English
Scroll top

Mungesa e kontratës- cenim i dinjitetit të punëtorëve

Punëtorët e sektorit privat në Kosovë vazhdojnë të jenë më të diskriminuarit në tregun e punës. Ata ballafaqohen me probleme të shumta sa i përket kushteve të punës dhe marrëdhënies së punës me punëdhënësit. Të shumtë janë ata që punojnë pa kontrata të punës. Për të ndryshuar kjo gjendje janë ndërmarrë disa hapa nga institucionet por, që nuk po konsiderohen të mjaftueshme nga punëtorët...

04 Dhjetor 2024

Pas katër vitesh pune në një nga kompanitë më të mëdha të radio  taksive në Prishtinë, Armendi e ka lënë punën. Thotë që  arsye për këtë t‘jetë bërë mungesa e kontratës së punës përgjatë këtyre katër viteve.

“Them me shumë përgjegjësi se aty cenohet dinjiteti i punonjësve nuk jepet kontratë pune, nuk paguhet Trusti Pensional, punohet me ndërrime natën dhe festat zyrtare dhe për këtë nuk paguhen punëtorët sipas ligjit”, thotë Armendi për kompaninë ku ka punuar.

Shiko Gazetën #39

Si Armendi edhe punëtorë të tjerë përmes një pyetësori i janë ankuar Preportr, se në vendet ku punojnë shumë prej punëtorëve nuk kanë kontratë pune. Ankesat në adresën e Preportr kanë ardhur prej punëtorëve nga Gjilani, Fushë Kosova, Prishtina etj.

Megjithëse janë ndërmarrë disa hapa drejt përmirësimit të kushteve të punëtorëve në sektorin privat, në mesin e tyre edhe pajisja e tyre me kontratë pune, ka plot raste kur punëtorët mbahen në punë pa u pajisur me këtë kontratë.

Kjo ka ndodhur dhe po ndodhë për shumë arsye e në mes tjerash për mungesë të inspektorëve të punës dhe faktit që punëtorët për të mbajtur vendin e tyre të punës i nënshtrohen kërkesave të punëdhënësit, të cilat mund të përfshijnë edhe mospajisjen e tyre me kontratë pune. Si rrjedhojë punëtorëve u shkelen të drejtat dhe në mungesë të kontratës këto shkelje nuk mund t’i paraqesin në asnjë institucion.

Për të parë gjendjen më në detaje Preportr ka realizuar një pyetësor, të cilit i janë përgjigjur më shumë se 70 respodentë. Më shumë se 20 përqind të respodentëve që i janë përgjigjur pyetësorit kanë thënë se kanë një vend pune, por nuk kanë kontratë pune.

Nga inspektimet që i ka bërë në vitin e kaluar, Inspektorati i Punës (IP), i ka trajtuar edhe më shumë se 2000 raste të punëtorëve pa kontratë punë. Sektorët ku përmendet që ka më së shumti punëtorë pa kontrata pune, janë gastronomia, prodhimtaria dhe shërbimet tregtare.

Numër i madh i lëndëve ku subjekt e kanë trajtimin e rasteve të shkeljes së të drejtave të punëtorëve janë duke u trajtuar edhe në gjykatat e Kosovës.

Institucionet shtetërore në anën tjetër disa prej hapave që i kanë ndërmarrë këto vitet e fundit është formalizmi i punëtorëve. Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka krijuar mekanizma të cilët kanë ndihmuar punëtoret për të parë se sa i rëndësishëm është deklarimi i tyre nga punëdhënësi, si dhe mënyrat për ta verifikuar veten se a janë të deklaruar në ATK.

Papunësia e lartë krijon kushte për trajtim jo dinjitoz të punëtorëve

Me papunësinë e cila është ende shumë e lartë në Kosovë, krijohen kushtet për trajtim jo të mirë të punëtorëve. Konkurrenca është e madhe për një vend pune edhe pse, kohëve të fundit largimi i fuqisë punëtore jashtë shtetit ka bërë që në disa sektorë të ketë mungesë të punëtorëve.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), papunësia në Kosovë me 2023 ka qenë 10.7 për qind. Sipas kësaj agjencie, persona të punësuar ishin më shumë se 420 mijë- nëntë mijë më shumë se sa në vitin 2022. Megjithatë edhe këto shifra nuk e kanë zbutur papunësinë në Kosovë. Më shumë se 50 mijë persona në moshë pune, nuk punojnë.

Papunësia më e madhe vërehet te gratë dhe rinia. Sipas ASK, në vitin 2023 gratë përbënin 24.2% të fuqisë punëtore, ndërsa meshkujt përfaqësonin 57.8% nga një përqindje totale e pjesëmarrjes prej 40.7%.

“Shkalla e papunësisë tek të rinjtë ishte 17.3%, ku 42.2% e të rinjve të moshës 15-19 vjeç janë të papunë afatgjatë për më shumë se një vit. Për më tepër, 33.4% e të intervistuarve të moshës 15-24 vjeç nuk ishin as të punësuar, as në arsim apo trajnim”, thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore të realizuar nga ASK.

Punëtorët që kanë një vend pune nuk janë të informuar për të drejtat e tyre, ndërsa edhe ata të cilët janë më të informuar, nuk i raportojnë shkeljet të cilat u bëhen në vendin e punës, për shkak të frikës nga pasojat e ndryshme me të cilat mund të përballen.

Edhe ata që i dinë të drejtat e tyre dhe ankohen për shkeljet, thonë që edhe kur janë ankuar në institucione, nuk është që ato kanë ndërmarrë hapa.

“Shumë punëtorë janë ankuar në ATK dhe Inspektorati i Punës por kot, gjatë verës 2023 pati një inspektim brenda kompanisë por dolën duke buzëqeshur inspektorët e punës. Hulumtimi dhe gjetjet e Inspektorati të Punës janë të pazbuluara p.sh punëtorët asnjëherë nuk mund t'i gjeni në punishte, arsye është se ata gjithnjë janë në lëvizje në bartjen e pasagjerëve “, thotë Armendi.

Ky punëtor thotë se Inspektorati i Punës duhet ta dijë se ka vende të punës, ku punëtorët punojnë në terren, prandaj në këto raste ata duhet të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilent kur kryejnë inspektimet.

“Kurdo që shkoni në kompani aty nuk gjen më shumë se 3 apo 4 punëtorë, sepse të gjithë janë në terren, në lëvizje dhe për këtë arsye asnjëherë nuk mund të zbulohen shkeljet që u bëhen punonjësve”, shton ai.

Mbi 22 përqind të punëtorëve që i janë përgjigjur pyetësorit të Preportr,  kanë thënë se nuk kanë kontratë pune.  Disa thonë se edhe pse kanë kontratë, ajo nuk u respektohet nga punëdhënësit. 45 përqind prej tyre kanë thënë se kontrata nuk u respektohet.

Projekti për Formalizmin e punësimit ka dhënë impaktin e tij si në rritjen e vetëdijesimit të punëtorëve për të kërkuar të regjistrohen nga punëdhënësi i tyre ashtu edhe nga punëdhënësi për t’i deklaruar ata sipas Legjislacionit Tatimor.

ATK

Megjithëse një numër relativisht i madh i punëtorëve nuk janë pajisur ende me kontratë pune në sektorin privat, në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) thonë se nga ky institucion janë ndërmarrë disa hapa në përmirësimin e kushteve të punëtorëve dhe informimit për te drejtat e tyre.

ATK, ka krijuar një platformë në të cilën punëtorët mund të shohin nëse janë regjistruar, si të punësuar nga punëdhënësit.

“Projekti për Formalizmin e punësimit ka dhënë impaktin e tij si në rritjen e vetëdijesimit të punëtorëve për të kërkuar të regjistrohen nga punëdhënësi i tyre ashtu edhe nga punëdhënësi për t’i deklaruar ata sipas Legjislacionit Tatimor”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Sipas përgjigjes se ATK-së, ky institucion ka krijuar mekanizma të cilët kanë ndihmuar mjaft shumë punëtorët për të parë se sa i rëndësishëm është deklarimi i tyre nga punëdhënësi, si dhe mënyrat për ta verifikuar veten se a janë të deklaruar në ATK.

“Aplikacioni në fjalë është shumë i thjeshtë, kërkon pak të dhëna për ta verifikuar një punëtor vetën. Përveç pjesës së verifikimit,  ATK ka dizajnuar edhe pjesën tjetër brenda këtij aplikacioni, ku në rast se punëtori gjatë verifikimit nuk e gjen vetën në listat e deklarimit, ai mund ta denoncojë punëdhënësin e tij. Pra, në pjesën ku punëtori identifikon mos-deklarimin e tij nga punëdhënësi, ka mundësi të klikojë në butonin “Raporto punëdhënësin”, i cili shpije në formën për denoncim/raportim”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Shumë raste të trajtuara nga gjykatat dhe institucionet e tjera

Nga të dhënat e siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës -KGJK, rezulton se në gjykatat themelore të Kosovës për vitet 2021-2023 kanë qenë gjithsej 18562 lëndë në punë të kontesteve të punës, prej tyre veç për mospërmbushje të kontratës kanë qenë në punë 2913 lëndë.

Gjatë këtyre viteve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kanë qenë në punë 278 lëndë, për mospërmbushje të kontratës, prej tyre  53 janë zgjidhur dhe 23 janë apeluar. Në degët e kësaj gjykate  janë trajtuar 809 lëndë për mospërmbushje të kontratës dhe më shumë se gjysma e tyre , 446 janë zgjidhur të tjerat kanë mbetur pa u zgjidhur.

Në Gjykatat tjera themelore, Gjilan, Prizren , Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë, Peje dhe Prizren kanë qenë në punë 1743 lëndë që lidhen me mospërmbushje të kontratës.

Numri i lartë i paraqitjes së rasteve në gjykata tregon që ende kemi një numër të madh punëtorëve të cilëve u shkelen të drejtat e tyre në vendin e punës.

Edhe Inspektorati i Punës ka trajtuar një numër të madh të rasteve që lidhen me mospërmbushjen e kontratës së punës dhe mungesën e saj. Vetëm në vitin 2023 ky institucion ka realizuar 8114 inspektime, ku janë trajtuar 53, 887 të punësuar nga të cilët 31,964 burra dhe 21,923 gra. Nga këto inspektime ka rezultuar që 2144 të punësuar të jenë pa kontrata pune. Duke pasur parasysh që një numër i madh i punëtorëve përballen me shkelje të të drejtave në punë, shumë prej tyre ankohen në institucione. Në Inspektoratin e Punës, gjatë vitit 2023 janë ankuar 1348 persona, të cilat raste sipas këtij institucioni janë trajtuar me prioritet.

Sa u përket ankesave që bëhen në institucione, qytetarët shprehën që ato nuk trajtohen me prioritet, ose edhe kur trajtohen nuk merren vendime meritore për to.

Arjeta, e cila punon në një dyqan tekstili në Prishtinë tregon që ajo nuk e kryen vetëm punën e shitëses, punë për të cilën është punësuar, por gjithë kohën i duhet të merret me pastrim dhe gjëra të tjera. Shpesh thotë ajo, pronarët e dyqanit e lusin që të punojë edhe disa orë jashtë orarit, por të cilat orë kurrë nuk i paguhen. Preportr e ka pyetur Arjetën se a është ankuar ndonjëherë në institucionet për këto shkelje. Ajo ka thënë se këtë gjë nuk e ka bërë kurrë sepse frikësohet se do të mbetet pa punë.

Njëjtë si Arjeta edhe shumë punëtorë që i janë përgjigjur pyetësorit të Preportr, kanë thënë se nuk ankohen te institucionet për shkeljet që u bëhen në vendin e punës.

Në pyetjen se nëse nuk u respektohet kontrata nga punëdhënësi a ankoheni në ndonjë institucion shumica apo 68.10 përqind e qytetarëve që i janë përgjigjur pyetësorit kanë thënë që jo, 31. 80 përqind kanë thënë po.

Se a respektohet kontrata e punës nga punëdhënësit 54.90 përqind kanë thënë që po, ndërsa 45 përqind kanë thënë që jo.

Rritje e të deklaruarve në ATK

Administrata Tatimore e Kosovës  (ATK) gjatë këtyre viteve ka ndërmarrë disa hapa rreth formalizimit të punëtorëve. Veç platformës ku punëtorët mund të shohin se a janë të regjistruar nga punëdhënësit, në fillim të këtij viti ky institucion ka paraqitur versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI, përmes të cilit do të kërkohet që çdo punëdhënës të informojë ATK-në për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit.

Shërbimi i ri elektronik për lajmërimin e punëtorit është funksionalizuar në Sistemin Elektronik EDI duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, gjegjësisht nenin 43, paragrafin 5.

“Përmes këtij shërbimi, çdo punëdhënës është i obliguar për ofrimin e informatave për të punësuarin e ri, sipas formës së përcaktuar nga ATK-ja, e cila gjendet te menyja “Shërbimet – Regjistro punëtorin e ri”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Më konkretisht, përmes shërbimit “Formular për regjistrimin e punëtorit”, përveç informatave që merren përmes Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) dhe informatave përmes listës pagesës mujore, punëdhënësi do të jetë i obliguar që të ofrojë edhe informatat shtesë, si: Data e fillimit të punës; Data e ndërprerjes së punësimit; Orari i punës, i plotë apo i pjesshëm; Niveli i shkollimit të punëtorit; Profesioni i punëtorit; Pozita e punës së punëtorit, etj.

“Përmes formularit të ri për deklarimin sipas kërkesës për kontratën mes punëdhënësit dhe punëtorit të nënshkruhet në ditën e parë të fillimit të punës, nga 28 janari i këtij viti janë paraqitur rreth 20,000 punëtorë”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Burimi: ATK

ATK, sipas Zyrës për Informim, gjatë vizitave që bën në çështjet dhe aktivitete tatimore kërkon edhe listën e punëtoreve, përmes se cilës verifikohet saktësia e prezencës se punëtorëve në vend të punës dhe deklarimit në listë, më pas ndërmerren hapat sipas legjislacionit tatimor. Do të thotë, gjatë procedurës së kontrollit trajtohen edhe punëtorët e padeklaruar.

Sipas të dhënave të dërguara nga ATK, ndryshimet prej vitit në vit të punëtorëve të deklaruar në këtë institucion kanë ardhur duke u rritur.

Përpjekjet për zvogëlim të informalitetit

Me gjithë përpjekjet për zvogëlim të informalitetit në Kosovë, statistikat tregojnë që ai ende është në nivele të larta, diku në 30 përqind.  Sektorët ku haset më shumë informaliteti janë ndërtimtaria, gastronomia, prodhimtaria dhe shërbimet tregtare.

Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan (DASh), për vitin 2023 thekson se për shkak të informalitetit të përhapur dhe ritmit të ngadaltë të gjykatave, marrëveshjet joformale dhe verbale në mes të punësuarve dhe punëdhënësve shpesh kanë më shumë rëndësi sesa marrëveshjet dhe kontratat formale.

“Punëdhënësit e sektorit privat shpesh bëjnë një praktikë të mos sigurojnë kontrata për punonjësit e tyre dhe t'i paguajnë ata me para në dorë”, thuhet ne këtë raport.

Institucionet përgjegjëse për zvogëlimin e informalitetit në Kosovë, thonë se ata po mbikëqyrin zbatimin e legjislacionit që ka të bëjë me marrëdhënien e punës.

“Inspektorati Qendror i Punës konform planit të performances dhe Planit të Punës ka objektiv kryesor mbikëqyrjen e zbatimit te legjislacionit nga marrëdhënia e punës dhe legjislacionit nga siguria e shëndeti në vendin e punës, dhe me këtë synim ka rritur numrin e inspektimeve, dhe në rastet kur evidentohen që punëdhënësit nuk e respekton legjislacionin, ndërmerren veprimet e parapara ligjor”, thuhet në përgjigjen e IP-së.

Punëdhënësit e sektorit privat shpesh bëjnë një praktikë të mos sigurojnë kontrata për punonjësit e tyre dhe t'i paguajnë ata me para në dorë.

Raporti i DASh për vitin 2023

Kryeinspektori i këtij institucioni Hekuran Nikci në një intervistë dhënë për platformën Bllok Magazinë ka pranuar që informaliteti është një problem, por që janë duke punuar që në një të ardhme jo shumë të largët ai të mos jetë i tillw.

“Kur nuk ka kontratë, është e vështirë të mbrohen të drejtat e punëtorëve, sepse baza për mbikëqyrjen e të drejtave është kontrata e punës, dhe kur ajo mungon, nuk dihet as çfarë të drejte është shkelur”, thotë ai.

Për t’i evituar këto raste Nikçi ka thënë se, numri i inspektimeve është rritur trefish, si dhe prezenca e inspektorëve. Rastet e informalitetit sipas tij, këtë vit janë shumë më të pakta krahasuar me dy vitet e kaluara. Ai ka përmendur edhe bashkëpunimin me Administratën Tatimore të Kosovës të cilët e njoftojnë IP-në për punëtorët pa kontrata,  kurse IP e njofton ATK-në për punëtorët e pa deklaruar.

“Ka një rënie të trendit të punëtorëve që ne hasim pa kontrata apo të padeklaruar në ATK. Mendoj që ndoshta brenda një kohe të shkurtër, ndoshta disa viteve, informaliteti nuk do të jetë më një problem i madh në Republikën e Kosovës. Problemi më i madh do të jetë zbatimi i kontratave nga punëdhënësit dhe punëtorët, sepse ajo është një marrëveshje e dyanshme”, ka thënë Nikçi.

Ai thotë se përveç inspektimeve që janë rritur, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe organizata vendore joqeveritare, po mundohen të rrisin edhe vetëdijesimin e punëtorëve. “Çdo inspektim është një mundësi për vetëdijesim; çdo inspektor që viziton një subjekt, e ndihmon atë të kuptojë më mirë të drejtat dhe detyrimet. Përveç kësaj, kemi organizuar fushata vetëdijesuese, të cilat janë të ekspozuara në rrjetet sociale dhe nëpërmjet spoteve televizive”, thotë ai.

Kur nuk ka kontratë, është e vështirë të mbrohen të drejtat e punëtorëve, sepse baza për mbikëqyrjen e të drejtave është kontrata e punës, dhe kur ajo mungon, nuk dihet as çfarë të drejte është shkelur.

Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i IP-së

Për kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemin, megjithëse është shtuar numri i inspektorëve të punës dhe janë ndërmarrë një numër masash që punëtorët të pajisën me kontratë pune, gjendja në terren nuk ka ndryshuar shumë. Ai thotë se edhe në rastet kur punëtorët janë të pajisur me kontratë të punës, ajo nuk u respektohet nga punëdhënësit.

“Ka punëtorë që edhe pse e kanë kontratën ajo nuk u respektohet. Për shembull nga 30 ditë pushim që mund t’u takojnë me kontratë ata i shfrytëzojnë vetëm 12”, thotë Azemi, duke treguar prapaskenat e rasteve të punëtorëve që nuk u respektohen te drejtat nga punëdhënësit.

Ai thotë ta kenë vërejtur edhe një tjetër aspekt që punëtorët nuk po duan në shumë raste të lidhin kontratë pune. Në këtë mënyrë thotë se ata po eksplorojnë gjatë gjithë kohës për vende të tjera pune dhe po i ndërrojnë ato shumë shpesh.

Armendi që ka lënë punën për mungesë të kontratës mund të jetë nga të paktët raste që e ka bërë këtë. Arjeta në anën tjetër ka kontratë të punës por nuk është ankuar asnjëherë edhe pse ajo i është shkelur shumë herë nga punëdhënësi. Ajo përmend disa benefite të tjera që i ka  dhënë ky vend i punës, siç është sjellja e mirë e punëdhënësve sepse ka pasur raste thotë ajo që punëdhënësit janë sjell shumë keq me të dhe punëtorët tjerë.