English
Scroll top

Malet pa zot

Prerja ilegale e pyjeve vazhdon të jetë shqetësim i vazhdueshëm. Ky hulumtim është fokusuar në Komunën e Podujevës, Ferizajt dhe Skënderajt. Dëmet në terren janë evidente. Agjencia Pyjore është e pafuqishme t’i mbrojë pyjet. Edhe ata që kapën duke prerë dru ilegalisht, lëndët e tyre parashkruhen, dënohen kryesisht me kusht apo me gjoba. Njohësit e fushës së mjedisit thonë se dëmet e shpyllëzimit janë shumëdimensionale dhe zinxhirore

Prishtinë, 29 Shkurt 2024

Prerja dhe djegia e pyjeve kanë qenë ndër dëmet më të mëdha mjedisore që i janë bërë Kosovës në dy dekadat e fundit. Këto dëme janë bërë në masë të madhe nga prerësit ilegal të pyjeve. Varësisht nga lloji, këto dru kryesisht përdorën për ngrohje dhe për qëllime industriale.

I gjithë ky dëmtim është bërë para syve të institucioneve përkatëse, të cilat nuk ishin në gjendje ta parandalojnë këtë dukuri me vite të tera. Është një zinxhir i tërë institucional që ka dështuar në këtë aspekt. Gjendja vazhdon të mos ketë përmirësimin e duhur edhe në ditët e sotme.

Sipas një raporti të realizuar nga organizata Sustainability Leadership Kosova (SLK), shumë hektarë të pyjeve u dëmtuan edhe në vitet e fundit.

Shiko Gazetën #B36

“15.980 hektarë pyje të humbura gjatë periudhës 2001-2021 në Kosovë, mbi 2 hektarë në ditë baras me 3.5 fusha futbolli në ditë. Mbi 654 hektarë pyje të prera ilegalisht çdo vit. Mbi 70 hektarë pyje të djegura çdo vit, mbi 20 hektarë pyje të shndërruar në toka bujqësore”, thuhet ndër të tjera në raportin e SLK-së.

Raporti thekson edhe vitet paraprake kur edhe u bënë dëmet më të mëdha ndaj pyjeve të Kosovës.

“Një rritje e dukshme e shpyllëzimit ka ndodhur në vitin 2007, me 675.97 hektarë të humbur, që përfaqëson 4.23% të sipërfaqes totale pyjore. Ky trend rritës vazhdoi, duke arritur kulmin në 2012, kur u humbën 1817,74 hektarë”, thuhet në raport.

SLK këto të dhëna i ka gjeneruar përmes teknologjisë së GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing (RS, teknologji që përdoret për të hulumtuar dukuri pa qenë në kontakt fizik me objektin, dukurinë apo procesin) është arritur që të kalkulohet norma e humbjeve vjetore të pyjeve.

Janë përdorur instrumente si dronët, imazhet satelitore ose teknologji të tjera të sensorit në distancë për të kapur imazhe ose të dhëna nga sipërfaqja e tokës, duke ofruar një perspektivë më të gjerë mbi modelet e shpyllëzimit dhe ndryshimet me kalimin e kohës.

Gjithashtu, studiuesit kanë vizituar vende specifike për të vëzhguar dhe dokumentuar karakteristikat fizike të zonës si: dendësia e pemëve, përbërja e specieve dhe dëshmitë e shpyllëzimit.

Preportr pati realizuar një hulumtim lidhur me këtë çështje në vitin 2017, ku është paraqitur gjendja e pyjeve në nivel vendi, ndërkaq tani hulumtimi është fokusuar në Komunën e Podujevës, Ferizajt dhe Skënderajt.

Të dhënat nga terreni tregojnë për dëmtim të vazhdueshëm të pyjeve edhe në këto tri komuna. Siç mund të shihet edhe në fotografitë e realizuara gjatë daljes në terren, shumë pyje janë prerë dhe vendet në ato pjesë kanë mbetur të degraduara. Në disa nga ato vende ku janë prerë drutë, tashmë janë hedhur mbeturina të ndryshme.

Në zonat malore të këtyre tri komunave janë vërejtur edhe dëmtime të mëhershme të shkaktuara nga zjarri, por edhe dëme që janë bërë rishtas. Para disa javësh është djegur një mal në Skënderaj, përkatësisht në vendin e quajtur Zhitovc, i cili gjendët mes fshatrave Kllodernicës, Vitakut dhe Çubrelit.  Dëmet që janë shkaktuar nga kjo djegie janë të mëdha. Ky mal tregon për dy llojeve të dëmeve që i janë bërë maleve ndër vite. Në njërën anë është prerë, ndërsa në anën tjetër është djegur.

Një pjesë një mali të djegur në vendin e quajtur Zhitovc, i cili gjendët mes fshatrave Kllodernicës, Vitakut dhe Çubrelit.

Një pjesë një mali të djegur në vendin e quajtur Zhitovc, i cili gjendët mes fshatrave të Kllodernicës, Vitakut dhe Çubrelit.

Edhe gjatë këtij sezoni të dimrit kërkesat për blerje të druve u shtuan, e bashkë me kërkesat u rritën edhe çmimet. Në tregjet e këtyre tri komunave gjatë kësaj periudhe një metër dru kushtoi nga 50 deri në 70 euro. Ndërkaq, gjatë stinës së verës çmimi i druve ishte më i ulët.

Dyshohet se sasia më e madhe druve që shitën në tregje janë prerë ilegalisht, ndërsa ata që posedojnë parcela me mal, kryesisht i përdorin drutë për nevoja familjare.

Arsim Shala nga fshati Burojë i Skënderajt tregon se pronën me mal e ka të trashëguar nga i ati dhe parcelën që posedon e ka përdorur veç për nevoja familjare.

“Nuk kemi mal t’madh, nuk na del edhe me shit edhe për veti. Prej se e mbaj mend unë, prej fëmijërisë gjithmonë e kemi prerë malin aq sa na janë nevojitur për vete. Nxehemi dhe gatuajmë me dru”, thotë ai.

Por edhe ata që posedojnë në pronësi mal, duhet të marrin një leje paraprakisht për sasinë që mund ta presin në një periudhë të caktuar. Por, për shkak të numrit të vogël të inspektorëve dhe rojave të pyjeve, ka vështirësi për testimin e sasisë drunore nëse kalojnë masën e paracaktuar me ligj, përkatësisht me leje, e që pritën nga këta individë që posedojnë toka malore. Siç thonë nga Agjencia Pyjore e Kosovës, puna e inspektorëve përqendrohet kryesisht në tregun e zi.

Cungimi i pyjeve nga prerësit ilegalë

Dëmi më i madh në pyje është bërë nga prerësit ilegal, të cilët ndër vite kanë prerë sasi të mëdha të druve, kryesisht për t’i shitur.

Kjo gjendje evidentohet edhe nga të dhënat që Preportr ka marrë nga Agjencia Pyjore e Kosovës përmes fletëparaqitjeve që i ka proceduar në rastet kur i ka zënë prerësit ilegal.

Sipas këtyre të dhënave, në Komunën e Podujevës numri i fletëparaqitjeve të ngritura gjatë vitit 2022 është 287, përkatësisht 1038 metër kub dru të prera ilegalisht, në Komunën e Ferizajt 194 apo 1037 metër kub dru dhe në atë të Skënderajt 67 fletëparaqitje, përkatësisht 76 metër kub dru të prera ilegalisht. Pra këto të dhëna janë nga rastet që janë zënë nga rojtarët e pyjeve.

Numri i fletëparaqitjeve dhe sasisë së druve të preva

Edhe sipas këtyre të dhënave, pyjet në Komunën e Podujevës po dëmtohen më së shumti. Megjithëse, zëdhënësi i kësaj komune Fatri Zhitia thotë se ka një përmirësim të gjendjes, por se prerja ilegale po vazhdon edhe për shkak të gjobave të vogla.

“Në Komunën e Podujevës aktualisht është i emëruar vetëm një inspektor i pylltarisë, një teknik dhe dy zyrtarë të pylltarisë të cilët nuk janë të mjaftueshëm në krahasim me sipërfaqen e përgjithshme të pyjeve në komunën tonë”, thotë Zhitia.

Edhe Policia e Kosovës ndër vite ka evidentuar një numër të konsiderueshëm të rasteve të vjedhjes së pyllit. Sipas të dhënave që i ka marrë Preportr, rezulton se në periudhën 2021 – 2023 policia ka proceduar 776 raste të vjedhjes së pyllit dhe 16 raste për djegie të pyjeve.

Me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, Policia e Kosovës në vitin 2014 ka themeluar Njësinë për Hetimin e Krimeve Mjedisore (NJHKM) e cila është krijuar në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda. Misioni i kësaj njësie është që të hetojë veprat penale të cilat janë të përcaktuara në kapitullin e XXVII-të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ky kapitull përfshin 18 nene të cilat rregullojnë edhe çështjet e mjedisit, përfshirë pyjet.

Nga policia thonë se njësitë për hetimin e krimeve mjedisore koordinohet me institucionet tjera, përfshirë këtu edhe Agjencinë Pyjore, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor etj.

“Dukuritë më të shpeshta penale kundër mjedisit në Kosovë janë: Dëmtimi apo prerja e pyjeve, nxjerrja ilegale e rërës dhe zhavorrit në lumenjtë, gurëthyesit ilegal etj”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Një ndër arsyet e dëmtimit të pyjeve në masë të madhe ndër vite ka qenë edhe fakti se menaxhimi i pyjeve për shumë vite është bërë nga niveli lokal dhe ai qendror e rrjedhimisht shpesh ka pasur përzierje të kompetencave dhe për pasojë mosveprim mes këtyre dy niveleve.

Por që nga muaji prill i vitit 2023 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pyjet, përmes të cilit kompetencat e mbrojtjes dhe të shfrytëzimit të pyjeve transferohen nga niveli komunal në nivelin qendror, përkatësisht në Agjencinë Pyjore të Kosovës (APK).

Sipas Ligjit të ri, kompetencat transferohen në APK dhe nga kjo agjenci thonë se aktualisht janë duke u bërë përgatitjet që të transferohet i tërë stafi i Njësive Komunale të Pylltarisë, duke përfshirë rojtarët e pyllit, teknikët, inxhinierët, si dhe pajisjet tjera nga komunat në APK.

Dënimet e lehta “stimulojnë” vjedhjen

Sipas nenit 349 të Kodit Penal të Kosovës, kushdo që me qëllim të vjedhjes pret trungjet në pyll dhe sasia e druve të prerë tejkalon 2 metra kub, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Ndërsa nëse kjo vepër kryhet me qëllim të shitjes, ose sasia e druve të prerë tejkalon pesë metra kub, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në katër vjet. Ndërkaq nëse veprat kryhet në pyllin e mbrojtur, në parkun e mbrojtur apo në pyllin tjetër me destinim të posaçëm me qëllim që drunjtë e prerë të shitën, pavarësisht sasisë së drurit të përfshirë, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Por nga ajo që është parë në praktikë në vitet e fundit ka të bëjë me një mosndeshkueshmëri ndaj kryesve të veprave të prerjes ilegale së pyjeve. Kjo për faktin se lëndët e pyjeve janë parashkruar (vjetërsuar) më së shumti ndër vite nga gjykatat e Kosovës.

Parashkrimi konsiston në atë se për shkak të kalimit të afatit të caktuar me ligj, shteti e humbë të drejtën e ndjekjes së personave apo kompanive dhe rrjedhimisht nuk mund t’u shqiptohet dënim për veprat e kryera. Për vepra kundërvajtëse ky afat është dy vjet prej datës kur është kryer kundërvajtja, ndërsa për vepra penale, varësisht se sa është e dënueshme vepra, ky afat fillon të rrjedh nga një deri në më shumë se dhjetë vjet sipas kodit të ri penal.

Praktikisht, kjo do të thotë se një person apo kompani i ka prerë ilegalisht pyjet, është zënë nga inspektorati, është proceduar në gjykatë, por nuk është dënuar. Kjo gjë mund të ketë nxitur që personat recidivist të dëmtojnë në vazhdimësi pyjet për shkak se kanë shpëtuar pa asnjë pasojë. Me datën 24.01.2024, rreth orës 14:00 në fshatin Petrovë të Shtimës, policët e stacionit në Shtime kanë arrestuar personin e kërkuar me urdhëresë të gjykatës, H.H (M/K), i moshës 52 vjeçar.

Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale “Vjedhje e pyjeve” me dënim burgimi prej 20 ditëve. Pas kompletimit të dokumentacionit është dërguar në vuajtje të dënimit.

Në një raport të mëhershëm të realizuar nga organizata ÇOHU!, rezulton se në periudhën 2015-2019 u parashkruan 1618 lëndë nga gjykatat e Kosovës për veprën penale vjedhje e pyjeve.

Në raport theksohet se nga të gjitha prerjet vjetore të pyjeve, 86 përqind klasifikohen si prerje ilegale.

Edhe në rastet kur lënda me sukses procedohet, ndëshkimet janë të lehta, nga ato dënime që shkojnë nga 200 deri në 500 euro gjobë, por ka edhe raste kur prerësit ilegal të pyjeve dënohen me kusht.

Për ta ilustruar këtë Preportr ka gjetur një aktgjykim të vitit 2019 ku një person i cili kishte prerë ilegalisht 69 copë dru të llojit bung ose 4.3 metër kub, është dënuar me 3 muaj burg, por të cilat nuk i ka mbajtur sepse dënimi është dhënë me kusht që brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale ose të ngjashme.

Preportr ka marrë të dhëna online sesa vendime janë marrë nga gjykatat themelore në vitin 2023, ku përfshihen tri komunat që janë pjesë e këtij hulumtimi.

Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale vjedhje pylli në vitin 2023 ka bërë publike 53 aktgjykime, ku tetë prej tyre janë nga dega e Podujevës.

1/9
  • Malet pa zot

    Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

  • Malet pa zot

    Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

  • Malet pa zot

    Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

  • Malet pa zot

    Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

  • Malet pa zot

    Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

  • Malet pa zot

    Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

  • Malet pa zot

    Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

  • Malet pa zot

    Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

  • Prerja e pyjeve vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm. Fotot e realizuara në komunën e Podujevës, Ferizaj dhe Skënderajt tregojnë për dëmet që janë bërë nga prerjet ilegale të pyjeve si dhe nga djegiet e pyjeve. Foto: Donjeta Abazi dhe Valona Hasani

Gjobat e dhëna për këtë vepër penale vijojnë nga 250 euro, që ishte një rast, 200 euro katër raste dhe gjoba më e ulët ishte 150 euro për tri rastet e tjera.

Në vitin 2023 në Gjykatën Themelore në Mitrovicë (në të cilin futet edhe Komuna e Skënderajt) janë bërë publike 20 aktgjykime mbi vjedhjen e pyllit. Shumica prej rasteve janë shqyrtuar nga Gjykata -Dega Vushtrri. Masa e dënimit të personave të akuzuar për vjedhje pylli varion nga 200-500 euro gjobë në të holla.

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gjithsej raste publike të aktgjykimeve mbi vjedhjen e pyllit janë 143, prej të cilave 10 raste janë të vitit 2023. Njëjtë në Gjykatën themelore në Ferizaj dhe Degën në Kaçanik, shuma gjobave në rastet e shpalljes fajtor varion nga 200 deri në 500 euro.

Nëse se i dënuari refuzon të paguajë këtë dënim me gjobë, në atë rast ky dënim do të shndërrohet në dënim me burg. Për një ditë qëndrimi në burg, i dënuari shlyen 20 euro nga gjoba.

Së fundi një rast i tillë ka ndodhur në Ferizaj, ku policia ka arrestuar një person, i cili ka qenë i dënuar për vjedhje pylli me gjobë prej 400 euro. Arrestimi i tij ka ndodhur më 24 janar të këtij viti, pasi që i njëjti nuk e ka paguar gjobën dhe do të duhej t’i mbante 20 ditë burgim. Por sipas një përgjigje nga Gjykata Themelore në Ferizajt, personi në fjalë është liruar pasi që familjarët e tij ia kanë paguar gjobën një ditë pas arrestimit.

Për të parë vendimet që janë marrë nga gjykatat themelore në Ferizaj, Podujevë dhe Skënderaj, sa i përket veprës penale vjedhje e pyllit, Preportr ka marrë të dhënat nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e ku përfshihen regjistrat për periudhën 2019 - 2023.

Nga analizimi i të dhënave të KGJK-së rezulton se shumica e dënimeve janë me kusht, me gjoba, por një sërë janë përmbyllur vetëm me vërejtje gjyqësore, e që mund të konsiderohen ndëshkime të lehta në krahasim me veprën e kryer përkatësisht dëmin që e kanë bërë.

Sa i përket periudhës së lartpërmendur Gjykata Themelore në Ferizaj ka trajtuar dukshëm më shumë lëndë (787) në krahasim me dy komunat tjera. Në këtë gjykatë për vjedhje pylli 157 raste janë zgjidhur duke i dënuar me kusht, ndërsa 150 tjera më gjobë, e 11 me vërejtje gjyqësore. Megjithatë, në 13 raste janë shqiptuat dënime me burgim. Gjithashtu, janë marrë edhe vendime të kombinuara si dënim me kusht dhe gjobë (30 raste), gjobë dhe dënim me burgim (20 raste).

Për dallim nga dy komunat tjera, Gjykata Themelore në Ferizaj ka nxjerrë 80 vendime me  urdhër për punë në dobi të përgjithshme.

Ndërsa, gjykatat në Skënderaj dhe Podujevë në periudhën e përmendur më lart nuk kanë nxjerrë asnjë vendim me burgim, dënimet kryesisht kanë me gjoba dhe me kusht. Në gjykatës e Podujevës të dhënat tregojnë se janë hudhur 34 aktakuza.

Agjencia Pyjore e pakënaqur me vendimet e gjykatave

Në Agjencinë Pyjore të Kosovës shprehen të pakënaqur lidhur me ndëshkimet e lehta dhe parashkrimin e lëndëve.

“Me politikat e dënimeve që aplikohen nga Gjykatat nuk jemi të kënaqur, sepse në shumicën e aktgjykimeve nuk shqiptohen madje as gjobat e parapara me minimumin ligjor dhe detyrohemi që të ushtrojmë ankesa në Gjykatën e Apelit”, thuhet në përgjigjen e APK-së.

Preportr ka marrë të dhënat nga kjo agjenci për aktgjykimet dhe aktvendimet që ka pranuar nga gjykatat e Kosovës, por edhe numrin e fletëparaqitjeve që ka bërë kjo agjenci për periudhën 2015 - 25.10.2023

Në Agjencinë Pyjore ankohen për sfida të ndryshme të cilat po ndikojnë në mosruajtjen e pyjeve si duhet. Sipas agjencisë, numri i inspektorëve dhe i rojave të pyllit është i vogël. Aktualisht ka njëmbëdhjetë inspektorë, të cilët mbulojnë gjashtë rajone me nga dy inspektorë.

Me politikat e dënimeve që aplikohen nga Gjykatat nuk jemi të kënaqur, sepse në shumicën e aktgjykimeve nuk shqiptohen madje as gjobat e parapara me minimumin ligjor dhe detyrohemi që të ushtrojmë ankesa në Gjykatën e Apelit.

Agjencia Pyjore e Kosovës

Në nivel komunal janë gjithsej 171 roje pylli, prej tyre 13 operojnë në komunën e Podujevës, 7 në Ferizaj dhe 6 në Skënderaj.

Ky numër i inspektorëve dhe rojave është i vogël sipas APK-së, sepse për një roje, terreni i përgjegjësisë është nga 500 deri në 1500 hektarë pyje.

Në këto rrethana kjo agjenci e pranon se nuk po mund t’i mbrojë pyjet e Kosovës nga prerësit ilegal. Edhe pse viteve të fundit thonë se ka një përmirësim, prerja ilegale e pyjeve po vazhdon.

“Për të arritur objektivat e parandalimit dhe zvogëlimit të prerjeve ilegale dhe dukurive tjera negative sigurisht se MBPZhR-APK, pas kthimit të kompetencave të mbrojtjes së pyjeve në kuadër të APK-së do ta ketë synim rritjen e numrit të rojave të pyjeve edhe stafit tjetër profesional, teknik dhe inxhinier të pyjeve”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e kësaj agjencie.

Sfidë e vazhdueshme mbeten sulmet fizike dhe kërcënimet e prerësve ilegalë ndaj inspektorëve dhe rojave të pyllit.

Pavarësisht nga sfidat, është arritur që të shqiptohet një numër i konsiderueshëm i gjobave ndaj personave që kanë janë zënë duke prerë pyjet ilegalisht. Ndërsa, masa drunore që është sekuestruar nga inspektorët gjatë inspektimeve të subjekteve që merren me përpunimin primar të drurit, në rastet është ndaluar nga policia në rrugë, apo është sekuestruar në pika grumbullues ose tregje është trajtuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës përmes procedurave të prokurimit, shitjes përmes ankandit.

Preportr ka pyetur agjencinë edhe për sasinë e konfiskuar të druve në tri vitet e fundit dhe çmimin mesatar të shitur përmes ankandeve, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk ka pranuar përgjigje.

Druri si alternativë për ngrohje dhe industri

Sipas njohësve të fushës pylltarisë, kërkesat për dru në Kosovë janë për dy arsye: Për ngrohje dhe për industri. Për këtë arsye gjatë sezonit të dimrit rritet kërkesa për dru, e rrjedhimisht edhe çmimi.

Drejtori i organizatës Sustainability Leadership Kosova (SLK), Faruk Foniqi thotë se faktori kryesor se pse priten pyjet në një masë të pakontrollueshme është përdorimi i drurit si mjet për ngrohje gjatë stinës së dimrit, duke qenë se për shumë qytetarë të Kosovës druri mbetet mundësia e vetme.

“Shpyllëzimi ndodh edhe nga prerjet ilegale të faktorëve ekonomik që veprojnë në hapësira të caktuara ku kontrolli institucional është me i dobët (brezat kufitare me Serbinë), e që pastaj masa drunore shitet në tregje, kompani përpunimi druri etj”, thotë Foniqi.

Periudha e dimrit është e vështirë edhe për ata qytetarë, të cilët nuk ia mësyjnë malit. Shumë qytetarë adresuan ankesa në KEDS dhe në Zyrën e Rregullatorit për Energji për faturat e energjisë elektrike të muajit dhjetor 2023.

Shitja e druve të prera në një fshat të Podujevës

Shitja e druve të prera në një fshat të Podujevës

Prandaj, ngrohja me dru mbetët një alternativë për qytetarët, sidomos në këtë periudhë kur është rritur çmimi i energjisë elektrike.

Preportr ka biseduar me disa qytetarë të cilët u ankuan për faturat energjisë elektrike dhe se janë në dilemë nëse do të fillojnë të ngrohen me dru.

Kadri Ahmeti banor në rrethinën e Podujevës thotë që tash e disa vite ngrohen me nxemje qendrore shtëpiake, por e gjithë rroga e tij po shkon në faturat e rrymës.

“Ka disa vjet që si familje i përdorim nxemjet, por nuk po mundem me ja dalë. Fatura e dhjetorit ka qenë shumë e lartë. Me një rrogë jetojmë, çka më ba, krejt në rrymë duhet me shpenzu”, thotë ai.

Por, në anën tjetër është rritur edhe kërkesa për dru industrial dhe kjo është një arsye tjetër që shumë sipërfaqe të pyjeve po dëmtohen.

Njohësi i fushës së mjedisit Luan Hasanaj tregon për arsyet dhe specifikat se cilët drunj priten më së shumti.

Ai thotë se lloji i drurit që pritet më së shumti në Kosovë përfshin drunj si hala, e cila është e njohur për përdorimin e saj në ndërtim dhe industri.

Të njëjtin mendim ndanë edhe profesori i fushës së mjedisit, Zeqir Veselaj. Sipas tij, arsyet për të cilat drunjtë priten janë arsyet se për çka u nevojitet personave të paautorizuar për këtë proces ilegal.

“Pyjet halore (pisha, bredhi, hormoqi etj.) zakonisht janë në lartësi më të mëdha mbidetare, shfrytëzohen kryesisht për nevoja ndërtimi dhe nga industria e drurit. Ndërsa pyjet gjetherënëse (ahu, qarri, bungu etj.) janë prerë për nevoja ngrohje dhe ndërtimi gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë”, thotë Veselaj.

Ai fajëson APK-në për mosmbrojtjen e pyjeve dhe e sheh si të gabuar përfshirjen e kësaj agjencie në menaxhimin edhe të parqeve kombëtare.

“Involvimi i Agjencisë Pyjore në parqet kombëtare, për mua është e paarsyeshme dhe diçka që e kemi kundërshtuar si ambientalistë. Së pari kjo Agjenci nëse veç nuk e ka ndihmuar, ka vëzhguar deri tani degradimin e pyjeve deri në këtë gjendje. Së dyti, parqet kombëtare (Sharri dhe Bjeshkët e Nemuna) janë shpallur nën mbrojtje ligjore pikërisht për qëllime mbrojtjeje ekosistemesh dhe për rekreacion”, ka thënë Veselaj.

Pjesë e hapësirave të mbrojtura të cilat janë shndërruar në Parqe Kombëtare janë: Parku Kombëtar “Sharri” dhe Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Të gjitha pyjet në këto dy Parqe Kombëtare janë zona të mbrojtura. Poashtu, ekzistojnë edhe disa zona tjera të mbrojtura me sipërfaqe më të vogla, të cilat janë shpallur me vendime të Qeverisë.

Dëmet shumëdimensionale nga shpyllëzimi i vazhdueshëm

Sipas raporteve të ndryshme, në qytetet e Evropës sipërfaqet e gjelbra sillen afërisht në rreth 15 metra katror për banor, kurse në qytetet e Kosovës ka më pak se 3 metra katror.

Duke pasur parasysh se planeti ku ne jetojmë 31% të sipërfaqes e ka të mbuluar me pyje dhe njëkohësisht shkatërrohet vazhdimisht nga dora e njeriut, kjo tregon se sa kërcënues mund të jetë mjedisi në të cilin jetojmë.

Demet që shkaktohen nga prerjet apo djegiet e tyre janë të shumta dhe të ndryshme. Njohësit e fushës së mjedisit thonë se pasojat e këtyre veprimeve janë zinxhirore dhe kanë ndikime të shumta negative, duke përfshirë florën dhe faunën.

Arian Mavriqi e kalon kohën më të madhe në pyje. Ai është i pasionuar pas botës së egër dhe tashmë është bërë një fotograf i njohur për fotografitë e kafshëve dhe të shpezëve të egra që i sjell përmes aparatit të tij fotografik. Duke qenë në vazhdimësi në këto ambiente, ai na tregon për dëmet që ka parë dhe pasojat që shkakton shpyllëzimi dhe thotë se disa nga këto gjallesa edhe rrezikojnë të zhduken, pas prishjes së habitatit të tyre.

“Dëmtimi i pyjeve rrezikon shumë zhdukjen e kafshëve, përfshirë këtu të gjitha, si gjitarët, shpezët e brejtësit dhe zvarranikët. Shpyllëzimi ndikon që shumë kafshë të largohen në vende tjera, dhe mandej edhe kafshët e tjera mbesin pa ushqime, dhe kjo mandej ndikon direkt në zinxhirin jetësor të tyre”, thotë Mavriqi.

Ai theksoi se shumë shpezë largohen, pasi që shpyllëzimi nuk ua lejon të ndërtojnë fole. Ai na sqaron se për shembull lejleku i zi dhe shumë shpendë të tjerë folenizojnë brenda në pyje, dhe shpyllëzimi ju pamundëson folenizimin e prandaj largohen, ndoshta edhe zhduken krejt.

“Pastaj, malet janë vetë jeta, edhe për ne njerëzit”, u shpreh Mavriqi.

Lidhur me këtë çështje, profesori Zeqir Vesalaj thotë se dëme të shumta shkaktojnë zjarret në pyje, e që pothuajse çdo vit shohim djegie të pyjeve në Kosovë.

“Zjarret në pyje shkatërrojnë edhe biodiversitetin që ne nuk e shohim me sy: bakteret dhe kërpudha të imëta, të cilat bëjnë zbërthimin e masës organike të vdekur në pyje (gjetheve të rëna, shtazët e ngordhura, drunjtë në kalbje)”, thotë Veselaj.

Në anën tjetër, dëmet e shkaktuara nga shpyllëzimi kanë ndikime të shumta në mjedis në përgjithësi.

Sipas ekologëve, njohësve të ambientit, shpyllëzimi nuk ndikon vetëm në rrafshin e varfërimit drunor, përkundrazi ndërlidhja e funksionimi i biodiversitetit lë pasoja të rënda te bimët dhe gjallesat tjera. Madje në prizmin e gjerë prerja e drunjve ndikon direkt edhe te reshjet atmosferike duke shkaktuar kështu dëme në nivelin e lumenjve të vendit, e rrjedhimisht dëme të shumte zinxhirore.

“Pyjet ndikojnë pozitivisht në sasinë dhe cilësinë e reshjeve të shiut dhe ofrojnë mbrojtje natyrore ndaj erërave të forta, duke ulur erozionin dhe rrezikun e fatkeqësive natyrore”, thotë ekologu Luan Hasanaj.

Të njëjtin mendim ndan edhe profesori Veselaj. Sipas tij, kjo panoramë që natyra krijon në bashkëpunim të brendshëm, faktori njeri po e shkatërron.

“Evaporimi i sipërfaqeve pyjore, ndikon në ngopjen e ajrit me lagështi dhe shfaqjen e reve që sjellin të reshurat. Përveç kësaj pyjet pengojnë edhe erozionin e tokave përmes rrënjëve të drunjve. Pra prerjet e pyjeve e kanë çrregulluar ciklin e reshjeve në shumë vende të botës”, thotë Veselaj.

Regjenerimi i pyjeve është një proces që merr kohë për të ardhur në gjendjen siç kanë qenë. Duhet pritur mbi 30 vjet që një lis të arrijë të zhvillohet sërish në gjendjen që kanë qenë. Kjo do të thotë që dëmet janë afatgjata dhe prekin shumë gjenerata.

“Në pyjet tona rigjenerimi i pyjeve të larta llogaritet të zgjatë 30-40 vjet (pra prej prerjes e deri kur druri arrin lartësinë në të cilën është prerë)”, thotë nder të tjera Veselaj.

Orvatje të zbehta për ta ndalur “gjahun” e pyjeve

Siç mund të shihet edhe gjatë trajtimit të këtij hulumtimi, pyjet në masë të madhe janë dëmtuar në sy të institucioneve përkatëse, të cilat përveç që nuk kanë reaguar, ka pasur shumë raste që e kanë ndihmuar prerjen ilegale. Në një hulumtim të mëhershëm Preportr ka raportuar se rreth gjysma e rojave të pyllit janë proceduar në organet e ndjekjes për shkak të kanë abuzuar me detyrën zyrtare, duke lejuar prerjen ilegale të pyjeve.

Në anën tjetër, derisa ndër vite ka pasur bartje të kompetencave, hartime të ligjeve dhe të dokumenteve tjera, gjendja në terren ka mbetur pothuajse e njëjtë. Ende ka shumë njerëz që dëmtojnë pyjet. Siç duket rastet të cilat po procedohen në organet e drejtësisë nuk po trajtohen siç duhet, duke u parashkruar dhe duke u shqiptuar ndëshkime të lehta, kjo mbase ka ndikuar që veprimet ilegale në pyje veç të shtohen.

Agjencia e Pyjeve duket të ketë ende probleme me stafin dhe rregullimin e brendshëm nga bartja e kompetencave të nivelit lokal. Ata ankohen edhe për kushte të vështira të punës, sidomos për stafin që dalin në terren. Edhe nga agjencia janë të pakënaqur me trajtimin e rasteve të dëmtimeve të cilat po trajtohen me neglizhencë, duke u gjobitur në shuma të vogla parash.

Njohësit e kësaj fushe u bëjnë thirrje institucioneve kompetente për mbrojtjen e pyjeve që të angazhohen më shumë në këtë drejtim, ndërkaq thonë se edhe qytetarët duhet të vetëdijesohen më shumë për rëndësinë e pyjeve dhe ruajtjen e tyre.

 

Ky hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe u mbështet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Redaktuar nga: Besnik Boletini