Prishtinë, 16 Janar 2023
Pas publikimit të hulumtimit nga organizata Çohu se ish-ambasadori i Kosovës në ShBA kishte 3 milionë e 871 mijë e 746 franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në “Credit Suisse”, të cilat ai nuk i deklaroi siç obligohet me ligj, prokuroria speciale e Kosovës ka iniciuar rast për këtë çështje.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka iniciuar rast sipas detyrës zyrtare, si dhe është në fazën e analizimit të përmbajtjes së lajmit, me qëllim të grumbullimit të informatave të nevojshme për dyshimet të cilat ndërlidhen me kryerjen e veprës penale”, thuhet ne përgjigjen e zëdhënësit të prokurorisë speciale, Ekrem Lutfiut.
Preportr që funksionon në kuadër të organizatës Çohu! është pjesë e projektit të OCCRP-së, ku përfshihet rrjedhja e të dhënave nga banka e madhe zvicerane “Credit Suisse”, aty ka mijëra të dhëna bankare nga shumë vende të botës, përfshirë edhe qytetarë nga Kosova. Ky hulumtim tregon se ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, kishte 3 milionë e 871 mijë e 746 franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në Credit Suisse.
Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave, Ismaili ka qenë i obliguar që t’i deklarojë këto para në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, duke përfshirë edhe prejardhjen e tyre.