21 Nëntor 2017
Mësimi me skripta në vend të librave po vazhdon ende në Universitetin e Prishtinës (UP). Në shumë departamente të UP-së, lëndët obliguese mësohen me skripta, përmbledhje ligjëratash, sllajde si dhe me literaturë alternative, e deri tek testet “e rrjedhura” që shpërndahen si literaturë për provime, të cilat nuk kanë cilësi akademike, por kanë përmbajtje të përgjithshme.
Mësimi në këtë formë bëhet për dy arsye: e para se mungojnë librat bazë dhe e dyta për atë literaturë që është në dispozicion, bëhet përmbledhje në formë të eseve apo të testeve dhe studentët shpesh ia dalin ta kalojnë provimin në këtë mënyrë. Në këtë hulumtim janë marrë për bazë vetëm lëndët obliguese, e jo edhe ato zgjedhore.
Preportr ka bërë një hulumtim të literaturës në Fakultetin Juridik, Ekonomik, Filozofik dhe të Edukimit dhe ka biseduar me studentë të këtyre fakulteteve se si i zhvillojnë mësimet në departamentet e tyre dhe sa kanë libra bazë për lëndët obliguese.
Disa nga studentët që pranuan të flasin me ekipin e Preportr thonë se mungesa e librave bazë është një mangësi e madhe për ta pasi u pamundëson që të thellojnë njohuritë e tyre në fusha të caktuara. Me ata që biseduam thonë se literatura e ofruar në gjuhën angleze është adekuate për lëndët përkatëse, por fatkeqësisht nuk është në shërbim të tyre, pasi që nuk e dinë këtë gjuhë në nivelin sa ta kuptojnë sa duhet literaturën akademike. Por ka edhe nga ata që kjo formë e studimeve përmes skriptave dhe përmbledhjeve të ligjëratave u përshtatet, pasi që e kanë më lehtë që t’i kalojnë provimet.
Pra, përgjithësisht as studentët nuk janë mjaftueshëm kërkues, kurse shumë profesorë mbajnë edhe poste publike e qeveritare, si dhe janë të punësuar në kolegje të ndryshme private. Preportr gjatë një hulumtimi paraprak, ka gjetur se 102 zyrtarë që kanë poste politike dhe që mbajnë pozita të larta publike, punojnë në UP dhe në kolegje private. Duke marrë parasysh këto angazhime, ata nuk kanë kohë për të mbajtur rregullisht ligjëratat në UP. Por në vend që të ndëshkohen për mungesë në ligjërata, këta profesorë marrin pagat edhe për orët që nuk i kanë mbajtur. Realizimin e pagesave për profesorët që nuk mbajnë rregullisht ligjërata e kanë konfirmuar edhe raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit ndër vite.
Ndërkaq, sipas një anketimi të kryer me 1500 studentë të UP-së nga instituti “EdGuard”, rezulton se 3 për qind e të anketuarve thonë se të gjithë profesorët u caktojnë vetëm skripta për lëndët bazike në vend të literaturës; 13.3 për qind e thonë se një numër i madh i profesorëve ua caktojnë vetëm skriptat për lëndët bazike, 14.8 për qind thonë se të gjithë profesorët e bëjnë një gjë të tillë, 33.3 për qind thonë se një numër i vogël i profesorëve ua caktojnë vetëm skriptat për lëndët bazike, ndërsa 35.1 për qind thonë asnjë profesor nuk u cakton skripta në vend të literaturës bazike.
Ndërsa në pyetjen se a ju ofron mundësi fakulteti/universiteti të keni qasje falas në ndonjë data bazë elektronike/online, ku mund të gjeni artikuj, hulumtime e publikime që ju duhen gjatë studimeve tuaja, 14.50 për qind thonë po, 25.81 thonë ndoshta ofron, por unë nuk jam informuar, 50.75 për qind thonë jo dhe 8.94 kanë deklaruar se nuk e dinë.
Në disa departamente literatura nuk korrespondon me lëndët
Në Fakultetin e Edukimit disa nga lëndët obliguese mësohen me skripta dhe literaturë alternative, në mungesë të librave bazë. Në drejtimin Programin Fillor nga gjithsej 32 lëndë obliguese, 11 prej tyre mësohen me skripta, 4 me literaturë alternative, ndërsa për 14 lëndë ka libra bazë. Ndërkaq, katër nga 32 lëndët obliguese janë praktikë.
Në drejtimin Parashkollor nga 32 lëndët obliguese, 9 lëndë mësohen me skripta, 3 me literaturë alternative dhe 16 kanë libra bazë. Katër nga 32 lëndët obliguese janë praktikë.
Për të dy këto programe (parashkollor dhe fillor) raporti vlerësues i Agjencisë së Kosovës për Akreditim thekson mungesë të literaturës në gjuhën shqipe.
“Në sillabus, një pjesë e literaturës që duhet të studiohet në disiplina individuale është ende në gjuhën angleze që ngre një pyetje në lidhje me aftësitë gjuhësore të të gjithë studentëve”, thuhet në raport.
Ndërkaq në programin Edukimi dhe Zhvillimi në Fëmijërinë e Hershme ka mungesë të theksuar të literaturës. Shumica e lëndëve obliguese mësohen me skripta dhe literaturë alternative.
Mungesa e literaturës në këtë program është theksuar edhe nga raporti i Agjencisë së Kosovës për Akreditim në raportin që është publikuar në vitin 2017. Në këtë raport ndër të tjera thuhet se për këtë program nuk ka literaturë adekuate.
“Literatura e dhënë në shumicën e kurseve nuk korrespondon aspak, as me kurset e dhëna dhe përmbajtjen e tyre, as me popullatën e targetuar. Në të njëjtën kohë, për disa kurse ka një listë të gjatë të literaturës që është definitivisht ngarkesë e tepërt për studentët”, thuhet në raport.
Duke e marrë parasysh këtë situatë, raporti vlerësues ka ardhur në përfundim se ky program nuk duhet të riakreditohet për këtë vit.
“Kundërshtimi më serioz ka të bëjë me strukturën e kurseve, përmbajtjen e tyre dhe përzgjedhjen joadekuate të literaturës”, thuhet në arsyetimin e vlerësimit, ku rekomandohet që ky program të mos riakreditohet.
Edhe në drejtimet e Fakultetit Ekonomik ka mungesë të literaturës për disa nga lëndët bazë. Në drejtimin e Kontabilitetit, i cili ka 24 lëndë obliguese, 5 mësohen me skripta, 4 me literaturë alternative, ndërkaq libra bazë kanë 15 lëndë. Në drejtimin Banka dhe Financa, nga 21 lëndë obliguese, 8 mësohen me skripta dhe 13 mësohen me libra bazë. Në drejtimin menaxhment dhe informatikë si dhe në drejtimin marketing, studentët thonë se kanë më shumë libra bazë. Nga 21 lëndë obliguese sa kanë këto drejtime, 18 nga këto kanë libra bazë, ndërsa 3 nuk kanë.
Ndërkaq, departamenti i historisë i ka gjithsej 25 lëndë obliguese, nga të cilat 2 mësohen me skripta, 4 me literaturë alternative dhe 19 me libra bazë.
Departamenti i psikologjisë i ka 24 lëndë obliguese, nga të cilat 14 mësohen me skripta, 2 me literaturë alternative dhe 8 me libra bazë.
Departamenti i Punës Sociale i ka 24 lëndë obliguese, 7 nga të cilat mësohen me skripta, 4 me literaturë alternative dhe 12 me libra bazë, ndërkaq një nga 24 lëndët obliguese është praktikë në terren.
Duhet theksuar se raporti vlerësues i akreditimit i publikuar në vitin 2016 për drejtimin e Punës Sociale thekson se ky drejtim nuk ka literaturë adekuate dhe se literatura kryesore është në gjuhën angleze dhe se një pjesë e studentëve e bëjnë vetë përkthimin e materialeve nga gjuha angleze në gjuhën shqipe.
Nuk ka listë të plotë të librave të rëndësishëm për programin e studimit. Në kurrikulë ekziston një listë e literaturës për secilin kurs
Raporti vlerësues i Akreditimit
“Sa i përket literaturës, nuk ka listë të plotë të librave të rëndësishëm për programin e studimit. Në kurrikulë ekziston një listë e literaturës për secilin kurs. Nuk ka shumë literaturë të dedikuar për punën sociale. Në bibliotekë nuk kishte libra mbi punën sociale. Literatura që mësimdhënësit përdorin gjatë kurseve është më së shumti në gjuhën angleze. Studentët nuk mësojnë anglisht gjatë studimeve dhe gjuha angleze nuk është kriter për pranim në studimet e punës sociale...Profesorët thonë se studentët i përkthejnë vetë librat dhe materialet. Është e diskutueshme se deri në çfarë shkalle studentët e kuptojnë gjuhën angleze në mënyrë që të përkthejnë literaturë profesionale”, thuhet ndër të tjera në raport.
Departamenti i Sociologjisë i ka 20 lëndë obliguese, 4 nga të cilat mësohen me skripta, 7 me literaturë alternative dhe 9 prej tyre me libra bazë.
Departamenti i filozofisë është më i veçantë sa i përket librave bazë, pasi që në këtë drejtim lëndët bazë mësohen me disa libra.
Duhet theksuar se një pjesë e konsiderueshme e literaturës kryesore në departamentin e filozofisë është në gjuhë të huaj, kryesisht angleze dhe një pjesë e madhe e studentëve nuk mund të shërbehen me këto libra. Për këtë arsye, Agjencia Kosovare e Akreditimit në vlerësimet e saj ndër vite, i ka rekomanduar departamentit të filozofisë që të përmirësojë nivelin e njohjes së gjuhëve të huaja tek studentët që marrin pjesë në programet e tyre studimore.
Nga 22 lëndë obliguese sa ka ky departament, 6 nga to literaturën bazë e kanë në gjuhën angleze, ndërsa 1 mësohet me skriptë.
Jetlir Buja student në Departamentin e Filozofisë ka thënë për Preportr se mungesa e literaturës për lëndët obliguese e ka një të keqe bazë pasi që e pamundëson vetë kursin. Sipas tij, kjo e pamundëson pritjen që departamenti e ka për studentët.
“Pyetja që ia kam bërë vetes si student i filozofisë ka qenë: çka kërkohet prej meje? Dhe padyshim, edhe kur ka edhe kur nuk ka literaturë bazë, metoda e vlerësimit ta mundëson që përmes dijesh tepër të sipërfaqshme që sigurohen me disa klikime në internet të marrësh nota maksimale”, thotë Buja.
Ai thotë se në Universitetin e Prishtinës nuk është qëllimi që të nxirren kuadro profesionalë dhe të përgatitur mirë, por bëhet një formë e studimeve sipërfaqësore.
“Fakultetet tona, edhe përmes mungesës së literaturës, tregojnë se nuk kanë asnjë interes për cilësinë e studimeve. Nuk kërkojnë që të nxjerrin studentë të mirë e të përgatitur. Përkundrazi, studenti duhet të jetë sa më i dobët, sa më sipërfaqësorë, në mënyrë që të vazhdojë t'i shoh nga poshtë-lart, si i nënshtruar ata që janë vetëvendosur si autoritete: vetë departamentin dhe profesorët”, theksoi Buja.
Ndërsa, Departamenti i Shkencës Politike ka 22 lëndë obliguese. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre lëndëve nuk kanë libra bazë, por mësohen me literaturë alternative, konkretisht 10 lëndë mësohen në këtë mënyrë. Ndër librat që konsiderohen alternativë ka edhe në gjuhën angleze dhe vetëm një pjesë e vogël e studentëve mund t’i shfrytëzojnë. 3 lëndë obliguese mësohen me skripta, ndërkaq për 9 lëndë tjera ka libra bazë në sillabuset përkatëse.
Fakulteti Juridik, moduli civil ka gjithsej 32 lëngë obliguese, nga të cilat 6 mësohen me skripta, ndërkaq 26 kanë libra bazë.
Tek Fakulteti Juridik cilësinë e studimeve e kushtëzon edhe numri i madh i studentëve. Në lidhje me këtë çështje raportet vlerësuese të akreditimit në tri vitet e fundit e kanë theksuar këtë gjë si shqetësuese. Raporti vlerësues i akreditimit rekomandon se duhet bërë një studim gjithëpërfshirës në lidhje me kërkesat dhe nevojat për juristë nga institucionet publike dhe kompanitë private që përbëjnë tregun e punës në Kosovë, pasi që aktualisht ka mospërputhje të numrit të studentëve dhe tregut të punës.
“Për shkak të numrit të madh të studentëve dhe situatës së pakënaqshme të objekteve, është shumë e vështirë të realizohet një kontakt i përshtatshëm ndërmjet studentëve dhe stafit mësimdhënës”, thuhet ndër të tjera në raportin vlerësues të akreditimit të publikuar në vitin 2017.
UP duhet ta përditësojë literaturën akademike
Rinor Qehaja, drejtor i Institutit “EdGuard” ka thënë për Preportr se përtej mungesës evidente të literaturës në Universitetin e Prishtinës, është më shqetësuese mungesa e vetëdijesimit të personelit akademik për shfrytëzim të literaturës së mirëfilltë dhe përditësuar akademike.
“Sikur te kishim profesorë të freskuar akademikisht, po të njëjtit në asnjë moment nuk do të toleronin literaturë të vjetërsuar dhe aq me pak mungesë të librave bazë. Kjo të ofron përshtypjen që UP ka vëmendjen më shumë në çështje tjera periferike, duke anashkaluar thelbin e akademisë”, thotë Qehaja.
Ndërsa Shkelzen Gashi nga organizata "Admovere" thotë se profesorët e UP-së do të duhej që të bënin përmbledhje të materialeve nga libra të ndryshëm për lëndët të cilat i ligjërojnë.
Sikur te kishim profesorë të freskuar akademikisht, po të njëjtit në asnjë moment nuk do të toleronin literaturë të vjetërsuar dhe aq me pak mungesë të librave bazë
Rinor Qehaja, EdGuard
“Nuk duhet domosdoshmërisht që profesorët të kenë tekste autoriale universitare. Bile, më mirë do të ishte që profesorët për lëndën që ligjërojnë të përgatisin ‘cluster’ – pra të grumbullojnë në një vëllim materialet relevante nga autorë të njohur ndërkombëtarë. Por, po ashtu, duhet të ketë ndërlidhje të programit të secilës lëndë me programin e tërësishëm të fakultetit, gjë që, për fat të keq, nuk ndodhë në shumicën e fakulteteve të UP-së”, thotë Gashi, duke shtuar se mungesa e këtyre ‘cluster’-ve me autorët më të shquar ndërkombëtarë, por edhe mungesa e ndërlidhjes së programit të lëndëve me programin e tërësishëm të fakulteteve, e sidomos mungesa e stafit të kualifikuar për t’i zbatuar këto që ai thotë, e dëmtojnë rëndë cilësinë në UP.
Tendencat e dështuara për shkencë
Universiteti i Prishtinës që ka 13 fakultete, në kuadër të së cilave funksionojnë 41 departamente, 42 programe, 5 module dhe 5 katedra, publikon vetëm tri revista shkencore. Ndërkohë pritet që të rifillojë së publikuari edhe revista “Filologjia”.
Këto revista nuk kanë kode ndërkombëtare të revistave shkencore, por kanë vetëm kode nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, kjo edhe për faktin se Kosova ende nuk është e pranuar ndërkombëtarisht në UNESCO dhe kjo është pengesë për marrjen e kodit ndërkombëtar ISSN. Pengesë tjetër kryesore mbetet edhe cilësia e këtyre revistave. Ato as rektorati nuk i ka vlerësuar se kanë vlera të mirëfillta shkencore, sepse profesorët e UP-së nuk mund të avancohen përmes publikimeve në këto revista, pasi që nuk konsiderohen si kontribut i mjaftueshëm shkencor.
Një ndër revistat që ende publikohet është revista “Media”, e cila botohet një herë në vit. Edhe kjo revistë ka qenë në prag të mbylljes, por që udhëheqësit e saj kanë vendosur ta vazhdojnë botimin e saj. Faton Ismajli sekretar i kësaj reviste, thotë se në këtë revistë dominojnë punimet e stafit akademik të Departamentit të Gazetarisë në UP, por, ka autorë edhe nga Shqipëria, Maqedonia etj. Ai thotë se kjo revistë botohet që nga viti 2009 vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa, abstraktet botohen në gjuhën angleze.
“Ka pasur ide të mos vazhdohet me botimin e revistës, pasi, rektorati, jo vetëm revistën “Media”, por asnjë revistë që botohet brenda UP-së nuk i pranon si kredibile. Në anën tjetër, i njëjti rektorat ndanë mjete simbolike (vetëm për botim) për revistat që botohen brenda UP-së. Veç kësaj, punimet e studiuesve nga Shqipëria, por edhe të atyre që studiojnë në universitete ndërkombëtare, si Zejnullah Jakupi (Universiteti i Berlinit) u janë pranuar punimet dhe u është njohur kontributi shkencor”, thotë Ismajli.
Mbylljes i ka mbijetuar edhe revista “E drejta”. Kryeredaktori i kësaj reviste Qerim Qerimi thotë se ajo bohet dy herë në vit.
“Revista botohet në gjuhen shqipe, të përcjella me nga një përmbledhje ose rezyme në gjuhen angleze. Projeksioni është që revista të botojë punime akademike të cilësisë së duhur edhe në gjuhen angleze, dhe veçanërisht në numrat vijues punimet e tilla priten të gjejnë prani më të madhe. Tradicionalisht, revista është botuar vetëm në formë të shtypur. Aktualisht jemi duke u përpjekur që këtë ta zhvendosim edhe në platformën online”, thotë ai.
Edhe profesori Qerimi ankohet se kjo revistë nuk po përkrahet sa duhet nga rektorati.
“Përfundimisht, duhet thënë që, Universiteti ka një politikë që nuk i merr parasysh, për qëllime të zgjedhjes ose promovimit, punimet e botuara në revista vendore. Kjo, sigurisht, nuk është pa efekte edhe në interesimin për publikim”, thotë Qerimi.
Departamenti i Gjeografisë boton revistën “Kërkime Gjeografike”. Shpejtim Bulliqi kryeredaktor i kësaj reviste thotë se kjo revistë botohet në gjuhën shqipe, por ka edhe punime në gjuhën angleze brenda saj.
Ndërsa, për shkak të mos përkrahjes financiare disa nga revistat tjera janë ndalur së funksionuari. Njëra nga to është revista “Njohja”, e cila ishte e vetmja që ishte shpërndarë përmes internetit edhe në vende të tjera, ndërkaq aty kanë shkruar edhe autorë të huaj.
Hasnije Ilazi e cila ka qenë kryeredaktore e kësaj reviste, ka thënë për Preportr se botimi i parë i revistës “Njohja” ka dalë në qershor të vitit 2012, dhe pas këtij kanë dale edhe dy numra, një herë në vit. Ajo thotë se kjo revistë ka përmbledhur artikuj në gjuhën shqipe dhe angleze kryesisht nga fusha e filozofisë, sociologjisë, shkencat politike dhe se autorët kanë qenë shkencëtarë me renome nga Kosova, SHBA, Franca, Hungaria,Kroacia, Shqipëria etj.
“Botimi i revistës është ndalur në kohën e rektorit prof. Ramadan Zejnullahu. ‘Platformania’ e asaj kohe ka larguar revistën edhe nga web faqja e rektoratit, ndërsa punimet e kësaj reviste nuk janë pranuar më për avancime të stafit akademik edhe përkundër faktit se artikujt kanë pasur edhe recensione ndërkombëtare. Pas këtij vendimi degradues si për revistën, ashtu edhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në atë kohë për botimet e saj, qoftë me anën financiare, qofte me artikuj ose recensione, botimi i revistës është ndalur, si pasojë e mosinteresimit të autorëve për të botuar dhe për shkak të çështjeve financiare”, thotë Ilazi.
Ajo thotë se vendimet sikur ky për mosnjohjen e revistës shkencore të shkencave sociale dhe humanistike, janë vendime shkurtpamëse me pasoja afatgjata dhe me ndikime domethënëse negative në procese akademike në Kosovë.
Gjithashtu një nga revistat që është mbyllur është “Edukologjia”, revistë kjo që është botuar nga Fakulteti i Edukimit. Begzad Baliu person kontaktues në këtë revistë thotë se numri i parë i kësaj reviste ka dalë në vitin 2001, kur Fakulteti i Edukimit, quhej Fakulteti i Mësuesisë.
“Pastaj ka vazhduar të dalë në vitin 2002, njëherë në vit dhe janë botuar katër numra radhazi në gjuhen shqipe, boshnjake, turke dhe angleze, pasi ne kishim studentë të etniteteve të ndryshme në Prishtinë dhe në Prizren e Gjilan. Kishte edhe redaksi ndërkombëtare”, thotë Baliu.
Ai tregon edhe arsyet e mbylljes së kësaj reviste, ndërsa nuk thotë diçka konkrete nëse kjo revistë do të botohet sërish.
“Arsyet janë të ndryshme, por më shumë premtimi i dekanatit se ‘nëse ristrukturohet redaksia me bord ndërkombëtar’ do t’ përkrahet edhe materialisht nga një universitet kanadez. Me këtë rast është shpërndarë redaksia dhe morëm premtime nga Kanadaja, por vetëm premtime”, thotë profesori Baliu.
Departamenti i historisë ka botuar revistën “Buletini”, por edhe kjo revistë nuk është duke u botuar. Arsyet e mosbotimit kanë të bëjnë me mospërkrahjen financiare dhe mosinteresimin e stafit akademik për të sjellë sërish në botim këtë revistë.
Duhet theksuar se në web-sajtin e rektoratit të UP-së që disa muaj nuk figuron asnjë revistë, as ato që janë duke u botuar ende, as ato që janë botuar vite më parë.
Në lidhje me punën shkencore në UP, Shkëlzen Gashi thotë se një nga problemet e “varfërisë” shkencore në UP është stafi i mësimdhënësve që sipas tij nuk kanë përgatitje profesionale për të qenë as në pozitat që i kanë.
“Është e vështirë, por jo e pamundshme, që njësitë akademike të UP-së të nxjerrin revista akademike kur ¾ e stafit akademik në UP nuk e meritojnë fare me qenë pjesë e këtij stafi. Për më shumë, për të pasur revista akademike, duhet që secila njësi akademike në UP të ketë bibliotekat e veta me literaturën më bashkëkohore dhe të parapaguhet në revistat akademike ndërkombëtare. Po ashtu, duhet që profesorët që do të publikonin në këto revista akademike të motivoheshin”, theksoi Gashi.
Rinor Qehaja thotë se iluzioni më i madh që ekziston për UP-në është ai i të thirrurit si një institucion shkencor. Sipas tij, parakusht që një universitet të ofrojë kontribut në shkencë është hulumtimi, parakusht për hulumtimin është një buxhet i lartë i alokuar për të, literaturë të qasshme dhe kapacitete njerëzore.
“Në asnjë moment Universiteti i Prishtinës nuk ka poseduar me të mësipërmet, për rrjedhojë edhe revistat akademike të botuara nga UP, nuk ofrojnë ndonjë vlerë të shtuar në botën akademike, po më shumë paraqesin një instrument të mirë kontrolluar për proces të avancimeve akademike brenda institucionit”, theksoi Qehaja.