English
Scroll top

Sot punon sot han

Mbledhësit individualë të skrapit, që kryesisht i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas (RAE), mezi arrijnë ta sigurojnë mbijetesën nga kjo punë edhe pse për kompanitë grumbulluese ky lloj i të bërit biznes është mjaftë fitimprurës. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive janë të palicencuara nga Ministria e Mjedisit. Pjesëtarët e komuniteteve RAE mbledhin mbeturina ditë e natë dhe nga gjithë ajo punë marrin rreth pesë euro në ditë. Pothuajse të gjithë banorët e dy lagjeve të komuniteteve RAE të Fushë...

Prishtinë, 26 Nëntor 2015

Një pjesë e madhe e komuniteteve RAE e sigurojnë mbijetesën duke mbledhur skrap (mbeturina të riciklueshme) nëpër kontejnerë. Kushtet e rënda ekonomike e sociale i detyrojnë ata që të punojnë ditë e natë në vende të rrezikshme, në temperatura të papërshtatshme, e pa mjete pune, vetëm që të fitojnë pak para sa për të mbijetuar. Këta mbledhës grumbullojnë lëndën e parë të produkteve të cilën më pas e eksportojnë jashtë vendit. Mbledhja e mbeturinave për ta është bërë e zakonshme dhe e përditshme pavarësisht pasojave. Të rriturit thonë se këtë punë e bëjnë që nga fëmijëria pasi që nuk kishin mundësi shkollimi e punësimi, e të njëjtin fat e kanë edhe fëmijët e tyre, të cilët në këto rrethana nuk kanë mundësi që të bëjnë zgjidhje tjetër për të mbijetuar.

Mbledhësit individualë apo joformalë të mbeturinave nuk janë të organizuar rreth një strukture formale. Ata nuk kanë marrëveshje zyrtare me kompanitë private që bëjnë grumbullimin e skrapit.

Sasia e madhe e mbeturinave ka rritur nevojën për një sistem më efikas për menaxhimin e tyre. Por as Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e as kompanitë që ofrojnë shërbime publike rreth menaxhimit të mbeturinave nuk kanë arritur të krijojnë një sistem të tillë. Si rrjedhojë, viteve të fundit në Kosovë është shfaqur një sektor joformal për grumbullimin e mbeturinave.

Biznesi me skrap është shumë fitimprurës, ndonëse joproporcional për palët e përfshira në këtë punë. Kompanitë që merren me grumbullimin dhe eksportimin e mbeturinave fitojnë miliona euro, ndërsa një pjesë e qytetarëve të Kosovës që i mbledhin ato mbeturina mezi arrijnë që të sigurojnë mbijetesën.

Shiko Gazetën #15

Në të gjitha komunat e Kosovës ka njerëz të të gjitha grupmoshave që mbledhin mbeturina në kontejnerë dhe i dërgojnë nëpër pika grumbulluese. Ekipi i Preportr për disa ditë me radhë ka përcjellë punën që bëjnë mbledhësit individualë me fokus në rajonin e Prishtinës, Fushë Kosovës si dhe në deponinë e Gjilanit, duke pasur parasysh që në këto vende është i koncentruar një numër i madh i tyre.

Në Fushë Kosovë situata është më e veçantë, sepse të gjithë banorët e dy lagjeve të mëdha merren me mbledhjen e mbeturinave dhe me këtë punë të përditshme e sigurojnë jetesën.

Rreth 12 për qind e banorëve të kësaj komune janë pjesëtarë të komuniteteve RAE. Ata jetojnë në kushte shumë të vështira sociale dhe shumica prej tyre jetojnë në disa objekte të vjetra dhe të shkatërruara.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës Ali Topalli, ka thënë për Preportr se vetëm një pjesë e familjeve të këtij komuniteti përfitojnë ndihmë sociale. Nga 500 familje të komunitetit ashkali vetëm 278 marrin ndihmë sociale, ndërsa nga 50 familje të komunitetit rom, ndihmë sociale marrin 32 prej tyre dhe nga 40 familje të komunitetit egjiptas, 30 janë përfitues të ndihmës sociale.

Në rrugët e ngushta të këtyre dy lagjeve, gjatë gjithë kohës shihen duke lëvizur fëmijë, gra dhe burra të cilët bartin mbeturinat që kishin mbledhur. Dikush me karroca, dikush me multikultivator e të tjerët duke i bartur thasët me duar. Ata fillimisht i dërgonin nëpër oborret e shtëpive të tyre për klasifikim dhe për t’i dërguar më pas në pikat grumbulluese. Dikujt që shkon për herë të parë në këto lagje mund t’i duket e çuditshme se si njerëzit aty merren gjatë gjithë kohës vetëm me mbledhjen e mbeturinave, por për banorët e këtyre lagjeve ky është një realitet i përditshëm.

Puna nga mbledhja e skrapit e deri të përgatitja kalon në disa cikle zinxhirore.  Hallkën e parë të këtij zinxhiri e përbëjnë mbledhësit individualë të cilët materialet i dërgojnë tek pikat grumbulluese që i kanë afër vendbanimeve. Këto pika grumbulluese i dërgojnë në kompani të mëdha të cilat pasi që e bëjnë presimin e skrapit e dërgojnë për eksportim.

Eksportimi zakonisht bëhet në vende të rajonit, por edhe më larg. Nga i gjithë ky zinxhir pikat grumbulluese përfitojnë mesatarisht 3 deri në 5 centë për një kilogram skrap. Por çmimi i eksportit ndryshon nga vendi në vend p.sh një kilogram plastikë në Shqipëri mesatarisht eksportohet për 13 centë ndërsa në Zvicër eksportohet me çmim prej 6 eurove.

Materialet e reciklueshme si hekuri, bakri, plastika, letra etj., zënë vendin e parë në listën e mallrave që eksportohen. Vetëm në periudhën kohore 2010 - 2015 janë eksportuar 520 milionë e 581 mijë e 960 kilogramë skrap, të cilat kapin vlerën monetare 105 milionë e 20 mijë e 106 euro.

Shumë punë, pak para

Nesifja edhe pse ka pesë fëmijë del për çdo ditë bashkë me burrin për të mbledhur mbeturina në Prishtinë. Ajo thotë se këtë punë detyrohen ta bëjnë për mbijetesë, pasi që i kanë fëmijët e vegjël, e më të voglin që nuk është as 1 vjeç e merr me vete. Kushtet në objektin ku jetojnë ata, e që nuk mund të quhet as shtëpi, janë shumë të rënda. Aty është shumë e vështirë të jetohet verës, e lëre më dimrit.

“Fmija nuk shkojnë në shkollë. Dalim kshtu nëpër kanta me mledh bërllok në Prishtinë. Nuk e kem naj orë të caktume kur dalim, po kur t’na bahen punët. Për ni ditë i mbledhim ni thes, ni thes e gjys, i marrim 5-6 euro, kto pare herë na dalin herë jo për mi ble senet elementare”, thotë ajo.

Zymeri është një tjetër mbledhës i përditshëm i mbeturinave. Ai është rreth të pesëdhjetave dhe thotë se këtë punë e bën që nga fëmijëria. Ai mbledh mbeturina kryesisht në Prishtinë bashkë me fëmijët e tij të cilët janë të mitur.

Prej fminisë qet punë e punoj dhe deri sa të vdes me ketë punë duhet me u marrë se papunësi në përgjithësi është

Zymeri

“Prej fminisë qet punë e punoj dhe deri sa të vdes me ketë punë duhet me u marrë se papunësi në përgjithësi është. Dal çdo ditë, por tash mu ka prishë miltikultivatori e s’po muj me dalë. Unë dal ma së shumti në Prishtinë te ‘Bregu i Diellit’ dhe ka ‘Dardania”, thotë ai.

Zymeri tregon se mbledh më së shumti najlon, kanaçe dhe shishe të plastikës. Ai thotë se prej krejt asaj që arrin të mbledhë brenda dy ditëve i fiton më së shumti 5 deri në 8 euro në ditë.

“Me kto jetojmë, edhe bukën kaniherë e gjajmë e ja dhamë fmijve se po jesim kaniherë qishtu, jeta është e tillë. Nuk jemi të knaqun as me çmimet se kanë ra shumë. Kilogrami i shisheve ka shku 19 centë, tash ka ra në 13 centë”, thotë Zymeri.

Ai thotë se kjo punë është mjaft e vështirë dhe e dëmshme për shëndetin, pasi që të jesh në kontakt të vazhdueshëm me mbeturina të ndryshme është shumë e rrezikshme. Zymeri mbeturinat e mbledhura i vendos njëherë në oborrin e shtëpisë së tij, derisa të grumbullohen në sasi më të madhe. Por grumbullimi i mbeturinave në oborr paraqet rrezik për fëmijët e tij të vegjël, të cilët në mungesë të lodrave, luajnë me këto mbeturina.

play

Mbledhësit individualë të skrapit, që kryesisht i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas (RAE), mezi arrijnë ta sigurojnë mbijetesën nga kjo punë edhe pse për kompanitë grumbulluese ky lloj i të bërit biznes është mjaftë fitimprurës. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive janë të palicencuara nga Ministria e Mjedisit. Pjesëtarët e komuniteteve RAE mbledhin mbeturina ditë e natë dhe nga gjithë ajo punë marrin rreth pesë euro në ditë. Pothuajse të gjithë banorët e dy lagjeve të komuniteteve RAE të Fushë Kosovës merren me mbledhjen e mbeturinave dhe kjo punë për ta është bërë e përditshme. Për dallim nga banorët e këtyre lagjeve që mbledhin nëpër kontejnerë, qindra persona mbledhin mbeturina në deponinë e Gjilanit ku kanë ngritur edhe tenda që të qëndrojnë aty. Ndër mbledhësit e përditshëm janë fëmijët dhe për shkak të kësaj pune shumë prej tyre e kanë ndërprerë shkollimin fillor ose nuk e kanë filluar fare

“Për shkak të kësaj pune kam edhe probleme shëndetësore, me frymëmarrje nuk jam mirë. Edhe çika mu ka paralizu për shkak të kushteve, u infektu se nuk ka lind kshtu”, shprehet Zymeri.

Ekipi i Preportr ka përcjellë punën e përditshme që e bën Zymeri. Ai për një punë dyditore kishte arritur që të mbledhë një thes e gjysmë me shishe të plastikës dhe po i dërgonte për t’i shitur.

Mbeturinat e mbledhura i dërgon vetëm tek kompania “Rrezi Com”, e cila bën grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme. Edhe pse thesi dukej goxha i madh dhe i mbushur plot, ai nuk peshoi më shumë se 31 kilogramë, përjashtuar këtu edhe peshën që e ka thesi i zbrazët, që në këtë rast ishte 1 kilogram. Pra, nga ky thes gjigant i mbushur me shumë mund, Zymeri nuk mori më shumë se 4 euro e 20 centë dhe u kthye serish për ta zënë pjesën e mbetur të ditës për të mbledhur mbeturina.

Kompania “Rrezi Com” është njëra ndër kompanitë më të mëdha të mbledhjes se mbeturinave të plastikës. Pasi që aty dërgohen mbeturinat nga mbledhës individualë, një grup i punëtorëve merret me presimin dhe përgatitjen e tyre për eksport.

Pronari i kësaj kompanie nuk dëshiroi të prononcohet, por Rrahman Beqiri, punëtor i kësaj kompanie na shpjegoi punën që bëhet aty dhe për mënyrën e eksportimit.

“Këto materialet qa na vijnë i presojna (shtypim me makineri) dhe pastaj vijnë kompani tjera që i dërgojnë jashtë vendit”, thotë Beqiri.

Sipas të dhënave që Preportr ka marrë nga Dogana e Kosovës për këtë kompani, vetëm brenda periudhës 2010 deri në shtator 2015, ajo ka eksportuar 428 mijë e 295 kilogramë (neto) skrap, vlera e këtij eksporti është 76 mijë e 681 mijë euro.

Smajli, një tjetër mbledhës i cili është 56 vjeçar, del dy herë në ditë për të mbledhur mbeturina. Për dallim nga mbledhësit e tjerë, ai e ka pasur pas fatin që të ndihmohet nga organizata “The Ideas Partnership”, e cila ia ka blerë një karrocë për të mbledhur mbeturina më lehtë. Ai thotë se kjo karrocë po i ndihmon shumë në punën e tij të përditshme, por ankohet se ngasja e kësaj karroce është e lodhshme duke marrë parasysh moshën që e ka.

Familja e tij përbëhet prej tetë anëtarësh dhe të gjithë jetojnë nga mbledhja e mbeturinave, përfshirë këtu edhe pagesën e qirasë së shtëpisë ku jetojnë.

Ai thotë se zgjohet në ora pesë të mëngjesit për të shkuar në Prishtinë dhe punën e mbaron rreth orës 9 në mbrëmje. Lëvizja gjatë tërë ditës nëpër lagje të Prishtinës dhe shkuarja e ardhja në shtëpi dy herë në ditë është shumë e lodhshme për të, pasi thotë se brenda një dite i bën deri në 60 kilometra rrugë.

“Më së shumti mledh në kantat që janë në lagjen ‘Dardania’ dhe ‘Lagjen e Spitalit’. Me ket punë merrem që katër vjet. Mledhi hekur, plastikë etj. Përpara kam mledh edhe paketa, po tash nuk po muj mi baj ato se s’po kam as ku mi lan, se nuk është veni jem ktu ku jetoj, e për shishet e plastikës nuk është problem se janë të pastra”, thotë ai.

Ai për dallim prej mbledhëseve të tjerë nuk i dërgon mbeturinat për t’i shitur për çdo ditë, por i dërgon pasi grumbullon një sasi më të madhe, të cilat paraprakisht i klasifikon.

Për ni ditë i mushi dy thasë, i daj shishet veç, najlonin veç. Ni thes i madh i ka 30-40 kilogramë. Zakonisht i boj 6-7 thasë dhe i çoj për mi shit

Smajli

“Për ni ditë i mushi dy thasë, i daj shishet veç, najlonin veç. Ni thes i madh i ka 30-40 kilogramë. Zakonisht i boj 6-7 thasë dhe i çoj për mi shit. Për ni ditë i fitoj 6-7 euro. Por me pas traktor kisha fitu edhe ma shumë”, ka thënë Smajli.

Preportr ka shoqëruar Smajlin duke punuar gjatë një pjesë të ditës. Ai po bënte gati karrocën dhe thasët e mëdhenj për të mbledhur mbeturina në kohën e pasdites. Në oborrin e shtëpisë ku jeton ai kishte grumbulluar katër thasë me mbeturina të plastikës dhe disa prej tyre tashmë i kishte klasifikuar, pra i kishte bërë gati për t’i dërguar për t’i shitur. Ai na tregon se mbledh edhe mbeturina tjera si kanaçe dhe materiale tjera të metalit.

Smajli atë ditë ndjehej më i lodhur dhe kishte vendosur që të shkojë vetëm deri në Fushë Kosovë. Me të arritur në Fushë Kosovë, ai drejtohet tek kontejnerët e parë. Filloi menjëherë që të mblidhte mbeturinat që i duhen për t’i shitur. I pakënaqur me atë që gjeti në këta kontejnerë, shkoi për të kërkuar mbeturina edhe në kontejnerët e tjerë të qytetit, ashtu siç bën për çdo ditë.

Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të banorëve të këtyre lagjeve, organizata “The Ideas Partnership”, po mundohet t’u ndihmojë në arsimim, shëndetësi dhe në forma të ndryshme. Udhëheqësja e kësaj organizate Elizabeth Gowing thotë se që pesë vite angazhohet që t’u dalë në ndihmë banorëve të këtyre lagjeve.  Zyra e kësaj organizate ndodhet pikërisht në njërën nga këto lagje.

Sa fitojnë mbledhësit individual nga mbledhja e skrapit?Elizabeth i njeh shumë mirë hallet e këtyre banorëve, ajo punon në mesin e tyre, madje tregon edhe për përvojën e saj, se si ka dalë që të mbledhë mbeturina bashkë me një familje të këtij komuniteti.

“Unë kam dalë një ditë me e pa për së afërmi si bëhet kjo punë, sepse është punë kryesore në komunitetin ku punojmë tash e pesë vite. Kam dalë një ditë për të mbledh mbeturina me Agronin dhe vajzën e tij Gjejlanen që i ka pasur në atë kohë 11 vjeç”, thotë Elizabeth.

Ajo tregon se për tri orë që thotë se ishin të lodhshme kanë arritur që të mbushin një karrocë me qese dhe se ka menduar se do të fitojnë goxha para, por kur kanë shkuar për t’i shitur, ajo ishte dëshpëruar me atë se sa kanë fituar.

“Kam mendu se do të fitojmë shumë pare, kur kemi shkuar në depo dhe janë matur ne kemi fituar dy euro e tetëmbëdhjetë centë. Kur jam kthyer për Prishtinë, jam ulur në një kafe dhe kam porositur një lëng portokalli, i cili ka kushtuar dy euro. Mendova që e gjithë puna ka shkuar kot”, u shpreh ajo.

Deponia e Gjilanit “industri” e mbledhjes së mbeturinave

Për dallim nga mbledhësit në kontejnerët e qyteteve, dhjetëra persona mbledhin mbeturina duke hallakatur në deponinë e Gjilanit, e cila gjendet mes fshatrave Velekincë dhe Uglarë. Ata presin kamionët të cilët shkarkojnë mbeturinat dhe fillojnë të mbledhin materialet që u nevojiten (kanaçe, shishe plastike, material metalike si shufra alumini, bakri, çeliku, etj). Këto materiale i dërgojnë në pikat e grumbullimit, shumica prej të cilave gjenden në atë rajon.

Këta persona gjatë gjithë ditës qëndrojnë aty për të mbledhur mbeturina. Numri i tyre arrin deri në 100 dhe për dallim prej qyteteve tjera ku mbledhës janë vetëm komunitetet RAE, aty ka edhe një numër të madh të shqiptarëve.

Kjo deponi në pamje të parë duket sikur një industri e mbledhjes së mbeturinave. Aty shihen thasë të mëdhenj të mbushur me mbeturina të ndryshme të cilat janë klasifikuar paraprakisht. Brenda deponisë ka tenda të improvizuara, ku qëndrojnë personat që mbledhin mbeturina. Ata e presin secilin kamion që vjen për t’u zbrazur, ndërsa nuk frikësohen që të mbledhin as mbeturinat që shpërndahen dhe shtypen nga ekskavatori.

Ata kanë dëmtuar edhe rrethojat e larta të deponisë për të hyrë sa më lehtë dhe për të nxjerrë materialet e mbledhura nga aty.

Ekipi i Preportr ka tentuar të bisedojë me ndonjërin prej këtyre mbledhësve, por ishte e pamundur për shkak të kundërshtimit të tyre dhe kërcënimeve që mos t’i xhirojmë me kamerë.

Shqetësues është fakti se në këtë deponi ka një numër të madh të fëmijëve. Ata i ekspozohen rrezikut të vazhdueshëm, duke mbledhur mbeturina afër kamionëve dhe ekskavatorëve, por edhe duke qëndruar në një ambient të kontaminuar gjatë gjithë ditës. Për shkak të punës së përditshme në deponi, këta fëmijë e kanë ndërprerë edhe shkollimin.

Përgjegjësit e deponisë thonë se këta mbledhës e pengojnë punën e punëtorëve të deponisë, pasi që qëndrojnë vazhdimisht afër kamionëve dhe ekskavatorëve, kur zbrazen, përkatësisht kur shtypen mbeturinat. Ata thonë se kanë provuar të bisedojnë disa herë me ta, por nuk kanë arritur që t'i largojnë nga aty. Ka pasur edhe raste të konfrontimit në mes të mbledhësve lidhur me hapësirën ku mbledhin mbeturina dhe për këtë ka edhe kallëzim penal nga policia.

As policia nuk ka arritur t'i largojë këta persona nga deponia pavarësisht se qëndrimi i tyre aty është i ndaluar. Ata largohen sapo të shohin veturat e policisë, për t’u kthyer brenda deponisë menjëherë pas largimit të tyre.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hasahni, ka thënë për Preportr se përgjegjës për largimin e personave që ndodhen në këtë hapësirë është sigurimi i kësaj deponie dhe nëse incidentet eskalojnë, atëherë duhet të lajmërohet policia.

"Policia e Kosovës është njoftuar nga punëtorët mirëmbajtës të deponisë se persona të           pandërgjegjshëm e kanë dëmtuar rrethojën nga teli në segmente të caktuara të aksit përgjatë deponisë. Policia ka identifikuar disa persona të dyshimtë dhe ka ngritur disa raste penale për ‘dëmtim prone”. ka thënë Hashani.

Zëdhënësi i Komunës së Gjilanit Muhamet Pajaziti ka thënë për Preportr se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë intervenuar disa herë për të larguar këta persona nga deponia, pasi që është konsideruar se prania e tyre atje ka rrezikshmëri të lartë për shëndetin e tyre.

Sipas tij, një pjesë e madhe e këtyre kryefamiljarëve janë në skemën sociale të Komunës së Gjilanit dhe shumica prej tyre marrin shtesë dhe pako ushqimore nga kjo komunë.

"Në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, jemi duke hartuar strategjinë për riciklimin e mbeturinave, ku mendohet të hapet një fabrikë afër kësaj deponie dhe këta qytetarë të asaj zone të punësohen në atë fabrikë dhe me këtë tentojmë të ndalojmë grumbullimin ilegal të mbeturinave", ka shtuar ai.

Ndërsa, sipas të dhënave që Preportr i ka marrë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, aktualisht ndihmën sociale në komunën e Gjilanit e shfrytëzojnë 41familje të komuniteteve RAE.

Larg shkollës, afër kontejnerëve

Ndër mbledhësit e përditshëm të mbeturinave janë edhe fëmijët dhe për shkak të kësaj pune shumë nga ata kanë ndërprerë shkollimin ose nuk e kanë filluar fare.

Elvisi dhe Alberti vinë për çdo ditë nga fshati Plemetin i Komunës së Obiliqit për të mbledhur mbeturina në Prishtinë. Elvisi mbi supe mbante një çantë të shkollës, por në të nuk kishte libra, sepse librat i kishte zëvendësuar me mbeturina. Ai thotë se ka shkuar në shkollë deri në klasën e pestë dhe që së bashku me shokun e tij Albertin, që të dy njëmbëdhjetëvjeçarë, e kanë ndërprerë shkollimin, në mënyrë që t’i ndihmojnë familjeve të tyre për mbijetesë. Ndonëse shprehin dëshirën që të kthehen sërish në bankat shkollore, thonë se këtë e kanë të pamundur sepse duhet të punojnë.

As Ibrahimi, një tjetër fëmijë i komuniteteve RAE që mbledh çdo ditë mbeturina, nuk është bashkë me shoqet e shokët e tij në bankë të shkollës. Ai angazhohet bashkë me vëllanë e tij për të siguruar ushqimin e ditës për familjen tetëanëtarëshe. Nga Fushë Kosova udhëton çdo ditë për në Prishtinë për të mbledhur mbeturina të cilat në fund të ditës i shet. Ai thotë se qëndron për orë të tëra në lagjen “Bregu i Diellit” dhe sa më afër kontejnerëve, pasi që ka edhe mbledhës tjerë që vinë kohë pas kohe për të mbledhur në këtë vend.

Krejt ato çka mledhim, prej Prishtinës i çojmë çdo ditë në deponi për m’i shit. Me kto që mbledhim për ni ditë i fitojmë 3 deri në 5 euro

Ibrahimi

"Për çdo ditë në ora gjashtë të mëngjesit nisna prej Fushë Kosovës për në Prishtinë. Krejt ato çka mledhim, prej Prishtinës i çojmë çdo ditë në deponi për m’i shit. Me kto që mbledhim për ni ditë i fitojmë 3 deri në 5 euro. Ket punë e boj qe 10 vjet, kur jam kanë krejt i vogël kam fillu me dalë me mledh. Paret që i fitojmë i çojmë në shpi për me ble ushqimin", u shpreh ai.

Në rrugët e lagjes ku jetojnë komunitetet RAE në Fushë Kosovë shpesh gjatë ditës shihen fëmijët me karroca apo edhe me thasë në duar duke i dërguar mbeturinat që kanë mbledhur në një pikë grumbulluese që gjendet brenda lagjes.

Ndërkohë në rrugë vijnë tre fëmijë të vegjël. Njëri nga ata e shtyn një karrocë të mbushur plot me mbeturina. Nga sasia e madhe që kishte ngarkuar, ai nuk shihej fare prapa karrocës e cila shpesh nga pesha ia merrte anën.

Këto mbeturina ata i dërguan në pikën grumbulluese që është brenda lagjes. Thesi i mbushur me shishe të plastikës që kishte sjellur peshonte 20 kilogramë, por nuk i llogaritën të gjitha këto, pasi që duhet të matej edhe thesi, i cili në këtë rast peshoi 3 kilogramë e 300 gramë. Pra nga ky thes ata fituan vetëm 1 euro e 95 centë.

Më i madhi nga tre fëmijët thotë se mbledh mbeturina për çdo ditë dhe se me paratë e fituara blejnë gjëra ushqimore dhe i ndihmojnë nënës, pasi thotë se është e sëmurë.

“Paradite dal me mledh kshtu, e masdite pej orës 12 shkoj në shkollë. Edhe në mbramje dal me mledh. Unë edhe vllaznit e mi mledhim bashkë, edhe krejt çka i mledhim i bina këtu afër me kolicë për m’i shit”, thotë ai.

Personi që ka hapur pikën grumbulluese në lagje, thotë se këtë e ka bërë për fëmijët të cilët rrezikohen duke kaluar nëpër rrugë kryesore për t’i dërguar mbeturinat në deponi.

“Ktu i mledhim të gjitha llojet e mbeturinave, plastikë, shishe, metale, najlon, kanaçe etj. Ma së shumti sjellin fmitë dhe unë kam fillu me mledh mbeturina që fmija mos me shku te deponia në Fushë Kosovë, se rrezikohen nga qentë dhe nga kerret. Ka raste që për 20 centë shkon deri te deponia atje. Veç prej fmijëve grumbullohen diku 200 kilogramë mbeturina në ditë”, thotë ai, duke shtuar se mbeturinat e grumbulluara i dërgon në pikën e grumbullimit në Fushë Kosovë çdo 2-3 muaj, ndërsa thotë se i fiton rreth 3 centë për një kilogramë.

Në kërkim të hekurishteve e plastikave këta fëmijë gjejnë ndonjëherë edhe gjëra për të ngrënë e veshur. Dy fëmijë në mes të lagjes në Fushë Kosovë duke kërkuar nëpër mbeturina gjetën diçka që ua ktheu gëzimin në fytyrë. Vajza gjeti një jastëk e djali një palë këpucë për babin e vet. Vendi ku ata po i fusnin duart për të kontrolluar ishte i mbushur me gjësende të rrezikshme si: gjemba, hekura, pelena etj.

Në përputhje me Konventën nr. 138 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për Moshën Minimale të Punësimit, Ligji i Punës në Kosovë ndalon punën e fëmijëve nën moshën 15 vjeç, me qëllim që ata të kenë mundësi të ndjekin arsimin e detyruar.

Duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në punë të rënda këta fëmijë kanë pak energji për t'iu përkushtuar shkollës.

Një studim i vitit 2009 nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka konstatuar se 96 % e popullatës RAE në Kosovë nuk e kanë të përfunduar shkollimin obligativ. Të lënë pranë kufirit më të ulët të ekzistencës, ndjekjen e shkollës e përjetojnë si të pavlefshme sepse në një gjendje të tillë ku ekzistenca është e kërcënuar, ata nuk njohin angazhim afatgjatë.

Ndryshe, bazuar në hulumtimin të cilin e ka kryer organizata “Balkan Sunflowers Kosova”, ku janë intervistuar 2346 familje të komuniteteve RAE, arsyet që u nxorën për mosvijueshmërinë e shkollës ishin: 18,6 % e të anketuarve kanë deklaruar se arsyeja është mungesa e rrobave të përshtatshme për shkollë, 16,3 për qind janë përgjigjur se ata nuk kanë para për libra dhe fletore të nevojshme për shkollë, 13,7 për qind e të anketuarve konsiderojnë se mungesa e rrobave të nxehta për dimër është arsyeja që fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë, 10,8 për qind e të anketuarve konsiderojnë se mungesa e parave për të blerë ushqim në shkollë është një faktor pse fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë, si dhe 8 për qind e të anketuarve tregojnë se fëmijët duhet të punojnë dhe për këtë arsye ata nuk mund të shkojnë në shkollë.

Për ekzistencë rrezikojnë jetën

Mbledhësit gjithë procesin e grumbullimit të mbeturinave e kryejnë me duar. Ata nuk përdorin veshje të veçanta mbrojtëse, dorëza, maska apo vegla të tjera pune, të cilat jo vetëm do t’ua lehtësonin punën, por edhe do t’ua mbronin shëndetin. Shumica nga ta nuk kanë informacion mbi rrezikun që u kanoset nga ky aktivitet, por edhe atëherë kur janë të vetëdijshëm për rëndësinë e mjeteve mbrojtëse nuk kanë mundësi financiare për t’i blerë.

Mbledhësit fillimisht i shkarkojnë mbeturinat e riciklueshme në oborret e shtëpive të tyre dhe zakonisht pasi të grumbullohet një sasi e konsiderueshme i dërgojnë në pikat e grumbullimit. Në këtë mënyrë ata dhe familjet e tyre vazhdimisht u ekspozohen mbeturinave. Edhe transportin për në shtëpi të tyre apo pika grumbulluese e bëjnë me mjete si thasë, karroca, biçikleta, e shumë të paktë janë ata që kanë ndonjë automjet të vogël. Ata thonë se ngarkesa e madhe jo rrallëherë u ka shkaktuar probleme në boshtin kurrizor.

Këtë e konfirmojnë edhe mjekët të cilët pranojnë pacientë nga dy lagjet e Fushë Kosovës ku jetojnë komunitetet RAE. Sipas mjekut të qendrës për shëndetësi familjare në Fushë Kosovë, Remzi Shala, personat që mbledhin mbeturina janë të prirë të preken nga sëmundjet infektive.

Popullata e cila jeton në një ambient ku ka mbeturina, në aspektin shëndetësor mund të preken nga sëmundjet infektive të lëkurës apo sëmundje gastriti, por edhe sëmundje të tjera ngjitëse të cilat mund t’i marrin përmes mbeturinave

Dr.Remzi Shala

"Popullata e cila jeton në një ambient ku ka mbeturina, në aspektin shëndetësor mund të preken nga sëmundjet infektive të lëkurës apo sëmundje gastriti, por edhe sëmundje të tjera ngjitëse të cilat mund t’i marrin përmes mbeturinave", ka thënë ai.

Megjithatë, duke ditur gjendjen e rëndë në të cilën jetojnë këto komunitete, shumë pak prej tyre i vizitojnë institucionet shëndetësore.

"Kemi pak pacientë që vinë për lëndime nga materialet e forta. Pacientët që vinë te ne kanë sëmundje që kanë lidhshmëri me kushtet e tyre të jetesës, si sëmundjet parazitare, zgjeba dhe morrat e trupit”, ka thënë mjeku Shala.

Situata shëndetësore e komuniteteve RAE është e lidhur ngushtë me situatën sociale, ekonomike dhe arsimore. Niveli i sëmundjeve dhe i vdekshmërisë së hershme është shumë më i lartë sesa në komunitetet shumicë në Kosovë. Doktor Shala thotë se shumë pjesëtarë të këtyre komuniteteve nuk janë vaksinuar asnjëherë në jetë, apo nuk kanë bërë ndonjë kontrollë mjekësore.

Shuma milionëshe nga eksportimi i skrapit

Mbledhësit individual të mbeturinave, duke mos qenë pjesë formale e ndonjë strukture organizative të mbledhjes së skrapit nuk marrin gjithmonë çmime të drejta dhe të arsyeshme për lëndët dhe materialet që ofrojnë.

Preportr ka hulumtuar çmimet e këtij tregu dhe ka gjetur se mbledhësit individual i shesin materialet me çmimet minimale tek pikat grumbulluese. Ata një kilogram plastikë e shesin 0.13 euro, hekurin 0.14 euro, najlonin 0.15 euro ndërsa kanaçet 0.35 euro. Pikat grumbulluese të mbeturinave nuk kanë treguar sa fitojnë për një kilogram material të reciklueshëm kur e dërgojnë atë për shitje në kompanitë e mëdha që e bëjnë eksportin, përveç pikës grumbulluese në lagjen e Fushë Kosovës e cila grumbullon mbeturinat nga fëmijët, sipas pronarit të së cilës në një kilogram material fiton afër 0.03 euro.

Preportr ka kërkuar nga Dogana e Kosovës çmimet e eksportit për secilin produkt të reciklueshëm për të vënë në pah fitimin e kompanive që eksportojnë nga puna e mbledhësve individualë. Por dogana ka dërguar të dhënat sipas kodit tarifor që posedon, duke e ndarë skrapin në tri kategori: "Mbetjet, prerjet dhe kthimet prej plastike", "Kthime dhe mbetje ferrike; lingota mbetjesh të rishkrirëshme prej gize dhe çeliku"  dhe "Ferro-lidhje". Poashtu këto të dhëna janë vetëm për vendet, sasinë dhe vlerën ku eksportohen, por jo edhe për kompanitë sepse, sipas Doganës, këto të dhëna nuk janë të lejuara për publikim.

Preportr e ka pasur të pamundur që të gjejë p.sh fitimin e kompanisë kur e eksporton një kilogram plastikë në bazë të këtyre të dhënave dhe se pronarët e kompanive që janë intervistuar nuk kanë treguar sa fitojnë mesatarisht nga produktet që i eksportojnë e që grumbullohen nga mbledhësit individualë.

Megjithatë Preportr ka gjetur se cilat janë kompanitë që eksportojnë më së shumti skrap. Më së shumti jashtë vendit ka eksportuar kompania "Nderimi sh.p.k", e cila prej vitit 2010 deri tani ka eksportuar 116,196,917.00 kilogramë skrap në vlerë prej  21,821,528.00 euro. Sasi të madhe eksportojnë edhe kompanitë si "Metal-Mix", "Euro-Steel", "Euro Abi", etj.

Gjithashtu Preportr ka arritur të nxjerrë çmimet me të cilat eksportohet skrapi nga Kosova në vendet tjera.

Duke iu referuar të dhënave nga Dogana e Kosovës nga viti 2010 - 2015, brenda një viti mesatarisht Kosova ka eksportuar skrap deri në vlerë afër 20,000,000 euro.  Sasia e eksportit dhe vlera janë rritur dukshëm nga viti në vit. Përderisa në vitin 2010 Kosova ka eksportuar  83,696,260.00 kg skrap në vlerë prej 15,369,130.00 euro, në vitin 2014 është eksportuar 102,897,181.00 kg skrap në vlerë prej 21,735,979.23 euro.

Në vendet e rajonit përgjithësisht materialet e reciklueshme shiten me çmime të përafërta. P.sh një kilogram plastikë në Maqedoni gjatë viteve 2010-2015 eksportohej me çmim mesatar 0.29 euro, në Serbi 0.28 euro dhe në Malin e Zi 0.33 euro. Me çmimin më të lirë plastika eksportohet në Shqipëri me çmim mesatar 0.13 euro për kilogram.

Por në vendet e tjera plastika eksportohet me çmim shumë më të lartë. Në Zvicër një kilogram plastikë është eksportuar me vlerë prej 6.00 euro dhe në Suedi 3.30 euro.

Sipas doganës, materialet për reciklim që sipas kodit tarifor kategorizohen si "Mbetjet, prerjet dhe kthimet prej plastike", janë eksportuar në sasi më të mëdha në Maqedoni, Turqi, Serbi dhe Gjermani.

Kategoria tjetër e materialeve të reciklueshme "Kthime dhe mbetje ferrike; lingota mbetjesh të rishkrirëshme prej gize dhe çeliku"  eksportohen më së shumti në Shqipëri, Maqedoni dhe Turqi me çmime mesatare prej 0.19 deri në 0.31 euro për kilogram. Eksportimi në Shqipëri bëhet tek kompania turke “Kurum International”, e cila gjendet në zonën e metalurgjikut të Elbasanit.

Me çmim shumë të lirë këto materiale eksportohen në Poloni, Holandë, Belgjikë dhe Republikën Çeke me vetëm 0.07 euro për kilogram. Ndërsa me çmimin më të lartë eksportohen në Izrael me 2.23 euro dhe në Slloveni me 1.67 euro për kilogram.

Materialet e reciklueshme të kategorizuara si "Ferro-lidhje" eksportohen kryesisht në Itali, Slloveni, Kinë, Indi, Spanjë etj. Këto materiale eksportohen me çmime të ndryshme varësisht prej vendeve ku shkojnë. Në Republikën Çeke një kilogram i këtij materiali eksportohet për vetëm 0.10 euro, përderisa në vendet si Franca shitet 2.99 euro.

Shumica e deponive që grumbullojnë mbeturinat nuk janë të licencuara

Kompanitë që merren me grumbullimin e mbeturinave duhet të jenë të licencuara paraprakisht nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Preportr gjatë hulumtimit ka evidentuar disa deponi që nuk kanë fare licencë, pasi që ato nuk gjenden në mesin e 64 deponive të licencuara nga MMPH.

Kjo ministri pranon se ka deponi të tilla të palicencuara dhe se deri më tani inspektorati i kësaj ministrie gjatë inspektimeve në terren ka arritur që të evidentojë 65 deponi që bëjnë grumbullimin e skrapit që nuk janë të licencuara. Pra këto kompani janë identifikuar vetëm gjatë inspektimit që ka bërë ministria në fjalë, që do të thotë se mund të ketë edhe raste të tjera të ngjashme të cilat nuk janë identifikuar ende.

"Të gjitha kompanitë që janë pa licencë e për të cilat MMPH-ja është në dijeni, janë të dërguara në gjykatë, po ashtu një numër i tyre është në procedurë të pajisjes me dokumentacionin e nevojshëm sipas dispozitave ligjore. Të gjitha masat ndëshkimore për të gjithë operatorët që janë në kundërshtim me ligjin merren nga gjykatat dhe masat që u shqiptohen përmes gjykatave janë konform dispozitave ligjore", thotë Fadil Maxhuni nga zyra për informim në MMPH.

Në anën tjetër, deponitë apo pikat grumbulluese që janë të pajisura me licencë ankohen se po përballen me konkurrencë të pabarabartë, për shkak se të jesh i licencuar duhet të paguash taksa të shumta, gjë që nuk e bëjnë deponitë e palicencuara.

Preportr ka vizituar disa nga kompanitë që bëjnë grumbullimin e skrapit për të parë nga afër ciklin e punës që bëhet deri te përgatitja për eksportim.

Kompania “S.R.I – Kosova” e cila vepron në Fushë Kosovë është grumbulluesi më i madh i materialeve të reciklueshme të letrës apo kartonit dhe i materialëve të plastikës, najlonit etj.

Administratori i kësaj kompanie, Valdet Azemi, ka thënë për Preportr se vitin e kaluar kanë eksportuar afër 7000 tonë materiale të reciklueshme. Ai thotë se 30 % të tregut të kompanisë e mbulojnë mbledhësit individualë të cilët pas grumbullimit të mbeturinave i sjellin  ato në kompani ku matet sasia dhe paguhen varësisht nga sasia dhe cilësia e lëndës.

"Letra momentalisht është 3 deri në 4 centë, ndërsa shishet 14 deri 16 centë, kurse politeleni sillet nga 10 deri 17 centë. Çmimet ndryshojnë varësisht nga çmimi i materialit apo produktit final", ka thënë Azemi.

1/17
  • Të jetosh nga skrapi

    Pasi që kishte mbushur dy thasë e gjysmë me mbeturina, Zymeri bashkë me fëmijët e tij po i dërgonte në pikën grumbulluese për t’i shitur

  • Të jetosh nga skrapi

    Këto mbeturina gjenden në lagjen e komuniteteve RAE në Fushë Kosovë. Disa nga mbledhësit aty djegin mbetjet e kabllove elektrike për t’ua marrë materialin, ndërsa shpesh edhe fëmijët luajnë në këtë ambient

  • Të jetosh nga skrapi

    Smajli është mbledhës i përditshëm i mbeturinave dhe për çdo ditë kontrollon kontejnerët ku i gjen mbeturinat që i duhen për t’i shitur

  • Të jetosh nga skrapi

    Për dallim prej mbledhësve të tjerë, Smjali nuk dërgon çdo ditë mbeturina në pikat grumbulluese, por ai së pari i grumbullon në oborrin e shtëpisë ku jeton, ku e bën edhe klasifikimin

  • Të jetosh nga skrapi

    Kontejnerët në lagjen “Bregu i Diellit” janë ndër me të frekuentuarit nga mbledhësit e mbeturinave, të cilët qëndrojnë gjatë gjithë ditës aty

  • Të jetosh nga skrapi

    Mbledhësit e mbeturinave në deponinë e Gjilanit presin çdo kamion që zbrazët për të mbledhur mbeturina sa më shumë

  • Të jetosh nga skrapi

    Edhe fëmijët punojnë krahë për krahë me të rriturit për të mbledhë sa më shumë mbeturina në një ambient të kontaminuar

  • Të jetosh nga skrapi

    Një ditë e zakonshme për këtë burrë dhe këtë fëmijë, të cilët e sigurojnë mbijetesën nga mbledhja e mbeturinave

  • Të jetosh nga skrapi

    Këta mbledhës rrezikojnë jetën duke mbledhur mbeturina çdo ditë afër zinxhirëve të ekskavatorëve

  • Të jetosh nga skrapi

    Shumica e mbledhësve të mbeturinave nga komunitetet RAE, të cilët jetojnë në Fushë Kosovë i dërgojnë mbeturinat te Kompania “Rrezi Com”

  • Të jetosh nga skrapi

    Punëtorët së pari e bëjnë presimin e materialeve të plastikës dhe i bëjnë gati për eksport

  • Të jetosh nga skrapi

    E gjithë kjo plastikë e grumbulluar dhe e presuar është grumbulluar nga mbledhësit individual

  • Të jetosh nga skrapi

    Një pjesë e mbledhësve individualë i dërgojnë mbeturinat edhe tek kompania “SRI Kosova”

  • Të jetosh nga skrapi

    Procesi i presimit të letrës dhe kartonit

  • Të jetosh nga skrapi

    Kompania “Rec Kos” është grumbulluesi më i madh i mbeturinave të metalit në Kosovë

  • Të jetosh nga skrapi

    Një pjesë nga pika grumbulluese e kompanisë “Rec Koc”. Këto metale planifikohej të bluhen dhe të bëhen të gatshme për eksport

  • Të jetosh nga skrapi

    Disa materiale të metalit janë presuar dhe janë bërë të gatshme për eksport

Ai thotë se pjesën tjetër të mbeturinave kompania e grumbullon vetë dhe se ky grumbullim bëhet  zakonisht në qytetet e afërta.

"Për shkak se transporti e rrit koston shumë, nuk ia vlen të shkosh më larg se 20-30 kilometra nga pika e grumbullimit. Prandaj edhe komunat kryesore ku marrim mbeturina janë Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Lipjani. E kemi edhe një pikë në Pejë, atje operojmë që nga viti i kaluar", theksoi ai.

Për dallim  nga pikat grumbulluese brenda lagjeve kompania në fjalë është e licencuar dhe duket se plotëson kushtet bazë për ushtrimin e veprimtarisë. Sipas Azemit, ka edhe shumë kompani të tjera që merren me grumbullim por shumica e tyre nuk janë të licencuara, dhe ato krijojnë shumë vështirësi në treg.

"Për me e marrë licencën na duhet me i plotësua shumë kushte, ne paguajmë qira shumë të lartë këtu, kemi një objekt siç kërkohet të jetë e mbyllur një pjesë e një pjesë të hapur, kamionë e kështu me radhë. Ndërsa ata munden në një fushë të hapur të hapin biznesin pa i penguar askush. Kur t'i krahasojmë kostot atëherë ata na shkaktojnë problem në afarizmin tonë", u shpreh Azemi.

Ndërsa “Rec Kos” është kompania më e madhe në Kosovës sa i përket grumbullimit të metalit. Një pjesë e madhe e kompanive që veprojnë në Kosovë i dërgojnë materialet e metalit tek kjo kompani. Pronari i “Rec Kos” nuk dëshiroi të prononcohet në lidhje me aktivitetin e kompanisë së tij, por thotë se materialet e metalit pasi të grumbullohen presohen dhe bëhen të gatshme për eksport. Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Doganën e Kosovës, kjo kompani ka eksportuar më së shumti në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Itali etj., dhe çmimi i skrapit ndryshon nga vendi në vend.

Sipas të dhënave të Doganës të Kosovës, kjo kompani në periudhën 2010 deri në shtator 2015 ka eksportuar 16 milionë e 94 mijë e 489 kilogramë metale, ndërsa vlera e eksportit është 3 milionë e 847 mijë e 25 euro.

Gjithashtu “Metal Mix” është njëra nga kompanitë që grumbullon metale të ndryshme, të cilat i eksporton në Shqipëri dhe njëkohësisht nga atje importon shufra të hekurit.

Drejtori i kësaj kompanie Alban Zeqiri thotë se skrapin më së shumti e dërgojnë kompanitë që merren me mbledhjen e këtij materiali, por edhe mbledhës individual.

“Brenda një muaji afërsisht eksportojmë 2000-2500 tonë hekur në Shqipëri, më konkretisht në Elbasan në firmën ‘Kurum International’, që është një kompani turke. Ata e marrin, e shkrijnë atë dhe ne i importojmë nga aty shufrat e hekurit. Aktualisht një kilogram hekur e blejnë 15 deri në 17 centë, mandej e shesim 20-21 centë”, thotë Zeqiri.