Prishtinë, 27 Mars 2014
Para disa viteve, në Radio Televizionin e Kosovës qe raportuar për një UFO që pati “aderuar” në fshatin Babush të Lipjanit. Raporti tregonte se si një “Besharet” i çuditshëm që herë dukej si një “dhi që fluturonte”, e herë shndërrohej në “kalë me krahë”. Gjëja e çuditshme, në atë mot të hallakatur, për gjysmë ore ishte shkarravitur në pronën e Abedinit Ratkocerit, ku si dëshmi për këtë “fakt” tregohej bari i rrëzuar. Pasi ishte ndrequr koha, “Beshareti” kishte fluturuar në qiell. Por në tokë, gjëja e çuditshme i kishte mundësuar Abedinit të bëhej yll televiziv. Ky dëshmitar i kësaj ngjarje të pazakontë, që bëri jo pak bujë në opinionin kosovar, por edhe me gjerë, u bë i njohur sërish. Ai u burgos në korrik të vitit 2012 pasi që kishte mashtruar dy gra nga Malisheva. Ai ua mori atyre një kilogram dukat për t’ua hequr sehiret që i kishin kapluar.
Ky lajm sensacional i transmetuar në qershor të vitit 2004, tashmë është vetëm pjesë e kujtimeve të njerëzve dhe mund të gjendet si informacion vetëm në disa forume në internet, kjo pasi që ky raport është shkatërruar nga zjarri që kaploi RTK-në në tetor të vitit 2012, ku arkiva e viteve 1999-2004, u dogj plotësisht. Eksperti Ruzhdi Sefa, që konstatoi se zjarri ishte shkaktuar paqëllimshëm, sot akuzohet për dyshimet për mitmarrje dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Autori dhe redaktori i këtij raporti sot drejtojnë Radio Televizionin e Kosovës, Mentor Shala, i njohur si përkrahës i paepur i partisë në pushtet, PDK-së, tani mban pozitën e drejtorit gjeneral në RTK, përderisa Mufail Limani, atëbotë redaktor, sot është drejtor i televizionit. Ardhja e këtyre dy “gazetarëve profesionistë” në krye të RTK-së, e ka shndërruar televizioni publik në një vegël në dorë të PDK-së. Që nga ardhja e Mentor Shalës në krye të RTK-së, në janar të 2013, pozitat drejtuese në këtë medium publik kontrollohen nga njerëz të afërt ose familjarë të PDK-së.
Mentor Shala në kohën kur ishte redaktor përgjegjës në RTK dhe kryetar i AGPK-së, bashkë me Mufail Limanin ishin bashkëthemelues dhe anëtarë të OJQ-ve “Integrimet Plus” dhe “Initiative for Pragmatic Action”. Përmes këtyre OJQ-ve, ata patën marrë fonde nga Qeveria e Kosovës, veprim ky që shkelë legjislacionin kundër korrupsionit në Kosovë dhe shkakton konflikt të interesit. Gjithashtu marrja e këtyre donacioneve tregon për lidhjet e tyre të forta në qeveri dhe ndikimin e qeverisë në RTK.
Këto donacione i janë dhënë atyre nga Qeveria e Kosovës përmes procedurave ekskluzive, duke marrë parasysh se qeveria nuk ka pasur fond të veçantë për OJQ-të. Rrjedhimisht, nuk ka pasur asnjë procedurë konkurruese në lidhje me përfitimin e këtij donacioni.
Në lidhje me këtë çështje, në janar të vitit 2010 organizata ÇOHU! ka informuar Prokurorinë Speciale të Kosovës, por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.
Punësimet dhe avancimet pas ardhjes së Shalës në krye të RTK-së
Disa javë pasi që Mentor Shala është zgjedhur drejtor i RTK-së, është punësuar Mustafë Mustafa, një njeri i afërt me PDK-në, në pozitën e udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta në RTK. Kjo pozitë i mundëson Mustafës kontroll mbi administratën dhe financat në RTK. Mustafa, është vëllai i Remzi Mustafës, uzurpatorit të një lokalit të Odës Ekonomike të Kosovës i njohur zi “Zanzi Bar ”, lokal i ndejave të natës prej nga në vitin 2009, PDK kumtoi prishjen e koalicionit me LDK-në. Mustafë Mustafa është vëllai i Agron Mustafës, i cili qe ëmëruar pa konkurs si Aeroportit të Prishtinës dhe anëtar i PDK-së. Pozita e rëndësishme që mban Mustafa në RTK i ka mundësuar atij që të ketë ndikim edhe në punësimin e familjarëve të tij. Remzi Mustafa, vëllai i Mustafë Mustafës është i punësuar si shofer në Radio Kosovë, përderisa daja i tyre, Mahmut Rexhepi, punon si zyrtar për marketing si dhe është anëtar i Sindikatës së RTK-së.
Ndikim në punësime në RTK, që nga ardhja e Mentor Shalës në krye të RTK-së, kanë shfaqur edhe familja e kryeministrit Hashim Thaçi si dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt që janë në kryeministri.
Në dy konkurset e fundit në RTK janë punësuar kunata (motra e gruas) e kryeministrit Thaçi, Nerxhivane Gërxhaliu si dhe kunata (motra e gruas) e Gani Thaçit (vëllai i Hashim Thaçit), Kaltrina Gashi.
Nerxhivane Gërxhaliu fillimisht ishte punësuar në administratë, ndërsa vetëm pas dy muajsh pune ajo është dërguar në skemën programore, dhe rrjedhimisht duke iu rritur edhe koeficienti i rrogës.
Ndërsa, Arian Sahiti, nga organizator në studio, është zgjedhur drejtor i marketingut, pa pasur përvojë në këtë fushë për këtë post. Ariani është mik i Abelard Tahirit, i cili është shef i kabinetit i kryeministrit Thaçi. Ndërsa Ermal Rexha, vëllai gruas se Bekim Çollaku (i cili është këshilltari më i afërt i kryeministrit Thaçi), është avancuar për një kohë të shpejt nga gazetar, në redaktor i lajmeve.
Gjithashtu, gruaja e Shpresim Ukës, Mirvete Uka është avancuar nga prezantuese e lajmeve në redaktore. Mirvetja është mbesa e Azem Sylës.
Edhe motra e deputetit Bekim Haxhiu (i njohur si Kamishi), Sabrie Haxhiu, është avancuar në redaktore në Radio Kosovë.
Por punësimet nuk i kanë lënë anash as deputet e deputete të opozitës. Burri i deputetes dhe anëtares së Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës, Teuta Haxhiut, Islam Haxhiu është korrespondent nga Gjakova dhe pothuaj në çdo edicion të lajmeve qendrore e ka të paktën një raport nga Komuna e Gjakovës. Po ashtu, Fetah Ferati, shoferi i dikurshëm i Sadri Ferati, tashmë është i punësuar në RTK si shofer. Të dy këta deputetë janë anëtarë të Komisionit për media në Kuvendin e Kosovës.
Së fundi edhe Ardita Maxharraj, që është gruaja këshilltarit në Agjencinë Kundër Korrupsionit Fadil Miftari, është punësuar në RTK.
Në konkursin për kryeredaktor të portalit të RTK-së Altin Ahmeti është zgjedhur në këtë pozitë. Ai para se të vinte në këtë pozitë, ishte zëdhënës në Aeroportin e Prishtinës, ku Agron Mustafa , anëtar i PDK-së dhe vëllai i Mustafë Mustafës, qe emëruar drejtor pa një konkurs publik. Mustafë Mustafa ka zënë vend edhe në komisionin intervistues dhe vlerësues për punësimet në RTK, ndërsa asnjë anëtar i sindikatës nuk ishte i ftuar për të qenë pjesë e këtij konkursi.
Ndërsa, pas pensionimit të Mehdi Këpuskës që ishte udhëheqës i tv-teknikes, ne vend te tij është punësuar Adnan Fejza. Adnani është vëllai i gruas së Gazmend Elshanit, i cili ka qenë kameraman në RTK dhe pronar i produksionit “Promedia” dhe ka bërë realizmin teknik të dy serialeve në RTK, “Kafeneja Jonë” dhe “Qyteti pa Lum”.
U degraduan kur i kishin lënë pa kontrata
Ergyn Dobërqani është njëri nga punëtorët që është degraduar pa iu thënë ndonjë arsye. Ai ka thënë për Preportr se me ardhjen e menaxhmentit të ri është larguar nga pozita e tij që kishte si udhëheqës i tv-produksioneve, ndërsa tani është si regjisor. Dobërçani thotë se as nuk ia kanë thënë arsyen konkrete se pse po e degradojnë dhe se për këtë është njoftuar të premten rreth mesnatës.
Më 16 qershor rreth orës 23 ishte ditë e premte më erdhi një e-mail dhe u njoftova që prej të hënës nuk do të jem në pozitën e udhëheqësit, dhe se nuk dihet se ku do të jem në të ardhmen
Ergyn Dobërçani
“Më 16 qershor rreth orës 23 ishte ditë e premte më erdhi një e-mail dhe u njoftova që prej të hënës nuk do të jem në pozitën e udhëheqësit, dhe se nuk dihet se ku do të jem në të ardhmen. ”, thotë Dobërçani.
Nga dokumentet që Preportr ka parë, shihet se nga vlerësimet e menaxhmentit nuk është folur ndonjëherë për përformancë të dobët të Dobërçanit madje në këtë aspekt ai ishte vlerësuar shumë mirë nga disa referenca të ndryshme më herët.
Në vend të Dobërçanit është emëruar Petrit Basholli, i cili ka qenë realizator dhe regjisor. Ai është emëruar pa pasur konkurs fare. Basholli nuk ka përvojë menaxheriale në këtë fushë, por çuditërisht Mufail Limani ka konsideruar që ai i plotëson kriteret profesionale në mënyrë që ai të arrijë synimet e tij.
Dobërçani thotë se degradimi i tij është bërë në kohën kur ai nuk ka pasur kontratë pune, gjë që ia kanë bërë më të lehta veprimet menaxhmentit të RTK-së.
“Kontratat e punëtorëve të RTK-së kryesisht kanë qenë deri më 31 mars 2013, ndërsa kontratat e reja të punës na u kanë hyrë në fuqi me 1 korrik 2013. Edhe pse për këtë është informuar edhe inspektorati që punëtorët e RTK-së nuk kanë kontrata dhe i marrin rrogat me rregull”, ka thënë Dobërçani.
Vetë i 12-ti
Mentor Shala ka dy zëvendësdrejtorë, Elvana Prekazin, dhe Anamari Repiq. Por përveç tyre ai ka edhe dhjetë këshilltarë tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë më herët në krye të RTK-së.
Sylejman Shaqiri - ish drejtor i RTK-së
Bujar Spahiu - ish-drejtor i financave
Bekim Hasani - ish-drejtor i televizionit
Fisnik Dërguti – ish gazetar i RTK-së
Naser Gjinovci - mik i ngushtë i Mufail Limanit
Xhevdet Sfarça, ish-këshilltar në Ministrinë e Diasporës dhe ish-gazetar në Rtv21
Bekim Shehu, Besnik Zaberxha, Rona Nishliu dhe Mehdi Kepuska.
Në këtë periudhë kohore, kur punëtorët nuk kanë pasur kontrata janë degraduar edhe disa punëtorë të tjerë të RTK-së. Një pjesë e madhe e tyre lajmin për degradim e kanë marrë në mënyrën e njëjtë, të premten rreth mesnatës .
Këto metoda kanë mbajtur në presion të vazhdueshëm punëtorët e RTK-së ku sipas të të intervistuarve atmosfera ishte thjesht pritje se cili është në radhë dhe se a do t’iu vijnë në këtë kohë një e-mail që i degradon nga pozita e tyre, apo edhe të largohen nga puna. Njëri nga të larguarit nga puna Shkëlqim Latifaj ka bërë padi kundër RTK-së pasi që e kanë suspenduar fillimisht e me ardhjen e Mentor Shalës në krye të RTK-së është larguar nga puna. Shkëlqimi, zyrtar i pasurisë në RTK, nuk ka dashur të flasë për detajet e largimit për të mos ndikuar në procesin gjyqësor.
Menaxhmenti i RTK-së jotransparent
Preportr ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike në RTK, për të parë listën e punëtorëve si dhe listën e këshilltarëve të drejtorit gjeneral, në kontratat e projekteve që i ka transmetuar si produkte të jashtme dhe raportin e ekspertizës mbi djegien e arkivave të RTK-së. Por nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga menaxhmenti i RTK-së. Edhe përkundër pritjes për më shumë se dhjetë ditë dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të kontaktuar Mentor Shalën dhe Mufail Limanin për të biseduar për këto çështje, ata i kanë ikur çdo lloj kontakti, duke mos iu përgjigjur asnjë e-maili, asnjë telefonate, asnjë mesazhi dhe asnjë kërkese për takim që është lënë disa herë tek asistentja e Mentor Shalës.
Në shtator tek zoti Shala ka ndërmjetësuar një ministër i cili edhe e ka sjellë në postin e drejtorit të RTK, dhe ai i ka premtuar se do të ma vazhdojë kontratën
Fahri Musliu, korrespondent nga Beogradi
Korrospondenti nga Beogradi, Fahri Musliu thotë se i është dashur të kontaktojë me një ministër të qeverisë për të arritur tek drejtori Mentor Shala, i cili e injornonte atë dhe kërkesën e tij për vazhdimin e bashkëpunimit. “Në shtator tek zoti Shala ka ndërmjetësuar një ministër i cili edhe e ka sjellë në postin e drejtorit të RTK, dhe ai i ka premtuar se do të ma vazhdojë kontratën”, është shprehur Musliu.