English
Scroll top

Domosdoshmëria e vlerësimit sistematik

Afatet e shpeshta të provimeve, numri i madh i studentëve dhe mungesat e kohëpaskohshme të profesorëve në ligjërata, janë shkaqet pse nuk zbatohet plotësisht vlerësimi sistematik në disa fakultete të UP-së. Nga rektorati thonë se në dy vitet e fundit monitorimi i respektimit të syllabusëve nuk është bërë për shkak të pandemisë, pasi që procesi mësimor është zhvilluar online. Studentët vlerësimin sistematik e konsiderojnë si metodë të mirë...

Prishtinë, 12 Janar 2022

Metodat e vlerësimit dhe mësimdhënies janë një ndër faktorët kryesorë të cilët ndikojnë në cilësinë e mësimit dhe performancës së studentëve.

Sipas nenit 108 të statutit të UP-së, për përcaktimin e suksesit akademik studentëve u garantohet vlerësim i vazhdueshëm, me forma të ndryshme të vlerësimit ku prej tyre janë provimi, kollokfiumi, punimi seminarik, praktika profesionale, testi praktik gjatë ushtrimeve, interpretimi dhe prezantimi i krijimtarisë artistike dhe i punëve të tjera.

Edhe Sistemi i Bolonjës, të cilin e zbaton Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e parasheh që vlerësimi të bëhet në mënyrë sistematike.

Shiko Gazetën #B-21

Sipas njohësve të fushës së arsimit, vlerësimi i vazhdueshëm i nxit studentët për angazhim të vazhdueshëm, shton interesin për mësim si dhe sukseset e studentëve janë më të mëdha. Këto metoda duhet zbatuar me vlerësimin gradual të cilat janë të vendosura edhe në syllabuse të lëndëve, që publikohen për të gjitha fakultetet dhe departamentet.

Zbatimi i syllabuseve në praktikë, mbetët një sfidë për disa nga fakultetet e UP-së. Disa profesorë vazhdojnë të përdorin vetëm provimin final si mjet për të vlerësuar studentët.

Një hulumtim i Preportr që ishte realizuar në gusht të vitit 2018 ka treguar se në masë të madhe studentët e UP-së janë vlerësuar vetëm me provimin final. Situata në vitet e fundit duket të jetë më e mirë, por sipas rektoratit pandemia ka ndikuar që të mos ketë një monitorim të zbatimit të syllabuseve në mënyrë që të ketë një pasqyrë më të qartë se sa po zbatohen metodat e vlerësimit sistematik.

“Platformave virtuale u kanë munguar mekanizmat përmes të cilave profesorët do të mund të bënin vlerësimin sistematik adekuat ose niveli i njohurive digjitale të stafit akademik nuk ka qenë i atillë sa për të bërë të mundur implementimin e plotë të mekanizmave të platformave virtuale”, ka thënë Elton Bahtiri, prorektor për cilësi dhe zhvillim akademik në UP.

Në kuadër të këtij hulumtimi, Preportr përmes platformës ECR ka publikuar një pyetësor përmes të cilit ka marrë përgjigje nga studentët e UP-së se me çfarë metodash vlerësohen përgjatë semestrave dhe sa respektohen syllabuset nga ana e profesorëve në UP.

Sipas të dhënave të nxjerra nga ky anketim, 50 përqind e studentëve, kanë deklaruar se u prezantohen syllabuset kur fillojnë ligjëratat në lëndët përkatëse. 46% kanë thënë se vetëm disa profesorë u prezantojnë syllabuset në fillim të ligjëratave dhe 4 përqind kanë deklaruar se nuk u prezentohen fare syllabuset. Ndërsa në pyetjen se sa prej profesorëve i zbatojnë në praktikë syllabuset, 27 përqind prej tyre kanë thënë se zbatohen, 20 përqind kanë deklaruar se nuk zbatohen, ndërkaq 52 përqind janë përgjigjur se vetëm disa profesorë e zbatojnë në praktikë syllabusin.

Nga të dhënat e anketimit rezulton se njëra nga arsyet kryesore që syllabuset zbatohen pjesërisht apo nuk zbatohen fare, është mungesa e vullnetit të profesorëve, pastaj mungesa kohë pas kohe e profesorëve në ligjërata, numri i madh studentëve si dhe kushtet jo të duhura infrastrukturore.

Profesorët e kanë obligim vlerësimin sistematik

Elton Bahtiri, prorektor për cilësi dhe zhvillim akademik në UP ka thënë për Preportr se të gjithë profesorët e kanë obligim ta implementojnë vlerësimin e vazhdueshëm, duke përfshirë testet intermediare, formative apo kollokfiumet, pjesëmarrjen aktive, e jo vetëm vlerësimin përfundimtar apo përmbledhës.

Prorektori Bahtiri thotë se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” vazhdimisht ofron përkrahje për stafin akademik në zhvillimin dhe avancimin e aftësive si dhe kompetencave të tyre, duke u ofruar trajnime profesionale për nivelin bazik dhe të avancuar.

“Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) synon që jo vetëm ta lehtësojë mësimdhënien dhe mësimnxënien, por edhe ta lehtësojë komunikimin e informacionit, dhe si rrjedhojë, edhe përmirësimin e raportit student-profesor. Një sesion i veçantë në trajnimin që e organizon QPM-ja është në lidhje me vlerësimin sistematik apo kontrollin e njohurive dhe vlerësimin përfundimtar”, shtoi ai.

Avni Berisha, prodekan për çështje mësimore në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore thotë se nuk kanë bërë ndonjë matje apo hulumtim se a zbatohen syllabuset në FSHMN, por ai thotë se një pjesë e madhe e profesorëve të këtij fakulteti e praktikojnë vlerësimin sistematik.

“Monitorimi është sfidues sepse në syllabus nuk përfshihen detaje se në çfarë momenti e kryejnë profesorët vlerësimin, kjo është në kompetencë të profesorit dhe nuk ka mundësi të shkohet orë për orë tek profesorët dhe t’i pyesim a e respektojnë apo jo” ka thënë Berisha.

Afatet e pa rregullta pengesë për vlerësimin sistematik

Sefer Avdiaj, prodekan për cilësi dhe shkencë në po të njëjtin fakultet, thotë se mbajtja e afateve të pa rregullta është pengesë në vlerësimin e vazhdueshëm, sepse profesorët e kanë të vështirë të mbajnë në të njëjtën kohë provimet dhe kollokfiumet e parapara me syllabuse.

“Me statut të Universitetit të Prishtinës janë tri afate të provimeve, mirëpo vit për vit ndodhë që senati merr vendim të mbahen edhe dy afate të jashtëzakonshme. Këtu mund të dal problemi kur profesorët mbajnë afate të jashtëzakonshme. dhe në kohë të këtyre afateve është edhe java e mbajtjes së kollokfiumeve. Këtu lindin probleme sepse profesorët nuk mund të mbajnë në të njëjtën javë afatin e jashtëzakonshëm me atë të kollokfiumeve”, u shpreh Avdiaj.

Prodekani Avdiaj thotë se në FSHMN, nuk ka numër të madh të studentëve dhe se kjo e bënë më të lehtë vlerësimin sistematik.

Me statut të Universitetit të Prishtinës janë tri afate të provimeve, mirëpo vit për vit ndodhë që senati merr vendim të mbahen edhe dy afate të jashtëzakonshme. Këtu lindin probleme sepse profesorët nuk mund të mbajnë në të njëjtën javë afatin e jashtëzakonshëm me atë të kollokfiumeve

Sefer Avdiaj, prodekan për cilësi dhe shkencë në FSHMN.

Sipas tij, cilësia e mësimit do të duhej të rritej duke aplikuar vlerësim gradual, hap pas hapi, sepse ky lloj i vlerësimit nxit studentët të jenë aktiv gjatë tërë procesit mësimor.

Avdiaj thotë se një vështirësi tjetër gjatë vlerësimit sistematik është edhe ambientimi i studentëve me metodat e vlerësimit që zbatohen në këtë fakultet.

“Gjatë semestrit të parë studentët e kanë problem derisa të mësojnë metodat e vlerësimit dhe mësimnxënies dhe shkon një kohë shumë e gjatë deri sa të mësohen. Pastaj problemet janë edhe me vitin e dytë e të tretë, për shkak të provimeve të mbetura dhe nuk kanë interesim të merren me ligjërata derisa t’i përfundojnë provimet. Pra vet sistemi e ka një problematikë, mirëpo vlerësimi gradual në FSHMN bëhet korrekt”, theksoi ai.

Fatos Ukaj, dekan në Fakultetin Ekonomik të UP-së ka thënë për Preportr, se në këtë fakultet zbatohet nga të gjithë profesorët vlerësimi gradual ashtu siç parashihet sipas syllabuseve. Ai gjithashtu thotë se syllabusi është kërkesë bazike që të zbatohet dhe se nuk mundet një syllabus të përmbajë një përshkrim tjetër dhe në ligjëratë të bëhet diçka tjetër.

“Në Fakultetin Ekonomik, sa e përcjellim gjendjen, e mbikëqyrim dhe monitorojmë por dhe sa kemi informata, të gjitha lëndët zbatohen sipas plan programit pra syllabusit, tek shumica e lëndëve është i paraparë vlerësimi i ndërmjetëm me një apo dy teste gjatë semestrit, me syllabus vlerësimi parashihet të arrihet gjatë semestrit por edhe me provim”, thotë Ukaj.

Ai thotë se numri i madh i studentëve është një problem në Fakultetin Ekonomik, por sipas tij, kjo nuk ndikon që të mos bëhet vlerësimi gradual gjatë semestrit, sepse shumica e profesorëve e bëjnë atë në mënyrë që t’u krijohet përparësi edhe studentëve të rregullt.

“Profesorët zakonisht i bëjnë testet të shtunave pasi që kemi hapësira më shumë dhe asistentët e tjerë e ndihmojnë profesorin dhe asistentin e asaj lënde në mbarëvajtjen e procesit të testimit”, u shpreh Ukaj

Sipas tij një pjesë e madhe e profesorëve kanë përfunduar trajnimet të cilat janë të obliguara nga Universiteti i Prishtinës që kanë të bëjnë me metodat e vlerësimit të studentëve dhe shumë prej tyre kanë marrë pjesë në trajnime edhe jashtë vendit.

Ukaj thotë se angazhimi i profesorëve në institucionet tjera ka qenë një dukuri mjaftë problematike, por falë ligjit qe ua ndalon personave të zgjedhur angazhimin në më shumë se një punë, kjo dukuri është reduktuar.

“Ne kemi pasur një kujdes që atyre profesorëve t’u lihet një orar mbas orës 16:00 sepse kemi qenë të obliguar t’i angazhojmë edhe ata që janë staf i rregullt që kanë të drejtë të ligjërojnë gjashtë orë në javë në UP, dhe nuk kemi pasur ndonjë vërejtje ose ankesë se kanë munguar profesorët e caktuar”, theksoi ai.

Syllabusi - kontratë në mes të profesorëve dhe studentëve

Xhavit Rexhaj, njohës i fushës së arsimit dhe profesor në kolegjin AAB, thotë se syllabusi është një lloj i kontratës në mes të profesorëve dhe studentëve, e që kjo kontratë duhet të respektohet, duke e zbatuar në praktikë atë që është shkruar në syllabuse.

Sipas tij, profesorët dhe studentët duhet të kenë bashkëpunim që të arrijnë objektivat e të nxënit, të përmbushen nevojat e studentëve në mënyrë të ngritjes së të nxënit, dhe të përmirësohet niveli i performancës së tyre.

Rexhaj thotë se nëse studentët nuk janë në qendër të këtij procesi të vlerësimit dhe nëse profesorët nuk e kuptojnë që janë në shërbim të studentëve të tyre, nuk do të ketë reforma në këtë aspekt.

“Nëse në syllabus parashihet ndërtimi i notës, e mësimdhënësi vlerëson me një test final, ajo është shkelje e syllabusit, shkelje e kontratës” thotë ai.

Profesori Rexhaj thotë se afatet e parregullta ndikojnë në vlerësimin jo të duhur të studentëve dhe mësim nxënies së tyre, sepse ato afate e shtyjnë studentin të jetë më pasiv gjatë ligjëratave, duke u përkushtuar vetëm në provime.

Sipas tij, në Kosovë ka një sistem të mbrapsht të vlerësimit të studentëve dhe se ka pafund afate të provimeve.

“Është një sistem në të cilin edhe mësimdhënësi edhe studenti presin se kush po dorëzohet i pari. Në përjashtim janë 30 - 40 % të studentëve të cilët janë të përkushtuar dhe të cilët i përfundojnë testet, provimet dhe ligjëratat me kohë.”, u shpreh ai.

Rexhaj thotë se institucionet përkatëse duhet të bëjnë monitorimin e procesit të vlerësimit që të ketë një sukses në zbatimin e vlerësimit sistematik, që përveç sigurimit të jashtëm të cilësisë që e bënë Agjencia e Akreditimit, të bëhet edhe sigurimi i brendshëm nga ana e universitetit.

Sistemi i monitorimit duhet të vendoset nga rektorati. Duhet të monitorohen syllabuset, ligjëratat, prezantimet, testet e vlerësimit, raporti me studentët, pjesëmarrja në ligjërata, mënyra e komunikimit me studentë, të bëhen fokus grupe me studentë etj

Xhavit Rexhaj, njohës i fushës së arsimit

“Sistemi i monitorimit duhet të vendoset nga rektorati. Duhet të monitorohen syllabuset, ligjëratat, prezantimet, testet e vlerësimit, raporti me studentët, pjesëmarrja në ligjërata, mënyra e komunikimit me studentë, të bëhen fokus grupe me studentë etj. Pra nëse vendoset një sistem i monitorimit ku asnjëra nga këto që përmenda nuk e shkel lirinë akademike, besoj që atëherë do të tregohet një seriozitet”, theksoi ai.

Profesori Rexhaj mendon se sistemi i tillë i vlerësimit vetëm me provim final e nxit kopjimin nga ana e studentëve, sepse studentit i duhet të kryejë kursin vetëm me një provim i cili ia përcakton edhe notën përfundimtare.

“Testet me alternativa, testet me pyetje të mbyllura, janë ftesë për kopje, çka teston mësimi i definicionit, çka kupton profesori nga ai definicion, e kupton se studenti mbanë mend mirë, por jo që e din kuptimin e asaj çka thotë”, u shpreh ai.

Mungesa e përfaqësimit studentor

Profesori Xhavit Rexhaj thotë se unioni i studentëve ka një rol të rëndësishëm dhe mund të ndikojë në monitorimin e zbatimit të vlerësimit të duhur nga ana e profesorëve, por sipas tij, këta të fundit nuk punojnë në drejtim për interesa të studentëve, por për interesa të tyre politike.

“Derisa unionet e studentëve i ndjekin interesat e ngushta grupore, klanore, partiake nuk mund të ketë mësimdhënie të mirë sepse nënçmimin më të madh studentëve në UP ua bëjnë pikërisht organizatat studentore”, shtoi ai.

Sa i përket angazhimit të studentëve në këtë drejtim edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj thotë se studentët nuk janë fare aktiv dhe nuk merren me problemet e studentëve për të cilat ata e kanë detyrë parësore.

“Unioni i studentëve në Fakultetin Ekonomik janë shumë pak të angazhuar, sepse më shumë merren me interesa të veta dhe nuk bashkëpunojnë me neve në atë çka nevojitet, për të treguar problemet dhe ankesat e studentëve.”, u shpreh ai.

Preportr ka biseduar me disa studentë të fakulteteve të UP-së në lidhje me mënyrën se si ata vlerësohen nga profesorët në lëndët përkatëse.

Muke Shkreta studente e nivelit master në Fakultetin e Edukimit, tregon se gjatë studimeve ka realizuar një hulumtim me studentët e vitit të dytë, të tretë dhe të katërt në të gjitha departamentet e Fakultetit të Edukimit, ku ka anketuar rreth 400 studentë.

Ky hulumtim ka treguar se departamentet të cilët kanë pasur numër të madh të studentëve kanë qenë më pak të kënaqur me mënyrën e vlerësimit.

“Departamenti i Pedagogjisë ka qenë departamenti që është vlerësuar më së shumti me vlerësim gradual, ndërsa me provim final në përgjithësi është vlerësuar programi fillor dhe parashkollor. Këto departamente kanë numër më të madh të studentëve.”, ka thënë Shkreta.

Ajo thotë se nga të dhënat e hulumtimit ka rezultuar se ka profesorë që gjatë ligjëratave e kanë shpenzuar kohën me biseda koti vetëm sa për ta mbushur orën mësimore.

Gjatë intervistave dhe fokus grupeve me studentë ka rezultuar se në disa grupe ligjëratat dhe ushtrimet janë mbajtur me një formalitet. Në rastet kur ushtrimet dhe ligjëratat janë mbajtur në këtë mënyrë, vlerësimi ka qenë në nivel tejet të ulët

Muke Shkreta, studente në Fakultetin e Edukimit

Shkreta thotë se në përgjithësi tek ata profesorë vlerësimi ka qenë tejet i dobët, sepse studentët nuk kanë përfituar në ligjërata dhe nuk kanë mundur ta japin maksimumin në provim final kur pjesën dërmuese të gjërave bazike që janë kërkuar në provim, profesori nuk e ka pasur idenë se a janë folur gjatë ligjëratave.

“Gjatë intervistave dhe fokus grupeve me studentë ka rezultuar se në disa grupe ligjëratat dhe ushtrimet mbahen me një formalitet. Në rastet kur ushtrimet dhe ligjëratat janë mbajtur në këtë mënyrë, vlerësimi ka qenë në nivel tejet të ulët”, ka thënë Shkreta.

Për përvojën e saj si studente ajo thotë se ka më shumë sukses kur vlerësohet gradualisht sepse angazhohet më shumë në ligjërata dhe ushtrime, kjo metodë e vlerësimit sipas saj, e shtynë të ketë angazhim të vazhdueshëm dhe i mundëson të ketë një rezultat më të mirë.

“Unë si studente kam përfituar më shumë në ato lëndë ku jam vlerësuar me vlerësim gradual”, u shpreh ajo.

Sa i përket ankesave të studentëve të cilët janë të pakënaqur me llojet e vlerësimit ajo thotë se studentët nuk e kanë guximin t’i adresojnë këto ankesa tek personat kompetentë, sepse u mungon guximi dhe kanë përshtypjet se profesorët mund të hakmerren ndaj tyre.

“Një pjesë e madhe e respektojnë notimin siç është paraparë me syllabus, po ka edhe profesorë që nuk i respektojnë syllabuset e tyre për vlerësimin e studentëve”, thotë Adhuron Hoti, student në Fakultetin e Bujqësisë.

Antika Bytyqi studente në Fakultetin Juridik, thotë se angazhimi gjatë një semestri të finalizohet vetëm me një provim final nuk është i drejtë, sepse ky lloj i vlerësimit është një imponim i të mësuarit në mënyrë mekanike.

“Tendenca për kopjim është më e madhe kur mbahet vetëm një provim final sidomos ne degët që kanë një numër të madh të studentëve siç është rasti me Fakultetin Juridik” theksoi ajo.