English
Scroll top

Dështimi i asfaltimit të rrugëve në Obiliq

Komuna e Obiliqit u mashtrua nga dy kompani gjatë ndërtimit të disa rrugëve. Drejtuesit e këtyre kompanive kanë paraqitur tek zyrtarët komunalë dokumente të falsifikuara, duke “dëshmuar” se e kanë shtruar asfaltin me trashësi tetë centimetra, asfalti doli të jetë rreth katër centimetra. Rrugët u ndërtuan me kualitet të dobët. Gjatë kryerjes së punimeve u angazhuan nënkontraktorë në mënyrë të kundërligjshme dhe një pjesë e...

13 Gusht 2018

Dy projekte për asfaltimin e rrugëve rurale në Komunën e Obiliqit në vitin 2012 dhe 2013 ishin karakterizuar me probleme të shumta.

Projektet u përcollën me shumë shkelje të procedurave të prokurimit dhe mashtrime të autoritetit kontraktues. Të gjitha këto u pasqyruan në asfaltimit të rrugëve, gjegjësisht në cilësinë e tyre të dobët. Gjendja në terren tregon se ato rrugë kanë filluar të dëmtohen një vit pasi që janë shtruar, ndërsa njëra prej tyre – në fshatin Mazgit, tek lagjja e Mavriqëve – është prishur pothuajse tërësisht.

Pavarësisht insistimit, Preportr nuk ka arritur të ketë qasje në kontratën “Asfaltimi i Rrugëve Rurale”. Më 29 qershor 2018 kemi bërë kërkesë tek zyra për informim e Komunës së Obiliqit për ta marrë këtë kontratë për të parë edhe hollësi të tjera. Gjatë kësaj periudhe kohore Preportr ka qenë në komunikim me zyrën për informim dhe ata në vazhdimësi pohonin se po e kërkonin kontratën në arkivat e tyre, por se nuk e po e gjenin.

Në lidhje me këto dy projekte, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave, zyrtarë komunalë, duke përfshirë edhe kryetarin e atëhershëm të komunës, Mehmet Krasniqin, udhëheqës të kompanive që kanë fituar tenderët si dhe nënkontraktorin që ka kryer punët. Më 19 maj 2017 Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin, duke dënuar pesë persona, udhëheqës dhe punëtorë të operatorëve ekonomikë, dhe duke i shpallur të pafajshëm zyrtarët komunalë dhe kryetarin.

Në aktgjykim thuhet se çdo rrugë e shtruar nga këta operatorë ekonomikë mund të konsiderohet si dëm, pasi asnjë rrugë nuk është shtruar në përputhje me kushtet e përcaktuara me kontratë dhe aneks-kontratë.

Punimet realizohen pa u nënshkruar kontrata

Gjatë ndërtimit të rrugës në Breznicë kishte shkelje të procedurave dhe të Ligjit të Prokurimit Publik, pasi “Delta Ing” kishte filluar shtrimin me asfalt edhe të 250 metrave shtesë. Kjo ka ndodhur pasi që komuna e ka shpallur fituese këtë kompani, por ajo nuk e ka pritur afatin për ankesa. “Delta Ing” e kishte filluar menjëherë asfaltimin e rrugës pa e nënshkruar kontratën.

Në fjalën përfundimtare të procesit gjyqësor që ishte zhvilluar përkitazi me këtë kontratë, menaxheri i projektit kishte deklaruar se është e vërtetë se rruga ishte shtruar dhjetë ditë para se të nënshkruhej kontrata dhe se kjo kishte ndodhur pasi që operatori ekonomik ishte informuar se e kishte fituar kontratën, por nuk kishte pritur edhe tetë ditë derisa të kalojë afati i ankesave.

Fituesi i këtij tenderi, “Delta Ing”, nuk i kishte kryer punët vetë, por e kishte angazhuar një nënkontraktor. Gjatë procesit gjyqësor pronari i kësaj kompanie deklaroi se ishte penduar që vazhdimin e punimeve në këto rrugë ia besoi nënkontraktuesit, pronarit të kompanisë “Bejta Commerce”.

Sipas aktgjykimit, Emri Sopjani pronari i kompanisë “Delta Ing” si dhe menaxheri përgjegjës i kësaj kompanie, nga prilli 2013 deri në shtator 2013, si persona përgjegjës për realizmin e projektit “Vazhdimi i asfaltimit të rrugës Breznicë – Lagja Koskavik dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Kozaricë, kostoja e kontratës 44, 954.53 euro, “me qëllim të realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për operatorin ekonomik “Delta Ing” me anë të paraqitjes së rreme të fakteve si dhe duke i fshehur faktet, e sjellin në lajthitje personin tjetër, më saktë personin zyrtar në kuadër të drejtorisë kompetente pranë Komunës së Obiliqit, që të veprojë në dëm të pasurisë së saj, përkatësisht Buxhetit të Kosovës, që rezulton në dëm të madh në vlerë prej 26,270.75 euro”.

“Në bazë të raporteve të ekspertizës laboratorike ka rezultuar se trashësia e zhavorrit është 7.18 cm, kurse në bazë të kontratës është dashur të jetë së paku 25 cm. Mesatarja e trashësisë së asfaltit ka rezultuar të jetë 4.72 cm, kurse në bazë të kontratës është dashtë të jetë 8 cm. Kompaktësia mesatare e këtyre rrugëve ka rezultuar të jetë 95.93 %, e që është nën minimumin e lejuar 97 %”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Fituesi i tenderit angazhoi nënkontraktor kundërligjshëm

Edhe kontrata e nënshkruar mes Komunës së Obiliqit dhe kompanisë “Bass Com”, për shtrimin e disa rrugëve nuk shkoi siç duhet. Vlera e kontratës së parë ishte 150,232.53 euro dhe vlera e aneks-kontratës 7,710 euro.

Pronari i kompanisë “Bass Com” e kishte nënkontraktuar kompaninë “Bejta Commerce”. Inxhinier përgjegjës për realizmin e projektit “asfaltimi i rrugëve rurale”, Shpend Kelmendi, vinte nga kompania “Bass Com”.

Gjykata Themelore e Prishtinës në aktgjykimin e nxjerrë për këtë kontratë ka ardhur në përfundim se ky nënkontraktim ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe se punët nuk ishin kryer sipas kontratës.

Në aktgjykim thuhet se nga kjo kontratë, të lartpërmendurit kanë paraqitur dokumentacion të rremë, dhe duke fshehur faktet e kanë vënë në lajthitje personin zyrtar të drejtorisë kompetente pranë Komunës së Obiliqit që të veprojë në dëm të pasurisë së saj, përkatësisht Buxhetit të Kosovës duke i shkaktuar dëm prej 157.942 euro.

B.K i shkruan të akuzuarit Sh.K: Për Obiliq 5.5 cm trash dhe naj kun ku ska shpija ngat 4 cm tej 4.5 cm. Duhet ekipa mbrapa menjehere pas asfaltit mja ngre materialin me kacia mja afru asfaltit. Qe mos mu vre sa kem qit asfalt.

Aktgjykimi thekson se Basri Kqiku pronari i komanisë “Bejta Commerce” e ka udhëzuar mbikëqyrësin e këtyre punimeve duke i dërguar disa herë sms që shtresën e asfaltit ta shtronte me trashësi 4.5 cm, e jo ashtu siç është paraparë në bazë të kritereve të përcaktuara me kontratë. Ai e ka pranuar fajësinë para gjykatës për akuzat që i janë ngarkuar.

“Nga raportet e policisë për masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit për hyrje-daljet e thirrjeve telefonike dhe SMS-të për periudhën kur janë kryer punimet në projektin “Asfaltimi i Rrugëve Rrurale” rezulton se “B.K i shkruan të akuzuarit Sh.K. Për Obiliq 5.5 cm trash dhe naj kun ku ska shpija ngat 4 cm tej 4.5 cm. Duhet ekipa mbrapa menjehere pas asfaltit mja ngre materialin me kacia mja afru asfaltit. Qe mos mu vre sa kem qit asfalt”, thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ekspertiza laboratorike e ekzaminimit të cilësisë së rrugëve, të cilin e ka kërkuar prokuroria, ka treguar se mesatarja e trashësisë së zhavorrit është 6.40 cm, kurse në bazë të kontratës është dashur të jetë së paku 20-30 cm. Mesatarja e trashësisë së asfaltit ka rezultuar të jetë 4.94 cm, kurse në bazë të kontratës është dashur të jetë 8 cm. Kompaktësia mesatare e këtyre rrugëve ka rezultuar të jetë 92.28 % e që është nën minimumin e lejuar (97 %).

Pasi që nuk e kanë asfaltuar rrugët siç ka qenë e paraparë në kontratë dhe aneks kontratë, të akuzuarit e kanë angazhuar laboratorin për matjen e cilësisë së asfaltit “Bejta Commerce” që sipas aktgjykimit ka qenë nënkontraktor i kundërligjshëm në këtë projekt.

Raportet e nxjerra nga ky laborator u janë paraqitur zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Obiliqit duke theksuar se trashësia e asfaltit është konform kontratës dhe aneks-kontratës. Në këtë situatë zyrtarët për pranimin teknik të punëve dhe menaxherët e projektit i kanë zhvilluar procedurat përkatëse dhe komuna ia ka bërë pagesat kompanisë “Bass Com”, si fitues formal i tenderit.

Kjo ka qenë arsyeja që disa nga zyrtarët e komunës së akuzuar për këtë rast janë shpallur të pafajshëm.

Në seancën përfundimtare ata kanë deklaruar se e kanë përpiluar raportin përfundimtar të matjes së rrugëve në gjatësi dhe gjerësi pas daljes në vendpunim. Ata kanë thënë se nuk i kanë bërë matjet e trashësisë së asfaltit, pasi që nuk janë ekspertë të asaj fushe, mirëpo janë bazuar në raportet lidhur me atestet e punuara nga laboratori i licencuar “Bejta Commerce” ku konstatohej se gjithçka ka qenë në rregull dhe se punët janë kryer në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratë.

Në lidhje me këto dy projekte janë dënuar Emri Sopjani, Sami Kadriu, Bujar Alidema, Basri Kqiku dhe Shpend Kelmendi duke filluar nga 1 vit deri në dy 2 vite burgim, por dënimi për të gjithë ka qenë me kusht. I akuzuari Shpend Kelmendi është dënuar gjithashtu me gjobë prej 4 mijë euro, ndërsa Basri Kqiku me 3 mijë euro.

Pas këtij vendimi që njëkohësisht i shpallte të pafajshëm të gjithë zyrtarët komunalë, prokuroria ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar rigjykim të rastit, por më 3 maj të këtij viti Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë ankesën.

Pavarësisht të gjitha këtyre zhvillimeve dhe vendimeve gjyqësore, rrugët kanë mbetur të dëmtuara dhe me kualitet të dobët.

Përmes përgjigjes që Preportr ka marrë nga zyra për informim e Komunës së Obiliqit, merret vesh se është ngritur padi civile ndaj operatorëve ekonomikë të lartpërmendur që e kanë mashtruar komunën. Vlera e kontestit është mbi 70.000 euro.

“Padia në fjalë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore mund të precizohet dhe të plotësohet ende në bazë të ekspertizave nga ana e ekspertëve për vlerësimin e dëmeve që i janë shkaktuara komunës”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim.

Preportr ka tentuar të kontaktojë pronarin e kompanisë “Bass Com” dhe atë të kompanisë “Bejta Commerc”, por numrat e kontaktit që figurojnë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) kanë qenë të paqasshëm.

Pasojat i vuajnë qytetarët

Në krejt këto zhvillime dhe përplasje për procedurat e prokurimit dhe në seanca gjyqësore, më së shumti po e pësojnë qytetarët. Atyre si taksapagues dhe shfrytëzues të rrugëve nuk u interesojnë aq shumë procedurat e prokurimit dhe as ato gjyqësore. Ata dëshirojnë që rrugët që janë buzë shtëpive të tyre të jenë në gjendje të mirë.

Rruga që është dëmtuar më së shumti është ajo në fshatin Mazgit, konkretisht te lagjja Mavriqi. Siç mund shihet edhe në foto, kjo rrugë është me gropa dhe asfalti i shtruar pothuajse është prishur në tërësi.

Kjo rrugë pas një viti që është ndërtuar ka filluar të prishet, sepse nuk mbahet rruga pa bazë. Komuna na ka premtuar se do ta shtrojnë prapë, po ku ta di se a do ta bëjnë a jo.

Rushit Isufi, banor i lagjes Mavriqi.

Banorët e kësaj lagjeje janë shumë të shqetësuar me prishjen e asfaltit.

“Gjendjen e rrugës po e shihni. Kjo rrugë pas një viti që është ndërtuar ka filluar të prishet, sepse nuk mbahet rruga pa bazë. Komuna na ka premtuar se do ta shtrojnë prapë, po ku ta di se a do ta bëjnë a jo. Kanë thënë qe kompaninë që e ka shtru rrugën e kanë dërgu në gjykatë dhe tash po kqyrim çka do të bëhet”, thotë Rushit Isufi, banor i lagjes.

Ndërsa një banor tjetër që nuk pranoi të identifikohet thotë se është dashtë të ndërmerren masa ndaj kompanisë që e ka ndërtuar rrugën dhe ajo ta ndërtonte sërish.

“Nuk e di çka kanë bërë ata mbikëqyrësit e komunës, këtë edhe me sy me e pa, e vëren që asfalti është krejt i hollë. Unë nuk i di procedura me letra qysh janë, por e di që kompania që e ka shtru asfaltin është dashtë me jep garancion për këtë punë, sepse parët i ka marrë. Kjo rrugë edhe pak kohë do të bëhet e pakalueshme. Me veturë që është e ulët nuk mundesh me kalu në fund të rrugës sepse mund të dëmtohet, po e shihni edhe vet sa janë bërë gropat e mëdha”, thotë ai.

Sipas përgjigjes që Preportr ka marrë nga zyra për informim e Komunës së Obiliqit, kjo rrugë nuk do të ndërtohet në një të ardhme të afërt, pasi që rasti është në kontest civil dhe komuna po e pret epilogun e procesit. Lëndët e tilla zakonisht zgjasin me vite të tëra.

“Meqenëse lënda është ende në shqyrtime gjyqësore, jemi duke pritur vendimin përfundimtar lidhur me rrugën në fjalë”, thuhet në këtë përgjigje.

Mungon mbikëqyrja profesionale

Isuf Zejna nga Democracy + thotë se rrugët dhe shumë projekte të cilat zhvillohen përmes aktiviteteve të prokurimit publik përcillen me cilësi të ulët dhe defekte të shpejta. Sipas tij, kjo situatë është krijuar si pasojë e prokurimeve jocilësore, të cilat nuk kanë për qëllim sigurimin e cilësisë, por vetëm realizimin e projekteve.

“Në shumë tenderë nuk kërkohen garancione, kjo bën që kompanitë të ndihen komode për të mos ofruar punë cilësore. Përveç garancioneve mungojnë edhe mbikëqyrjet profesionale, të cilat do të ofronin llogari nëse projektet nuk janë të cilësisë së duhur”, thotë ai.

Zejna thotë se ajo që duhet të bëjë komuna në situatat kur kemi punë jocilësore, varet nga disa faktorë: Faktori i parë është të shihet a është kërkuar garancioni, dhe nëse po, të kërkohet sanimi i rrugëve. Por nëse ky garancion nuk është kërkuar, nuk mund të bëhet shumë në këtë drejtim. Faktori i dytë është përgjegjësia e kompanisë mbikëqyrëse. Pra, duhet parë nëse kjo kompani ka bërë punën si duhet.

“Në përgjithësi, si pasojë e hartimit të dosjeve të tenderit dhe kontratave në forma të përgjithësuara, nuk mund të kërkohet ndonjë gjë nga kompanitë pasi të përfundojnë procesin e pranimit teknik të punëve”, thotë Zejna.