Lomsh pa fije

Inspektoratet janë institucione që kanë përgjegjësi mbikëqyrjen e ligjeve. Ekzistojnë 36 inspektorate të cilat funksionojnë në mënyrë të ndarë. Krahas rritjes së numrit të institucioneve publike dhe atyre private, numri i inspektorëve mbetet i pamjaftueshëm. Inspektorati i Punës inspekton vetëm rreth 10% të bizneseve brenda vitit, ndërsa ai i shëndetësisë rreth 40%. Disa inspektorë të këtyre dy inspektorateve kanë lidhje edhe me partitë politike. Preportr ka gjetur se dhjetëra inspektorë janë akuzuar për keqpërdorim të...

Prishtinë, 25 Maj 2017

Në Kosovë ekzistojnë dhjetëra inspektorate të cilat janë të obliguar që të bëjnë inspektime të fushave të ndryshme. Numri i inspektorëve vazhdon të mbetet i vogël, përderisa numri i bizneseve dhe institucioneve që ata kanë obligim ligjor t'i inspektojnë ka trend të rritjes ndër vite. Në këtë situatë inspektorët arrijnë të bëjnë pak inspektime, në anën tjetër qytetarët i vuajnë pasojat.

Rreth 61.3% e të rinjve kosovarë të moshës 15-24  vjeç punojnë pa kontratë pune, një pjesë e madhe e tyre nuk paguhen për orë shtesë dhe nuk gëzojnë të drejtat elementare në vendin e punës. Poashtu jemi dëshmitarë të shumë skandaleve në institucionet private shëndetësore ku është ushtruar veprimtari e jashtëligjshme për vite me radhë, vërtetuar edhe me vendime të gjykatës. Degradimi i ambientit që përfshinë shkatërrimin e pyjeve dhe lumenjve është në shkallën më të lartë. Këto e shumë probleme të tjera më rëndësi jetike për qytetarët e vendit janë të rregulluara me ligje, mbikëqyrja dhe zbatimi i  të cilave është përgjegjësi e inspektorateve.

Në Kosovë, një numër i konsiderueshëm i inspektorateve janë themeluar gjatë vitit 2006. Pavarësisht që me anë të kompetencave inspektoratet janë në nivel shumë të lartë hierarkik, hulumtimi i Preportr identifikon se inspektoratet nuk kanë dhënë rezultate konkrete në fushën e zbatimit të ligjeve prej themelimit të tyre e deri më tani.

Shiko Gazetën #21

Ngecja kryesore duket se qëndron në mënyrën kaotike të funksionimit dhe organizimit  të inspektorateve. Ato janë të shpërndara nëpër institucione të veçanta si ministri, komuna dhe institucione të tjera të pavarura.

Si rrjedhojë edhe llogaridhënia e inspektorateve është e pa koncentruar. Ato përgjithësisht raportojnë në institucionet ku funksionojnë. Shumica e këtyre raporteve janë vetëm për nevoja të brendshme dhe nuk janë publike. Edhe ato që janë publike janë të përfshira në raportet e institucioneve ku funksionojnë e jo të kategorizuara si punë e inspektorateve.

Mungesa e raportimit të punës në media e në disa raste edhe mungesa e punës së inspektorateve ka bërë që qytetarët të dëgjojnë për këto institucione përgjithësisht kur janë të përfshira në afera korruptive, gjë që ka dëmtuar rëndë imazhin e tyre.

Gjatë këtij hulumtimi, Preportr ka gjetur se mediat kanë raportuar për rreth 35 inspektorë të akuzuar nën veprën "Shpërdorim i pozitës zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm", ndër ta tre janë kryeinspektorë të inspektorateve dhe një koordinator rajonal i inspektoratit.

Organizimi jo i mirë i inspektorateve ka vështirësuar edhe identifikimin e numrit dhe llojeve të tyre. Në shumë prej webfaqeve të institucioneve nuk gjenden inspektoratet si sektorë të veçantë. Për të parë se a ka inspektorat për një fushë mund të gjendet vetëm nëse hulumtohet ligji i asaj fushe dhe në të përmendet inspektorati.

Në vitin 2014 Instituti GAP ka publikuar një raport mbi funksionimin e këtyre institucioneve dhe ka identifikuar diku njëzet sosh. Sipas hulumtuesit Visar Rushiti, ekziston një laramani e madhe e organizimit dhe funksionimit të inspektorateve dhe nuk ekziston një trupë e veçantë qendrore që do të mbikëqyrte punën e tyre.

"Diku mund të jenë të organizuara si divizion, diku si departament, diku si inspektorat. P.sh. kryeshefi i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë i raporton sekretarit pastaj përmes tij i raporton ministrit. Diku tjetër inspektorati është si trupë ekzekutive, p.sh. Inspektorati i Punës ku kryeinspektori i jep llogari drejtpërdrejtë ministrit", ka shpjeguar Rushiti.

Sipas Zyrës për Informim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në Kosovë aktualisht janë 36 trupa inspektuese në institucionet qendrore dhe lokale në të gjitha fushë veprimtaritë.

Preportr ka hulumtuar në veçanti Inspektoratin e Punës dhe atë të Shëndetësisë meqenëse janë dy nga inspektoratet më me ndikimin në jetën e qytetarëve. Qëllimi ka qenë që përmes analizimit të punës  dhe veprimtarisë se këtyre dy inspektorateve të paraqesim problemet me të cilat ballafaqohen këto inspektorate dhe fushat e tyre, si dhe arsyet e mos funksionimit apo ngecjes në punë të inspektorateve në përgjithësi.

Ligj për inspektimet, jo për inspektoratet

Nuk ekziston  ligj i veçantë për inspektoratet, ligj i cili do të vendoste disa parime mbi punën dhe funksionimin e tyre. Ato janë themeluar në bazë të nevojës, disa me vendime, disa me udhëzime administrative dhe të tjerat me ligje. Kjo mënyrë e organizimit nuk po duket të jetë efikase në praktikë. Si pasojë ka lindur nevoja për inicimin e një ligji të veçantë që do të rregullonte bazën ligjore dhe organizimin hierarkik të të gjitha inspektorateve në Kosovë.

Në vitin 2013 Qeveria e Kosovës kishte paraparë në Programin Legjislativ nxjerrjen e këtij ligji, por sipas Zyrës për Informim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk është arritur të procedohet më tej. Si pasojë është duke u përgatitur një projektligj vetëm për inspektimet.

"Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes të Koncept Dokumentit për Projekt Ligjin për Inspektimet, i cili projektligj, do të adresojë në plotëni reformën e sistemit të inspektimeve në vendin tonë përfshirë aspektin ligjor si dhe atë organizativ / strukturor. Ne jemi duke punuar që ky projektligj të finalizohet gjatë vitit 2017 dhe në këtë proces po bashkëpunojmë ngushtë me Bankën Botërore. Kjo reformë e inspektimeve është buxhetuar përmes Ligjit për Buxhetin vjetor 2017", ka thënë kjo zyrë për Preportr.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës është në dijeni të plotë për situatën e tanishme në fushën e inspektimeve dhe kjo është arsyeja kryesore që po fillohet ndërmarrja e një procesi që ata e quajnë reformues.

Mirëpo Visar Rushiti nga Instituti GAP mendon se Ligji për Inspektimet do të merret vetëm me parimet apo punët e inspektimeve por jo me organizimin dhe funksionimin e tyre.  Sipas tij ligji për inspektimet nuk duhet të jetë zëvendësim për ligjin për inspektoratet.

"Projektligji për inspektimet është kundërshtuar edhe prej vet Inspektorateve për shkak se ka dispozita të cilat e dëmtojnë punën e Inspektorateve, siç është njoftimi i subjekteve para se të shkojë të inspektojë, gjë që e minon rolin e Inspektoratit. Edhe ne e kemi kundërshtuar këtë ligj dhe kemi propozuar që të ketë një model pak a shumë të ngjashëm me Shqipërinë dhe Kroacinë ku ekziston një ligj dhe trupë e veçantë për të gjitha inspektoratet i cili i menaxhon dhe mbikëqyrë ato", ka thënë Rushiti.

Sipas tij një ligj i tillë do të fuqizonte rolin e inspektorateve, do të rriste përgjegjësinë e tyre dhe do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në ngritjen e nivelit të zbatimit të ligjeve.

INSPEKTORATI I PUNËS

Inspektorati i Punës inspekton vetëm 10 % të bizneseve

Në përditshmëri raportohen raste të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Problemet më të mëdha kanë të bëjnë me ndërtimin e marrëdhënies së punës, përkatësisht puna pa kontrata. Ligji i Punës, ndër të tjera, ka paraparë rregullimin e marrëdhënies së punës ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit në të dyja sektorët, atë publik dhe privat, duke paraparë kështu të drejtat dhe obligimet e palëve në një marrëdhënie pune. Mospajisja e punëtorëve me kontrata krijon pasoja të shumta për punëtorët, duke filluar me pushimin e tyre  nga puna pa paralajmërim, moskujdesjen në rast të lëndimeve, mospagesa e pushimit vjetor, mospagesa e orëve shtesë etj.

Sipas të dhënave të nxjerra nga “Anketa e Fuqisë Punëtore”, e cila realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe që është publikuar në fund të muajit janar të këtij viti, 30 për qind e punëtorëve në Kosovë punojnë pa kontrata pune.

“Për të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç, përqindja e atyre që punonin pa kontratë ishte 61.3%. Kur u pyetën nëse kishin të drejtë në punën e tyre kryesore, të përfitimit nga një skemë e sigurimeve sociale në punë, të dhënat nga anketa treguan se vetëm 2.8% e punonjësve e kishin këtë të drejtë”, thuhet ndër të tjera në raport.

Gjithashtu edhe Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) në muajin gusht të vitit 2016 ka bërë një anketim në lidhje me pajisjen e punëtorëve me kontrata të punës në rajonin e Prishtinës. Në sektorin e shërbimeve, tregtisë dhe hotelerisë rezulton se 38.46 për qind e punëtorëve punojnë pa kontrata, ndërsa në sektorin e ndërtimit ka dalë të jetë hiq më pak se 59.76 për qind.

Ky hulumtim tregon se në sektorin e ndërtimtarisë punëtorët punojnë me orar të tejzgjatur. Deri në 50 orë në javë janë deklaruar se punojnë 40.24 për qind e të anketuarve, ndërsa ka të atillë (14.63%) që punojnë deri në 60 orë në javë. Pavarësisht orarit të zgjatur, një pjesë e këtyre punëtorëve kanë deklaruar se nuk paguhen për orët shtesë, 41 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk janë paguar fare për orët shtesë të punës.

Disa nga kontestet e punës trajtohen në gjykatat e Kosovës. Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, rezulton se për konteste të punës deri në vitin 2016 gjykatat e Kosovës kanë pasur 3 mijë e 669 lëndë. Nga ky numër 2 mijë e 488 kanë qenë lëndë të pazgjidhura në fillim, pra që janë trashëguar nga vitet paraprake, ndërsa vetëm në vitin 2016 janë pranuar 1 mijë e 181 lëndë.

Nga numri total prej 3 mijë e 669 lëndë pune, 105 lëndë kanë të bëjnë me pushim nga puna, 732 lëndë janë për kthim në punë, 2398 janë lëndë për dhënie materiale (kompensim material i palës së dëmtuar), dhe 434 lëndë kanë të bëjnë me konteste të tjera të punës. Ndërkaq, vitin 2017 gjykatat e Kosovës e kanë nisur me 2 mijë e 387 lëndë të pazgjidhura të kontesteve të punës.

Të gjitha këto shkelje janë duke ndodhur derisa ekziston Inspektorati i Punës, i cili është trupë ekzekutive dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në Inspektoratin e Punës janë të punësuar 50 inspektorë, të cilët kanë obligim të bëjnë inspektime të rregullta  në baza ditore, por edhe inspektime sipas kërkesave. Duke marrë parasysh numrin e vogël të inspektorëve dhe dinamikën e tyre të punës, shumë rrallë këta inspektorë iu trokasin në derë punëdhënësve për t’i inspektuar. Por edhe për ato inspektime që ka bërë ky inspektorat, janë ngritur akuza, pakënaqësi dhe dyshime se ka pasur favorizime të disa punëdhënësve dhe rrjedhimisht vendime jo të drejta të inspektoratit.

Prej vitit 2011 deri në vitin 2016 Inspektorati i Punës ka bërë nga 6 deri në 9 mijë inspektime. Në vitin 2016 ka bërë 7 mijë e 285 inspektime, prej tyre të rregullta kanë qenë 4 mijë e 997, të përsëritura 1 mijë e 717, sipas kërkesës së palëve 456 dhe të përbashkëta 115 inspektime. Pra nëse i shohim të gjitha llojet e inspektimeve rezulton se në numrin total të inspektimeve janë edhe riinspektimet, që do të thotë se inspektorati i punës nuk arrin që të inspektojë në mënyrë të rregullt as 7 mijë punëdhënës.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri në vitin 2016 në Kosovë ishin 87 mijë e 979 biznese aktive. Preportr ka marrë për bazë numrin total të inspektimeve gjatë vitit 2016 dhe ka krahasuar atë me numrin e bizneseve aktive. Nga ky krahasim rezulton se Inspektorati i Punës ka arritur që të inspektojë vetëm 8.2 për qind të bizneseve brenda një viti. Ndërsa mbi 90 për qind e bizneseve mbesin të pa inspektuara. Këto të dhëna janë kalkuluar vetëm për sektorin privat, pasi që inspektorati e ka obligim që të bëjë inspektime edhe në institucionet publike të Kosovës.

Nëse marrim për bazë vetëm sektorin privat, një inspektor i punës brenda një viti duhet që të inspektojë hiq më pak se 1 mijë e 759 biznese. Ndërsa sipas të dhënave të vitit 2016, një inspektor i punës ka arritur që brenda vitit të inspektojë vetëm 145 biznese. Në bazë të këtyre të dhënave i bie që për t’u inspektuar të gjitha bizneset, një inspektori i duhen plotë 12 vjet.

Ndërkaq, nga numri total i inspektimeve që janë bërë në vitin 2016 nga inspektorati i Punës, janë gjetur 1340 punëtorë pa kontrata. Gjithashtu gjatë këtyre inspektimeve janë dhënë 855 vërejtje dhe 128 gjoba për punëdhënësit. Edhe këto të dhëna tregojnë se ka shkelje të shumta të të drejtave të punëtorëve, ndërsa nëse numri i inspektimeve do të ishte më i madh, me gjasë shkelje të tilla do të evidentoheshin edhe më shumë.

Kryeinspektori i inspektoratit të punës Basri Ibrahimi ka thënë për Preportr se ka shkelje të ndryshme të Ligjit të Punës dhe se shkeljet më të shpeshta kanë të bëjnë me punën pa kontrata, puna gjatë natës, gjatë festave zyrtare etj. Ai thotë se pavarësisht numrit të vogël të inspektorëve në vitet e fundit zbatimi i Ligjit të Punës ka shënuar progres. Sipas tij, inspektoratit i duhen rreth 130 inspektorë për të pasur më shumë efekt në zbatimin e Ligjit të Punës.

“Një inspektim në ditë për një inspektor është e mjaftueshme, por edhe kjo është problem të mbërrihet sepse janë shumë procedura që duhet të ndiqen për të realizuar një inspektim. Përveç sektorit privat, edhe sektori publik na merr shumë kohë, pasi që ka edhe më shumë procedura. Më shumë na merr kohë trajtimi i një kërkese të sektorit publik se sa e atij privat”, thotë Ibrahimi.

Inspektorati i Punës në metodologjinë e punës e ka primare siç thonë edukimin dhe jo ndëshkimin. Kur tek punëdhënësit evidentohen shkelje të të drejtave të punëtorëve, fillimisht i shqiptohet vërejtje dhe i jepet një afat i shkurtër kohor për të përmirësuar ato vërejtje. Pra punëdhënësit i jepet gjithmonë mundësia e dytë. Por duke marrë parasysh numrin e vogël të inspektorëve dhe rrjedhimisht të inspektimeve, kjo masë mund të mos jetë e efektshme, pasi që punëdhënësit e presin fillimisht vërejtjen e parë. Kjo metodë pak mund të jep efekt, kur kemi parasysh që inspektorati arrin t’i inspektojë vetëm rreth 10 % të punëdhënësve në vit. Pra punëdhënësit tjerë që ende nuk janë inspektuar nuk ndihen direkt të rrezikuar në rast të mosrespektimit të ligjit, pasi që fillimisht e dinë që atyre iu jepet vetëm një vërejtje, por nëse nuk janë inspektuar, potencialisht mund të vazhdojnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve.

“Ka vite që ne jemi duke e trajtuar këtë çështje. Kemi provuar mënyra të ndryshme të inspektimit, por kemi ardhur në përfundim se kjo është metoda më e mirë. Ne mendojmë që vetëm sanksioni nuk është i duhuri, punëdhënësit duhet të na shohin si partner, e jo si aparat të ndëshkimit”, thotë kryeinspektori Ibrahimi.

Inspektorët nuk i trajtojnë rastet si duhet

Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) bën monitorimin e Ligjit të Punës që nga viti 2011. Milaim Morina nga kjo organizatë thotë se gjatë tërë këtyre viteve monitorim, kanë ardhur në përfundim se Inspektorati i Punës nuk është efikas sa duhet në inspektimin e punëdhënësve.

“Ajo që neve na ka shqetësuar ka qenë edhe metodologjia e inspektimeve, se si inspektorati i targeton ato biznese që ka për t’i inspektuar. Kjo ka rëndësi për faktin se ka biznese që janë inspektuar deri në tri herë brenda një viti, ndërsa ka biznese të mëdha që nuk janë inspektuar asnjëherë deri në katër vite. Ne kemi kërkuar që të kemi qasje në listën e bizneseve që janë inspektuar, por nuk na është lejuar qasje”, thotë Morina.

Ndërkaq Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë, ka thënë për Preportr se gjatë punës që e bëjnë në terren evidentojnë shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe këto raste i dërgojnë në inspektorat, por thotë se ky institucion nuk ndërmerr asgjë për këto raste.

“Kemi fakte kur ne si sindikatë kemi shkuar të një kompani dhe e kemi gjetur kompaninë pa asnjë kontratë të punës. I kemi tërhequr vërejtjen që t’i bëjë kontratat e punës brenda dy javëve, prapë nuk i ka bërë kontratat, sepse e ka mbështet inspektori. Ne kur i kemi thënë se të nesërmen do të ju publikojmë në media, vet inspektori i punës bashkë me pronarin e kompanisë kanë punuar tërë natën dhe ua kanë bërë të nesërmen kontratat e punës”, thotë Azemi.

Ai thotë se derisa ka shumë punëtorë pa kontrata dhe iu shkelen përditë të drejtat, pse duhet të ekzistojë Inspektorati i Punës, duke shtuar se gjendja më e keqe në këtë drejtim është në sektorin e ndërtimtarisë  dhe në sektorin e shërbimeve teknike.

Në lidhje me këtë çështje kryeinspektori Basri Ibrahimi thotë se nuk ka sindikatë të organizuar të sektorit privat fare dhe se deklarata të tilla po bëhen në mënyrë të pabazuar.

Por as Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) nuk ka pasur përvoja të mira me Inspektoratin e Punës. Shkëlqim Hysenaj kryetar i AGK-së thotë se vetëm në vitin 2016 janë dërguar 10 raste të gazetarëve në inspektorat, lidhur me shkeljet e të drejtave të punës.

play

“Kemi pasur disa gazetarë të cilët kur kanë shkuar që të dërgojnë ankesat e tyre kanë hasur në një lloj rezistence të koordinatorëve të inspektoratit, të cilët në një farë forme ua kanë bërë bajat atyre duke iu thënë se përse po i bini lëndët pasi që lëndët kundër mediave janë të kota”, thotë Hysenaj.

Ai thotë se në lidhje me këto raste e kanë informuar edhe kryeinspektorin e punës Basri Ibrahimin, por nga ai kanë marrë një përgjigje të pakuptimtë.

“Gazetarët në Kosovë nuk i besojnë fare Inspektoratit të Punës. Është një perceptim i përgjithshëm tek gazetarët që ky inspektorat është politikisht i kontrolluar dhe që ka frikë që t’i trajtojë rastet e gazetarëve nga pronarët e mediave”, theksoi Hysenaj.

Në lidhje me pakënaqësitë e AGK-së dhe pakënaqësitë e palëve tjera lidhur me vendimet e inspektoratit, kryeinspektori Ibrahimi thotë se kjo është çështje e interpretimit të vendimeve nga palët e përfshira në raste dhe se inspektorati nuk bën favorizime të asnjë punëdhënësi, por mund të ketë gabime gjatë vlerësimit edhe nga ana e inspektorëve.

“Palët jo gjithherë janë të kënaqura me vendimet e Inspektoratit të Punës, por edhe ne nuk do të thotë që i nxjerrim vendimet më të drejta dhe më të mira. Ka vende gjithmonë për ta diskutuar çdo vendim”, thotë Ibrahimi.

Në disa raste palët janë të pakënaqur me vendimet e Inspektoratit të Punës dhe i drejtohen gjykatave për t’i trajtuar këto raste. Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Avokaturën Shtetërore të Kosovës, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka pasur disa raste kur kjo avokaturë ka mbrojtur inspektoratin e punës në gjykata.

Sipas shënimeve te avokatëve shtetëror, gjatë periudhës 2014-2016, Inspektorati i Punës, ishte palë në procedura gjyqësore në 93 raste, prej tyre në 48 raste gjykatat i kane vendosur ne favor të këtij institucioni, 35 raste janë në procedurë, tri padi janë te tërhequra, gjashte janë në rivendosje, ndërsa një rast është i humbur.

Ndërkohë, në shtator të vitit 2016 Policia e Kosovës ka arrestuar koordinatorin e Inspektoratit të Punës për rajonin e Prishtinës Muhamet Binaku. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për marrje ryshfeti. Ai kishte kërkuar para si kusht për të mos shqiptuar gjobë për shkelje të Ligjit të Punës që ai i kishte konstatuar gjatë inspektimit në kompaninë “All Zone”. Sipas aktakuzës, ai për kryerjen e këtij shërbimi kishte marrë ryshfet dhjetë mijë euro.

Pesë inspektorë marrin rroga dhe nuk punojnë fare

Goran Vukojeviç, Ivan Jaksiç, Srecko Sofronijeviç, Veljko Andjelkoviç dhe Vladan Radi janë pjesë e Inspektoratit të Punës. Ata do të duhej që të kryenin inspektime në komunat në veri të vendit, por deri më tani nuk ka asnjë raport nga ana e tyre.

Kryeinspektori i punës Basri Ibrahimi thotë se ata janë të punësuar, marrin rrogë por nuk kanë dhënë deri më tani asnjë raport të aktiviteteve të tyre. Për më tepër ai thotë se nuk ka pasur ende kontakt me këta inspektorë, të cilët paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

“Ata ende nuk kanë filluar funksionimin e tyre. Në Inspektorat të Punës nuk janë të lajmëruar. Ata janë të punësuar marrin rrogë, por janë të punësuar në bazë të marrëveshjes së Brukselit, kjo është çështje politike që ka të bëjë me integrimin e tyre. Në të gjitha institucionet ka shkuar kështu. Ne i kemi vetëm të evidentuar si punëtorë, por që kontakte me ta nuk kemi”, thotë Ibrahimi.

Lidhjet politike të inspektorëve

Sikur në të gjitha institucionet tjera publike, edhe tek Inspektorati i Punës siç duket partitë politike i kanë futur duart. Duke marrë parasysh detyrën specifike të tyre, inspektimi në disa raste mund ta vë në dyshim objektivitetin e tyre.

Preportr ka gjetur se nga numri total prej 50 inspektorëve, 9 prej tyre kanë lidhje me partitë politike. Katër me PDK-në dhe katër me AAK-në, ndërsa një inspektore ka lidhje me një parti serbe. Disa kanë qenë konkurrent  në zgjedhjet lokale, disa janë parë duke bërë fushatë për partitë politike, ndërsa disa të tjerë kanë shprehur hapur përkatësinë e tyre partiake përmes rrjeteve sociale.

Nebil Mjeku është nga Komuna e Obiliqit. Ai ishte zgjedhur asamblist nga radhët e PDK-së në vitin 2009. Ndërkohë, në qershor të vitit 2011 ai është punësuar si inspektor i punës. Ai ka mbajtur dy postet njëkohësisht. Gjithashtu ai ka konkurruar edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013 për asamblist nga radhët e PDK-së.

Vesel Zhinipotoku nga Komuna e Ferizajt, ka lidhje me PDK-në. Ai ka qenë drejtori i Administratës dhe Personelit në Komunën e Ferizajt në kohën kur kryetar ishte Bajrush Xhemajli, ndërsa në mandatin e kryetarit Agim Aliu ishte Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Të dyja këto poste politike.

Nexhat Fazliu nga Komuna e Drenasit, del të jetë i lidhur me PDK-në. Ai këtë e ka shprehur hapur në profilin e tij në facebook, ku ka publikuar fotografi me zyrtarë të lartë të PDK-së. Ndërkaq ka qenë aktiv edhe në zgjedhjet e fundit lokale në Drenas, ku ka përkrahur gjatë fushatës kandidatin e PDK-së Ramiz Lladrovci.

Florim Krasniqi nga Komuna e Prizrenit është simpatizant i PDK–së. Ai në profilin e tij në Facebook, ka shprehur publikisht përkrahjen për këtë parti.

Halil Hasani nga Komuna e Ferizajt, ka qenë kandidat për asamble komunale në Ferizaj  nga radhët e AAK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe 2009.

Musa Lufaj nga Komuna e Deçanit, ka lidhje me strukturat e AAK-së në këtë komunë. Në një njoftim të kësaj partie në gusht të vitit 2015, thuhet se ai është zgjedhur anëtar i kryesisë së degës së AAK-së në Deçan.

Basri Zejnullahu koordinator regjional i Inspektoratit të Punës në Gjilan ka lidhje me AAK-në. Ai është parë në takimet e kësaj partie. Gjithashtu ai shihet në një foto të publikuar në shtator të vitit 2013, ku ka qenë pjesëmarrës në takimin e kandidatëve për këshilltarë komunal. Edhe gruaja e tij është asambleiste e AAK-së në Komunën e Gjilanit.

Murat Vokshi është zëvendës inspektor i punës që nga viti 2006. Është i afërt me degën e AAK-së në Deçan. Ai ka fotografi publike në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së në maj të vitit 2013 si dhe ka marrë pjesë në një mbledhje të kryesisë së degës së AAK-së në Deçan në dhjetor të vitit 2004.

Andrijana Zdravkoviç nga Komuna e Shtërpcës është inspektore e punës. Ajo ka konkurruar në zgjedhjet lokale të vitit 2009 për asambleiste në këtë komunë nga radhët e  partisë Jedinstvena Sirinička Župa – JSŽ.

Përformancë e dobët e inspektorëve, qëndrojmë larg Maqedonisë

Shifrat e lartpërmendura tregojnë se inspektorët e punës nuk kanë bërë një përformancë të mirë sa i përket numrit të inspektimeve. Tek kjo përformancë e dobët sigurisht që ndikojnë edhe mjetet e punës (mungesa e automjeteve) dhe profesionalizmi i inspektorëve.

Inspektorati i Punës nuk ka inspektorë të specializuar për fusha të caktuara për të cilat bën inspektime. Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë një auditim në lidhje me punën e Inspektoratit të Punës sa i përket sigurisë dhe rreziqeve në punë.

Në këtë raport që është publikuar në tetor të vitit 2016, thuhet se Inspektorati i Punës nuk ka arritur të zbatojnë plotësisht ligjin, rregulloret dhe standardet për këtë fushë. Si pasojë gjendja e sigurisë dhe shëndetit në punë në Kosovë ende nuk është në nivelin e pranueshëm.

Inspektorati i Punës ka edhe mungesë të planeve vjetore dhe të inspektimeve efektive që ka rezultuar në mos zbatimin e kërkesave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë. Sipas raportit në fjalë, inspektorati nuk ka hartuar dokument apo plan vjetor të mirëfilltë të inspektimeve dhe nuk ka as prioritet të tyre, inspektimet kryhen në mënyrë të rastësishme pa plan paraprak.

“Nuk ka as vlerësim të sektorëve më me rrezik, gjë e cila do të ndihmonte në planifikim adekuat. Sipas analizave tona, sektori i ndërtimeve është një ndër sektorët me rrezik më të lartë dhe me pasoja më të rënda, sektor ky që do të duhej dhënë prioritet më i lartë për inspektim nga inspektorati i punës krahas sektorëve tjerë”, thuhet në raport.

Inspektorati i Punës nuk ka raporte konkrete analitike mbi numrin e planifikuar të inspektimeve, realizimin e tyre, dobësitë apo problemet me të cilat janë përballur subjektet të cilat janë inspektuar, në mënyrë që të shërbejnë si dokument zyrtar apo mësim për proceset e ardhme.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë një krahasim të punës së inspektoratit të punës së Kosovës dhe atij të Maqedonisë. Maqedonia qëndron shumë më mirë sa i përket funksionimit dhe organizmit të Inspektoratit të Punës.

Inspektorati i Punës së Maqedonisë me rastin e punësimit të inspektorëve ka vendosur si kriter përgatitjen profesionale në fusha të caktuara. Përveç kësaj, ata duhet të jenë të licencuar në fushën e sigurisë në punë, që është i ndarë si sektor nga ai i marrëdhënies së punës dhe shëndetit. Inspektorët e njërës fushë nuk mund t’i kryejnë inspektimet e fushës tjetër, sepse nuk konsiderohen si të specializuar. Ndërsa në Inspektoratin e Punës në Kosovë, i njëjti inspektor i kryen të tri lëmit: marrëdhëniet në punë, sigurinë në punë dhe atë të shëndetit.

Sa i përket inspektimeve të sigurisë në punë, Maqedonia në krahasim me Kosovën posedon inspektorët e specializuar për këtë fushë. Prej 99 inspektorëve, 36 janë të specializuar vetëm për fushën e sigurisë në punë dhe janë me përgatitje të ndryshme profesionale. Ndërsa nga 50 inspektorë që ka Inspektorati i Punës në Kosovë, vetëm pesë prej tyre janë inxhinierë dhe gjithë të tjerët janë me përgatitje të përgjithshme jurist.

Në vitin 2015 inspektorati i punës së Kosovës ka pasur 50 inspektorë dhe ka bërë 9 mijë e 505 inspektime. Inspektorati i punës së Maqedonisë në këtë vit ka pasur 114 inspektorë dhe ka bërë 49 mijë e 311 inspektime.

Edhe nëse e krahasojmë në aspektin e përformancës individuale, inspektorati i Maqedonisë rezulton të jetë shumë më efikas se sa inspektorati i Kosovës. Në vitin 2015, një inspektor i punës në Kosovë ka bërë mesatarisht 190 inspektime, ndërsa një inspektor i Maqedonisë ka bërë 433 inspektime. Pra mesatarisht një inspektor i punës në Maqedoni bën 216 inspektime më shumë sesa një inspektor në Kosovë.

Inspektorati i Punës në Kosovë posedon 12 vetura për kryerjen e aktiviteteve operative, përderisa inspektorati i Maqedonisë ka në dispozicion 50 vetura për kryerjen e inspektimeve.

Interpretime kontradiktore në RTK nga të njëjtit inspektorë

Inspektorati i Punës shpesh është akuzuar nga punëtorët për vendime të padrejta në rastet e tyre. Këto shkelje janë bërë kryesisht në rastet kur ka pasur të bëjë me kompani të mëdha, apo me mediat. Disa punëtorë  ngaRadio Televizioni i Kosovës e kanë paraqitur rastin e shkeljes së të drejtave të tyre në inspektorat, por në disa raste vendimet kanë qenë në favor të këtij mediumi, e jo të punëtorëve edhe pse shkeljet e të drejtave të punëtorëve duket se ishin të qarta.

Arsim Halili ka bërë kërkesë në Inspektoratin e Punës me 10 tetor 2014 me pretendimin se iu kanë shkelur të drejtat e tij si punëtor i RTK-së, duke iu shqiptuar masa disiplinore vërejtje e fundit. Ndërkohë inspektorët e punës Violetë Nishori, Kosovare Kurdija dhe Ahmet Ahmeti kanë bërë inspektimin e rastit duke gjetur gjashtë shkelje në këtë rast dhe e kanë konsideruar kërkesën si të bazuar. Inspektorati përmes këtij vendimi ka obliguar RTK-në që  ta shfuqizojë vendimin për punëtorin e saj.

“Janë konstatuar shkelje të dispozitave të nenit 85 të Ligjit të Punës, nenit 14 paragrafi 14.2 të rregullores për përgjegjësitë materiale dhe disiplinore, nenit 18 paragrafi 18.2, nenit 19 paragrafi 19.1 dhe nenit 21 të rregullores për përgjegjësitë materiale dhe disiplinore. Po ashtu rregullorja për përgjegjësitë materiale dhe disiplinore nuk është në harmoni me dispozitat e Ligjit të Punës, e obligueshme me nenin 95 të këtij ligji”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Ndërkaq në arsyetim të këtij vendimi thuhet se komisioni disiplinor i RTK-së, i cili ka mbajtur mbledhje për shqyrtimin e rastit të Arsim Halilit dhe i ka shqiptuar masën vërejtje e fundit, nuk është nënshkruar nga procesmbajtësja, as nga anëtarët e komisionit disiplinor, e as nga kryetari i komisionit. Gjithashtu Inspektorati i Punës, duke u bazuar në shkresat e lëndës konstaton se Arsim Halili nuk është ftuar fare që të marrë pjesë në seancën disiplinore.

Edhe vendimi vërejtje e fundit që është marrë nga komisioni disiplinor i RTK-së dhe është nënshkruar nga Liridon Cahani kryetar, Amra Zeneli anëtare, nuk është nënshkruar nga anëtari tjetër i këtij komisioni Naser Gjinovci, ndërkaq inspektorati ka konstatuar se në vend të tij është nënshkruar dikush tjetër.

Ndërkohë në afatin prej tetë ditësh RTK ka bërë ankesë tek Inspektorati i Punës dhe ky inspektorat, përkatësisht shkalla e dytë, ia ka pranuar këtë ankesë, pavarësisht faktit se inspektorët e saj i kanë gjetur gjashtë shkelje në rastin e lartpërmendur. Në këtë vendim thuhet se RTK nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore për rastin në fjalë dhe se ka respektuar Ligjin e Punës dhe rregulloren disiplinore të RTK-së. Përmes këtij vendimi janë obliguar inspektorët e njëjtë që të bëjnë riinspektimin, ndërsa atyre i është rikujtuar se kanë të bëjnë me një institucion serioz dhe që ka bashkëpunuar me Inspektoratin e Punës.

“Prezantimi i këtyre fakteve dhe gatishmëria e subjektit për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës janë rrethana të cilat duhet shqyrtuar dhe analizuar nga inspektorët e punës, sepse nga kjo shihet qartë se është një subjekt serioz që në vazhdimësi është duke punuar për krijimin e kushteve për punëtorët me një standard në përputhje me Ligjin e Punës”, thuhet në fund të vendimit të shkallës së dytë.

Kjo pjesë është marrë në konsideratë nga inspektorët edhe gjatë riinspektimit, pasi që është cekur po e njëjti vlerësim për RTK-në edhe gjatë riinspektimit.

Riinspektimin e këtij rasti e kanë bërë inspektorët e njëjtë Violetë Nishori, Kosovare Kurdija dhe Ahmet Ahmeti. Çuditërisht të njëjtit inspektorë që kishin gjetur gjashtë shkelje në rastin e punëtorit të RTK-së dhe e kishin konsideruar kërkesën e punëtorit si të bazuar, gjatë riinspektimit të rastit të njëjtë nuk kanë gjetur asnjë shkelje. Pra në këtë vendim të njëjtët inspektorë “harruan” gjashtë shkeljet e evidentuara gjatë inspektimit të parë. Harrohet edhe mos-nënshkrimi i vendimit të komisionit disiplinor të RTK-së nga ana e njërit anëtar të komisionit dhe nuk përmendet fare mosharmonizimi i rregullores për përgjegjësitë materiale dhe disiplinore të RTK-së me Ligjin e Punës.

Gjithashtu tre inspektorët në fjalë kanë konstatuar se edhe neni 85 i Ligjit të Punës është respektuar, ndërsa në inspektimin e parë kanë konstatuar se ky nen është shkelur. Neni 85 në pikën 1.2 thotë se punëtorit mund t’i jepet vërejtje me shkrim. Por punëtorit të RTK-së i është dhënë masa disiplinore vërejtje e fundit, që nënkupton para-përjashtim, ndërsa vërejtja me shkrim është një masë më e lehtë.

Pra masën disiplinore vërejtje e fundit nuk e njeh Ligji i Punës, ndërsa ajo ka qenë e precizuar në rregulloren disiplinore të RTK-së, e cila nuk ka qenë në harmoni me Ligjin e Punës. Në rast se rregulloret e tilla nuk janë në harmoni me Ligjin e Punës, vendimi i punëdhënësit nuk është i pranueshëm nga inspektorati. Mosharmonizim të akteve të brendshme të RTK-së me Ligjin e Punës, inspektorati ka gjetur edhe gjatë inspektimeve tjera.

Sipas nenit 9 të rregullores disiplinore të RTK-së, vërejtja e fundit me shkrim hyn në kategorinë e masave të rënda disiplinore. Ndërkaq në Ligjin e Punës në pikën e dytë, vërejtja me shkrim jepet për shkelje të lehta të detyrës. Pra shihet se masat e ndërmarra nga komisioni disiplinor i RTK-së, nuk kanë qenë në harmoni me Ligjin e Punës. Këtë e kanë vërejtur fillimisht inspektorët, por gjatë riinspektimit të dytë nuk e kanë konstatuar të njëjtën gjë.

Gjithashtu edhe neni 18, pika 2 e rregullores disiplinore të RTK-së thotë se vendimi duhet të jetë i nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit. Ndërsa në rastin në fjalë njëri nga anëtarët e komisionit nuk e ka nënshkruar fare vendimin, por në vend të tij ka nënshkruar dikush tjetër dhe këtë e kanë konstatuar inspektorët e punës gjatë inspektimit të parë. Një veprim i tillë mund të konsiderohet edhe falsifikim i dokumentit zyrtar. Por gjatë riinspektimit të njëjtit inspektor nuk e kanë evidentuar një gjë të tillë.

Në lidhje me këtë rast, kryeinspektori Basri Ibrahimi thotë se shkalla e dytë mund të jep vendim të kundërt nga inspektimi i parë dhe se vendimet mund të interpretohen në mënyra të ndryshme nga palët apo juristët, por sipas tij, nuk ka vendime tendencioze apo favorizuese gjatë inspektimeve.

Ai thotë se në qoftë se inspektorët gjatë inspektimit të parë nuk i kanë vlerësuar argumentet mirë, shkalla e dytë i sugjeron që t’i rishohin këto argumente dhe të nxjerrët një vendim tjetër.  Kryeinspektori Ibrahimi thotë se një vendim mund të komentohet në shumë mënyra dhe se palët jo gjithherë janë të kënaqura me vendimet e Inspektoratit të Punës, ndërsa thotë se as inspektorati nuk do të thotë që i nxjerrë vendimet më të drejta, më të mira, ka vende gjithmonë për ta diskutuar çdo vendim.

INSPEKTORATI SHËNDETËSOR

Inspektorati nuk arrin të inspektojë as gjysmën e institucioneve

Në fushën e shëndetësisë në Kosovë shpesh janë krijuar skandale shumë të mëdha pas luftës gjë që ka bërë që në masë të madhe të humbet besimi në të. Në këtë mes një rol të madh e ka pasur edhe Inspektorati Shëndetësor, i cili nuk ka arritur që të vë rregull e rend në këtë fushë. Zyrtarët institucional arsyetohen me numër shumë të vogël të inspektorëve në krahasim me numrin e institucioneve që duhet inspektuar.

Inspektorati Shëndetësor sipas kryeinspektores Ardita Baraku duhet të inspektojë afërsisht 1500 institucione shëndetësore. Në raportet vjetore të inspektimeve inspektorati i referohet një shifre më të ulët, përafërsisht 1380 biznese private dhe publike si total i institucioneve për inspektim.  Kur është fjala për institucionet private përgjatë viteve disa shuhen e në ndërkohë krijohen të reja, kështu që numri i lartpërmendur (1500) është vetëm shifër e përafërt. Në këtë numër nuk përfshihen institucionet shëndetësore që aktivitetin e tyre e ushtrojnë nëpër komunat me shumicë serbe, që edhe ashtu nuk dihet sa është numri i tyre si dhe institucionet dhe bizneset tjera që operojnë në mënyrë ilegale.

Preportr, ka arritur që përmes qasjes në dokumente publike të sigurojë raportet e punës së Inspektoratit Shëndetësor prej vitit 2013 deri në vitin 2016. Në këto raporte janë parë të gjitha vështirësitë, sfidat por edhe puna që është bërë nga ky inspektorat. Sipas të dhënave të këtyre raporteve, shihet se numri i inspektimeve ka shënuar rritje të lehtë prej vitit në vit, por prapë mbetet larg mbulueshmërisë së këtij sektori me inspektime. Sipas të dhënave nga raportet vërehet se mesatarja e inspektimeve vjetore 2013-2016, nga Inspektorati Shëndetësor është 41.3 % duke mbetur këtu jashtë inspektimit përafërsisht 59% e institucioneve shëndetësore. Pra çdo vit përafërsisht 799 institucioneve shëndetësore që operojnë në Kosovë mbesin jashtë inspektimit. Dallim i madh sa i përket numrit të inspektimeve vërehet nga viti 2011, ku kishte 291 inspektime, në vitin 2012 ku numri i inspektimeve arriti në 456. Në raporte shihet që numri i inspektorëve nuk ka ndryshuar shumë. Prej vitit 2011 deri në vitin 2016 në këtë institucion kanë punuar pesë deri në shtatë inspektorë.

Për shkak të disproporcionit në mes numrit të institucioneve shëndetësore dhe inspektorëve, këta të fundit mund t’i kthehen një institucioni shëndetësor për të parë se a i ka marrë parasysh rekomandimet vetëm pas 3.5 vitesh.

Me rritjen e numrit të inspektimeve janë dhënë shumë rekomandime për institucionet shëndetësore, por ajo që bie në sy është të mbyllja e veprimtarive shëndetësore. Në vitin 2014 janë mbyllur 59 veprimtari shëndetësore, 83 më 2015, ndërsa në vitin 2016 janë mbyllur 94 veprimtari shëndetësore. Numri i gjobave ka shënuar rënie prej vitit 2015 që ishin 109, në vitin 2016 janë shqiptuar vetëm 89 gjoba. Por dënimi i institucioneve shëndetësore nuk është më interes primar për ISH-në. Sipas të dhënave të prezantuara në raportet vjetore, shihet se numri i rekomandimeve është rritur, e që ka qëllim përmirësimin e sjelljes së institucioneve shëndetësore. Rekomandimet dhe zbatimi i tyre mund të mos realizohen kur marrim parasysh numrin e paktë të inspektorëve.

Inspektorati Shëndetësor ka pasur shumë probleme në arkëtimin e mjeteve nga gjobat, gjë që është përmendur edhe në raportet e Auditorit të Përgjithshëm. Kjo ka ndryshuar viteve të fundit përmes procesit të përmbarimit.

Puna e Inspektoratit e vështirë në mungesë të inspektorëve

Puna e Inspektoratit Shëndetësor ka ardhur duke u përmirësuar viteve të fundit sa i përket rasteve të inspektimeve, mirëpo ende sfidë mbetet numri i paktë i inspektorëve, mungesa e infrastrukturës si dhe gjendja tepër e rëndë në sistemin shëndetësor, e cila nuk po tregon shenja përmirësimi tash e sa vite.  Inspektorati Shëndetësor ka të punësuar vetëm gjashtë inspektorë të rregullt dhe tre me kontratë mbi vepër. Kryeinspektorja Baraku, ka thënë se ajo në vazhdimësi e ka adresuar nevojën për më shumë inspektorë, por kërkesa e saj nuk është marrë parasysh.

“Shpresoj që numri i inspektorëve të rritet gjatë viteve në vijim pasi kjo është paraparë edhe me Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2017-2021. Në këtë periudhë sa kjo strategji është në fuqi parashihet rritja e numrit të inspektorëve në 36, besoj që kjo do ta rrisë në masë të madhe numrin e inspektimeve në Kosovë”, thotë ajo.

Shqetësuese për këtë inspektorat është fakti se ata e kanë statusin dhe paguhen si shërbyes civil që është edhe një tjetër problem i cili bën që shumica prej tyre sapo të gjejnë një vend tjetër pune largohen nga inspektorati.

Problem tjetër mbetet edhe menaxhimi jo i mirë i institucioneve shëndetësore, gjë e cila do ta lironte inspektoratin nga përgjegjësia për t’u marrë me rastet që lidhen me raportet që stafi mjekësor ka me pacientët.

Baraku thotë se në këto dhjetë vjet të funksionimit Inspektorati Shëndetësor është përballur me shumë vështirësi. Në pesë vitet e saj në krye të këtij institucioni thotë se ka kërkuar që gjendja të ndryshohet, e cila mund të bëhet me rritje të numrit të inspektorëve, me ndryshim të Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, me numër më të madh të automjeteve (aktualisht i kanë vetëm dy) etj.

Inspektorati Shëndetësor ka një buxhet tepër simbolik që nuk ka ndryshuar shumë ndër vite. Në vitin 2015 buxheti ishte në vlerë prej 60,378.45 euro. Një vit më vonë për buxhetin e ISH-së u ndanë 6 mijë euro më shumë respektivisht 66,742.76 euro. Në këtë vit buxheti ka shënuar një rritje paksa më të madhe dhe është në vlerë prej 80 mijë e 600 eurosh.

Dy inspektoratet shëndetësore nuk po mund të veprojnë së bashku

Inspektorati Farmaceutik dhe ai Shëndetësor veprojnë në të njëjtin kulm në objektin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ato deri në vitin 2015 kanë vepruar të ndara por me hyrjen në fuqi të Ligjit për produkte dhe pajisje medicinale janë bashkuar. Bashkimi i tyre duket të jetë vetëm formal, pasi ato vazhdojnë të veprojnë si të veçanta.

Në Ligjin për produkte dhe pajisje medicinale në nenin 5 pika 2, thuhet se Inspektorati Farmaceutik është strukturë organizative e Inspektoratit Shëndetësor. Inspektorati Farmaceutik ushtron mbikëqyrjen e jashtme të prodhuesve, importuesve, qarkulluesve me shumicë dhe pakicë të produkteve medicinale dhe të pajisjeve medicinale, nëpërmjet vlerësimit të përsëritur të performancës, përcjelljes, si dhe inspektimeve ad-hoc dhe me kërkesë.

Që këto dy inspektorate nuk bashkëpunojnë në mes vete e tregojnë edhe raportet e Inspektoratit Shëndetësor. Aty fare pak pasqyrohet puna e Inspektoratit Farmaceutik. Në raportin e vitit 2016 të ISH-së, Inspektorati Farmaceutik është përmendur vetëm në pak raste edhe atë vetëm te vendimet ndaj të cilave janë ankuar palët dhe të hyrat që këto inspektorate i arkëtojnë nga gjobat që u shqiptojnë subjekteve të cilat i inspektojnë.

Duke pasur parasysh gjendjen kaotike sa i përket tregut të barnave të cilat hyjnë ilegalisht në Kosovë, Preportr është munduar ta caktojë një takim me kryeinspektoren e këtij inspektorati Remzije Thaqin.

Gjatë realizimit të këtij hulumtimi ajo është pezulluar nga puna pasi është pjesë e një aktakuze ku akuzohet bashkë me shumë zyrtarë  të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dy inspektorë të tjerë të këtij inspektorati për kryerje të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Thaqi ishte zyrtarja e fundit e pezulluar pasi të tjerët që para shumë kohësh janë larguar nga puna. Ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmanit që vjen në këtë post nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i është dashur një konfirmim i prokurorisë për ta pezulluar Thaqin nga puna.

Duhet theksuar se ish- kryeinspektorja ishte aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aktiviteti i saj në këtë subjekt politik ishte më i madh në të kaluarën ku ajo mbante edhe pozita si kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në Malishevë.

Kryeinspektorja e Shëndetësisë Ardita Baraku, nuk ka dashur të flasë për mosfunksionimin e dy inspektorateve. Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje! Besa Baftija ka thënë se bashkimi i këtyre dy inspektorateve ende nuk është duke funksionuar sepse duhen bërë ndryshime në Ligjin për Inspektoratin Shëndetësor.  “Duhet të bëhet krijimi i një rregulloreje për organizim të brendshëm sepse nuk ka një të tillë”, thotë ajo.

Inspektoratet e dëmtuara nga akuzat për korrupsion

Përfshirjen e krerëve më të lartë të inspektorateve në afera korruptive e ka vuajtur mbase më shumë se të gjitha inspektoratet e tjera, Inspektorati Shëndetësor.

Dyshimeve se ky inspektorat nuk e kryente punën e vetë siç duhej pasi në opinion dilnin skandale të mëdha të cilat ndodhnin në sistemin shëndetësor, iu vu vula kur ish-kryeinspektori shëndetësor Zef Komani u zu duke marrë ryshfet. Rasti i tij ka ndodhur në vitin 2011. Ai është dënuar me burgim prej 1 viti e gjysmë në vitin 2012.

Pas largimit të Komanit nga pozita e kryeinspektorit shëndetësor bazuar edhe në raportet e ISH-së performanca e këtij institucioni ka ndryshuar për të mirë. Vetëm një vit pas arrestimit të Zef Komanit numri i inspektimeve nga Inspektorati Shëndetësor gati është dyfishuar.

Përfshirja sidomos e krerëve më të lartë të dy inspektorateve atij shëndetësor dhe farmaceutik  në afera korruptive ka ndikuar në prishjen edhe më shumë të imazhit që opinioni e ka në përgjithësi për sistemin shëndetësor në Kosovë. Pas rastit të Komanit, Inspektorati Shëndetësor nuk është ballafaquar me raste të tjera të kësaj natyre. Së paku zyrtarisht nuk na është konfirmuar që ndonjëri prej inspektorëve të jetë përfshirë në korrupsion.

Emri i kryeinspektores farmaceutike Remzije Thaqit përveç këtij rasti për të cilin është pezulluar është përmendur së paku edhe njëherë që ndaj saj janë zhvilluar hetime për favorizimin e kompanive që merren me prodhimin e barnave në Kosovë.

Në vitin 2013 këtë rast e patën konfirmuar edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare  për Produkte Medicinale, pjesë e të cilit ishte Inspektorati Farmaceutik.