Prishtinë, 25 Maj 2017
Në Kosovë ekzistojnë dhjetëra inspektorate të cilat janë të obliguar që të bëjnë inspektime të fushave të ndryshme. Numri i inspektorëve vazhdon të mbetet i vogël, përderisa numri i bizneseve dhe institucioneve që ata kanë obligim ligjor t'i inspektojnë ka trend të rritjes ndër vite. Në këtë situatë inspektorët arrijnë të bëjnë pak inspektime, në anën tjetër qytetarët i vuajnë pasojat.
Rreth 61.3% e të rinjve kosovarë të moshës 15-24 vjeç punojnë pa kontratë pune, një pjesë e madhe e tyre nuk paguhen për orë shtesë dhe nuk gëzojnë të drejtat elementare në vendin e punës. Poashtu jemi dëshmitarë të shumë skandaleve në institucionet private shëndetësore ku është ushtruar veprimtari e jashtëligjshme për vite me radhë, vërtetuar edhe me vendime të gjykatës. Degradimi i ambientit që përfshinë shkatërrimin e pyjeve dhe lumenjve është në shkallën më të lartë. Këto e shumë probleme të tjera më rëndësi jetike për qytetarët e vendit janë të rregulluara me ligje, mbikëqyrja dhe zbatimi i të cilave është përgjegjësi e inspektorateve.
Në Kosovë, një numër i konsiderueshëm i inspektorateve janë themeluar gjatë vitit 2006. Pavarësisht që me anë të kompetencave inspektoratet janë në nivel shumë të lartë hierarkik, hulumtimi i Preportr identifikon se inspektoratet nuk kanë dhënë rezultate konkrete në fushën e zbatimit të ligjeve prej themelimit të tyre e deri më tani.
Ngecja kryesore duket se qëndron në mënyrën kaotike të funksionimit dhe organizimit të inspektorateve. Ato janë të shpërndara nëpër institucione të veçanta si ministri, komuna dhe institucione të tjera të pavarura.
Si rrjedhojë edhe llogaridhënia e inspektorateve është e pa koncentruar. Ato përgjithësisht raportojnë në institucionet ku funksionojnë. Shumica e këtyre raporteve janë vetëm për nevoja të brendshme dhe nuk janë publike. Edhe ato që janë publike janë të përfshira në raportet e institucioneve ku funksionojnë e jo të kategorizuara si punë e inspektorateve.
Mungesa e raportimit të punës në media e në disa raste edhe mungesa e punës së inspektorateve ka bërë që qytetarët të dëgjojnë për këto institucione përgjithësisht kur janë të përfshira në afera korruptive, gjë që ka dëmtuar rëndë imazhin e tyre.
Gjatë këtij hulumtimi, Preportr ka gjetur se mediat kanë raportuar për rreth 35 inspektorë të akuzuar nën veprën "Shpërdorim i pozitës zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm", ndër ta tre janë kryeinspektorë të inspektorateve dhe një koordinator rajonal i inspektoratit.
Organizimi jo i mirë i inspektorateve ka vështirësuar edhe identifikimin e numrit dhe llojeve të tyre. Në shumë prej webfaqeve të institucioneve nuk gjenden inspektoratet si sektorë të veçantë. Për të parë se a ka inspektorat për një fushë mund të gjendet vetëm nëse hulumtohet ligji i asaj fushe dhe në të përmendet inspektorati.
Në vitin 2014 Instituti GAP ka publikuar një raport mbi funksionimin e këtyre institucioneve dhe ka identifikuar diku njëzet sosh. Sipas hulumtuesit Visar Rushiti, ekziston një laramani e madhe e organizimit dhe funksionimit të inspektorateve dhe nuk ekziston një trupë e veçantë qendrore që do të mbikëqyrte punën e tyre.
"Diku mund të jenë të organizuara si divizion, diku si departament, diku si inspektorat. P.sh. kryeshefi i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë i raporton sekretarit pastaj përmes tij i raporton ministrit. Diku tjetër inspektorati është si trupë ekzekutive, p.sh. Inspektorati i Punës ku kryeinspektori i jep llogari drejtpërdrejtë ministrit", ka shpjeguar Rushiti.
Sipas Zyrës për Informim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në Kosovë aktualisht janë 36 trupa inspektuese në institucionet qendrore dhe lokale në të gjitha fushë veprimtaritë.
Preportr ka hulumtuar në veçanti Inspektoratin e Punës dhe atë të Shëndetësisë meqenëse janë dy nga inspektoratet më me ndikimin në jetën e qytetarëve. Qëllimi ka qenë që përmes analizimit të punës dhe veprimtarisë se këtyre dy inspektorateve të paraqesim problemet me të cilat ballafaqohen këto inspektorate dhe fushat e tyre, si dhe arsyet e mos funksionimit apo ngecjes në punë të inspektorateve në përgjithësi.
Ligj për inspektimet, jo për inspektoratet
Nuk ekziston ligj i veçantë për inspektoratet, ligj i cili do të vendoste disa parime mbi punën dhe funksionimin e tyre. Ato janë themeluar në bazë të nevojës, disa me vendime, disa me udhëzime administrative dhe të tjerat me ligje. Kjo mënyrë e organizimit nuk po duket të jetë efikase në praktikë. Si pasojë ka lindur nevoja për inicimin e një ligji të veçantë që do të rregullonte bazën ligjore dhe organizimin hierarkik të të gjitha inspektorateve në Kosovë.
Në vitin 2013 Qeveria e Kosovës kishte paraparë në Programin Legjislativ nxjerrjen e këtij ligji, por sipas Zyrës për Informim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk është arritur të procedohet më tej. Si pasojë është duke u përgatitur një projektligj vetëm për inspektimet.
"Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes të Koncept Dokumentit për Projekt Ligjin për Inspektimet, i cili projektligj, do të adresojë në plotëni reformën e sistemit të inspektimeve në vendin tonë përfshirë aspektin ligjor si dhe atë organizativ / strukturor. Ne jemi duke punuar që ky projektligj të finalizohet gjatë vitit 2017 dhe në këtë proces po bashkëpunojmë ngushtë me Bankën Botërore. Kjo reformë e inspektimeve është buxhetuar përmes Ligjit për Buxhetin vjetor 2017", ka thënë kjo zyrë për Preportr.
Sipas tyre, Qeveria e Kosovës është në dijeni të plotë për situatën e tanishme në fushën e inspektimeve dhe kjo është arsyeja kryesore që po fillohet ndërmarrja e një procesi që ata e quajnë reformues.
Mirëpo Visar Rushiti nga Instituti GAP mendon se Ligji për Inspektimet do të merret vetëm me parimet apo punët e inspektimeve por jo me organizimin dhe funksionimin e tyre. Sipas tij ligji për inspektimet nuk duhet të jetë zëvendësim për ligjin për inspektoratet.
"Projektligji për inspektimet është kundërshtuar edhe prej vet Inspektorateve për shkak se ka dispozita të cilat e dëmtojnë punën e Inspektorateve, siç është njoftimi i subjekteve para se të shkojë të inspektojë, gjë që e minon rolin e Inspektoratit. Edhe ne e kemi kundërshtuar këtë ligj dhe kemi propozuar që të ketë një model pak a shumë të ngjashëm me Shqipërinë dhe Kroacinë ku ekziston një ligj dhe trupë e veçantë për të gjitha inspektoratet i cili i menaxhon dhe mbikëqyrë ato", ka thënë Rushiti.
Sipas tij një ligj i tillë do të fuqizonte rolin e inspektorateve, do të rriste përgjegjësinë e tyre dhe do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në ngritjen e nivelit të zbatimit të ligjeve.
INSPEKTORATI I PUNËS
Inspektorati i Punës inspekton vetëm 10 % të bizneseve
Në përditshmëri raportohen raste të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Problemet më të mëdha kanë të bëjnë me ndërtimin e marrëdhënies së punës, përkatësisht puna pa kontrata. Ligji i Punës, ndër të tjera, ka paraparë rregullimin e marrëdhënies së punës ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit në të dyja sektorët, atë publik dhe privat, duke paraparë kështu të drejtat dhe obligimet e palëve në një marrëdhënie pune. Mospajisja e punëtorëve me kontrata krijon pasoja të shumta për punëtorët, duke filluar me pushimin e tyre nga puna pa paralajmërim, moskujdesjen në rast të lëndimeve, mospagesa e pushimit vjetor, mospagesa e orëve shtesë etj.
Sipas të dhënave të nxjerra nga “Anketa e Fuqisë Punëtore”, e cila realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe që është publikuar në fund të muajit janar të këtij viti, 30 për qind e punëtorëve në Kosovë punojnë pa kontrata pune.
“Për të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç, përqindja e atyre që punonin pa kontratë ishte 61.3%. Kur u pyetën nëse kishin të drejtë në punën e tyre kryesore, të përfitimit nga një skemë e sigurimeve sociale në punë, të dhënat nga anketa treguan se vetëm 2.8% e punonjësve e kishin këtë të drejtë”, thuhet ndër të tjera në raport.
Gjithashtu edhe Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) në muajin gusht të vitit 2016 ka bërë një anketim në lidhje me pajisjen e punëtorëve me kontrata të punës në rajonin e Prishtinës. Në sektorin e shërbimeve, tregtisë dhe hotelerisë rezulton se 38.46 për qind e punëtorëve punojnë pa kontrata, ndërsa në sektorin e ndërtimit ka dalë të jetë hiq më pak se 59.76 për qind.
Ky hulumtim tregon se në sektorin e ndërtimtarisë punëtorët punojnë me orar të tejzgjatur. Deri në 50 orë në javë janë deklaruar se punojnë 40.24 për qind e të anketuarve, ndërsa ka të atillë (14.63%) që punojnë deri në 60 orë në javë. Pavarësisht orarit të zgjatur, një pjesë e këtyre punëtorëve kanë deklaruar se nuk paguhen për orët shtesë, 41 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk janë paguar fare për orët shtesë të punës.
Disa nga kontestet e punës trajtohen në gjykatat e Kosovës. Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, rezulton se për konteste të punës deri në vitin 2016 gjykatat e Kosovës kanë pasur 3 mijë e 669 lëndë. Nga ky numër 2 mijë e 488 kanë qenë lëndë të pazgjidhura në fillim, pra që janë trashëguar nga vitet paraprake, ndërsa vetëm në vitin 2016 janë pranuar 1 mijë e 181 lëndë.
Nga numri total prej 3 mijë e 669 lëndë pune, 105 lëndë kanë të bëjnë me pushim nga puna, 732 lëndë janë për kthim në punë, 2398 janë lëndë për dhënie materiale (kompensim material i palës së dëmtuar), dhe 434 lëndë kanë të bëjnë me konteste të tjera të punës. Ndërkaq, vitin 2017 gjykatat e Kosovës e kanë nisur me 2 mijë e 387 lëndë të pazgjidhura të kontesteve të punës.
Të gjitha këto shkelje janë duke ndodhur derisa ekziston Inspektorati i Punës, i cili është trupë ekzekutive dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në Inspektoratin e Punës janë të punësuar 50 inspektorë, të cilët kanë obligim të bëjnë inspektime të rregullta në baza ditore, por edhe inspektime sipas kërkesave. Duke marrë parasysh numrin e vogël të inspektorëve dhe dinamikën e tyre të punës, shumë rrallë këta inspektorë iu trokasin në derë punëdhënësve për t’i inspektuar. Por edhe për ato inspektime që ka bërë ky inspektorat, janë ngritur akuza, pakënaqësi dhe dyshime se ka pasur favorizime të disa punëdhënësve dhe rrjedhimisht vendime jo të drejta të inspektoratit.
Prej vitit 2011 deri në vitin 2016 Inspektorati i Punës ka bërë nga 6 deri në 9 mijë inspektime. Në vitin 2016 ka bërë 7 mijë e 285 inspektime, prej tyre të rregullta kanë qenë 4 mijë e 997, të përsëritura 1 mijë e 717, sipas kërkesës së palëve 456 dhe të përbashkëta 115 inspektime. Pra nëse i shohim të gjitha llojet e inspektimeve rezulton se në numrin total të inspektimeve janë edhe riinspektimet, që do të thotë se inspektorati i punës nuk arrin që të inspektojë në mënyrë të rregullt as 7 mijë punëdhënës.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri në vitin 2016 në Kosovë ishin 87 mijë e 979 biznese aktive. Preportr ka marrë për bazë numrin total të inspektimeve gjatë vitit 2016 dhe ka krahasuar atë me numrin e bizneseve aktive. Nga ky krahasim rezulton se Inspektorati i Punës ka arritur që të inspektojë vetëm 8.2 për qind të bizneseve brenda një viti. Ndërsa mbi 90 për qind e bizneseve mbesin të pa inspektuara. Këto të dhëna janë kalkuluar vetëm për sektorin privat, pasi që inspektorati e ka obligim që të bëjë inspektime edhe në institucionet publike të Kosovës.
Nëse marrim për bazë vetëm sektorin privat, një inspektor i punës brenda një viti duhet që të inspektojë hiq më pak se 1 mijë e 759 biznese. Ndërsa sipas të dhënave të vitit 2016, një inspektor i punës ka arritur që brenda vitit të inspektojë vetëm 145 biznese. Në bazë të këtyre të dhënave i bie që për t’u inspektuar të gjitha bizneset, një inspektori i duhen plotë 12 vjet.
Ndërkaq, nga numri total i inspektimeve që janë bërë në vitin 2016 nga inspektorati i Punës, janë gjetur 1340 punëtorë pa kontrata. Gjithashtu gjatë këtyre inspektimeve janë dhënë 855 vërejtje dhe 128 gjoba për punëdhënësit. Edhe këto të dhëna tregojnë se ka shkelje të shumta të të drejtave të punëtorëve, ndërsa nëse numri i inspektimeve do të ishte më i madh, me gjasë shkelje të tilla do të evidentoheshin edhe më shumë.
Kryeinspektori i inspektoratit të punës Basri Ibrahimi ka thënë për Preportr se ka shkelje të ndryshme të Ligjit të Punës dhe se shkeljet më të shpeshta kanë të bëjnë me punën pa kontrata, puna gjatë natës, gjatë festave zyrtare etj. Ai thotë se pavarësisht numrit të vogël të inspektorëve në vitet e fundit zbatimi i Ligjit të Punës ka shënuar progres. Sipas tij, inspektoratit i duhen rreth 130 inspektorë për të pasur më shumë efekt në zbatimin e Ligjit të Punës.
“Një inspektim në ditë për një inspektor është e mjaftueshme, por edhe kjo është problem të mbërrihet sepse janë shumë procedura që duhet të ndiqen për të realizuar një inspektim. Përveç sektorit privat, edhe sektori publik na merr shumë kohë, pasi që ka edhe më shumë procedura. Më shumë na merr kohë trajtimi i një kërkese të sektorit publik se sa e atij privat”, thotë Ibrahimi.
Inspektorati i Punës në metodologjinë e punës e ka primare siç thonë edukimin dhe jo ndëshkimin. Kur tek punëdhënësit evidentohen shkelje të të drejtave të punëtorëve, fillimisht i shqiptohet vërejtje dhe i jepet një afat i shkurtër kohor për të përmirësuar ato vërejtje. Pra punëdhënësit i jepet gjithmonë mundësia e dytë. Por duke marrë parasysh numrin e vogël të inspektorëve dhe rrjedhimisht të inspektimeve, kjo masë mund të mos jetë e efektshme, pasi që punëdhënësit e presin fillimisht vërejtjen e parë. Kjo metodë pak mund të jep efekt, kur kemi parasysh që inspektorati arrin t’i inspektojë vetëm rreth 10 % të punëdhënësve në vit. Pra punëdhënësit tjerë që ende nuk janë inspektuar nuk ndihen direkt të rrezikuar në rast të mosrespektimit të ligjit, pasi që fillimisht e dinë që atyre iu jepet vetëm një vërejtje, por nëse nuk janë inspektuar, potencialisht mund të vazhdojnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve.
“Ka vite që ne jemi duke e trajtuar këtë çështje. Kemi provuar mënyra të ndryshme të inspektimit, por kemi ardhur në përfundim se kjo është metoda më e mirë. Ne mendojmë që vetëm sanksioni nuk është i duhuri, punëdhënësit duhet të na shohin si partner, e jo si aparat të ndëshkimit”, thotë kryeinspektori Ibrahimi.
Inspektorët nuk i trajtojnë rastet si duhet
Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) bën monitorimin e Ligjit të Punës që nga viti 2011. Milaim Morina nga kjo organizatë thotë se gjatë tërë këtyre viteve monitorim, kanë ardhur në përfundim se Inspektorati i Punës nuk është efikas sa duhet në inspektimin e punëdhënësve.
“Ajo që neve na ka shqetësuar ka qenë edhe metodologjia e inspektimeve, se si inspektorati i targeton ato biznese që ka për t’i inspektuar. Kjo ka rëndësi për faktin se ka biznese që janë inspektuar deri në tri herë brenda një viti, ndërsa ka biznese të mëdha që nuk janë inspektuar asnjëherë deri në katër vite. Ne kemi kërkuar që të kemi qasje në listën e bizneseve që janë inspektuar, por nuk na është lejuar qasje”, thotë Morina.
Ndërkaq Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë, ka thënë për Preportr se gjatë punës që e bëjnë në terren evidentojnë shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe këto raste i dërgojnë në inspektorat, por thotë se ky institucion nuk ndërmerr asgjë për këto raste.
“Kemi fakte kur ne si sindikatë kemi shkuar të një kompani dhe e kemi gjetur kompaninë pa asnjë kontratë të punës. I kemi tërhequr vërejtjen që t’i bëjë kontratat e punës brenda dy javëve, prapë nuk i ka bërë kontratat, sepse e ka mbështet inspektori. Ne kur i kemi thënë se të nesërmen do të ju publikojmë në media, vet inspektori i punës bashkë me pronarin e kompanisë kanë punuar tërë natën dhe ua kanë bërë të nesërmen kontratat e punës”, thotë Azemi.
Ai thotë se derisa ka shumë punëtorë pa kontrata dhe iu shkelen përditë të drejtat, pse duhet të ekzistojë Inspektorati i Punës, duke shtuar se gjendja më e keqe në këtë drejtim është në sektorin e ndërtimtarisë dhe në sektorin e shërbimeve teknike.
Në lidhje me këtë çështje kryeinspektori Basri Ibrahimi thotë se nuk ka sindikatë të organizuar të sektorit privat fare dhe se deklarata të tilla po bëhen në mënyrë të pabazuar.
Por as Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) nuk ka pasur përvoja të mira me Inspektoratin e Punës. Shkëlqim Hysenaj kryetar i AGK-së thotë se vetëm në vitin 2016 janë dërguar 10 raste të gazetarëve në inspektorat, lidhur me shkeljet e të drejtave të punës.