Prishtinë, 17 Nëntor 2020
Në Kosovë ka mungesë të theksuar të stafit për nevoja të arsimit të lartë. Duke marrë parasysh numrin e lartë të institucioneve të arsimit të lartë, kuadri duket të jetë problemi më i madh. Kriteret e Agjencisë për Akreditim, kanë avancuar në kërkim të një kuadri më cilësor dhe adekuat për akreditimin e një programi. Megjithatë në terren nuk është vërejtur shtim i madh i kuadrit arsimor, atij me kualifikim superior gjë që ka bërë që kuadri aktual të kalojë nga një universitet, përkatësisht kolegj në tjetrin.
Mungesën e kuadrit Preportr, e ka trajtuar edhe te universitetet publike kurse një gjë e tillë e cila do të trajtohet në këtë hulumtim është problem i madh edhe i kolegjeve private.
Duke e parë mungesën e stafit në vend disa prej personave përgjegjës të kolegjeve i kanë thënë Preportr, se po mundohen të krijojnë stafin e tyre, kurse si alternativë thonë se po gjejnë profesorë në rajon dhe më gjerë për të mbuluar mungesat.
Preportr përveç mungesës së stafit në këtë hulumtim ka parë edhe lidhjet politike si dhe në sa vende punon stafi i disa prej kolegjeve private. Të dhënat tregojnë se ka një numër të madh të profesorëve të kolegjeve private që punojnë edhe në universitetet publike e sidomos në Universitetin e Prishtinës që në këtë rast po ashtu nuk arrin të mbulojë kërkesat e veta me staf të rregullt.
Është shikuar edhe për profesorët që vijnë nga jashtë shtetit, se a janë të rregullt edhe në universitetet e tyre edhe në Kosovë por nuk është gjetur ndonjë të dhënë për një gjë të tillë. Kujtojmë se kjo ka qenë një problem i madh në të kaluarën dhe Agjencia e Akreditimit të Kosovës, pati filluar t’i identifikojë ata.
Njohësit e fushës së arsimit mungesën e stafit e shohin si problemin më të madh edhe për faktin e numrit të madh të studentëve që frekuentojnë universitetet publike dhe kolegjet private.
Udhëheqësit e kolegjeve private ndërkaq e shohin si problem të madh akreditimin, i cili ka vënë rregull sidomos të puna e stafit, edhe pse Agjencia e Akreditimit të Kosovës, pas akreditimit në asnjë rast nuk monitoron kolegjet për të parë që stafi i paraqitur për akreditim të programeve është duke dhënë mësim në ato kolegje.
Kolegjet me mungesë stafi
Mungesa e stafit është problem shumë i madh për kolegjet. Shumë programe të këtyre kolegjeve nuk janë akredituar në mungesë të këtij stafi.
Kolegjet po i mbulojnë nevojat e tyre duke angazhuar staf edhe nga jashtë Kosovës, më së shumti nga vendet e rajonit. Kërkesa e AKA-së për këto raste është që mësimdhënësit e angazhuar nga vendet e tjera mos të jenë profesorë të rregullt në universitetet në vendet e tyre. Preportr ka shikuar të gjithë emrat që janë vendosur në ueb-faqet e kolegjeve për të parë nëse ndonjëri prej tyre është i punësuar si profesor i rregullt në ndonjërin prej universitetet e vendeve prej nga vijnë, por nuk ka gjetur ndonjë rast të tillë. Ndërsa ka të tillë që vijnë nga vendet tjera dhe që punojnë si të angazhuar në kolegje.
AKA në mandatin e kaluar kishe filluar t’i identifikojë profesorët që mbanin nga dy punë si profesorë të rregullt këtu në Kosovë dhe në vendet e rajonit. Puna e tyre ishte ndërprerë pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për shkarkimin e bordit të këtij institucioni.
Në këtë mënyrë do t’i eliminojmë deklarimet e dyfishta dhe vendet e dyfishta të punës, që në të kaluarën ka pasur
Gazmend Luboteni, AKA
Përbërja e tashme e bordit, këtë çështje e ka adresuar në nivel të ministrive të arsimit në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut dhe thonë se kanë marrë zotime që në rast se një profesor deklarohet nga kolegjet e Kosovës si i rregullt, ndërsa në të njëjtën kohë është në marrëdhënie të rregullt pune në këto vende ofrohen të dhëna për ta nga këto shtete.
“Në këtë mënyrë do t’i eliminojmë deklarimet e dyfishta dhe vendet e dyfishta të punës, që në të kaluarën ka pasur”, thotë Gazmend Luboteni Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC)
Edhe brenda Kosovës sipas tij, kjo tashmë është rregulluar ligjërisht, duke shmangur kështu praktikën e mëhershme kur profesorët kanë mundur të punojnë si të rregullt në dy e më shumë institucione të arsimit të lartë.
Bekim Marmullaku, shef i zyrës për sigurimin e cilësisë në kolegjin Fama, thotë se tanimë nuk ka lëvizje të mëdha të stafit nga njëri universitet në tjetrin. Kjo në njëfarë mënyre paraqet problem të madh pasi në Kosovë ka mungesë të madhe të stafit akademik.
“Kosova ka mungesë shumë të madhe të profesorëve universitarë edhe në raport me kuotën numri i studentëve me një profesor sipas standardeve të Bashkimit Evropian është i vogël, edhe në raport me programet sidomos për disa programe deficitare nuk ka staf të mjaftueshëm”, thotë ai.
Vetëm sa për statistikë deri në vitin 1999, vetëm 5.6% e popullatës se Kosovës kane pasur të përfunduar fakultetin, pas vitit 1999 me hapjen e tregut edhe normal me qasjen në arsimin e lartë ky numër është rritur por prape është i vogël
Uran Rraci, Universum
Uran Rraci nga kolegji Universum, thotë se përgjatë viteve nuk është investuar shumë në krijimin e stafit, për këtë arsye sot ka mungesë të madhe me staf.
“Vetëm sa për statistikë deri në vitin 1999, vetëm 5.6% e popullatës se Kosovës kane pasur të përfunduar fakultetin, pas vitit 1999 me hapjen e tregut edhe normal me qasjen në arsimin e lartë ky numër është rritur por prape është i vogël. Imagjinoni sa ka qenë numri i atyre me master ose me nivelin e doktoratës”, thotë ai.
Nisur nga këto statistika sipas tij, kjo është sfide, për shkak se nuk ka kuadro te mjaftueshme për t’i përmbushur kërkesat të cilat janë në institucionet publike edhe në institucione private.
Kolegjet përpiqen të krijojnë stafin e tyre
Megjithëse stafi është problem i madh për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, në kolegje thonë se po mundohen të krijojnë stafin e tyre. Duket se kjo nuk po realizohet me hapa të shpejtë, pasi në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, thonë se nuk e kanë vërejtur që kjo punë po merret seriozisht nga kolegjet private.
“Ne kemi vërejtur se kolegjet nuk investojnë në stafin e tyre. Ata një nga prioritetet duhet ta kenë që të kenë staf të tyre, të mos bazohen në stafin e jashtëm, qoftë nga UP-ja apo nga vendet e rajonit. Nëse ata investojnë në staf, kjo do të ndikojë edhe në cilësi”, thotë Luboteni.
Ndërkaq zyrtarë nga kolegjet thonë se duke e parë rrezikun që shumë programe në këto kolegje nuk do të akreditohen në mungesë të stafit kanë filluar të krijojnë stafin e tyre. Ata thonë se po u japin bursa studentëve të tyre që të kryejnë studime të doktoratës jashtë shtetit, kur dihet se vet kolegjet nuk mund të ofrojnë këtë nivel të shkollimit dhe Universiteti i Prishtinës ofron një numër të vogël doktoratash për të mbuluar të gjitha nevojat e universiteteve publike dhe kolegjeve private.
“Patjetër, ne veç kemi disa, mjaftueshëm ndoshta, ish-studentë të kolegjit Fama që sot janë mësimdhënës në Fama, dhe vazhdimisht përpiqemi që me kriteret që i kemi të definuara me rekrutu staf së pari brenda studentëve që i kemi në nivelet bachelor dhe master, domethënë prapë ka mjaftueshëm këtu”, thotë Marmullaku nga kolegji Fama.