English
Scroll top

Raportet e ZKA-së të papërfillshme nga UP

Universiteti i Prishtinës punën e tij ndër vite e ka përshkuar me shkelje të shumta të evidentuara në raportet e Auditorit të Përgjithshëm. Shkeljet dhe keqpërdorimet nuk u adresuan si duhet prandaj rekomandimet e dhëna nga ZKA përsëritën nga viti në vit. UP-ja asnjëherë nuk e funksionalizoi në tërësi njësinë e Auditimit të Brendshëm e cila do të ndihmonte në përmirësimin e gjendjes. Shumicën e herëve në Universitet punon vetëm...

06 Prill 2018

Universiteti i Prishtinës që prej vitit 2009 nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e dhëna në raportet e Auditorit të Përgjithshëm. Në këtë shkrim paraqitet një analizë e shkurtër e këtyre raporteve që mbulojnë periudhën nga viti 2009 e deri në vitin 2016. Gjatë kësaj analize ajo që bie në sy e që paraqet shqetësim kryesor janë shkeljet e shumta e të përsëritura ndër vite nga Universiteti i Prishtinës. Kjo përveç keqpërdorimeve e shkeljeve në masë të madhe po ashtu shpërfaqë paaftësinë dhe mungesën e vullnetit nga ana e menaxhmentit për të adresuar dhe shmangur këto shkelje e keqpërdorime. Si rezultat i krejt këtij  neglizhimi nga ana e menaxhmentit  vërejtjet e njëjta, shumica të cilësuara si probleme që duhet të trajtohen me prioritet, u adresuan në gati secilin raport të auditorit për tetë vite me radhë.

Thuaja se secili sektor i audituar paraqitet me probleme serioze, duke filluar nga dokumentimi i të hyrave dhe shpenzimeve financiare, shpërputhjet e planifikimit financiar me shpenzimet e realizuara, mungesa e koordinimit të rektoratit me njësitë akademike, shkeljet në procedurat e prokurimit, mungesë e investimeve kapitale, mungesë e regjistrimit të aseteve të Universitetit e shumë shkelje të tjera. Por kryesisht ato që dominojnë e që iu kushtua vëmendje më e madhe në raportet e auditorit janë shkeljet dhe keqpërdorimet në paga dhe mëditje ku edhe është koncentrimi më i madh i buxhetit mbi 70 %. Në paga dhe mëditje, në secilin raport të auditorit shpërfaqen shkelje të mëdha duke filluar nga kontratat e shumëfishta dhe rrjedhimisht pagesat për secilën prej tyre, kontrata në shpërputhje me rregulloret, pagesa të vazhdueshme për profesorë në të gjitha njësitë për orë të pa mbajtura dhe angazhimi për orë mbi normë mbi limitin e lejuar. Të gjitha këto në vazhdimësi kishin krijuar shpenzime shtesë për UP-në dhe dokumentimi i mbajtjes së mësimit ishte gjithmonë i mangët e në shumicën e rasteve mungonte fare.

Shiko Gazetën #B-07

Për disa muaj me radhë Preportr ka kërkuar qasje për pagat dhe mëditjet që i jep UP për profesorët, por këto të dhëna nuk na janë lejuar.

Një ndër pjesët që i është kushtuar rëndësi e veçantë në këto raporte është pjesa e cila lidhet me  Auditorin e Brendshëm të UP-së si dhe Komitetit të Auditimit, njësi të cilat konsiderohen si kyçe për përmirësimin e gjendjes në UP në bazë të raporteve. Këto njësi u themeluan me vonesë  dhe asnjëherë nuk u funksionalizuan në tërësi dhe rrjedhimisht puna e tyre u cilësua si mjaft e mangët. As edhe një herë të vetme Auditori i Brendshëm nuk arriti të realizojë planin vjetor, madje as 50% të tij,  plane këto që edhe ashtu u vlerësuan si të një cilësie jo të duhur. Kjo njësi vazhdimisht ka funksionuar me vetëm një auditor e në disa vite ka pasur periudha ku UP nuk kishte auditor fare. Sa i përket Komitetit të Auditimit thuaja se për tërë këto vite ishte jo funksional e edhe atëherë kur kishte anëtarë, roli i tyre ishte i mangët.

Natyra e shkeljeve ndër vite

Natyra e shkeljeve të paraqitura ndër vite është e ndryshme dhe përfshinë disa fusha mirëpo janë një sërë problemesh që identifikohen dhe përsëriten nga viti në vit.

Në ato që përsëriten ndër vite figurojnë edhe rekomandimet për harmonizim në mes të administratës qendrore të UP-së dhe njësive akademike. Për mungesën e harmonizimit të njësive akademike dhe rektoratit sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, thotë  se deri vonë kishte probleme të mëdha të harmonizimit të punëve në mes të njësive akademike dhe nivelit qendror dhe se problem sipas tij ishte centralizimi i komplet punës dhe përgjegjësive për universitetin në rektorat. Sipas tij shkeljet në UP nuk varen krejtësisht nga nivelit qendror. “Derisa ke 13 njësi akademike e në atë periudhë kanë qenë 17, ku gati secila njësi ka kryer punë pa i ndjekë procedurat dhe neve na kanë qitë para aktit të kryer si nivel qendror, faktikisht na kanë krijuar borxhe që janë theksuar në raportet e auditorit”, shprehet Kelmendi. Ai beson se gjërat kanë marrë kahje për të mirë vitin e fundit me menaxhmentin e ri dhe thotë se tanimë ka filluar një decentralizim i përgjegjësive nga niveli qendror tek njësitë akademike.

“I kemi njoftu qartë (njësitë akademike) se nëse ju kryeni shërbime pa procedura, ai borxh do t’ju takojë juve si individ e jo Universitetit. Ne kemi arritur me ndalë shpenzime si p.sh. porositë e luleve, billbordave të ndryshëm që mbajnë për manifestime që kushtojnë 800-1000 euro, vendosja e tabelave orientuese nëpër salla pa procedura, kryerja e shërbimeve të vogla p.sh. 300-400 euro sot, 300-400 euro nesër, blerja e materialeve për renovime pa procedura”.

Shkeljet në shpenzimet për paga dhe mëditje janë sistematike sipas raporteve të auditorit, madje që nga viti 2009 deri në vitin 2016 nuk pushojnë së qeni pjesë e raporteve të auditorit të përgjithshëm dhe të cilësuara si probleme me prioritet të lartë. Në vazhdimësi ishin paraqitur vërejtje për shkelje të rregulloreve si dhe parregullsi në shpenzimet për paga dhe mëditje.  Natyra e shkeljeve të identifikuara ishte e ndryshme nga pagesat për personelin pa dëshmi të mbajtjes së orëve bazë, tejkalim i orëve mbi normë, marrja e orëve mbi normë nga stafi me angazhim të dyfishtë në UP e deri te pagesat për orë mbi normë pa dëshmi të mbajtjes së orëve. Por, pagesat për orët që nuk u mbajtën kurrë nuk janë të vetmet probleme. Vërejtje kishte edhe për emrat që figurojnë në listën e pagave pa qenë fare në marrëdhënie pune, pagesa që realizohen në shpërputhje me periudhën e kontraktuar, kontrata të dyfishta, lidhja e kontratave mbi vepër pa afat të caktuar,  rekrutime të stafit pa kualifikim adekuat,  pagesa të pabaza për Komisione të ndryshme dhe punë të tjera. Pra, për vite të tëra Universitetit të Prishtinës iu shtuan shpenzime për punë që s’janë kryer asnjëherë, shpenzime që për bazë kanë shkeljet dhe shërbimet që Universiteti nuk i mori asnjëherë apo pagesa të shumëfishta për personat e caktuar. Për më tepër, për mungesën e mbajtjes së orëve thuhet se nuk u zbatua ndëshkimi që parashihet me rregullore e që është 50 euro për orë mësimi.

Rron Gjinovci nga organizata ORCA mosndeshkueshmërinë për shkeljet e sheh si indikator me rëndësi që këto shkelje përsëriten për gjatë gjithë këtyre viteve. “Unë nuk e di që dikush në këtë universitet është ndëshkuar për ndonjë parregullsi, as nuk e di që dikush ka shkuar në përgjegjësi për ndonjë keqpërdorim. Pra ekziston kultura e mosndëshkueshmërisë, kështu është e shprehur shumë në këtë universitet, për sa ekziston kjo nuk do të ketë as realizim të planeve, këtu është problemi” shprehet Gjinovci.

“Ne vazhdimisht kemi dërguar kërkesa dhe dërgojmë ende por, pa u kriju një kulturë është problem. Me 13 maj e kemi dërgu njoftimin te dekanët, ku rektori i ka autorizuar ata të marrin masa ku për çdo orë të pa mbajtur dhe për mos raportim të ndalen mjetet nga paga e profesorit. Tash e kemi miratuar rregulloren, dhe me 1 tetor ka hy në fuqi, ku nëse profesori nuk e mban orën dhe nuk e raporton dekani, njëjtë do të ndëshkohen edhe profesori edhe dekani i asaj njësie”, thotë Kelmendi.

Auditori i Brendshëm pa ndonjë rol në UP

Që në raportin e auditorit të vitit 2009 paraqiten rekomandime për themelimin e Auditorit të Brendshëm të UP-së, si formë e nevojshme për t’u identifikuar rreziqet dhe për t’i adresuar ato, duke i dhënë kështu kësaj njësie një rol tejet kyç e i cili do të kontribuonte në menaxhim më efikas financiar. Përveç kësaj rekomandohet që pas themelimit të Njësisë së Auditorit të Brendshëm duhet të themelohet edhe një Komitet Auditimi si formë e kontrollit të përgjithshëm. Por për tërë këto vite asnjëherë UP-ja nuk arriti të funksionalizojë në tërësi këtë njësi të brendshme auditimi, e sa i përket komitetit në çdo raport cilësohet herë si i munguar e edhe kur kishte anëtarë si komplet të pa rol.

Në vitin 2010 në raportin e auditorit figuron se rekomandimet lidhur me themelimin e Njësisë së Auditorit të Brendshëm si dhe Komitetit të Auditimit nuk ishin adresuar fare duke theksuar më tej se të gjitha problemet e kontrollit të përgjithshëm financiar ishin evidente edhe në këtë vit. Gjatë këtij viti të audituar thuhet se UP kishte të angazhuar vetëm një auditor të brendshëm dhe atë për një periudhë gjashtëmujore.

Përkundër themelimit të Komitetit të Auditimit në vitin 2010, e për të cilin në raportin e vitit 2011 thuhet se nuk është vërejtur ndonjë kontribut i dhënë, thuhet se UP nuk i kishte kushtuar rëndësinë e duhur funksionalizimit të Njësisë së Auditorit të Brendshëm dhe kontrollit të brendshëm madje për në një periudhë kohore UP nuk kishte pasur fare auditor të brendshëm.

Viti 2012 po ashtu përcjell porosi për një koncentrim më të madh të vëmendjes në fuqizimin e kësaj njësie dhe shtimin e numrit të auditorëve, si dhe përfshirjen e fushave me rrezik siç janë menaxhimi i shpenzimeve për paga e mëditje, subvencionet,  borxhet etj, në planin vjetor dhe atë strategjik.

Në vitin 2013 theksohet se “Vlerësimi mbi Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin ka nxjerrë në pah se në disa fusha të rëndësishme të veprimtarisë ekzistojnë dobësi domethënëse. Kjo veçanërisht ka ndodhur në fushën e pagave dhe mëditjeve; tek investimet kapitale dhe tek menaxhimi i të hyrave ku procedurat e aplikuara nuk ofrojnë siguri mbi saktësinë dhe plotësinë e të hyrave. Përveç kësaj, realizimi i buxhetit nuk ka qenë në nivel të pritur, veçanërisht tek investimet kapitale.”

Më tej në raportin e këtij viti kërkohet harmonizim më i madh në mes të Njësisë së Auditimit të Brendshëm, Komitetit të Auditimit dhe Menxhmentit të Universitetit pasi që konsiderojnë se menaxhmenti nuk arriti të vendosë objektiva dhe të sigurojë se parregullsitë do të identifikohen dhe adresohen në vazhdimësi.

Në vitin 2014 vlerëson se plani i auditimit nuk u realizua, numri i auditorëve ishte i pamjaftueshëm krahas kompleksitetit dhe shtrirjes së UP-se si dhe që Komiteti i Auditimit nuk dha kontribut të mjaftueshëm. “UP e ka të themeluar Njësinë e Auditimit të Brendshëm (NJAB), e cila përbëhet nga udhëheqësi i njësisë dhe një  zyrtar i auditimit. Kjo njësi kishte përgatitur planin vjetor të auditimit për vitin 2014, ku ishin parashikuar 12 auditime, ka përfshirë periudhën aktuale dhe fushat me rrezik. Gjatë vitit ishin finalizuar vetëm gjashtë raporte të auditimit”, thuhet në raport.

Në vitin 2015 nga gjithsej 12 auditime të brendshme sa ishin të planifikuara vetëm gjashtë prej tyre ishin realizuar. Vetëm tri prej tyre ndërlidhen me aktivitetet e vitit 2015. Dy auditime ishin kryer rreth shpenzimeve për paga dhe mëditje edhe pse kjo fushë ishte vlerësuar me rrezik të lartë për gabime dhe parregullsi. “Derisa një vlerësim vjetor i NJAB nxjerr në pah se vetëm 7 nga 27 rekomandimet e auditimit të brendshëm janë implementuar, 10 pjesërisht, dhe 10 nuk ishin implementuar” thuhet në raportin e vitit 2015.  E sa për Komitetin e Auditimit thuhet se nuk ka funksionuar fare në këtë vit pasi që nuk figuron asnjë takim i mbajtur.

Viti 2016 nuk qëndron hiq më mirë sa i përket Auditimit të brendshëm, ku gjatë këtij viti thuhet se “prej  12 auditimeve të planifikuara vetëm katër (4) prej tyre ishin realizuar, derisa tri (3) auditime të tjera ishin kryer me kërkesë të menaxhmentit”. Më mirë nuk qëndron as rëndësia që menaxhmenti i kushtoi rekomandimeve të auditorit të brendshëm ku “nga 29 rekomandimet e dhëna nga NJAB, vetëm dhjetë (10) prej tyre ishin zbatuar, edhe atë pjesërisht. Vetëm për dy (2) nga shtatë (7) raportet e auditimit ishin hartuar plane të veprimit për adresimin e rekomandimeve”. Edhe ky vit përcillet me ankesa për mosefikasitetin e Komitetit të Auditimit për të mbajtur menaxhmentin më përgjegjës për adresimin e rekomandimeve.

Sipas Sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendit, një prej arsyeve kryesore që rekomandimet e këtyre raporteve nuk u morën parasysh ka qenë edhe jo stabiliteti në menaxhment. “Brenda katër viteve katër herë janë ndërruar menaxhmentet  askush pa arritur ta përfundojë as gjysmën e mandatit, prandaj kanë ardhur gjithë ato probleme financiare. P.sh. ka ardhur një rektor dhe ka kërkuar diçka jashtë planifikimit financiar nga menaxhmenti i kaluar dhe kjo ka rezultuar me vërejtje në raportin e auditimit.”

Përgjatë disa viteve ka pasur përpjekje për punësim të zyrtarëve të auditimit por sipas Kelmendit kjo njësi nuk ka mundur kurrë të konsolidohet në mungesë të hapësirave. Edhe në rastet kur sipas tij janë hapur konkurse për pozita të reja, me ardhjen në pozitë rektorët e rinj i kanë anuluar ato konkurse.

Shumica e rekomandimeve nuk u zbatuan

Që nga viti 2009 kur figurojnë raportet e Auditorit të Përgjithshëm për Universitetin e Prishtinës problemet përsëriten nga viti në vit, herë me pak përpjekje për t’u adresuar e herë pa u marrë fare në konsideratë nga UP-ja. Në vazhdimësi raportet e auditorit përmendin nevojën për hartim dhe zbatim  të Planeve të Veprimit nga UP-ja për adresimin e rekomandimeve të dala nga këto raporte mirëpo, në shumicën e rasteve këto plane figurojnë të hartuara me shumë vonesë dhe kryesisht të pazbatuara, duke injoruar kështu shumicën e rekomandimeve.

Në vitin 2010 u vlerësua se nga rekomandimet e dhëna të vitit 2009 pa zbatuar mbetën 11% e rekomandimeve, përqindje kjo e cila në vitet në vazhdim shënon përkeqësim drastik deri në 75% në vitin 2014 të mos zbatueshmërisë së rekomandimeve. Nga rekomandimet e vitit 2010 të pa zbatuara mbetën 50% e rekomandimeve, në vitin 2011 moszbatueshmëria arriti në 70%, në vitin 2012  kjo shifër ishte 58% ndërsa nga rekomandimet e 2013-tës nuk u adresuan 61%  e tyre duke arritur kulmin në vitin 2014 me 75%.

Në vitin 2015 nga 16 rekomandime sa ishin ofruar gjithsej thuhet se vetëm dy (2) rekomandime janë adresuar plotësisht, tri (3) janë adresuar por nuk janë implementuar ndërsa 10 rekomandime nuk ishin adresuar fare. Për këtë vit thuhet se Universiteti kishe hartuar një plan veprimi me vonese ku thuhet më tej se “ky plan nuk i plotëson kërkesat themelore të një plani të mirëfilltë të veprimit siç janë: veprimet konkrete të nevojshme, afatet kohore të implementimit si dhe personat përgjegjës”.

“Tani nga 20 rekomandime nëntë janë adresuar plotësisht, tri janë në proces që së shpejti të përfundojnë, pesë janë në vazhdimësi që lidhen me proces dhe tri nuk janë adresuar ende. Del që për herë të parë gati 90 për qind e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve janë të realizuara”, thotë Kelmendi.

Sipas tij në vitin 2017 është themeluar edhe një komision i cili do ta mbikëqyrë realizimin e planit të veprimit dhe zbatimin e rekomandimeve. Ky komision përbëhet prej disa personave të cilët do të përcjellin zbatimin e këtij plani.

“Një arsye është edhe disiplinimi i njësive akademike këtë vit”, thotë ai.

Rron Gjinovci, nga organizata ORCA, thotë se as qeveria nuk e ka një plan për zhvillimin e këtij Universiteti. “Nuk ka asnjë plan kombëtar për zhvillimin e universitetit. Ky është universiteti më i madh në vend ky është universiteti që është bartës i arsimit të lartë në vend për këtë universitet është dashur të ketë plan qeveria në kuptimin çka do më nxjerr prej tij në ekonomi, bujqësi, juridik në të gjitha fushat është dashur ta ketë një plan dhe t’ia tregojë pritjet për tri vjet. Tek ne kjo nuk ndodh. Kur them qeveria e kam fjalën përmes Ministrisë së Arsimit. Për shkak që këta nuk kanë plane nuk kanë strategji nuk dinë kah do të shkojnë. Secili që vjen aty vjen me plane e me teke të veta e cila nuk funksionin pastaj si institucion po si shtëpi private e menaxhmentit”.