Prishtinë, 09 Janar 2024
Shkurte K. thotë që puna e saj disavjeçare në markete nuk i ka sjellë shumë përfitime financiare. Pagat e vogla që i ka marrë ndër vite nuk i kanë siguruar mirëqenie. Jo vetëm paga e vogël, por edhe kushtet e tjera të punës e kanë bërë atë të ndaj zhgënjimin rreth të ardhmes së saj.
Rrëfimi i saj ka nuanca pesimizmi. Ajo thotë se tani nuk është më e sigurt se a do të ketë ndryshime dhe a do të trajtohen punëtorët më me dinjitet se sa përpara. Shkurta thotë të ketë ndërruar shumë punëdhënës, por që të gjithë kanë pasur qasjen e njëjtë. Përveç kushteve të tjera të punës me të cilat nuk është e kënaqur, ajo thotë se edhe pushimet janë problemet kryesore të punëtorëve. Ato nuk respektohen ashtu siç parashihen me Ligjin e Punës. Për të marrë pushim thotë se u duhet të bëjnë shumë kompromise, sidomos të tilla që i shkojnë në favor punëdhënësit.
“Pushimet i marrim, po me shumë mundime”, thotë ajo.
Shkurtes nuk i kujtohet kur ka pasur pushim për festa zyrtare dhe dy ditë në javë.
“Këta të sektorit publik gjithë kanë pushime, ne gati kurrë, ndonjëherë për Bajram”, thotë ajo.
Pushimet e punëtorëve në të dy sektorët, privat dhe publik, janë të rregulluara me Ligjin e Punës. Ekzistojnë dispozita ligjore që i rregullojnë pushimet dhe në rast të mos respektimit të tyre parashihet edhe ndëshkimi i atyre që nuk e respektojnë ligjin.
Për respektimin e Ligjit të Punës si organ në kuadër të pushtetit ekzekutiv merret Inspektorati i Punës. Ky organ ndër vite nuk ka arritur të vë rregull në sektorin privat aty ku më së shumti u shkelen të drejtat punëtorëve. Edhe në raportet e tyre vjetore janë evidentuar një numër shkeljesh përfshirë edhe ato kur nuk u janë dhënë pushimet punëtorëve.
Punëtorët në anën tjetër i janë përgjigjur një pyetësori të organizuar nga Preportr. Nga të dhënat e këtij pyetësori të cilit i janë përgjigjur 200 respodentë, shihet se në Kosovë punëtorëve nuk u respektohen pushimet ashtu siç parashihen me ligj. Te drejtën për t’u ankuar ata në masë të madhe nuk e shfrytëzojnë, pasi në mungesë të kontratës së punës e kanë të vështirë të dëshmojnë se janë në një marrëdhënie pune.
Shumica e respodentëve mendojnë se në Kosovë nuk u respektohen pushimet punëtorëve që punojnë në sektorin privat. 33.66 përqind prej tyre kanë thënë se pushimet nuk u respektohen aspak punëtorëve, pak kanë thënë 29.21 përqind, 20.30 përqind kanë thënë mesatarisht, ndërsa shumë vetëm 16.83 përqind.
Pushimi vjetor më së vështiri të merret
Në kushte të papunësisë së madhe dhe informalitetit të lartë punëtorëve të sektorit privat nuk u janë respektuar kushtet e punës për një periudhë shumë të gjatë. Shifrat tregojnë se në Kosovë ka një shkallë të lartë të papunësisë. Agjencia e Statistikave të Kosovës, sipas të dhënave që i ka nxjerrë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, thotë që shkalla e papunësisë në Kosovë është 11.8 përqind.
Të dhënat e tjera të nxjerra nga ASK tregojnë që dy të tretat e popullsisë në Kosovë, janë popullsi në moshë pune. Punësimi më i lartë është te meshkujt 49.5%, ndërsa punësimi te femrat është 19.3%.
Niveli i lartë i papunësisë, sipas punëtorëve ka bërë që në masë të madhe mos të respektohen kushtet e punës dhe të drejtat ligjore për punëtorët.
Afrimi që punon si depoist në një prej marketeve të mëdha, thotë se prej që është punësuar, pushimet nuk i janë respektuar sa duhet. Ai thotë se në bisedë me kolegët e ka vërejtur se në Prishtinë, kushtet janë më të mira për punëtorët, po e njëjta gjë nuk ndodh në komunat e tjera. Në Fushë Kosovë, ku punon thotë se bashkë me kolegët punojnë disa orë jashtë orarit zyrtar të punës dhe askush nuk merret me kompensimin e këtyre orëve.
Më së shumti probleme thotë të kenë me punëdhënësit kur kërkojnë pushimin vjetor.
Edhe tek të dhënat për shkeljet e dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me pushimet e punëtorëve, Inspektorati i Punës ka evidentuar më së shumti shkelje te pushimi vjetor. Sipas të dhënave për vitet 2020-2022 për pushimet e punëtorëve më së shumti shkelje evidentohen te pushimet vjetore.
Në përgjigjet e shkurta që Inspektorati i Punës, i ka dërguar Preportr, e konfirmon që shkeljet më të mëdha të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat bëhen te pushimet vjetore, por nuk e pranon që në përgjithësi nuk respektohen pushimet e punëtorëve në këtë sektor.
“Bazuar në inspektimet e realizuara, Inspektorati i Punës konstaton se respektohen pushimet e të punësuarve në sektorin privat”, thuhet në përgjigjen e IP-së.
Po ashtu Inspektorati ka pranuar që nuk ka databazë të mirëfilltë ku mbahen evidenca se sa raste të shkeljes së të drejtës se punëtorëve për pushim zgjidhen nga IP dhe a respektohen këto vendime nga ana e punëdhënësve.
Në anën tjetër, bazuar në të dhënat që kanë dalë nga pyetësori i Preportr,sa i përket pushimit vjetor 22.28 përqind e respodentëve që i janë përgjigjur pyetësorit, kanë thënë se atyre nuk u është dhënë kurrë pushimi vjetor, 44.55 përqind e tyre kanë thënë se u është dhënë nganjëherë dhe 33.17 përqind janë përgjigjur se ky pushim i është dhënë gjithnjë. Sa i përket faktit se a janë paguar pas shfrytëzimit të pushimit vjetor, 80 përqind prej tyre kanë thënë po dhe 20 përqind jo.
Ligji i Punës sa u përket pushimeve është shumë specifik dhe në detaje përshkruan të drejtat që gëzojnë punëtorët në raport me të drejtën për pushim.
Te pushimi vjetor aty ku sipas Inspektoratit të Punës ka më së shumti probleme, ligji thotë se punëtori pavarësisht a ka punuar me orar të gjatë apo të shkurtër e gëzon këtë pushim së paku katër javë gjatë vitit. Në të kundërt, ligji thotë se punëtorët duhet të kompensohen për ditët e pushimit që nuk i kanë shfrytëzuar. Nëse nuk ndodh kjo sipas ligjit punëdhënësit duhet të ndëshkohen.
Shpresa një punëtore tjetër, thotë se ligji nuk respektohet pasi për punëdhënësin nëse i jep tri apo katër javë pushim pa ndërprerë e që zakonisht pushimi kërkohet verës kur fluksi i punës është më i madhi, është humbje e madhe. Ajo thotë zakonisht jepen një javë apo dhjetë ditë pune pushim dhe me kaq merr fund pushimi vjetor. Asaj nuk i kujtohet të jetë ankuar ndonjëherë te punëdhënësi nga frika se mund të mbetet pa punë.
Pushimi i lehonisë zbatohet fare pak
Te pushimi i lehonisë statistikat tregojnë që ky pushim deri diku u respektohet punëtorëve nga punëdhënësit . 49.44 përqind e respodentëve në pyetësorin e Preportr, kanë thënë se nuk u është dhënë ky pushim, ndërsa 50.66 përqind që u është dhënë. Preportr i ka pyetur respodentët se në rast që u është dhënë pushimi a u është kompensuar ashtu siç parashihet me ligj. Më shumë se 73 përqind kanë thënë se u kompensohet, 26.67 përqind kanë thënë se jo. Nëse nuk janë kompensuar nga punëdhënësit, respodentët kanë thënë se nuk janë ankuar në asnjë institucion. Madje edhe kur u është mohuar ky pushim shumë pak prej tyre janë ankuar në ndonjë institucion. Vetëm 4.55 përqind e tyre kanë thënë se janë ankuar, ndërsa 95.45 përqind se nuk janë ankuar. Edhe në rastet kur janë marrë vendimet nga institucionet në favor të punëtorëve, ato nuk janë respektuar nga punëdhënësit.
Arsyeja kryesore që nuk janë respektuar vendimet e institucioneve nga ana e punëdhënëseve është se ata i kanë përmendur humbjet në rast se e respektojnë pushimin e lehonisë.
Një qytetare që i është përgjigjur pyetësorit ka thënë se edhe kur ka marrë vendim IP në favor të saj, punëdhënësi nuk e ka respektuar atë me arsyetimin që ajo punon në sektorin privat dhe se nuk është në punë të shtetit.
Inspektorati i Punës pa ofruar shifra se sa prej rasteve ku nuk është respektuar pushimi i lehonisë i ka trajtuar, ka thënë se gjatë inspektimeve të rregullta në vazhdimësi mbikëqyr pushimet e lehonisë.
“Po edhe kur pranon ankesa nga palët në procedurë bën inspektim në lidhje me pretendimet”, thuhet në përgjigjet e IP-së.
Ligji i Punës sa i përket pushimit të lehonisë është shumë specifik. Femra e punësuar sipas këtij ligji gëzon të drejtën prej 12 muajve të pushimit të lehonisë. Kompensimi bëhet 70 përqind të pagës bazë nga punëdhënësi në gjashtë muajt e parë, tre muaj të tjerë i paguan Qeveria e Kosovës në 50 përqind të pagës bazë, dhe tre muajt e fundit lehona mund të vazhdojë pushimin pa pagesë.
Pushimi i lehonisë ka paraqitur problem në sektorin privat që prej fillimit të miratimit të Ligjit të Punës. Për shkak të kohëzgjatjes dhe kostos së lartë punëdhënësit në sektorin privat kanë hezituar ta marrin si obligim, për këtë arsye edhe gratë që kanë qenë të punësuara në këtë sektor shpesh për disa muaj nuk kanë treguar që janë shtatzënë nga frika që do të mbesin pa punë.
Brikena Berisha, menaxhere e projektit në Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS), duke folur për ndryshimet dhe dispozitat shtesë që duhet të bëhen në Ligjin e Punës ka thënë se më emergjentja mbetet pjesa e lehonisë.
“Kompanitë private të rënduara nga pagesa e këtij pushimi, në shumë raste refuzojnë të paguajnë atë, punësojnë gra me kontrata afatshkurtëra të cilat është shumë lehtë të ndërpriten në rast shtatzënie apo edhe zgjedhin të mos punojnë fare gra që potencialisht do të krijojnë familje. Kjo pjesë ka rënduar pjesëmarrjen e gruas në tregun e punës, duke e demotivuar atë të punësohet apo edhe privuar nga e drejta e pushimit të lehonisë”, thotë ajo.
Pushimi i lehonisë sipas saj duhet të analizohet nga një perspektivë tjetër, pasiqë bizneset tashmë haptazi kanë shprehur se barra financiare për ta është padrejtësi dhe shteti duhet të ndërhyjë.
Pushimet tjera më pak problematike
Krahasuar me pushimin vjetor, statistikat tregojnë që pushimet e tjera respektohen pak më shumë në sektorin privat. Pushimet që respektohen pak ose aspak janë festat zyrtare. Punëtorët i kanë thënë Preportr që për festa zyrtare as që bëhet fjalë t’u jepet pushimi.
Sipas përgjigjeve që i kanë dhënë në pyetësorin e Preportr, pushimi ditor respektohet deri diku nga punëdhënësit. Edhe në rastet kur nuk u jepet pushimi ditor ai kompensohet në pagë ose punëtorët lirohen më herët nga puna. 23.62 për qind kanë thënë se nuk u jepet pushim asnjëherë, çdo herë 46.73 për qind, ndonjëherë kanë thënë 29.65 përqind
Te pushimi mjekësor gjendja ndryshon. Statistikat tregojnë se kur kërkojnë pushim mjekësor, punëtorëve u jepet ai, edhe pse jo në 100 për qind të rasteve. Në 60.55 përqind të rasteve kur kanë kërkuar pushim mjekësor ai u është dhënë punëtorëve, në 39.45 përqind të rasteve nuk u është dhënë.
Shumë pak qytetarë janë ankuar tek institucionet në rastet kur nuk u është dhënë pushimi mjekësor. Vetëm 2.44 përqind e tyre janë ankuar, ndërsa 97.56 përqind kanë zgjedhur të mos ankohen.
Iniciativa Kosovare për Stabilitet, ka realizuar hulumtimin “Kushtet e punës në Kosovë’ për vitin 2022, që e kishte bërë për Departamentin e Punës në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve. Nga 1200 të anketuar në sektorin privat, 33.5% kanë konfirmuar se nuk kanë pushuar kurrë as në festat zyrtare (prej tyre 43.1% gra dhe 29.1% burra). 33,1% e të anketuarve e kanë pranuar vetë se nuk kanë gëzuar asnjëherë të drejtën e pushimit vjetor, ku ndër arsyet kryesore kanë qenë mos ofrimi nga punëdhënësi me 5.8%, imponimi i periudhës së marrjes së pushimit nga punëdhënësi e që në shumë raste punëtorët zgjedhin të mos shkojnë në pushim fare me 3,5% dhe 23.8% nuk kanë kërkuar pushim fare.
Shtypjet sistematike në tregun e punës shtresohen më shumë te gratë. Sa i përket pjesës së pushimeve, 11.9% e grave e kanë pranuar se nuk kanë pasur pushim të lehonisë fare. Ndërsa 4.8% e kanë përdorur pushimin e lehonisë vetëm 3 muaj dhe jo 6 muaj sa i takon me ligj.
3.8% e punëtorëve konfirmojnë se punojnë 7 ditë në javë pa asnjë ditë pushimi, kurse 56.1% punojnë 6 ditë në javë. Kjo lë të nënkuptohet se më shumë se gjysma e punëtorëve në sektorin privat punojnë më tepër se sa orët e parapara me ligj. Për më tepër ligji precizon edhe pagesën për punën jashtë orarit e që 56.7% e të anketuarve konfirmojnë se ata nuk kompensohen për orët shtesë të punës.
Sa i përket pushimit shëndetësor, Kosova ka shumë sfida në këtë aspekt sipas IKS, pasiqë ditët e lejuara me ligj janë 20 ditë pune. Në shumë raste të ndërhyrjeve apo sëmundjeve që kërkojnë kohë rikuperimi më të gjatë, punëtorët mbesin me shpenzime financiare për shërim dhe pa mbulim të pagës mujore nga vendi i punës. Nga hulumtimi në terren, 44 % e të anketuarve deklarojnë se pushimi shëndetësor nuk është mbuluar fare as për ditët e garantuara me ligj.
Sipas Jusuf Azemit, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Kosovës, nuk ka asnjë indikacion që gjendja e punëtorëve të sektorit privat po ndryshon. Ai thotë se punëtorëve në të shumtën e rasteve nuk po ju paguhen shtesat për punën gjatë vikendeve dhe gjatë natës. Por, shumë prej tyre, sipas tij, nuk e gëzojnë të drejtën e pushimit vjetor prej 4 javëve.
Inspektorati i Punës përveç inspektimeve që i realizon bën edhe mbikëqyrjen e zbatimit të pushimeve.
“Në rastet kur konstatohet se ato nuk janë respektuar, Inspektorati Punës shqipton masën ndëshkimore”, thuhet në përgjigjen e IP-së.
Zgjidhje ndryshimi i ligjit dhe zbatimi i tij
Kosova mbetet treg me dallim të theksueshëm në trajtimin e punëtorëve në mes sektorit privat dhe atij publik. Derisa pushimet konsiderohen nga punëtorët në shumicën e rasteve si pushimet vjetore dhe shëndetësore, punëtorët kosovarë kanë probleme edhe me respektimin e ditëve të pushimit gjatë javës e veçmas vikendin, si dhe punën jashtë orarit.
Pushimet zakonisht imponohen nga punëdhënësit dhe në këtë aspekt më problematiku mbetet pushimi vjetor. Organizatat që merren me të drejtat e punëtorëve dhe Sindikata e Sektorit Privat në vazhdimësi kanë ngritur si çështje të drejtën e punëtorëve për pushime ashtu siç parashihen me Ligjin e Punës. Kjo ka ardhur pas disa hulumtimeve edhe të opinionit publik mbi të drejtën e punëtorëve për pushime.
Ligji i Punës në Kosovë nuk është amandamentuar që nga viti 2010. Edhe Raporti i Progresit apo raporti për vendet ka dhënë sugjerime që ky ligj duhet të ketë disa dispozita shtesë, më emergjentja mbetet pjesa e lehonisë.
Brikena Berisha përmend disa nga sfidat në implementimin e ligjit siç është tani. Ajo thotë se pjesa më problematike mbetet pushimi i lehonisë. Edhe pjesët tjera të pushimeve sipas saj janë të rregulluara me ligj, por çalojnë në implementim.
Kjo duhet të fokusohet veçmas në angazhimin e institucioneve në fushata ndërgjegjësuese për pushimet vjetore me pagesë, pushimet gjatë javës dhe kompensimet shtesë.
Brikena Berisha, IKS
Duke marrë parasysh orët e gjata të punës të cilat tejkalojnë maksimumin e lejuar me Ligjin e Punës, Ministria përgjegjëse sipas saj që në këtë rast është Ministra e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Inspektorati i Punës duhet të ndërmarrin veprime për të informuar punëtorët dhe punëdhënësit për të drejtat e tyre të garantuara nga ligji.
“Kjo duhet të fokusohet veçmas në angazhimin e institucioneve në fushata ndërgjegjësuese për pushimet vjetore me pagesë, pushimet gjatë javës dhe kompensimet shtesë. Përveç që do të rriste efikasitetin e punës së tyre, kjo do të ndikonte edhe në rritjen e numrin e ankesave të paraqitura në Inspektoratin e Punës. Për më tepër, një fuqi punëtore më e informuar mund të rrisë kërkesën për llogaridhënie nga punëdhënësit.”, thotë ajo.
Berisha përmend edhe një fakt tjetër që shkon drejt përmirësimit të kushteve të punës për punëtorët. Ajo thotë se Kosova ende nuk ka një listë të sëmundjeve profesionale. Krijimi i një liste do të zgjidhte shumë probleme pasiqë sëmundjet profesionale janë shumë të shprehura dhe janë ‘vrasësit e ngadalshëm’ të punëtorëve.
“Përcjellja e tyre do të mundësonte lëvizjen e punëtorëve në departamente të cilat janë të përshtatshme me sëmundjen kronike, apo edhe lirimin nga puna në rast se sëmundja pamundëson veprimtarinë e rregullt të punës”.
Të gjitha sugjerimet nga shoqëria civile kërkojnë para shtesë. Kosova nuk ka ende një fond për sigurime shoqërore dhe është i vetmi vend në rajon. Kjo do të ishte një mjet financimi për punëtorët e Kosovës, veçmas ata të sektorit privat.
“Me kontribuime të përmuajshme nga punëtorët aktualë, ky fond do të mund të përdorej në mbulimin e kostove të pushimit të lehonisë, pushimeve të zgjatura shëndetësore, pagesë për pensionimi i hershëm për shkak të sëmundjeve profesionale dhe shumë arsye të tjera. Mungesa e këtij fondi për më tepër ka krijuar hapësirë që punëtori kosovar të jetë nën mëshirën e punëdhënësit dhe dinjiteti i tij të varet në vullnetin e kompanisë ku punon”, thotë Berisha.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pasi ka përmendur sektorët ku ka më së shumti shkelje të drejtave të punëtorëve ku hynë edhe e drejta për pushim thotë se kjo çështje do të zgjidhet më inspektime më të rregullta.
Inspektorati i Punës, thotë se situata është përmirësuar pasi është shtuar numri i inspektorëve.
“Me rritjen e numrit të Inspektorëve të Punës, është rritur edhe numri i inspektimeve, që ndikon në rritjen e mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit nga marrëdhënia e punës duke përfshirë këtu edhe pushimet e të punësuarve”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Shpresa ndërkaq mendon që kushtet e punëtorëve sidomos të atyre që nuk janë shumë të kualifikuar nuk do të ndryshojnë edhe nëse Kosova do të ketë mungesë të fuqisë punëtore në rast të daljes së tyre jashtë vendit për të punuar.
Ajo thotë se qasja ka ndryshuar për punëtorët që janë të domosdoshëm për bizneset, por jo për ata që mund të gjinden apo zëvendësohen më lehtë.
*Shënim: Emrat e punëtorëve të përmendur në këtë artikull janë ndryshuar, me kërkesën e tyre që të mbesin anonim