English
Scroll top

Mungesa e monitorimit nxit shkeljet në kolegjet private

Edhe pse monitorimi i institucioneve të arsimit të lartë është i paraparë me ligj, një gjë e tillë nuk është bërë asnjëherë. Kjo situatë ka mundësuar që këto institucione, sidomos kolegjet private, të shkelin kushtet e akreditimit, gjë që ndikon edhe në cilësinë e studimeve. Monitorimi po dështon sepse Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk ka kapacitete njerëzore për ta kryer këtë obligim

Prishtinë, 22 Shkurt 2021

Monitorimi i institucioneve të arsimit të lartë pas akreditimit të tyre do t’i ndihmonte ngritjes së cilësisë në këto institucione. Edhe pse monitorimi parashihet me Ligjin për Arsimin e Lartë, deri më tani monitorimi nuk është realizuar. Kjo ka bërë që shumica e institucioneve të arsimit të lartë t’i thyejnë rregullat e akreditimit dhe kjo ka reflektuar shumë edhe në cilësinë që ofrojnë këto institucione – sidomos ato private.

Monitorimi që parashihet me ligj nuk është kryer deri më tani ngaqë Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) – institucion i thirrur për ta bërë monitorimin – nuk i ka kapacitetet e nevojshme njerëzore për ta kryer këtë obligim.

Si pasojë e mungesës së një inspektimi dhe monitorimi të mirëfilltë nga institucionet që janë të thirrura për ta bërë një gjë të tillë, institucioneve të arsimit të lartë u është lënë hapësirë që procesin e mësimdhënies ta mbajnë siç duan vetë. Kjo do të thotë se kolegjet mund të paraqesin emra të caktuar kur aplikojnë për akreditim, dhe pastaj ato t’i zëvendësojnë me staf tjetër që përfshihet në procesin mësimor.

Shiko Gazetën #B-17

Për me tepër, shumë prej kolegjeve kanë pranuar studentë pas konkursit, në shumicën e programeve nuk organizohet provimi pranues, rekrutimi i stafit bëhet pa konkurs, etj.

Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, Agjencia e Kosovës për Akreditim duhet të bëjë monitorimin dy herë në vit. Meqë kjo nuk është realizuar asnjëherë, ka pasur tendenca që Agjencia dhe Ministria e Arsimit t’ia lënë fajin njëra-tjetrës për dështimin e monitorimit.

Njohës të fushës së arsimit mungesën e monitorimit e shohin si shumë problematike. Sipas tyre, aty ku nuk ka monitorim dhe kontroll, ka edhe mungesë të cilësisë.

Në anën tjetër, pavarësisht digjitalizimit të sistemit – siç është vendosja e sistemit SMAIL që është menduar se do t’i shmangte parregullsitë sidomos lidhur me tejkalimin e numrit të studentëve në programe të caktuara – duket se as kjo nuk ka ndihmuar shumë. Në një hulumtim të mëhershëm, Preportr ka raportuar se ka numër të madh të studentëve që janë regjistruar nga kolegjet private duke tejkaluar numrin e lejuar, apo edhe duke i regjistruar në programe të paakredituara.

Në fund të vitit të kaluar drejtori i AKA-së Naim Gashi i ankohej Kryeministrit për parregullsitë që i kanë identifikuar në këtë sistem.

AKA nuk ka arritur të konsolidohet si institucion nga ndërhyrjet e njëpasnjëshme politike që kanë ndodhur aty. Kujtojmë vitin 2018 kur ish-Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi bordin e atëhershëm të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) në krye me Blerim Rexhen. Si pasojë e kësaj, Agjencia u përjashtua nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), dhe nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Haradinaj edhe në vitin 2019 nga pozita e Kryeministrit kishte paralajmëruar se do të ndërmerrte hapa në lidhje me vendimin e KSHC-së për tërheqjen e akreditimit të universiteteve publike të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit, vendim të cilin e pati quajtur të papranueshëm. Edhe kjo deklaratë ishte parë si ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike në një institucion të pavarur. Haradinaj gjithashtu i kishte dërguar një letër KSHC-së lidhur me vonesat për akreditimin e disa programeve të kolegjeve të caktuara. Në KSHC kjo u konsiderua si presion.

Sfidat për Agjencinë nuk përfundojnë këtu. Në fillim të shkurtit, duke mos pranuar të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion, tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë – Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo – dhanë dorëheqje nga ky institucion. Dorëheqje dha edhe kryetari dhe nënkryetarja e KSHC-së, Gazmend Luboteni dhe Vjollca Krasniqi, për arsye se – sipas tyre – janë munduar të përmirësojnë cilësinë në arsimin e lartë pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga jashtë dhe brenda KSHC-së, por se një gjë e tillë nuk është arritur.

Ligji që nuk u zbatua

Ligji për Arsimin e Lartë dhe udhëzimet administrative që parashohin monitorimin e institucioneve të arsimit të lartë nuk janë zbatuar asnjëherë.

Janë dy udhëzime administrative që e parashohin monitorimin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë (IAL).

Në udhëzimin Administrativ nr.2-2013 në nenin 27 pika 1, thuhet se AKA e rezervon të drejtën të inspektojë institucionet e akredituara në çfarëdo kohe me ose pa paralajmërim.

Udhëzimi administrativ nr. 15 /2018, në nenin 29 te monitorimi dhe vlerësimi thotë se AKA bën monitorimin dhe kontrollimin e cilësisë me paralajmërim në IAL-të e akredituara. Aty thuhet edhe se monitorimi dhe kontrollimi i cilësisë realizohet nga vlerësues të jashtëm ndërkombëtarë. Monitorimi sipas këtij udhëzimi duhet të bëhet dy herë brenda vitit.

Në vitin 2016, kur Blerim Rexha ishte kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ishte marrë vendim për monitorimin e IAL-ve në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në vendim thuhej se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet për monitorimin e IAL-ve të akredituara, në përputhje me nenin 7, pika 2 e Ligjit mbi Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës Nr. 04/L037, dhe Nenin 27, pika 1 e Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e IAL-ve në Kosovë Nr. 02/2013. 2. Monitorimi i IAL-ve të akredituara do të fillojë nga viti akademik 2016/2017, dhe do të organizohet dy herë brenda vitit akademik. As ky vendim nuk ka hyrë në fuqi asnjëherë.

Udhëzimet dhe vendimi janë derivat i Ligjit për Arsimin e Lartë aty ku në Nenin 7 janë paraparë detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Neni 7, pika 2 parasheh monitorimin e cilësisë dhe vlerësimin e IAL-ve.

Ligji nuk është zbatuar për shkak se AKA, i ka të punësuar vetëm tre zyrtarë që e bëjnë monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë së IAL-ve.

Në një raport të vitit 2017 KIPRED kishte gjetur se kompetencat e AKA-së lidhur me kontrollet dhe vlerësimet periodike nuk janë zbatuar në praktikë dhe kjo, sipas tyre, e rrit potencialin e keqpërdorimeve.

Pasojat e mungesës së monitorimit

Mungesa e monitorimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend ka lënë hapësirë për shkeljen e kushteve të akreditimit. Mediat dhe OJQ-të në vazhdimësi kanë raportuar për shkelje të mëdha të kushteve të akreditimit sidomos nga kolegjet private.

Në hulumtimet e saj Preportt ka gjetur se një numër i madh i studentëve pas kryerjes së studimeve nuk mund të dëshmojnë se kanë diplomuar pasi emrat e tyre nuk gjenden në librat amë në MASH.

Sipas një hulumtimi të kallxo.com të publikuar para dy vitesh, kolegjet private – ndër tjerash – u ofronin studentëve studime me korrespodencë dhe studime në distancë edhe pse një gjë e tillë nuk lejohet me kritere të akreditimit.

Për shkak të dyshimeve se një numër i konsiderueshëm i profesorëve janë të paraqitur në Kosovë si staf i rregullt akademik dhe në të njëjtën kohë kanë pasur marrëdhënie të rregullt të punës edhe në shtetet e tyre të origjinës – kryesisht në vendet e rajonit – AKA në vitin 2018 kishte filluar verifikimin e tyre duke bashkëpunuar me shtetet përkatëse.

Nga përgjigjet që AKA kishte marrë nga vendet e rajonit kishte rezultuar se 48 persona kanë dorëzuar deklarim të rremë për qëllime të akreditimit të programeve të studimit. Megjithëse kjo përbente shkelje të rëndë, të vetmin veprim që e kishte ndërmarrë AKA-ja ishte dhënia e një afati IAL-ve për ta larguar këtë pjesë të stafit nga listat e stafit akademik. Për IAL-të të cilat nuk kanë arritur t’i bëjnë zëvendësimet e nevojshme sipas kërkesës së AKA-së, KSHC kishte marrë vendim për tërheqjen e akreditimit të programeve.

Me gjithë shkeljet e mëdha, sidomos nga kolegjet private, të vetmet ndëshkime që janë ndërmarrë ndaj tyre kanë qenë suspendimet e programeve për shkak të mungesës së stafit akademik.

Sa u përket profesorëve që vijnë nga jashtë, sidomos nga shtetet e rajonit, zyrtarë të AKA-së kanë thënë se ata kanë lidhur marrëveshje me ministritë e arsimit të vendeve si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe kanë marrë zotime që në rast se një profesor deklarohet nga kolegjet e Kosovës si i rregullt dhe në të njëjtën kohë është në marrëdhënie të rregullt pune në këto vende do të ofrohen të dhëna për ta nga këto shtete.

Në Kosovë, praktika e mëhershme kur profesorët kanë mundur të punojnë si të rregullt në dy e më shumë institucione të arsimit të lartë, thuhet se është tejkaluar.

“AKA-ja bën verifikimin e bartësve të programeve akademike. Me financimin e Alled 2, projekt i Agjencisë Zhvillimore Austriake (ADA), sivjet kemi avancuar sistemin e-akreditimi – platformë elektronike e cila posedon të dhënat e të gjithë stafit akademik në Republikën e Kosovës. Për herë të parë sivjet e kemi ndërlidhur këtë platformë me Administratën Tatimore për të vërtetuar nëse stafi i deklaruar vërtet është i angazhuar në institucionet përkatëse”, thotë drejtori i AKA-së, Naim Gashi.

MASH dhe AKA ia lënë fajin njëra-tjetrës

Në vazhdimësi ka pasur tendenca që institucionet relevante të arsimit të lartë, gjegjësisht MASH dhe AKA t’ia lënë fajin njëra-tjetrës për mungesën e monitorimit gjatë këtyre viteve dhe faktin se ka pasur shumë parregullsi nga IAL-të në mungesë të këtij monitorimi.

Ish-kryetari i Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Gazmend Luboteni, në një bisedë me Preportr që është realizuar vitin e kaluar, pasi ka pranuar që AKA nuk i ka kapacitetet e nevojshme njerëzore për të bërë monitorimin e IAL-ve, ka thënë se monitorimi i tyre është edhe çështje e inspektoratit të arsimit. Megjithatë, ai ishte optimist se monitorimi do të fillonte gjatë vitit 2020.

“Do ta bëjmë monitorimin në aspektin e cilësisë, do të thotë që ata profesorë që i kemi në lista dhe që janë deklaruar, a janë ata që ligjërojnë apo është dikush tjetër. Kjo është çështje shumë me rëndësi për cilësinë, sepse nëse është dikush tjetër, nuk është respektuar vendimi i KShC-së. Këtë monitorim ne duhet ta bëjmë se paku dy herë në vit”, pati thënë ai.

Kemi të miratuara gjithsej 32 pozita, duke përfshirë edhe disa monitorues, por për shkak të ndryshimit të ligjit dhe rregulloreve të rekrutimit të shërbyesve civilë, gjatë vitit 2020 nuk jemi lejuar që të rekrutojmë staf të ri.

Naim Gashi, drejtor i AKA-së

Për të filluar monitorimin, ishte paraparë që gjatë vitit 2020 të punësoheshin 32 monitorues nga AKA, por kjo nuk ka ndodhur.

Naim Gashi, drejtor i AKA-së, ka thënë se ky institucion i ka të punësuar dy zyrtarë që merren me procesin e monitorimit dhe dy të tjerë me procesin e vlerësimit të IAL-ve.

“Kemi të miratuara gjithsej 32 pozita, duke përfshirë edhe disa monitorues, por për shkak të ndryshimit të ligjit dhe rregulloreve të rekrutimit të shërbyesve civilë, gjatë vitit 2020 nuk jemi lejuar që të rekrutojmë staf të ri”, thotë ai.

Gashi thotë se, megjithatë, janë afër përfundimit të përpilimit të metodologjisë dhe procedurave të monitorimit të IAL-ve.

“Një mekanizëm i tillë nuk ka ekzistuar, prandaj jemi të bindur se me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtarë dhe organizatave partnere një mekanizëm i tillë do të funksionalizohet në vitin 2021”, thotë Gashi.

Monitorimi i vetëm që bën Agjencia aktualisht, sipas tij, është rishikimi i bartësve të programeve akademike vit për vit dhe përmes procesit të akreditimit të programeve dhe akreditimit institucional, përmes angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë.

“Ekspertët ndërkombëtarë bëjnë vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve akademike nëse ata kanë marrë në konsideratë rekomandimet e fundit që i kanë ndërmarrë’, shton Gashi.

Një hap që është konsideruar si sukses në shmangien e parregullsive ka qenë instalimi i Sistemit të Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMAIL). Në këtë sistem vendosen emrat e profesorëve pas akreditimit të programeve dhe studentëve të pranuar. Por, edhe në këtë sistem dyshohet që po paraqiten parregullsi.

Drejtori i AKA-së, Naim Gashi në fund të vitit të kaluar sipas kallxo.com i kishte dërguar një letër kryeministrit Avdullah Hoti, ku e kishte njoftuar për çështjen e hapjes së Sistemit të Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL), transferimet e paligjshme të studentëve nga ana e institucioneve te arsimit të lartë, angazhimin e ekspertëve të jashtëm si dhe tema të tjera.

Me këtë letër Gashi i ka shprehur shqetësimet Hotit lidhur me transferimin e studentëve nga njëri program në tjetrin. Madje, sipas tij, këto programe nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrën. Ai merr shembull se si në vitin e dytë, me kërkesë të IAL-së brenda MASH-së, bëhet transferimi i studentit nga programi Dizajn Grafik (BA) në programin e Infermierisë (BA), ndonëse programet nuk kanë kurrfarë lidhjeje mes vete. Tutje në këtë letër, ai e njofton Hotin se e gjithë kjo po bëhet me lejen e Departamentit të Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

“Megjithatë, ndonëse AKA ka kryer obligimin e saj ligjor në përmbushje të standardeve, Departamenti i Arsimit të Lartë brenda MASH-së, po lejon transferin e studentëve në programe krejtësisht të ndryshme, duke shkelur rëndë kriteret e përcaktuara”, thuhet më tej në letër.

U.d. i drejtorit të Departamentit të Arsimit të Lartë në MASH, Burim Gashi, i ka thënë mediumit kallxo.com se nuk kanë realizuar takim zyrtar me drejtorin e AKA-së.

Sipas tij, për pretendimet e Gashit për transfere të mundshme të kundërligjshme ai e ka njoftuar Inspektoratin e Arsimit.

“Pas marrjes së kësaj shkrese e kam përcjellë në organin kompetent – pra në Inspektoratin e Arsimit në MASH, për të inspektuar rastet në fjalë, nëse ka të tilla”, ka thënë ai.

Ndërkaq Preportr ka kontaktuar me Inspektoratin e Arsimit në MASH për të parë se cila është përgjegjësia e tyre në monitorimin e IAL-ve. Drejtori i këtij inspektorati, Dëfrim Gashi, ka thënë se Inspektorati i Arsimit ka kompetenca shumë të kufizuara në arsimin e lartë.

Ai thotë se nga AKA nuk kanë pasur kërkesë për t’i ndihmuar, megjithëse janë të gatshëm për bashkëpunim.

“Megjithatë inspektorati ka pasur inspektime në IAL në rastet ku për temë ka qenë konstatimi i gjendjes faktike nëse kane pasur licencë pune programet e akredituara. Ka pasur raste kur kemi konstatuar se ka pasur shkelje ligjore dhe lëndët i kemi përcjellë në gjykatë dhe ende nuk kemi përgjigje përfundimtare”, thotë Gashi.

Në kërkesën e Preportr për qasje në këto lëndë, Gashi ka thënë se nuk mund të na ofrojë qasje për shkak te ndjeshmërisë se tyre.

Kolegjet duan monitorim

Edhe pse kolegjet private kanë qenë shkelës më të mëdhenj të kushteve të akreditimit, zyrtarë të tyre thonë se një monitorim më i madh nga AKA dhe institucionet e tjera do t’u ndihmonte në ngritjen e cilësisë.

Kur flasin për monitorim, duke qenë në konkurrencë ndërmjet vete kolegjet thonë se vetëm ai (monitorimi) mund të tregonte për nivelin e cilësisë dhe do të shiheshin në opinion dallimet në atë që ofrojnë kolegjet private individualisht.

Agjencia e Akreditimit duhet t’i rrisë kapacitetet me njerëz. Ajo duhet të futet brenda institucioneve sepse vetëm ashtu do të mund të bëhet monitorimi drejtpërdrejt në proces.

Shemsedin Vehapi, AAB

Shemsedin Vehapi nga kolegji AAB thotë se ata do të ishin të kënaqur nëse do të kishte pasur monitorim të mirëfilltë sepse aty do të shihej qartë se çka bëjnë dhe çka ofrojnë kolegjet.

“Agjencia e Akreditimit duhet t’i rrisë kapacitetet me njerëz. Ajo duhet të futet brenda institucioneve sepse vetëm ashtu do të mund të bëhet monitorimi drejtpërdrejt në proces. Kjo e paraqet pasqyrën e saktë dhe e bën dallimin mes asaj që duhet të lihet dhe asaj që nuk duhet sepse vetëm kjo e nxit cilësinë. Vetëm kështu ti mund të shohësh se kush e ofron atë që pretendon gjatë procesit të akreditimit”, thotë ai.

Vetë procesi i akreditimit, sipas Bekim Marmullakut nga kolegji Fama, është njëfarë skanimi i tërësishëm i cilësisë në të gjitha fushat. Pas akreditimit, Agjencia sipas tij e bën një monitorim të çuditshëm.

“Është një monitorim i çuditshëm, ata monitorojnë prej objekteve të tyre, nuk është që kanë qenë këtu në takime të përbashkëta edhe pse i kemi ftuar, janë të mirëseardhur në qoftë se vijnë këtu fizikisht”, thotë ai.

Monitorimi nga zyra, sipas tij, nënkupton që ata kërkojnë dëshmi për stafin, për programin – varësisht se çka u duhet.

Në AAB ndërkaq, kur është puna te cilësia, thonë se nuk janë të kënaqur që nuk po arrijnë rezultate më të mëdha në fushën e hulumtimeve.

“Brenda AAB-së është shumë e vërtetë që ne duhet të punojmë më shumë në ngritjen e kapaciteteve hulumtuese të stafit, të punojmë më shumë, sepse problem nacional i Kosovës është shkenca dhe puna shkencore, kjo duhet të fuqizohet më shumë edhe në raport me tregun e punës”, thotë Vehapi.

Uran Rraci nga kolegji Universum, kur flet për monitorimin, thotë se AKA e ka bërë një pjesë të stafit pjesë qendrore të monitorimit të cilësisë brenda institucioneve.

“Është shumë e vërtetë se monitorimi nuk duhet të ndodhë vetëm atëherë kur bëhet akreditimi i programeve.”, thotë ai.

Duke potencuar faktin se AKA ka pak njerëz që merren me monitorimin, Rraci thotë se i mbetet institucionit përgjegjësia që stafi i deklaruar vërtet të japë mësim aty

“Në qoftë se je institucion serioz natyrisht se nuk do ta gënjesh studentin. Atyre do t’u japin mësim profesorët që ti i ke deklaruar”, thotë ai.

Është një monitorim i çuditshëm, ata monitorojnë prej objekteve të tyre, nuk është që kanë qenë këtu në takime të përbashkëta edhe pse i kemi ftuar, janë të mirëseardhur në qoftë se vijnë këtu fizikisht.

Bekim Marmullaku, Fama

Kolegji Universum, sipas Rracit, e ka një përparësi në raport me kolegjet tjera private sa i përket monitorimit. Sipas tij, monitorimi i këtij kolegji bëhet edhe nga Pearson Education që është në Britaninë e Madhe.

“Edhe ata e bëjnë monitorimin dy herë në vit, na e monitorojnë stafin, kështu që ne u nënshtrohemi dy vlerësimeve dhe kështu jemi më të kujdesshëm në lidhje me stafin i cili ligjëron brenda institucionit”, thotë ai.

Preportr, ka bërë kërkesë për intervista edhe me kolegjet e tjera, por ato nuk i janë përgjigjur kësaj kërkese.

Pa monitorim nuk ka përmirësim të cilësisë në arsimin e lartë

Monitorimi, sipas njohësve të arsimit, duket të jetë mundësia e vetme për ngritjen e cilësisë dhe shmangien e parregullsive në institucionet e arsimit të lartë në vend.

KIPRED është vetëm njëra nga organizatat që është marrë me pasojat që mund të sjellë mungesa e monitorimit. Blend Zyrapi, hulumtues në KIPRED, thotë për Preportr se edhe pse rregullohet me ligj monitorimi i IAL-ve nuk ka ndodhur asnjëherë.

“Në vitin 2017, kur kam intervistuar zyrtarët në Ministrinë e Arsimit dhe Agjencinë e Akreditimit, dy këto institucione i kam pyetur se pse nuk i monitorojnë apo i inspektojnë institucionet e arsimit të lartë (publike/private) në mënyrë të rregullt. Arsyeja e tyre ka qenë sepse nuk kanë resurse njerëzore”, thotë Zyrapi.

Zyrapi thotë se mungesa e monitorimit jo vetëm që i ka ndihmuar parregullsive por dëmi që u është shkaktuar qytetarëve të Kosovës është shumë i madh.

“P.sh. studentët që nuk mund t’i vërtetojnë diplomat e tyre në MASH për shkak që kolegjet private dhe ato publike nuk kanë dorëzuar librat amëz në MASH. Pastaj, në 2017 AKA-ja ka gjetur se mbi 50 profesorë kanë paraqitur dokumente të falsifikuara që t’ua mundësojnë kolegjeve private akreditimin. Sikur të kishte monitorim dhe inspektim, këta profesorë nuk do të kishin mundësi të punonin për shumë vjet në këto institucione duke shkelur ligjet”, thotë Zyrapi.

Zyrapi përmend edhe parregullsi të tjera që, sikur të kishte monitorim, do të mund të shmangshin. Ai thotë se deri në vitin 2018 kolegjet private kanë pranuar studentë edhe jashtë afateve ligjore, ku ka pasur regjistrime në muajt mars e prill për një vit akademik që ka filluar në nëntor.

“Ose ka raste kur kolegjet kanë akredituar programin me profesorë që janë me PhD, por ata nuk ligjërojnë në këto kolegje, ndërsa ligjëratat i mbajnë asistentët e tyre, edhe kjo ndikon në cilësinë e studentëve”, thotë ai.

Edhe pse është instaluar sistemi SMAIL, ai thotë se as në vitin 2019 parregullsitë nuk janë shmangur.

“Në vitin akademik 2018/2019 ka pasur kolegje që kanë tejkaluar numrin e studentëve të lejuar për regjistrim, nga kjo janë dëmtuar studentët. Kështu që, krejt varet se kur MASH e mbyll sistemin SMAIL për kolegjet private”, shton Zyrapi.

Për gjendjen në arsimin e lartë në vend me theks te kolegjet private, Zyrapi nuk e amniston MASH-në ani pse këta në vazhdimësi e kanë mohuar që monitorimi i ILA-ve është kompetencë e tyre.

Ka raste kur kolegjet kanë akredituar programin me profesorë që janë me PhD, por ata nuk ligjërojnë në këto kolegje, ndërsa ligjëratat i mbajnë asistentët e tyre, edhe kjo ndikon në cilësinë  e studentëve.

Blend Zyrapi, KIPRED

“MASH është përgjegjësi kryesor për politikat e arsimit të çdo niveli të arsimit në Kosovë. MASH ka rolin kryesor për ngritjen e nivelit të cilësisë të arsimit të lartë. Ky institucion është fajtori kryesor për gjendjen e arsimit në Kosovë dhe për të gjitha dështimet. Ministria e Arsimit edhe AKA-ja urgjentisht duhet t’ua ndalojnë zyrtarëve të tyre të punojnë në kolegjet private, përndryshe nuk do të ketë ngritje të cilësisë në kolegje private, por vetëm parregullsi”.

Edhe Blerim Rexha, ish-kryetar i Bordit të KSHC-së, i pati thënë mediumit kallxo.com se pa një monitorim të mirëfilltë zor se do të kemi cilësi në arsimin e lartë në Kosovë.

Cilësia e arsimit të lartë, sipas Rexhës, do të arrihet kur të bëhet edhe monitorimi, gjegjësisht zbatimi i rregulloreve dhe planit të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë.

Për këtë, ai mendon se duhet të rriten kapacitetet e AKA-së, të shtohet numri i zyrtarëve që shërbejnë si për monitorim ashtu edhe për vlerësim, si dhe të investohet në infrastrukturë që proceset administrative të jenë digjitale.