English
Scroll top

Kontaminimi i përditshëm

Banorët e fshatrave që shtrihen rreth fabrikës së Ferronikelit ankohen për ndotje të vazhdueshëm të ajrit, ujit dhe tokës nga kjo kompani. Për ta problem është bërë edhe hedhja e skories në deponinë afër shtëpive të tyre. Gjatë transportimit të skories kamionët nuk mbulohen dhe nga ta rrjedh uji i kësaj materie në rrugë. Kimistët thonë që skoria është e dëmshme për organizmin e njeriut dhe mjedisin. Kjo deponi nuk po respekton lejen mjedisore

30 Mars 2021

Ismet Makolli fshin duart në najlonin e serrës në oborrin e shtëpisë së tij. Në najlonin që duket se jo rastësisht e ka ngjyrën e zezë, mbesin gjurmët e fërkimit, ndërsa duart e Habibit bëhen të zeza nga ndotja që ai thotë se po shkarkohet nga Ferronikeli.

Ai thotë se kjo tashmë është bërë normale për të dhe bashkëfshatarët e tij në fshatin Çikatovë të Vjetër të Komunës së Drenasit.

E fqinji i tij Habib Makolli thotë se ndotja përfshin çdo gjë në vendbanimin e tyre dhe për këtë arsye nuk po munden as bahçen ta mbjellin.

Ai thotë se ndotja përfshin çdo gjë në vendbanimin e tyre dhe se për këtë arsye nuk po munden as bahçen ta mbjellin.

Shtëpitë e Habibit dhe Ismetit gjenden dhjetëra metra larg nga Ferronikeli. Për këtë arsye ata thonë se janë të ekspozuar vazhdimisht ndaj ndotjeve që shkakton kjo fabrikë gjatë procesit të prodhimit.

“Kur fryn era duhet t’i mbyllim dyert dhe dritaret për shkak të ndotjes. Është shumë e vështirë me jetu këtu”, thotë Habib Makolli.

Përveç ndotjes që shkarkohet në ajër, banorët ankohen se shëndeti i tyre po rrezikohet edhe nga deponia e skories.

Skoria apo shlaka siç e quajnë banorët, është një nën-produkt i procesit të shkrirjes së xehes dhe aktualisht po dërgohet në një lokacion jo shumë larg shtëpive në fshatin Çikatovë të Vjetër.

“Të gjitha të mbjellat mbushën me shlakë. Çdo gjë që mbjellim nuk mundemi me përfitu asgjë të mirë”, thotë Makolli.

Edhe Xhelë Hoti banor i këtij fshati thotë se kanë pengesa të vazhdueshme nga tymi, pluhuri dhe zhurma e kamionëve të cilët e bartin skorien nga fabrika për në deponi.

Të gjitha të mbjellat mbushën me shlakë. Çdo gjë që mbjellim nuk mundemi me përfitu asgjë të mirë.

Habib Makolli, banor i fshatit Çikatovë e Vjetër

Ai thotë se hedhja e skories në atë vend po u shkakton dëme të shumta dhe nëse nuk ndërmerret ndonjë gjë për ta përmirësuar këtë situatë, nuk u mbetet tjetër rrugë veçse ta braktisin fshatin.

“Këtu nuk jetohet më. Veç nuk po gjej dikë, se ia kisha shitë goxha lirë, veç me u hek prej ktu. As pemën si pemë nuk e ki. As bahçe nuk bojmë hiq. Lopët i kemi heq se cofshin prej shlake”, thotë Hoti.

Skënder Demaku profesor në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Prishtinës thotë se këto deponi kanë filluar të lidhën me vegjetacionin dhe gjatë reshjeve atmosferike shpëlarja e tyre bëhet direkt në Lumin Drenica dhe me migrim më të thellë edhe në ujërat e bunarëve.

“Ndikimi i ndotjes prej skories dhe sterilit në ujërat e pijes qoftë edhe në ujërat sipërfaqësore që përdorën për ujitje dhe për rekreacione të ndryshme është i madh, e të mos flasim për ujin e pijshëm”, thotë Demaku.

Degradimi i mjedisit nga deponitë e skories

Deponia aktuale ku hedhet skoria është jo shumë larg shtëpive. Banorët thonë se kjo deponi po u shkakton pasoja të shumta. Para se të fillojë hedhja e skories, aty ka qenë një burim i ujit. Fotografia më poshtë e dëshmon se si ka qenë ai vend para së të fillojë hedhja e skories dhe si është tani.

Aktualisht rreth deponisë së re të skories janë dy vende ku ka burime të ujit. Aty skoria vazhdimisht është në kontakt me ujin e mbledhur. Gjithashtu vërehet se ka rrjedhje të ujit nga deponia e skories e që derdhet në ujin e grumbulluar. Për më keq, banorët thonë se skoria po i kontaminon edhe ujërat nëntokësore. E nga ky ujë furnizohen edhe bunarët, ujin e të cilëve banorët e përdorin për pije dhe nevoja të përditshme.

“Te uji po e gjuajnë skorien. Aty ka qenë uji shumë i kthjellet. Unë vet jam larë dhe kam pirë ujë. Pasi po e gjuajnë skorien aty, ai ujë është ndotur dhe po shkon nëpër bunarë të fshatrave përreth”, thotë Hoti.

Edhe Bujar Morina banor i këtij fshati thotë se jeta e tyre është bërë e vështirë nga tymi që shkarkohet çdo ditë dhe skoria që po deponohet afër shtëpive të tyre.

“Çdo gjë e ka dëmtuar në Çikatovë, por edhe në fshatrat përreth, sepse shlaka (skoria) depërton në ujë dhe është njëlloj yndyre e shlakës që e ndotë shumë ujin”, thotë Morina.

Për t’i evituar këto pasoja që shkaktohen nga deponimi i skories, në lejen e integruar mjedisore që Ministria e Ambientit ia ka dhënë NewCo Ferronikelit në vitin 2017, thuhet se kjo kompani është e obliguar ta ndërtojë bazamentin e deponisë nga shtresa e argjilës e ngjeshur me trashësi minimale prej gjysmë metri.

Çdo gjë e ka dëmtuar në Çikatovë, por edhe në fshatrat përreth, sepse shlaka (skoria) depërton në ujë dhe është njëlloj yndyre e shlakës që e ndotë shumë ujin.

Bujar Morina, banor i fshatit Çikatovë e Vjetër

Kjo shtresë, ndër të tjera, pamundëson kontaktin e skories dhe ujit të skories me dheun dhe rrjedhimisht ujërat nëntokësore.

Por gjatë vizitave në terren, ekipi i Preportr nuk e ka vërejtur se është vendosur kjo shtresë me argjilë me trashësi prej gjysmë metri.

Në kompaninë Ferronikeli, thonë se kjo shtresë nuk është vendosur sepse vendi ku po hidhet skoria e ka shtresën natyrale të argjilës, pasi që sipas tyre, në atë gropë paraprakisht është gërmuar për xehe derisa është arritur te shtresa e argjilës.

Siç duket kjo deponi mund të jetë ndërtuar në mënyrë joligjore, sepse në lejen e integruar mjedisore nuk përmendet që ai lokacion e ka një shtresë natyrale të argjilës, por e parasheh që aty duhet të ndërtohet domosdo shtresa e argjilës prej 50 centimetrave.

Në lejen mjedisore thuhet se duhet të vendoset gjeomembrana për izolim të kullimit me trashësi minimale gjeotekstile dhe shtresa për drenazhim me përbërje granulo metrike të gurëve.

Gjithashtu aty theksohet se duhet të ndërtohet sistemi për grumbullimin dhe trajtimin e ujerave te ndotura nga sistemi i drenazhimit të hapësirave për deponimin e skories.

play

Banorët e fshatrave që shtrihen rreth fabrikës së Ferronikelit ankohen për ndotje të vazhdueshëm të ajrit, ujit dhe tokës nga kjo kompani. Për ta problem është bërë edhe hedhja e skories në deponinë afër shtëpive të tyre. Gjatë transportimit të skories kamionët nuk mbulohen dhe nga ta rrjedh uji i kësaj materie në rrugë. Kimistët thonë që skoria është e dëmshme për organizmin e njeriut dhe mjedisin. Kjo deponi nuk po respekton lejen mjedisore

Nga vizitat që kemi bërë në deponi, shihet se gjeomembrana (najloni) është e dëmtuar dhe se në një pjesë kjo shtresë nuk ka qenë fare e vendosur.

Këtë e ka konstatuar edhe inspektorati i Ministrisë së Ambientit. Kryeinspektori Bedri Halimi thotë se janë marrë masa dhe për këtë arsye rasti është proceduar në Gjykatën Themelore në Drenas.

Halimi thotë se do ta verifikojë edhe njëherë gjendjen në terren për të parë se çfarë masash i ka ndërmarrë Ferronikeli pas vërejtjeve që i janë dhënë.

“Në kuadër të gjeomembranës dhe të arsyeve që është dërguar në gjykatë dhe në kuadër të këtyre që dëgjojmë nga ju, unë do të insistoj që sa më parë që është e mundur, inspektorët të dalin në terren për të verifikuar këtë gjendje dhe për të marrë masa konkrete”, thotë Halimi.

Sipas lejes së integruar mjedisore, kjo kompani obligohet të vendos shenja adekuate të rrezikut përreth deponisë. Gjithashtu duhet të parandalojë hyrjen e personave të paautorizuar dhe të shtazëve në deponi.

Por nga vizitat që kemi bërë te deponia e skories kemi vërejtur se nuk ka shenjim me shenja adekuate të rrezikut rreth deponisë dhe se ka prani të fëmijëve dhe bagëtive. Kjo edhe për faktin se deponia nuk është e rrethuar, edhe pse një gjë të tillë është e obligueshme për Ferronikelin.

Lidhur me këto çështje në inspektoratin e Ministrinë së Ambientit thonë se nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë, pasi që nuk kanë pasur informacione dhe se nuk kanë marrë asnjë ankesë nga qytetarët.

Por Agron Veliu menaxheri për mjedis dhe kontroll të kualitetit në kompaninë Ferronikeli thotë se deponia nuk është e rrethuar, por është i rrethuar e gjithë prona që i përket kësaj kompanie e ku përfshihet edhe deponia.

“Deponia e skories është brenda minierës e cila e ka rrethojën e vet. E ka shenjëzimin, sepse sipas legjislacionit, nuk është e cekur se në sa vende duhet të bëhet shenjëzimi, por duhet të jetë shenjëzimi që tregon se është deponi e skories. Ne në rrugën që e shfrytëzojmë për transport të skories prej fabrikës deri të deponia e kemi shenjën”, thotë Veliu.

Gjatë vizitave në terren ekipi i Preportr ka vërejtur vazhdimisht se rruga nga fabrika deri te deponia e skories është shumë e ndotur. Kjo edhe për faktin se uji i skories rrjedh nga kamionët në rrugë. Gjithashtu kamionët nuk janë të mbuluar gjatë transportimit të skories.

Ndotjen që shkaktohet nga rrjedhja e skories nga kamionët, Preportr ia ka treguar me fotografi dhe video kryeinspektorit Bedri Halimit, njëkohësisht duke e informuar se kjo po ndodh vazhdimisht.

“Nuk do të duhej të ndodh kjo që e shohim në fotografi. Për veprime të tilla është gjobitur dhe përsëri ne do të veprojmë ndaj të njëjtit operator”, ka thënë Halimi.

Haki Bekolli udhëheqës i inspektoratit të ambientit në Komunën e Drenasit thotë se kanë marrë ankesa kohë pas kohe nga banorët lidhur me ndotjen që shkaktohet nga Ferronikeli dhe kanë dalë në terren për të bërë inspektime.

“Për rrjedhjen e skories ka dalë inspektori dhe i ka obliguar ta vendosin mbulesën. Edhe pse rrugët janë pronë e Ferronikelit, ai është i obliguar t’i mirëmbajë për të mos shkaktuar ndotje”, ka thënë Bekolli.

Ai thotë se i kanë shqiptuar gjoba mandatorë kësaj kompanie lidhur me ndotjen e rrugës.
Kjo lloj gjobe është maksimalisht 100 euro.

Në këtë komunë është vetëm një inspektor i cili bënë inspektime në fushën e mjedisit. Edhe ky inspektor është me kontratë mbi vepër. Kjo do të thotë se ai inspektor mund të bëjë inspektime shumë rrallë te kjo kompani.

Agron Veliu nga Ferronikeli thotë se skoria përmban ujë dhe ai ujë rrjedh nga kamionët, por sipas tij, nuk është i rrezikshëm, por vetëm e ndotë rrugën.

“Uji do të rrjedh sepse lagështia është prezente në skorie. Është një problematikë në vete se si mund të ndalet rrjedhja e ujit nga kamionët, sepse atëherë do të duhej të ishte një kamion hermetik i mbyllur”, thotë Veliu.

Pasojat mjedisore nga skoria

Skënder Demaku profesor në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Prishtinës ka publikuar një punim shkencor lidhur me ndikimin e skories në organizmin e njeriut dhe në mjedis.

Ai thotë se skoria të cilën e deponon Ferronikeli e ka një ndotje dhe ndikim të madh si në aspektin e komponentes së ajrit, ujit sipërfaqësor dhe nëntokësor.

Demaku thotë se kur nuk ka reshje atmosferike, deponia e skories thahet dhe një erë e lehtë ato grimca i plason në shtresën e parë të ajrit dhe këtë ndotje qytetarët e marrin direkt përmes thithjes së ajrit.

Ai thotë se në analizat që i kanë bërë çdo vit ekologjik, duke marrë mostra dhe duke e analizuar ndotjen organike si metalet e rënda ose elementet kalimtare që janë 63 sosh, rezulton se ato e kanë një përqindje të lartë, e që nëse krahasohet me standardet e Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjithkund del 5 deri në 15 herë më e lartë.

“Për shkak të punës që e ka bërë Ferronikeli në vitet e fundit dhe deponive që kanë qenë më herët, të gjithë qytetarët që e përdorin ujin e lumit, pemët, perimet dhe drithërat, duhet ta kenë me dije se janë të kontaminuar. Niveli i këtyre elementeve është jashtëzakonisht toksik pavarësisht se në cilin mjedis gjendet qoftë në ajër, ujë apo tokë”, thotë Demaku.

Ai thotë se në përbërjen e skories dhe sterilit, përpos përbërësve tjerë, marrin pjesë edhe metalet e rënda, si Nikeli, Monoksidet e Karbonit, Kromi, Zinku, Bakri, Plumbi dhe Kadmiumi në formë të komponimeve inorganike.

Për shkak të punës që e ka bërë Ferronikeli në vitet e fundit dhe deponive që kanë qenë më herët, të gjithë qytetarët që e përdorin ujin e lumit, pemët, perimet dhe drithërat, duhet ta kenë me dije se janë të kontaminuar.

Dr. Skënder Demaku, profesor i Kimisë në UP

Demaku thotë se niveli i përqendrimit të metaleve të rënda, paraqet shqetësim, sepse mundësia e depërtimit të tyre, deri te ujërat sipërfaqësore e nëntokësore është e madhe dhe përmes tyre deri në zinxhirin ushqimor.

Sipas tij, kjo mund të ndodhë edhe për faktin se me rritjen e trashësisë së shtresës (thellësisë) së sterilit dhe skories, vjen deri te rritja e përqendrimit të metaleve të rënda.

“Të gjitha këto kanë ndikim intensiv në një sipërfaqe të madhe, përfshirë këtu Drenasin me rrethinë, deri në Vragoli ku Lumi Drenica takohet me lumin Sitnica”, thotë Demaku.

Ai thotë se sipas rezultateve eksperimentale, të gjetura në punime shkencore të ndryshme që ai i ka realizuar, në ndotjen e ujit të Lumit Drenica ndikim të madh kanë deponitë e skories dhe sterilit, sidomos pas shpëlarjeve të ujërave nga reshjet atmosferike, ku si pasojë uji i lumit i takon kategorisë së IV të ujërave sipërfaqësore. E që do të thotë se është shumë i ndotur.

Në këtë konstatim ai thotë se ka arritur duke krahasuar cilësinë kimike të ujit në vendmostrimin, në fshatin Poklek i Ri (si pikë referente), para se lumin ta përshkojë tubi shkarkues i ujërave industriale dhe deponitë e skories.

Pasojat shëndetësore

Qytetarët që jetojnë në vendet ku mjedisi ndotët nga industria e rëndë, siç është Ferronikeli, janë të rrezikuar të prekën nga sëmundje të ndryshme.

“Unë nuk do të jetoja në Drenas për të gjitha paratë e botës”, kishte deklaruar për një medium të Izraelit Sylë Tahirsylaj në vitin 2011, kur udhëhiqte me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, i cili e bënë matjen e cilësisë së ajrit në Kosovë.

Ai këtë e arsyetonte duke thënë se ekspozimi ndaj grimcave të emetuara në ajër nga tymi që shkarkohet nga fabrika e Ferronikelit dhe nga mbetjet në tokë, mund të shkaktojnë lloje të ndryshme të kancerit, probleme të pjellorisë, sëmundje të organeve të frymëmarrjes dhe shumë sëmundje të tjera.

Ndërkaq, të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik tregojnë se në vitet e fundit në Komunën e Drenasit ka rritje të numrit të personave të prekur me kancer.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2012 ka pasur 45 raste, në vitin 2017 janë regjistruar 90 raste, gjegjësisht 3.1% e të gjitha rasteve të reja në Kosovë. Në vitin 2019, janë regjistruar 73 raste.

Elementet kimike që shkarkohen edhe nga industria e rëndë si dyoksidi i sulfurit, monoksidi i karbonit, dyoksidi i azotit, ozoni, etj., shkaktojnë sëmundje kronike, për shkak se ato depozitohen brenda në mushkëri dhe si pasojë humbet sipërfaqja e mushkërive.

Një element i rrezikshëm që nuk matet aktualisht është Karbonil Nikeli NI(CO)4 – e që është bashkëdyzimi më helmues jo organik i nikelit. Gjithashtu të gjitha kripërat dhe bashkëdyzimet e nikelit vlerësohen helmuese.

Pulmologët dhe onkologët thonë se nuk janë bërë studime shkencore që e dëshmojnë ndikimin e Ferronikelit te rastet e kancerit. Por thonë se shkarkimet që bëhen nga industria e rëndë, siç është Ferronikeli, mund të ndikojnë në paraqitjen e shumë sëmundjeve, përfshirë edhe tumoret.

Rukije Mehmeti, pulmologe në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK thotë se në bazë të studimeve të shumta që janë bërë në vende të ndryshme, përfshirë edhe Amerikën, është konstatuar se nëse një person jeton për dhjetë vite në një ambient të ndotur, ai do të preket nga sëmundjet kronike.

“Përveç këtyre sëmundjeve, prania e metaleve dhe substancave tjera mund të ndikojnë në rritjen e numri të të sëmurëve me kancer të mushkërive, por edhe të gjitha organeve tjera. Kjo për faktin se nëse diçka kalon dhe përthithet në rrugët e frymëmarrjes, diçka patjetër ka për të kaluar edhe në enët e gjakut dhe përmes tyre bartet edhe në organet tjera”, thotë Mehmeti.

Ajo thotë se pasojat nga këto lloje të ndotjeve nuk paraqitën në mënyrë akute, sepse mushkëritë i kanë 80 metra katrorë dhe se është një periudhë kohore më e gjatë kur paraqitën këto sëmundje.

Doktoresha Mehmeti thotë se pasojat ndjehen kur pacientët fillojnë të kenë lodhje më të shpeshta, probleme me frymëmarrje, kollë me këlbazë etj.

“Gradualisht zhvillohen ndryshimet (në mushkëri) dhe janë ndryshime të pakthyeshme. Prandaj ne mundohemi vetëm ta lehtësojmë gjendjen e pacientit, por me mjeku nuk mundemi”, u shpreh Mehmeti.

Në jetën e përditshme shohim pjesë të skories kudo. E shohim në tesha, në pemë. Një ditë e kam çel një mollë dhe brenda ka pasur pjesë të skories.

Bujar Morina, banor i fshatit Çikatovë e Vjetër

Pasojat direkte nga ndotja e ajrit dhe nga deponimi i skories na i tregon edhe Bujar Morina nga fshati Çikatovë e Vjetër.

Ai thotë se kur frynë era, skoria shpërndahet dhe e ndotë gjithë ambientin përreth. Për këtë arsye thotë se nuk po e punojnë më tokën pasi që perimet dhe frutat janë të papërdorshme.

“Në jetën e përditshme shohim pjesë të skories kudo. E shohim në tesha, në pemë. Një ditë e kam çel një mollë dhe brenda ka pasur pjesë të skories. As mollët nuk mund t’i përdorim”, thotë ai.

Morina i cili kishte punuar në kompaninë Ferronikeli thotë se ndotjen e bënë më të rrezikshme skoria e cila përmban edhe lesh xhami, e që sipas tij është shumë e dëmshme, sepse ajo shpërndahet shpejtë nga era.

Përveç ndotjes nga deponia e skories, ai thotë se kohë pas kohe nga fabrika e Ferronikelit lëshohet një kundërmim i rëndë që është i padurueshëm.

“Nuk na ka mbet për me jetu në këtë vend”, thotë ai.

Ai thotë se lidhur me këto çështje kanë bërë ankesa në komunë dhe te Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, por që nuk janë marrë parasysh.

Ferronikelit iu dha leja e integruar mjedisore pa u matur cilësia e ajrit

Më 19 nëntor të vitit 2014, Ferronikeli, u pajis me leje të Integruar Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërkohë që kishte ankesa të vazhdueshme nga qytetarët e Komunës së Drenasit për ndotjen e mjedisit nga kjo kompani.

Leja e Integruar Mjedisore është njëri ndër dokumentet më te rëndësishme, me te cilën duhet të pajiset një kompani e madhe, e cila gjatë aktivitetit të punës ka ndikim të madh në mjedis.

Kjo leje iu dha kompanisë në fjalë edhe pse gjatë gjithë vitit 2014 Instituti Hidrometeorologjik nuk kishte bërë fare matje të cilësisë së ajrit në Drenas.

Këtë e pati konfirmuar në atë periudhë kohore Letafete Latifi - udhëheqëse e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).

“Me keqardhje më duhet t’ju informoj se IHMK nuk posedon të dhëna (informacione) për cilësinë e ajrit në Drenas, pasi që gjatë vitit 2014 nuk kemi pas monitorim në këtë qytet pasi që stacioni i monitorimit është në defekt (jashtë funksionit)”, ka thënë Latifi.

Pra Ministria e Ambientit ia ka dhënë lejen më të rëndësishme mjedisore Ferronikelit në vitin 2014 pa e matur fare nivelin e ndotjes së ajrit që e ka shkaktuar kjo kompani gjatë këtij viti, ndonëse në aspektin e procedurave ligjore ky nuk është parakusht për t’u pajisur me këtë leje.

Për më keq në kohën kur është dhënë kjo leje Ministria e Ambientit nuk ka bërë matje as të cilësisë së dheut dhe ujit në Drenas. Në atë periudhë kohore, cilësia e ujit në Lumin Drenica ishte matur vetëm në dy stacione, në vendburimin e lumit në Pjetershticë në Komunën e Lipjanit dhe në Vragoli në Komunën e Fushë Kosovës. Por një matje e tillë nuk është bërë fare në Drenas, aty ku operon Ferronikeli.

Edhe një hulumtim i realizuar nga Preportr në vitin 2013 ka treguar se lumi Drenica është ndotur nga Ferronikeli. Kjo është vërtetuar edhe me zyrtarët e IHMK-së, të cilët kanë dalë në terren bashkë me ekipin e Preportr dhe e kanë bërë matjen e cilësisë së ujit në Lumin Drenica.

Gjithashtu edhe një hulumtim i publikuar nga organizata QPA në vitin 2014 ka treguar se ky lum është ndotur nga Ferronikeli.

Në vitin 2015 asambleisti i komunës së Drenasit Xhavit Drenori ka bërë një kallëzim penal ndaj Ministrisë së Mjedisit për moszbatim të Ligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes dhe Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.

Ky kallëzim penal është bërë duke u bazuar në ankesat e banorëve dhe faktin se kjo ministri nuk e ka monitoruar fare cilësinë e ajrit në Komunën e Drenasit gjatë gjithë vitit 2014 dhe rrjedhimisht nuk e ka informuar publikun për nivelin e ndotjes. Padia ishte bazuar edhe në Ligjin për Parandalimin dhe Kontrollimin e Integruar të Ndotjes.

Leja Mjedisore e Integruar duhet të përmbajë kushtet të cilat në tërësi garantojnë nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut dhe siguron mbrojtjen e larmisë biologjike dhe peizazhore të dheut, ajrit, ujit dhe ujerave nëntokësore.

Për shkak se ndër vite nuk shiheshin veprime nga prokuroria lidhur me këtë lëndë, ishte njoftuar edhe Zyra e Avokatit të Popullit. Valbona Puka nga ky institucion thotë se duke e marrë parasysh rëndësinë e kësaj lënde, e kanë monitoruar dhe kanë realizuar dhjetëra komunikime me prokurorinë. Nga këto komunikime rezulton se kjo lëndë ka kaluar te tre prokurorë të ndryshëm.

Shqetësimit dhe gjetjet e përmendura më lart ishin publikuar edhe në media gjatë asaj periudhe kohore si dhe ishte njoftuar edhe Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës.

Ky komision me 24 prill të vitit 2015 kishte mbajtur një mbledhje ku ka diskutuar për këtë çështje.

Komisioni ka vendosur të formonte një grup punues për hulumtim dhe informim më të detajuar të opinionit për këtë problematikë.

Por ky komision i asaj legjislature nuk ka ndërmarrë ndonjë gjë konkrete. Këtë e konfirmon edhe kryetari i komisionit pasues Daut Haradinaj. Ai ka thënë se përveç asaj mbledhje që është mbajtur, nuk kanë gjetur ndonjë aktivitet tjetër.

“E kanë paraparë krijimin e një komisioni hetimor, e kanë ftuar ministrin e atëhershëm Ferid Agani. Kanë diskutuar për gjendjen e mjedisit në Komunën e Drenasit, por kjo ka mbetur vetëm një tendencë. Unë nuk kam parë që ata kanë arritur në një konkluzë dhe nuk kanë lënë diçka të shkruar se në çfarë gjendje ka qenë”, thotë Haradinaj.

Prej atëherë nuk ka pasur ndonjë iniciativë nga Kuvendi i Kosovës për të krijuar ndonjë komision hetimor lidhur me ndotjen që e shkakton Ferronikeli.

Edhe pas gjithë këtyre fakteve të ofruara, prokuroria pas pesë viteve (17 qershor të vitit 2020) e ka hedhur këtë kallëzim penal, me arsyetimin se te zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit nuk janë gjetur elemente të veprës penale, keqpërdorim i autoritetit apo pozitës zyrtare.

Edhe në rastet kur lëndët penale që kanë të bëjnë me mjedisin shkojnë në gjykata ato në masë të madhe parashkruhen, e që do të thotë që nuk trajtohen fare. Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në periudhën 2015-2019 në gjykatat e Kosovës janë parashkruar 1644 lëndë që kanë të bëjnë me mjedisin.

Përveç lëndëve penale, parashkruhen edhe ato për kundërvajtje. Ne kemi siguruar një lëndë që ishte iniciuar në gjykatë si kundërvajtje ndaj Ferronikelit për shkak të ndotjes së mjedisit, por ajo është parashkruar në vitin 2015.

Preportr ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Drenas të gjitha lëndët penale dhe të kundërvajtjes ndaj Ferronikelit në dhjetë vitet e fundit, por edhe pas pritjes për tre muaj, kjo gjykatë nuk na ka ofruar këto të dhëna.

Derisa inspektorati thotë se do të bëjë inspektimin e radhës për të verifikuare shkeljet e pretenduara dhe zyrtarët nga Ferronikeli thonë se ndotja është brenda normave të lejuara, qytetarët e Drenasit, e sidomos ata të fshatrave përreth Ferronikelit thonë se shëndeti i tyre po rrezikohet vazhdimisht nga ndotja e ajrit, dheut dhe ujit.