English
Scroll top

Kaosi i përbashkët

Prishtina dhe Tirana hovin e madh të ndërtimeve e kanë pasur këto dekadat e fundit ku janë ndërtuar me qindra ndërtesa kolektive. Këto ndërtime nuk janë përcjell me ndonjë plan hapësinor të mirëfilltë por janë bërë në mënyrë kaotike dhe të pa strukturuar. Ky ndryshim është reflektuar në tjetërsimin e hapësirave, veçanërisht atyre të gjelbra. Ndërtimet e pakontrolluara sipas ekspertëve kanë ndikim në cilësinë e ajrit dhe mirëqenien e qytetarëve

Prishtinë, Tiranë , 21 Shkurt 2024

Në gjashtë gushtin e vitit 2023, Bedri Hankollari, në të shtatëdhjetat, bashkë me bashkëshorten e tij u bënë pjesë e një grupi qytetarësh që dolën të protestojnë kundër ndërtimit të një kulle 185 metra të lartë që do të ngrihet në lulishten pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Bedriu, banor i lagjes aty pranë prej vitit 1974, rrëfen se kjo ishte e vetmja hapësirë e gjelbër e mbetur për të.

“Ky ishte parku i fundit, lulishtja e fundit që kishe ngelur këtu mbrapa Pallatit të Kulturës. Për mua kjo është e padrejtë që të bëhet ky ndërtim këtu. Plus që do të krijohet zhurmë, një rrëmujë e madhe. Njerëzit nuk kanë ku të pushojnë, nuk kanë ku të dalin”,-thotë Bedriu, ndërsa shton se njoftimin për zaptimin e parkut e mori nga disa fletushka të shpërndara në shkallët e banesës së tij.

“Mount Tirana” (Mali i Tiranës) është kulla e radhës që po mbin në qendër të Tiranës, përmes një vendimi të miratuar në mars të vitit 2023 në Këshillin Kombëtar të Territorit, institucion në varësi të kryeministrit Edi Rama.

Shiko Gazetën B#35

Leonora Bërbatovci nga Lagjja Mati 1, Rruga C, në Prishtinë tregon se koncepti i premtuar nga ndërtuesit për hapësira gjelbërimi nuk është realizuar, dhe rrjedhimisht, në afërsi të lagjes ku jeton nuk ka asnjë park ose hapësirë gjelbërimi. Tutje, ajo kritikon mungesën e mbikëqyrjes në lejimin e ndërtimeve të reja dhe kërkon që Prishtina nga politikat e betonizimit duhet të kalojë në politikat e gjelbra.

“Ndërtimet e reja janë lejuar të zhvillohen pa pasur mbikëqyrje nëse po i kushtohet rëndësi hapësirës gjelbëruese. Pastaj, ka pasur raste kur edhe ata pak drunj që janë mbjellë në afërsi të banesave, janë prerë pa kriter nga bizneset të cilave "ua ka mbyllur pamjen nga rruga".

Mungesa e hapësirave të gjelbra dhe tkurrja e tyre nga ndërtimet që po vazhdojnë prej disa dekadash në Prishtinë dhe Tiranë ka mbetur preokupim i qytetarëve dhe një pjese të ambientalistëve dhe pak aktivistëve.

Shtetet me politikat e tyre për zhvillim të qyteteve më shumë hapësirë u kanë dhënë ndërtuesve edhe për faktin që ata janë kontribuuesit kryesor në buxhetin e komunave-bashkive, në këtë rast kryeqyteteve.

Me dallime dhe ngjashmëri, Prishtina dhe Tirana janë në kërkim të identitetit  të tyre po pa mundur të arrijnë atë pasi secili kryetar që vjen në pushtet, vjen aty duke quar përpara interesat që janë shumë ngushtë të lidhura me interesat e partive që ata përfaqësojnë.

Si degraduan Prishtina dhe Tirana?

Kryeqytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, Prishtina dhe Tirana po njohin transformimin më të shpejtë dhe të madh urban, i cili në masë të madhe shkon në dëm të hapësirave publike sidomos atyre të gjelbëruara. Ndryshimet e mëdha ndodhën pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe pas luftës në Kosovë.

Tirana u transformua pas rënies së komunizmit ku në çdo cep edhe të hapësirave publike ndërtohej pa leje. Kjo pjesë u rregullua më vonë, objektet u rrënuan përgjatë Lanës dhe parqeve, po kohëve të fundit ka një tendencë në rritje të ndërtimeve rreth e rrotull zonës historike. Aty po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe.

Protestë e qytetarëve dhe Lëvizjes Bashkë kundër ndërtimit të kullës në parkun e Operës

Protestë e qytetarëve dhe Lëvizjes Bashkë kundër ndërtimit të kullës në parkun e Operës

Ashtu sikurse “Mount Tirana”, e njohur së fundmi për qytetarët nën përcaktimin si “kulla” për shkak të lartësisë së madhe që ka krahasuar me ndërtimet e tjera në Tiranë, dhjetëra të tjera janë në proces ndërtimi, e të tjera kanë marrë miratimin për të nisur punimet. Këto ndërtime, shpesh janë ngritur në hapësira të gjelbra të kryeqytetit.

Ndryshe prej Tiranës, ku tani punimet zhvillohen në qendër, në Prishtinë kjo kishte ndodhur  qysh pas luftës së fundit, duke e bërë këtë pjesë hapësirën më të shpërfytyruar në kryeqytet, me rrugë të ngushta, mungesë trotuaresh dhe sidomos të hapësirave të gjelbëruara. Edhe ndërtesat në aspektin estetik dhe teknik lënë shumë për të dëshiruar.

Prishtina gjatë shekullit të kaluar dhe këtij shekulli ka njohur dy ndryshime të mëdha.

Ndryshimin e parë të madh qendra e Prishtinës e përjetoi pas Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët rrënuan disa prej objekteve historike me moton “të rrënojmë të vjetrën, të ndërtojmë të renë”, dhe ndërtuan ato ndërtesa ku sot janë të vendosura institucionet e shtetit. Ndryshimi i dytë pa respektuar asnjë kriter minimal urban u bë pas luftës së viteve 98-99 në Kosovë. Investitorë të ndryshëm  rrënuan shumë shtëpi të vjetra dhe ndërtesa të tjera të pjesës historike të Prishtinës dhe lagjeve të qendrës, Dodonës, një pjese të Tophanes dhe lagjes së Muhaxherëve dhe ngritën ndërtesa shumëkatëshe. Hovin këtyre ndërtimeve u mundua t’ua ndalë Rexhep Luci i cili në vitin 2000 ishte Drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Rindërtimit dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës dhe arkitekt. Luci nuk arriti t’i ndalë ndërtimet pa leje, pasi u vra. Thuhet se vrasja ishte e llojit mafioz dhe u planifikua për shumë kohë.

Pas kësaj vrasjeje ndërtimet pa leje në dhe rreth qendrës së qytetit vazhduan deri në momentin kur qytetarët u vetëdijesuan se blerja e banesave që ishin ndërtuar pa leje nuk i plotësonin kushtet për banim dhe paraqisnin problem pasi nuk mund të merrnin pronësinë mbi to. Shteti me gjithë mekanizmat e tij dështoi përballë ndërtuesve. Thuhet që qindra njësi banesore në këtë zonë nuk kanë pronar.

Megjithë ngjashmëritë të ndërtimet, Prishtina dhe Tirana dallojnë esencialisht kur vjen puna te sheshet dhe rrugët. Tirana ka arritur t’i ruaj sheshet dhe rrugët e saj të gjëra gjë e cila i mungon shumë Prishtinës. Edhe pse me sheshe e rrugë  më të  gjëra ekspertët në  Tiranë  shprehen se  për shkak te mbindërtimit ne zonën qendrore te qytetit rrugët nuk e përballojnë dot fluksin, duke sjellë  trafik të rënduar.

Kryeqytetet Prishtina dhe Tirana pjesën më të madhe të buxhetit e realizojnë përmes lejeve që i japin për ndërtime. Kjo thuhet të jetë arsyeja që autoritetet mbyllin njërin sy edhe kur ka dyshime që pikërisht me ndërtimet bëhet shpëlarje e madhe e parave.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë e vendosur për ndërtimet e reja ka sjellë fitime të konsiderueshme për buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, nga rreth 52 milionë euro sa ishin të ardhurat nga taksa e ndikimit në  infrastrukturë në  vitin 2018, kanë  arritur në  11 muajt e vitit 2023 ( nuk përfshihet dhjetori) në  afër 83 milionë euro.

E njëjta ndodh edhe në Prishtinë. Për dhjetë vite 2012-2022, Komuna e Prishtinës ka përfituar 82 milionë euro nga pagesat për leje ndërtimore.

Megjithatë, raportet ndërkombëtare tërheqin vëmendjen për përdorimin e sektorit të ndërtimit si mënyrë për të pastruar paratë e pista.

“Një ekspert i pastrimit të parave në Shqipëri përllogariti se afërsisht 500 milionë euro janë pastruar nëpërmjet sektorit të pasurive të paluajtshme në vitin 2019. Duke përdorur të njëjtën formulë edhe për vitet 2017 dhe 2018, shifrat respektive janë 320 milionë euro dhe 570 milionë euro. Sipas këtyre përllogaritjeve, del se një shumë totale prej 1.6 miliardë euro në para të pista janë pastruar nëpërmjet sektorit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, gjatë këtyre tre viteve“,- thuhet në raportin “Prurje financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, publikuar në 2020 nga Iniciativa Globale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas raportit nga 141 kompani që fituan leje ndërtimi për ndërtesa më të larta se gjashtë kate për periudhën 2017-2019, 59% nuk kishin burimet financiare për të përfunduar ndërtesat.

“Sipas bilanceve të këtyre kompanive, të ardhurat e tyre ishin minimale, dhe nuk kishin prona apo kredi që mund t’i lejonte që të kryenin investime të tilla. Sipas vlerësimeve tona, afërsisht 60 për qind e kësaj vlere vinte nga para të pista, afro 240 milionë euro“, thuhet në raport.

Në Kosovë, sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme sipas këtij raporti ka një xhiro vjetore prej rreth një miliardë euro në vit, që përfaqëson rreth 8.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm  Bruto. Megjithatë, 350,000 ndërtime të pasluftës vazhdojnë të jenë pa leje ndërtimi dhe legalizim dhe është diçka e zakonshme për kosovarët që të mos kenë dokumente pronësie mbi apartamentet e tyre.

Preportr, i ka diskutuar ndryshimet e ndodhura në Prishtinë dhe Tiranë dhe ato që janë duke vazhduar me ekspertë të urbanistikës, të mjedisit e sociologë në Kosovë e Shqipëri.

Tkurrja e hapësirave të gjelbra

Në maj të vitit 2023, Piramida e Tiranës u hap për publikun, pas një kohe të gjatë të të qenit në proces rikonstruksioni dhe e rrethuar me kangjella. Një pjesë e konsiderueshme e hapësirës së gjelbër përreth saj është përdorur për të vendosur kube betoni, të cilat do të shërbejnë si hapësira shërbimesh.

Pak më tutje, në rrugën e Elbasanit, në Tiranë, parku ish-7 xhuxhët, një hapësirë e gjelbër me lodra, u transformua në një shesh ndërtimi, për t’u ndërtuar një tjetër kullë 140 metra e lartë, me 37 kate mbi tokë dhe 5 kate parkimi nëntokë, të ashtuquajtur “Downtown One”, e cila mbartë në arkitekturën e saj një hartë zyrtare të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, perimetri i liqenit artificial të Tiranës është tkurrur me kalimin e viteve për shkak të ndërtimit të një tjetër shumëkatëshi, ndërsa në fushë ndërtimi u kthye edhe ish-parku i autobusëve në vitin 2017, duke i hapur rrugën një kompleksi ndërtimesh.

Irdi Ismaili, një qytetar i Tiranës, i cili banon në zonën e Ali Demit tregon se të vetmen hapësirë të gjelbër ka Lanën.

“Në lagje, midis pallateve mund të gjesh tek-tuk ndonjë hapësirë jo funksionale të mbuluar me bimësi. Parku më i afërt është liqeni i Farkës që pas bumit të ndërtimeve tashmë është i aksesueshëm vetëm në dy pika dhe është i mbuluar me beton“, thotë Irdi.

Mungesa e parqeve dhe hapësirave rekreative pranë zonave të banimit është një shqetësim i hasur edhe nga prindërit e rinj të qytetit.

Ferdez Onuzi, nënë e një vajze 13 muajshe, e ka shumë të vështirë të frekuentojë një park me fëmijën e saj.

“Në 13 muaj unë nuk kam guxuar të mendoj të shkoj fjala bie te Liqeni i Tiranës sepse në vend që të ishte relaksim do ishte lodhje dhe ditë e çuar rrugëve e autobusëve”, rrëfen Ferdezi.

Një banore e Prishtinës, Arjeta Muja nga lagjja e Spitalit, ndanë shqetësimin e njëjtë më nënën nga Tirana sa i përket mungesës së hapësirave të gjelbra dhe parqeve të dedikuara për fëmijë në zonën e saj.

“Kjo mungesë ndikon në jetën e përditshme, veçanërisht si nënë duke kufizuar mundësitë për relaksim dhe zona të sigurta lojërash për fëmijë”, thotë Muja.

Ajo thotë se intensifikimi i urbanizimit në dy vitet e fundit ka reduktuar sipërfaqet e gjelbra dhe ka ndikuar në cilësinë e ajrit.

Banorja e lagjes Arbëria në Prishtinë, Laura Rudi, vlerëson ndryshimet pozitive si mbjelljen e disa fidanëve, por kërkon zgjidhje për trafikun dhe krijimin e më shumë zonave të gjelbra.

"Në lagjen ku jetoj nuk ka ndonjë hapësirë të gjelbër, nuk ka as ndonjë park e madje as trotuar që me ec fëmijët. Ndryshimi që kam vërejtur në 5 vitet e fundit ka qenë vetëm mbjellja e disa fidanëve dhe largimi i kontejnerëve për mbeturina. Mendoj se në planet e saj Komuna e Prishtinës duhet të bëj zgjidhje për trafikun dhe të krijoj më shumë zona të gjelbra që fëmijët të kenë hapësirë ku të luajnë lirshëm”, thotë ajo.

Për dallim nga lagjet ku ka mungesë të hapësirave të gjelbra lagjja Dardania,  njihet si më e gjelbëruar në Prishtinë.

Xhezair Dashi që banon në këtë lagje, e konsideron Dardaninë si një oazë në shkretëtirën betonizuese të Prishtinës.

Humbja e shumë hektarëve të hapësirës së gjelbër

Sipas një studimi të kryer nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit në vitin 2020, Tirana ka humbur 52,58 hektarë sipërfaqe të gjelbër brenda unazës së madhe.

“Që prej vitit 2010 e këtej, Tirana vlerësohet të ketë humbur rreth 50 hektarë hapësirë publike të gjelbëruar. Dhe këto janë kryesisht parqe në brendësi të qytetit“, thotë Rodion Gjoka, ekspert mjedisor pranë Institutit për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN).

Në vitin 2017 u miratua Plani i Përgjithshëm Vendor për Bashkinë Tiranë që përcaktonte strategjinë dhe zhvillimin territorial të qytetit. Në bazë të këtij plani, pati një projekt strategjik “Metrobosco” i quajtur Pylli Orbital. Sipas këtij projekti do të përcaktohet një vijë e gjelbër për qytetin, me pritshmërinë ambicioze për të mbjellë deri në vitin 2030 rreth 2 milionë pemë.

Që prej vitit 2010 e këtej, Tirana vlerësohet të ketë humbur rreth 50 hektarë hapësirë publike të gjelbëruar.

Rodion Gjoka, ekspert mjedisor

“Me një sipërfaqe prej 2563.8 ha, ky pyll konceptohet si një brez mbrojtës, i cili do të ketë mundësi të bllokojë konsumin e tokës duke krijuar një unazë me pemë frutore, parqe, pyje me natyrailim të gjeneruar nga një brez përkufizues të kryeqytetit prej rreth 2 milionë pemësh”, -thuhet në dokumentin që përcakton rregullat dhe kushtet për realizimin e Pyllit Orbital të Tiranës.

Më 26 mars 2023, teksa mbajti një ceremoni me mbjellje pemësh, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj njoftoi se kishin arritur të mbillnin 1 milion pemë asokohe. Aty ai tha se misioni vazhdon dhe do të mbillen 2 milionë pemë deri në vitin 2030.

Sipas Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë Tiranë, që nga krijimi i kësaj agjencie në vitin 2015 deri më nëntor 2023 në Tiranë janë mbjellë vetëm 311,562 pemë. Shifër kjo e cila tregon se jemi shumë larg arritjes së shifrës prej 2 milionë pemësh në Tiranë, përpos optimizmit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën janar-shtator 2022, objektivat e parashikuara që lidhen me shtimin e hapësirave të gjelbra, nuk i përgjigjen ritmeve të rritjes së urbanizimit. Kjo, pasi sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në vitet e fundit është rritur disa herë.

Ajo çka ekspertët shohin me shqetësim është edhe mungesa e specifikimit “sipërfaqe e gjelbër” në legjislacionin që shoqëron Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV).

Fillimi i punimeve në parkun e Operës dhe Baletit në Tiranë

Fillimi i punimeve në parkun e Operës dhe Baletit në Tiranë

“Plani i detajuar vendor në parametrat e tij teknikë një nga kushtet ka që 30% e sipërfaqes së nën njësisë strukturore duhet të jetë sipërfaqe publike, pra hapësirë publike dhe vetë ligji për planifikimin e territorit ka një nen të posaçëm vetëm për hapësirën publike, çfarë konsiderohet hapësirë publike”, thotë urbanistja Doriana Musaj.

Ky plan sipas saj nuk specifikon asnjë moment sa nga kjo hapësirë publike do jetë sipërfaqe e gjelbër.

“Në kuptimin e të gjelbrës si sipërfaqe e mbjellë me bar apo pemë apo lulishte apo qoftë dhe, por është hapësirë publike dhe aty ai fut lulishte, parqe, rrugë, trotuare çdo gjë. Kjo është pika e parë që më pas ndërtohet spekulimi“, shton ajo.

Për Ferdezin dhe të gjithë prindërit që duan të dërgojnë fëmijët në ambiente të gjelbra apo rekreative, e vetmja zgjidhje mbeten kafenetë.

Sipas urbanistes Musai, ky mos qartësim i ligjit se çfarë është hapësirë publike dhe sa prej saj është e gjelbër, e bën të vështirë përcaktimin e saj në qytet midis hapësirave publike.

Qyteti i Tiranës, një kantier ndërtimi

Qyteti i Tiranës është duke përjetuar në dhjetë vitet e fundit një ndryshim të shpejtë të identitetit arkitekturor. Ky ndryshim është reflektuar në tjetërsimin e hapësirave, veçanërisht të gjelbra dhe ngritjen e ndërtesave të larta, duke shembur ato ekzistuese.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), numri i ndërtimeve në Tiranë vitet e fundit ka ardhur në rritje dhe sipërfaqja e lejeve të ndërtimit është dyfishuar. Vetëm në  nëntë  muajt e vitit 2023 janë dhënë 1299 leje ndërtimi dhe 1 milion e gjysmë metra katror sipërfaqe të lejeve të ndërtimit.

Ky trend ka ardhur në rritje, nëse do ta krahasojmë me vitet e shkuara. Por ky trend nuk do të ndalet me kaq. Edi Rama kryeministër i Shqipërisë ne emisionin Opinion, ka lënë të nënkuptohet që ndërtimet do të vazhdojnë.

“Janë  pak akoma.... Këto kulla i kanë  dhënë  një  energji komplet tjetër qytetit. Tirana është  bërë sot një  qytet ku ndërtojnë  arkitektë  nga më  të  mirët e botës dhe Tirana nesër do të  jetë  destinacion turistik për arkitekturë ”, u shpreh Rama në nëntor të vitit  2023 në  emisionin “Opinion”.

Numri i dhënies së lejeve të ndërtimit ka shënuar rritje në vitet e fundit. Në vitin 2017 ishin dhënë 819 leje, kurse në vitin 2023 numri ka shkuar në 1299 leje.

Sipas urbanistes Doriana Musai, në raport me trendin e lëvizjes së popullsisë në Tiranë që është i qëndrueshëm, numri i sipërfaqeve të ndërtimit është shumë herë më i madh.

“Fillimi i ndërtimit të Tiranës si qytet dhe kryeqytet në fillim të 1920 dhe është llogaritur që nga 1920 deri në 2015, pra për gati 80 vjet është ndërtuar në Tiranë një sipërfaqe e konsiderueshme strukturash banimi dhe jo vetëm, e cila vetëm në këto 8 vitet e fundit i ka tejkaluar. Pra çfarë është ndërtuar këto 8 vitet e fundit në Tiranë ka tejkaluar gjithë sipërfaqen që është ndërtuar në 80 vjet”, thotë ajo.

Ndërtuesit e shohin zhvillimin e qytetit sipas Planit të Përgjithshëm Vendor si një premisë për më shumë hapësira publike.

“Kufizimet dhe kushtet e planifikimit e zhvillimit të territorit të përcaktuara nga Plani i Përgjithshëm Vendor mundësojnë një zhvillim me më shumë hapësira publike dhe rrugë në të ardhmen duke parë vetëm një nga treguesit e zhvillimit siç është koeficienti i shfrytëzimit të tokës për ndërtim, i cili për zonat e banimit është 45%, pjesa tjetër mbetet në shërbim të komunitetit me rrugë dhe hapësira publike”, thotë Erjon Harizi, përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve

Gjithashtu një instrument tjetër sipas tij është edhe ulja e kësaj përqindje në territor deri në 18% me pak (nga 45%) duke lejuar shtimin në lartësi të objektit, por duke liruar me shumë hapësirë publike në territor në shërbim të komunitetit.

Për Redi Muci, pedagog dhe aktivist në Lëvizjen Bashkë (një parti e re në hapësirën politike shqiptare) të vetmet hapësira të gjelbra që i zënë sytë pranë banesës së tij janë oborret e ambasadave të huaja.

“E vetmja hapësirë publike që mblidhte banorët e lagjes ka qenë sheshi përballë Mozaikut të Tiranës, i cili prej më shumë se një viti është i rrethuar me gardh për ndërtimin e një strukture betoni që supozohet të presë vizitorët – shproporcionale për nga përmasat në krahasim me atë që është mozaiku“.

Sipas tij, urbanizimi i qytetit në këtë formë në 10 vitet e fundit ka ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve.

“Zhdukja e hapësirave të gjelbra dhe betonizimi që i ka ndodhur qytetit lidhet me një listë të gjatë faktorësh që ndikojnë negativisht në standardin e jetesës së qytetarëve: që nga trafiku i mbingarkuar, te cilësia shumë e dëmshme e ajrit, te përmbytjet e rrugëve sa herë shtohet sasia e reshjeve, te mungesa e hapësirave rekreative dhe komunitare për fëmijët dhe moshën e tretë, etj. “,thotë ai.

Hapësirat publike të shfrytëzueshme në Prishtinë

Kryeqyteti i Kosovës ka disa hapësira publike të gjelbra, si Tuakbahçen, Parkun e Gërmisë, Parkun e qytetit, Parkun e Arbërisë, e disa parqe të vogla në lagjen Dardania.

Mirëpo Prishtinës i mungon një shpërndarje e mirë e hapësirave publike të gjelbra në qytet, sipas profesoreshës së arkitekturës dhe urbanizmit, Rozafa Basha, e cila në tezën e saj të doktoraturës i përmend zonat ku dominon e gjelbra.

“Kur shikohet harta e Prishtinës, vërehet dominimi i të gjelbrës në brezin verilindor të qytetit ku gjendet Pylli i Gërmisë. Fillimisht, në lindje nga qendra paraqitet Taukbahçja, një park pikniku, që daton nga shekulli XIX. Ajo është urëlidhëse me zonën e madhe të gjelbër me parkun e Gërmisë, që gjendet në verilindje të qytetit...”

Siç edhe mund të shihet nga harta e Prishtinës ngjyra e gjelbër që simbolizon hapësirat e gjelbra është mjaftë e rrallë dhe ka zona që kjo ngjyrë nuk vërehet fare.

Por sado që të jenë, ato hapësira që ekzistojnë duhen mirëmbajtur që së paku të jenë të shfrytëzueshme.

Ndërmarrja publike “Gjelbër” është përgjegjëse për mirëmbajtjen e afro 1,395,000 m2, duke përfshirë pothuajse të gjitha lagjet e Prishtinës ku ka hapësira publike, Parkun e Qytetit, Parkun e Taukbahçes, Parkun e Gërmisë dhe parqet në Arbëri.

Megjithëse mirëmbahen këto hapësira publike gjatë verës thahen. Lidhur me këtë nga Ndërmarrja publike “Gjelbër” tregojnë se nuk kanë kapacitet për ujitjen e rregullt mekanike të barit.

“Në hapësirat ekzistuese, sidomos në qytet duhet të parashihet sistemi i avancuar i ujitjes për mirëmbajtje e ujitje të rregullt sidomos në mot të nxehtë e të thatë. Ndërmarrja aktualisht posedon 2 cisterna përmes të cilave ujit bimët dhe fidanet e mbjella por nuk ka kapacitet për ujitjen e rregullt mekanike të barit.”, theksohet në përgjigjen e tyre për Preportr.

Tutje, nga “Gjelbër” shprehen se buxheti i vogël i ndarë nga Komuna e Prishtinës karshi kërkesave të qytetit dhe hapësirave të gjelbra, si dhe makineria e vjetër dhe me defekt e trashëguar, përbën sfidën kryesore në mirëmbajtjen e duhur të hapësirave publike të gjelbra.

Zhvillimi i hovshëm i  Prishtinës

Që nga viti 2011 Kosova gjendet në terr të dhënash sa i përket regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vend.

Në të dhënat vitit 2011 të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), popullsia e Kosovës ishte 1.7 milionë banorë, ku popullsi urbane ishte 661 mijë persona, ndërsa popullsi rurale ishte 1.07 milionë persona. Sipas ASK-së gjatë vitit 2022 vlerësohet se 9,678 rezidentë në Kosovë kanë ndërruar vendbanimin (komunën) për arsye të ndryshme kryesisht nga vendbanimet rurale në ato urbane dhe sub-urbane.

2416 persona raportohet se kanë imigruar në Prishtinë nga komunat e tjera, sipas Vlerësimit të Popullsisë për vitin 2022, ndërsa numri total i banorëve të regjistruar në Prishtinë llogaritet të jetë 193 mijë.

Ky numër i banorëve të Prishtinës duket shumë i vogël dhe se nuk përket me realitetin.

Në ueb faqen e Prishtina Online thuhet se “Prishtina është stërngarkuar me popullatë. Manipulohet me shifra, por duke u mbështetur në analiza dhe numrin e votuesve, numri rezident i qytetarëve në qytetin e Prishtinës, mund të jetë përafërsisht 400 mijë, ndërsa me fshatrat deri 470 mijë. Gjatë ditës në kryeqytet mendohet se lëvizin deri në 500 mijë qytetarë”.

Një nga lagjet e Prishtinës ku po ndërtohet më së shumti, Mati I-kaos dhe pamundësi lëvizjeje

Një nga lagjet e Prishtinës ku po ndërtohet më së shumti, Mati I-kaos dhe pamundësi lëvizjeje

Këto shifra të Prishtina Online nuk janë zyrtare, por që mund t’i afrohen më shumë realitetit se sa shifrat e vitit 2011 të ASK-së. Kjo, madje mbështetet edhe nga burime të ndryshme, që sot në Kosovë, afërsisht gjysma e popullatës jetojnë në zona urbane (qytete), e cila situatë është shumë e afërt me trendin aktual botëror, gjë që është e shkruar në draftin e Hartës Zonale të Kosovës 2020 – 2028.

Kualiteti më i mirë i jetës, të qenit afër aktiviteteve ekonomike, mundësitë më të mëdha për qasje në treg të punës, e përparësitë e tjera, kanë bërë që migrimi nga zonat rurale në zonat urbane të rritet vazhdimisht, dhe jo vetëm në një vend.

Sipas UNCTAD (United Nations Conference on Trade and Development), 56% e popullsisë globale aktualisht banon në qendrat urbane dhe shifra pritet të rritet në 68% deri në vitin 2050.

Në Evropë, afërsisht 75% e banorëve jetojnë në qytete dhe sipas parashikimeve deri në vitin 2050, 80% e popullatës evropiane do të jetojë në zona urbane, sipas Eurostat.

Për një trend të tillë, tashmë të dëshmuar nga ajo që shohim në përditshmëri në Kosovë, shkruhet në dokumentin e draftit të Hartës Zonale të Kosovës 2020 – 2028.

“Duke qenë dëshmitarë të presionit të shtuar për të siguruar një vendbanim në zonë urbane, mund të konstatojmë se trendi i rritjes së popullatës urbane në vendin tonë shumë shpejtë do t’i arrijë shifrat evropiane. Një situatë e tillë kërkon vëmendje të shtuar nga të gjithë përgjegjësit, e në veçanti nga autoritetet përgjegjëse komunale, për gjetjen e zgjidhjeve adekuate dhe të përshtatshme me kërkesat dhe gjendjen aktuale në terren”, thuhet në draftin e Hartës Zonale të Kosovës 2020 – 2028.

Me rritjen e imigrimit në Prishtinë, kërkesat për ndërtim janë rritur, duke mos lënë gati asnjë lagje pa ndërtime të reja e zgjerim të lagjeve të reja në periferi.

Vetëm gjatë viteve 2012 – 2022, bazuar në dokumentet publike të Komunës së Prishtinës, janë dhënë mbi 6.5 milionë metra katrorë leje për objekte shumë-katëshe afaristo-banesore në Prishtinë, prej të cilave, Komuna e Prishtinës ka përfituar mbi 82 milionë euro nga pagesat për leje ndërtimore.

Kur jepen këto leje ndërtimore, padyshim duhet pasur parasysh se sa metra katrorë hapësirë e gjelbër duhet të dedikohen për kokë banori. Komuna e Prishtinës nuk e di sa se metër katrorë hapësirë e gjelbër duhet dedikuar për kokë banori, ani pse marrja e licencave për ndërtim në Kosovë zgjatë shumë më tepër sesa në ekonomitë e tjera të zhvilluara, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

“Për shembull, marrja e një leje ndërtimi në Kosovë zgjat mesatarisht 273 ditë (krahasuar me mesataren e OECD prej 152 ditësh) dhe kërkon 18 procedura (mesatarja e OECD-së është 13)”, thuhet në raportin e OECD-së.

Përveç hapësirës së dedikuar për kokë banori, shumë e rëndësishme është edhe ndarja apo shfrytëzimi i parcelës apo tokës për ndërtim.

Përqindja e shfrytëzimit të parcelës për ndërtim varet nga lagjja në lagje, sipas Komunës së Prishtinës secila lagje i ka kriteret e veta të zhvillimit, mirëpo në parim apo mesatarja e shfrytëzimit sillet rreth 30% deri 40 % e parcelës. Në komunë thonë se ky kriter është respektuar thuajse në të gjitha ndërtimet me leje përkatëse në të gjitha lagjet e Prishtinës.

Kjo gjë kundërshtohet nga ekspertja planere hapësinore, Elvida Pallaska, e cila e konsideron se me ndërtime në disa lagje është bërë shkatërrimi i qytetit e gjelbërimit.

“Lagjet e rindërtuara së fundmi në Prishtinë të cilat janë dhe në rindërtim, ku standardet dhe normat e planifikimit janë Dis-respektuar janë të shumta, porse ato më eklatantet janë Lagjja e Muhaxherëve dhe Dodona, të cilat do të duhej të merren si shembull i keq i mosrespektimit të normave dhe standardeve të ndërtimit”, shprehet Pallaska.

Për dallim nga lagjet që nuk kanë respektuar shfrytëzimin e tokës për ndërtim, sipas Pallaskës lagjet që shquhen për gjelbërim bazuar në standarde dhe norma të planifikimit janë lagjet Ulpiana dhe Dardania, të ndërtuara gjatë kohës së ish-komunizmit.

Në lidhje me zonat e reja apo lagjet në ndërtim dhe disponueshmërinë e ndonjë hapësire të gjelbër në afërsi të tyre, si në rrugën Muharrem Fejza, rrugët C,  A dhe B, si dhe Veternikun, Komuna e Prishtinës ka bërë e ditur se në nivel të lagjeve (Planeve Rregulluese) janë të përfshira edhe hapësirat e gjelbra dhe parqet, së bashku me hapësirat e tjera publike dhe sociale të nevojshme. Megjithatë, kjo përpjekje për planifikim është sfiduar nga mungesa e pronave komunale.

Ndryshimi i strukturës urbane të Prishtinës nga ndërtimet e hovshme

“Hallakamë kaotike” e “urbicid” janë përshkrimet që ekspertja e urbanizmit Elvida Pallaska bën për strukturën e ndërtimeve në kryeqytet.

“Prishtina po humb identitetin e saj me ristrukturimin e paligjshëm, të paparaparë dhe të paimagjinuar, të pa strukturuar dhe të pa kontrolluar. Askush nuk di në këtë hallakamë kaotike se çfarë mund të bëhet pas kaosit urban të cilin unë e quaj me termin: URBICID”.

Struktura e banimit në Kosovë mund të krahasohet edhe me ndarjen në dy periudha: para dhe pas luftës së vitit 1998 – 1999. Kjo pasi llogaritet që gjatë luftës janë të dëmtuara apo shkatërruara rreth 120,000 objekte në Kosovë, shumica objekte banimi.

Prishtina po humb identitetin e saj me ristrukturimin e paligjshëm, të paparaparë dhe të paimagjinuar, të pa strukturuar dhe të pa kontrolluar. Askush nuk di në këtë hallakamë kaotike se çfarë mund të bëhet pas kaosit urban të cilin unë e quaj me termin: URBICID”.

Elvida Pallaska, eksperte e urbanizmit

Në periudhën e pasluftës, fokusi ka qenë në rindërtimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta, por trendi i njëjtë nuk ka ndodhur edhe në Prishtinë, meqë nuk ka qenë aq shumë e dëmtuar gjatë luftës, tregon eksperti për çështje të banimit, Driton Tafallari.

“Prishtina hovin e madh të ndërtimeve e ka pas në 10 apo 15 vitet e fundit ku janë ndërtuar me qindra ndërtesa kolektive. Fatkeqësisht, këto ndërtime nuk janë përcjell me ndonjë plan hapësinor të mirëfilltë por ndërtimet janë bërë në mënyrë kaotike dhe të pa strukturuar”, thotë Tafallari.

Për këtë kaos  sipas tij  në masë të madhe kanë kontribuar edhe zbrazëtirat ligjore dhe sidomos neni 18 i ligjit të ndërtimit ku lejohet ndërtimi kolektiv edhe në zona ku nuk ka Hartë Zonale me paraqitjen e kërkesës nga investitorët.

Ndryshimet radikale të strukturës së banimit në Prishtinë pas kësaj periudhe mund të shihen qartë edhe përmes pamjeve e fotografive. Kur i krahason me sot, disa zona si Veterniku, e Lagjja Mati 1 kanë kaluar nga fusha të gjelbra në zona totalisht të betonizuara, që dëshmojnë urbanizimin e zhvilluar drejt hapësirave të lira.

Ky trend i zgjerimit të qytetit nuk është konsideruar pozitiv.

“Zgjerimi i qytetit drejt hapësirave të lira jashtë zonës së tanishme të ndërtuar ngre shqetësimin se në të ardhmen, mund të ketë trysni të konsiderueshme që vjen nga zgjerimi i pakontrolluar urban.”- thuhet në raportin “Plani i Veprimit për Qytet të Gjelbër” të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim.

Bazuar në këtë raport, që i përket vitit 2021 nga kur nuk mund të ketë ndryshuar shumë struktura e banimit në Prishtinë, thuhet se shtëpitë familjare mbulojnë më pak se 40% të banimit dhe gjenden kryesisht në veri, veri-perëndim, veri-lindje dhe në pjesën qendrore të kryeqytetit. Ndërkaq, mbi 60% e zonës së qytetit është e mbuluar me objekte kolektive banimi apo objekte afaristo-banesore. Kurse pjesa jugore dikur e mbuluar me shtëpi private të ndërtuara pas luftës, në vitet e fundit po kthehen në ndërtesa shumëkatëshe.

Pa dyshim që “viktimat” kryesore të kësaj situate mbesin qytetarët e Prishtinës.

Driton Tafallari, ekspert për çështje të banimit

Këto ndërtime eksperti Tafallari i quan “kaos urban”, të cilat po lënë pasoja të mëdha si në mungesën e infrastrukturës së mirëfilltë dhe në mungesën e zonave të mjaftueshme të gjelbra.

“Pa dyshim që “viktimat” kryesore të kësaj situate mbesin qytetarët e Prishtinës.”

Plani Zhvillimor Komunal e Harta Zonale - planifikimi dhe integrimi i hapësirave të gjelbra

Plani Hapësinor i Kosovës (PHK) dhe Harta Zonale e Kosovës (HZKos) janë dy dokumentet kryesore të planifikimit hapësinor që rrjedhin nga Ligji për Planifikim Hapësinor. Me ndryshimin e Ligjit të realizuar në vitin 2013, Harta Zonale si dokument bëhet pjesë e sistemit të planifikimit hapësinor në të dy nivelet e qeverisjes, atë qendrore dhe lokale.

Prandaj, në nivel lokal instrumentet kryesore të planifikimit janë Plani Zhvillimor Komunal (PZhK) dhe Harta Zonale e Komunës.

Në këtë rast, Plani Zhvillimor Komunal (PZhK) është një plan strategjik multi-sektorial i cili përcakton caqet afatgjata të zhvillimit ekonomik, social dhe hapësinor. PZhK-ja duhet të përfshijë zhvillimin e zonave urbane dhe rurale për një periudhë së paku tetë (8) vjeçare.

Harta Zonale e Komunës përmes grafikonëve, fotografive, hartave dhe tekstit definon hollësisht llojin, destinimin, shfrytëzimin e planifikuar të hapësirës dhe masat e veprimit të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksione të arritshme të investimeve publike dhe private për tërë territorin e Komunës, për një periudhë së paku tetë (8) vjeçare.

1/7
  • Kaosi i përbashkët

    Kryeqytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, Prishtina dhe Tirana po njohin transformimin më të shpejtë dhe të madh urban, i cili në masë të madhe shkon në dëm të hapësirave publike sidomos atyre të gjelbëruara. Në Tiranë po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe në qendër të qytetit në dëm të hapësirave të gjelbëruara e në Prishtinë e gjithë periferia që ishte hapësirë e gjelbëruar është shndërruar në hapësirë betonizuese. Foto: Agnesa Qorri

  • Kaosi i përbashkët

    Kryeqytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, Prishtina dhe Tirana po njohin transformimin më të shpejtë dhe të madh urban, i cili në masë të madhe shkon në dëm të hapësirave publike sidomos atyre të gjelbëruara. Në Tiranë po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe në qendër të qytetit në dëm të hapësirave të gjelbëruara e në Prishtinë e gjithë periferia që ishte hapësirë e gjelbëruar është shndërruar në hapësirë betonizuese. Foto: Agnesa Qorri

  • Kaosi i përbashkët

    Kryeqytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, Prishtina dhe Tirana po njohin transformimin më të shpejtë dhe të madh urban, i cili në masë të madhe shkon në dëm të hapësirave publike sidomos atyre të gjelbëruara. Në Tiranë po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe në qendër të qytetit në dëm të hapësirave të gjelbëruara e në Prishtinë e gjithë periferia që ishte hapësirë e gjelbëruar është shndërruar në hapësirë betonizuese. Foto: Agnesa Qorri

  • Kaosi i përbashkët

    Kryeqytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, Prishtina dhe Tirana po njohin transformimin më të shpejtë dhe të madh urban, i cili në masë të madhe shkon në dëm të hapësirave publike sidomos atyre të gjelbëruara. Në Tiranë po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe në qendër të qytetit në dëm të hapësirave të gjelbëruara e në Prishtinë e gjithë periferia që ishte hapësirë e gjelbëruar është shndërruar në hapësirë betonizuese. Foto: Erisa Kryeziu

  • Kaosi i përbashkët

    Kryeqytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, Prishtina dhe Tirana po njohin transformimin më të shpejtë dhe të madh urban, i cili në masë të madhe shkon në dëm të hapësirave publike sidomos atyre të gjelbëruara. Në Tiranë po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe në qendër të qytetit në dëm të hapësirave të gjelbëruara e në Prishtinë e gjithë periferia që ishte hapësirë e gjelbëruar është shndërruar në hapësirë betonizuese. Foto: Xhemali Moku

  • Kaosi i përbashkët

    Kryeqytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, Prishtina dhe Tirana po njohin transformimin më të shpejtë dhe të madh urban, i cili në masë të madhe shkon në dëm të hapësirave publike sidomos atyre të gjelbëruara. Në Tiranë po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe në qendër të qytetit në dëm të hapësirave të gjelbëruara e në Prishtinë e gjithë periferia që ishte hapësirë e gjelbëruar është shndërruar në hapësirë betonizuese. Foto: Xhemali Moku

  • Kaosi i përbashkët

    Kryeqytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, Prishtina dhe Tirana po njohin transformimin më të shpejtë dhe të madh urban, i cili në masë të madhe shkon në dëm të hapësirave publike sidomos atyre të gjelbëruara. Në Tiranë po ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe në qendër të qytetit në dëm të hapësirave të gjelbëruara e në Prishtinë e gjithë periferia që ishte hapësirë e gjelbëruar është shndërruar në hapësirë betonizuese. Foto: Agnesa Qorri

Sa i përket Planit Zhvillimor Komunal 2022 - 2030 dhe Hartës Zonale të Prishtinës, dokumenti i fundit i publikuar në ueb faqen zyrtare është "Miratimi i vendimit për formimin e Komitetit konsultatitv për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartës Zonale”.

Nga Komuna e Prishtinës janë përgjigjur se “Grupi punues për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartës Zonale, ka filluar punën, ka hartuar draftin pas takimit me qytetarë, e më pas i është dërguar Ministrive të Linjës për aprovim apo dhënieve e komenteve të tyre”.

Në momentin e konfirmimit nga ana e Ministrisë, PZhK dërgohet në KK të Prishtinës për vënie në shqyrtim publik, i cili qëndron për 30 ditë me qëllim të marrjes së komenteve nga qytetarët.

Jemi në vitin 2024, Komuna e Prishtinës ende nuk e ka Planin Zhvillimor Komunal 2022 – 2030 dhe Hartën Zonale.

Për planin e vjetër 2012-2022, planerja hapësinore, Elvida Pallaska thotë se ka shumë shkelje ligjore.

“Plani Zhvillimor Komunal i Prishtinës 2012-2022, do të duhej të ishte orientim zhvillimor për Prishtinën, por se shumë shkelje ligjore ka në dhënien apo tejkalimin e shumë parametrave sa i përket ndërtimeve”, shprehet Pallaska.

Në përputhje me Ligjin për Planifikim Hapësinor, Ligjin e ndërtimit dhe udhëzime administrative që dalin nga këto ligje, në zonat urbane duhet të sigurohen hapësira të mjaftueshme të gjelbra dhe të qeta, në raste të zgjerimit të zonave urbane, ndërtimet duhet të orientohet në drejtim të tokave me kualitet më të ulët bujqësor dhe e kalkuluar në raport me rritjen e vlerësuar të popullatës, kurse gjatë planifikimit të zonave të reja dhe adaptimit të zonave të vjetra urbane, duhet të merret në konsideratë mbrojtja e mjedisit dhe shtimi i hapësirave të lira.

Në praktikë dhe nga ajo çfarë shihet kjo nuk është zbatuar.

Problemi sipas ekspertëve qëndron tek mos përmbushja e standardeve nga kompanitë e kontraktuara dhe mosrespektimi i PZhK-së nga komuna.

Biodiversiteti i kryeqyteteve i kërcënuar nga urbanizmi i pakontrolluar

Biodiversiteti i Prishtinës  dhe Tiranës nuk mund t’i shpëtojë pasojave të urbanizmit të hovshëm e kryesisht të paplanifikuar.

Zeqir Veselaj ekspert i mjedisit, bëri të qartë se urbanizimi i shpejtë dhe i paplanifikuar shkakton zënien e tokave që nuk janë për ndërtim. Ndërtime të tilla, sipas tij, sjellin probleme të shumta, përfshirë tejngarkim në infrastrukturën e ujit, ndotje të ajrit dhe ujit, zhurma nga transporti, dhe një varg të gjatë pasojash të tjera.

"Urbanizimi sot jo vetëm në Prishtinë, po në të gjithë botën është njëri nga presionet apo kërcënimet kryesore në mjedis. Zakonisht ku ka urbanizim të shpejtë dhe masiv, pjesa më e madhe e tij është i paplanifikuar, i pakontrolluar dhe i pandalshëm", thotë Veselaj.

Për sa i përket zonave të mbrojtura, ai theksoi se Prishtina nuk ka shumë prej tyre. Përveç Parkut të Gërmisë, për të cilin Veselaj shprehu shqetësimin për ndërtime të paplanifikuara që kanë prekur kufijtë e kësaj zone të mbrojtur natyrore.

Ai gjithashtu vuri në dukje se mungesa e hapësirave të gjelbra në kryeqytet ka pasoja serioze për cilësinë e ajrit dhe ujit për banorët.

Falë afërsisë me Parkun e Gërmisë biodiversiteti i Prishtinës konsiderohet i pasur, me një faunë të pasur prej 64 specie zogjsh dhe 19 lloje kafshësh, si dhe një larmi prej afro 600 specieve të florës, thuhet në Planin e Veprimit për Qytet të Gjelbër.

Është e ditur edhe nga studimet e ndryshme se hapësirat e gjelbra ndikojnë në reduktimin e ndryshimeve klimatike, derisa sipas Direktivës së Bashkimit Evropian, biodiversiteti duhet të jetë pjesë integrale e planeve hapësinore dhe urbane.

Sipas ekspertëve mjedisorë në Tiranë rritja e numrit të ndërtimeve në kryeqytet ka sjellë uljen e cilësisë së jetesës, për shkak të kushteve jo të mira mjedisore.

“Si për ajrin, ku pluhurat kryesisht por edhe dioksidi i azotit janë mbi standardet e lejuara. Gjelbërimi në qytet është reduktuar në vlera shumë të mëdha. Pra prezenca e hapësirave rekreative të gjelbra për qytetarët sidomos në lagje, në një qytet me 1 milion banorë është thuajse e papërfillshme është gati zero-17 metra katrorë për banorë”, thotë Rodion Gjoka.

Rekomandimet e ekspertëve për një urbanizëm që ruan dhe krijon hapësira të gjelbra

Kur krijohen plane e politika publike në standarde normale do të duhej të bazoheshin në statistika reale e aktuale.

Një mungesë e statistikave aktuale e të përditësuara në Kosovë vërehet dukshëm në secilin sektor. Ndonëse nuk do të duhej të krijonin e miratonin plane pa të dhëna nga terreni, tek ne ndodh shpesh.

Këtë e thekson edhe eksperti i çështjeve të banimit, Driton Tafallari i cili jep rekomandime për zhvillimin e një urbanizmi që ruan dhe krijon të gjelbrën.

“Pa statistika të mirëfillta është e pamundur çfarëdo planifikimi serioz. Planet Zhvillimore Komunale dhe Hartat Zonale bëhen pa informata relevante dhe shpesh paushall”, thotë Tafallari.

Tutje, sipas Tafallarit, hapi kryesor që duhet të ndërmerret menjëherë është përpilimi i Planit Zhvillimor Komunal të Prishtinës, duke angazhuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të analizuar dhe shpëtuar zonat e gjelbra të mbetura.

Një tjetër zë në fushën e urbanizmit, Elvida Pallaska, planere hapësinore, ka bërë thirrje për një reformë urgjente në procesin e dhënies së lejeve për ndërtim në Kosovë. Pallaska thekson se procesi aktual nuk mund të zhbëhet për ndërtesat që janë në ndërtim apo tashmë janë ndërtuar, dhe propozon që të ngrihet ky proces.

Pallaska gjithashtu ka rekomanduar ndryshime urgjente në Ligjin e Planifikimit dhe Ligjin e Ndërtimit. Disa nga rekomandimet e saj përfshijnë: “Deri në ndryshim të Ligjit të ngrihet i gjithë procesi i dhënies së lejeve; të largohet nga Ligji për Planifikim Hapësinorë (mosdetyrimi për Plane rregulluese Urbane) si niveli më i ulët i planifikimit; të largohen Hartat Zonale të cilat janë shumë të dëmshme në territorin tonë; të hiqet urgjent NENI 18 i Ligjit te Ndërtimit”, thekson ajo.

Pallaska nënvizon se këto rekomandime i janë dhënë Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, në formë të shkruar dhe të komentuar, por ende nuk ka pasur ndonjë veprim nga Ministria.

Rekomandimet e profesorit të mjedisit Zeqir Veselaj, janë për të balancuar zhvillimin urban me ruajtjen e mjedisit dhe përfshijnë ndërhyrjen e inspektoratit të ndërtimit për të siguruar respektimin e planeve në letër gjatë ndërtimit.

Një urbanizëm i balancuar me hapësira të gjelbra sigurisht që ka ndikim të fortë në jetën e përditshme.

Një moratorium 2-vjeçar i lejeve të ndërtimit brenda Unazës së madhe është një propozim që aktivistët e Lëvizjes Bashkë në Tiranë propozojnë deri në hartimin e një plani të mirëfilltë urbanistik.

”Ne propozojmë që deri në hartimin e këtij plani nga specialistë të vendoset një moratorium 2-vjeçar i lejeve të ndërtimit brenda Unazës së Madhe, si dhe  ndalimin e  përhershëm të ndërtimeve në Tiranën historike (ku përfshihet qendra historike, lagjet e vjetra dhe zona brenda unazës së vogël të qytetit)”, thotë Redi Muci.

Kjo nismë sipas tij duhet shoqëruar me konservimin dhe ruajtjen me ligj të ndërtesave historike të Tiranës, ashtu si dhe me rindërtimin dhe rikthimin në identitet të Teatrit Kombëtar.

“Gjithashtu nevojitet përkufizimi i qartë i territorit të Parkut të Madh të Liqenit, mbrojtja e tij ligjore, hetimi i lejeve të ndërtimit brenda territorit historik të tij dhe moslejimi i ndërtimeve të reja brenda territorit të tij“, shton ai.

Sociologia Flakë Ymeri në Prishtinë thotë se hapësirat e gjelbra janë esenciale për jetën e qytetarëve.

“Këto hapësira duhet të jenë pjesë e çdo lagjeje dhe mjedisi tjetër, duke ofruar një vend për komunitetin të relaksohet dhe shijojë kohen e lire. Për prindërit dhe fëmijët, këto hapësira janë vitale për kalimin e kohës së lirë dhe relaksimin. Ndikimi psiko-social dhe qëndrueshmëria emocionale që vjen nga këto hapësira ka një ndikim shumë pozitiv në shëndetin mendorë. Kjo ndihmon në produktivitet dhe kualitetin e jetës për të gjithë”, thotë  ajo.

 

Ky hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe u mbështet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Redaktuar nga: Besa Kalaja