English
Scroll top

Saga e Nisit

Nis Beqiri është kthyer nga Suedia në Kosovë, edhe përkundër gjendjes së rëndë shëndetësore që e ka. Ai është i paralizuar dhe nuk mund të ushqehet në mënyrë të rregullt, por ushqehet përmes një vrime në lukth si dhe ka probleme me shtrëngim të muskujve. Nëna e Nisit, Besa Musa, thotë se kur autoritetet e atjeshme kanë marrë vendim për kthimin e tij, i kanë thënë se Qeveria e Kosovës është zotuar se i ka të gjitha kushtet e duhura për trajtimin e këtyre rasteve. Mjekët nuk e kanë pranuar depërtimin e tij në Kosovë...

Prishtinë, 09 Tetor 2013

Nis Beqiri është 12-vjeçar, dhe së bashku me nënën dhe dy motrat e tij, që katër vite ka shkuar në Suedi për t'u trajtuar nga një sëmundje e rëndë e paralizës së trurit.  Familjarët thonë se ai është lënduar gjatë lindjes në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në QKUK.

Nisi është i paralizuar dhe nuk mund të ushqehet në mënyrë të rregullt, por ushqehet përmes gastrostomes perkutane (merr ushqimin përmes një vrime në lukth) si dhe ka probleme me shtrëngim të muskujve.

Pavarësisht gjendjes së rëndë të tij, ai mbrëmë është kthyer në Kosovë. Pas arritjes në Aeroportin e Prishtinës, ai u la të presë për disa orë, sepse mjekët nuk pranonin që të nënshkruanin pranimin e tij në Kosovë. Sipas mjekës Mejreme Ismajli, nga Qendra e Mjekësisë Familjare e Vushtrrisë, e cila kishte dal që ta priste Nisi, ai nuk ka kushte trajtimi në Kosovë. Ndërsa, sipas familjarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka insistuar që të bëhet pranimi i depërtimit të tij.

Nëna e Nisit, Besa Musa, ka thënë për Preportr se kur autoritetet e atjeshme kanë marrë vendim për kthimin e tij, i kanë thënë se Qeveria e Kosovës është zotuar se i ka të gjitha kushtet e duhura për trajtimin e këtyre rasteve.

"Ata na kanë thënë se Qeveria e Kosovës ka me u kujdes krejt për juve, duke përfshirë ushqimin barnat edhe banimin, sepse nuk kemi shtëpi që  i përshtatet Nisit.  Kam pritur shumë prej autoriteteve kosovare se me kuptojnë, duke marrë parasysh se djalin e kam me paralizë cerebrale dhe nuk do të kthehet në Kosovë. Nuk mundem me ra edhe me u çu me mendimin se një ditë nuk kam me ia dëgju zemrën duke i rrahë. Fëmija nuk mundet me hangër as me pi, ushqimin duhet me ia ble, e në Kosovë nuk ka", thotë Musa.

Ajo u bën kërkesë institucioneve të Kosovës dhe atyre të Suedisë që t'ia mundësojnë Nisit kthimin në Suedi.

Ma kanë ndarë fëmijën prej shkollës, prej shokëve, prej mësueseve. Çdo ditë e ka marrë taksi e ka dërguar në shkollë dhe e ka kthyer. E ka pasur shkollën normal si fëmijët e tjerë. Atje e ka ndi veten tamam njeri

Besa Musa, Nëna e Nisit

"Ma kanë ndarë fëmijën prej shkollës, prej shokëve, prej mësueseve. Çdo ditë e ka marrë taksi e ka dërguar në shkollë dhe e ka kthyer. E ka pasur shkollën normal si fëmijët e tjerë. Atje e ka ndje vetën tamam njeri", u shpreh ajo.

Mjekët nuk e nënshkruan depërtimin e Nisit në Kosovë

Doktoresha Mejreme Ismajli, që kishte dalë për ta vlerësuar gjendjen e pacientit, thotë se në Kosovë nuk ka kushte për t'u trajtuar ky pacient. Ajo nuk e ka nënshkruar dokumentin për pranimin e Nisit në Kosovë.

"Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë se nuk ka kushte për trajtimin e këtij fëmije në Kosovë, sepse kushtet nuk janë të mundura", tha ajo.

Bardhyl Musa, daja i Nisit, thotë se zotimet e Qeverisë janë dhënë për përkujdesjen e Nisit, ndërsa sot nuk ka dalë ta presë askush në aeroport.

"Në fakt po shoh një kaos, askush nga institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e këtij procesi nuk ka ardhur në aeroport. Me kerre private duhet me ia ba diqysh. Kjo është vështirësia e parë që po e shohim, sepse ka me pasë vështirësi edhe me u ushqye, kushtet ekonomike, kontrollet mjekësore", theksoi Musa.

Më 4 tetor, Nisit iu ka lëshua një certifikatë nga një doktor suedez i cili ka qenë në Kosovë dhe i ka analizuar mundësitë e shërimit  për fëmijë me këso lloj sëmundjesh, duke përfshirë edhe sëmundjen që e ka Nisi (paralizën e trurit) dhe ka ardhur në përfundim se kjo sëmundje nuk shërohet në Kosovë.  Gjithashtu avokati i familjes e ka paraqitur këtë certifikatë tek Bordi i Migracionit të Suedisë. Por pavarësisht kësaj, ky bord ka marrë vendim për kthimin e tij në Kosovë.

Pakënaqësi në lidhje me kthimin e Nisit kanë shprehur edhe komuniteti ku ka jetuar Nisi. Ata më 4 tetor kanë protestuar kundër vendimit për kthimin e Nisit.

Familjarët e Nisit thonë se institucionet e Kosovës, u kanë thënë autoriteteve suedeze se në Kosovë ka kushte adekuate për trajtimin e Nisit dhe se mund të kthehet.

Preportr ka raportuar javën e kaluar për një rast të tillë të depërtimit që ka ndodhur me një 14-vjeçar Remzi Bahtijarin, i cili është kthyer në Kosovë nga Danimarka, pasi që autoritetet kosovare ishin zotuar se ka kushte për trajtimin e tij. Por, në fakt, ilaçet që i duhen Remziut jo vetëm se nuk gjenden në Kosovë, por as nuk mund të importohen nga institucionet shëndetësore të Kosovës.