English
Scroll top

Dilemat e rivitalizimit të Kosovës A

Planifikimi i Qeverisë së Kosovës për të investuar në rehabilitimin e termocentralit Kosova A, për furnizim aktual, por edhe si investim strategjik rezervë, po konsiderohet si vendim jo i duhur për shkak të vjetërsisë së këtij termocentrali dhe ndotjes që shkakton. Në anën tjetër ky termocentral prodhon 35% të konsumit vendor të energjisë elektrike dhe aktualisht është i domosdoshëm. Zgjidhje e qëndrueshme mbetet energjia e ripërtëritshme

Prishtinë, 05 Shkurt 2024

Burimi kryesor i energjisë elektrike në Kosovë janë termocentralet Kosova A dhe Kosova B, të cilat prodhimin e realizojnë përmes djegies së qymyrit. Sipas raportit vjetor për vitin 2022 të Zyrës së Rregullatorit për Energji, kapaciteti total operativ i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë është 1,236 MW, prej të cilit 960 MW apo 77.7% janë nga dy termocentralet dhe pjesa tjetër janë hidrocentralet dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Kosova A është ndërtuar në vitin 1962, ndërkaq Kosova B në vitin 1983. Vjetërsia e tyre ka shkaktuar debat në vitet e fundit se si duhet vepruar me këto dy termocentrale, e veçanërisht me Kosovën A. Dilemat kryesore të çfarëdo vendimi ndërlidhen me faktin se aktualisht këto dy termocentrale janë jetike për furnizimin e vendit me energji elektrike, ndërkaq në anën tjetër janë ndotës të mëdhenj të mjedisit si dhe pësojnë avari kohë pas kohe, e rrjedhimisht jostabilitet energjetik.

Shiko Gazetën #B34

Përtej kësaj, Kosova ka nënshkruar Deklaratën e Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e kjo do të thotë se deri në vitin 2050 Kosova nuk duhet të prodhojë energji elektrike nga djegiet fosile. Edhe vizioni i qeverisë aktuale është që të zhvillojë një sektor energjetik pa emetim të dyoksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2050.

Debatin rreth Kosovës A e ndezi edhe më shumë Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, të cilën Kuvendi e miratoi më 8 mars 2023. Në këtë strategji thuhet se vizioni i qeverisë është që të zhvillojë një sektor energjetik pa emetim të dyoksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2050, të integruar në tregun Pan-Evropian, duke garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe të përballueshme për qytetarët.

“Strategjia e Energjisë nuk parasheh një impiant të ri linjiti. Kjo Strategji parasheh një rritje dinamike të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, kryesisht në teknologjinë e erës dhe atë fotovoltaike, të mbështetura me ankandet e burimeve të ripërtëritshme dhe investimet publike, si dhe pjesëmarrjen aktive të konsumatorëve në këtë proces”, thuhet ndër të tjera në strategji.

Në këtë strategji fokusi kryesor është tek energjia e ripërtëritshme, por diskutimi dhe dilema më e madhe siç duket është planifikimi i investimit në termocentralin Kosova A, përkatësisht rehabilitimi i njërës nga njësitë e këtij termocentrali për të siguruar kapacitet prej së paku 540 MW për ngarkesë bazë dhe 360 MW kapacitet si rezervë strategjike deri në vitin 2030.

Sipas strategjisë, njëra nga njësitë e termocentralit Kosova A do të rinovohet deri në fund të vitit 2024, ndërsa vendimi për rinovim ose mbyllje të njësisë së dytë do të merret më së voni më 2024.

“Njësia e rinovuar e termocentralit Kosova A do të punojë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo njësi do të jetë në dispozicion në sezonin e ngrohjes (dimrit) kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë, pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, thuhet në strategji.

Lidhur me këtë çështje, nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë thënë për Preportr se e kanë një plan rindërtimi të njësisë A3 të termocentralit Kosova A, ku vlera e parashikuar e kostos është 100-150 milionë euro.

“Objektivi i KEK-ut është që këtë vit të përgatitet dokumentacioni teknik i cili përfshinë edhe pjesën administrative/ligjore si dhe përgatitjen e dokumentacionit për tenderim. Do të analizohen cili variant i kaldajës së avullit, turbinës dhe gjeneratorit së bashku me sallën e makinerisë do të jenë më të përshtatshme për t’i instaluar/modernizuar në këtë njësi gjeneruese”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Kundërshtimet e rivitalizimit

Planifikimi për të investuar në rehabilitimin e Kosovës A nuk konsiderohet veprim i duhur nga njohësit e fushës së energjisë dhe të mjedisit si dhe nga organizatat joqeveritare që merren me këtë fushë. Kjo për shkak të vjetërsisë dhe ndotjes së madhe që shkakton ky termocentral.

Për të parë se sa është niveli i ndotjes që shkaktohet nga termocentrali Kosova A, Preportr ka marrë të dhëna nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), për ndotësit SO2 (dyoksidi i sulfurit), NOx (oksidet e azotit) dhe pluhurin total për Termocentralin Kosova A. Sipas të dhënave, blloku A3, A4 dhe A5 gjatë vitit 2021 kanë emetuar 6 mijë e 277 ton pluhur me dyoksid të sulfurit, ndërsa për vitin 2022 janë emetuar 5 mijë e 618 ton SO2.

Ndërkaq, sa i përket emetimit nga oksidet e azotit, për vitin 2022 këto blloqe kanë emetuar afër 7 mijë ton okside të azotit.

Pluhuri total që paraqet sasinë totale vjetore të pluhurit të emetuar nga termocentralet përkatëse, ku përfshihen grimcat e imëta të pluhurit PM2.5 dhe PM10. Numri më i lartë i pluhurit total për blloqet A3, A4 dhe A5 ka qenë gjatë vitit 2023 me 6 mijë e 364 ton, ndërsa në vitin 2021 emetimet kanë qenë dukshëm më të ulëta.

Luan Shllaku, njohës i fushës së energjisë dhe mjedisit thotë se nuk duhet të investohet në renovimin e termocentralit Kosova A, për shkak se ka një teknologji të stërvjetëruar, si dhe për shkak të pozitës gjeografike që ka ky termocentral dhe dëmeve të shumta mjedisore e shëndetësore që shkakton në lokacionet që i ka në afërsi.

Shllaku duke u bazuar në disa eksperimente që janë bërë me grupe krahasuese në qytetin e Obiliqit dhe në qytete tjera të Kosovës, si Peja dhe Gjakova, thotë se 7 deri 9 % e rasteve kërkojnë mjekim për shkak të sëmundjeve të frymëmarrjes apo sëmundje tjera virale apo bakteriale, e që është normale për një shifër të tillë, ndërsa në qytetin e Obiliqit numri i atyre që kërkojnë kujdes mjekësor për sëmundje të frymëmarrjes është 29%.

“Pra, 29% e rasteve që shkojnë në ambulanten në Obiliq, punëtorë, familjarë apo edhe ata që jetojnë në atë pjesë rreth Obiliqit, ankohen për sëmundje respiratorike që vijnë drejtpërdrejt nga ndotësitë dhe pluhuri që del nga Kosova A”, thotë Shllaku.

Sipas tij, brenda territorit që është nën ndikimin të termocentraleve të Kosovës A dhe B, jetojnë rreth 900 mijë banorë në zonën e parë të ndikimit dhe gjithë këta banorë janë plotësisht të ndikuar negativisht nga ndotësit të cilët dalin nga termocentralet që vijnë me djegie të qymyrit.

Ai thotë se fakti që dihen këto informata dhe me këmbëngulje duam që aty duhet me gërrye dhe të digjet qymyr me teknologji shumë të vjetra, atëherë ne nuk jemi duke menduar në mënyrën më të drejtë për qytetarët.

“Nuk mundet Kosova A asnjëherë me ardh në parametra të pranueshëm ambiental për një vend normal evropian, me çfarëdo investimi të madh ashtu siç e parasheh edhe qeveria me strategji, sepse ‘një plakë nuk mund ta bësh nuse’ me çfarëdo “makeup” që përdoret”, ka thënë Shllaku.

“Investim i paarsyeshëm”

Fjolla Qorri nga organizata “Balkan Green Foundation” e cila merret me fushën e mjedisit thotë se e kanë përcjellë me shqetësim këtë vendim të qeverisë, përkatësisht strategjinë, për shkak se kostoja totale e këtij rehabilitimi është rreth 240 milionë euro. Sipas saj, çdo investim që bëhet për rehabilitimin e termocentralit Kosova A, është një hap prapa dhe është një investim në të kaluarën dhe nuk është një investim drejt një tranzicioni të gjelbër.

Ajo thotë se në ditët e sotme kur Bashkimi Evropian dhe bota po orientohet drejt një tranzicioni të gjelbër dhe drejt një energjie të pastër, shtrohet pyetja se kush do ta financojë këtë lloj rehabilitimi.

“Përveç kësaj pyetje, e kemi edhe dilemën se 240 milionë euro është një shumë tejet e madhe dhe është ekonomikisht e pajustifikueshme për t’u investuar në një termocentral kaq të vjetër”, thotë Qorri.

play

Planifikimi i Qeverisë së Kosovës për të investuar në rehabilitimin e termocentralit Kosova A, për furnizim aktual, por edhe si investim strategjik rezervë, po konsiderohet si vendim jo i duhur për shkak të vjetërsisë së këtij termocentrali dhe ndotjes që shkakton. Çka thonë ekspertët e fushës për këtë çështje?

Ajo ka thënë se në këtë kosto shtohet edhe taksa e karbonit që do fillojë të implementohet gradualisht në vitin 2027 si dhe koston oportune që këto fonde do të mund të dërgohen për një zhvillim drejt një tranzicioni të gjelbër dhe të drejtë.

Sipas saj, rehabilitimi i termocentralit Kosova A, është menduar të lidhet me sigurinë e stabilitetit energjetik në Kosovë, por që gjatë krizave me energji elektrike, ky termocentral nuk ka pasur një stabilitet të tillë, për këtë arsye investimin në këtë termocentral ajo e konsideron jo të duhur.

“Në mes të korrikut (2023) kemi pasur ndërprerje me energji eklektike për shkak se njësia A5 ka qenë jashtë funksionit dhe është dashur të importojmë energji elektrike me një çmim tejet të lartë, shkaku që nuk kemi mundur të llogarisim në njësitë e termocentralit Kosova A. Për këtë dhe për shumë arsye tjetra, një investim në një termocentral kaq të pasigurt për hirë të sigurisë energjetike nuk është një investim logjik apo i arsyeshëm”, theksoi Qorri.

Pasojat shumëdimensionale

Raportit më i fundit mbi cilësinë ajrit në Evropë nga Agjencia Evropiane e Mjedisit renditë Kosovën si vendin me cilësinë e tretë më të keqe të ajrit në Evropë. Çdo raport për cilësinë e ajrit në Kosovë, që nga raportet vjetore për gjendjen e mjedisit në Kosovë, deri te raporti ‘Kosovë më e shëndetshme’ nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i përcakton termocentralet si burim kryesor të ndotjes së ajrit.

Sipas raportit “Përmbaju ose mbyll” të vitit 2021 nga Rrjeti i “Bankwatch” për Evropën Qendrore dhe Lindore, raport ky që paraqet shkeljen e ligjeve të ndotjes së ajrit nga termocentralet e qymyrit në Ballkanin Perëndimor, dy termocentralet e Kosovës dhe tejkalimi i emetimeve të tyre ishin fajtorë për më shumë se 2,600 ditë të simptomave të astmës te fëmijët astmatikë në vitin 2020.

“Ndikimet e tjera shëndetësore përfshinin 267 raste të bronkitit tek fëmijët për shkak të ekspozimit ndaj niveleve të larta të PM10, mbi 70 pranime në spital të pacientëve me probleme kardiovaskulare dhe respiratore për shkak të PM2.5 dhe 64 raste të bronkitit kronik vetëm tek të rriturit për shkak të PM10. Vdekshmëria, me rreth 129 vdekje, ishte ndikimi me kostot më të larta - 209 milionë euro. Humbja e produktivitetit për shkak të ditëve me aktivitet të kufizuar dhe ditëve të punës të humbura për shkak të pushimit mjekësor arriti në 6.4 milionë euro”, thuhet në raport.

Gjithashtu edhe koalicioni i OJQ-ve “Aleanca e Shëndetit dhe Mjedisit”, e cila përbëhet nga 70 organizata, në vitin 2016 ka publikuar një raport lidhur me ndikimin e termocentraleve në shëndetin e njeriut.

Në raportin e kësaj organizate "Fatura e papaguar shëndetësore – si na sëmurin termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor", për Kosovën thuhet se dy termocentralet ekzistuese me qymyr krijojnë kosto të mëdha shëndetësore, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe atyre të rajonit.

Sipas raportit, për shkak të ndotjes së ajrit nga termocentralet me qymyr në Kosovë shkaktohen rreth 370 vdekje të parakohshme në vit.

Raporti thekson se termocentralet me qymyr emetojnë me mijëra ton agjentë ndotës të ajrit çdo vit, duke sjellë një kontribut të konsiderueshëm në ndotjen e ajrit në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

“Termocentralet ekzistuese në Kosovë shkaktojnë prej 70 deri në 169 milionë euro në vit kosto shëndetësore për banorët dhe qeveritë në rajon. Për shkak të distancës së madhe të udhëtimit të ndotësve në ajër, termocentralet në Kosovë i krijojnë Evropës një kosto totale shëndetësore prej 144 deri 352 milionë euro në vit”, thuhet në raport.

A ka zgjidhje tjera?

Nga e gjithë ajo që u elaborua më lart, situata duket të jetë delikate. Në njërën anë Kosova ka nevojë për prodhim të energjisë dhe se nuk ka kapacitete tjera në dispozicion, ndërkaq në anën tjetër pasojat mjedisore janë të mëdha.

Vetëm termocentrali Kosova A mbulon rreth 35% të konsumit vendor me prodhim vjetor të energjisë elektrike. Ani pse pa këtë termocentral një pjesë e Kosovës nuk do të ishte e furnizuar me energji elektrike, vjetërsia e këtij termocentrali ka pasoja të shumta dhe të ndryshme.

Duke marrë parasysh këtë situatë, profesori i fushës së energjetikës Agron Dida mendon se e vetmja zgjidhje aktuale është që të investohet në termocentralet që i kemi, derisa të bëjmë një zgjidhje që për gjenerim të energjisë të përdorim energjinë e ripërtëritshme. Ai gjithashtu mendon se është një përparësi nëse kemi termocentrale si rezervë, e që në ndonjë krizë eventuale mund të përdoren.

“Termocentralet e vjetra nuk mundemi me i mbyllë tash, sepse nuk kemi nga të marrim energji. Ky koncept ka dominuar në lojërat politike që janë bërë më herët, duke thënë se ne importojmë energji, mirëpo ky është një treg i ashpër dhe nuk mundesh me importu energji kur të kesh qejf. Prandaj, duhet të përdorim termocentralet e vjetra, derisa të bëhet një zgjidhje e re”, thotë ai.

Dida thotë se Kosova duhet të fillojë të punojë në zgjerimin e përdorimit të energjive të ripërtëritshme e që janë energjia diellore, energjia me erë si dhe ndërtimi i hidrocentraleve.

Ai thotë se ka bërë dy hulumtime lidhur me potencialin e energjisë diellore dhe të erës në Kosovë, dhe nga këto hulumtime ka rezultuar se Kosova ka më së shumti potencial për të prodhuar energji me anë të diellit.

Termocentralet e vjetra nuk mundemi me i mbyllë tash, sepse nuk kemi nga të marrim energji. Prandaj, duhet të përdorim termocentralet e vjetra, derisa të bëhet një zgjidhje e re.

Agron Dida, profesori i fushës së energjetikës

Profesori Dida thotë se hulumtimet i ka bërë duke u mbështetur në të dhënat e Agjencisë për Energji të Ripërtëritshme që është në Milano, e cila është e Komisionit Evropian, pasi që aty ka shënime me harta të radiacionit d.m.th. të rrezatimit të diellit në krejt Evropën.

“Në bazë të atyre shënimeve që janë shumë të sakta, kam bërë llogaritjet e nevojshme për me pa se sa ka potencial investimi në Kosovë dhe del një fakt që më i arsyeshëm është investimi në Kosovë se sa në Gjermani, për arsyeje se jemi më në jug dhe Kosova është një rrafshnaltë që ka shumë ditë të diellit, të gjitha këto shënime janë të sakta të verifikuara dhe me shifra”, u shpreh Dida.

Sa i përket energjisë me erë ai thotë se qëndrojmë më dobët, sepse në përgjithësi Kosova nuk është vend i përshtatshëm që të prodhohet energjia përmes erës. Ai propozon që qeveria të implementojë legjislaturë që u ofron licenca ofertuesve të energjisë solare, që të prodhojnë energji.

“Përmes këtij legjislacioni të bëhen ankande për ofertuesit e energjisë solare që t’u jepet licenca për operim. Pra, duhet të bëhet çmos që të kapin tempin dhe të zhvillohen segmente tjera të infrastrukturës ligjore që do të mbështesin energjinë nga prodhuesit individual si shembull shtëpia ime apo shtëpitë tjera”, thotë Dida.

Gazi si alternativë

Luan Shllaku thotë se për të zëvendësuar termocentralet me qymyr, Kosova duhet të marrë dy drejtime: Njërin duke bërë kombinim të energjisë, duke futur burime alternative siç janë burimet diellore, erërat dhe ujërat, dhe drejtimi tjetër është gazi. Ai thotë se në rrethanat në të cilat është Kosova, kombinimi i energjisë është i domosdoshëm.

Sa i përket gazit, ai thotë se ose duhet ta prodhojmë vet siç ka bërë Kosova në vitet e 1970 - 1989, ose ta marrim gazin nga rrjetet rajonale.

“Gazi i cili na u ofrua nëpërmjet portit të Aleksandropolus, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut deri në Prishtinë dhe në anën tjetër të presim gjithsesi në atë moment kur gazi i cili momentalisht vjen në Shqipëri i ashtuquajturi “Trans Adriatic Pipeline” - TAP së shpejti do të kthehet nuk do të shkojë vetëm nën Adriatik dhe me kalu në Evropën Perëndimore, por një krah i TAP do të sjellë gaz edhe për një pjesë të Ballkanit Perëndimor, dhe ky është momenti kur duhet ta marrë edhe Kosova”, thotë Shllaku.

Ai mendon se Kosova duhet ta marrë seriozisht çështjen e blerjes së gazit nga vendet të cilat aktualisht e shpërndajnë gazin, mirëpo fillimisht të bëhet një studim fizibiliteti se sa na duhet, të shohin çfarë të mira dhe të këqija mund të kemi nga një ndërmarrje e tillë.

Ndërsa sa i përket prodhimit të energjisë nga hidrocentralet ai thotë se ka një ide për të cilën nuk është punuar kurrë, e që është bashkëpunimi me Shqipërinë për të ndërtuar një hidrocentral ku do të përfitonin të dy palët në këtë drejtim, pasi që Kosova si një ndër vendet më të thata në Evropë, nuk ka kapacitet që të prodhojë energji përmes hidrocentraleve.

“Ne duhet të hapemi në rajon, të lidhemi me Shqipërinë, të ndërtojmë së bashku apo veçmas një hidrocentral në njërin nga lumenjtë e pa eksploruar deri tash. Shqipëria ka eksperiencë të madhe në këtë punë”, theksoi Shllaku.

Lidhur me rehabilitimin e Kosovës A dhe qasjen e strategjisë lidhur me këtë çështje, Preportr ka bërë kërkesë që të intervistojë ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, por edhe pas pritjes dhe insistimit për disa muaj, nuk na është mundësuar kjo intervistë.