Prishtinë, 21 Dhjetor 2022
Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA kishte miliona franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në Credit Suisse, të cilën ai nuk e deklaroi siç kërkohet me ligj, sipas të dhënave bankare të zbuluara.
Ish manjati i telekomunikacionit Akan Ismaili u emërua ambasador në vitin 2012, katër vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia pas një lufte brutale në vitet e 90-ta dhe një periudhe tranzicioni të mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara.
Duke qenë ambasador deri në vitin 2015, Ismaili ishte i detyruar ligjërisht të deklaronte pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ai raportoi posedime duke përfshirë prona, kursime në para dhe kompani, por Ismaili nuk i njoftoi autoritetet për llogarinë e tij në Credit Suisse, e cila kishte vlerë pothuajse 3.9 milionë franga zvicerane në qershor të 2014-tës.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit i tha Preportr dhe OCCRP-së se ka të ngjarë të jetë e vështirë të hetohen pasuritë e Ismailit në Zvicër.
"Ne do të shikonim mundësitë për verifikim dhe hetim edhe pse verifikimi i gjendjes së llogarive bankare të mbajtura jashtë vendit është i vështirë, dhe shpesh rezulton pa sukses për shkak të legjislacionit të vendeve ku mbahen llogaritë bankare, u përgjigj Agjencia në një email.
Ismaili nuk iu përgjigj kërkesave të dërguara me email për koment.
Sipas legjislacionit të Kosovës, zyrtarët e lartë publikë që fshehin pasuritë e tyre ose bëjnë deklarata të rreme mund të gjobiten dhe të burgosen deri në pesë vjet.
Ismaili u hodh në sektorin e teknologjisë menjëherë pas bombardimeve që NATO i bëri caqeve të Serbisë në Serbi dhe Kosovë në vitin 1999, e që i dha fund luftës, duke bashkë themeluar Projektin jofitimprurës të Internetit në Kosovë (IPKO Fondation). Më pas ai kaloi në sektorin privat me IPKO Telecommunications, e cila u bë ofruesi i dytë më i madh i shërbimeve, telefonisë celulare, internetit dhe televizionit kabllor në Kosovë.
Preportr raportoi në vitin 2015 për përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të gjetur asetet e mbajtura nga zyrtarët publikë jashtë vendit. Kreu i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në atë kohë u tha gazetarëve se "ka pasur një problem në zbatim" me vende si Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje për të ndihmuar në gjurmimin e aseteve.
Hulumtimi mbi këtë storie është siguruar nga OCCRP ID. Ekspertiza e të dhënave është siguruar nga Ekipi i të Dhënave i OCCRP-së. Kontrolli i fakteve u sigurua nga Zyra e Kontrollit të Fakteve e OCCRP-së.