English
Scroll top

Viktimat e kolegjeve private

Mijëra studentë të kolegjeve private që kanë përfunduar studimet nuk mund t’i vërtetojnë diplomat në MAShT. Ata ligjërisht janë të padiplomuar. Kjo për shkak se shumica e kolegjeve për disa gjenerata nuk kanë dërguar librat amëz në ministri, i kanë dorëzuar jashtë afatit ligjor, dhe në disa raste edhe kanë regjistruar studentë pa i pasur programet e akredituara. Edhe pse zyrtarët kompetentë të MAShT-it kanë qenë të informuar për këtë dukuri, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë

Prishtinë, 12 Maj 2020

Drizan Shala në vitin 2019 ka përfunduar studimet e nivelit master për politika publike dhe menaxhment në kolegjin “Juridica”. Për të, ky nuk ishte stacioni i fundit. Ai dëshironte të vazhdonte studimet e doktoratës jashtë vendit. Ishte shumë i lumtur kur gjeti një bursë të plotë në vlerë prej 30 mijë euro në “East Brigde Academy” në Danimarkë. Për më tepër atij i thanë se do të angazhohej edhe si hulumtues dhe ligjërues në këtë universitet me një pagë fillestare prej 3 mijë euro në muaj.

I lumtur për këtë mundësi, ai filloi kompletimin e dokumenteve që i kërkoheshin. Një kriter për t’u regjistruar ishte edhe dërgimi i diplomës së masterit, por e vërtetuar në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

Duke e konsideruar një formalitet të thjeshtë, ai mori diplomën dhe shkoi në MAShT për ta vërtetuar. Por kur shkoi aty i thanë se emri i tij nuk figuron askund, pasi që kolegji ku ai ka studiuar nuk e kishte dërguar fare librin amëz.

Kjo ishte shokuese për të. Ai rezultoi ligjërisht i padiplomuar dhe nuk do të mund të vazhdonte doktoratën dhe punën në Danimarkë.

“Në ministri më kanë thënë që kolegji nuk i ka dorëzuar librat amëz. Pastaj kam shkuar në kolegjin “Juridica” për të kërkuar sqarime. Atje më kanë lejuar të kem qasje në dokumentet ku shihet se kolegji i ka dorëzuar dhe protokolluar librat amëz”, thotë Shala.

Shiko Gazetën #31

Ai thotë se kjo është shkelje ligjore dhe për këtë arsye ka shkuar në polici për ta paraqitur këtë rast. Sipas tij, pas intervistimit, policia e kanë kontaktuar prokurorin kujdestar, i cili ka kthyer përgjigje po atë ditë, duke thënë pala duhet t’i drejtohet gjykatës për kontest civil, sepse nuk ka bazë për hetim penal.

Shala thotë se në kohën kur kjo ministri udhëhiqej nga ministri Shyqyri Bytyqi i kanë thënë se është krijuar një komision i cili po e bënte një udhëzim administrativ për ta zgjidhur këtë çështje, por deri më tani nuk është bërë asgjë.

Preportr ka kontaktuar me kolegjin “Juridica” lidhur me këtë çështje. Ky kolegj është mbyllur që nga 30 shtatori i vitit 2019. Lidhur me rastet e verifikimit të diplomave thonë se kjo i ka ndodhur vetëm një studenti dhe se ata i kanë dorëzuar librat amëz në MAShT, por se “çka ka ndodhur me ato libra në këtë ministri nuk kanë njohuri dhe se kjo është përgjegjësi e kësaj ministrie”.

Por një dokument që e ka siguruar Preportr, rezulton se ky kolegj e ka dorëzuar librin amëz të kësaj gjenerate me 12 dhjetor 2014, që do të thotë se është dorëzuar jashtë afatit ligjor. Afati për dërgimin e librave amëz në këtë rast ka qenë deri me 20 nëntor.

Drizani nuk është i vetmi që e ka këtë problem. Janë edhe mijëra studentë tjerë që kanë përfunduar studimet në kolegjet private, por kanë mbetur ligjërisht të padiplomuar. Numri i saktë nuk dihet për shkak se vetëm një pjesë e tyre kanë bërë kërkesë për vërtetimin e diplomës në MAShT.

Nuk u dërguan librat amëz për tri gjenerata

Se ky numër është i madh tregon edhe një raport i brendshëm i MAShT-it, një pjesë të së cilit e ka siguruar Preportr. Aty thuhet se një numër i madh i kolegjeve nuk i kanë dorëzuar fare librat amëz. Ky raport tregon për shumë manipulime dhe parregullsi që janë bërë ndër vite me librat amëz nga kolegjet private.

Në këtë raport thuhet se kolegji AAB për gjeneratën 2015/16 ka dorëzuar vetëm në mënyrë elektronike (CD) studentët e regjistruar për këtë vit akademik, por nuk ka dorëzuar fare librat amëz.

“Me vendim të Inspektoratit të Arsimit në MAShT, zyra e Naric Kosova, ka filluar verifikimin dhe njohjen e diplomave të kësaj gjenerate”, thuhet në raport.

Pra inspektorati ka ndikuar që diplomat e studentëve të këtij kolegji të vërtetohen pavarësisht se sipas raportit nuk janë dorëzuar librat amëz.

“Vlen të theksohet se arsimi i lartë dhe inspektorati i arsimit nuk kanë qenë strikt në marrjen e masave në këto shkelje që janë bërë në vazhdimësi nga kolegjet dhe se si pasojë e këtyre shkeljeve shumë studentëve që numerikisht është e pamundur të verifikohen, nuk ju verifikohen dhe vulosen diplomat në MAShT”, thuhet ndër të tjera në raport.

 

Kolegjet që nuk i kanë dorëzuar librat amëz, sipas raportit të MAShT

Në të njëjtin raport theksohet se në vitet paraprake, me vendim të ministrave, afatet për dorëzimin e librave amëz disa herë janë shtyrë dhe se kjo ka krijuar një tollovi rreth dorëzimit të librave amëz, sepse pas zhvendosjes së afateve, kolegjet i kanë tërhequr librat paraprak që i kanë dorëzuar dhe i kanë sjellë librat tjerë me numër më të madh të studentëve të regjistruar.

Shemsedin Vehapi, zëvendës rektor i kolegjit AAB pranon se kanë pasur disa telashe me librat amëz për gjeneratën 2015/2016, por thotë se ato i kanë dorëzuar brenda afateve ligjore.

Ai thotë se në MAShT kanë gabuar dhe se kjo çështje është sqaruar, mirëpo koha deri sa është sqaruar është stërzgjatur dhe janë pak ata studentë qe kane pësuar.

“Ka pas situata kur [studentët] kanë ardhur me ankesa se mundet me u rreziku edhe regjistrimi edhe shpenzimet që i kanë bërë, por fatmirësisht kjo çështje është zgjidhur dhe është kuptuar realiteti se si qëndron dhe nuk ka pasur të bëjë me përpjekjen e AAB-së për t’i fshehur ato libra, sepse nuk kemi fshehur asnjëherë”, thotë Vehapi.

Kolegji Amerikan i Kosovës [tash RIT] ka thënë se i kanë dorëzuar librat amëz për vitin akademik 2014/2015 në MAShT dhe na kanë dërguar një dokument të pranimit. Por ky dokument ka dyshime nëse është juridikisht në rregull. Dokumenti nuk është i protokolluar nga MAShT dhe nuk është i vulosur. Aty figuron vetëm emri dhe nënshkrimi i një zyrtareje të MAShT-it që e ka pranuar librin amëz.

Për me tepër, në këtë dokument shkruan se dorëzimi i librave amëz për vitin akademik 2014/2015 është bërë me 23 mars 2015. Ky dorëzim mund të jetë bërë jashtë afatit kohor, për shkak se sipas udhëzimit administrativ 20/2014 data e fundit e dorëzimit të librave amëz duhej të bëhej më së largu me 20 tetor për studentët e nivelit bachelor dhe 20 nëntor për master.

Në kolegjin Heimerer thonë se i kanë dorëzuar brenda afateve ligjore të gjithë librat amëz, listën elektronike me numrin e saktë të studentëve të regjistruar dhe arsyetimin për regjistrim.

“Inspektorati i arsimit ka qenë çdo vit dhe asnjë vërejtje, rekomandim ose kërkesë për rishqyrtim të këtyre dëshmive nuk kemi marrë qoftë nga MAShT, DAL (Departamenti i Arsimit të Lartë) apo inspektorati”, thuhet në përgjigjen e kolegjit Heimerer.

Për problemet që kanë dalë për gjeneratat në vitin 2017 dhe 2018 nga kolegji Heimerer thonë se janë duke “ndjekur rrugët ligjore për të dëshmuar korrektësinë e institucionit në përmbushjen e obligimeve karshi MAShT dhe informimin me kohë për të gjitha veprimet e institucionit tonë”.

play

Mijëra studentë të kolegjeve private që kanë përfunduar studimet nuk po mund t’i vërtetojnë diplomat në MAShT. Ata ligjërisht janë të padiplomuar. Kjo për shkak se shumica e kolegjeve për disa gjenerata nuk kanë dërguar librat amëz në ministri, i kanë dorëzuar jashtë afatit ligjor, dhe në disa raste edhe kanë regjistruar studentë pa i pasur programet e akredituara. Edhe pse zyrtarët kompetentë të MAShT-it kanë qenë të informuar për këtë dukuri, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë, përkundrazi kanë ndërhyrë duke i validuar diplomat e disa prej kolegjeve

Në kolegjin ISPE kanë thënë se librat amëz për gjeneratën 2016/2017 i kanë dorëzuar në MAShT, e cila ua ka lëshuar një dokument të protokolluar për këtë gjë. Këtij kolegji nuk i janë pranuar librat amëz për gjeneratën 2017/2018 për shkak se i është pezulluar programi nga Agjencia e Akreditimit. Në ISPE thonë se u është bërë e padrejtë, pasi që pezullimi nuk është kategori ligjore dhe se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për këtë çështje.

“Ne do të iniciojmë edhe një hetim ndërkombëtar sa i përket shkeljeve te MAShT-it dhe Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA) në raport me Kolegjin ISPE”, thuhet në përgjigjen e këtij kolegji.

Ndërkaq në pyetjen e Preportr se sa është numri i studentëve që nuk po munden t’i vërtetojnë diplomat në MAShT, ky kolegj nuk ka kthyer përgjigje.

Sipas raportit, kolegji “Ilira” nuk ka dorëzuar fare libra amëz për gjeneratat 2014/15; 2015/16; 2016/17. Preportr ka kontaktuar me Arber Reçin sekretar në këtë kolegj, por ky i fundi ka kërkuar që paraprakisht t’i dërgohet raporti i MAShT apo numri protokollit të dokumentit, në mënyrë që të përgjigjet më konkretisht për këtë çështje. Ai nuk është përgjigjur në pyetjen se sa është numri i studentëve të këtij kolegji që nuk po mund t’i vërtetojnë diplomat në MAShT.

Ndërkaq, kolegjet tjera të përmendura në tabelë, nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje.

Në njërën nga gjeneratat e kolegjit “Iliria” për të cilat në MASHT thonë se nuk janë dërguar fare librat amëz është edhe Genc Meka. Ai ka studiuar për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci.

Genci thotë se studimet e nivelit master për të cilat ka paguar 1 mijë e 50 euro në vit, i kanë shkuar shumë mirë. Pas përfundimit të studimeve në vitin 2018, ai ishte pranuar të vijojë studimet e doktoratës në University of Leicester dhe London Schoolof Economics në Angli.

Sikur Drizanit, edhe atij i ka dështuar doktorata. Genci nuk ka mundur t’i vijojë këto studime për shkak se nuk ka mundur ta vërtetojë diplomën në MAShT. As Genci nuk e kishte ditur se ekziston një problem i tillë deri kur zyrtarët në MAShT i kanë thënë se vetëm diplomën e studimeve bachelor mund ta vërtetojë, por jo edhe të masterit.

“Në MAShT më kanë thënë se kolegji nuk i ka sjellë librat amëz me kohë dhe mungojnë dhe se nuk mund ta vërtetojnë diplomën. Pastaj kam shkuar në kolegj. Aty më kanë thënë se librat amëz i ka humbur MAShT-i, sepse ne i kemi dërguar me kohë”, thotë Meka.

Ky është faj i dyanshëm si te kolegji si te ministria. Asnjëra palë nuk e ka kryer punën e tyre në mënyrën e duhur  dhe janë dëmtuar studentët. Njëri prej tyre jam edhe unë.

Genc Meka

Ai thotë se edhe kolegët tjerë të gjeneratës e kanë pasur këtë problem. Thotë se ka edhe shokë që nuk kanë mundur t’i vërtetojnë as diplomat e studimeve bachelor.

“Prej vitit 2014 janë tri gjenerata në kolegjin “Iliria” që e kanë këtë problem”, thotë Meka.

Ai thotë se kjo çështje duhet të rregullohet dhe studentëve që i kanë kryer studimet në mënyrë të rregullt t’u vërtetohen diplomat.

“Ky është faj i dyanshëm si te kolegji si te ministria. Asnjëra palë nuk e ka kryer punën e tyre në mënyrën e duhur dhe janë dëmtuar studentët. Njëri prej tyre jam edhe unë”, ka thënë Genc Meka.

Se numri i studentëve që nuk mund t’i vërtetojnë diplomat e tyre është i madh e thotë edhe Blend Zyrapi, hulumtues në KIPRED.

Zyrapi i cili e ka realizuar një raport lidhur me këtë çështje, thotë se e vetmja mënyrë për ta kuptuar se sa është numri i studentëve që nuk munden të validojnë diplomën, është që të gjithë studentët të shkojnë në MAShT për të kërkuar vërtetimin e diplomës.

“Unë ua kam bërë këtë pyetje [sa është numri i studentëve që nuk mund t’i vërtetojnë diplomat] disa zyrtarëve që merren me këtë çështje në MAShT dhe pata shkuar prej 5 mijë deri në 50 mijë. Kur pata supozuar për këtë shifër patën thënë se aty afër jemi. Pra numri është shumë i madh, sepse ky problem fillon që nga viti 2011”, thotë Zyrapi.

Edhe pse zyrtarët e ministrisë kanë konstatuar se disa nga kolegjet nuk i kanë dorëzuar librat amëz, apo i kanë dorëzuar jashtë afateve ligjore, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndaj kolegjeve, edhe pse kjo fillimisht ishte paraparë në një udhëzim administrativ.

Zyrapi thotë se Udhëzim Administrativ 12/2016, [neni 12] ka qenë i vetmi që ka paraparë edhe masë ligjore për rastet kur kolegjet nuk i dorëzojnë librat amëz në MAShT brenda afatit.
Në raste të tilla MAShT-i ka pasur drejtë t’ia tërheq licencën kolegjeve. Një vit pas nxjerrjes së këtij udhëzimi administrativ, i njëjti është ndryshuar. Ndryshimi më i madh ka qenë heqja e masës ligjore për kolegjet që nuk i dorëzojnë librat amëz..

Me nxjerrën e udhëzimit të ri administrativ për Sistemin e Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL), janë shfuqizuar të gjithë udhëzimet administrative paraprake. Ky udhëzim administrativ [neni 6] i obligon kolegjet që t’i vendosin të dhënat e studentëve në SMIAL në bazë të afateve kohore të përcaktuara. Pastaj t’i dorëzojnë në MAShT listat e studentëve të nxjerra nga ky sistem, të vërtetuara, të nënshkruara, të vulosura dhe të lidhura në kopertina të forta në formatin A3.

Udhëzimi nuk parasheh asnjë masë ndëshkuese nëse kolegjet regjistrojnë më shumë studentë se sa e kanë pasur të kufizuar, apo nëse dërgojnë të dhëna jo të plota.

Por parashihen ndëshkime [neni 14] vetëm në rastet kur këto të dhëna nuk janë dorëzuar brenda afateve të caktuara ligjore. Për raste të tilla, ka dy ndëshkime: Studentëve nuk vërtetohen diplomat dhe e dyta, tërheqja e licencës ndaj kolegjit.

As Agjencia e Akreditimit që e bënë akreditimin e programeve, nuk kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj kolegjeve për shkak të tejkalimit të regjistrimit të numrit të studentëve.

Sipas nenit 21 [paragrafi 2] të Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës, AKA mund të rishqyrtojë akreditimin e dhënë në çfarëdo kohe dhe/apo më pas të tërheq vendimin e saj për akreditim nëse kushtet e dhëna me rastin e akreditimit janë shkelur. Në këtë rast kusht ka qenë kufizimi i numrit të studentëve për një program të caktuar, ndërsa kolegjet përkatëse nuk e kanë respektuar këtë kusht duke regjistruar më shumë studentë.

Kontrabandimi i librave amëz

Për problemet e shumta me librat amëz ishin të njoftuar në vazhdimësi ministri i arsimit Shyqyri Bytyqi dhe zyrtarët tjerë kompetentë.

Kumrije Gagica, udhëheqëse e Qendrës Kombëtare për Njohje të Diplomave (Naric) në fillim të vitit 2019 i kishte dërguar një e-mail ministrit Bytyqi dhe vartësve të tij duke i njoftuar se disa kolegje nuk i kanë respektuar dispoziatat ligjore duke mos dorëzuar kopjet e librave amëz në MAShT sipas afateve ligjore që është përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Librat Amëz të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Përmes këtij e-maili ajo ua ka dërguar edhe një raport të detajuar me të gjitha shkeljet e evidentuara.

“Nga momenti kur përgjegjësia e vërifikimit dhe vulosjes së dokumenacionit përkatës ka kaluar në Naric, kemi pasur raste kur inspektorët pa lejen e Naric-ut, kanë bërë inspektime individuale dhe kanë kërkuar që t’i vulosim diplomat e studentëve që nuk kanë qenë të evidentuar në librat amëz, të pavërtetetura dhe të pa protokoluara zyrtarisht, konform procedurës relevante në MAShT”, thuhet ndër të tjera në e-mail.

Ajo i tregon ministrit se përveç afatit të dorëzimit, i cili e konteston validitetin e studimeve të studentëve të listuar në librat amëz, ka edhe parregullsi tjera, si rastet kur numri i kopjes së librit amëz nuk përputhet me listat e dorëzuara elektronike, ose kur është dërguar lista elektronike, nuk është dorëzuar kopja e librit amëz.

“Listat e dorëzuara në MAShT nuk janë mbyllur dhe verifikuar me nënshkrim dhe vulë, ose rastet kur kopja e librit amëz është lënë tek individë të caktuar dhe jo kompetentë në MAShT, duke mos u dorëzuar zyrtarisht, pa u protokolluar përmes arkives”, thuhet në e-mailin e Gagicës.

Kemi pasur raste kur inspektorët pa lejen e Naric-ut, kanë bërë inspektime individuale dhe kanë kërkuar që t’i vulosim diplomat e studentëve që nuk kanë qenë të evidentuar në librat amëz, të pavërtetetura dhe të pa protokoluara zyrtarisht.

Kumrija Gagica, NARIC

Ajo tutje ka shkruar se për të gjitha këto shkelje ligjore nga kolegjet, ka qenë i njoftuar me shkrim ish-drejtori i arsimit të lartë, ish-sekretari i përgjithshëm, kabineti i ministrit dhe departamenti i inspektimit, i cili nuk ka marrë asnjë masë të përcaktuar me ligj për këto shkelje.

Pas disa orë pas këtij njoftimi, në vend se të merren masa ndaj kolegjeve, ministria merr masa ndaj zyrtares Gagica, duke e degraduar në pozitë.

Lidhur me çështjen e librave amëz, Kumrije Gagica, me 14 shkurt të këtij viti, gjatë një tryeze të organizuar nga ORCA ka deklaruar se ka pasur manipulime të shumta me librat amëz.

Ajo thotë se Naric bashkë me departamentin e arsimit të lartë e kanë përgatitur një raport për gjendjen faktike për librat amëz.

“Mund të them se ka pasur edhe kontrabandime të librave amëz. I kanë ndërru librat qysh kanë dashtë”, ka thënë Gagica.

“Raporti nga gjendja faktike tregon se aq shumë ka krim, ku thotë sot ka qenë libri amëz me ngjyrë të kuqe, nesër është me ngjyrë të verdhë. Sot ka qenë me kaq studentë, nesër ka ardhur me kaq studentë”.

Ajo thotë se në kohën kur kanë ndodhur këto parregullsi, Inspektorati i Arsimit e ka pasur të drejtën e plotë t’ia marrë licencën atyre institucioneve dhe t’i mbyll.

“Ka njerëz që vijnë çdo ditë tek ne duke qarë, e të cilët e ndajnë kafshatën e bukës për t’i shkolluar fëmijët dhe nuk mund t’i validitohet diploma”, ka thënë ajo.

Gagica thotë se deri në vitin 2017 inspektorati nuk ka marrë masa për regjistrimet e jashtëligjshme. Me 2017 e ka bërë një inspektim për të parë numrin e studentëve të regjistruar në kolegjet private dhe ka evidentuar se disa kolegje e kanë tejkaluar numrin që e kanë pasur të përcaktuar nga Agjencia e Akreditimit.

Mund të them se ka pasur edhe kontrabandime të librave amëz. I kanë ndërru librat qysh kanë dashtë.

Kumrija Gagica, NARIC

“E dërgon drejtori i inspektoratit përgjigjen dhe thotë: Po, i kemi inspektuar dhe kemi bërë padi. Çka ke bërë padi? Ka bërë padi dhe studentët nuk i ka informuar fare. Është dashtë të dalë me dhjetëra deklarata publike dhe t’i njoftojë studentët kur kanë qenë në vitin e parë në atë kohë, se ky institucion ju ka regjistruar jashtëligjshëm dhe të informohen që të mos i vazhdojnë studimet. Tani padinë e kanë bërë kot, studentët kanë dalë në vitin e tretë dhe më të dëmtuarit janë ata” ka deklaruar Gagica.

Edhe studenti R.R i cili ka studiuar në kolegjin “Iliria”, thotë se Ministria e Arsimit do të duhej ta njoftonte përmes deklaratave publike se kolegji ku ai studionte nuk i ka dorëzuar librat amëz, apo i ka dorëzuar jashtë afateve ligjore dhe të tregojë se për këtë arsye nuk mund të vërtetohen diplomat.

Ai thotë se është dëmtuar shumë për shkak të këtyre manipulimeve.

Pasi kishte përfunduar studimet e nivelit bachelor për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, për të cilat kishte paguar 800 euro në vit, ai kishte arritur ta siguronte një bursë të plotë prej 12 mijë euro për të vazhduar studimet në nivelin master për shkenca politike në universitetin e Sheffield-it në Greqi. Por ai e ka humbur këtë bursë për shkak se nuk ka mundur ta vërtetojë diplomën në MAShT.

“Aty më kanë thënë se librat amëz për këtë gjeneratë nuk janë. Jam ankuar pastaj te kolegji “Iliria”. Në kolegj më kanë thënë se ata i kanë dërguar librat amëz, por MAShT i ka fshehur. I kam kërkuar dokumentin e protokollit që i kanë dorëzuar librat amëz, por ata nuk kanë pranuar të ma japin atë dokument”, thotë R.R, i cili nuk guxoi të deklarohej publikisht nga frika e ndonjë hakmarrjes nga kolegji.

“Për këtë arsye vitin e kaluar e kam humbur edhe një bursë tjetër n Universiteti i Shtulit në Maqedoninë Veriore”.

Ai thotë se tash e dy vite ka mbetur duke u sillur korridoreve të ministrisë dhe nuk po arrin ta vërtetojë diplomën.

“Për çdo ditë kam shkuar në ministri. Jam bërë si të jem punëtor aty. Tash po i njoh pothuajse të gjithë punëtorët e ministrisë”, thotë ai.

Ai thotë se njehë edhe shumë studentë tjerë të gjeneratës së tij, por edhe të gjeneratave tjera, që nuk po mundën t’i vërtetojnë diplomat.

Ky student kërkon që të bëhet një zgjidhje për këto raste në mënyrë që studentët mos të vuajnë pasojat.

“MAShT duhet të bëjë një zgjidhje. Studentët duhet të verifikohen përmes fletëpagesës së parë që e kemi bërë dhe mund ta shikojnë edhe historinë e provimeve. U bëj apel MAShT-it dhe kolegjit ta zgjidhin këtë problem. Ministrinë e luti që nëse kanë probleme, le t’i zgjidhin me kolegjin, dënoni atë, merreni masat të cilat duhen, e jo të dëmtohen studentët”, thotë R.R.

Vazhdon regjistrimi i jashtëligjshëm

Me qëllim të digjitalizimit të informatave rreth numrit të regjistruar të studentëve dhe parandalimit të regjistrimeve jashtë afateve kohore, në vitin 2017 MAShT ka vënë në funksion Sistemin e Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL).

Edhe pse u mendua fillimisht që aplikimi i këtij sistemi dhe kufizimi i numrit të studentëve për programet e akredituara nga AKA, do të shmangte regjistrimet e paligjshme, kjo nuk ka ndodhur. Në një raport të inspektoratit të arsimit të MAShT që e ka siguruar Preportr, thuhet se disa kolegje e kanë tejkaluar numrin e studentëve të regjistruar në SMIAL.

Për më tepër ata kanë regjistruar edhe studentë jashtë sistemit SMIAL dhe i kanë dërguar listat e në MAShT. Për pasojë këta studentë nuk do të mund t’i vërtetojnë diplomat pasi t’i përfundojnë studimet.

Sipas raportit, kolegji UBT ka dallim të madh mes numrit të studentëve që ka pasur të drejtë t’i regjistrojë dhe listës që e ka dërguar në MAShT. Inspektorati ka gjetur se ky kolegj e ka tejkaluar numrin e studentëve të regjistruar për katër programe. Në total për të katër këto programe UBT numrin maksimal të lejuar e ka pasur 1070, ndërsa në bazë të listës elektronike në excel që e ka dërguar në MAShT, figuron se janë 2306 studentë. Ky kolegj në tetë drejtime tjera nuk e ka pasur fare numrin e kufizuar se sa studentë mund t’i regjistrojë.

Në raport thuhet se kolegji UBT nuk e ka dorëzuar numrin e saktë të studentëve, sepse fajlli në excel është dorëzuar në MAShT para mbylljes së afatit ligjor.

“Numri mund të jetë edhe më i madh. Nuk është dorëzuar regjistri sipas Udhëzimit Administrativ. Është dorëzuar forma e parregullt në “excel file” dhe jo sipas Udhëzimit Administrativ”, thuhet në raportin e inspektoratit.

Preportr ka kërkuar takim dhe përgjigje me drejtuesit e kolegjit UBT për këto çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Edhe kolegji AAB e ka tejkaluar në SMIAL numrin maksimal të lejuar e studentëve në pesë programe, duke regjistruar 75 studentë më shumë. Duhet theksuar se kolegji AAB për nëntë drejtime tjera nuk ka pasur fare kufizime se sa studentë mund t’i regjistrojë.

Shemsedin Vehapi zv.rektor i kolegjit AAB ka thënë se nuk e kanë tejkaluar numrin e studentëve, por sipas tij ka pasur transfere të studentëve brenda kolegjit, por edhe nga jashtë, gjë që sipas tij është e lejuar, por që inspektorati nuk e ka marrë parasysh gjatë inspektimit.

Gjithashtu edhe kolegji Heimerer ka bërë shkelje të kuotave duke tejkaluar numrin e regjistrimit të studentëve të përcaktuar nga AKA. Sipas raportit ky tejkalim është bërë tek drejtimi infermieri e përgjithshme.

Ky kolegj maksimalisht ka mundur të regjistrojë në këtë drejtim 40 studentë, kurse në listën elektronike që e ka dërguar në MAShT rezulton se janë 332 studentë. Heimerer për vitin akademik 2017/2018 i ka pasur të akredituara edhe tri programe të tjera, por asnjëra nuk ka pasur kufizim të numrit të studentëve se sa mund të regjistrohen.

Se SMIAL nuk e ka zgjidhur problemin e regjistrimeve të paligjshme e ka thënë edhe Kumrije Gagica në tryezën e organizuar nga ORCA.

“Po e marr shembull kolegjin Heimerer. Hiq më larg se dje (13.02.2020) ne i kemi pranuar 180 kërkesa të studentëve të cilët nuk figurojnë në sistemin SMIAL. Kjo është për vitet 2017/2018 2018/19”, ka thënë Gagcia.

Ky kolegj nuk ka kthyer përgjigje, lidhur me këtë deklaratë, e as lidhur me të dhënat e raportit të MAShT-it se përse i ka regjistruar 332 studentë, kur e ka pasur të kufizuar numrin në vetëm 40.

Gjithashtu në raportin e MAShT-it thuhet se edhe kolegji “Universum” e ka tejkaluar numrin e studentëve të regjistruar. Ky kolegj në drejtimin biznes dhe menaxhment ka pasur të drejtë t’i regjistrojë 400 studentë, kurse në SMIAL ka regjistruar 418, ndërsa në listën që e ka dërguar në excel figurojnë 426.

Lidhur me këtë tejkalim, Uran Rraci nga kolegji “Universum” thotë se kjo ka ndodhur për shkak të një gabimi administrativ.

“Kemi dorëzuar të gjitha dëshmitë e faktet tek institucioneve përkatëse dhe jemi duke pritur nga ata që të na lirojnë nga kjo përgjegjësi, sepse me të vërtetë ka qenë një gabim shumë i vogël”, thotë Rraci.

Kolegji “Fama” e ka tejkaluar numrin për tre studentë, kurse kolegji “Universi” ka bërë tejkalim për një student. Por raporti thekson se këto dy kolegje nuk i kanë dorëzuar listat në excel.

Lidhur me këtë çështje, Gazmend Luboteni, kryetar i Këshilli Shtetëror të Cilësisë thotë se ka pasur disa raste ku është evidentuar se kolegjet kanë tejkaluar numrin e studentëve që u është përcaktuar për programet përkatëse. Ai thotë se ka pasur raste që në vendim nuk ka qenë i precizuar numri i studentëve dhe në ato raste nuk mund të konsiderohet se ka pasur shkelje, sepse nuk është kufizuar numri.

Luboteni thotë se kjo çështje menaxhohet nga MAShT përmes SMIAL-it dhe është kompetencë e kësaj të fundit të merret me këtë çështje. Edhe pse kufizimi i studentëve bëhet pas vlerësimit të ekspertëve të jashtëm dhe vendoset nga Agjencia e Akreditimit, kjo e fundit nuk ka fare qasje në SMIAL për të monitoruar se a po respektohet ai vendim.

Ky sistem do të duhej të ishte online, në mënyrë që të gjithë studentët e regjistruar në kolegje dhe në universitete publike, të shohin se a janë në sistem. Kjo në të ardhmen, do të evitonte në masë të madhe problemin e vërtetimit të diplomave.

Por nuk është vetëm ky problemi që studentët nuk mund t’i vërtetojnë diplomat. Ka disa raste kur kolegjet kanë regjistruar studentë në programe të pa akredituara dhe studentët në këto raste nuk mund t’i vërtetojnë diplomat.

“Ka pasur raste por kryesisht kur një program i caktuar ka pasur akreditim, ndërkohë akreditimi është humbur ose ndoshta ka ndodhur që akreditimi ka munguar në momentin kur është regjistruar ai student, po flas për periudhën para se ne të jemi në Këshillin Shtetëror të Cilësisë (KShC), dhe pastaj ata studentë janë paraqitur në agjenci pasi që kanë pasur problem me marrjen e diplomave. Ne e kemi verifikuar që programi i caktuar nuk ka pasur akreditim, natyrisht që nuk kemi mundur se si t’i ndihmojmë atyre studentëve. Ka qenë përgjegjësi e institucionit që ka pranuar studentë në një program të caktuar i cili nuk ka pasur akreditim valid”, thotë Luboteni.

“Kolegjet private e kanë shkatërruar cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë”

Ka një perceptim në opinion se në kolegje private mjafton ta kryesh me rregull pagesën, dhe diplomën do ta marrësh gjithsesi. Kontestuese vazhdimisht ka qenë cilësia që ofrojnë kolegjet.

Rron Gjinovci, drejtor i organizatës ORCA, thotë se kolegjet private nuk kanë ofruar cilësi të mirë të studimeve dhe se shumica dërmuese e studentëve të këtyre kolegjeve janë viktima, pavarësisht se a mund ta vërtetojnë diplomën në MAShT.

“Nëse ka diçka që , ato quhen kolegje private. Ato me ofertën e tyre dhe ndërhyrjet që i kanë bërë në arsimin e lartë në Kosovë e kanë shkatërruar totalisht cilësinë në arsimin e lartë”, thotë Gjinovci.

Ai thotë se në kolegje private çdo vit studiojnë rreth 33 mijë studentë të cilët paguajnë jo më pak se 1000 euro. Ndërkaq çmimet variojnë deri në 4000 - 5000 euro në varësi të programit ku ata studiojnë.

Nëse ka diçka që e ka shkatërruar cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë, ato quhen kolegje private. Ato me ofertën e tyre dhe ndërhyrjet që i kanë bërë në arsimin e lartë në Kosovë e kanë shkatërruar totalisht cilësinë në arsimin e lartë.

Rron Gjinovci, ORCA

Gjinovci thekson se kemi të bëjmë me përfitime prej 33 deri në 40 milionë në euro vit që paguhen nga studentët për kolegjet private dhe se ky është kryesisht profit i pronarëve të kolegjeve.

“Kolegjet private mundohen ta zhvillojnë aktivitetin e tyre me kosto sa më të ultë me qëllim që profiti me qenë më i madh, por edhe për fakte të tjera siç janë se profesorët që punojnë në shumicën e kolegjeve direktohen prej pronarëve qoftë edhe për mënyrën se si duhet t’i vlerësojnë studentët”, thotë Gjinovci.

Ai thotë se ankesat e kolegjeve për rigorozitet të Agjencisë së Akreditimit janë të paqëndrueshme pasi që ato kërkesa janë minimale, siç është kriteri që për një program duhet të jenë tre doktorë shkence në atë fushë. Sipas tij, kriteret duhet të jenë edhe më rigoroze në mënyrë që të rritet cilësia.

“Ekziston edhe një kriter, në fakt edhe shumë kritere, por veç një po e përmendim është që 50 përqind e stafit që punon në një program duhet të jetë me kontratë të rregullt pune, ta ketë punë primare punën në atë program studimi. Po të aplikohej ky kriter jam i sigurt që diku 90 përqind e kolegjeve private do të duhej të mbyllën”, thotë Gjinovci.

Kolegjet për çdo vit e deklarojnë edhe stafin akademik në Agjencinë e Akreditimit. Por nuk është e sigurt që ata profesorë që janë deklaruar në AKA, ose tashmë që regjistrohen përmes formës elektronike si mësimdhënës të një kolegji, punojnë më të vërtetë aty.

Agjencia e Akreditimit prej kur është themeluar nuk ka bërë asnjëherë monitorime për të parë se a punojnë mësimdhënësit e deklaruar në ato kolegje. Pra i mbetet kolegjeve të deklarojnë ligjërues ashtu siç kanë dëshirë.

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) Gazmend Luboteni thotë se Agjencia e Akreditimit nuk ka bërë monitorime të tilla për shkak të mungesës së stafit. Ai thotë se monitorimet në terren pritet të fillojnë nga mesi i këtij viti, pasi që do të rritet numri i stafit nga pesë sa janë tash, në 32.

“Për momentin nuk kemi kapacitete si agjenci që të bëjmë monitorimin në terren. Mirëpo kjo është çështje edhe e inspektoratit të arsimit. Por monitorim në aspektin e cilësisë, do të thotë që ata profesorë që i kemi në lista dhe që janë deklaruar, a janë ata që ligjërojnë apo është dikush tjetër. Kjo është çështje shumë me rëndësi për cilësinë, sepse nëse është dikush tjetër, nuk është respektuar vendimi i KShC-së. Këtë monitorim ne duhet ta bëjmë se paku dy herë në vit”, thotë ai.

Ka disa kolegje që operojnë në shtëpi private dhe ato nuk i plotësojnë kriteret për të qenë institucione të arsimit të lartë. Por disa qëndrojnë mjaftë mirë, madje ka raste kur disa kolegje qëndrojnë më mirë me hapësira sesa institucionet publike.

Gazmend Luboteni, kryetar i KSHC-së

Luboteni shprehet i pakënaqur me cilësinë në kolegjet private. Ai vlerëson se në kolegjet private gjendja nuk është e mirë, edhe pse ka disa raste dhe disa kolegje që janë avancuar në krahasim me vitet e mëparshme dhe se KShC e ka përcjellë këtë avancim, por sipas tij, gjendja nuk është siç duhet të jetë.

Ai thotë se ka dallime mjaftë të mëdha për nga cilësia e ofruar në kolegjet private dhe në institucionet publike.

“Ka disa kolegje që operojnë në shtëpi private dhe ato nuk i plotësojnë kriteret për të qenë institucione të arsimit të lartë. Por disa qëndrojnë mjaftë mirë, madje ka raste kur disa kolegje qëndrojnë më mirë me hapësira sesa institucionet publike”, thotë Luboteni.

Ai thotë se një element që ndikon në cilësinë e studimeve është stafi akademik. Luboteni thotë se kolegjet nuk investojnë në stafin e tyre, por marrin staf kryesisht nga universitetet publike.

“Nuk mund të ketë rritje të cilësisë në kolegje private, nëse ato nuk investojnë në stafin e tyre”, thotë Luboteni.

Ai thotë se shqetësuese për cilësinë janë edhe lëvizjet e shumta të stafit akademik nga njëri kolegj te tjetri.

“Këto lëvizje neve na shkaktojnë shumë probleme, sepse nëse lëvizin ata për çdo vit, e ndërrojnë kolegjin apo universitetin është shumë problem, sepse duhet ta kenë marrëdhënien e rregullt të punës për disa vjet, që pastaj të orientohen në ngritjen e cilësisë.

Me qëllim të rritjes së cilësisë Agjencia e Akreditimit ka vendos disa kritere, të cilat po konsiderohen sfiduese dhe problematike për kolegjet. Në fakt këto kritere janë bazike. Por edhe këto kritere kanë ndikuar që disa programe të kolegjeve të mos riakreditohen apo të humbin akreditimin.

Bekim Marmullaku, shef i zyrës për sigurimin e cilësisë në kolegjin “Fama” thotë se një nga sfidat kryesore me të cilat përballen si kolegj është procesi i akreditimit.

Marmullaku që mendon se cilësia e studimeve në kolegjet private është e barabartë me atë në universitetet publike, thotë se Agjencia e Akreditimit prej vitit 2018 është duke e aplikuar një manuali të ri, të cilin e kanë nxjerrë dhe përmes të cilit jep akreditim në disa fusha të cilat i kanë standardet dhe treguesit e performancës të cilat, sipas tij, ndonjëherë nuk përshtaten me rrethanat e arsimit të lartë në Kosovë.

Ai thotë se sfidë tjetër është mungesa e stafit akademik për fusha të caktuara.

Një nga kriteret bazë është që për t’u akredituar një program tre vjeçar, kolegji duhet të ketë tre doktorë shkence të asaj fushe për të cilën aplikohet.

Edhe Shemsedin Vehapi zv.rektor në kolegjin AAB thotë se aktualisht janë duke u përballur me disa sfida për shkak të ndryshimeve të lidhura kryesisht me Agjencinë e Akreditimit edhe paqartësive që i kanë kolegjet si rezultat i kërkesave që kanë ardhur nga kjo agjenci.

Ai thotë se kolegji AAB i ka rreth 16 mijë studentë aktiv dhe se atyre u ofrohen kushte të mira për të studiuar, ndërsa konsideron se kjo ndikon edhe në cilësi. Vehapi thotë se nuk duhet “futur në një thes” të gjitha kolegjet private sa i përket vlerësimeve për cilësi.

Ndërkaq Uran Rraci nga kolegji “Universum”, thotë se në cilësinë e studimeve ka ndikim të madh edhe cilësia e shkollave të mesme në Kosovë. Ai thotë se studentët fillojnë studimet pa i pasur disa shkathtësi bazike që nevojitën për të studiuar në disa drejtime të caktuara. Rraci aktualisht sfiduese e sheh edhe mungesën e kuadrove me doktoratë në fusha specifike deficitare.

Ndërhyrjet në Agjencinë e Akreditimit

Përkundër se AKA ka kritere jorigoroze dhe si rezultat i kësaj konsiderohet se është rritur numri i kolegjeve, ndaj këtij institucioni është bërë presion për të qenë edhe më “dorëlirë” dhe më e shpejtë në vendime.

Ramush Haradinaj derisa ishte kryeministër në detyrë, me 28 janar 2020 i ka dërguar një letër kryetarit të KShC-së Gazmend Lubotenit, ku i kërkon që të përshpejtohet akreditimi dhe riakreditimi i programeve të kolegjeve private.

“E kuptoj dhe ju inkurajoj që të ruani misionin tuaj, por kërkoj që të keni kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave që vijnë nga kolegjet, të cilat janë legjitime dhe ligjore, e veçanërisht nga ato që janë dëshmuar si kualitative”, thuhet ndër të tjera në letrën e Haradinajt.

Përmes kësaj letre Haradinaj i ka kërkuar Lubotenit që menjëherë të fillojë tejkalimi i pengesave administrative e burokratike dhe të procedohet me përmbushjen e mandatit që ai e ka si udhëheqës i KShC-së, duke i kërkuar edhe një njoftim zyrtar rreth kësaj çështje.

Gazmend Luboteni dy ditë pasi e ka pranuar këtë letër, ka deklaruar në emisionin “Jeta në Kosovë” se ky është presion, ndërkaq e ka pranuar se ka vonesa në procesin e akreditimit të programeve të kolegjeve.

“Kjo [letër] nuk është lajm i mirë për ENQA-n. Agjencia duhet të jetë plotësisht e pavarur dhe nëse nuk është e pavarur nuk mund të merr vendime meritore. Po, është një lloj presioni, sepse ne nuk dëshirojmë të kemi letra apo ndërhyrje nga jashtë nga cilado palë qoftë”, ka thënë Luboteni.

Para kësaj letre, një letër tjetër e kësaj natyre, por në formë elektronike i kishte shkuar Lubotenit nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt. Këtë e ka publikuar drejtori i ORCA-së Rron Gjinovci.

Ambasadori gjerman përmes kësaj letre ka kërkuar përshpejtim të akreditimit për programet e kolegjit Heimerer.

“Në mënyrë që Kolegji Heimerer të mund t’ua ofrojë studentëve programet respektive në vitin shkollor 2019/2020, është e një rëndësie të lartë që Agjencia të vendosë sa më shpejt që është e mundur. Prandaj, ju inkurajojmë që të thërrisni një mbledhje të Bordit të Agjencisë, ku do të mund të merrej një vendim i tillë, sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht deri më 15 nëntor 2019”, thuhet në email.

Gjinovci thotë se kjo është e paligjshme dhe është ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së.

“Për shkak se në atë email ambasadori gjerman thotë ju lutem mblidhuni në këtë datë ashtu që kur ta akreditoni këtë program, ata studentë mos të humbin semestrin, që do të thotë se studentët tashmë janë regjistruar në mënyrë ilegale në një program inekzistent i cili nuk është akredituar”, thotë Gjinovci.

Lidhur me këtë çështje, Preportr me 11 mars të këtij viti, ka dërguar pyetje në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.