English
Scroll top

Ferronikeli vret lumin Drenica

Ferronikeli tash e disa vite po e ndotë lumin Drenica. Banorët e fshatrave nëpër të cilët kalon ky lum, ankohen për pasojat dhe rrezikun që po iu shkaktohet nga ndotja e këtij ujit

Prishtinë, 14 Tetor 2013

Lumi Drenica, përshkon disa fshatra të Komunës së Drenasit dhe Fushë Kosovës. Ky lum tash e disa vite vazhdon të jetë shumë i ndotur, ndërsa prejse ka filluar punën prodhuese kompania e privatizuar e Ferronikelit, ndotja lumit ka edhe elemente kimike, të cilat shkaktojnë dëme të lumit dhe  banorëve që jetojnë përreth tij. Ata që njohin mirë këtë lum tregojnë se shumë lloj peshqish janë zhdukur tërësisht. Ka të tillë që kujtojnë kohën kur lumi kishte edhe gaforre, të cilat tani i gjen vetëm në pjesën e lumit afër burimit në malet e Berishës.

Preportr, ka monitoruar këtë lum që nga muaji janar i këtij viti dhe incizimet e kohë-pas-kohshme që janë bërë gjatë kësaj periudhe kohore, tregojnë për një gjendje shumë të rëndë.

Banorët e fshatrave që jetojnë afër lumit, thonë se ndotja më e madhe vjen kur Ferronikeli e shkarkon ujin, të cilin e përdor paraprakisht për pastrimin e filtrave dhe ftohje gjatë  prodhimit të nikelit. Sipas banorëve, kur uji lëshohet nga Ferronikeli, ndryshon ngjyrën dhe uji ka temperaturë më të nxehtë. Ata thonë që për të mos u vërejtur ndryshimi i ngjyrës së ujit, Ferronikeli e bën shkarkimin gjatë natës, ose orëve të hershme të mëngjesit. Por, në fakt gjurmët e mbetjeve nga ky shkarkim vërehen në brigjet e lumit, të cilat tregojnë nivelin e ujit që ka qenë natën e shkuar.

Në incizimet që ka bërë Preportr për muaj të tërë në fshatin Poklek të Komunës së Drenasit, vërehet një ndotje e theksuar e lumit.

Kur lumi përshkon nëpër këtë fshat, bashkohet me një rrjedhë tjetër, e cila është e pastër. Në këto incizime që kanë edhe datat se kur janë realizuar, e që përfshijnë një periudhë disamujore, mund të vërehet dallimi i këtyre dy rrjedhjeve të ujërave.

Analizat e ekspertëve kanë konstatuar një ndotje të vazhdueshme që rrjedh nga ky përrua që Ferronikeli e lëshon vazhdimisht në lum. Preportr sjell këtu analizat e ekspertëve vendor, por konstatime të ngjashme, sipas ekspertëve, kanë sjellë edhe analizat e ekspertëve të huaj.

Ndotja e lumit vështirëson jetën e banorëve

Sylejman Hyseni, banor i fshatit Poklek që e ka shtëpinë buzë këtij lumi, ankohet për kundërmimin që shkakton lumi. Ai thotë se kur shkarkohet uji në mbrëmje, nuk mund të rrinë as në oborr nga kundërmimi.

"Na pengon më së tepërmi era e keqe që ka, sidomos prej mëngjesit dhe në mbrëmje. Në mbrëmje edhe pse kemi dëshirë me u ulë në oborr nuk mundemi për shkak të erës së keqe. Në mbrëmje lumi merr një ngjyrë tjetër, pra Ferronikeli e lëshon natën ujin për mas me e pa popullsia, por janë gjurmët që shihen. Fëmijët duhet me i përcjellë vazhdimisht si të dalin jashtë oborrit, sepse kanë rënë në lum dhe është dashtë me i dërgua të mjeku. Jemi duke vuajtur nga ky lum", thotë Hyseni.

play

Ferronikeli tash e disa vite po e ndotë lumin Drenica. Banorët e fshatrave nëpër të cilët kalon ky lum, ankohen për pasojat dhe rrezikun që po iu shkaktohet nga ndotja e këtij ujit

Ai thotë se banorët e këtij fshati janë ankuar tek Ferronikeli dhe tek Komuna e Drenasit, për dëmet që po iu shkakton ky lum."Kemi bërë ankesë te Ferronikeli dhe te komuna e Drenasit, por nuk është përmirësuar gjendja. ",

Ndërsa, Adem Bucolli, banor i fshatit Poklek i Vjetër, thotë se ndotja e lumit ka filluar prej që ka filluar punën Ferronikeli. Ai thotë se kjo fabrikë e bënë pastrimin e furrave përmes ujit të këtij lumi dhe pasojat e ndotjes së këtij lumi më së shumti i vuajnë Pokleku i Vjetër, Çikatova Dobroshevci, Grabovci, Bardhi i Madh e deri në Vragoli.

"Ne përpara jemi larë në këtë lum, sepse ka qenë i pastër, kurse tash as fëmijët nuk i lejmë që të afrohen pasi që ka kimikale të dëmshme. Kemi biseduar me Ferronikelin dhe kemi kërkuar sqarime, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje” thotë Bucolli.

Ndotje e vazhdueshme nga gypi i Ferronikelit

Përveç monitorimeve dhe incizimeve të vazhdueshme, ekipi i Preportr së bashku me ekspertë të Institutit Hidrometeorologjik, kanë vizituar disa fshatra ku kalon lumi Drenica dhe kanë marrë mostrat për analiza kimike.

Agron Shala, Udhëheqësi i Laboratorit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, thotë se në bazë të kërkesave që ka bërë Inspektorati, por edhe në bazë ankesave të banorëve, ekipi i laboratorit ka dalë herë pas here për të bërë monitorime. Ai thotë se pas çdo monitorimi ka pasur raste kur kanë dalë edhe me ekspertë ndërkombëtarë dhe çdoherë janë gjetur fakte të cilat tregojnë për ndotjet që shkaktohen nga gypi i kanalizimit që rrjedh prej "Ferronikelit".

"Kjo na ka ndodhur herë pas here, vit pas viti, së paku 6-7 raste që e kemi bërë monitorimin e këtyre ujërave. Zakonisht është bërë monitorimi i kanalit të shkarkimit të ujit të lumit Drenica, është bërë monitorimi para futjes së këtij shkarkimi dhe pas futjes së shkarkimit. Çdo pikë shkarkuese është me ndotje dhe ndotja është e shumëllojtë” thotë Shala.

Ai thotë se shkarkimi i Ferronikelit  është një turbullirë me një ngjyrë të mbyllur të kafet, gjë që nënkupton se ata e bëjnë hedhjen e këtij uji pa ndonjë shpëlarje paraprake. “Kjo ndotje vërehet edhe në brigjet e lumit dhe në brigjet e vetë kanalit, sepse ato materie të patretshme, me peshën e tyre specifike mbesin edhe në fundin e lumit", thotë Shala.

Edhe në monitorimin që është bërë së bashku me ekipin e Preportr, është vërejtur se lumi është i ndotur. Sipas tij, prej shkarkimeve të "Ferroniklit" është vërejtur prani e elementeve kimike në lum.

"Kemi konstatuar materie të patretshme pasi  kemi parë gjendjen e shtratit të lumit dhe kanalit. Ndërsa sa i përket vlerave të rezultateve është gjetur sasi e Amoniakut  ka qenë shumë e ngritur diku afër 6 miligramë për litër, e që lejohet deri në 0.5.  Sipas Udhëzimit Administrativ 13/2008, këto ujëra radhitën në kategorinë më të ulët. Kjo ndotje është si pasojë e ujërave të zeza. Gjithashtu prania e Amoniakut është vërejtur edhe në bunarin e një banori që jeton afër lumit. Ndërsa prej shkarkimeve të "Ferronikelit" është vërejtur një sasi e joneve të metaleve  të tretshme, e cilat sasi ka vazhduar si e tillë ", theksoi Shala.

Uji i ndotur shkarkohet natën

Duke marrë parasysh deklaratat e banorëve se uji nga Ferronikeli po lëshohet natën dhe se pastaj lëshohet një valë tjetër e ujit për ta pastruar, është shumë e rëndësishme se kur merren mostrat.

Agron Shala thotë se në rezultatet e mostrave mund të ndikojë shumë fakti se sa është distanca kohore merren mostrat për analiza.

"Diferenca e vlerave në matjen e ujërave ndryshon shumë, sidomos në rastet kur bëhet një shkarkim më ndryshe me një përqendrim më të madh të materiale që ata i shkarkojnë", thotë Shala.

Ndërsa Shpetim Ukaj, zyrtar për informim në Ferronikel, thotë se kjo kompani nuk bënë ndotjen e lumit Drenica dhe se e bën trajtimin e ujërave para se t'i shkarkojë. Ai thotë se uji i lumit Drenica shfrytëzohet për ta pirë dhe si ujë industrialë, pra për ftohjen e furrave elektrike dhe mekanizmave tjerë prodhues të kësaj Fabrike.

"Uji industrial përdoret për ftohjen e furrave elektrike, sistemin e pastrimit të gazrave si dhe gjatë procesit një pjesë e tij avullohet. Ndërsa uji industrial është qark i mbyllur dhe nuk del jashtë. Ky qark nuk hapet, vetëm se nëse ndodh ndonjë problem, mirëpo deri më tani nuk ka ndodh një gjë e tillë. I kemi edhe ujërat atmosferike dhe ato sanitare. Ujërat nga të reshurat mblidhen me sistemin e degazhimit dhe këto mblidhen në një vend ashtu si edhe ujërat sanitarë. Ujërat e zeza trajtohen para se të shkarkohen", thotë Ukaj.

Në lidhje me deklaratat e banorëve se uji po shkarkohet në orët e vona të natës, Ukaj thotë se ky procesi i shkarkimit është normal dhe se nuk ka ndonjë orar se kur shkarkohet uji nga Ferronikeli në lumin Drenica.

Ndërsa sa i përket faktit se në analizat e fundit që Preportr ka bërë bashkë me ekspertë të Institutit Hidrometeorologjikë kanë treguar se lumi përmban jone të metaleve të tretshme që shkarkohen nga Ferronikeli, ai thotë se asnjë element kimik nuk lirohet, ndërsa nuk e pranon se shkarkohet uji me temperaturë të nxehtë në lum, i cili del nga qarku i mbyllur që përdorët për ftohjen e furrave.

"Normal nuk është dashtë me u lirua asnjë element kimik i ndonjë metali. Unë nuk jam në dijeni se ka pas kësi lloj shkarkimesh. Ne bëjmë analiza çdo tre muaj dhe rezultatet i ka edhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit. Ndoshta ka mundur me qenë që ka pasur të reshura dhe ka mund me ra ndonjë element i metalit që është përreth. Sa i përket nxehtësisë ai është sistem i mbyllur dhe nuk del jashtë”, thotë përfaqësuesi i Ferronikelit.

Por Agron Shala, thotë se ekipi i Institutit Hidrometeorologjik ka qenë i pranishëm afër lumit kur është shkarkuar uji nga Ferronikeli dhe në atë rast temperatura e ujit ka qenë deri në 33 gradë  celsius.

"Ka pasur raste kur edhe ne kemi qëlluar dhe në ato raste kur kemi marrë mostrat ka qenë temperatura mbi 30 gradë celsius që është temperaturë jashtëzakonisht e lartë sa i përket një uji sipërfaqësorë".

Gjithashtu edhe Naser Bajraktari, drejtor në Departamentin e Ujërave në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se ky sistem i mbyllur hapet dhe shkarkohet uji i cili ka shërbyer për ftohje të furrave dhe mekanizmave të tjerë. Megjithatë ngjyra e errët e ujit nxjerrë dyshime se ky ujë thjesht vie nga ftohja e furrnaltave. Ai shton se Ferronikeli duhet të trajtojë të gjitha ujërat para se t'i shkarkojë, në mënyrë që të mos e ndotë lumin.

"Në vizitën që e kemi bërë në fabrikë, kemi parë se ka një sistem të mbyllur të shfrytëzimit të ujit. Mirëpo përsëri ajo shkarkohet, sepse nëse nuk trajtohet ajo do t'ia ndotë makinerinë. Vetë teknika është e tillë që ajo duhet të shkarkohet. Mirëpo në këtë drejtim, ne e kemi parë se ka një sistem të thjeshtë i cili nuk i plotëson të gjitha konditat për trajtim të ujërave dhe shkarkim, konform kritereve tona dhe udhëzimeve që i kemi në fuqi. Po ashtu Ferronikeli e bën kolektimin e ujërave atmosferike, por nuk e trajton, çka do të thotë se vetë tipi i veprimtarisë së tij ka të bëjë me metale të rënda dhe nuk mjafton vetëm një trajtim i ujërave të amvisërisë", theksoi Bajraktari.

Në vizitën që e kemi bërë në fabrikë, kemi parë se ka një sistem të mbyllur të shfrytëzimit të ujit. Mirëpo përsëri ajo shkarkohet, sepse nëse nuk trajtohet ajo do t'ia ndotë makinerinë. Vetë teknika është e tillë që ajo duhet të shkarkohet

Naser Bajraktari, MMPH
Gjoba dhe padi për ndotje
Për shkak të ndotjes së ambientit, kur përfshihet edhe ndotja e ujit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka iniciuar padi ndaj Ferronikelit. Gjoba e parë është iniciuar në vitin 2009, ku kjo kompani është dënuar me 6 mijë e 500 euro. Ndërsa gjoba e dytë i është shqiptuar në vitin 2011, ku kompania Ferronikeli dhe menaxheri i saj, bashkërisht janë dënuar me 41 mijë e 500 euro.

Gjithashtu edhe Komuna e Drenasit ka ngritur padi  ndaj Ferronikelit për ndotjen e Lumit Drenica. Hyryje Xhamajlaj-Thaçi, drejtoreshë e Inspektimit Komunal, ka thënë për Preportr se ky inspeksion e bënë monitorimin e kohëpaskohshëm të lumit Drenica dhe nga këto monitorime është vërejtur se Ferronikeli po e ndotë këtë lum dhe për këtë arsye janë ngritur dy padi kundër kësaj fabrike.

"Në lidhje me ndotjen e lumit ne si drejtori kemi pasur edhe kontakte me Ferronikelin. Kompania (Ferronikeli) asnjëherë nuk e ka pranuar që e bënë ndotjen e lumit, por megjithatë inspektorët kanë konstatuar se ndotja ka ardhur prej kompanisë (Ferrionikeli). Inspektorati i ka bërë vërejtje Ferronikelit, dhe gjithashtu ka marrë vendim që t'i bëjë dy padi për ndotjen e lumit", theksoi Xhamajlaj- Thaçi.

Ferronikeli nuk plotëson kriteret për të marrë lejen ujore

Naser Bajraktari, thotë se Ferronikeli ka qenë ndotës edhe më herët dhe ka marrë dënime. Ai thotë se departamenti që ai e drejton e ka detyruar këtë kompani që të bëjë kërkesë për pajisje me leje për ujëra, por nuk i ka plotësuar kriteret për t'u pajisur me këtë leje.

"Nga fundi i marsit të këtij viti është detyruar që të aplikojë për lejen ujore pranë ministrisë tonë. Por me dokumentacionin që e ka sjellë dhe me  investimet që ka bërë  në fushën e trajtimit të ujërave nuk është pajis me leje ujore, sepse ende ka për të investuar ", thotë Bajraktari.

Ai thotë se Ferronikeli duhet t'i trajtojë jo vetëm ujërat industriale para se t'i shkarkojë në lum, po ashtu ujërat e amvisërisë dhe ujërat atmosferike të cilat mblidhen nga rrugët, nga punëtoritë e ndryshme pas reshjeve atmosferike. Pra të gjitha këto ujëra duhet që t'i grumbullojë dhe t'i trajtojë para se t'i shkarkojë në lumin Drenica. Ai këmbëngulë që pa u plotësuar të gjitha kriteret, kjo kompani nuk do të pajisjet me leje ujore.

"Pjesa kryesore që ata nuk  kanë prekur dhe që ne po insistojmë është të trajtimi i ujërave atmosferike. Kjo është çështje që ata nuk i kanë dhënë rëndësi ose janë munduar ta anashkalojnë këtë pjesë, pa e ditur se influenca e këtyre ujërave atmosferike në ato repartet kur bie, shkarkojnë mbetje dhe materie të ndryshme. Pra, pas të reshurave atmosferike, bëhet një tretje e tyre, e të cilat mund të shndërrohen edhe në acide të ndryshme që e shkatërrojnë menjëherë faunën brenda lumit” thotë Bajraktari.

Ai tregon se është  rekomanduar që kjo është pjesë shumë e rëndësishme në mbrojtjen e mjedisit dhe duhet të bëjnë kolektimin dhe trajtimin e këtyre ujërave. “Derisa ata nuk e përmbushin këtë kriter, nuk do të pajisjen me leje ujore pranë departamentit tonë", u shpreh Bajraktari. Sido që të jetë Ferronikeli vazhdon punën dhe hedhjen e ujit që përdor në lumin Drenica njëzetekatër orë në ditë, çdo ditë të vitit.