English
Scroll top

Vonesa e projektit me kontratë të dyshimtë

Komuna e Istogut e ka filluar projektin për ndërtimin e parkut memorial “Ibrahim Rugova” në vitin 2015 dhe punimet nuk janë kryer ende. Deri tani dy tenderë i janë dhënë kompanisë së vëllait të asambleistit të LDK-së, që gjatë punimeve kishte blerë beton nga kompania e vëllait të kryetarit të Istogut. Tenderi i fundit i është dhënë një kompanie, drejtori i së cilës është dënuar për mashtrim në një aktivitet të prokurimit....

23 Korrik 2018

Punët për ndërtimin e parkut memorial “Ibrahim Rugova” në Istog kanë pasur shumë ngecje. Është paraparë që ky projekt të zhvillohet në disa faza, por punimet nuk po kryhen për shkak të shumë problemeve që janë paraqitur. Problemet kanë filluar pas kryerjes së fazës së dytë - pllakat e vendosura në shesh nuk e kanë mbajtur ujin i cili ka rrjedhur brenda në ndërtesë, në vitin 2016. Si pasojë e kësaj, kompania e cila e ka fituar tenderin për kryerjen e punimeve të fazës së tretë është detyruar të intervenojë në këtë pjesë me kërkesë edhe të projektuesit.

Projekti i memorialit “Ibrahim Rugova” është shoqëruar me shumë zhurmë dhe dyshime për konflikte interesi, pasi që kompanitë kanë lidhje me anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Po ashtu, betoni që është përdorur për ndërtimin e sheshit është i kompanisë që udhëhiqet nga familjarët e kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugovës. Projektin ideor dhe të detajuar e ka bërë dhëndri i kryetarit të komunës, Esat Bytyqi.

Për të gjitha këto pretendime që janë paraqitur janë zhvilluar hetime iniciuar nga opozita në këtë komunë.

Komuna e Istogut këtë projekt e ka bashkëfinancuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Meqë projekti në fazën e tretë nuk arriti të finalizohet brenda vitit fiskal, 2016 kjo komunë e ka humbur shumën e dedikuar nga ministria. Ministria për projektin e memorialit “Ibrahim Rugova” nuk e ka marrë më mbështetjen e ministrisë as në vitin 2017 e as këtë vit nuk janë ndarë mjete për të.

Për punimet e fazës së parë dhe të dytë janë ndarë mjete në vlerë 300 mijë euro, prej të cilave 200 mijë i ka ndarë MMPH-ja. Punimet e këtyre dy fazave i ka kryer kompania “Intering Construction”.

Për punimet e fazës së tretë janë ndarë mjete në vlerë 294 mijë euro. Nga kjo shumë janë paguar vetëm 47 mijë euro pasi punimet nuk u kryen brenda vitit siç ishin paraparë me kontratë. Punimet e kësaj faze i ka kryer kompania “Conex Group”.

Projekti pritet të vazhdojë këtë vit dhe planet janë që ai të kryhet brenda vitit. Është paraparë që për përfundimin e punëve në këtë memorial të shpenzohen 1.2 milionë euro.

Lidhjet e punëkryesve me LDK-në

Komuna e Istogut e kishte filluar me entuziazëm veprën e cila do t’i kushtohet Presidentit Ibrahim Rugova - ndërtimin e parkut memorial me emrin e tij. Rugova ka lindur në këtë komunë, dhe komuna ka dashur që për nder të tij të ndërtojë këtë vepër.

Në ndërtimin e saj u përfshinë shumë njerëz të partisë të cilën Rugova e kishte udhëhequr për 17 vjet me radhë. Dy kontratat e para iu dhanë vëllait të asambleistit të LDK-së në Istog, Hajrush Shoshit. Kontrata e radhës iu dha kompanisë e cila tashmë udhëhiqet nga kryetari i dikurshëm i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Vigan Syla, i cili më 2011 kishte kaluar në LDK. Nuk dihet nëse Syla ende e vazhdon aktivitetin në këtë parti.

Projektin ideor e ka kryer dhëndri i kryetarit të Komunës së Istogut, Esat Bytyqi. Ai jeton dhe vepron në Vjenë dhe komuna thotë se ai këtë projekt e ka bërë falas.

Punimet e fazës së parë dhe të dytë të këtij projekti i ka kryer kompania “Intering Construction”.  Gjatë realizimit të punimeve kjo kompani e ka marrë betonin nga kompania e vëllait të kryetarit të Istogut, “MA.CON”.

Punimet e fazës së parë dhe të dytë të këtij projekti i ka kryer kompania “Intering Construction”. Përveç faktit që kjo kompani i kishte fituar këto kontrata prej mijëra eurosh, në realizimin e punimeve “Intering Construction” e ka marrë betonin nga kompania e vëllait të kryetarit të Istogut. “MA.CON”. Haki Rugova në regjistrin e deklarimit të pasurisë në vitet 2010-2012 ka deklaruar se ka aksione në këtë kompani. Kryetari i Istogut është i akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për konflikt interesi për një tender që ia kishte dhënë kësaj kompanie e cila është në pronësi të vëllait të tij.

Fakti që për ndërtimin e memorialit Ibrahim Rugova kompania e kishte marrë betonin prej vëllait të kryetarit nuk e shqetëson Hajrush Shoshin, asambleist i LDK-së dhe kontabilist në kompaninë “Intering Construction”. Ai thotë se “MA.CON” është kompani serioze dhe me ta kanë bashkëpunim afatgjatë.

“Kompania jonë furnizohet nga kompania MA.CON në mënyrë të vazhdueshme, sepse është një kompani serioze që e punon betonin mirë. Ne kemi punuar edhe para këtij projekti dhe punojmë ende me këtë kompani”, thotë ai.

Kontratën e nënshkroi i dënuari për mashtrim

Tenderin për realizimin e punimeve të fazës së tretë e ka fituar kompania “Conex Group” e cila viteve të fundit ka qenë subjekt i akuzave pasi që më 2016 ish-pronari i saj është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për tri vepra penale për një proces tenderimi. Tenderin për punimet e fazës së tretë Komuna e Istogut e ka nënshkruar me Veton Fetahun, ani pse ky është dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë.

Tenderin për punimet e fazës së tretë Komuna e Istogut e ka nënshkruar me Veton Fetahun, ani pse ky është dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë.

Ish-drejtori Fetahu është dënuar për këto vepra penale: mashtrim nga neni 335, deklaratë e rreme dhënë nën betim nga neni 391, dhe falsifikim i dokumentit nga neni 398 për të cilat është dënuar me gjobë dhe me gjashtë muaj burgim. Por dënimin me burgim ai e ka zëvendësuar me dënim me gjobë. Në total ai është dënuar me 26 mijë euro gjobë.

Fetahu është dënuar për tenderin e ndërtimit të objekteve afariste në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Për të njëjtin tender ka qenë i akuzuar edhe ish-shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, eksperti i brendshëm shqyrtues në Organin Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Muhadri, dhe kontabilisti i kompanisë “Conex Group”, Arsim Robelli. Të tretë janë shpallur të pafajshëm nga gjykata.

Por kjo nuk e ka penguar kompaninë të marrë tenderë në disa komuna që udhëhiqen nga LDK-ja. Preportr ka arritur të dëshmojë se kjo kompani ka marrë së paku një tender në Komunën e Pejës dhe dy të tjerë në Komunën e Istogut, njërin këtë për e memorialit në fjalë dhe tjetrin në vitin 2015 për nivelizimin e fushës së futbollit në qytetin e Istogut.

Fakti që drejtori i kësaj kompanie është dënuar nga gjykata nuk e ka ndalur komunën të nënshkruajë kontratë me të në vlerë 294 mijë euro. Nënkryetari i Komunës së Istogut Lulzim Blakaj, thotë se për këtë çështje është diskutuar edhe në Kuvendin Komunal pasi që është paraqitur nga opozitarët.

“Në bazë të informatave që kemi nga zyra e prokurimit, janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore. Se ky operator ekonomik është fitues është njoftuar edhe KRPP-ja si institucion më i lartë dhe nuk kemi pasur asnjë vërejtje gjatë kësaj procedure”, thotë Blakaj.

Ai më tutje ka shtuar se në këtë rast është dënuar personi përgjegjës, e jo personi juridik “ndërkohë personi përgjegjës ka dhënë dorëheqje nga përgjegjësitë që i ka pasur brenda kompanisë dhe ka marrë përgjegjësi dikush tjetër për atë funksion, dhe deri më tani nuk kemi pasur asnjë vërejtje institucionale se ka pasur ndonjë shkelje ligjore”.

Kontratën që komuna e ka nënshkruar me kompaninë “Conex Group” shihet se atë e ka nënshkruar Veton Fetahu.

Pas zhurmës që është bërë për tenderët e fituar në Komunën e Pejës dhe atë të Istogut, kjo kompani i ka ndërruar pronarët në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Pas ndërrimit të pronarëve, kompania i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik lidhur me atë nëse kjo kompani ka të drejtë të ushtrojë aktivitete në fushën e prokurimit dhe t’i implementojë kontratat që i ka pasur të nënshkruara me autoritetet kontraktuese. Përgjigja e KRPP-së ka qenë pozitive.

Kompania nuk e kishte njoftuar në këtë kërkesë KRPP-në se ish-pronari i saj është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe se vet kishte nënshkruar kontrata me autoritete kontraktuese. Preportr e ka dëshmuar së paku një rast të tillë. Pasi nuk ishte përmendur dënimi, Preportr ka bërë një kërkesë në KRPP, së cilës i ka bashkangjitur edhe aktgjykimin duke kërkuar nga ky organ sqarimin se a mund të marrë tender një kompani nëse drejtuesi i saj është i dënuar.

“Në përputhje me nenin 65 të LPP-së, një Operator Ekonomik nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë punonjës, drejtues, menaxher ose drejtor i saj është shpallur fajtor nga ndonjë gjykatë kompetente për cilëndo vepër të përcaktuar me këtë nen”, është përgjigjja e KRPP-së drejtuar Preportrit. Pra, në situata të tilla, një kompani e ka të ndaluar për dhjetë vjet të marrë pjesë në aktivitete të prokurimit.

Kompania pretendon se ata janë të pastër, pasi në momentin që e kanë kryer dënimin i kanë dërguar nga një kërkesë gjykatës dhe KRPP-së për të kuptuar se a kanë të drejtë të ushtrojmë veprimtarinë.

“Përgjigjja që kemi marrë në të dy rastet ka qenë pozitive”, thotë drejtori i tanishëm, Vigan Syla.

play

Komuna humbi 184 mijë e 545 euro nga MMPH-ja

Pasi gjatë punimeve ishin paraqitur defekte në izolimin e pllakave, kompania “Conex Group” i kishte dërguar email Esat Bytyqit, projektues i këtij projekti, nga i cili kishin marrë përgjigje se duhet të intervenohet urgjentisht.


“Me defektet në izolim që janë paraqitur prej punimeve të mëhershme duhet të merret një firmë profesioniste që të caktojë vlerën e dëmit dhe pastaj të punohet, riparohet”, thuhet në e-mailin e Bytyqit.

Pjesa e riparimit ka qenë arsyeja kryesore e vonesës së punimeve, e si pasojë edhe e humbjes së 184 mijë e 545 eurove të MMPH-së të cilat, pasi punimet nuk janë kryer sipas afatit,  janë kthyer suficit.


Më tej ai sugjeron që kjo punë të merret seriozisht dhe të përfundohet nga punëdhënësi, në këtë rast Komuna e Istogut.

Syla thotë se pjesa e riparimit ka qenë arsyeja kryesore e vonesës së punimeve, e si pasojë edhe e humbjes së 184 mijë e 545 eurove të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të cilat, pasi punimet nuk janë kryer sipas afatit, janë kthyer suficit. Këto mjete komuna nuk ka rritur t’i fitojë as në vitin 2017 e as sivjet. Zyra për informim e MMPH-së konfirmon për Preportr se nuk do të ndajë mjete për këtë projekt. Kompania “Conex Group” pretendon se vonesat nuk janë për faj të tyre por izolimi u ka marrë shumë kohë. Ata thonë se izolimi i një pjese të memorialit ka qenë i domosdoshëm për vazhdimin e punëve të tyre dhe se këtë punë e kanë bërë pa pagesë. Por kjo kompani ka bërë izolimin vetëm të një pjese të platosë. Në një komunikim që drejtuesit e kompanisë Conex e kanë bërë me kompaninë mbikëqyrëse thuhet se e gjithë platoja duhet të izolohet sërish.

“Kemi izoluar dhe riizoluar gjithnjë në koordinim me ju si kompani e mbikëqyrjes. Ne, por edhe ju, krejt kohën e kemi ditur se jemi duke u munduar kot, me sanimin e izolimit, pasi që aty duhet të bëhet riizolimi i tërë platosë së objektit”, thuhet ndër të tjera në e-mail.

Në kompaninë “Intering Construction” e cila i ka kryer punët e izolimit thonë se kjo nuk është arsyeja e vonesave pasi izolimin e kanë kryer mirë. Hajrush Shoshi thotë se punët që i kanë kryer janë pranuar nga komisionet përkatëse.

“Punët që ne i kemi pasur me kontrata janë kryer me kohë dhe besoj që janë kryer mirë. Mbi pllaka nuk ka qenë fare e nevojshme të ndërhyhet, ajo kompani e din pse ka ndërhy. Mendoj që ajo është vonuar shumë me fillimin e punimeve dhe pozicioni i parë që është dashtë të kryhet në memorialin “Ibrahim Rugova” është dashtë të mbulohen kupolat me xhama dhe të ndalet depërtimi i ujit brenda. Ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga komuna për t’i rregulluar ato pllaka dhe ndërhyrjen në pllaka e kam parë rastësisht duke kaluar nëpër Istog, pra nuk kemi qenë të informuar fare”, thotë ai.

Shoshi thotë se ata si kompani nuk mbajnë më përgjegjësi, pasi mbi punën e tyre ka ndërhyrë një kompani tjetër dhe ndërhyrja e tyre ka qenë e keqe.

Komuna e Istogut pas këtyre vonesave nuk ka ndërmarrë asnjë hap ndëshkimi ndaj operatorit.

“Për vonesat që kanë ndodhur në kontratën e fundit nuk kemi marrë masa ndaj operatorit ekonomik, ne e kemi përmbushë obligimin për aq sa e ka vlerësuar mbikëqyrësi se janë kryer punët”, thotë Blakaj.

Kompania “Conex Group” për punimet e kryera në shesh është paguar në vlerë 47 mijë euro, pasi që nuk e ka zbatuar kontratën. Pra ka pasur prerje të punëve nga ana e mbikëqyrësve të projektit dhe pagesa në fjalë është bërë vetëm për punët aq sa janë kryer nga operatori ekonomik.

47 mijë eurot që kompania i ka marrë për punimet e kryera pretendon se nuk janë të vetmet pasi thonë se në shesh janë kryer më shumë punë. Syla thotë se Komuna e Istogut duhet t’u japë atyre edhe 60 mijë euro për punët e kryera, në të kundërtën sipas tij, do t’u duhet të ndërmarrin hapa të tjerë, ndoshta edhe ta padisin Komunën e Istogut.

Opozita dhe qytetarët të pakënaqur me punimet

Qytetarët dhe opozita në Istog e kujtojnë me nostalgji sheshin e qytetit që dikur ka qenë i zbukuruar me drunj dhjetëravjeçarë. Ai sot është kthyer në një kantier të madh betoni, një pamje e cila qytetarëve po u duket e shëmtuar. Po bëhen gati katër vjet qëkur kanë filluar punimet e para.

Qytetarët thonë se ndërtesa është shndërruar në “liqen”, kurse pjesa e epërme është mbuluar nga bari pasi që ka dy vjet që nuk po punohet aty.

“Nuk ka qenë qëllimi të nderohet figura e Ibrahim Rugovës me ndërtimin e këtij sheshi këtu, por qëllimi ka qenë përfitimi nga kompani të caktuara. Janë bërë katër vjet qëkur ky shesh ka mbetur kështu. Po e shihni gjendjen: bari ka dalë mes pllakave, asnjë punë nuk është kryer qysh duhet”, thotë Florin Dreshaj nga Lëvizja Vetëvendosje!

Dreshaj mendon se projekti i sheshit është shoqëruar me shumë parregullsi.

“Tenderin e parë e ka marrë vëllai i një asambleisti nga radhët e LDK-së, po punën e ka kryer vëllai i kryetarit të komunës. Pra, betoni dhe materialet e tjera janë krejt të vëllait të kryetarit të komunës nga firma “MA.CON”. Kjo kompani me punëtorët e vet e kanë kryer punën, jo që kam dëgjuar prej dikujt por i kam parë vet”, pretendon Dreshaj.

Ai thotë se, duke i parë të gjitha këto parregullsi, ata nuk kanë qëndruar duarkryq.

“Ne e kemi dërguar në prokurori këtë rast pasi që kontratën e ka fituar kompania që është dënuar nga gjykata, por nuk kemi marrë përgjigje adekuate. Kësaj firme i është ndërprerë kontrata, ne e kemi ngritur këtë çështje edhe në asamble, por nuk e di pse i është ndërprerë kontrata’, thotë ai.

Në prokurori thotë ta kenë dërguar edhe rastin në lidhje me kontratën e parë, sepse në vitin 2015 është bërë pagesa, derisa vendosja e pllakave është bërë në vitin 2016.

“Pra, është formuar një komision për vlerësim dhe e kanë pranuar një punë që nuk është bërë fare”, shton ai.