Prishtinë, 16 Dhjetor 2013
Rënia e kritereve në Universitetin e Prishtinës është e gjithanshme dhe ka prekur pothuajse secilin sektor të saj. Nga përdorimi i tij për qëllime politike, ky universitet është shndërruar në një institucion që më së paku i shërben shkencës. Nga brenda ka zëra që alarmojnë, por fakti që as tregu dhe as shoqëria nuk ka filluar të ketë kërkesa për kualitet në mësim e ka lënë këtë institucion nën mëshirën e interesave të ngushta dhe mediokritetit. Profesorët e lidhur me politikën thjesht kapin çkado që arrijnë duke mbajtur shpesh njëkohësisht mësime në UP, në universitetet private, si dhe në institucionet qeveritare.
Në UP nuk ka një literaturë të verifikuar, kurse studentët shpesh me vullnet kufizohen në leximin e testeve të provimeve, të cilat shpërndahen si literaturë. Në shumë departamente të UP-së, lëndët obligative mësohen me skripta, përmbledhje ligjëratash si dhe me literaturë alternative, e deri tek testet “e rrjedhura” që shpërndahen si literaturë instante për provime. Studentët nuk janë mjaftueshëm kërkues, kurse shumë profesorë mbajnë edhe poste publike e qeveritare, si dhe janë të punësuar në kolegje të ndryshme private dhe nuk kanë kohë për të mbajtur ligjëratat në UP. Në vend që të ndëshkohen për mungesë në ligjërata, këta profesorë marrin pagat edhe për orët që si kanë mbajtur. Realizimin e pagesave për profesorët që nuk mbajnë rregullisht ligjërata e konfirmojnë edhe raportet e Auditimit, të cilat nuk po merren parasysh.
Në Universitetin e Prishtinës, që ka 16 Fakultete, të cilat përbëhen nga 80 departamente, botohen vetëm gjashtë revista shkencore, të cilat nuk plotësojnë kriteret ndërkombëtare të revistave shkencore. Këto revista nuk kanë arritur që të marrin kode ndërkombëtare të revistave shkencore, por kanë marrë vetëm kode nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.
Studimi me skripta
Shumë departamente të Fakulteteve të Universitetit të Prishtinës kanë mungesë të literaturës bazë për lëndët obligative. Në vend të literaturës bazë, studentët mësojnë nga skripta apo përmbledhje ligjëratash, të cilat nuk kanë cilësi akademike, por kanë përmbajtje të përgjithshme.
Dukagjin Popovci, drejtor në Qendrën për Arsim e Kosovës, thotë se UP-ja nuk mund që t'i ketë të gjitha librat kryesor në gjuhën shqipe edhe përkundër faktit se një pjesë e madhe e librave të përkthyer i merr nga Shqipëria. Ai thotë se për disa lëndë duhet që profesori të përgatitë skriptë, por këto skripta sipas tij, “janë të një niveli shumë të ulët akademik. "
"Është vështirë të kemi gjithmonë tekste në gjuhën shqipe, pra duhet mësuar me tekste në gjuhë të huaj ose me skripta.....Profesorët i bëjnë skriptat për qëllime komerciale. Pra edhe cilësia është jo në nivelin e duhur dhe nuk mund të përfitohen njohuri të mira nga ato skripta dhe sllajde. Më e keqja është se studentëve u kërkohet të mësojë studenti vetëm çka është e shkruar në skriptë", thotë Popovci.
Preportr ka bërë një shikim të literaturës në Fakultetin Juridik, Ekonomik, Filozofik, Edukimit dhe Departamentit të Gazetarisë. Vetëm disa nga studentët e këtyre fakulteteve kanë pranuar të prononcohen për këtë çështje, ndërsa pjesa më e madhe e studentëve të këtyre nuk kanë pranuar të prononcohen për shkak të hakmarrjes eventuale të profesorëve ndaj tyre.
Duke marrë parasysh se shumica e literaturës në Departamentin e Filozofisë është në gjuhë të huaj, kryesisht atë angleze, raporti i vlerësimit i Agjencisë Kosovare të Akreditimit (qershor 2012) i ka rekomanduar këtij departamenti që të përmirësojë nivelin e njohjes së gjuhëve të huaja tek studentët që marrin pjesë në programet e tyre studimore. "Pa e zgjidhur këtë problem, Departamenti i Filozofisë nuk do të jetë në gjendje që të japë mësim në një nivel të lartë në fushën e vet në një afat kohor të gjatë ", thuhet ndër të tjera në raportin e vlerësimit të AAK-së.
Duke marrë parasysh mangësinë në fushën kërkimore që ka Fakulteti Ekonomik, Agjencia e Akreditimit e Kosovës në raportin e vlerësimit (qershor 2012) i ka rekomanduar që studimet të mos drejtohen vetëm me literaturë standarde, por të krijohet edhe një qasje hulumtuese sidomos në punimet seminarike. Gjithashtu AAK i ka rekomanduar Fakultetit Ekonomik që të krijojë një qendër kërkimore-shkencore, përmes së cilës ky fakultet do të zhvillohej më shumë në aspektin shkencor.
Në lidhje me cilësinë e studimeve në departamentin e gazetarisë, Agjencia e Akreditimit e Kosovës në raportin e vitit 2011, ka vlerësuar se në nivelin Bachelor programi i ngjan një kutie veglash (njohuri dhe praktikë) diçka që do të mund të ofrohej në kolegj. "Programi Master duket se nuk i ka lëndët dhe faktorët që janë të domosdoshëm për një kornizë shkencore: sistemet teorike, metodologjinë, disiplinat referenciale siç janë kompania mediatike, politika mediale, psikologjia mediale, edukimi medial, etj. Planprogrami nuk tregon se sa larg, sa shumë dhe në çfarë drejtimi studentët mësojnë të punojnë me metodat shkencore", thuhet në këtë raport të vlerësimit.
Ndërsa në drejtimet e Fakultetit të Edukimit ka mungesë të theksuar të librave bazike për lëndët obliguese. Sipas studentëve të këtij fakulteti katërmbëdhjetë lëndë mësohen me skripta. Ka edhe profesorë që e bëjnë obligative blerjen e librave të tyre.
Agjencia e Akreditimit e Kosovës ka dhënë rekomandime që disa nga programet e Fakultetit të Edukimit të rrisin punën kërkimore dhe njëkohësisht të hulumtohet në lidhje me mundësinë e pjesëmarrjes në projekte kërkimore që janë duke u bërë në BE dhe në universitetet tjera të edukimit të mësimdhënësve.
Seriozitetin e studimeve në UP e tregon edhe fakti se punimet e diplomave të studentëve po shitën në tregun e veturave në Fushë Kosovë dhe atë me çmim vetëm 1 euro. Personi që i shet këto punime të diplomave ka deklarua se ka më mijëra të tilla. Ndërsa në anën tjetër këto punime nuk analizohen nga askush, por mbrohen formalisht me një komision prej tre profesorëve.
Ramadan Zejnullahu, profesor në Departamentin e Matematikës në FSHMN, thotë se rënia e cilësisë së studimeve po bëhet për shkak të politizimit të UP-së si dhe angazhimit të stafit të ri në UP pa kurrfarë kriteresh, por vetëm se kanë qenë në shërbim të politikës dhe grupeve të ndryshme të interesit. Ai thotë se në pjesën e stafit të ri akademik, kryesisht zgjedhën kandidatë që nuk i plotësojnë kushtet ligjore dhe, në shumë raste ka recensione e procedura të falsifikuara nga vetë ata, por edhe nga komisionet recensuese, dhe e tërë kjo ndodhë sheshazi dhe me dijen e udhëheqjes së UP-së. Ai në një opinion të publikuar në "Koha Ditore" thekson se zgjedhja e stafit akademik bëhet sipas preferencave politike, përfitimeve materiale apo lidhjeve familjare. Sipas tij, votimi në pako për zgjedhjet e stafit akademik në Senatin e UP-së, është bërë mekanizmi më i sofistikuar i mbulimit të krimit në këtë fushë.
"Është e mjaftueshme të nxirret një statistikë e të pranuarve në punë në këto vite në UP, në çfarëdo pozite e të konstatohet se kriter dominues i pranimit ishte nepotizmi, përkatësia politike dhe interesi material. Si pasojë, sot njësitë akademike janë mbushur më kuadro që e kishin vështirë të merrnin një notë kaluese pa ndonjë zvarritje të gjatë ose herë-herë pa anashkalim të procedurave, kurse UP është degraduar aq sa tashmë nuk ka gjasë të kryej misionin e vetë", ka thënë Zejnullahu.
Ai thotë se numri relativisht i madh i doktoratave dhe magjistraturave të përfunduara në një periudhë relativisht të shkurtër është në shpërputhje të plotë me kapacitetet shkencore dhe pajisjet laboratorike në UP. "Anashkalimi i procedurave akademike në këtë fushë është përcjellë me veprime devijuese që ka rezultuar më produkt jocilësor dhe të dëmshëm për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Organet e Universitetit asnjëherë nuk e kanë bërë të qartë se transmetimin e informacionit shkencor mund ta bëjnë vetëm ata që e kanë informacionin shkencor dhe që në një masë, janë pjesë e këtij informacioni e kurrsesi ata të cilët këto grada shkencore i kanë arritur në rrugë joligjore", thekson Zejnullahu.
Falsifikime të notave në mënyrë të organizuar
Përveç cilësisë së dobët të studimeve, mungesës së literaturës bazë, një dukuri tjetër e pranishme është falsifikimi i notave nga ana e studentëve. Arben Hajrullahu, thotë se në Fakultetin Filozofik është e pranishme kjo dukuri, ndërsa tregon edhe për rastet kur është falsifikuar edhe nënshkrimi e nota e tij. Ai ngrehë dyshime të bazuara që falsifikimi i notave bëhet në bashkëpunim mes disa individëve nga stafi akademikë, udhëheqës e administrativ. Hajrullahu thotë se ua ka bërë me dije studentëve dhe stafit akademik, administrativ e udhëheqës se do t’i denoncojë në prokurori të gjithë ata që të falsifikojnë nënshkrimin e tij.
"Në vitin akademik 2012/13 kam pasur dy raste problemore me të cilat jam ballafaquar. Në njërin rast kisha të bëj me kërcënim, të cilin e kam denoncuar në polici. Në rastin tjetër një studente në fazën e diplomimit zihet diku me më shumë se dhjetë nota false, e nga to edhe një notë nga një lëndë që e ligjëroj unë. Unë kam dyshime të bazuara që ajo nuk e bëri individualisht këtë manipulim. Këtë ajo duhet ta ketë bërë edhe me ndihmën e disa kolegëve nga stafi akademik, administrativ e udhëheqës. Këtë rast unë e kam denoncuar në prokurori, e çfarë bën prokuroria tutje këtë nuk e di. Lidhur me rastin në fjalë prokuroria nuk më ka kontaktuar asnjëherë deri më tani, kurse Fakulteti për raste të këtilla shqipton dënime qesharake në stilin kaq apo aq semestra i merret e drejta e studimit, diplomimit etj", thotë Hajrullahu, duke shtuar se edhe në vitin 2007/2008 ka ndodhur një rast tjetër ku njëri nga asistentët bashkë me administratën e me heshtjen nga struktura e dekanatit të asaj kohe një të ashtuquajturi fytyrë publike ia mundësuan kalimin e provimit bazuar në manipulim. "Më kujtohet, kur e paraqita rastin në Dekanat më është thënë të heshtë sepse ky njeri vjen nga mediat dhe mund të del në media kundër nesh! Meqenëse në këtë rast nënshkrimi im nuk ishte falsifikuar nuk u mora më me këtë punë p.sh. që ta denoncoj në prokurori".
Një studente zihet diku me më shumë se dhjetë nota false, e nga to edhe një notë nga një lëndë që e ligjëroj unë. Unë kam dyshime të bazuara që ajo nuk e bëri individualisht këtë manipulim. Këtë ajo duhet ta ketë bërë edhe me ndihmën e disa kolegëve nga stafi akademik, administrativ e udhëheqës
Arben Hajrullahu
Hajrullahu, thotë se ka tendenca të ndryshme të studentëve për të kaluar provimet pa meritë. Ndërsa thotë se ka pasur edhe raste të kërcënimeve përmes mesazheve telefonike nga studentë për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret për ta kaluar provimin, por se nuk është tërhequr dhe pastaj studenti në fjalë që deklarohej si “veteran i luftës” i ka kërkuar falje dhe i është nënshtruar provimit sikur gjithë studentët e tjerë.
Vetëm gjashtë revista shkencore, të gjitha pa kode ndërkombëtare
Në Universitetin e Prishtinës, që ka 16 Fakultete, të cilat përbëhen gjithsej nga 80 departamente, botohen vetëm gjashtë revista shkencore. Por edhe këto revista shkencore nuk kanë vlera të mirëfillta shkencore, sepse vetëm njëra prej tyre (Njohja) përmes internetit është shpërndarë në tregun ndërkombëtarë, kurse të tjerat përdorën vetëm brenda Kosovës. Kjo tregon se këto revista janë të "varfra" dhe ende nuk i kanë plotësuar kriteret e revistave shkencore ndërkombëtare. Duke marrë parasysh këtë fakt, këto revista nuk kanë arritur që të marrin kode ndërkombëtare të revistave shkencore, por kanë marrë vetëm kode nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.
Probleme me punimet shkencore ka edhe vetë rektori i UP-së Ibrahim Gashi. Ai dyshohet se është avancuar me gradën profesor i rregullt pa pasur publikime në revista shkencore “me impakt faktor” dhe pa plotësuar numrin prej pesë punimeve shkencore ashtu siç është përcaktuar në Statutin e Universitetit të Prishtinës.
"Koha Ditore" më 9 tetor të këtij viti ka raportuar se shumica e punimeve shkencore që i janë njohur si kontribut për të marrë këtë thirrje, nuk e kanë Gashin për autor kryesor, janë jorelevante për lëndën, por edhe janë publikuar në një revistë shkencore të Indisë, që dyshohet të jetë e false.
Në fakultetin Filozofik vitin 2012 ka filluar të botohet revista "Njohja". Kjo është revistë e Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike, të Fakultetit Filozofik. Në maj të vitit 2013 ka dalë numri i dytë. Hasnije Ilazi, anëtare e bordit redaktues të kësaj reviste, thotë se kjo revistë ka depërtuar edhe në arenën ndërkombëtare dhe se tashme ka interesim edhe të autorëve të huaj për të publikuar punime shkencore në këtë revistë. Ilazi, ka thënë për Preportr se kjo revistë nuk ka përkrahje të madhe financiare nga rektorati. "Është e domosdoshme që rektorati i UP të ndajë fonde të veçanta vjetore për publikime në UP, me të cilat do të sigurohet vazhdimësia e publikimit të hulumtimeve dhe punimeve shkencore, të cilat janë një nga objektiva të arsimit të lartë". Por kjo revistë përfshinë kryesisht fushat e sociologjisë dhe filozofisë, ndërsa departamentet tjera (Departamenti i Psikologjisë, Shkencave Politike,Etnologjisë dhe Antropologjisë kulturore, nuk kanë revista shkencore. Ndërsa departamenti i Historisë ka pasur revistën "Buletini", por e cila nuk është duke u botuar më. Sipas profesorit, Muhamet Mala, i cili është person kontaktues, kjo revistë nuk është duke u botuar për arsye se nuk ka interesim të stafit akademik për ta nxjerrë në botim. "Revista Buletini i ka nxjerrë mbi 20 numra, por që pesë vite nuk ka dalë. Tash jemi në përpjekje për ta nxjerrë sërish. Janë disa arsye se nuk del, njëra është çështja materiale, por është edhe mos angazhime dhe mos interesimi i vetë profesorëve për ta nxjerrë këtë revistë. Ka qenë e lënë pas dore, nga neglizhenca. Besoj gjatë këtij viti do të fillojë sërish të dalë kjo revistë", thotë Mala.
Fakulteti i Edukimit i cili përbëhet nga dhjetë programe, boton vetëm një revistë "Edukologjia". Ka filluar të botohet në vitin 2001. Profesori Begzad Baliu që është person kontaktues i kësaj reviste, thotë se janë duke bërë përpjekje për të bërë marrëveshje me një universitet në Kanada që të ngritët niveli i kësaj reviste, pasi që kjo revistë nuk është e pranishme në botimet shkencore ndërkombëtare.
"Kësaj reviste po presim me ia jep kodin ISSN-së, sepse e ka pasur një kod që ia ka jep Biblioteka Kombëtare, por nuk ka ndonjë kod ndërkombëtar", thotë Baliu.
Fakulteti i Filologjisë ka nëntë departamente, boton revistën "Filologji", revistën me Botimet vjetore të aktivitetit shkencor të Seminarit për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare si dhe revistën "Media" e cila ka filluar të botohet që nga viti 2009. Të tri këto revista botohen një herë në vit, por nuk përkthehen në ndonjë gjuhë tjetër dhe nuk janë të pranishme në arenën ndërkombëtare.
Fakulteti Juridik ka tetë departamente, ndërsa boton revistën "E drejta". Kjo revistë botohet katër sipas profesorit Qerim Qerimi. Përqendrimi kryesor i shpërndarjes së Revistës është i kufizuar në hapësirën e Fakultetit. Më saktësisht, në skriptorën e Fakultetit Juridik. "Jashtë hapësirës universitare, kopje të Revistës vazhdimisht u përcillen universiteteve të cilat ofrojnë studime në gjuhën shqipe jashtë Republikës së Kosovës, veçanërisht në Tiranë dhe në Tetovë", thotë Qerimi.
Në lidhje me nivelin e kërkimeve shkencore, Dukagjin Popovci nga KEC, thotë se nuk ka përkrahje financiare për hulumtime shkencore dhe se puna kërkimore-shkencore bëhet në mënyrë individuale. "Puna kërkimore shkencore përkrahet shumë pak në Kosovë dhe krahasuar me universitet tjera është një vëllim i vogël i punës kërkimore. Financimi i punës kërkimore-shkencore është pothuaj zero", theksoi Popovci.
Nuk mbajnë ligjëratat me rregull, marrin pagat e plota
Një dukuri që e ka përcjellë UP-në gjatë gjithë këtyre viteve është mungesa e profesorëve në ligjërata. Preportr gjatë këtij hulumtimi ka bërë një anketë të thjeshtë me studentë të Fakulteteve Filozofik, Juridik dhe Ekonomik, ku ka rezultuar se profesorët që nuk vijnë fare ose që vonohen për të mbajtur ligjëratat, janë ata që kanë poste politike dhe qeveritare. Në vend të tyre mbajtjen e ligjëratave dhe provimeve i mbajnë asistentët e tyre.
Por kjo dukuri nuk është e re, pasi që edhe hulumtimet e viteve paraprake tregojnë se profesorët e angazhuar në politikë nuk kanë mbajtur ligjëratat me rregull, ndërsa për kohën e konsultimeve as që diskutohet. Mosrespektimi i orarit të ligjëratave, të provimeve, konsultimeve, mosrespektimi i syllabuseve nga profesorët, mosimplementimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe vlerësimit, vlerësimi jo objektiv i studentëve nga profesorët, janë disa nga shkeljet e stafit akademik që përmenden në raportin e procesit të monitorimit të kryer në UP nga Parlamenti i Studentëve (PS). Ky raport i përpiluar pas hulumtimit të gjendjes në UP, për periudhën tetor 2010- shkurt 2011, një kopje e së cilës e pati siguruar “Zëri” konfirmon se nëpër njësi akademike të UP-së, studentët obligohen për blerjen e librit nga ana e profesorëve, është prezente hakmarrja e profesorëve me rastin e vlerësimit, sjellje jo e mirë e profesorëve me studentë, duke filluar nga sjelljet mospërfillëse deri tek sjelljet nënçmuese, fyese e kërcënuese.
Ky raport i përpiluar pas hulumtimit të gjendjes në UP, konfirmon se nëpër njësi akademike të UP-së, studentët obligohen për blerjen e librit nga ana e profesorëve, është prezente hakmarrja e profesorëve me rastin e vlerësimit, sjellje jo e mirë e profesorëve me studentë, duke filluar nga sjelljet mospërfillëse deri tek sjelljet nënçmuese, fyese e kërcënuese.
Në raport thuhet se një pjesë e profesorëve nuk mbajnë ligjëratat me rregull, e kjo dukuri theksohet se zakonisht ndodh tek profesorët që punojnë edhe në vende të tjera të punës, në institucione shtetërore ku kanë funksione politike, në kolegje private, një pjesë e tyre angazhojnë asistentë, dhe disa profesorë bëjnë bashkë nga 2-3 grupe për një ligjëratë me arsyen që të kryhet ligjërata shpejt se nuk ka kohë profesori.
Por pavarësisht këtij fakti, Rektorati i UP-së vazhdon t'i "shpërblejë" këta profesorë për mungesat e tyre, pasi që ua paguan të gjitha orët e pa realizuara. Këtë e konfirmon edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e fundit të publikuar në qershor 2013. Në këtë raport i rekomandohet rektoratit që të aplikojë kontrolle monitoruese mbi procesin e mbajtjes së ligjëratave dhe kompensimit të pagave dhe mëditjeve në mënyrë që të mos bëhen pagesa për shërbime që nuk janë kryer.
"Në 8 raste të testuara të ligjëruesve me kontratë të rregullt në vlerë prej 105,488 euro, kishte mungesa të mësimdhënësve në procesin mësimor. Për orët e pa mbajtura nga këta ligjërues, në bazë të rregullores për të ardhura personale të Universitetit të Prishtinës nr.1/126 personeli që ka munguar nga procesi mësimor është dashur të sanksionohet me heqje të pjesshme të pagës 50 euro për çdo orë të humbur nga profesorët, dhe 25 euro për çdo orë të humbur nga asistentët. Ndalesa që është dashur të ndodhë sipas përllogaritjeve tona është 10,968 euro",thuhet në raport.
Nga 25 pagesat individuale të testuara me vlerë të përbashkët prej 82,995 euro, kemi vërejtur se janë kompensuar pa dëshmi për plotësimin e orëve mbi normë dhe honorarë vlera prej 11,248 euro
Raporti i ZAP
Këto vërejtje, ZAP ia ka bërë rektoratit edhe në vitin 2011, por që nuk janë marrë parasysh. "Ne kemi testuar 12 raste për vijueshmërinë e ligjëratave nga Personeli Akademik dhe kryerjen e pagesave në bazë të kontratave. Në tri raste u janë bërë ligjëruesve pagesa edhe pse nuk i kishin plotësuar normën e paraparë me kontratë.
Gjithashtu në këtë raport thuhet se shumica e personelit akademik posedojnë kontratë mbi normë dhe kontrata honorarë, që përcakton numrin e orëve shtesë që duhet të realizohen. "Nga 25 pagesat individuale të testuara me vlerë të përbashkët prej 82,995 euro, kemi vërejtur se janë kompensuar pa dëshmi për plotësimin e orëve mbi normë dhe honorarë vlera prej 11,248 euro".
Vazhdon dukuria e "parashutistëve"
Në UP vazhdimisht ka qenë e pranishme konkurrenca jo e barabartë në mes kandidatëve për të marrë statusin e studentit. Një numër i konsiderueshëm i studentëve vazhdimisht ndër vite janë pranuar pa asnjë kriter, e as pa konkurs. Ky kontingjent i studentëve zakonisht regjistrohen pas afatit të rregullt përmes ndikimeve politike dhe fillojnë procesin mësimor në fund të semestrit të parë.
Së fundi, në vitin akademik 2012-2013, Universiteti i Prishtinës pranoi rreth 150 studentë në drejtimin e shkencës politike në mospërputhje me kriteret e regjistrimit, me disa prej tyre që figurojnë në listën e administratës madje edhe vetëm nga muaji mars. Gazeta JNK, ka raportuat se në Departamentin e Shkencës Politike të Fakultetit Filozofik, në vitin akademik 2012-2013, u pranuan 144 studentë më shumë se sa parashihej me konkurset e shpallura nga Universiteti i Prishtinës. Katër prej tyre figurojnë të regjistruar gati fare në fund të vitit akademik, që nga mbarimi i marsit 2013. Regjistrimi i afër 150 studentëve shtesë, ndërkohë, është i jashtëligjshëm sepse nuk pati konkurse përkatëse të shpallura nga UP-ja. Përveç katër studentëve të pranuar në muajin mars, tridhjetë e shtatë studentë figurojnë se ishin regjistruar ndërmjet datës 9-14 janar 2013, pra pasi kishte përfunduar semestri i parë i studimeve.
Me këtë problematikë gjatë ligjëratave është përballur Arben Hajrullahu, profesor në Departamentin e Shkencës Politike në Fakultetin Filozofik. Ai ka thënë për Preportr se kjo dukuri ka ndodhur vazhdimisht ndër vite dhe se për këtë arsye ka disa vite që ai është tërhequr nga procesi i pranimit të studentëve në këtë departament.
"Po e përmend një rast, kur në fund të dhjetorit 2010 në Departamentin e Shkencës Politike e sollën një kontingjent diku 30-50 studentë të rinj. Reagimi im ishte se këta studentë nuk mund të fillonin ndjekjen e mësimit të ofruar nga unë së bashku me ata që kishin filluar qysh në fillim të semestrit, në tetor. Gjithashtu sqarova se nuk kam asgjë personale me studentët e pranuar jashtë çdo afati e rregulle, por u thash që duhet të mbanin orë shtesë, pasi që ligjëratat kishin filluar qysh para më shumë se dy muajve. Ndërsa reagimi i shumicës së studentëve të pranuar jashtë çdo rregulle ishte se vetëm me mua po kanë probleme në këtë aspekt dhe se ata e kanë mbështetjen qeverisë dhe e njerëzve aty për të filluar studimet në këtë mënyrë dhe periudhë kohore", theksoi Hajrullahu.
Rektorati jotransparent
Gjatë realizimit të këtij hulumtimi Preportr, ka pasur për qëllim që të bëjë edhe një monitorim të kualifikimeve akademike dhe punimeve shkencore të të gjithë profesorëve që ligjërojnë në UP. Edhe pse është bërë kërkesa për qasje në dokumente publike në rektorat (më 24.05.2013), ky institucion nuk na ka lejuar qasje në këto dokumente, edhe përkundër pritjes mbi pesë muaj dhe kontaktit të shpeshtë gjatë gjithë kësaj periudhe kohore.
Gjithashtu, për të gjitha çështjet e cekura në këtë hulumtim Preportr ka kërkuar që të bëjë intervistë me rektorin te Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", Ibrahim Gashi, por kjo nuk na është mundësuar me arsyetimin se rektori ka agjendë të ngjeshur.