English
Scroll top

Industria e shkatërrimit

Ambienti në Kosovë po rrezikohet shumë nga industria nxjerrëse. Nga vizitat që ka realizuar Preportr në terren vërehen operime nga kompanitë pothuajse në çdo vend të Kosovës. Vetëm gjatë viteve 2015-2018 janë lëshuar 562 licenca për nxjerrje të gurit, rërës dhe zhavorrit. Preportr ka gjetur se janë evidentuar 495 raste ilegale gjatë viteve 2009-2018 për ushtrimin e këtyre veprimtarive. Institucionet përgjegjëse nuk kanë asnjë raport që tregon për pasojat që janë shkaktuar në mjedis nga...

Prishtinë, 12 Korrik 2019

Një lëndinë e gjelbër gjysmë e pyllëzuar, shtrihet mbi kodrat e fshatit Çirez të Skenderajt. Ende pa u afruar mirë syri të kap një pjesë të kodrës që ja humbë hijeshinë pamjes së këtij fshati. E hirtë është ngjyra e saj.

“Kjo pjesë që tash po e shihni se si është shkatërruar, më parë është përdorur nga banorët për rekreacion, ka qenë një fushë e futbollit ku kanë luajtur fëmijët, po ashtu është përdorur edhe për kullosa. Por tash kjo pjesë ka mbetur shkretinë që nuk mund ta shfrytëzojë askush”, thotë Albert Rexhepi, banor i këtij fshati.

Në fshatin Çirez për vite të tëra kompani të ndryshme kanë gërryer kodrat me qëllim nxjerrjen e gurit i cili pastaj do të përpunohej e shitej për ndërtimtari.

Të shqetësuar me dëmet që po bën gurthyesi në këtë vend, banorët e fshatit ishin ankuar në vitin 2015 në Komunën e Skenderajt dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) që të ndërmarrë masa ndaj gurthyesit “Erti sh.p.k” i cili edhe aktualisht po gërmon në këtë fshat.

Shiko Gazetën #26

Arsyet që banorët kishin paraqitur në ankesë drejtuar institucioneve ishin se gurthyesi po shkakton dëme të mëdha në ambient me pluhurin, zhurmën dhe ndotjen e ujit të pijshëm. Të shqetësuar ishin për minimet që sipas tyre ndodhin pa paralajmërime e të cilat aq të forta ishin sa po dridhnin e çanin shtëpitë e tyre.

Ekipi i Preportr ka dalë në terren për të vizituar pjesën ku po punon gurthyesi. Një gropë jashtëzakonisht e madhe është hapur mes kodrave të fshatit. Makineritë nxjerrëse po bënin punën e tyre. Zhurmë e madhe e pluhur i bardhë mbulon kodrat e Çirezit përderisa kamionët e mbushur po bartin materialet e nxjerra për shitje.

Përveç pjesës ku tani po punohej, edhe anët e tjera të kodrës ishin të gërmuara nga gurthyesit paraprak. Pas nxjerrjes së materialit ata nuk e kishin rivitalizuar tokën dhe si pasojë nga një hapësirë e gjelbër, ky vend është shndërruar në gërmadhë.

Meqenëse askush nga institucionet nuk kishte ndërmarrë ndonjë masë që parandalon rrezikimin e jetës së këtyre banoreve, ata vazhduan të dorëzojnë ankesa në drejtim të të gjithë akterëve të përfshirë në këtë veprimtari.

Këtë vit ata mblodhën nënshkrime për pakënaqësitë e tyre, peticion të cilin e dërguan në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) dhe në Komisionin parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor.

“Nga detonimet e këtij gurori, që i bën pa paralajmërim, me vite po rrezikohen shtëpitë dhe objektet e tjera, si dhe po shkaktohen trauma tek fëmijët. Ndërsa, detonomi i datës 18/03/2019, ora 15:30, ishte aq i fuqishëm sa që në shtëpitë, oborret dhe arat e familjeve Zena ranë gurë të madhësive të ndryshme”, thuhet në ankesë.

Sipas tyre ky guror ndodhët në distancë maksimum 300m afër shtëpive, ndërsa Ligji për Miniera dhe Minerale, Neni 13, Pika 1.13 thotë se “Bartësi i Licencës ose Lejes për Shfrytëzim nuk do të ushtrojë asnjë veprimtari në ndonjë sipërfaqe që në rast se përdoret eksplozivi dhe është më afër se pesëqind (500) metra nga ndërtesat ose objektet e banimit dhe infrastrukturës”.

Agim Zena, banor i këtij fshati, thotë se gurthyesi po ua rrezikon jetën çdo ditë familjes së tij dhe banorëve përreth.

“Përtej jetës nuk e di çka duhet të rrezikohesh më shumë. Vijnë gurët pa pritur, nuk guxojmë as gjanë (bagëtinë) me i lëshu për kullotë këtu afër. Edhe në oborr kanë ra gurët, më kanë ra në kulm, në serrë. Po e shihni ai guri i madh që ka ra, ai ta shembë shtëpinë. Nëse na kish ra ky gur i madh në shpi na kish myt krejtve”, flet ai i shqetësuar.

Para disa viteve shtëpia e Fatmir Bajramit ishte çarë nga shpërthimi që kishte ndodhur nga minimi në guroren e fshatit. Lidhur me këtë ai kishte hapur rast në gjykatë.

“E kam mbajt seancën e parë. Por është kërkuar të bëhet ekspertizë. Kanë ardhur e kanë bërë ekspertizën në oborr timin, e kanë lëshuar aparatin, ai ka pasur të minojë, por minimin që e ka bërë atë ditë nuk ka ndikuar asgjë, sepse ka qenë i përgatitur, sepse nëse kishin ardhë pa paralajmërim kur ka bërë minime, e kishin pa shtëpinë duke lëvizur nga shpërthimi”, thotë Bajrami, kryetar i fshatit.

Për këtë rast Preportr ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në KPMM lidhur me sasinë e eksplozivit që është lejuar për përdorim në secilin minim që e kanë bërë në këtë gurthyes, por kjo e fundit ka dërguar vetëm numrin e minimeve e jo edhe sasinë e përdorur.

Albert Rexhepi i cili është njëkohësisht edhe asamblist në këtë komunë, për vite të tëra kishte paralajmëruar për rreziqet që i kanosen banorëve të këtij fshati nga ky gurthyes. Sipas tij problem i madh është ndotja e ujit nëntokësor që shkakton gërmimi në kodra sepse banorët furnizohen nga ai ujë.

“Këtë çështje fillimisht e kam ngritur në asamblenë komunale në vitin 2015, pushteti komunal si atëherë, si tash, e ka hequr përgjegjësinë nga vetja dhe e ka hedhur tek Ministria e Mjedisit dhe KPMM-ja. Kam dërguar peticion përveç komunës edhe në Ministrinë e Mjedisit, përgjigja që na ka ardhur prej tyre ka qenë qesharake, gjoja se ne momentin e inspektimit gjithçka ka qenë në rregull. Por dëmet që ne i kemi përmendur nuk janë marrë parasysh, as atëherë as tash”, thotë Rexhepi.

Degradimi i ambientit përmes industrisë nxjerrëse

Çirezi është vetëm një nga vendet e shumta që janë shkatërruar përmes industrisë nxjerrëse në Kosovë. Lumenj e kodra të shumta janë shfrytëzuar për nxjerrjen e materialeve si gurë, rërë dhe zhavorr.

Krejt ky dëmtim i lumenjve dhe kodrave është bërë në favor të sektorit të ndërtimit në Kosovë. Nevojat për këtë material po rriten dhe interesimi i kompanive, sidomos i gurthyesve për t’u pajisur me licenca po rritet. Nga të dhënat e KPMM-së, numri i gurthyese është shtuar përgjatë viteve. Institucionet e Kosovës nuk kanë hartuar një strategji dhe as një plan se si t’i qasen dëmtimit të ambientit nga këto dy veprimtari.

Preportr për disa muaj ka hulumtuar për të parë ndikimin në mjedis nga ushtrimi i këtyre aktiviteteve. Hulumtimi përfshinë terrenin, analizimin e të dhënave të nxjerra nga raportet e KPMM-së, MMPH-së dhe institucioneve të tjera, intervistat me akterë të përfshirë dhe vendimmarrës në këtë fushë.

Megjithëse pranohet nga të gjithë se ambienti është dëmtuar dukshëm nga nxjerrja e zhavorrit dhe rërës si dhe nga gurthyesit, nuk ka një raport të detajuar se në çfarë mase ka ndodhur kjo dhe pasojat e shkaktuara.

Preportr ka shqyrtuar të dhënat e mbledhura nga KPMM-ja për licencat e lëshuara për nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit si dhe të gurthyesve për periudhën 2015-2018 të cilat përfshijnë edhe licencat që kanë qenë aktive pas vitit 2015 e janë lëshuar para vitit 2015.

Nga të dhënat që ka analizuar Preportr rezulton që ky institucion ka lëshuar 562 licenca për gurthyes dhe nxjerrje të rërës dhe zhavorrit. Prej tyre 268 janë dhënë për hulumtim dhe 294 për shfrytëzim.

Nga 562 licenca 75 janë dhënë për rërë dhe zhavorr, ndërsa 487 licenca janë dhënë për gurthyes.

Më së shumti licenca të lëshuara për këto dy veprimtari janë në vitin 2016 (106 licenca) dhe në vitin 2018 ku janë lëshuar 93 licenca.

Nga 279 kompani që kanë marrë licenca nga KPMM për nxjerrjen e materialit ndërtimor, 238 kompani kanë marrë licenca për gurëthyes ndërsa 47 kompani kanë marrë licencë për rërë dhe zhavorr.

Komunat në të cilat janë dhënë më së shumti licenca për gurthyes janë Malisheva(43 licenca), Klina(38 licenca), Kaçaniku dhe Lipjani me nga 35 licenca. Ndërsa komunat në të cilat janë dhënë më së shumti licenca për rërë dhe zhavorr janë Peja(29 licenca), Gjakova (14 licenca), dhe Kamenica (7 licenca).

Nga të dhënat e shqyrtuara Preportr ka gjetur se janë evidentuar 495 raste ilegale gjatë viteve 2009-2018, ku prej tyre 166 raste janë për nxjerrje të gurit të fortë, ndërsa 329 raste janë evidentuar të nxjerrjes ilegale të rërës dhe zhavorrit. Nga këto raste 357 prej tyre janë kompani, ndërsa 138 janë individë.

Më së shumti raste ilegale të nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit kanë ndodhur në vitin 2010 (105 raste) dhe në vitin 2011 (58 raste). Njëjtë edhe rastet më të shpeshta të nxjerrjes së gurit kishin ndodhur ne vitin 2010 (40 raste) dhe 2011 (30 raste).

Nga 495 rastet ilegale të evidentuara, 297 janë në gjykatë dhe një është rast i mbyllur.

Komunat në të cilat janë identifikuar më së shumti raste ilegale për gurthyes janë Gjakova (17 raste), Peja(13 raste), dhe Kaçaniku me 13 raste. Ndërsa komunat në të cilat janë identifikuar më së shumti raste ilegale për rërë dhe zhavorr janë Peja(51 raste), Kamenica (37 raste), dhe Gjakova (71 raste).

Dëmet nga gurthyesit të mëdha për ambientin

Në katër vitet e fundit u dyfishua numri i licencave për gurthyesit. Vetëm gjatë vitit 2018 kanë qenë aktive 357 licenca për këtë veprimtari. Me fillimin e ndërtimit të autostradave u rrit nevoja për këtë resurs. Mirëpo krejt kjo i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë pasojat e veta në dëmtimin e ambientit. Në Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit, gurthyesit konsiderohen si njëri ndër ndotësit më të mëdhenj të ambientit. Përveç ndotjes së ambientit gurthyesit kanë shkaktuar dëme në disa raste në objekte të banimit.

Kërkesat për marrjen e licencave si për hulumtim po ashtu edhe për shfrytëzim të gurit të fortë ende janë të mëdha. Qeveria nuk ka një strategji apo plan si të veprohet tutje dhe si një gjë e tillë të bëhet në mënyrë më të kontrolluar.

Duke e parë që situata ka dalë nga kontrolli i vetmi hap konkret është një rekomandim i KPMM-së drejtuar Qeverisë së Kosovës që t’i ndalë licencat përkohësisht për eksplorimin e gurit.

“Në KPMM jemi të vetëdijshëm se janë bërë një numër i madh i licencave të shfrytëzimit apo gurthyesve, e që shumica nuk kanë aktivitet t’i mbajnë as punëtorët e vet. Ne edhe këtë vit do t’i mbyllim ato licenca që nuk janë aktive. Por nuk varet nga KPMM se sa rritet numri gurthyesve, sepse nëse kompania pajiset me pëlqim komunal, pëlqim prej pronarit që në shumicën e rasteve është Agjencia Pyjore e Kosovës, ose privat, i kryen të gjitha hulumtimet, i dorëzon projektet e shfrytëzimit, ne jemi të obliguar me ligj t’i pajisim me licencë”, thotë drejtori i KPMM-së, Ramiz Krasniqi.

Fatmir Matoshi, ministër në MMPH, e pranon se gjendja e ambientit nga gurthyesit e shumtë është e vështirë. Thotë se për këtë do të themelohet një grup dhe do t’i shqyrtojë një nga një të gjitha lejet e lëshuara nga Ministria e Mjedisit dhe ato do të jenë publike për këdo që dëshiron të bindet ose të vërtetojë nëse gjatë dhënies së lejeve është bërë ndonjë shkelje.

“Gjithashtu i bëj thirrje prokurorisë që t’i hetojë të gjitha lejet e lëshuara dhe të shohim nëse gjatë gjithë këtij procesi dikush ka abuzuar me ligjin”, bën thirrje ai.

Ekipi i Preportr ka dalë në terren për të parë disa nga gurthyesit se ku janë duke punuar dhe sa kanë ndikuar në degradimin e ambientit përreth. Një pjesë e madhe e tyre operojnë në Komunën e Drenasit dhe të Klinës. Te kjo e fundit sidomos në fshatrat Gremnik dhe Gllarevë. Në afërsi të rrugës kryesore që lidh Prishtinën dhe Pejën ka gurthyes të shumtë, nga gërmimi që kanë bërë vërehet se janë duke operuar qe disa vite. Gropa të mëdha dhe shumë masë gurore shihen në vendpunime, derisa ka lëvizje të shumta të kamionëve që shkojnë për të bartur materialin që përpunohet aty. E njëjta situatë është edhe te gurthyesit tjerë në fshatin Korreticë të Drenasit, ku aktualisht operojnë dy gurthyes.

Rrugët që shpien tek këta gurthyes dallohen nga rrugët tjera. Ato janë me pluhur të bardhë që lirohet nga procesi i gërryerjes dhe përpunimit të gurëve.

Disa gurthyes tjerë operojnë edhe në fshatin Zatriq të Komunës së Rahovecit. Ata janë të përqendruar me makineri të shumta në disa kodrina të këtij fshati ku bëhet gërmimi dhe përpunimi i gurëve.

Për të parë se çfarë është duke u bërë në këtë drejtim dhe si mund të zgjidhet kjo çështje, një grup profesorësh universitar kanë filluar realizimin e një raporti jashtë institucional.

Behxhet Mustafa, një nga profesorët e angazhuar thotë se hapësirat në të cilat veprojnë gurthyesit mbërrijnë në disa hektarë. Thotë se i kanë vizituar disa prej tyre dhe po vazhdojnë ende me punën. Nga vizitat në terren ai përmend disa nga dëmet që i shkaktojnë këta gurthyes.

“Nuk ka gurthyes që nuk e ka aktivitetin veprues 3-4 hektarë e në disa raste edhe më shumë dhe janë në pyetje qindra hektarë së pari sipërfaqe të natyrës, ato janë sikur një çështje kanceroze që e ka kapluar natyrën. Kjo vërehet më së miri kur e shohim në mënyrë satelitore”, thotë Mustafa.

Ai shpreh shqetësimin se përshkrimi për dhënien e licencave bëhet në mënyrë shabllon.

Meqë resursi ekziston, sipas tij, ai edhe duhet të shfrytëzohet, por kjo duhet të bëhet pas një vlerësimi në terren nga të gjitha institucionet që janë të përfshira në këtë proces.

“Çdo vlerësim i ndikimit në mjedis që bëhet me rastin e dhënies së lejes duhet të vlerësohet gjendja paraprake, gjendja se çka po ndodh gjatë ndërtimit dhe pas ndërtimit”, thotë ai.

Në KPMM thonë se kurrë nuk është bërë një vlerësim, raport apo diçka tjetër që do të tregonte pasojat në ambient që mund të kenë një numër kaq i madh i gurthyesve.

Dëmtime të mëdha të lumenjve

Trysnia që u është bërë lumenjve në Kosovë nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit pa kriter, ka rritur rrezikun për përmbytje, ka dëmtuar lumenjtë si dhe florën dhe faunën në ta.

Vetëm në vitin 2018 kanë qenë aktive 45 licenca për nxjerrje të rërës dhe zhavorrit.

Lumi Drin është ndër më të dëmtuarit në rajonin e Dukagjinit. Në shumë vende shtrati i këtij lumi është shkatërruar tërësisht. Edhe aktualisht vazhdojnë dëmtimet në këtë lum, përkatësisht në shtratin e lumit.

Ekipi i Preportr ka vizituar disa pjesë ku eksploatuesit e zhavorrit kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë dëme.

Disa metra afër lumit gjendet një makineri për përpunimin e zhavorrit e cila duket të jetë vendosur që disa vite aty, pasi që është e vjetruar.

Kjo pjesë si duket ka qenë e targetuar në vazhdimësi nga eksploatuesit e zhavorrit. Aty vërehen gropa të mëdha që sapo janë hapur, ndërsa disa të tjera janë hapur kohë më parë dhe janë lënë ashtu. Ato tashmë pothuajse janë mbuluar nga bari.

Në atë pjesë rreth 20 metra afër lumit dëgjohet zhurma e makinerive që nxjerrin dhe përpunojnë zhavorr. Kamionët ngarkohen dhe kalojnë lumin për të shkuar në destinacionin e caktuar.

Tutje, një sipërfaqe e madhe duket tërësisht e shkatërruar. Gropat e mëdha që janë hapur, janë mbushur me ujë. Nga eksploatimi që është bërë me makineri të rëndë janë nxjerrë edhe rrënjët e lisave.

Ekipi i Preportr ka vizituar edhe lumenjtë e tjerë në të cilët intervenohet pa kriter po ashtu.

Në Lumëbardhin e Pejës, afër lumit janë të vendosur makineri për përpunimin e zhavorrit. Në afërsi të lumit janë disa gropa nga ku është nxjerrë zhavorr. Në lumenjtë e anës së Kamenicës ka shenja të dëmtimit të tyre, por ato nuk janë shumë të theksuara pasi në këtë rajon lumenjtë janë të vegjël.

Kompanive të licencuara për eksploatim të rërës dhe zhavorrit, me Ligjin për Ujërat, u është caktuar distanca prej 150 metrash larg lumit për ta ushtruar këtë veprimtari. Ato që operojnë pa licencë zakonisht këtë e bëjnë në shtrat të lumit.

Nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë sipas Behxhet Mustafës i ka dëmtuar ata në dy aspekte: Aspektin biologjik, sepse kur dëmtohet shtrati i një lumi kemi humbjen e florës, vegjetacionit dhe faunës specifike të atyre lumenjve shekullor që janë në shtretër. Aspekti tjetër është shkatërrimi apo humbja e rrjedhës normale të ujit që e ka krijuar në mënyrë shekullore lumi.

“Kur kemi vërshime, kur kemi reshje, aty e shohim çka kemi bërë”, thotë ai.

Fatmir Matoshi, ministër i MMPH-së, thotë se degradimi i lumenjve i cili ka ndodhur me vite të tëra, që nga paslufta, na ka sjellë në një situatë jo të mirë në aspektin ambiental dhe në aspektin e rezervave ujore.

Ai thotë se për t’i shpëtuar lumenjtë nga degradimi i mëtejmë duhet një koordinim jo vetëm me KPMM-në po edhe me policinë, gjykatat, Ministrinë e Brendshme, komunat dhe gjithë akterët e tjerë që mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

Ministri Matoshi, thotë se këtë vit do të shikojnë mundësitë dhe do të merren seriozisht me këtë problematikë.

“Për të ruajtur lumenjtë tanë ne si ministri këtë vit do të investojmë mbi 15 milionë euro vetëm në shtretër të lumenjve dhe nuk mund t’i mbyllim sytë dhe të vijnë të tjerët të operojnë ilegalisht në shtretërit e lumenjve dhe të shkatërrohet ajo që është e pasuri e përbashkët”, thotë ai.

Edhe sipas profesorit Behxhet Mustafa këto masa janë të domosdoshme në mënyrë që Kosova të mos rrezikohet për mungesën e ujit në dekadat e ardhshme.

“Opinioni ynë duhet ta dijë dhe njerëzit që udhëheqin me institucionet përkatëse që ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk marrim ujë prej asnjë vendi tjetër domethënë krejt ujin që e kemi shkon në vende të tjera. Për këtë arsye ne numërohemi si vendi me më së paku ujë për kokë banori. Prandaj nëse edhe këto ekosisteme lumore, liqenore i dëmtojmë në këtë shkallë si jemi duke vepruar rreth dy dekada, vërtetë nuk na falet, as si shoqëri as si institucione”, thotë Mustafa.

Deri tani nuk ka raporte të institucioneve përgjegjëse se cilat janë pasojat e operimit të kompanive në nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë. I vetmi raport është i vitit 2012 i Agjencisë për Mbrojtjen e Ambientit, i cili tregon se janë dëmtuar mijëra hektarë të këtyre lumenjve nga këto operime.

Angazhime të tjera në këtë drejtim ka pasur në vitin 2012 nga Qeveria e Kosovës e cila asokohe pati marrë vendim për ndërprerjen e tërësishme të nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë. Kjo nuk ishte bërë me një plan por vendimi ishte marrë ad hoc, pasi qeveria ishte mjaftuar me një fotografi të lumit Drin që ishte bërë nga KFOR-i, dhe e cila tregonte se në çfarë gjendje ishte ky lum nga ndërhyrjet e operatorëve ilegalë. Vendimi nuk pati shumë efekt. Ndërhyrjet në lumenj vazhduan dhe kompanitë e licencuara nga KPMM nuk po arrinin t’i realizonin planet e tyre.

Kjo u tha të jetë bërë pasi ata ishin të pa barabartë në treg me operuesit ilegalë. Në të gjitha raportet vjetore të KPMM-së shihet se kompanitë nuk e kanë realizuar as 30 përqind të nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit që e kanë planifikuar.

Në KPMM thonë se deri vonë këto kompani nuk janë ndëshkuar pasi institucionet përgjegjëse, Ministria e Mjedisit, KPMM, policia dhe të tjerët nuk kanë arritur që atyre t’u krijojnë një ambient ku do të mund të shisnin materialin e tyre.

“Në rastet kur kompanitë kanë plan dinamik të vogël apo nuk mund ta realizojnë atë që e kanë paraqitur, apo nuk zhvillojnë aktivitet, ne jemi të obliguar që t’ua revokojmë licencat”, thotë drejtori i KPMM-së, Ramiz Krasniqi.
Ai thotë se në vitin 2017 i kanë mbyllur 63 licenca të shfrytëzimit, “në vitin 2018 e kemi bërë një analizë, që tash jemi duke e shqyrtuar dhe jemi shqyrtuar mbi 100 licenca të shfrytëzimit të cilat nuk janë aktive sipas planit dinamik”.

Megjithatë Krasniqi i shfajëson kompanitë që kanë licencë, pasi ato sipas tij kanë hyrë në një garë të pabarabartë, por nuk pajtohet që tregu mbulohet nga operuesit ilegalë.

“Ata pa licenca është e vërtetë që e shesin resursin më lirë, sepse nuk kanë rentë të paguajnë ndaj shtetit. Nuk kisha thënë që mbulohet tregu nga operatorët ilegalë, sepse për secilën kompani që ka licencë aktive në KPMM i kemi të dhënat se sa kanë prodhuar brenda vitit”, shton ai.

Kompani të afërta me parti politike kanë fituar licenca për gërmim

Si në çdo sektor publik në Kosovë edhe në industrinë nxjerrëse shihet që kompanitë që janë të afërta me subjekte politike janë përfituese të licencave nga institucionet përkatëse.

Preportr ka hulumtuar të gjitha kompanitë që kanë marrë licenca për eksploatim të rërës, zhavorrit dhe gurit për të parë lidhjet e tyre me parti politike.

Lidhjet e kompanive me politikën fillojnë nga donatorët e subjekteve politike dhe vazhdojnë deri në zyrtarë të lartë partiakë e institucionalë.

Nga 279 kompani të cilat kanë marrë licenca, Preportr ka gjetur se 42 prej tyre kanë lidhje me politikën. Këto kompani kanë marrë 116 licenca nga KPMM.

25 biznese që kanë dhënë donacione për parti politike kanë marrë 56 licenca (18 kompani financues të PDK-së kanë marrë 41 licenca, gjashtë kompani financuese të LVV-së kanë marrë 11 licenca, dy kompani financuese të AAK-së kanë marrë pesë licenca).

Katër kompani të cilat kanë marrë 19 licenca janë të afërta më disa deputetë apo ish deputetë të Kuvendit të Kosovës. Nga këto kompani dy janë të lidhura më PDK-në të cilat kanë marrë shtatë licenca ndërsa dy kompani që janë të lidhura me LDK-në kanë marrë 12 licenca.

Dy kompani të cilat kanë marrë shtatë licenca janë të lidhura me drejtorë komunal që vijnë nga radhët e PDK-së.

Katër kompani të cilat kanë marrë gjashtë licenca janë të lidhura me këshilltarë komunal që vijnë nga radhët e PDK-së.

Dy kompani të cilat kanë marrë dy licenca janë lidhura me dy zv. ministra njëri prej tyre nga AAK dhe tjetri nga PDK.

Një kompani e cila ka marrë dy licenca ka afërsi me një kryetar komune i cili është nga radhët e LDK-së.

Katër kompani të cilat i kanë marrë 24 licenca kanë afërsi të ndryshme me subjekte politike apo me njerëz me ndikim nga PDK.

Hapësirat ku gërmuan, nuk i rehabilituan

Pjesa më e rrezikshme e gurthyesve është fakti se ata posa e kryejnë aktivitetin në një hapësirë të caktuar e lënë atë në gjendje të mjerueshme. Kjo përveç që duket keq, paraqet rrezik të madh për banorët pasi gropat e krijuara nga minimet dhe gërmimet me makineri të rëndë, janë shumë të mëdha. Preportr ka dalë në terren dhe i ka evidentuar disa raste të tilla. Numri i tyre nuk është i vogël. Shteti në këto raste nuk ka intervenuar sepse një gjë e tillë është e kushtueshme. Megjithatë në KPMM thonë se që nga viti 2013 i kanë obliguar kompanitë për të paguar një garancion në vlerë prej 5000 eurove për një hektar, të cilin e deponojnë në bankë. Në rast që hapësira nuk kthehet në gjendje të pranueshme ambientale, atëherë kjo shumë konfiskohet.

Sipas drejtorit të KPMM-së ka ende një numër të madh të kompanive që nuk e bëjnë një gjë të tillë. Deri tani nga kompanitë që nuk e kanë kthyer gjendjen në situatë të pranueshme ambientale, janë konfiskuar 722 mijë euro garancione bankare.

“Të licencat aktive kompanitë për t’u pajisur me një licencë janë të obliguara të dorëzojnë një projekt të vlerësimit të ndikimit në mjedis për të marrë pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit. Kur kompanisë i përfundon licenca apo bënë kërkesë për mbyllje, sepse e ka shfrytëzuar resursin para afatit të paraparë, është komisioni ndërinstitucional që përbëhet prej dy anëtarëve të KPMM-së, një nga Ministria e Mjedisit dhe dy të Agjencisë së Pyjeve, i cili është i obliguar të bëjë një raport nga terreni se a është bërë gjithçka sipas ligjit”, thotë drejtori i KPMM-së, Krasniqi.

Kompania pa e kthyer atë vend ku i ka shfrytëzuar resurset në gjendje të pranueshme ambientale, nuk mund të marrë garancionin që është në vlerë prej 5 mijë eurove për një hektar, të cilat i deponojnë në bankë.

Ministri i ambientit e pranon që në të kaluarën hapësirat e shfrytëzuara nga gurthyesit nuk janë rehabilituar.

“Kjo zakonisht nuk ka ndodhur. Ne duhet që bashkë me KPMM-në, bashkë me gjykatat, me policinë të themelojmë grupe pune, të cilat si qëllim final, përveç ruajtjes së ambientit, do ta kenë edhe kthimin në gjendjen e mëparshme”, thotë ai.

Matoshi thotë se ministria ka investuar dhe investon ende me qëllim të rehabilitimit të hapësirave që dëmtohen nga eksploatuesit ose gurthyesit, por nuk munden pafundësisht si shtet, me buxhetin dhe taksat e qytetarëve të paguhet dhe të përmirësohet gjendjen aty ku njerëzit e bëjnë për interesa personale.

Jam njoftuar se në të kaluarën inspektorët edhe janë gjuajtur me armë, janë rrahur, kanë qenë të pambrojtur përballë keqpërdoruesve. Prandaj është një diçka që duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, sepse është një lloj mafie që ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë në vende të caktuara, para se cilës shteti duhet ta tregojë vetën të forte”.

Behxhet Mustafa jep disa alternativa se për çfarë mund të shërbejnë hapësirat të cilat janë përdorur si gurthyes. Në disa raste thotë ai ato mund të kthehen në fusha sporti, e në raste të tjera mund të shndërrohen në amfiteatro dhe qendra tjera rekreative.

Kompania e afërt me PDK-në dhe drejtorin e KPMM-së ka uzurpuar pronë për gërmim

Dëme të mëdha nga gërmimi janë bërë në fshatin Sankoc të Komunës së Drenasit. Dy gropa të mëdha kanë mbetur të hapura dhe të pa rehabilituara. Njëra e thellë dhjetëra metra. Ato tashmë janë mbushur me ujë dhe paraqesin rrezik për banorët që e shfrytëzojnë atë, por edhe për bagëtitë, pasi që ajo pjesë shfrytëzohet edhe për kullota.

Aty ka gërmuar kompania “Kodra sh.p.k” që është në pronësi të Enver Zogajt, vëllait të ish-deputetit nga radhët e PDK-së Bislim Zogaj. Poashtu Preportr pasi e ka analizuar deklarimin e pasurisë së drejtorit të KPMM-së, Ramiz Krasniqit ka vërejtur se djali i tij ka punuar në këtë kompani.

Drejtori Krasniqi e ka pranuar se djali i tij ka punuar në këtë kompani por nuk ka vlerësuar se kjo është konflikt interesi.

“Djali im ka qenë i punësuar në këtë ndërmarrje nga viti 2016 deri në qershor të vitit 2017. Gjatë vitit 2017 ndërmarrja nuk ka pasur aktivitet minerar. Pasi që ndërmarrja ka edhe aktivitete tjera përveç gurthyesit (32 sosh) ai ka punuar si teknik në fushën e Teknologjisë Informative. Mendoj që kjo nuk mund të klasifikohet si konflikt interesi. Përndryshe në Kosovë sipas të dhënave zyrtare  janë mbi 13 mijë të punësuar në sektorin minerar”, thotë ai.

Megjithatë nga të dhënat që ka siguruar Preportr del që gjatë periudhës kohore kur ka qenë i punësuar djali i drejtorit, kompania e njëjtë ka pasur gjashtë licenca aktive.

Në Ligjin për Miniera dhe Minerale te konflikti i interesave, thuhet se gjatë shërbimit në cilësinë e anëtarit të Bordit të KPMM-së ose në cilësinë e Drejtorit të KPMM-së dhe gjatë periudhës 12 mujore pas ndërprerjes së shërbimit në këtë cilësi, anëtari i Bordit të KPMM ose Drejtori nuk do të: pranojë, kërkojë, diskutojë ose marrë parasysh çfarëdo punësimi, angazhimi, kompensimi ose oferte nga cilido Person i cili ka marrëdhënie afariste ose marrëdhënie tjetër me KPMM ose ka pasur marrëdhënie të këtilla me KPMM gjatë kohës sa ai/ajo ka shërbyer në atë cilësi.

Nëse ndodh kjo sipas këtij ligji, atëherë parashihen pasoja në mesin e të cilave edhe shqiptimi i një gjobe administrative këtij personi në shumën prej njëqind e pesëdhjetëmijë (150,000) euro.

play

Ky hulumtim i Preportr tregon për dëme të shumta që i janë bërë mjedisit nga industria e nxjerrjes. Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve janë dëmtuar nga operatorët gjatë nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit. Gjithashtu shumë kodra janë degraduar nga gurthyesit, të cilët pas shfrytëzimit të gurëve i kanë lënë ato vende të shkatërruara. Disa nga gurthyesit operojnë afër vendbanimeve dhe bëjnë minime, duke rrezikuar kështu edhe jetën e banorëve si dhe duke ndotur mjedisin.

Kjo kompani ka filluar punën në fshatin Sankoc, pa marrë leje nga Komuna e Drenasit. Për këtë arsye kompania në vitin 2013 është shpallur uzurpatore e pronës publike nga kjo komunë. Edhe Agjencia Kadastrale e Kosovës e kishte vërtetuar këtë aktvendim.

Halim Prokshi, zyrtar i lartë për prona në Komunën e Drenasit thotë se pasi kanë marrë informacione nga inspektorati komunal se po gërmohet në fshatin Sankoc, ai bashkë me dy gjeodetë ka dalë në terren.

“Kish pas edhe reflektorë që linte të kuptohej se aty punohej me tri ndërrime, pasi që sigurisht ka kërkuar Bechtel & Enka që të ketë zhavorr të mjaftueshëm”, thotë Prokshi.

Ai me ekipin e tij kishin bërë matjet gjeodezike të vendit ku po gërmohej.

“Pas matjeve, kemi konstatuar se sipërfaqja ku bëhej eksploatimi i gurit për zhavorr, është uzurpim i pronës komunale në sipërfaqe prej nëntë hektarëve”, thotë Prokshi.

Për këtë arsye komuna me 27.06.2013 ka bërë kallëzim penal ndaj kompanisë “Kodra sh.p.k”.

Por çuditërisht edhe pse kjo kompani është shpallur uzurpatore nga Komuna e Drenasit dhe ndaj saj është bërë kallëzim penal, komuna përmes një shpalljeje publike, me 22 dhjetor 2014 e ka zgjedhur këtë kompani për t’ia dhënë në shfrytëzim një sipërfaqe prej 5 hektarësh. Ndërsa në vitin 2015 kjo sipërfaqe ishte zgjeruar në 45 hektarë, të cilat i ishin dhënë në shfrytëzim kompanisë në afat prej 40 vjetësh nga Kuvendi Komunal.

Edhe pse nuk kishte kontratë me Komunën e Drenasit për shfrytëzimin e asaj prone, ajo ishte e pajisur me licencë nga KPMM-ja. Të dhënat që ka siguruar Preportr, tregojnë se kjo kompani i ka paguar KPMM-së rentë nga viti 2012, pra dy vite para se të lidhë kontratë me komunën.

Sipas kontratës, kompania “Kodra” ia ka paguar vetëm 1 cent për metër katror komunës. Duket se kjo kompani është favorizuar gjatë përzgjedhjes. Preportr ka siguruar të gjitha ofertat që janë bërë për shfrytëzimin e kësaj prone. Aty shihet se kompania “Durimi” ka ofruar 3 centë për metër katror për shfrytëzimin e kësaj pjese për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit dhe është zotuar për një investim në vlerë prej 420 mijë eurove.

Fitues është shpallur kompania “Kodra” me ofertë prej 1 cent për metër katror dhe zotim për investim në vlerë prej 325 mijë eurove. Pavarësisht kësaj, “Kodra” është konsideruar nga komisioni përkatës i komunës si ofertuesi me çmimin më të favorshëm ekonomik. Për shfrytëzimin e kësaj pjese ka pasur edhe disa oferta tjera kryesisht për blegtori, ku ofertat kanë arritur deri në 8 centë për metër katror. Në komunë thonë se nuk posedojnë asnjë procesverbal apo raport që tregon vlerësimin dhe arsyen pse kompania “Kodra” është shpallur fituese.

Kompania “Kodra” nuk kishte përmbushur zotimet që i kishte bërë në planin dinamik për rehabilitimin dhe investimet në pjesën ku ka gërmuar. Për këtë arsye komuna ka filluar të marrë masa.

Halim Prokshi thotë se me ardhjen e kryetarit të ri me vendimin e datës 31 tetor 2017 është formuar një komision prej shtatë anëtarëve dhe është bërë verifikimi i krejt dokumentacionit të kompanisë “Kodra”, dhe pronës komunale që e ka marrë në shfrytëzim.

“Pasi që kemi ardhë në përfundim se nuk janë përmbushur obligimet kontraktuese, ku brenda 24 muajsh do të bëhet qendra për rekreacion dhe disa pjesë tjera të planit dinamik që e ka pasur kompania “Kodra”, atëherë, me këtë raport asambleja ka marrë vendim me 01.03.2018 është shfuqizuar vendimi, është ndërprerë kontrata dhe ajo pjesë i është kthyer në pronësi komunës”, thotë Prokshi.

1/24
  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Pasojat në mjedis nga nxjerrja e zhavorrit dhe gurëve

    Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

  • Mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve dhe të kodrave u dëmtuan nga industria nxjerrëse në Kosovë.

Për shkak të uzurpimit, në qershor të vitit 2013, Komuna e Drenasit kishte ngritur një kallëzim penal kundër Enver Zogajt pronar i kompanisë “Kodra”. Me 16 tetor të vitit 2017 Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Drenas, ka nxjerrë një aktgjykim ku është shpallur fajtor Enver Zogaj. Sipas aktgjykimit ai ka kryer veprën penale uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë. Ky i fundit e ka pranuar fajësinë gjatë procesit gjyqësor. Për të dy veprat është dënuar me burgim prej 1 vit e dhjetë muaj me kusht, nëse i pandehuri në afat prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale.
Pas këtij vendimi, Komuna e Drenasit përmes Avokaturës Shtetërore me 21 shkurt 2019, ka bërë padi civile ndaj Zogajt për t’i kompensuar dëmet që i ka shkaktuar në lokacionin ku ka gërmuar pa leje. Ndërsa shuma financiare e dëmit ka kërkuar të bëhet sipas ekspertëve që i përcakton gjykata.

Në lidhje me këtë çështje në KPMM thonë se kompania “Kodra” ka pasur pëlqim për shfrytëzim dhe seperimim të gurit nga komuna dhe se mbi bazën e saj është licencuar. Për më tepër thonë se KPMM nuk ka pranuar asnjë vendim që i është tërhequr pëlqimi kompanisë në fjalë dhe është ngritur kallëzim penal, nuk ka qenë e informuar as lidhur me aktgjykimin për këtë çështje deri me datën 17.10.2018. Gjithashtu thonë se nuk janë njoftuar se aty po punohet pa u lidhur kontratë mes kompanisë “Kodra” dhe Komunës së Drenasit.

“Pas marrjes së vendimit si revokim i pëlqimit në vitin 2018 nga KK Drenas, KPMM-ja ka marrë masa në përputhje me procedurat ligjore dhe në përputhje me Ligjin për Miniera dhe Minerale dhe ka pezulluar licencën e shfrytëzimit”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e KPMM-së.

Lidhur me këto Preportr ka dërguar pyetje në kompaninë “Kodra”, po nuk ka marrë përgjigje.

Mosefikasiteti i gjykatave me rastet e mjedisit

Në vitin 2017 KPMM ka ushtruar 76 kallëzime penale për kompani të cilat janë zënë duke nxjerrë rërë dhe zhavorr pa licencë.

KPMM në vazhdimësi është ankuar se kallëzimet penale që ushtrohen nga ky institucion nuk trajtohen seriozisht nga gjykatat. Sanksionet penale të shqiptuara nga gjykatat sipas raportit vjetor të KPMM-së për vitin 2017, nuk po e arrijnë efektin e preventivës në ndalimin e operimeve të jashtëligjshme.

“Çështja e vonesës së shqyrtimit të lëndëve nga gjykata kompetente për veprime të pa licencuara nga KPMM-ja, duke i shtyrë seancat nga disa herë deri në vjetërsimin e lëndëve dhe në këtë mënyrë ka krijuar humbje të kohës së stafit për të shkuar deri në gjykata si dhe krijim të shpenzimeve financiare të panevojshme. Masat që merr Gjykata nuk janë në përputhje me dëmin e shkaktuar nga operuesit e pa licencuar, ashtu si parashihet me Ligjin për Miniera dhe Minerale”, thuhet në raportin e KPMM-së.

Sa i përket bashkëpunimit me institucionet gjyqësore, në aspektin e efikasitetit dhe efektivitetit të procedimit për rastet e ngritura nga KPMM-ja, rezultatet mbeten edhe më tej të dëshirueshme, thuhet në këtë raport.

Drejtori i KPMM-së thotë se vetëm gjatë vitit 2018 i kanë pasur 87 raste në gjykata për shkak të veprimeve të kundërligjshme që i kanë bërë kompanitë gjatë shfrytëzimit të resurseve.

“Ne kemi edhe një problem tjetër e ajo është fakti se ne kemi përsëritje në vazhdimësi të veprave penale nga të njëjtit operues”, thotë ai.

Operatorët kanë edhe borxhe të mëdha ndaj KPMM-së. 763 kompani apo persona fizikë i kanë borxh këtij institucioni në vlerë prej më shumë se 23.2 milionë eurove.

KPMM-ja ka edhe një listë të gjobave ndaj personave fizikë dhe kompanive për vitin 2017 të cilët kanë operuar në mënyrë ilegale që arrin shifrën e më shumë se 600 mijë eurove.

Databaza online mbi degradimin e mjedisit përmes industrisë nxjerrëse