English
Scroll top

Sfidat e raportimit profesional

Raportimi konform etikës gazetareske është bërë sfidë në vitet e fundit. Në disa portale shpesh shohim shkelje të kodit të etikës, veçanërisht ku përfshihen fëmijët dhe gratë. Njohësit e fushës së mediave thonë se kjo po bëhet për shkak të joprofesionalizmit, por edhe për shkak të klikimeve, rrjedhimisht përfitimeve financiare. Lidhur me këtë çështje Preportr ka realizuar një anketim me qytetarë dhe me gazetarë

Prishtinë, 04 Tetor 2024

Shkeljet e kodit të etikës gazetareske nga portalet informative janë ndër shqetësimet shoqërore në vitet e fundit në Kosovë. Shumë shpesh në disa portale informative shohim fotografi të fëmijëve, të dhëna personale të tyre, duke përfshirë edhe rastet tragjike. Po ashtu shohim edhe shkrime që kanë nuanca diskriminuese ndaj strukturave përkatëse shoqërore, veçanërisht ndaj grave, e ku vërehen shkrime seksiste apo edhe për përmbajtje steriotpizuese.

Nga njohës të fushës së mediave, ka vazhdimisht pikëvështrime të ndryshme pse bëhen këto shkelje gjatë raportimit.  Filtrimi i informacioneve rezulton të jetë një nga problemet kryesore, pra se në çfarë faza kalon një lajm para se të publikohet. Në media online shpesh këta filtra nuk përfillen për shumë arsye. Ndërkaq edhe profesionalizimi i gazetarëve dhe i redaktorëve është esenciale në këtë aspekt.

Shiko Gazetën #B38

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) është një mekanizëm vetërregullues i mediave të shkruara të Kosovës. Ky mekanizëm është adresa ku duhet të dërgohen ankesat ndaj mediave të shkruara në rastet kur ka pretendime për shkelje etike gjatë raportimit.

KMShK si bazë të funksionimit në këtë aspekt, e ka Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili përditësohet kohë pas kohe për shkak të ndryshimeve që janë imperativ i kohës sidomos në fushën e mediave online.

Ky kod është i qartë sa i përket mënyrës së raportimit nga mediat e shkruara. Aty përfshihen edhe rastet e publikimit të fotografive të fëmijëve dhe të dhënave tjera personale e të cilat nuk përbëjnë interes publik. Kapitulli VI i këtij kodi thotë se gazetarët nuk do t’i intervistojnë apo fotografojnë fëmijët nën moshën 18-vjeçare rreth çështjeve që kanë të bëjnë me familjen e tyre, me ta apo me persona të afërt të tyre, pa pëlqimin e prindit apo të ndonjë të rrituri, i cili është përgjegjës për fëmijën. Gjithashtu aty thuhet se mediat e shkruara asnjëherë nuk duhet t’i publikojnë emrin, atësinë/amësinë dhe mbiemrin, fotografi, video apo imazhe të tjera të fëmijëve nën moshën 18 vjeçare, të cilët janë të përfshirë apo ndërlidhur me aksidente, incidente, dhunë, vepra penale, fatkeqësi natyrore apo veprime të tjera. Në këtë kapitull theksohet se trajtimi i rrëfimeve te tragjeditë personale duhet të zhvillohet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen. Nëse interesi publik është i lartë, atëherë ndaj fëmijëve të prekur nga tragjedia duhet pasur qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion.

Nëse i kemi parasysh këto elemente, mund të vërehet se disa media online nuk i përmbahen sa duhet kodit të etikës. Kjo për faktin se ka raportime nga aksidentet apo raste tjera tragjike ku fëmijët ekspozohen në mënyrë të detajuar, apo edhe raportime që përmbajnë paragjykime dhe sterotipe ndaj garave (përfshi raportime seksiste) dhe kategorive të ndjeshme të shoqërisë.

Të dhënat empirike

Preportr përmes platformës për angazhimin e qytetarëve - ECR, ka publikuar dy pyetësorë një për qytetarë dhe një pyetësor që target ka pasur gazetarët që veprojnë në Kosovë.

Pyetësori për qytetarë u publikua nga mesi i muajit korrik të këtij viti, të cilit iu përgjigjen 121 respodentë. Nga përgjigjet e tyre rezulton se rreth 80 përqind e respondentëve lexojnë lajme disa herë në ditë në portalet informative të Kosovës. Rreth 65 për qind e respondentëve janë shprehur se portalet informative bëjnë shkelje të vazhdueshme të kodit të etikës, 17 për qind janë shprehur se portalet e respektojnë pjesërisht kodin e etikës, ndërsa rreth 4 përqind thonë se kodi i etikës respektohet plotësisht.

Qytetarët janë pyetur nëse kanë parë shkelje të etikës së gazetarisë duke u nisur nga perspektiva e tyre se si e kuptojnë këtë gjë. Sipas përgjigjeve, rezulton se 22 përqind kanë parë raportime të publikimit të fotografive të fëmijëve në portale, duke i portretizuar varësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur. 24 përqind thonë se kanë parë publikime të emrave dhe të dhëna tjera në raste të aksidenteve tragjike.

Në pyetjen se a keni parë në portale lajme që përmbajnë paragjykime dhe gjuhë seksiste ndaj grave, 66 përqind janë përgjigjur po, mbi 27 përqind janë shprehur se nganjëherë dhe 6 përqind janë shprehur jo.

Mbi 90 përqind e respondentëve mëndojnë se këto raportime mund të shkaktojnë dëme tek ata që përmenden në këto lajme në çfarëdo forme. Rreth 4 për qind thonë se nuk shkaktohet asnjë dëm, ndërsa rreth 5 përqind u shprehën se nuk e dinë.

Anketimi nxori një të dhënë shqetësuese për faktin se 62 përqind të respondentëve nuk dinë se ku duhet t’i adresojnë rastet e shkeljeve që konsiderojnë se janë bërë nga portalet informative. Ndërkaq 37 për qind u shprehen se dinë ku t’i adresojnë, por disa nga ta mendonin se duhet t’i raportojnë në polici dhe prokurori. Mbi 86 përqind kanë thënë se nuk kanë raportuar ndonjëherë ndonjë lajm te ndonjë mekanizëm përkatës, ndërkaq 13 përqind thonë se i kanë raportuar ato lajme në KMShK. Prej tyre, 40 përqind thonë se KMShK ua ka miratuar ankesën.

Pamjet dhe identiteti i fëmijëve gjatë raportimit nuk përbëjnë interes publik

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) në një përgjigje për Preportr kanë thënë se në vazhdimësi kanë vlerësuar se publikimi i fotografive apo i të dhënave të tjera të fëmijëve në ngjarje të ndryshme, të cilat çojnë drejt zbulimit të identitetit të fëmijës, janë në kundërshtim me të drejtat themelore të fëmijëve dhe cenojnë pa asnjë dyshim integritetin e fëmijës duke shkaktuar dëme në zhvillimin e tyre.

Për këtë arsye, nga KOMF thonë se kanë bërë shpesh thirrje që pamjet filmike, fotografitë apo edhe të dhënat e ndryshme që referojnë mbi identitetin e fëmijës, të largohen nga platformat online, për shkak se ato nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik e profesional.

“Pamjet filmike duhet të dorëzohen tek organet e rendit dhe drejtësisë, të cilat do të ndërmarrin më pas veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijës si edhe masat ndaj kryerësit”, thuhet në përgjigjen e KOMF-it.

Nga kjo organizatë thonë se zbulimi i identitetit të fëmijës viktimë çon në dëmtim të rëndë të mirëqenies emocionale dhe psikologjike të fëmijës së përfshirë në ngjarje pa marrë parasysh rrethanat e përfshirjes së tyre në ngjarje.

“Ai mund të shkaktojë viktimizimin apo edhe riviktimizimin e fëmijës, varësisht nga situata. Parimi i ruajtjes së konfidencialitetit mbetet kyç në parimet e mbrojtjes së fëmijës dhe të ruajtjes së interesit më të mirë të fëmijëve. Prandaj, shkelja e këtij parimi mund të çojë në stigmatizim të fëmijës, rritje të ndjenjës së fajit, prishje të ekuilibrave të jetës qofshin ato në shkollë, komunitet e më gjerë”, thuhet në përgjigjen e KOMF-it.

Ky koalicion i organizatave, konsideron se mediat në radhë të parë duhet të mbrojnë mirëqenien, integritetin e fëmijës, konfidencialitetin e rastit duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës.

“Mbetet të vijohet tej me vetëdijesimin e mediave mbi aspektet e raportimit etik për fëmijët. KOMF deri tani ka një bashkëpunim shumë të mirë me mediat dhe shpesh në kuadër të shkëmbimeve, ka organizuar sesione informuese mbi raportimin etik për fëmijët, mbrojtjen e fëmijës gjatë raportimit dhe ruajtjen e interesit më të mirë të tij/saj, ruajtjen e konfidencialitetit dhe shmangien e të dhënave apo informatave që çojnë në zbulimin e identitetit të fëmijëve, etj”, u shprehen nga kjo organizatë.

Imer Mushkolaj, drejtor i KMShK-së thotë se publikimi i fotografive dhe të dhënave të tjera të fëmijëve në mediat online është shkelje e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht kapitullit përkatës që rregullon këtë çështje.

“Publikimet e tilla ndodhin në shumë raste nga pakujdesia, por edhe nga mungesa e ndjeshmërisë për raportim rreth kategorive të caktuara”, thotë Mushkolaj.

Alban Zeneli, profesor në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë se fëmijët si kategori e mundshme e përfshirjes në lajme janë dyfish të mbrojtur nga kodet etike e profesionale nga ekspozimi i tyre në media, sidomos i të dhënave të tyre që mund të keqpërdoren.

Nga ajo që shohim në shumicën e mediave online, me përjashtime të rralla, fëmijët ekspozohen në media pa ndonjë arsye të vërtetë profesionale e etike.

Alban Zeneli, profesor në Departamentin Gazetarisë në UP

Ai thotë se kodet etike e profesionale vlejnë sidomos kur fëmijët janë viktima të një ngjarjeje. Zeneli mendon se gazetarët duhet që të kenë kujdes edhe kur marrin lejen e prindit apo të kujdestarit të fëmijës që të mendojnë dhe gjykojnë nëse publikimi i fotografive apo të dhënave tjera mund t’i dëmtojë ata.

“Nga ajo që shohim në shumicën e mediave online, me përjashtime të rralla, fëmijët ekspozohen në media pa ndonjë arsye të vërtetë profesionale e etike”, thotë Zeneli. Ai thotë se personat e përfshirë në aksidente apo fatkeqësi tjera e sidomos fëmijët përdoren më shumë për të nxitur atë që njihet si “përdorim afektiv” i medias sociale, pra klikimin në përmbajtje nën ndikimin e një emocioni që në këtë rast është keqardhja apo pikëllimi.

“Ky klikim dhe reagim jo krejtësisht racional ndaj përmbajtjes nga ana e audiencës gjeneron më shumë qarkullim online e cila pastaj përmes mekanizmave të reklamimit online shndërrohet në para”, theksoi Zeneli.

“Seksizmi në media forcon normat patriarkale”

Në disa media shpesh shohim raportime të ndryshme të cilat në thelb përbëjnë diskriminim gjinor ndaj grave. Sipas njohësve te të drejtave gjinore, janë dy segmente problematike në këtë aspekt. Së pari, këto raportime kryesisht ndërlidhen me ngjarjet tragjike siç është vrasja e grave, apo përfshirja e tyre në çfarëdo forme në këto ngjarje. Së dyti, ka raportime me konotacione seksiste ndaj grave, përkatësisht të dukjes së tyre.

Raportime të tilla janë në kundërshtim me nenin III të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Aty theksohet se mediat e shkruara do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të mos nxitur apo ushqyer urrejtje dhe pabarazi, në shkrime, opinione apo komente, duke trajtuar me paragjykim një individ apo grup mbi baza të përkatësisë etnike, kombëtare, fetare, gjinore, racore, martesore, të orientimit seksual, sëmundjes, të moshës apo paaftësisë fizike e mendore.

Leonida Molliqaj drejtoreshë në organizatën QIKA, ka thënë se ekspozimi i të dhënave personale të vajzave dhe grave nga portalet informative është një shkelje serioze e privatësisë së tyre dhe një formë e përhapur e dhunës online. Ajo mendon se kjo lloj praktike jo vetëm që cenon të drejtat e grave, por edhe rrit rrezikun për stigmatizim të tyre.

“Publikimi i informatave personale shpesh mund të ketë pasoja të rënda psikologjike dhe emocionale për gratë e ekspozuara duke i bërë objekt të komenteve negative dhe fyerjeve nga publiku”, thotë Molliqaj.

Ajo ka thënë se raportimet seksiste në disa media online janë një problem i madh që ndikon negativisht në perceptimin e grave në shoqëri. Sipas saj, këto raportime shpesh i reduktojnë gratë në objekte seksuale ose i portretizojnë ato si më pak të afta ose më të pavlefshme se burrat.

“Seksizmi në media forcon normat patriarkale dhe dëmton përpjekjet për barazi gjinore, duke minuar rolin dhe kontributin e grave në shoqëri. Ky lloj raportimi gjithashtu ndikon në mënyrën se si gratë shihen dhe trajtohen në kontekste të ndryshme, qoftë në politikë, ekonomi apo në sferën publike”, u shpreh ajo.

Sipas saj, mediat duhet të respektojnë privatësinë dhe sigurinë e viktimave, duke mos zbuluar detaje identifikuese (si emrat, adresat ose pamjet) përveç nëse viktimat kanë dhënë pëlqimin e qartë paraprakisht.

“Unë besoj që kemi nevojë urgjente për ndërhyrje në mënyrën e raportimit, sidomos kur është fjala për tema të ndjeshme siç janë dhuna në familje apo dhuna në bazë gjinore”, thotë Molliqaj.

Zeneli thotë se lidhur me rastet e portretizimit të grave në mediat online mund të ndahen në dy kategori kryesore se si keqprezentohen gratë në mediat online në Kosovë. Sipas tij, kategoria e parë është kur ato janë viktima të ngjarjeve të ndryshme tragjike, që nga aksidentet e komunikacionit deri te vrasjet me bazë gjinore, përdoren për të nxitur reagimin e audiencës përmes teknikës së përmendur më lartë që njihet si përdorim afektiv-emocional i informacionit, që sërish në fund gjeneron para.

“Keqreprezetimi i dytë ka të bëjë me keqreprezentimin e tyre në bazë të gjinisë, pra duke i ekspozuar kryesisht trupin e grave të ndryshme me qëllim sërish të nxitjes së reagimit të audiencës në media sociale”, thotë profesori Zeneli.

Seksizmi në media forcon normat patriarkale dhe dëmton përpjekjet për barazi gjinore, duke minuar rolin dhe kontributin e grave në shoqëri.

Leonida Molliqaj, QIKA

Preportr ka analizuar 31 vendime të publikuara nga KMShK, e ku pëfshihen ankesat e trajtuara deri në shkurt të vitit 2024, ndërkaq vendimet për epilogun e ankesave pas muajit shkurt ende nuk janë publikuar në ueb-faqe. Nga analizimi i ankesave është vërejtur se ka raste kur mediat online bëjnë shkelje edhe të kësaj natyre. Për shembull një vendim i datës 26 shkurt të këtij viti, konstaton se një portal informativ ka bërë shkelje të kodit të etikës gjatë portretizimit të një gruaje.

Në vendimin e MKShK-së thuhet se kjo media ka publikuar një lajm me titullin “Njihuni me ‘Bebin’, të dashurën aktuale të Bleros, qenka copë (Pamje)”. Pas shqyrtimit të ankesës KMShK e ka miratuar atë.

“KMShK pas leximit të ankesës dhe shkrimit të publikuar gjen se media ka raportuar me një gjuhë aspak të pranueshme për publikun dhe një gjuhë ofenduese për personin, për të cilin raporton. Media duhet të ketë parasysh Kodin e Etikës sa herë që boton një lajm, e sidomos kur ka të bëjë me persona, për të cilët interesi publik është zero”, thuhet në vendimin e KMShK-së.

Imer Mushkolaj thotë se publikimi i fotografive dhe të dhënave të tjera të grave, të cilat nuk përbëjnë interes publik, po ashtu është shkelje e kodit të etikës.

“Kodi i Etikës i Mediave të Shkruara e përcakton qartë se si duhet raportuar në mënyrë etike dhe profesionale”, thotë Mushkolaj.

Pse po ndodhin gabime të tilla?

Diskutim dhe dilemë e vazhdueshme mbetët arsyeja përse bëhen këto shkelje të etikës në disa portale informative. A janë të qëllimshme apo mungesë e profesionalizimit.

Imer Mushkolaj thotë se këto shkelje po ndodhin për shkak të mungesës së njohurive të mjaftueshme për etikën në raportim nga gazetarët dhe redaktorët është një ndër arsyet.

“Por, media të caktuara veprojnë kështu edhe me vetëdije, përkatësisht me qëllim që të përfitojnë sa më shumë lexues”, thotë Mushkolaj.

Ndërkaq Alban Zeneli thotë se gazetarët dhe redaktorët janë mjaft të vetëdijshëm për kufizimet profesionale dhe etike në raportimin për kategori të ndjeshme të shoqërisë. Por, sipas tij, fatkeqësia është që numri më i madh i publikimeve me shkelje të tilla në fakt nuk kalon nëpër një media që ka gazetarë dhe redaktorë, shumica e publikimeve të tilla gjenden në faqe të mediave sociale që kanë synim qarkullimin online e jo informimin e mirëfilltë.

Ai mendon se në modelin e biznesit që e imponojnë mediat sociale, aty ku janë shumica e audiencës në Kosovë, imponojnë një lloj të komunikimit për mediat që quhet ekonomi e vëmendjes në të cilën nuk kursen as kategoritë e ndjeshme shoqërore gjatë raportimit me qëllim nxitjen afektive të klikimit, i cili përkthehet në shfaqje të reklamave digjitale nga Google Ad Sens dhe Facebook.

“Shfaqja e tyre pastaj përkthehet në para. Pra, klikimi në këto raste, përmes një rruge pak më të gjatë përkthehet në para si motivi kryesor i publikimit të informacioneve të tilla tërësisht private, të cilat mbrohen edhe nga ligji përkatës në Kosovë por edhe nga standardet profesionale dhe etike”, thotë Zeneli.

Për të marrë edhe opinionin e sa më shumë gazetarëve se pse po ndodhin këto shkelje etike, Preportr përmes platformës ECR ka krijuar një pyetësor, përmes të cilit janë targetuar vetëm gazetarët. Ata janë shprehur se gabimet në raportime po ndodhin për shkak se informacionet nuk po verifikohen si duhet dhe se një arsye tjetër është rritja e lexueshmërisë nga disa portale informative.

Sipas të dhënave të gjeneruara nga përgjigjet e 14 gazetarëve, rezulton se 42 përqind e tyre mendojnë se portalet nuk e respektojnë sa duhet etikën gazetareske, po aq kanë thënë se ajo respektohet pjesërisht. Ndërkaq, 14 përqind thonë se portalet e respektojnë kodin e etikës.

Në pyetjen pse më së shumti shkelen kapitujt e kodit të etikës që kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur, 28 përqind janë përgjigjur se kjo ndodh për shkak se gazetarët nuk verifikojnë sa duhet informacionet, 16 përqind janë përgjigjur se redaktorët nuk verifikojnë sa duhet informacionet, ndërkaq rreth 17 përqind thonë se këto lajme publikohen për të përfituar klikime.

Mbi 71 përqind thonë se në disa portale ka edhe lajme që përbëjnë paragjykime gjinore, racore, orientimit seksual etj. Mbi 42 përqind prej tyre, thonë se këto paragjykime kanë të bëjnë me gratë.

Të gjithë respondetët thanë se ka raportime në kundërshtim me etikën gazetareske në rastet tragjike, ku janë të përfshirë veçanërisht fëmijët dhe gratë, duke publikuar detaje nga vendi i ngjarjes, fotografi dhe të dhënat tjera personale. 92 pëqind u përgjigjen se gazetarët  dhe redaktorët kanë nevojë të ndjekin trajnime lidhur me kodin e etikës gazetareske.

Gjithashtu 92 pëqind u shprehen se vendimet e KMShK-së duhet të publikohen nga portalet informative, veçanërisht ato që janë anëtare të këtij mekanizmi, dhe po të gjithë u përgjigjen njëjtë se kjo do ta rriste përgjegjësinë raportuese te portalet.

Sfidat drejt përmirësimit

Sipas të dhënave të KMShK-së të publikuara në raportin e vitit 2023, janë evidentuar 97 raste të shkeljet së kodit të etikës gazetareske. Ndër kapitujt me të shkelur janë raportimi i së vërtetës dhe e drejta për t’u përgjigjur.

Njohësit e fushës së mediave konsiderojnë se duhet të ndërmerren disa masa e veprime për të evituar shkeljet e tilla. KMShK, veçse po e luan këtë rol, edhe duke pranuar dhe shqyrtuar ankesat, por edhe duke mbajtur trajnime për gazetarët se si ta respektojnë etikën gjatë raportimeve të ndryshme.

Për këtë qëllim edhe organizata Çohu si pjesë të shkollës për gazetari hulumtuese për dymbëdhjetë vite me radhë një sesion të veçantë ia ka kushtuar etikës gazetareske gjatë raportimit. Çohu gjithashtu në periudhën 2018 – 2021 ka monitoruar në baza ditore disa portale informative dhe shkeljet e pretenduara i ka dërguar në KMShK. Në monitorim ishin angazhuar disa studentë të gazetarisë të cilët edhe ishin trajtuar lidhur me kodin e etikës. Qëllimi ishte të ketë një angazhim dhe perspektivë të qytetarëve lidhur me evidentimin e shkeljeve të etikës gazetareske. Kjo që qëllim të rritjes së përgjegjësisë raportuese dhe respektimit të kodit të etikës. Disa muaj pas këtij monitorimi ditor, është vërejtur kujdes më i shtuar nga disa portale që bënin ato shkelje etike, pasi që të njëjtat e kanë kuptuar se po monitorohen. Kjo për faktin se KMShK kontakton mediat për të marrë komentet e tyre lidhur me pretendimet e paraqitura ndaj tyre.

Në periudhën maj 2018 deri në prill të vitit 2019 janë monitoruar tetë portale informative dhe në KMShK janë dërguar 92 shkrime, përkatësisht ankesa me pretendime për shkelje të kodit të etikës. Nga totali prej 92 ankesave të cilat i janë dërguar KMShK-së, kjo e fundit ka miratuar 41 prej tyre.

Ndërkaq gjatë periudhës janar 2020 –dhjetor 2021 janë monitoruar gjithsej 24 media, prej të cilave dy lokale, njëra në gjuhën serbe. Janë dërguar 145 ankesa në KMShK, nga të cilat 88 janë miratuar nga ky mekanizëm vetërregullues i mediave të shkruara.

Alban Zeneli thotë se i sheh dy fronte ku duhet të punohet në përmirësimin e përgjithshëm të komunikimit në sferën publike që përfshinë edhe raportimin për kategoritë e ndjeshme nga ana e medias.

Sipas tij, në frontin e parë, mediat kredibile në Kosovë duhet të fillojnë ta bëjnë dallimin duke mos i publikuar të dhënat e tilla, edhe duke i njoftuar publikun e tyre që ato informacione i kanë por nuk i bëjnë publike për arsye etike e profesionale. Ai thotë se në këtë mënyrë, në këtë rend, hyn edhe fuqizimi i mekanizmit vetërregullues të mediave, Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili mund të luajë një rol të rëndësishëm në dallimin e mediave kredibile prej atyre jo kredibile.

Ndërsa fronti i dytë sipas Zenelit është një rrugë më e gjatë që lidhet me edukimin e brezave që janë në shkollim publik parauniversitar në Kosovë përmes ndryshimit të kurrikulës që do ta bënte lëndën e Edukimit Medial obliguese që nga shkollimi fillor.

“Ky ndryshim do të ishte një investim afatgjatë i shoqërisë sonë në vetëdijesimin e të rinjve dhe të tjerëve për efektet e çrregullimit informativ në komunikimin digjital”, thotë Zeneli.

Imer Mushkolaj thotë se respektimi në masën më të madhe të mundshme i kodit të etikës është veprimi i duhur që të shmanget raportimi jo i duhur për këto kategori.

“Poashtu, të nevojshme janë trajnimet për gazetarë dhe redaktorë, në mënyrë që ata ta kenë më të qartë se si duhet raportuar në të tilla raste”, thotë Mushkolaj.

Leonida Molliqaj, duke kontekstualizuar raportimet joetike në raport me gratë, thotë se kemi nevojë për media që ndërtojnë redaksi feministe në qëndrime, e profesionale në raportime. Raportimi i ndjeshëm gjinor sipas saj, duhet të jetë pjesë e politikave të secilit medium.

“Duhet të intervenohet në drejtimet e gazetarisë, ku studentët të mësojnë më shumë për gazetarinë feministe dhe atë për të drejtat e njeriut”, thotë ajo.