin për disa javë të lumit Drenica. Banorët e fshatrave që jetojnë afër këtij lumi, thonë se ndotja më e madhe vjen kur Ferronikeli e shkarkon ujin, të cilin e përdorë paraprakisht për pastrimin e filtrave dhe ftohjes gjatë prodhimit të nikelit. Sipas banorëve, kur uji lëshohet nga Ferronikeli, ndryshon ngjyrën dhe uji ka temperaturë më të nxehtë.
Zyrtarë të Ministrisë së Ambientit, thonë se lumenjtë janë ende të ndotur, por gjendja po përmirësohet dita-ditës. Të njëjtën bindje nuk e ndajnë ekspertët, pasi thonë që Kosova një ditë mund të përballet me institucionet gjyqësore ndërkombëtare nga shtetet fqinje nga ndotja e madhe e lumenjve, pasi të gjithë lumenjtë e Kosovës, duke përjashtuar Ibrin, kanë dalje jashtë Kosovës.
Shumë ndotës, pak ndëshkime
Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në vitin 2010 ka dalë me raportin “Kadastri i Ndotësve të Ujërave në Kosovë”, ku pas punës disa mujore në teren ka identifikuar ndotësit më të mëdhenj të lumenjve në Kosovë. Në rajonin e Pellgut të Drinit të Bardhë sipas këtij raporti janë regjistruar 154 ndotës, prej të cilëve 99 janë ndotës kolektiv e 56 individual.
Ne Rajonin e Pellgut te Ibrit, Lepencit dhe Moravës së Binçës janë identifikuar 214 ndotës.
Në Pellgun e Ibrit, janë regjistruar 100 ndotës prej të cilëve 75 janë ndotës kolektiv, ndërsa 25 janë ndotës individual. Lumenjtë me numër më të madh të vendshkarkimeve të këtij pellgu janë: Sitnica me 32 pika shkarkuese, Llapi me 22, Drenica me 18, Ibri me 14, dhe Prishtevka me 7 ndotës, por lumi më i ngarkuar me sasi të shkarkimeve është gjithsesi Prishtevka.
Në Pellgun e Moravës së Binçës dhe Lepencit janë 24 ndotës. Nga lumenjtë më të ngarkuar janë: Morava e Binçës me 14 pika shkarkuese dhe Lumi Mirusha me 8 pika tё shkarkime kolektive. Në Pellgun e Lepencit lumenjtë më të ngarkuar janë Lepenci dhe Miloshtica, nё aspektin e numrit te banorëve që shkarkojnë.
Në Komunën e Prizrenit janë identifikuar 29 ndotës kolektiv dhe 16 individual.
Të gjitha ujërat e kanalizimeve të qytetit dhe fshatrat e Drenasit derdhen në lumin Drenica. Në këtë lum, sipas raportit, efekt të madh të ndotjes ka Ferronikeli. Qyteti i Gjakovës sipas raportit është i vetmi vendbanim në Kosovë që krahas rrjetit të kanalizimit ka edhe rrjetin e evakuimit të ujërave atmosferik. Në Podujevë nga ndotësit më potencial, është përpunuesi i vajit dhe prodhuesi i lëngjeve “Inter Company”.
Nga bërja publik i këtij raporti që në vitin 2010, gjendja në teren pothuajse nuk ka ndryshuar fare.