Prishtinë, 30 Shtator 2013
Në korrik të këtij viti, Remzi Bahtijari, 14 vjeç, nga Gjilani, është kthyer nga Danimarka sipas marrëveshjeve që Kosova ka me shtetet e BE-së për riatdhesimin e emigrantëve me origjinë nga Kosova. Remziu ka jetuar në Danimarkë që nga mosha 2 vjeçare së bashku me gjyshin e tij. Prindërit e tij e kanë braktisur qysh nga mosha 2 vjeçare dhe nuk kanë kontaktuar asnjëherë me të.
Remziu ka qenë në përkujdesje të vazhdueshme shëndetësore në Danimarkë për probleme shëndetësore që janë kategorizuar si sëmundje emocionale, përkatësisht paranojë, gjë që e ka bërë atë të varur nga medikamentet. Remziu ankohet se pothuajse nuk fle fare natën dhe se kjo i vjen atij nga një frikë e pashpjegueshme kur gjendet vetëm. “Më duket sikur çdo moment pritet me dalë diçka nga toka”, thotë ai.
Nga medikamentet që i ka përdorur në Danimarkë, siç tregon ai, më i efektshmi ishte Abilify, një barë me bazë të aripriprazole (http://en.wikipedia.org/wiki/Aripiprazole), bar i cili nuk gjendet askund në Kosovë. Remziu tregon se ka pasur një takim me zyrtarë publik që merren me riatdhesim, të cilët i kanë thënë atij që të bëjë një ekzaminim të veçantë tek mjekët kosovarë në mënyrë që të merret në konsiderim mundësia e ofrimit të këtyre medikamenteve.
Sipas një korrespondence mes Ambasadës daneze në Tiranë dhe autoriteteve në Kopenhagë, Ambasada është informuar se Abilify gjendet në dy barnatore kryesore në Prishtinë, dhe se ai mund të importohet nga mjekët për nevoja të pacientëve. Zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, U.D. e Departamentit Farmaceutik, Linda Avdyli, sipas korrespondencave me Ambasadën Daneze në Tiranë, ka keqinformuar zyrtarët e Ambasadës për mundësinë e importit të barnave nga mjekët dhe farmacistët në Kosovë.
Për disa ditë rresht ne kemi kërkuar në farmacitë e Prishtinës dhe Gjilanit dhe nga dhjetëra farmaci të pyetura, asnjëra nuk e ka poseduar dhe as që e ka pasur në qarkullim ndonjëherë këtë barë. Në anën tjetër, zyrtarët e Agjensionit Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM) kanë deklaruar se Abilify dhe asnjë bar i ngjashëm me këtë nuk është dhe as që ka qenë ndonjëherë i regjistruar në Kosovë. Disa ditë me radhë kemi kërkuar një takim me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët nuk kanë caktuar një takim përkundër insistimit tonë.
Autoritetet daneze e kanë të rregulluar në mënyrë eksplicite se një person që ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme shëndetësore nuk mund të kthehet në vendin e origjinës në rast se ai nuk do të ketë një përkujdesje shëndetësore adekuate në vendin e kthimit. Në anën tjetër, autoritetet kosovare në vazhdimësi kanë deklaruar se programi për riatdhesim përfshinë ri-integrimin e të kthyerve, që nënkupton edhe ndihmën e nevojshme eventuale mjekësore për të kthyerit.
Zyrat lokale që merren me riatdhesim nuk kanë asnjë mundësi për të ndihmuar pacientë që kanë nevoja të veçanta. Kryetari i Komisionit të Gjilanit që funksionon në kuadër të Komunës, Xhymshit Osmani, thotë se krejt çka ata ofrojnë për të kthyerit është ndihma të nevojave emergjente, që nënkupton ushqime, veshmbathje, orendi. “Tani ne iu ofrojmë lëndët djegëse dhe nevoja tjera si orendi dhe pajisje shtëpiake”, thotë ai.
Eksperti kosovar i farmaceutikës, Adnan Mustafa, themelues i Pharmaks, një entitet i pavarur që merret me studimin e tregut të ilaçeve dhe këshillimin e profesionistëve të mjekësisë, thotë se asnjë ilaç që nuk është i regjistruar në AKPM nuk mund të importohet, përveç kur pacienti e blen atë për nevoja të veta. “Nëse një mjek importon barëra në çfarëdo sasie, ai këtë e bënë në mënyrë joligjore”, thotë Mustafa. Këtë e thonë edhe vetë zyrtarët e AKPM-së.
Mirëpo, autoritetet daneze kanë pranuar informacion zyrtar nga ato kosovare se Abilify gjendet në Kosovë, dhe se ai mund të blihet edhe nga mjekët për nevoja të pacientit. Kjo praktikisht do të thotë se autoritetet kosovare kanë këshilluar ato daneze që të thyejnë ligjet, thotë Mustafa.
Zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë, i ka thënë Ambasadës daneze në Tiranë se “doktorët dhe pacientët munden në mënyrë ligjore të sjellin (importojnë) të gjitha barnat në sasi të vogla, por nuk munden që ato t’ia shesin palës së tretë”. Sido që të jetë, ekspertë të AKPM-së thonë se mjekët nuk kanë fare të drejtë të importojnë ilaçe, kurse pacientët që duan të marrin për nevoja të veta, duhet të kenë një shpjegim të gjerësishem të mjekut që tregon edhe sasinë për një kohë të caktuar.
Në anën tjetër, Adnan Mustafa, thotë se edhe sikur të kishte qenë ndonjëherë i pranishëm ky ilaç në Kosovë, prania në treg e një ilaçi për sëmundje kronike nuk mund të konsiderohet e tillë përderisa nuk ka një siguri të furnizimit të tregut me këtë lloj bari. “Të thuash se në një moment ka mundur të blihet një ilaç i tillë në Kosovë është sikur të mos jetë fare i pranishëm, për shkak se pacientët në kushtet të tilla kanë nevojë për një prani të vazhdueshme të ilaçit sepse kanë nevojë të vazhdueshme”, thotë ai.
Në një hulumtim të Televizionit Nacional të Danimarkës, Remziu shihet me gjyshin e tij në shtëpinë e vëllait të gjyshit në Gjilan. Vëllai i gjyshit, thotë se ai nuk ka mundësi strehimi të Remziut dhe gjyshit, siç thotë ai, “përtej Shën Gjergjit”, kur ai pret ta martojë djalin. I pyetur nëse ai ka për qëllim të shkojë në shkollë, Remziu është kategorik se nuk do ta bëjë këtë sepse frikësohet nga talljet e nxënësve për shkak të mosnjohjes së gjuhës shqipe. “Unë nuk mund ta kuptoj gjuhen e folur në shkollë, tërë jetën time kam bërë shkollën në gjuhen daneze”, thotë ai.
Gjyshi i Remziut, në anën tjetër, nuk e ka idenë se kujt t’i trokasë në derë. Ai ka frikë se nipi i tij nuk ka për ta përballuar jetën në Kosovë me gjendjen e tij. “Askush deri sot nuk ka ardhur për të na ofruar ndihmë”, thotë gjyshi i Remziut, i cili emrin e tij i ka dhënë dhuratë nipit dhe të gjithë e thërrasin Remziu senior.
Autoritetet kosovare, sidomos ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku, në vazhdimësi i kanë siguruar shtetet evropiane se Kosova ka krijuar kushtet për t’u kujdesur për të kthyerit. Raste si të Remziut ka plot në Kosovë. Ne kemi provuar të flasim me disa nga të kthyerit me probleme të ngjashme, por fatkeqësisht ata kanë një frikë të pashpjegueshme për të folur për median.