Kjo rrugë është shumë e rrezikshme thonë banorët. Ata ankohen se qysh në fillim e kanë parë që rruga po punohet keq dhe e kishin paralajmëruar kompaninë punëkryese për këtë.
“U prishë shumë se nuk e kanë shtru mirë hiq, as zall nuk i kanë qitë shumë asfaltin e kanë qitë veç dy- tri centimetra. Fola me ta kur e shtruan, më thanë axhë shumë mirë është”, thotë Selman Bllaca, i cili e ka shtëpinë afër kësaj rruge.
Na thonin qysh ka qenë rruga mirë është tash shumë, e ata i kryen punët veç shkel e shko.
Selman Bllaca, banor
Ai thotë se punëtorët e kompanisë ua kujtonin banorëve se në çfarë gjendje ka qenë rruga para se të shtrohej me asfalt.
“Na thonin qysh ka qenë rruga mirë është tash shumë, e ata i kryen punët veç shkel e shko”, thotë Bllaca.
Në rrugën që nuk është e gjerë më shumë se katër metra do të investohet ende. Sipas projeksioneve të komunës, rruga do të zgjerohet në të dy anët, do t’i vendoset edhe një shtresë e re asfalti. Pra për shkak se punët nuk janë kryer si duhet, taksat e qytetarëve do të shpenzohen sërish për të njëjtin projekt.
Por Abdullah Prebreza nuk është i mendimit se punimi dy e tri herë i një projekti e ngarkon buxhetin e komunës. Ai thotë se puna shtesë në rrugën “Pajazit Islami”, arsyetohet pasi atje rruga do të zgjerohet dhe do të bëhet me trotuare.
Rruga “Islam Pajaziti”, është 1.8 kilometra e gjatë dhe e ka pjesën kryesore që është kryer me dy faza, njëra fazë në vitin 2016 dhe tjetra, kjo që është më e dëmtuar në vitin 2017. Kjo rrugë i ka 12 degëzime, të cilat janë asfaltuar poashtu.
“ Kjo rrugë ka qenë e paraparë që t’i lidhë dy komunat dhe ka qenë e paraparë për pesha të lehta dhe jo për pesha të rënda. Një prej elementeve për dëmtimin e saj është fakti se nëpër të po qarkullojnë automjete me pasha të rënda”, thotë drejtori Prebreza.
Në ueb faqen e E-prokurimit me 15.11.2018 është publikuar njoftimi për dhënien një kontrate, ku parashihet asfaltimi i tri rrugëve, ndër to edhe "Pajazit Islami". Vlera totale e kësaj kontrate është 77 mijë e 500 euro. Kontratën e ka fituar kompania “Shkëmbi”. Sipas kontratës, vetëm rruga “Pajazit Islami” kushton 68 mijë e 914 euro.
Në rrugën “Pajazit Islami” do të bëhet asfaltimi dhe zgjerimi i rrugës me gjatësi 1800 metra dhe gjerësi gjashtë metra.
Sipas paramasave të paraqitura nga operatori ekonomik, ndër të tjera parashihet të bëhet gërmimi i dheut nga tri metra në anën e djathtë të rrugës në gjatësinë prej 1600 metra dhe thellësi 40 centimetra.
Kjo rrugë ka qenë e paraparë që t’i lidhë dy komunat dhe ka qenë e paraparë për pesha të lehta dhe jo për pesha të rënda. Një prej elementeve për dëmtimin e saj është fakti se nëpër të po qarkullojnë automjete me pasha të rënda.
Abdullah Prebreza, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Fushë Kosovës
Ndërsa në anën e majtë të rrugës do të bëhet gërmimi i dheut katër metra në gjatësi prej 200 metra dhe thellësi 40 centimetra. Parashihet të bëhet edhe punimi i trotuarit me trashësi 20 centimetra dhe gjerësi 0.75 metra me material prej gurit të thyer gëlqerorë 0-60 milimetra në total 360 metra katrorë. Gjithashtu do të bëhet gërryerja e asfaltit në disa pozicione të nevojshme, sipas terrenit përafërsisht 1600 metra katrorë.
Disa herë investohet në të njëjtin projekt
Realizimi i projekteve në prag të fushatave zgjedhore zakonisht është karakterizuar me probleme të ndryshme. Diana Metushi-Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se të gjitha komunat në prag të fushatës kryejnë punime të cilat në shumicën e rasteve janë të një cilësie të dobët. Për këtë arsye sipas saj në shumë raste investohet dy e më shumë herë në të njëjtin projekt.
“Në vend të investohet në dy projekte investohet në një projekt…gjithë kjo nuk është e rastësishme por ajo çka është e rëndësishme të përmendet në këtë aspekt është mungesa e vullnetit për ta rregulluar këtë problem”, thotë ajo.
Metushi Krasniqi, përmend faktin se pothuajse të gjitha projektet që realizohen nëpër komuna po edhe në ato që realizohen në nivel qendror punohet nga dy-tri herë në to. Dhe këtu sipas saj paraqitet problem i menaxhimit të kontratave.
Ligji për Prokurimin Publik sipas saj parasheh që projekti të mbikëqyret nga një ekip, që duhet të përbëhet nga njerëz të fushave që kërkohen në projekt, varësisht nga projekti, rrugë, shkollë apo çkado tjetër, e jo kjo punë të kryhet nga një person. Metushi- Krasniqi mendon që kjo dispozitë ligjore nuk aplikohet me qëllim.
“Kur flasim për mbikëqyrjen ishte dashur të ekzistojë një organ i pavarur që merret me monitorimin e kontratave që e garanton njëfarë pavarësie prej ndikimit politik”, thotë ajo.
Një prej problemeve që i përcjell projektet sipas saj është edhe projektimi i cili në shumicën e rasteve nuk parasheh nevojat e banorëve. Duke folur për rrugën “Pajazit Islami”, ajo thotë se projektuesi është dashur të marrë parasysh disa parametra si për shembull sa është e frekuentuar rruga, është dashur të shihen lëvizjet e popullsisë në atë pjesë, etj.
“Puna bëhet veç për votë, ky është një problem shumë i theksuar në shumicën e komunave, një pjesë e tyre shumicën e punëve i bëjnë në kohë fushate dhe ato punime i bëjnë veç shkel e shko”, thotë Metushi-Krasniqi.
Ajo thotë se nëse e shohim realizimin e buxheteve, sidomos në investimet kapitale, sidomos kur janë periudha zgjedhore, të gjithë janë të fokusuar në ndërtim të rrugëve.
“Krijojnë borxhe, krijojnë detyrime të cilat barten ma vonë dhe nuk mund të realizohen ose investojnë në investime nën standarde edhe e rëndojnë buxhetin e qytetarit”, thotë ajo.