Prishtinë, 19 Qershor 2020
Ndotja e madhe e ajrit gjatë stinës së dimrit është bërë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve në Kosovë, sidomos të atyre që jetojnë në qendrat e mëdha, si dhe afër ndotësve të mëdhenj siç janë Korporata Energjetike e Kosovës, Feronikeli, Sharrcemi dhe Trepça. Shqetësimit në masë të madhe të tyre i ka kontribuar vendosja e matësve të cilësisë së ajrit në disa prej qendrave kryesore të Kosovës. Këta matës kanë treguar se në periudhën e dimrit ka ndotje të madhe të ajrit. Shkaqet e kësaj ndotjeje janë të ndryshme, duke përfshirë edhe ngrohjen me thëngjill dhe lëndë të tjera djegëse gjatë dimrit, automjetet e vjetra etj. Kohëve të fundit ndotjes së madhe të ajrit në Kosovë, i ka shërbyer edhe veprimtaria e gurthyesve. Në pesë vitet e fundit numri i gurthyesve është trefishuar ndërsa institucionet nuk kanë arritur t’i kontrollojnë në aspektin se sa ato arrijnë t’i respektojnë kushtet për mbrojtjen e mjedisit.
Për të parandaluar ndotjen në masë të madhe të ajrit gjatë dimrit deri tani janë ndërmarrë pak veprime, edhe pse është alarmuar se ndotja e ajrit në shkallë kaq të lartë ka pasoja të rënda në shëndetin e qytetarëve. I vetmi rekomandim nga institucionet përgjegjëse për qytetarët gjatë periudhës kur ndotja e ajrit është shumë e lartë në këtë rast ishte mbajtja e maskave mbrojtëse.
Edhe pse ka plane e strategji të miratuara nga institucionet për parandalimin në masë të madhe të ndotjes së ajrit, ato shumë pak janë zbatuar.
Megjithatë masat e ndërmarra për parandalimin e Covid 19 edhe pse ishin të rënda, dukshëm kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë dhe qendrat tjera.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, ka nxjerrë, një mesatare të gjendjes së ajrit të periudhës së katër mujorit të parë të vitit 2019 dhe katër mujorit të parë të vitit 2020. Nga ky krahasim vërehet se ka pasur një përmirësim shumë të madh të cilësisë së ajrit në Kosovë.
Burimet e ndotjes
Gjatë periudhës së dimrit kur ndotja e ajrit arrin në shkallë më të lartë flitet shumë se cilët janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit. Theksohet se ekzistojnë disa ndotës të ajrit por më së shumti përmenden sidomos kur është fjala për Prishtinën si njërin ndër qytetet më të ndotura në Kosovë, prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet Kosova A dhe B, djegia e lëndëve djegëse për ngrohje nga amvisëritë dhe institucionet publike dhe private, komunikacioni në kuadër të të cilit hyjnë automjetet e vjetra si dhe kushtet klimatike.
Ndotja e madhe e ajrit në Prishtinë gjatë muajve të dimrit i ka bërë disa nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë të shohin arsyet se pse ndodh kjo. Në këto raporte theksohet se burime të ndotjes së ajrit nuk janë vetëm ato që përmenden zakonisht.