28 Korrik 2017
Punëtorët që punojnë nëpër markete të mëdha kanë trajtim jo të mirë nga punëdhënësit e tyre. Në raportin mes tyre nuk zbatohet pothuajse asnjë dispozitë e Ligjit të Punës. Shumë prej këtyre punëtorëve nuk kanë kontrata të punës, punojnë me orar të tej zgjatur pa asnjë kompensim, ndërsa disa prej tyre pushimin e kanë një ditë në çdo dy javë.
Kjo kategori e punëtorëve nuk i gëzohet aspak festave, sepse për festa duhet të punojnë me orar të zgjatur dhe shpesh nuk kanë fare pushim.
Preportr ka biseduar me disa prej punëtorëve që punojnë në këto markete. Ata tregojnë për përvojën e tyre jo të mirë gjatë punës, ndërsa nuk besojnë se Inspektorati i Punës mund t’iu dal në ndihmë.
B.H po bëhej gati për të shkuar në punë. Ajo punon në njërin prej marketeve të mëdha në Prishtinë. Ajo është studente dhe thotë se këtë punë e bënë për të mbuluar shpenzimet e shkollimit. Ka rreth tri vite që punon në këtë market gjersa tregon për përvojën e keqe që ka pasur deri tani.
“Nuk është se kam edhe aq vullnet ta bëj këtë punë, por duhet me i mbulu shpenzimet e studimeve. Është një ambient jo i mirë për punë për shkak të trajtimit jo të mirë nga menaxhmenti, por ne punëtorët aty e kalojmë mirë dhe kjo është një gjë e rëndësishme, sepse orari është goxha i gjatë”, thotë ajo.
Ajo na tregon se shpesh punojnë jashtë orarit që e kanë në bazë të marrëveshjes, ndërsa gjatë festave orët e punës janë të tej zgjatura.
“Diku një vit kam punuar pa kontratë. Pastaj na i bëjnë disa kontrata nga tre muaj, por që janë thjesht letra, pasi që aty nuk respektohet asnjë e drejtë, duke u nisur nga orari i punës, ditët e pushimit, largimet nga puna etj. Këto kontrata nuk të japin asnjë garanci për punë. Ka pasur raste kur e kanë larguar dikë nga puna pa asnjë arsye”, thotë B.H.
Ndërkaq thotë se nuk ka bërë ndonjë përpjekje për të lajmëruar Inspektoratin e Punës, pasi që thotë se nuk ka aq besim dhe për këtë institucion dhe se për një punë të tillë çfarë e ka ajo, nuk ia vlen të hyhet në shumë procedura.
“Ka pasur raste kur e hidhëruar që nuk më janë paguar orët shtesë, kur na japin ndonjë ndëshkim të pamerituar etj., kam dashur të shkoj në Inspektorat të Punës, por nuk është që kam besim se mund të rregullohet ndonjë gjë. Arsye tjetër është se për një punë të tillë me pagë 250 euro nuk ia vlen që t’i hysh gjithë atyre procedurave edhe nëse e dënojnë punëdhënësin, brenda pak ditësh të qesin prej pune. Nuk ndryshon asgjë”, u shpreh ajo.
“Kur vjen inspektorati, shefi na largon nga marketi”
A.D punon në një market të madh të njohur në Prishtinë. Ajo thotë se ka mbi një vit që punon aty dhe trajtimi i punëtorëve është i keq dhe se nuk respektohet asnjë e drejtë e punëtorëve, siç ka dëgjuar se i garanton Ligji i Punës. Nuk kanë fare kontrata të punës dhe rrogën thotë se e marrin me para në dorë (Cash). Rrjedhimisht nuk gëzojnë asnjë të drejtë të punës, ndërsa edhe mund të pushohen nga puna në çdo moment.
Ajo thotë se e punon këtë punë sepse nuk ka ndonjë mundësi tjetër, dhe nuk ka tentuar ta ndërrojë punën, pasi që thotë se një situatë pothuajse e ngjashme është edhe në marketet tjera.
“Kur kam filluar të punoj, muajin e parë nuk kam pasur fare pushim, më kanë thënë se vetëm sa ke filluar dhe kështu janë rregullat. Aktualisht e kemi një ditë pushim çdo dy javë. Edhe kur kemi pushim për festa, zakonisht ditëve tjera duhet të punojmë dyfishin e kohës për ta kompensuar. Për shembull kur patëm një ditë pushim për Vitin e Ri, ditën tjetër kemi punuar me orar të dyfishuar”, thotë ajo.
Përveç që i kanë ditët e pakta për pushim vjetor, edhe për ato ditë që janë në pushim nuk paguhen fare.
“Kur e marrim pushimin vjetor kemi të drejt deri në 10 ditë. Ky pushim nuk paguhet, në fund të muajit, kur i marrim rrogat, na ndalen paratë për aq ditë sa kemi qenë në pushim”, tregon ajo.
Gjithashtu kur në market vijnë produktet e reja, thotë se të gjithë punëtorët duhet që të punojnë me orar të zgjatur për t’i koduar dhe sistemuar të gjitha ato produkte dhe se nuk paguhen për këtë punë shtesë.
Ajo thotë se gjatë periudhës sa ka punuar, ky market është inspektuar nga Inspektorati i Punës, por ata nuk kanë gjetur asnjë shkelje, pasi që punëtorët që kanë qenë pa kontrata janë larguar nga aty.
Inspektorati i Punës kanë ardhur një herë dhe shefi na ka thënë që të ikim nga marketi. Kanë qëndruar vetëm 2-3 punëtorë që kanë kontrata pune.
Punëtorja A.D
“Inspektorati i Punës kanë ardhur një herë dhe shefi na ka thënë që të ikim nga marketi. Kanë qëndruar vetëm 2-3 punëtorë që kanë kontrata pune. Ato tregonin se inspektorët janë habitur se si vetëm ato punëtore punojnë në një market aq të madh”, thotë A.D.
Dështimi i inspektoratit në raste të tilla ka ndodhur edhe për faktin se Inspektorati i Punës në kuadër të metodologjisë së punës, i ka lajmëruar rreth një muaj më parë punëdhënësit se do të shkojnë për inspektim. Kur punëdhënësit e kanë këtë informacion, i largojnë për disa orë punëtorët derisa të përfundojë inspektimi.
Ndërkaq, një vajzë tjetër (A.M) rreth të 20-tave na tregon për përvojën e saj të keqe në një market tjetër të Prishtinës. Kur kishte filluar punën asaj i është thënë që do t’i ketë tri ditë praktikë, ndërsa në rrogë iu kanë llogaritur dhjetë ditë praktikë.
Ajo thotë se gjatë kohës sa ka punuar nuk është respektuar orari i punës dhe se janë detyruar që të punojnë jashtë orarit pa pagesë.
“Orari për punëtorët ka qenë paradite (07:00-15:00), ndërsa pasdite (15:00 - 23:00), zakonisht shkonim diku 10 minuta para orarit për shkak të përgatitjes. Por nganjëherë orari i paradites zgjatke deri në ora 4 ose 5, veç pse menaxheres ju ka tek të na mbajë më gjatë”, tregon A.M.
Ajo thotë se as rrogën nuk ia kanë dhënë të plotë siç e ka pasur në kontratë, të cilën thotë se e ka pasur për tre muaj.
“Kur më kanë pranuar në punë, në kontratë rrogën e kam pas 250 euro, por mua asnjëherë nuk ma kanë dhënë rrogën e plotë dhe për këtë nuk më kanë dhënë asnjë arsyetim. Rrogën e parë ma kanë dhënë 170 euro për shkak se mi kanë llogaritur 10 ditë praktikë, ndërsa rrogën e dytë 200 dhe rrogën e tretë 225 euro”, u shpreh ajo.
P.sh isha duke qëndruar te arka edhe nuk kishte asnjë punë në atë moment, më thoshte shko mbushe një kove me ujë mos rri badihava këtu si statujë! Pas disa ditëve ka ardhur një punëtore tjetër dhe në te njëjtën mënyrë e kanë trajtuar edhe atë.
Punëtorja A.M
Për shkak të trajtimit jo të mirë ajo thotë se nuk ka mundur që të punojë më shumë se tre muaj.
“Menaxherja filloi të sillet keq me mua prej ditës së parë të punës me pagesë, filloi të më thotë fjalë si p.sh isha duke qëndruar te arka edhe nuk kishte asnjë punë në atë moment, më thoshte shko mbushe një kove me ujë mos rri badihava këtu si statujë! Pas disa ditëve ka ardhur një punëtore tjetër dhe në te njëjtën mënyrë e kanë trajtuar edhe atë”, rrëfen ajo.
“Ndoshta dikujt si duket kurrgjë kjo, por unë që isha duke punuar aty dhe ishte puna ime e parë, presioni i tepërt i menaxheres, mua nuk më linte as të koncentrohem në punë”, thotë A.M.
Ndëshkimi i fundvitit
L.G ka rreth pesë vite që punon në një market të madh në hyrje të Prishtinës. Ai thotë se gjatë gjithë kësaj kohe është duke punuar pa kontratë të punës. Edhe ata që kanë kontrata thotë që i vazhdojnë çdo tre muaj.
Ai thotë se ky rrjet i marketeve pranojnë vazhdimisht aplikacione për punëtorë të rinj, pothuajse çdo ditë ka njerëz që konkurrojnë dhe ua marrin CV-në për t’i pasur në listë. Sipas tij, kjo është si presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve dhe në anën tjetër edhe nëse i largojnë nga puna, marrin menjëherë punëtorë që kanë aplikuar më herët.
“Pjesa më e madhe punojnë pa kontrata. Ndodh shumë shpesh që i largojnë nga puna. Kam qenë prezent kur shefi kryesor i ka larguar nga puna tri punëtore vetëm pse i ka parë duke qeshur dhe më duket ai ka qenë nervoz”, thotë L.G.
Ai tregon se menaxhmenti përdor metoda të ndryshme të ndëshkimit ndaj punëtorëve, duke ua ndalur një pjesë të rrogës edhe ashtu të vogël.
“Në fundvit çdo punëtor dënohet me 20-50 euro gjoja për shkak të gabimeve që i ka bërë. Ia gjejnë një diçka të vogël sa për ta dënuar. Kjo ndodh për fundvit ndoshta edhe kur ka zbritje të çmimeve që t’i kompensojnë ato zbritje apo nuk e di pse. Por nëse i marrim parasysh që ka pika në shumë qytete të Kosovës, numri i punëtorëve që dënohen dhe i parave që i mbledhin pronarët është i madh”, thotë ai.
Kam qenë prezent kur shefi kryesor i ka larguar nga puna tri punëtore vetëm pse i ka parë duke qeshur dhe më duket ai ka qenë nervoz.
Punëtori L.G
Ndërkaq, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë, thotë se gjendja së sektorin privat sa i përket kontratave dhe trajtimit të punëtorëve është shumë e keqe. Ai thotë se këtë e kanë konstatuar gjatë vizitave që kanë bërë si sindikatë në disa prej kompanive private.
“Punëtorëve të sektorit privat në 90 për qind të rasteve nuk iu paguhet pushimi vjetor dhe pushimet mjekësore. Punëtori është në formën më përulëse përballë pronarëve të kompanisë. Ka punëtorë që punojnë në një kompani për më shumë se pesë vite dhe atyre i vazhdohet kontrata vetëm çdo tre muaj. Për këtë çështje e kemi ngritur shqetësim tek inspektorati, por nuk po ndërmerret asgjë”, thotë Azemi.
Për trajtimin e keq të punëtorëve nëpër markete të mëdha, Preportr ka biseduar edhe me kryeinspektorin e punës, Basri Ibrahimi. Ai thotë se largimet e shpeshta nga puna e punëtorëve që punojnë në markete janë si pasojë e një hapësire që është lënë në Ligjin e Punës, ku ceket se punëdhënësi mund t’i ofrojë kontratë pune punëtorit për aq kohë sa dëshiron.
“Ne kemi konsideruar se nuk është e drejtë dhe nuk është e mirë, sepse kur punëdhënësi e bënë një kontratë tremuajshe, atëherë punëtori është i hendikepuar, sepse punëdhënësi mundet ta keqpërdorë këtë dhe ta detyrojë punëtorin që të punojë me kushtet që ia ka vu vet punëdhënësi, përndryshe nuk ia vazhdon kontratën. Derisa është ky disproporcion në mes të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, punëtorët janë më të shtrënguar që të punojnë edhe në kushte të cilat nuk janë krejtësisht ligjore”, thotë Ibrahimi, duke shtuar se për këtë arsye kanë propozuar që gjatë draftimit të Ligjit të Punës kontrata të jetë minimumi një vit.
Preportr ka kontaktuar me menaxherët e disa prej marketeve të mëdha, por ata nuk kanë dashur të prononcohen për këtë çështje.
*Ky reportazh u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit