27 Gusht 2018
Shumica e profesorëve në Universitetin e Prishtinës i vlerësojnë studentët vetëm përmes provimit final. Kjo mënyrë e vlerësimit nuk siguron angazhim të vazhdueshëm të studentëve në procesin mësimor përgjatë semestrit, përkatësisht vitit akademik.
Në bazë të Sistemit të Bolonjës, të cilin e zbaton UP-ja, vlerësimi duhet të bëhet në mënyrë sistematike duke përdorur metoda të ndryshme të cilat stimulojnë studentin të mësojë dhe në të njëjtën kohë u ndihmon edhe profesorëve të bëjnë vlerësime meritore.
Meqë UP-ja zbaton reformat e Sistemit të Bolonjës, ky institucion e ka paraparë edhe vlerësimin sistematik por në shumicën e fakulteteve kjo ka mbetur vetëm në letër.
Sipas nenit 108 të Statutit të UP-së, studentëve u garantohet vlerësim i vazhdueshëm përgjatë vitit akademik me forma të ndryshme të vlerësimit, duke i aplikuar këto metoda: provimi, kolokviumi, punimi seminarik, praktika profesionale, testi praktik gjatë ushtrimeve, interpretimi dhe prezantimi i krijimtarisë artistike dhe i punëve të tjera.
Zbatimi i këtyre metodave bartet deri në syllabuse të lëndëve, por ato nuk zbatohen në praktikë. Pothuajse të gjitha departamentet e fakulteteve të UP-së i kanë të publikuara syllabuset për secilën lëndë dhe në kuadër të tyre përcaktohen qartë edhe metodat e vlerësimit. Por vetëm në disa fakultete dhe vetëm disa profesorë i zbatojnë këto metoda. Shumica e tyre vlerësimin e studentëve e bëjnë përmes provimit final.
Kjo metodë e mangët e vlerësimit po ashtu konsiderohet se e nxit edhe dukurinë e kopjimit. Fakti se kalimi ose rënia nga provimi përcaktohet në 45 minuta krijon prirje për të kopjuar dhe për ta “hequr qafe” atë provim. Në një hulumtim që e ka realizuar Preportr muaj më parë tregohet për metodat e ndryshme dhe thjeshtësinë e përgatitjes për kopjim.
Nëse vlerësimi do të bëhej në mënyrë sistematike, angazhimi i studentëve për lëndët përkatëse do të ishte më i madh, dhe kësisoji përvetësimi i dijes do të ishte më efikas.
Hysen Bytyqi, prorektor për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës ka thënë për Preportr se rektorati e ka bërë prioritet zbatimin e vlerësimit sistematik dhe tashmë u ka drejtuar nga një letër dekanëve të fakulteteve që të angazhohen në këtë drejtim.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se sistemi i arsimit në bazë të Bolonjës kërkon disa sfida të tjera të cilat mund të them që jo të gjithë pedagogët kanë qenë të përgatitur ta absorbojnë një metodologji të re, një formë të re, një qasje të re ndaj studentit, ndaj vlerësimit, ndaj zhvillimit të strukturës së lëndës dhe impelemtimit të lëndës në përgjithësi”, thotë Bytyqi.
Ai thotë se moszbatimi i syllabusëve, përkatësisht mungesa e vlerësimit sistematik të studentëve krijon pasoja të shumta për studentët. Bytyqi i cili është edhe profesor në Fakultetin e Bujqësisë, tregon se gjatë procesit të monitorimit, menaxhmenti i rektoratit ka identifikuar se për shumicën e studentëve kohëzgjatja e studimeve në UP duket të jetë më e madhe sesa që është paraparë në kuadër të Sistemit të Bolonjës.
Vlerësimi periodik do ta ndikojë në shkurtimin e kësaj kohëzgjatje dhe do të jetë një afat i përfundimit të studimeve shumë më real dhe afërisht i njëjtë me institucionet arsimore të nivelit të lartë në Evropë
Hysen Bytyqi, prorektor për zhvillim dhe cilësi në UP
“Kjo është mjaftueshëm indikacion të shohim, të kthehemi mbrapa se çfarë është duke ndodhur me vlerësimin e studentëve. Kjo është një diçka që në procesin e ardhshëm nuk është me shumë alternativa. Ky është një proces që ne duhet ta impelementojmë dhe ta kalojmë. Unë jam i sigurtë se vlerësimi periodik do ta ndikojë në shkurtimin e kësaj kohëzgjatje dhe do të jetë një afat i përfundimit të studimeve shumë më real dhe afërisht i njëjtë me institucionet arsimore të nivelit të lartë në Evropë, kryesisht ku ne bazohemi shumë”, theksoi Bytyqi, duke shtuar se nëse punohet fuqishëm dhe implemtohen metodat e vlerësimit gjatë gjithë semestrit, do të evitohen shumë efekte të tjera të cilat nuk kanë rezultate pozitive si afatet e provimeve jashtë statutit, etj.
Prorektori Bytyqi thotë se një pjesë e profesorëve tashmë e implementojnë vlerësimin e vazhdueshëm dhe kjo tregon se përveç se është e nevojshme, kjo është edhe e mundshme dhe do të insistohet në këtë aspekt.
“Asnjë profesor deri më tani nuk e ka kundërshtuar këtë formë të vlerësimit. Por zakonisht arsyet e tyre kanë një bazë, pasi që në fakultetet ku numri i studentëve është i madh, siç është Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe deri diku Fakulteti Filozofik komunikimi profesor-student, por edhe vlerësimi gjatë orës është i vështirë”, u shpreh Bytyqi.
Vlerësimi sistematik shmang afatet e parregullta të provimeve
Muhamet Mala, prodekan për kërkime shkencore në Fakultetin Filozofik, thotë se duke marrë parasysh natyrën e lëndëve në këtë fakultet, provimet në disa lëndë mbahen me shkrim dhe me gojë. Ai thotë se nuk e di saktësisht se sa zbatohen syllabuset në aspektin e vlerësimit nga të gjithë profesorët e këtij fakulteti.
“Nuk kemi ndonjë hulumtim real që do të na tregonte se sa po zbatohen syllabuset i cili do të na jepte një shifër të përafërt lidhur me përqindjen se sa respektohet syllabusi”, thotë Mala.
Prodekani Mala i cili është edhe profesor në departamentin e historisë, thotë se vlerësimi gjatë gjithë semestrit në aspektin metodik është më i preferuar dhe do ta lehtësonte punën edhe të profesorëve për arsye se ata tashmë kanë informacione në lidhje me aktivitetin dhe interesin e studentit përkatës me lëndën.
“Vlerësimi gradual është më i mirë për shkak se është stimulues, është aktiv gjatë gjithë kohës, është më dinamik për faktin se nuk lejon që studenti vetëm dy javët e fundit, apo muajin e fundit të jetë aktiv dhe aty mandej të tentojë ta përfundojë këtë proces”, theksoi Mala.
Ai konsideron se profesorët e Fakultetit Filozofik janë të gatshëm ta implementojnë në tërësi vlerësim gradual sipas syllabusit.
“Këtu janë dy binarë të zhvillimit të këtij procesi: njëri është vetëdijësimi akademik i profesorëve për këtë proces që është në nivel relativisht të kënaqshëm, mirëpo në anën tjetër është edhe infrastruktura ligjore, e cila në instancën e fundit duhet ta obligojë profesorin t’i çojë këto procese ashtu siç kërkohen”, thotë Mala.