English
Scroll top

Elektrofiltrat që nuk filtrojnë

Vjetërsimi i elektrofiltrave në termocentralin Kosova B po ndikon që ky termocentral të ndotë dyfish më shumë sesa Kosova A. Blloku B1 dhe B2 emetojnë rreth 8 mijë ton pluhur të dyoksidit të sulfurit. Investimi në elektrofiltra është i domosdoshëm dhe tani po pritet fillimi i një investimi prej 76 milionë eurove nga BE-ja

Prishtinë, 08 Nëntor 2023

Korporata Energjetike e Kosovës konsiderohet të jetë ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Kosovë. Kjo edhe për faktin e vjetërsimit të dy termocentraleve, sidomos të termocentralit Kosova A. Por pavarësisht këtij fakti, nëse investohet në mekanizmat që ndikojnë në uljen e lirimit të ndotjes, ambienti do të jetë më i pastër.

Raporti më i fundit i cilësisë së ajrit në Evropë nga Agjencia Evropiane e Mjedisit rendit Kosovën si vendi me cilësinë e tretë më të keqe të ajrit në Evropë. Çdo raport për cilësinë e ajrit në Kosovë, që nga raportet vjetore për gjendjen e mjedisit në Kosovë, deri te raporti ‘Kosovë më e shëndetshme’ nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i përcakton termocentralet si burim kryesor të ndotjes së ajrit.

Shiko Gazetën #B32

Sipas një studimi të realizuar nga UNDP në vitin 2014, shkalla e vdekjeve të parakohshme që i atribuohen ndotjes përmes grimcave të pluhurit është 6 vdekje në 1000 njerëz për vit. Sipas Aleancës së Shëndetit dhe Mjedisit, kostot vjetore shëndetësore që shkaktohen nga këto dy termocentrale për banorët e Kosovës dhe të vendeve fqinje sillen mes 70 deri 169 milionë euro.

Ulja e nivelit të ndotjes mund të bëhet nëse investohet me kohë në ndërrimin e elektrofiltrave, të cilët janë pajisje që të reduktojnë nivelin e pluhurit i cili del nga tymtarët.

Se investimi në elektrofiltra është i rëndësishëm e dëshmon edhe fakti se aktualisht termocentrali Kosova A edhe pse është më i vjetër rreth 20 vjet krahasuar me Kosova B, liron më pak ndotje se sa kjo e fundit. Kjo për shkak se në Kosovën A, është investuar në ndërrimin e elektrofiltrave.

Luan Shllaku, njohës i fushës së energjisë dhe mjedisit, thotë se termocentrali Kosova A i ka elektrofiltrat më të mirë se termocentrali Kosova B, sepse janë ndërruar para 10 vjetëve, kur janë investuar 25 milionë dollarë në këto pajisje.

Shllaku sqaron se  elektrofiltrat janë efikas në largimin e pluhurit para se të del nga tymtarët. Ai thotë se këto filtra nuk janë si çdo filtër tjetër, ato janë stabilimente të mëdha të cilat me metoda të ndryshme jo me filtrimin qysh mund ta imagjinojmë në pajisje tjera apo që i shohim në jetën e përditshme.

“Elektrofiltrat e ndalin një pjesë të madhe të pluhurit, në vend se të dalë nga tymtarët ajo del poshtë dhe bartet në deponitë e hirit të cilët po ashtu janë të rrezikshme, sepse ato janë të hapura, dhe çdo erë që fryn, një pjesë e madhe e pluhurit nuk vjen nga tymtari por vjen nga deponitë e hirit”, thotë Shllaku.

Ai thotë se elektrofiltrat e kanë ndikimin e tyre në parandalimin e ndotjes, por efikasiteti i tyre është larg nga efikasiteti i elektrofiltrave të sotëm, të cilët i përkasin teknologjisë së re.

Elektrofiltrat e ndalin një pjesë të madhe të pluhurit, në vend se të del nga tymtarët ajo del poshtë dhe bartet në deponitë e hirit.

Luan Shllaku, njohës i fushës së energjisë dhe mjedisit.

Shllaku thotë se Kosova B edhe pse është njëzet vjet më e re, “pensionohet” teknologjikisht vitin e ardhshëm, por elektrofiltrat e saj janë më pak efikase se sa ata të Kosovës A, të cilët u rivitalizuan disa vite më parë.

“Megjithatë, sasia e pluhurit që del nga tymtarët e Kosovës A dhe B është katër deri tetë herë më e lartë se ajo që lejohet me normat dhe rregullativën evropiane në rend të parë, rregullativën që është në fuqi të cilën edhe ne duhet t’i përmbahemi, kjo do të thotë se një pjesë e madhe e popullatës që janë përreth janë të atakuar në mënyrë enorme”, theksoi Shllaku.

Sabit Restelica, njohës i fushës së energjisë, thotë se meqenëse KEK-u bënë monitorimin apo edhe kalkulimin e parametrave ndotës të emesioneve 24 orë si dhe raportime javore dhe mujore, rezultatet e këtyre matjeve tregojnë se KEK-u përmes termocentralit Kosova B, ka tejkalime shumëfish më të larta sesa normat dhe standardet e lejuara të cilat i definon legjislacioni i Kosovës.

Është rasti krahasues te termocentrali Kosova A, ku në vitin 2012 është realizuar rivitalizimi komplet në termocentralin A3, A4 dhe A5 dhe te termocentrali Kosova A nuk kemi tejkalim të normave apo standardeve të emesioneve.

Ai thotë se i njëjti efekt, ndoshta edhe më i mirë do të arrihej me teknologjinë e re e cila çdo ditë po avancohet dhe rritë efikasitetin e veprimit.

“Shpresoj që te Kosova B do të arrijmë atë efikasitetin e dëshiruar që është 99,9% të eliminimit të emesionit të pluhurit nga tymtarët e termocentralit Kosova B”, thotë Restelica.

Ndotje masive

“Aleanca e Shëndetit dhe Mjedisit”, e cila përbëhet nga 70 organizata, në vitin 2016 ka publikuar një raport lidhur me ndikimin e termocentraleve në shëndetin e njeriut.

raportin e kësaj organizate"Fatura e papaguar shëndetësore – si na sëmurin termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor", për Kosovën thuhet se dy termocentralet ekzistuese me qymyr krijojnë kosto të mëdha shëndetësore, jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe atyre të rajonit.

Sipas raportit, për shkak të ndotjes së ajrit nga termocentralet me qymyr në Kosovë shkaktohen rreth 370 vdekje të parakohshme në vit.

Raporti thekson se termocentralet me qymyr emetojnë me mijëra ton agjentë ndotës të ajrit çdo vit, duke sjellë një kontribut të konsiderueshëm në ndotjen e ajrit në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

“Termocentralet ekzistuese në Kosovë shkaktojnë prej 70 deri në 169 milionë euro në vit kosto shëndetësore për banorët dhe qeveritë në rajon. Për shkak të distancës së madhe të udhëtimit të ndotësve në ajër, termocentralet në Kosovë i krijojnë Evropës një kosto totale shëndetësore prej 144 deri 352 milionë euro në vit”, thuhet në raport.

Aty theksohet se kjo ndodh për shkak se erërat e transportojnë tymin e qymyrit disa qindra kilometra, duke shkaktuar ndotje të ajrit përtej kufijve. Sipas raportit, termocentralet në Kosovë punojnë kryesisht me standarde të ulëta mjedisore dhe krijojnë nivele të larta emetimesh ndotëse dhe ndikime të mëdha negative në shëndet.

“Kosova A dhe B janë emetuesit më të mëdhenj në Evropë me një total prej 7500 tonësh PM2.5 (grimca të imëta të pluhurit) në vit. Këto njësi emetojnë katër herë më shumë PM2.5 sesa shumica e termocentraleve me qymyr në Ballkan dhe rekordin e emetimeve e mban Njësia 5 e termocentralit Kosova A që emeton nëntë herë më shumë PM2.5 sesa mesatarja e termocentraleve të Ballkanit”, thuhet ndër të tjera në raport.

Sipas po këtij raporti, termocentrali Kosova B është një prej emetuesve më të mëdhenj të gazeve NOx (oksidet e azotit) në Ballkan, me 14520 tonë në vit. Ky termocentral emeton tri herë më shumë NOx sesa mesatarja e termocentraleve të Ballkanit.

Blloku B1 dhe B2 kanë emetuar 8 mijë e 354 ton pluhur të dyoksidit të sulfurit

Për ta vërtetuar nivelin e ndotjes që shkarkohet nga dy termocentralet Preportr ka marrë të dhënat nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për të krahasuar ndotjen që shkaktohet nga dy termocentralet.

Në një përgjigje me shkrim nga zyra për informim e Ministrisë së Mjedisit thuhet se  mjedisi mbrohet më shumë në rast kur kemi elektrofiltra efektivë.

“Investimi në elektrofiltra është shumë i rëndësishmen, sepse ndikon në uljen e nivelit të emetimeve në ajër nga termocentralet dhe në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit”, thuhet në përgjigje.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie për vitin 2022 emisionet vjetore në ajër për ndotësit SO2 (dyoksidi i sulfurit), NOx (oksidet e azotit) dhe pluhurin total në të dy termocentralet e Kosova A dhe B, rezulton se emetime më të larta janë matur në termocentralet e `Kosova B` (bllokun B1 dhe B2) krahasuar me Termocentralet e Kosova A (bllokun A3, A4 dhe A5). Ndërkaq, gjatë vitit 2022  ka pasur zvogëlim të emetimeve të pluhurit total, emetimeve te SO2 dhe NOx, në krahasim me vitin 2021.

Pluhuri total paraqet sasinë totale vjetore të pluhurit të emetuar nga termocentralet përkatëse. Në kuadër të pluhurit total përfshihen grimcat e imëta të pluhurit PM2.5 edhe PM10.

P.sh blloku A3 dhe A4 gjatë vitit 2022 kanë emetuar 4 mijë e 433 ton pluhur me dyoksid të sulfurit, ndërkaq blloqet B1 dhe B2 të termocentralit në vitin e njëjtë kanë emetuar 8 mijë e 354 ton pluhur të dyoksidit të sulfurit.

Elektrofiltrat zvogëlojnë emetimin e pluhurit deri në 35 herë

Sipas një raportit të institutit INDEP të publikuar në vitin 2020, instalimi i elektrofiltrave të pluhurit pritet të zvogëlojë emetimin e pluhurit deri në 35 herë. Deri atëherë, kjo OJQ konsideron se për të mbrojtur shëndetin publik dhe mjedisin, Kosova B duhet të zvogëlojë orarin e punës deri sa të jetë gati instalimi i elektrofiltrave.

“Në vetëm një muaj monitorim, kemi mbledhur sasi të mëdha të provave që tregojnë mënyrat se si termocentralet me qymyr po e dëmtojnë cilësinë e ajrit në Obiliq. Kjo duhet të shërbejë si bazë për kërkime të mëtejshme dhe si thirrje për autoritetet për të siguruar matje të ndotjes në kohë reale për popullsinë lokale”, thuhet ndër të tjera në raport.

Sabit Restelica thotë se nëse janë të instaluar elektrofiltrat me efikasitet të lartë të largimit të pluhurit të hirit, në vendbanimet përreth do të kemi emesione më të ulëta.

“Çdo gjë do të varej pastaj edhe nga kushtet klimatike si shpejtësia e erës dhe lëvizja e masave ajrore, të cilat nganjëherë materiet që shkarkohen i ndalin apo i mbajnë në afërsi të termocentraleve dhe banorët përreth termocentraleve janë më të rrezikuar në krahasim me qendrat tjera si Prishtina dhe qytetet tjera”, thotë Restelica.

Ai thotë se jetëgjatësia e elektrofiltrave varët shumë nga mënyra e përdorimit gjatë operimit të tyre, por më shumë se dhjetë vjet konsiderohet se ato e humbin efektin e vet dhe nevojitet gjithmonë revitalizim apo edhe ndërrim të pjesëve të caktuara e në disa raste edhe ndërrimi komplet i strukturës së infrastrukturës së elektrofiltrave.

Profesori i fushës së energjisë Agron Dida, thotë se elektrofiltrat kanë një rëndësi të madhe për termocentralet. Ai mendon se duhet investuar në filtrat e Kosovës B, pasi që ky termocentral është shumë më i fuqishëm se sa Kosova A dhe rrjedhimisht edhe elektrofiltrat kur t’i ndërrohen këtij termocentrali, ai do të jetë shumë më efikas edhe në aspektin mjedisor.

“Duhet sqaruar se elektrofiltrat e ndalin vetëm pluhurin, nuk e ndalin C02 ose emetimet e gazrave helmuese”, thotë Dida.

76 milionë euro në elektrofiltrat e Kosovës B

Skënder Bucolli, zyrtar për informim në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka thënë për Preportr se kjo ndërmarrje ka investuar në elektrofiltra në termocentralin Kosova A dhe se ky investim është realizuar në periudhën 2012-2014. Gjatë kësaj periudhe kohore sipas tij janë investuar rreth 60 milionë euro në projekte ambientale.

Bucolli thotë se investime të tilla do të vazhdojnë edhe në periudhën 2023-2025, duke përfshirë edhe investimin në elektrofiltra.

Gjatë kësaj periudhe përmes një projekti të Bashkimit Evropian planifikohet të investohen në elektrofiltrat e termocentralit Kosova B dhe pajisjet për zvogëlimin e oksideve të azotit (NOX-it) në shumën prej rreth 76 milionë eurove.

Skënder Bocolli thotë se projektet për DENox dhe Elektrofiltra, janë kontraktuar kohë më parë nga BE-ja me fondet e tyre dhe punimet janë planifikuar të fillojnë nga kompania lidere e konsorciumit “Engineering Dobersek” Germany.

Punimet për zëvendësimin e elektorfiltrave (ESP) dhe masat për reduktimin e oksidit të azotit (DeNOx) në njësinë B1 të TC Kosova B pritet të fillojnë në prill të vitit 2025, ndërsa punimet për zëvendësimin e elektrofiltrave (ESP) dhe masat për reduktimin e oksidit të azotit (NOx) në njësinë B2 të TC Kosova B pritet të fillojnë në prill të vitit 2024.

“Sa i përket kohës së fillimit të punimeve në projektet e BE-së ka mundësi edhe të ndryshohen sepse BE është ende në diskutime”, ka thënë Bucolli.

Lidhur me këtë investim pati folur edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell. Ai ka deklaruar se BE-ja po ndihmon në trajtimin e ndotjes së ajrit në Kosovë me 76.4 milionë euro.

Ai ka thënë se ndotja e ajrit është një nga problemet më akute mjedisore që prek Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.

“Me këtë investim, BE-ja po jep një kontribut konkret për përmirësimin e mjedisit në Kosovë dhe rajon, si dhe për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së njerëzve”, pati thënë Borell, duke shtuar se Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është një marrëveshje për të gjithë në Evropë, përfshirë Kosovën dhe se me këtë projekt BE po e hedh hapin e parë në këtë drejtim. Ai gjithashtu u shpreh se pret që vendosmëria e BE-së të përputhet me atë të politikëbërësve të Kosovës.

Ndërkaq, Skënder Bucolli thotë se është duke u punuar edhe në projektin për de-Sulfurizimin, përkatësisht reduktimin e emisioneve nga SOx. Sipas studimit të fizibilitetit për rehabilitimin e termocentralit Kosova B,  kosto është  96 milionë euro.

“KEK- ka përgatitur aplikacionin. Vlera e projektit është 105 milionë euro, dhe kemi aplikuar në kuadër të programit IPA për sigurimin e grantit për këtë projekt”, theksoi Bucolli.

Përveç investimit në aspektin mjedisor, KEK planifikon të investojë edhe në modernizimin e turbinave në termocentralin Kosova B. Vlera e projektit është rreth 56 milionë euro. Këto investime pritet të kenë impakt pozitiv edhe në mjedis.

Sipas Bucollit, KEK ka përfunduar me suksese negociatat për tenderin e modernizimit të turbinave në Termocentralin Kosova B dhe është nënshkruar kontratw me kompaninë “General Electric”.

Ai thotë se kjo përpjekje për modernizim do të sigurojë që termocentrali të funksionojë me efikasitet optimal, prodhim më të besueshëm të energjisë elektrike dhe me kosto më efektive.

Sipas tij, ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-16 MW në secilën njësi (apo rreth 30 megavat në të dy njësitë), do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave për 20 vjet të tjera dhe gjithashtu do të zgjasë edhe ciklin e jetës së riparimeve kapitale nga çdo 5 vjet në çdo 8-9 vjet.

“Fokusi i korporatës në qëndrueshmërinë, efikasitetin dhe besueshmërinë do të sigurojë që të përmbushin kërkesën në rritje për energji elektrike duke minimizuar ndikimin në mjedis”, u shpreh Bucolli.

Ai thotë se këto investime po bëhen edhe për faktin se njësitë prodhuese B1 dhe B2 të termocentralit Kosova B janë në funksion që nga viti 1983-1984, dhe mungesën e investimeve të rëndësishme si dhe mirëmbajtjes adekuate gjendja e tyre padyshim është kritike dhe kërkon vëmendjen dhe angazhimin tonë të menjëhershëm, përndryshe performanca e tyre është kritike për të garantuar besueshmërinë dhe stabilitetin e rrjetit.