English
Scroll top

Shumë shkelje të etikës gazetareske nga mediat online

Disa nga mediat online që veprojnë në Kosovë bëjnë shkelje të ndryshme të kodit të etikës në gazetari. Palët që konsiderojnë se janë dëmtuar nga përmbajtjet mediale, rastet mund t’i dërgojnë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës. Ky institucion vetërregullues i trajton shkrimet dhe konstaton nëse ka pasur shkelje. Organizata Çohu ka bërë monitorim për disa portale lidhur me respektimin e...

Prishtinë, 28 Prill 2020

Shtimi i numrit të mediave online e ka rritur edhe numrin e shkeljeve të etikës gazetareske në Kosovë. Sipas njohësve të fushës së mediave, këto shkelje bëhen për arsye të shumta, por ndër më kryesoret janë tendenca për ta sulmuar apo favorizuar dike gjatë raportimit, shpejtësia e publikimit të lajmit dhe mos profesionalizmi i gazetarëve që punojnë sidomos në mediat online.

Lidhur me shkeljet që po bëhen nga mediat online, organizata Çohu! ka angazhuar disa studentë për t’i monitoruar disa nga mediat online të Kosovës.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës Çohu! thotë se këta studentë kanë bërë monitorim ditor të portaleve të përzgjedhura duke evidentuar shkelje të Kodit dhe duke përpiluar ankesa të cilat i kanë dërguar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

“Studentët janë konsideruar si kategori më e përshtatshme për t’u angazhuar për këtë aktivitet. Ata janë në radhë të parë qytetarë dhe ankesat e tyre kanë qenë ankesa individuale (të qytetarëve) për një shkelje e cila në mënyrë të tërthortë i ka prekur edhe ata. Kësisoj është synuar të instalohet edhe fryma e angazhimit qytetar për ta ngritur zërin për shqetësimet e njëri-tjetrit dhe të komunitetit në përgjithësi”, thotë Demhasaj.

Ai thotë se faza e parë e këtij monitorimi përfshinë periudhën nga 1 maji 2018 deri me 30 prill 2019. Ndërkaq monitorimi po vazhdon ende dhe se brenda muajit maj do të përgatitet një raport final i këtij monitorimi.

Të gjitha shkeljet e supozuara dërgohen në Këshillin e Mediave të Shkruar të Kosovës (KMSHK). Ky institucion është vetërregullues dhe mban takime me anëtarët e vet, ku shqyrtohen ankesat e dërguara nga palë të ndryshme dhe jepet një mendim profesional për ato ankesa.

Pas shqyrtimit të shkrimit, bordi i KMShK-së merr vendim ta miratojë ankesën, ta miratojë pjesërisht, ose të mos e miratojë, duke konkluduar se shkrimi përkatës i ka plotësuar kriteret e përcaktuara nga Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës. Por ka edhe disa raste që zgjidhen me ndërmjetësim.

Organizata Çohu! ka monitoruar tetë media online për të parë se sa po e respektojnë Kodin e Mediave të Shkruar të Kosovës.

Në bazë të të dhënave që janë nxjerrë nga monitorimi i shkrimeve për periudhën maj 2018 deri në prill të vitit 2019, rezulton se në KMShK janë dërguar 92 shkrime, përkatësisht ankesa. Këto shkrime janë dërguar duke ngritur dyshime se mediat të cilët i kanë publikuar ato, kanë bërë shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Nga totali prej 92 ankesave janë miratuar 41 prej tyre.

Duhet theksuar se prej kur ka filluar dërgimi i shkrimeve nga monitoruesit e organizatës Çohu! për shkak të dyshimit se kanë shkelur kodin e etikës, pas disa muajve tek mediat që kanë qenë duke u monitoruar është vërejtur kujdes më i shtuar gjatë raportimit. Kjo edhe për faktin se kur dërgohet një ankesë në KMShK, ky institucion kërkon përgjigje apo versionin e mediumit lidhur me shkrimin ndaj të cilit është bërë ankesë.

Shkeljet me të mëdha tek “raportimi i së vërtetës”

Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës i ka dhjetë kapituj. Secili kapitull i ka disa pika ku flitet në mënyrë të detajuar për etikën që gazetarët, përkatësisht mediumet duhet t’i përmbahen. Gjatë monitorimit nga organizata Çohu dhe krijimit të databazës, shkeljet e evidentuara janë ndarë edhe sipas kapitujve, në mënyrë që të shihet se cilët kapituj, përkatësisht pika të kapitujve, po shkelën më së shumti nga mediumet që kanë qenë duke u monitoruar.

Rezultatet e monitorimit tregojnë se më së shumti shkrime, gjithsej 47, që janë evidentuar dhe pastaj janë dërguar në KMShK, kanë të bëjnë me Kapitullin II të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. KMShK-ja ka miratuar 19 prej tyre.

Ky kapitull përbëhet nga shtatë pika dhe ka të bëjë me trajtimin e së vërtetës.

Imer Mushkolaj thotë se një nga shkaqet që ka shkelje të shpeshta të kodit të etikës, sidomos tek raportimi i së vërtetës, është fakti se shumica e mediave e kanë zgjedhur shpejtësinë para saktësisë dhe se kjo është një problem shumë i madh.

Ai thotë se shumica e mediave online janë më të prira për të publikuar diçka që nuk i plotëson të gjitha kriteret e të qenit një lajm ose një raportim profesional dhe korrekt, por i publikojnë si të tilla.

“Natyrisht, jo të gjitha mediat, por po flasim për mediat që mund të kenë shkrime tendencioze që dihet dhe vërehet që janë tendencioze, por poashtu edhe në raste të caktuara kur përmes shkrimeve e përmbajtjeve mediale vihet në shënjestër një person, një organizatë, biznes e kështu me radhë”, thotë Mushkolaj.

play

Intervistë me Alban Zenelin, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Arsye tjetër e shkeljeve të Kodit të Etikës sipas Mushkoljat është edhe aspekti profesional dhe mospërgatitja e duhur e atyre që punojnë, sidomos në mediat online. Ai thotë se ata vet i përgatisin lajmet dhe vet i publikojnë ato, pa kaluar nëpër filtra tjerë redaktues.

Duke qenë pjesë e jetës publike dhe mediale, Mushkolaj thotë se lexon shkrime të shumta të cilat nuk e respektojnë kodin e etikës. Ai thotë se e kupton dinamikën e lajmeve online dhe rëndësinë e raportimit sa më të shpejtë, por edhe në këto raste duhet të respektohet domosdo Kodi i Etikës. Në raste të tilla, ai thotë se të paktën lajmi i shpejtë duhet të përcillet dhe të plotësohet në vazhdimësi të raportimit, në mënyrë që shkrimi të jetë i plotësuar dhe në përputhje me Kodin.

Në rastet kur ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përveç palëve të përfshira dhe që konsiderojnë që është shpifur apo janë fyer përmes shkrimeve, Mushkolaj thotë se ka edhe qytetarë të rëndomtë që dërgojnë nganjëherë ankesa në KMShK edhe pse ata nuk janë të përfshirë në ato shkrime, por nuk u ka pëlqyer diçka në shkrimet që i kanë lexuar. Këtë e konsideron si diçka pozitive që duhet stimuluar edhe më shumë.

Ai tregon se janë disa media online për të cilat nuk e dinë se kush është pronari apo kush i udhëheq. Për më tepër ato as nuk kanë adresë të redaksisë.

“Të tillat zakonisht bëjnë më së shumti shkelje të kodit të etikës përmes shkrimeve tendencioze dhe shpesh të pavërteta”, thotë Mushkolaj.

Alban Zeneli, ligjërues në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se verifikimi i informatave është standard profesional të cilin nuk e shohim shpesh të zbatohet sidomos tek mediat online. Ai thotë se në vitin 2013 e ka bërë një studim se sa kohë i duhen gazetarëve të mediave mediave online prej momentit kur e shohin një informatë e deri në publikimin e saj dhe 80 për qind e gazetarëve janë shprehur se ju duhen maksimalisht pesë minuta.

“Problemi është që brenda pesë minutave nuk mund të arrish të verifikosh asgjë dhe ky është një problem që është shfaqur që nga viti 2013 tek mediat online. Përpjekja për ta publikuar lajmin më së shpejti ka bërë që verifikimi të bie në plan të dytë”, thotë Zenelit.

Shkelja e privatësisë gjatë raportimeve

Një nga kapitujt që është shkelur nga mediat që është edhe monitoruar është kapitulli i VII-të i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Nga 92 shkrimet e dërguara 17, kanë të bëjnë me këtë kapitull. Ndërkaq KMShK ka miratuar gjashtë prej tyre.

Ky kapitull ka të bëjë me privatësinë. “Gazetat, portalet dhe agjencitë e lajmeve do t’u shmangen ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, përderisa ndërhyrje apo kërkime të tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik”, thuhet në pikën 1 të këtij kapitulli.

Lidhur me këto shkelje Alban Zeneli thotë se ngatërrimi i interesit publik me interesimin e publikut është një problem i madh, e që mediat online në Kosovë. Ai thotë se raste të tilla shohim shpesh në mediat online, e sidomos kur ka raste të aksidenteve të rënda, ku ekspozohen pamje nga individët e përfshirë dhe rrjedhimisht cenohet privatësia e tyre.

“Këto raste nuk kanë peshë publike e as arsye të publikohen, sepse vetëm e ngarkojnë raportimin dhe komunikimin publik. Kjo lidhet edhe me atë ekonominë e klikimeve. Por duhet të ketë një kufi mes respektimit të të drejtave të njeriut dhe të bërit biznes. Mediat online duhet ta ndërpresin këtë mënyrë të raportimit, cili nuk i hynë në punë askujt”, thotë Zeneli.

Gjatë monitorimit janë vërejtur edhe shkelje të shumta në Kapitullin e X-të të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Nga totali prej 92 shkeljeve të supozuara që janë dërguar në KMShK, shtatë kanë qenë nga ky kapitull dhe të gjitha janë miratuar nga KMShK-ja.

Në këtë kapitull thuhet se reklamimi komercial e politik, si dhe materiali sponzorizues - përfshirë këtu edhe artikuj e shtojca - duhet të dallohet qartë nga përmbajtja editoriale dhe të identifikohet si i tillë si dhe materiali i sponsorizuar do të tregojë qartë burimin e sponzorizimit.

Lidhur me këtë kapitull, Imer Mushkolaj thotë se evidentohen shumë shkelje ngase mediat, sidomos ato online, e publikojnë një shkrim për ndonjë kolegj apo spital privat dhe nuk e cekin se është reklamim. Kjo për faktin se aty ka cilësime mbi nivelin profesional të atyre për të cilët shkruhet. Mushkolaj thotë se pas shqyrtimit të këtyre rasteve, ka pasur një përmirësim në raportime të tilla.

Disa nga rastet ku pretendohet se është bërë shpifje ose fyerje fillimisht shkojnë në KMShK dhe vendimi i këtij trupi vetërregullues merret për bazë në ndonjë proces gjyqësor që mbahet, në rastet kur dikush bën padi civile ndaj dikujt. Por Mushkolaj thotë se ka edhe raste kur rasti fillimisht shkon në gjykatë pastaj të kërkohet mendimi profesional nga KMShK. Ai thekson se prokuroritë dhe gjykatat kanë mungesë të njerëzve të cilët do të ishin më të informuar se si t’ju qasen rasteve që kanë të bëjnë me media.

“Ankesat që vijnë në Këshill janë të bëra gati për gjykatë, por palës i intereson shumë se çka po mendohet në aspektin profesional bazuar në Kod dhe pastaj gjykata vendos bazuar në ligj. Kështu që këto dy gjëra nuk duhet të përzihen dhe natyrisht interpretimi në bazë të Kodit është më i gjerë, për shkak se ne e dimë si njerëz të mediave se megjithatë ndonjëherë ti i interpreton pak më gjerë një qasje që e ka dhënë një medium për një titull, për një etiketim, e kështu me radhë. Ndërkohë që gjykata është më strikte, por ne zakonisht u bëjmë thirrje palëve që rastin ta dërgojnë edhe në gjykatë”, thotë Mushkolaj.

Por është i pakët numri i qytetarëve që janë të informuar dhe kanë njohuri se si duhet të kërkojnë të drejtën e tyre në rastet kur janë prekur nga ndonjë përmbajtje mediale. Alban Zeneli thotë se Duke e marrë parasysh këtë situatë, bashkë me disa kolegë të departamentit të gazetarisë, kanë filluar një trajnim për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar.

“Kemi vërejtur se pak qytetarë kanë njohuri se si të raportojnë problemet që kanë me mediat në organet përkatëse. Prandaj fushatat e për edukimin medial dhe futja e lëndës së edukimit medial si lëndë obligative në shkolla, do të ndihmonte që gjeneratat e reja që përballen me këto shkelje, të dinë se si t’i adresojnë ato. Kjo do të ndikonte edhe te pronarët e mediave që të respektohen më shumë standardet e etikës së raportimit”, thotë Zeneli.

Monitorimi i organizatës Çohu! ka evidentuar se edhe Kapitulli i III-të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës është shkelur gjatë raportimeve. Sipas të dhënave të monitorimit, nga 92 shkrimet e dërguara në KMShk, lidhur me këtë kapitull janë dërguar 13 shkrime. Gjashtë prej tyre janë miratuar.

Kapitulli në fjalë rregullon, përkatësisht sanksionon rastet e artikujve lidhur me nxitjen dhe gjuhën e urrejtës.

Ndër të tjera në këtë kapitull thuhet se shtypi, portalet dhe agjencitë e lajmeve nuk do të nxisin veprime kriminale apo të dhunshme, pavarësisht nga situata apo rrethana. Aty thuhet se shtypi, portalet dhe agjencitë e lajmeve do të bëjnë të gjitha që munden për të mos nxitur apo ushqyer urrejtje dhe pabarazi.