English
Scroll top

Multi-profesorët

Një pjesë e profesorëve që ligjërojnë në kolegjet private në Kosovë kanë lidhje me partitë politike. Vazhdimisht kemi parë profesorë që i janë bashkuar partive politike, ndërkaq kanë marrë pozita të ndryshme publike dhe njëkohësisht kanë vazhduar mësimdhënien. E njëjta gjë është evidentuar edhe në universitetet publike. Angazhimet e shumëfishta të profesorëve ndikojnë në cilësinë e studimeve

Prishtinë, 05 Tetor 2023

Inkuadrimi në parti politike është bërë joshës për kategori të ndryshme shoqërore. Perceptimi se të jesh politikan, në një parti politike është një privilegj, ka ndikuar që një pjesë e njerëzve t’i bashkohen këtyre partive. Fakti që partitë politike kur vijnë në pushtet kanë shpërfaqur ndikim në punësimin e anëtarëve dhe aktivistëve në pozicione të ndryshme, mund të ketë ndikuar që edhe profesorët të kenë dëshirë të bëhen pjesë e tyre. Kjo është vërejtur edhe në arsimin e lartë publik, por edhe privat. Ka shumë profesorë që kanë kaluar nga politika në mësimdhënie, por edhe të tillë që kanë kaluar nga mësimdhënia në parti politike.

Ndër vite është raportuar për shumë ministra e zyrtarë publikë që mbanin disa punë e një ndër to edhe punën si profesor. Ndërkaq raporte të ndryshme të monitorimit theksonin se këta profesorë mungonin më së shumti në ligjërata, por merrnin pagën e plotë dhe nuk merrej asnjë masë ndëshkuese ndaj tyre.

Shiko Gazetën #B-31

Preportr ndër vite ka realizuar hulumtime lidhur me këtë dukuri dhe ka publikuar të dhëna lidhur me profesorët që punojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe që janë pjesë e partive politike.

Në këtë hulumtim sipas metodologjisë së njëjtë janë nxjerrë të dhëna për profesorët të cilët punojnë në kolegjet private në Kosovë dhe që kanë lidhje direkte me partitë politike.

Prej 379 profesorëve të rregullt, të asocuar dhe profesorë asistentëve, 47 kanë lidhje me partitë politike.:13 me PDK-në, 11 me LDK-në, 8 me AAK-në dhe LVV-në, 2 me AKR-në, 2 me NISMA-n për Kosovën, 1 nga PShDK dhe SDA, si dhe 1 LDDK-LVV.

Nga numri prej 47 profesorëve që kanë lidhje me partitë politike, 41 janë burra, ndërkaq 6 janë gra.

Kolegji UBT ka më së shumti profesorë, gjegjësisht 22, të cilët kanë lidhje me partitë politike, më pas vjen kolegji AAB me 14 profesorë, e me radhë.

Posti i profesorit siç duket është i lakmueshëm edhe për ata që punojnë në institucionet e drejtësisë. Disa nga prokurorët dhe gjykatësit kanë “gjetur kohë” që të jenë pjesë edhe e jetës akademike.
Preportr ka shikuar te regjistrat e deklarimit të pasurisë për vitin 2022 të publikuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që e deklarojnë pasurinë. Në bazë të këtyre të dhënave rezulton se tetë prokurorë dhe gjykatës punojnë si ligjërues në institucione private të arsimit të lartë.

Tre prokurorë punojnë në kolegjin Biznesi, ndërsa një kryeprokuror në prokurorinë themelore, në Universitetin Publik “Haxhi Zeka”. Dy gjyqtarë punojnë në kolegjin UBT, ndërsa një tjetër në kolegjin AAB. Në këtë kolegj punon si ligjërues edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjithashtu një numër i konsideruar i stafit akademik, duke përfshirë edhe universitetet publike janë të angazhuar në më shumë se një universitet/kolegj.

Nga 2835 persona të angazhuar si staf akademik duke përfshirë të gjitha pozitat, 127 prej tyre janë të angazhuar në më shumë se një institucion arsimor.

51 prej tyre janë të angazhuar në dy universitete publike. 45 të tjerë kanë si institucion primar një universitet publik, ndërsa si sekondar një kolegj/universitet privat. 29 të tjerë kanë si institucion primar një kolegj privat, ndërsa si sekondar një universitet publik.
Një profesor është i angazhuar në 3 universitete, përkatësisht kolegje, angazhim primar në publik, një sekondar në universitet publik dhe një në privat dhe një profesor tjetër e ka si institucion primar një kolegj privat dhe dy të tjera si sekondare në universitete publike.

Lidhur me këtë çështje më në fund Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës me 28 korrik ka vendosur që t’ua ndalojë profesorëve që janë nën ombrellën e UP-së të mbajnë mësim edhe në kolegje private.

“Nuk lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje/institucione private të arsimit të lartë, përfshirë edhe deklarimin në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen në çfarëdo forme të kolegjit/institucionit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional”, thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së.

Ndikimi në cilësi

Dibran Hoxha nga organizata ORCA thotë se profesorët të cilët kanë angazhime në universitete publike dhe preferojnë apo kanë angazhime partiake dhe poste në institucione shtetërore, në vetvete nuk paraqet ndonjë problem sikur këta profesorë të kishin angazhim primar de facto dhe de jure angazhimin në universitet, porse marrë parasysh ankesat e shumë studentëve se profesorët (sidomos ata që kanë këso lloj angazhimesh) nuk i respektojnë obligimet që ata kanë ndaj universiteteve përkatëse, ky fakt e bën problematik fenomenin e multi-punësimeve të profesorëve, në rrafshin më të thjeshtë mos ushtrimi i dy apo më shumë pozitave publike, i bie abuzim i shumëfishtë i parasë publike.

Hoxha thotë se në radhët e kolegjeve private këta profesorë kanë detyrim ndaj atij institucioni privat, e cila nuk do duhej të izolohej vetëm në përgjegjësinë kontraktuale që e kanë profesorët me kolegjet përkatëse, por se mungesa potenciale e tyre sa e ndikon cilësinë në këto kolegje, andaj për këtë arsye Agjencia e Akreditimit në Kosovë do të duhej të shfrytëzonte mekanizma shtesë për monitorimin e këtyre angazhimeve të profesorëve në kolegje private apo universitete, angazhime të deklaruara shpeshherë si të rregullta por në realitet me mungesa të shpeshta në vendet e tyre të punës.

Meqë shpeshherë profesorët që kanë këto dy lloj angazhimesh u kushtojnë më shumë kohë dhe energji pozitave publike në parti, kuvend, ministri etj., atëherë kjo me automatizëm reflektohet në performancën e tyre si mësimdhënës

Dibran Hoxha, Orca

“Meqë shpeshherë profesorët që kanë këto dy lloj angazhimesh u kushtojnë më shumë kohë dhe energji pozitave publike në parti, kuvend, ministri etj., atëherë kjo me automatizëm reflektohet në performancën e tyre si mësimdhënës”, thotë Hoxha.

Ai thotë se sipas pohimeve të shumë studentëve, mungesa e profesorëve në ligjërata, konsultime apo provime zëvendësohet prej asistentëve të tyre që do të thotë se i gjithë procesi mësimor shoqërohet me një sërë parregullsish, ngase profesori mungon ose edhe kur shkon në ligjëratë nuk e përmbush minimumin e minutazhës, ndërkaq, asistenti/ja kur e zëvendëson nuk e ka përgatitjen e duhur akademike.

Sipas tij, fakti që ka profesorë që punojnë në më shumë se një kolegj, apo që punojnë edhe në kolegje private dhe universitete publike ndikon rrënjësisht në cilësinë e mësimdhënies për shkak të moskoncentirimit të kohës dhe energjive apo mosmenaxhimit të duhur të tyre në angazhimet respektive.

Rregullimi ligjor

Në vitin 2021 profesorët që kanë marrë pozita janë detyruar të vendosin në mes pozitës së profesorit dhe atë të deputetit apo pozitave të tjera respektive. Dymbëdhjetë raste të cilat janë identifikuar kanë përzgjedhur që të mbajnë pozitën në të cilën janë zgjedhur (atë të deputetit) duke e pezulluar punën në UP.

Dibran Hoxha thotë se aktualisht ligji për zyrtarët publikë është ndryshuar/plotësuar në dëm të cilësisë në universitete dhe në favor të deputetëve që kanë këto angazhime. Ai thotë se kjo iniciativë është ndërmarrë me urgjencë duke kaluar në rend të ditës me procedurë të përshpejtuar, iniciuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dhe mbështetur nga të gjitha partitë tjera për shkak se ky ndryshim/plotësim i përshtatej të gjithëve partikularisht, ani pse e dëmtonte interesin e përgjithshëm në tërësi.

“Deri para kësaj ndërhyrje brutale me ligj, deputetët do të duhej ta pezullonin punën në universitet deri në përfundim të mandatit të tyre, pas ndryshimit të ligjit ata mund të vazhdojnë të jenë deputet dhe të vazhdojnë angazhimet e tyre akademike, sidomos procesin e avancimeve akademike, për çka edhe është ndryshuar ky ligj”, theksoi Hoxha, duke shtuar se për angazhimet e shumëfishta të një personi brenda Institucioneve të Arsimit të Lartë, mbetet në diskrecionin e Agjencisë së Akreditimit që të shtojë mekanizma që ruajnë dhe forcojnë cilësinë në këto institucione përmes kufizimeve që tashmë u përmendën më lartë në njërën anë dhe monitorimeve rigoroze për angazhimet e deklaruara të profesorëve në IAL në anën tjetër.

Hoxha thotë se ka indikacione të shtuara që profesorë me angazhim të plotë në universitete publike dhe angazhim të pjesshëm në kolegje private shpeshherë lobojnë në favor të kolegjeve private madje duke tentuar të ndikojnë edhe në Agjencinë e Akreditimit përmes presioneve direkte në Agjenci.

Kemi raste kur profesorët nga universitetet publike, me orar të plotë, punojnë për kolegje private me orar të pjesshëm

Naim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Akreditimit

Naim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), nuk ka komentuar lidhur me këtë çështje, por ai ka thënë se sipas legjislacionit në fuqi, një staf akademik ka të drejtë të angazhohet si me orar të plotë vetëm në një institucion të arsimit të lartë. Ai thotë se përmes platformës E-Akreditimi, AKA e zbaton këtë kriter me shumë rigorozitet.

“Përveç kësaj, ne obligojmë stafin akademik që të nënshkruajë një deklaratë nën betim, ku ai deklarohet se është me orar të plotë vetëm në një institucion. (shih shabllonin bashkëngjitur). Siç jeni në dijeni, deklarimi i rrejshëm nën betim përbën vepër penale. Gjatë këtij viti ne kemi identifikuar një rast të tillë dhe menjëherë e kemi dërguar lëndën në polici”, thotë Gashi.

Ai ka thënë se në rastet ku AKA e identifikon një rast të tillë, ai person me automatizëm largohet nga lista e bartësve të programeve akademike. Nëse nuk është bartës i programeve, por vetëm profesor me orar të plotë, ai duhet të zëvendësohet brenda 90 ditëve.

“Kemi raste kur profesorët nga universitetet publike, me orar të plotë, punojnë për kolegje private me orar të pjesshëm. Ne nuk kemi ndonjë mundësi ligjore për pamundësimin e tyre, sepse institucionet e arsimit të lartë janë të lira të angazhojnë staf me orar të pjesshëm”, thotë ai.

Të dhënat ndër vite

Preportr pati realizuar një hulumtim të gjerë në vitin 2016 ku përfshiheshin të gjitha fakultetet e UP-së, për të parë shtrirjen e politikës në universitet.

Gjatë këtij hulumtimi ka rezultuar se një numër i madh i profesorëve universitarë që mbajnë apo kanë mbajtur pozita të rëndësishme politike në vend, duke filluar prej presidentit e kryeministrit. Ekipi hulumtues ka gjurmuar dhe konfirmuar të dhëna për profesorët që punojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Të dhënat tregojnë se 70 profesorë kanë qenë apo janë ende pjesë e politikës, nga ta: 33 janë të PDK-së, 20 të LDK-së, 9 të VV-së, 6 të AAK- së, 2 të AKR-së.

Në një hulumtim tjetër ku ishte përfshirë periudha 2017-2021, Preportr ka identifikuar edhe 10 profesorë që i janë bashkuar politikës, pesë prej tyre të LVV-së, 3 të PDK-së dhe 2 të AAK-së.

Ndërkaq, në universitetet e tjera publike, atë të Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Mitrovicës, dhe Ferizajt, Preportr ka gjetur se në periudhën 2017-2021, në pozitat udhëheqëse në këto universitete janë përzgjedhur nëntë persona me prapavijë partiake. Prej këtyre personave 3 janë nga PDK, 2 nga AAK, 2 nga LDK dhe nga një nga NISMA dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Prej të nëntë të identifikuarve, një prej tyre mbanë pozitën e rektorit, dy të prorektorëve, dy të dekanëve, tre anëtarë dhe një kryesues të Këshillit Drejtues.