Prishtinë, 23 Maj 2018
Pagat dhe mëditjet e profesorëve përbëjnë rreth 74% të buxhetit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Profesorët në UP kanë paga mujore ndër më të lartat në rajon, ato sillen prej 700 deri në 1,430 euro. Megjithatë, shumica e personelit vite me radhë kanë fituar shumë më shumë pasi që në bazë të një rregulloreje financiare që ka qenë në fuqi deri në shtator të vitit 2017, ata janë paguar shtesë për mentorimin e temave të diplomës, mbajtjen e provimeve, orët mbi normë, orët si bashkëpunëtorë të jashtëm si dhe pjesëmarrjen në komisionet e përhershme të senatit.
E hartuar në kohën kur paga e një profesori ishte më e ulët, qëllimi i kësaj rregulloreje ishte të krijonte të ardhura më të mira për profesorët, mirëpo e njëjta edhe pas rritjes së pagave nga Qeveria e Kosovës nuk është shfuqizuar në tërësi.
Për të analizuar këto të hyra Preportr ka kërkuar nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës listat e pagesave të rregullta dhe atyre shtesë të profesorëve për fakultetet Ekonomik, Juridik dhe Filozofik për vitet 2014-2015 dhe 2015-2016. Kërkesa për qasje në këto të dhëna është dorëzuar në qershor të vitit 2017 bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, por për të njëjtën Rektorati fillimisht nuk ka kthyer përgjigje duke u thirrur në mbrojtjen e të dhënave personale të profesorëve. Lidhur me këtë Preportr ka bërë ankesë dhe ka kërkuar interpretim nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e cila në përgjigjen e saj ka theksuar se meqë Universiteti i Prishtinës është një institucion publik dhe paraqet interes për publikun, atëherë duhet të gjendet një ekuilibër në mes të mbrojtjes së të dhënave personale dhe interesit publik.
"E drejta e mbrojtjes së të dhënave personale është e drejtë fundamentale, por nuk është e drejtë absolute, është e drejtë e cila duhet të balancohet me të drejtat e tjera, veçanërisht me të drejtën për lirinë e informacionit. Është e mjaftueshme që kërkuesit t`i jepen të dhënat e numrit të profesorëve, emrat, gradat, dhe shuma e mjeteve që ata kanë marrë nga Buxheti Publik, duke u anonimizuar të dhënat personale, të cilat konsiderohen të dhëna të ndjeshme e që duhet të plotësohen disa kritere specifike me rastin e përpunimin të këtyre të dhënave. Kërkuesi i këtyre informacioneve, të dhënat e marra nga UP duhet ti përdorë vetëm për qëllimet për të cilën janë marrë dhe nuk mund t’i përdorë për qëllime tjera", thuhet në përgjigjen e Agjencisë.
Edhe pas këtij interpretimi, Rektorati ende nuk është përgjigjur pozitivisht në kërkesën tonë, dhe si rrjedhojë ka shkelur ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe ka treguar edhe njëherë mungesën e transparencës së këtij institucioni publik.
Mijëra euro përfitime shtesë nga provimet dhe mentorimet
Marrë parasysh numrin e madh të studentëve që ka universiteti publik, të hyrat nga aktivitetet shtesë siç janë mbajtja e provimeve dhe mentorimi i temave të diplomës ua rrisnin profesorëve pagën shpesh për shuma të mëdha.
Pavarësisht që vlerësimi i studentëve do të duhej të ishte pjesë e detyrës bazë së secilit profesor, rregullorja financiare ua ka mundësuar atyre që të gjenerojnë të hyra shtesë për çdo studentë që ka paraqitur provimet në lëndën e tyre.
Gjithashtu pagesa për mentorimin e temave të diplomës ka paraqitur një problem tjetër ndër vite në UP. Meqenëse nuk ishte i përcaktuar ndonjë limit se sa mentorime mund të bëhen gjatë një viti nga një profesor u ka mundësuar disa prej tyre që të përfitojnë shuma të konsiderueshme të të hyrave.
Kjo mënyrë e mentorimit mund të ketë ndikuar drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e temave të diplomës. Në një hulumtim të Preportr mbi shitblerjen e temave të diplomës është vërtetuar se numri i madh i mentorimeve brenda një viti nga i njëjti profesor hapë mundësi për keqpërdorime ku shumë shpesh disa studentë diplomojnë tek i njëjti profesor me temën e njëjtë.
Në mungesë së qasjes në të dhënat zyrtare nga Universiteti i Prishtinës për numrin e studentëve që kanë paraqitur provimet, Preportr ka shikuar të gjitha rezultatet e provimeve të publikuara në web-siten e Fakultetit Ekonomik për vitin kalendarik 2016.
Shumë nga profesorët kanë publikuar online vetëm emrat e studentëve të cilët kanë kaluar provimin, rrjedhimisht ka qenë e pamundur të dihet numri i saktë i studentëve që kanë paraqitur provimet.
Nga të dhënat e nxjerra ka rezultuar që për vitin 2016 minimumi i studentëve që kanë paraqitur provim është rreth 46 mijë në 50 profesorë të ndryshëm.
Sipas këtyre të dhënave profesorët në Fakultetin Ekonomik për vitin 2016 kanë marrë minimum afër 28 mijë euro shtesë për studentët që kanë paraqitur provimet në lëndët e tyre.
Vetëm gjatë këtij viti ka profesorë që kanë mbajtur provim për afër 4 mijë studentë dhe kanë marrë pagë shtesë mbi 2 mijë e 600 euro.
Nga 50 profesorët, nëntë prej tyre janë pagur shtesë mbi 1 mijë euro për provimet e mbajtura brenda vitit 2016.
Rektorati i Universitetit të Prishtinës nuk ka ofruar të dhëna as për numrin e mentorimeve të diplomave për profesorët. Preportr ka gjetur në web-siten e Fakultetit Ekonomik tri lista me studentët të cilët kanë diplomuar gjatë viteve 2014, 2015 dhe deri në maj të vitit 2016.
Gjatë këtyre dy vite e gjysmë në Fakultetin Ekonomik në nivelin Bachelor kanë diplomuar dy mijë e 429 studentë. Në një llogaritje që ka bërë Preportr duke krahasuar numrin e temave me pagesën 20 euro për mentorimin e një teme në bachelor është gjetur se profesorët që kanë mentoruar kanë marrë pagë shtesë mbi 48 mijë euro për dy vite e gjysmë.
Vetëm në vitin 2014 profesori Safet Merovci ka mentoruar 466 tema të diplomës, ku për këto është paguar shtesë nëntë mijë e 320 euro.
Arben Hajrullahu, profesor në Fakultetin Filozofik ka thënë se është e rëndësishme të shtohet numri i profesorëve në mënyrë që të largohet praktika e çdo mbinorme apo pagese shtesë. Sipas tij të ardhurat vjetore të secilit person që paguhet nga buxheti shtetëror duhet të jenë publike duke përfshirë këtu edhe profesorët.
“Puna shtesë duhet kompensuar në një formë a tjetër dhe në rrethana normale kjo nuk do të duhej të ishte problematike. Brenga është te mungesa e cilësisë, keqpërdorimet nga qarqe të mbyllura dhe te jo transparenca. Në parim mëditjet dhe pagesat shtesë rrisin mundësinë e abuzimit. Andaj, ato duhet të jenë të rregulluara mirë, qartë dhe para së gjithash transparente”, ka thënë Hajrullahu.
Rregullorja e re shpëtoi një milion euro
Megjithatë nga viti i kaluar me hyrjen në fuqi të rregullores së re për të ardhurat personale në UP, është larguar pagesa shtesë për mbajtjen e provimeve.
Kjo ishte kërkesë edhe e Komitetit Këshillëdhënës për Financa të Universitetit të Prishtinës i cili është themeluar me ndihmën e Programit TLP-SP qe bashkë financohet nga MASHT dhe USAID.
Sipas Komitetit, eliminimi i pagesës shtesë për provime që është ndaluar vitin e fundit i ka shpëtuar buxhetit të UP-së rreth 1 milion euro dhe se kjo do të jetë mundësi e mirë që këto të hyra të riprogramohen dhe të shpenzohen në mënyrë më efikase.
"Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të arsimit të lartë në avancimin e Kosovës, ne besojmë se profesorët duhet të paguhen mirë dhe të stimulohen për të kryer mësimdhënie, kërkime dhe shërbime në nivelin më të lartë. Është e pazakontë që profesorët të marrin pagesë shtesë për punë të tjera që janë pjesë rutinore e punëve të tyre, veçanërisht provimeve, disertacioneve dhe punëve në komisione", kanë thënë në përgjigjen e tyre ky Komitet.
Sipas rregullores së re poashtu është përcaktuar limiti i mentorimeve të temave të diplomës për një profesor megjithatë pagesat për mentorime vazhdojnë të mbetën të njëjta.
Auditori kishte gjetur parregullsi të shumta në pagesa të profesorëve
Raportet e Auditorit të Përgjithshëm me vite me radhë kishin veçuar shkelje të shumta në pagesat shtesë të profesorëve.
Në vitin 2014 raporti i Auditorit kishte gjetur se zbatimi i rregullores për të ardhurat personale nuk ishte konsistent, ngase në shumë raste ishin bërë pagesa në kundërshtim me dispozitat e saj si dhe kontrollet në ketë fushë të shpenzimeve nuk ishin efektive për të siguruar arsyeshmërinë e duhur të pagesave për vijueshmërinë e ligjëratave dhe pagesave të orëve mbi normë.
Një prej problemeve më të theksuara në raport me pagesat shtesë është mungesa e dokumentimit të vijueshmërisë së procesit mësimor në fakultete dhe mos aplikimi i sanksioneve. Rregullorja për të ardhurat personale e UP-së, përkatësisht Neni 12 parasheh që “Çdo orë e paraqitur për pagesë duhet të arsyetohet me lista të studentëve të pranishëm, të verifikuara nga personi i autorizuar i fakultetit”.
Në tetë nga 97 mostrat e testuara në vitin 2016, Auditori kishte vërejtur se profesorët nuk shënojnë fare orën dhe datën e mbajtjes së ligjëratës, e disa të tjerë shënojnë vetëm fillimin e orës së mbajtjes së ligjëratës. Kjo dukuri rrit rrezikun e kryerjes së pagesave të parregullta për orë që nuk janë mbajtur dhe ka ndikime negative në cilësinë e shërbimeve.
"Përderisa zyrtarët përgjegjës për kalkulimin e orëve të mbajtura e bëjnë kalkulimin pa ato dëshmi përkatëse. Po ashtu, në një (1) rast nuk na janë ofruar fare dëshmitë (vijueshmëria) e mbajtjes së ligjëratave, derisa i punësuari kishte marr pagë të plotë. Kompensimi për orë mësimore jo të kompletuara me dëshmi, mund të ketë ndikim negativ financiar dhe rrit rrezikun që shpenzimet të jenë më të larta se shërbimet e pranuara", thuhet në raport.
E gjetura për muajin prill të vitit 2014 tregon se në 7 nga 36 rastet e testuara, mësimdhënësit nuk e kanë plotësuar normën e orëve obligative për të cilën janë kompensuar.
Rregullorja për të ardhurat personale parasheh që pagat duhet të reduktohet pjesërisht kur stafi nuk i plotëson të gjithë obligimet, 50€ për orë të humbur për profesorë, dhe 25€ për asistent. Profesorët janë kompensuar me paga të plota dhe ndalesa nuk janë aplikuar.
Sipas Auditorit kompensimi i profesorëve me nga 60 cent për secilin student që i nënshtrohet provimit, kishte shkaktuar kosto të panevojshme për UP-në për shkak se mbajtja e provimeve do të duhej të jetë pjesë e pandashme e detyrave të punës për të cilën profesorët e marrin pagën bazë dhe eventualisht honoraret.
Si problem tjetër ishte theksuar edhe pagesa për mentorim të temave të diplomës. Përderisa rregullorja e Fakultetit Ekonomik parashihte limit lidhur me numrin e temave që ka të drejtë një profesor të mentoroj brenda vitit, Auditori kishte gjetur se e njëjta është shkelur disa herë, pra profesorët kanë mentoruar dhe rrjedhimisht janë paguar më shumë se sa që kishin pasur të drejtë.
“Mosrespektimi i limitit të lejuar të temave për mentorim nga profesorët është në kundërshtim me standardin e përcaktuar me rregullore. Kjo mund të ndikoj negativisht në cilësinë e mentorimit, mund të jetë diskriminues ndaj stafit tjetër akademik, dhe shkakton shpenzime në kundërshtim me rregulloren e aplikueshme”, thuhet në raport.