English
Scroll top

Parashkruajnë krimin

Nga 17 gjykata komunale që janë marrë për bazë në raportin monitorues të Organizatës ÇOHU! del se nga viti 2001 deri në vitin 2012 janë parashkruar 8237 lëndë penale, përfshirë edhe parashkrimin e ndjekjeve penale dhe parashkrimin e ekzekutimeve penale. Janë parashkruar edhe 31 lëndë kundër korrupsionit

Prishtinë, 21 Shkurt 2013

Në dymbëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë në 17 gjykata komunale, janë parashkruar 8237 lëndë penale. Vetëm në vitet 2011-2012 janë parashkruar 889 respektivisht 1089 lëndë penale.

Këto të dhëna janë prezantuar të enjten në një tryezë të organizuar nga Organizata për Dinjitet dhe Anti-Korrupsion ÇOHU!, ku u prezantua raporti monitorues i 17 gjykatave komunale për parashkrimin e ndjekjeve penale dhe parashkrimin e ekzekutimeve penale.

Me gjithë numrin e madh të lëndëve që janë parashkruar në raport është konstatuar se askush prej përgjegjësve nuk ka shkuar në përgjegjësi penale e as disiplinore. Madje sipas Arton Demhasajt, autor i këtij raporti ndëshkime nuk ka pasur as për ata që kanë lejuar, që të parashkruhen lëndët kundër korrupsionit e të cilat nuk janë pak 31 sosh.

Nga gjithsej 8237 lëndë penale që janë parashkruar nga 17 Gjykata Komunale që janë marrë në shqyrtim, mbi 35.3% e tyre që janë të kategorizuara i përkasin parashkrimit relativ, ndërsa 47.5% i përkasin parashkrimit absolut ndërsa 17.1% janë të pa kategorizuara ose janë ekzekutime të dënimeve

Arton Demhasaj, Organizata Çohu!

Zyra e Prokurorit Disiplinor që funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,  sipas Demhasajt deri me tani për mbi 8000 lëndë të parashkruara në 17 gjykata komunale, ka iniciuar hetim për vetëm 10 raste, prej të cilave, 6 i ka dërguar në komisionet përkatëse disiplinore, ndërsa 4 i ka hedhur poshtë.

Raporti tregon që gjatë vitit 2012, numri i lëndëve penale të parashkruara ka qenë më i larti që nga viti 2001. “Ky raport, në kundërshtim me deklarimet e zyrtarëve të lartë të gjyqësorit, për ndalim të trendit të parashkrimit të lëndëve penale, ka treguar ritëm krejt të kundërt të numrit të lëndëve të parashkruara. Për më keq, rritja e numrit të parashkrimit të lëndëve penale gjatë dy viteve të fundit, ekspozon se tendenca e parashkrimit të lëndëve penale do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Demhasaj.

Zharku mund të kthehet pas pesë vitesh e të pi kafe në Prishtinë

Për lëndët e parashkruara në aspektin relativ, sipas Demhasajt praktikisht duhet të fajësohen gjyqtarët, të cilët duke mos ndërmarrë asnjë veprim, kanë lejuar vjetërsimin e këtyre lëndëve.

“Gjykatësit, duke i mbajtur lëndët e tyre nëpër sirtarë,  duke lejuar që këto lëndë të parashkruhen, kanë pamundësuar ndërmarrjen e çfarëdo veprimeve penale kundër kryesve të ndryshëm të veprave të caktuara penale. Me këtë veprim, gjykatësit kanë shkelur mbi parimin e një gjykimi të drejtë e të pa-anshëm, duke mundësuar kështu vendosjen e një precedenti të rrezikshëm”, ka shtuar ai.

Gjykatat sipas raportit monitorues, për numrin e madh të parashkrimit të lëndëve janë arsyetuar më mungesë të madhe të gjyqtarëve e stafit mbështetës, numrit të madh të lëndëve, problemit me adresa...

Demhasaj ka shprehur drojën se parashkrimi i lëndëve penale do të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim megjithëse gjyqësori që nga ky vit ka një strukturë të re organizative.

Xhabir Zharku lirisht mund të kthehet pas pesë vitesh në Kosovë dhe të pi kafe pa asnjë problem, pasi atëherë lënda e tij veç do të jetë parashkruar

Betim Musliu, IKD

Në tryezë janë përmendur edhe dy raste të mëdha që janë gjykuar vitet e fundit, ai i ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharkut dhe rastit Bllaca II, ku të dënuarit i kanë ikur drejtësisë. Në tryezë u tha se Xhabir Zharku lirisht mund të kthehet pas pesë vitesh në Kosovë dhe të pi kafe pa asnjë problem, pasi atëherë lënda e tij veç do të jetë parashkruar.

Nuk shfajësohen gjyqtarët

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, nuk i ka shfajësuar gjyqtarët për numrin e madh të lëndëve penale që janë parashkruar. Ai tha se një dukuri e tillë në gjykatat e Kosovës është shumë brengosëse dhe e komprometon shumë sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Hasani tha se që prej se e ka marrë detyrën si kryetar i Supremes është fokusuar shumë te vjetërsimi i lëndëve dhe parashkrimi i lëndëve që është prezantuar në raport ka të bëjë më shumë me lëndët e para vitit 2010.

Megjithatë numri i vogël i gjyqtarëve sipas tij nuk mund të jetë faktori kryesor për parashkrimin kaq të madh të lëndëve penale.

Policia që u kritikua në tryezë se në shumë raste i ka lënë lëndët të parashkruhen është mbrojtur nga zyrtari i saj Shefqet Beqaj. Ai ka thënë se mund të ketë raste që policët ta kenë neglizhuar punën dhe lëndët të jenë parashkruar, por këtë e ka arsyetuar me mbingarkesën në punë që e kanë policët.

“Policët kanë shumë punë, madje tash në bashkëpunim me avokatët, klientët mund të merren vesh dhe nëse është dënuar me 6 muaj mund t’i iket policisë për këto 6 muaj. Arsyet tjera ne jemi të stërngarkuar me kërkesa nga gjykatat sidomos ato për kundërvajtje dhe prokuroritë”, tha Beqaj.

Problem tjetër për policinë sipas Beqajt paraqesin edhe adresat. Ai tha se në mungesë të adresave, zgjerimit të lagjeve me banorë të rinj policët janë të stërngarkuar në punë.

Mungon komunikimi

Diskutimi në këtë tryezë të organizuar nga ÇOHU!, ka qitur në pah një mungesë të madhe komunikimi të tri hallkave të drejtësisë, në mes policisë, prokurorisë e gjykatave.

Madje në tryezë u tha se ka një mungesë të madhe komunikimi edhe në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Disiplinor edhe pse kjo e fundit operon në kuadër të KGJK-së.

Inspektori Kadri Begolli, duke u arsyetuar për numrin e vogël të rasteve që ZPD , i ka iniciuar për parashkrimin e lëndëve penale tha se KGJK, kurrë nuk i njofton me të dhënat e raporteve dhe as nuk kërkon hetime.  Hetimet që janë bërë në rastet që i ka prezantuar ÇOHU! sipas tij janë iniciuar nga qytetarët të cilët kanë qenë të dëmtuar.

Në gjashtë raste të iniciuara sipas tij, gjyqtarëve u është shqiptuar masa e qortimit e cila sipas tij nuk është e mjaftueshme.

Begolli ka thënë se raporti i ÇOHU!, mund të jetë burim i mirë sidomos për vepra të rënda “sepse ne nuk mund të pretendojmë që të merremi me raste të vogla, se ne nuk kemi resurse të mjaftueshme njerëzore”.

Mungesën e një komunikimi të mirë në mes këtyre tri hallkave e kanë përmendur edhe zyrtarët e tjerë të pranishëm në tryezë.

Lulzim Sylejmani prokuror në Prokurorinë e Apelit në Prishtinë, tregoi se prokurorisë u shkojnë kallëzime penale nga policia të vitit 2000. Ai tha se nuk e di pse ndodhë kjo edhe pse nuk e përjashtoi mundësinë që ato të jenë të kohës së UNMIK-ut.

Policia ndërkaq është arsyetuar më numër të madh të rasteve sidomos të atyre për kundërvajtje.

Megjithatë të gjithë panelistët e pranishëm në tryezë shprehen gatishmërinë e tyre që në të ardhmen të punojnë më shumë për zvogëlimin e lëndëve që parashkruhen.