Prishtinë, 17 Tetor 2022
Njëzet e tri vite pas luftës, degradimi i lumenjve të Kosovës me ujëra të zeza mbetet një problem serioz që vazhdimisht përkeqësohet. Ndotja e vazhdueshme e lumenjve me ujëra të zeza e ka kthyer këtë dukuri në një pengesë në jetën e përditshme të qytetarëve, derisa duke dëmtuar mjedisin, kjo dukuri, ka filluar të ul shpresat e ekspertëve për përmirësim, e në një masë të madhe të dëmtojë pozitën e Kosovës në politikën e jashtme rajonale dhe globale.
Ndërtimi i impianteve apo i kolektorëve për ujëra të zeza mendohet që do ta zgjidhë problemin me ujërat e zeza. Disa komuna me ndihmën e Qeverisë së Kosovës dhe donacioneve të huaja kanë filluar ndërtimin e tyre. Meqë punimet për ndërtimin e impianteve ende nuk kanë përfunduar gjendja e lumenjve nga derdhja e ujërave të zeza paraqitet shumë e rëndë.
Për tre muaj ekipi i Preportr, ka bërë monitorimin e disa lumenjve dhe liqenit të Batllavës dhe ka vërejtur që në shumë pjesë këta lumenj janë bërë të papërdorshëm për shkak të derdhjes së ujërave të zeza, ndotja vërehet sidomos afër vendbanimeve ku banorët i derdhin ato në lumenj.
Për të ndryshuar gjendja për të mirë ekspertët kërkojnë respektim dhe zbatim të legjislacionit në fuqi ndërsa theksojnë që trajtimi i ujërave të zeza duhet të ndryshojë pasi Kosova një ditë mund të përballet me institucionet gjyqësore ndërkombëtare nga shtetet fqinje nga ndotja e madhe e lumenjve, për arsye se të gjithë lumenjtë e Kosovës, duke përjashtuar Ibrin, kanë dalje jashtë Kosovës.
Përgjigje për gjendjen e rëndë të lumenjve ka dhënë Komuna e Podujevës, nga ku u informuam për ecurinë e punimeve në ndërtimin e impiantit në lumin Llap por përgjigje nuk kemi marrë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) përkundër se një kërkesë për intervistë u është dërguar disa herë.
Pak lumenj, të gjithë të ndotur
Kosova në përbërjen e saj hidrografike ka tetë lumenj kryesor, që të gjithë identifikohen të ndotur me ujëra të zeza.
“Rreth 28% e 368 ndotësve të lumenjve të Kosovës janë ndotës individual, që përfshijnë ndotës të përmasave industriale e të rangut: ndotës kimikë, ndotës bujqësorë, hekurishte makinash, thertore, shkritore e përpunues metalesh”, thuhet në Kadastrin e Ndotësve të Ujërave të Kosovës të publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK). Nga bërja publik i këtij raporti që në vitin 2010, gjendja në teren pothuajse nuk ka ndryshuar fare.
AMMK, ka dal me një raport për gjendjen e ujërave në vitin 2020, në të cilin janë listuar lumenjtë më të ndotur. Sipas këtij raporti rezulton që lumenjtë Sitnica, Prishtevka, Graçanka dhe Drenica, janë lumenjtë më të ndotur në Kosovë. Pak më mirë gjendja paraqitet në lumenjtë e tjerë por edhe në ta gjendja ndryshon kur ata rrjedhin afër vendbanimeve, sepse banorët shkarkojnë ujërat e ndotura, e po ashtu hedhin mbeturina të ndryshme, gjë që e bën cilësinë e ujit shumë të dobët.
Përveç lumit Sitnica i cili llogaritet si lumi më i ndotur në Kosovë, aty afër e në gjendje jo të mirë gjenden edhe lumenjtë e tjerë, ndër ta: lumi Llap, lumi Drenica, lumi Ibër, etj. Për këtë ndotje kaq të lartë ekzistojnë faktorë të ndryshëm, të cilët fillojnë nga numri i lartë i popullsisë, tek vetëdijesimi i ulët i banorëve rreth ndotjes së mjedisit dhe ujërave të zeza, nga mungesa e rrjetit të kanalizimit në këto zona, tek mosndëshkueshmëria nga niveli lokal dhe organet qendrore ndaj atyre që derdhin ujëra të zeza dhe atyre që dëmtojnë mjedisin etj.
Gjatë vizitave të ndryshme në terren ekipi i Preportr ka hasur në një dukuri të pazakontë të degradimit të ujit në lumin Llap, në zonat rurale-kontaminim të ujit me jashtëqitje të kafshëve shtëpiake.
Ferma me krerë lopësh në fshatrat kufitare të Podujevës, përkundër përfitimeve ekonomike që sjellin për qytetarët, kanë sjellë edhe ndotje për lumin Llap.
Banorët e atyre zonave e kanë rënduar gjendjen e lumit duke hedhur jashtëqitje të kafshëve, si rrjedhojë e mungesës së rrjetit të kanalizimit.
Ndërkaq, gjatë vizitave në terrenet rreth lumit Sitnica, ekipi i Preportr, veç pikave në të cilat ujërat e zeza hidhen direkt, ka hasur edhe në papastërti e deponi mbeturinash bri rrjedhës së lumenjve.
Derdhja e vazhdueshme e ujërave të zeza në anën jugore të Mitrovicës së Jugut, pranë fshatit Kushtovë, ka shkaktuar krijimin e një deponie të madhe të ujërave të zeza, saktësisht në fshatin Gërmovë. Sipas, raportit “Gërmova- deponia që po shkakton probleme”, të organizatës joqeveritare REC, nga Mitrovica deponia ka sipërfaqe prej 7 hektarësh dhe ka kapacitet 2 milionë metra kub, teksa në mënyrë të rregullt tash e sa kohë përdoret nga tri komuna Vushtrria, Mitrovica e Skenderaj.
Ujërat e zeza dëm direkt për njerëzit, florën e faunën
Raporti “Lumenjtë e zi” i Institutit për Demokraci të Kosovës (KDI) tregon se gjetjet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të vitit 2017 mbi rritjen në përqindje të sëmundjeve diarreja akute dhe sallmonelosis prej 52% dhe 35% respektivisht është rezultat i ndotjes së ujërave, bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH).
Gjendja e rënduar ka ndihmuar eutrofikimin e lumenjve me alga, si pasojë e ndotësve të shumtë që mundësojnë zhvillimin e hovshëm të tyre, duke realizuar fenomenin të cilin eksperti i mjedisit Zeqir Veselaj e quan lulëzimi i algave.
Trupave ujore që janë recipient të ujërave të zeza u vështirësohen kushtet ekologjike. Shtazët ujore janë të kërcënuara dhe shpesh në pikat me ndotjen më të lartë ato nuk jetojnë fare
Zeqir Veselaj, njohës i fushës së mjedisit
“Ndotja shkakton eutrofikimin e lumenjve nga algat, si pasojë e pasurimit me ndotës që mundësojnë zhvillimin e hovshëm të tyre (njihet si algal bloom apo lulëzimi i algave) duke krijuar shtresën e gjelbër mbi ujë”, thotë ai.
Duke ndarë ndotjet në tri lloje: kimike, biologjike dhe fizike, tutje, Veselaj shpjegon dëmin që këto ndotje i shkaktojnë organizmave ujorë.
“Trupave ujore që janë recipient të ujërave të zeza u vështirësohen kushtet ekologjike. Shtazët ujore janë të kërcënuara dhe shpesh në pikat me ndotjen më të lartë ato nuk jetojnë fare. Në media shpesh shfaqen pamje të peshqve të ngordhur nëpër lumenj të ndryshëm etj”, thotë Veselaj.
Ndotja e lumenjve nga derdhja e ujërave të zeza dhe hedhjes se mbeturinave u ka shkaktuar telashe të mëdha edhe banorëve që jetojnë për rreth këtyre lumenjve. Disa prej tyre kanë folur për Preportr, dhe kanë treguar se uji i lumenjve më nuk përdoret si në të kaluarën kur ai shfrytëzohej për not, ujitje, pastrim etj.
Një peshkatar që peshkonte afër urës së vigut në Vushtrri, tha se vendi ku ai peshkon ka qenë i pasur me shumë lloje peshqish, por tani për shkak të ujërave të zeza të banorëve të fshatit Novolan, fshat në Komunën e Vushtrrisë, numri i peshqve është ulur shumë, ndërsa ka mbetur vetëm një lloj që i reziston kësaj ndotje.
Gjendje shqetësuese, institucione të qeta
Lumi Llap bashkë me liqenin e Batllavës janë dy burimet kryesore ujore të zonës së Llapit, derisa, veçanërisht liqeni i Batllavës, bart rëndësi jetike për qytetarët e Prishtinës e Podujevës, pjesa më e madhe e të cilëve furnizohet me ujë të pijes nga ky burim.
Për të diskutuar përgjithësisht për gjendjen momentale në mjedis, gjendjen e liqenit të Batllavës dhe të lumit Llap, ekipi i Preportr ka realizuar një intervistë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin. Ai ka treguar se deri ku kanë shkuar punimet për ndërtimin e impiantit, ndërkaq për gjendjen aktuale të lumit Llap dhe liqenit të Batllavës nuk ka dhënë shumë detaje.
Në këtë kuptim, mbetet shqetësues fakti që Komuna e Podujevës ka shqiptuar numër shumë të vogël gjobash për të gjithë personat fizikë dhe juridikë, të cilët në mënyrë të papërgjegjshme ndotin lumin Llap dhe liqenin e Batllavës, qoftë përmes derdhjes së ujërave të zeza në këto dy asete ujore, qoftë përmes hedhjes së mbeturinave, lëndëve djegëse, etj.
Bulliqi u shpreh se, për kohën sa është kryetar, drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim ka shqiptuar tri gjoba për personat e papërgjegjshëm të cilët hedhin mbeturina në lumin Llap, ndërsa për liqenin e Batllavës deri më tani nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë.
Bulliqi nuk ka dhënë asnjë informatë nëse gjoba kanë shqiptuar ndaj personave apo grupeve që derdhin ujëra të zeza në ujërat e kësaj komune.
Në pyetjen e Preportr mbi numrin e gjobave shqiptuar mbi pronarët e fermave rreth lumit Llap, Bulliqi, tha që janë shqiptuar disa gjoba, por pa specifikuar numrin e saktë.
Bulliqi pohoi se në të ardhmen do të mundohet të përfshijë në kolektorin kryesor të ujërave të zeza në fshatin Lupq, të gjitha kanalizimet fekale të cilat derdhen në lumin Llap.
Ndërkaq sa i përket liqenit të Batllavës pa shpjeguar në çfarë aspekti, ai tha se është punuar dhe do të punohet që derdhja e ujërave të zeza në këtë liqen të eliminohet në tërësi.
Vite më parë, Kosova ka miratuar Ligjin për Ujëra i cili parasheh dispozita ndëshkuese për persona fizikë dhe persona juridikë të cilët kontaminojnë hapësirat ujore. Në nenin 60 të këtij ligji ndalohet përveç me leje ujore shkarkimi i masës nga hedhurinat e lëngëta industriale, bujqësore dhe ujërave të ndotura urbane si dhe vajrave të përdorura në kanalizim, në sistemin për kullim, në trupat ujorë sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, në brigjet buzë lumit dhe tokave të lagëta. Nëse shkelet kjo dispozitë ligjore po me të njëjtin ligj parashihen gjobat në vlera shumë të larta deri në 100 mijë euro.
Personi fizik i cili vepron në kundërshtim me nenin 60 të këtij ligji, do të gjobitet prej pesë mijë deri në 20 mijë euro, ndërsa personi juridik prej 50 mijë deri në 100 mijë euro
Përkundër hyrjes në fuqi të këtij ligji tash e disa vite, respektimi i tij në praktikë nga qytetarët, por edhe zbatimi nga institucionet, lë shumë për të dëshiruar.
Investimet në impiante - rrugëzgjidhje e lehtë, që po merr kohë
Ndërtimi i impianteve apo i kolektorëve për ujëra të zeza vlerësohet të jetë metoda më efikase për eliminimin apo për zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza, e cila ndër të tjerash ujin e mbron nga kontaminimi e lumin nga degradimi.
Përgjithësisht, për ta mbrojtur ujërat e hidrosistemit të Kosovës, në këtë drejtim kanë vepruar disa komuna, të cilat në bashkëpunim dhe me bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës dhe me Qeveritë e disa vendeve perëndimore kanë filluar ndërtimin e tyre.
Podujeva, Prizreni, Gjakova, Peja, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani e Prishtina janë komunat e Kosovës, të cilat kanë investuar në ndërtimin e impianteve. Këto impiante, deri më tani, mbesin jofunksionale, përkundër investimeve milionëshe që janë dhënë për to përgjatë viteve.
Prizreni inauguroi fazën e parë të ndërtimit të impiantit të nivelit komunal në nëntor të vitit të kaluar. Ndërtimi i këtij impianti do të kushtojë 22 milionë euro dhe do të trajtojë ujërat e 50 mijë banorëve.
Projekti për ndërtimin e impiantit të Pejës, i cili Bankës Gjermane për Zhvillim, Qeverisë Zvicerane, asaj të Kosovës e Komunës së Pejës i ka kushtuar rreth 22 milionë euro, nuk ka përfunduar ende, ndonëse pritet të përpunojë ujërat e 60 mijë banorëve.
Ndërkaq, impianti i qytetit të Gjakovës veç se është gati për fazën e testimit, edhe pse ende nuk ka hyrë në funksion përkundër faktit që donatorëve të njëjtë, pra Bankës Gjermane për Zhvillim, Qeverisë Zvicerane e Qeverisë së Kosovës i ka kushtuar 16.8 milionë euro.
Jashtë funksionit mbeten edhe impianti 40 milionë euro i Mitrovicës, impianti i Gjilanit, bashkë me atë të Prishtinës e Ferizajt.
Komuna e Podujevës para disa viteve ka filluar punimet për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, punimet për ndërtimin e të cilit ende po vazhdojnë. Për të përmirësuar gjendjen e lumit Llap dhe për të ngritur cilësinë e ujit në ujërat e Komunës së Podujevës, kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, tha se si komunë po bisedojnë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për vazhdimin e kolektorit nga fshati Llugë deri në fshatin Lupç.
Impiantet trajtojnë vetëm ujërat kolektive (të shtëpive private). Industritë duhet të ndërtojnë vet aparaturat për trajtim të ujërave të zeza, në përputhje me parametrat ligjore.
Ekspertët të shqetësuar me gjendjen
Gjendja e rënduar e lumenjve nga derdhja ujërave të zeza ka nevojë për ndryshim. Ylberinë Baliu, teknologe e ujërave të zeza dhe Zeqir Veselaj, ekspert i mjedisit, kanë dhënë idetë e tyre për përmirësim të gjendjes aktuale.
Veselaj u shpreh se institucionet e Kosovës duhet të synojnë zbatimin e plotë të legjislacionit dhe se duhet të angazhohen në sensibilizimin e popullatës mbi ujëra të pastra.
“E para është zbatimi i plotë i ligjit mjedisor dhe për ujëra që sipas vlerësimeve të bëra është shumë në harmoni me kërkesat e Acquis Communitaire. E dyta është investimet nga qeveria qendrore dhe pushteti në fushën e trajtimit të ujërave të zeza. Dhe e treta por jo më pak e rëndësishme, punën në edukimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve dhe sidomos gjeneratave të reja se Kosova ka resurse të kufizuara ujore, andaj atë pak ujë që kemi duhet ta kursejmë dhe ta mbrojmë nga ndotja”, u shpreh ai.
Veselaj u fokusua më shumë te pika e tretë duke shpjeguar se qytetarët nuk e kanë njohurinë e nevojshme që veprimet e tyre mund të jenë shumë të dëmshme për mjedisin.
“Pak pronarë të punëtorive automekanike, p.sh., mund ta dinë që një litër vaj që ata mund ta derdhin në kanalizim (uroj që të mos ndodh), mjafton të ndot 100 mijë litra ujë kur arrin nga kanalizimi në lum, e në ndonjë rast më të keq në ujërat nëntokësore”, thotë ai.
Ylberinë Baliu, ka folur më shumë në aspektin se si Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë me industritë që edhe ata të fillojnë me trajtimin e mbetjeve që i hedhin në lumenj.
Ajo thotë se Qeveria duhet të kompletojë ndërtimin e impianteve në mënyrë që të kushtëzojë industritë. Sipas saj, qasja e deritanishme nuk është e duhur, sepse ngjason me kërcenim.
“Qeveria dhe industritë ndajnë fajin. Ata bashkë duhet të gjejnë forma për të filluar trajtimin në mënyrë graduale, pasi investimet në impiante private janë të larta dhe nëse nuk ndërtohen në këshillim me ekspertë, mund të dështojnë. Pra, Qeveria duhet të fillojë të jap afate për trajtim deri në përqindje të caktuara, ndërsa industritë duhet të fillojnë trajtimin në përputhje me këto kërkesa”, thotë ajo.
Përveç dëmeve që ujërat e zeza në lumenj shkaktojnë në aspektin biologjik, derdhja e këtyre ujërave mund të ketë pasoja ndërkombëtare për Kosovën. Lumenjtë e Kosovës shkarkohen në ujërat jashtë kufitare, me ç‘rast ndotja brenda ujërave të Kosovës bartet jashtë, në ujërat e rajonit apo më gjerë.
Profesori Veselaj, ka thënë për Preportr se kjo mund t’i sjell pasoja Kosovës. Ai kujton se si në një rast Serbia i kishte bërë probleme Kosovës pasi si rezultat i derdhjes së fenoleve të KEK-ut në lumin Ibër, ishte shkaktuar dëm në cilësinë e ujit të Moravës, kësisoj ishte rrezikuar furnizimi me ujë të pijshëm për disa qytete të Serbisë.
“Autoritetet serbe patën dërguar rastin në OKB duke akuzuar Kosovën se po ndot ujërat ndërkufitare”, thotë ai.
Duke ditur rëndësinë që Bashkimi Evropian dhe bota perëndimore i kushtojnë mjedisit dhe ujërave të pastra, vlerësohet se gjendja e rënduar e lumenjve mund të jetë një pengesë shumë serioze në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Edhe pse në Republikën e Kosovës janë miratuar 19 dokumente legjislative që rregullojnë mbarëvajtjen e ujërave (një ligj primar, 16 udhëzime administrative, një rregullore dhe një strategji qeveritare), problemi kryesor duket të jetë zbatimi i tyre në praktikë nga institucionet e Kosovës. Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë njëzet të punësuar për inspektim të ujërave.
Ky hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Redaktuar nga: Besa Kalaja