Prishtinë, 07 Shkurt 2019
I akuzuar për rreth tetë vite për krime lufte gjatë vitit 1999, Fatmir Limaj, ka vendosur që të vazhdojë përballjen për drejtësi. Në vitin 2016 pasi ishte shpallur i pafajshëm në rastin e njohur si “Kleçka”– Limaj ka kërkuar kompensim për dëmet që i janë shkaktuar si rezultat i privimit nga liria.
Vërtetimi i pafajësisë pas përballjes së tij tri herë radhazi me sistemin e drejtësisë, ka bërë që Limaj në vitin 2016 të kërkojë kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK ), saktësisht 6 milionë e 987 mijë e 314 euro.
I njohur si ish-komandant “Çeliku”, Limaj nuk u nda i kënaqur me vendimin e KGJK-së të vitit 2017 ku ky institucion kishte ofruar vlerën prej 7 mijë e 305 euro si kompensim për pafajësinë e tij. Shuma e ofruar nga KGJK, nuk arrinte as një përqindëshin nga shuma prej afër shtatë milionë euro që kishte kërkuar Limaj.
Menjëherë pasi mori këtë ofertë, ai se bashku me avokatin e tij Tahir Rrecaj, e kishin refuzuar duke e quajtur ofertë simbolike dhe kishin paralajmëruar padi civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kompensim të dëmit.
"Më 20 mars 2016, Komisioni për Kompensim dëmi ka shqyrtuar kërkesën e z.Limaj ku ka vendosur që për paraburgim pa bazë ligjore ti kompensohet shuma prej 1,425.00 euro, ndërsa për arrest shtëpiak shuma prej 5,760.00 euro. Përfaqësuesi i autorizuar i z.Limaj nuk e ka pranuar këtë shumë duke theksuar se do të shkojë në kontest civil për ta realizuar këtë kërkesë", ka thënë Astrit Hoti i cili është drejtor pranë Departamentit Ligjor në KGJK.
Preportr ka kërkuar të intervistojë Limajn për të marrë më shumë detaje dhe për të parë se a ka ndodhur ndonjë zhvillim për rastin e tij, por ky i fundit nuk është përgjigjur.
Udhëzimi që rregullon kompensimet- i padrejtë
Përveç Limajt, sipas të dhënave të KGJK-së janë edhe rreth 150 qytetarë të Kosovës që brenda vitit kërkojnë kompensim nga shteti për proceset e padrejta gjyqësore ndaj tyre.
Shteti i Kosovës nuk ka arritur të garantojë kompensim të drejtë për qytetarët që shpallën të pafajshëm. Pavarësisht që kjo e drejtë është e garantuar me kushtetutë dhe me ligjet përkatëse, shuma që shteti ndan për të kompensuar qytetarët e pafajshëm është shumë e vogël.
"Deri më tani për këtë kategori nga Qeveria janë ndarë nga 250,000 euro, shumë kjo e cila në vitet e fundit përkatësisht për vitin 2018 ka shkuar deri në 463,353.24 euro sipas kërkesës së KGJK-së për të shtuar këtë shumë", ka thënë Hoti për Preportr.
Sipas avokatit Kujtim Kerveshi "mjetet të cilat ndodhen në dispozicion për kompensimin e rasteve të tilla nuk mbulojnë as përafërsisht përqindjen e mjeteve të cilat duhet të kompensojnë gjithë demin që shkaktojnë institucionet tona në rastet e tilla".
Kriteret për kompensim për të dënuarit apo të arrestuarit të cilët janë shpallur të pafajshëm, janë të caktuara në Udhëzimin Administrativ 04 /2015. Kompensimi për një ditë për dëmin material është 9 euro, për dëmin jomaterial 6 euro, për pako dhe vizita familjare për një muaj 50 euro, kurse për përfaqësues të autorizuar (avokat), nëse e kanë një të tillë, i marrin 120 euro. E njëjta vlen për arrest shtëpiak, porse në këto raste nuk paguhen pakot dhe vizitat familjare.
Njohësit e të drejtave të njeriut dhe juristët vlerësojnë se ky udhëzim është diskriminues për shkak se trajton/kompenson të gjitha palët njëjtë pavarësisht rasteve për të cilat ishin të akuzuar.
Në shumicën e vendeve të tjera e drejta për kompensim trajtohet në domenin e të drejtës civile si procedurë e veçantë, ku pala e cila konsideron që i është bërë e ndonjë padrejtësi nga sistemi i drejtësisë ka të drejtë të bëjë kërkesë ndaj shtetit për kompensim.
Sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari kjo mënyrë e rregullimit të së drejtës për kompensim nuk është e duhura.
"Për një periudhë të gjatë UNMIK-u në Kosovë ka përcaktuar një standard, një vlerë kompensimi, që për mendimin tim është qasje e gabuar sepse vlerësimi ka qenë linear, për të gjithë i njëjtë. Nuk është standard që aplikohet në vende të tjera. Nuk mundesh në dy raste me përdorë shumën e njëjtë të kompensimit sepse llogaritën shumë gjëra. Asnjë person nuk është në pozicion të njëjtë", ka thënë Jashari.
Edhe avokati Kerveshi ka thënë për Preportr se rregullimi ligjor i kompensimit të rasteve të tilla është i rregulluar vetëm përgjithësisht dhe si i tillë është krejtësisht i pa qëndrueshëm dhe i pa drejtë.
"Këtë konstatim e bazoj në faktin se palët mund të kenë të kaluar të ndryshme, mund të vijnë nga profesione të ndryshme, gjendje të ndryshme sociale dhe pozitë tjetër shoqërore. Konideroj se kompensimi është shumë i ulët, e në veçanti është i ulët për palët të cilët si pasojë e kufizimit të lirisë së tyre kanë pësuar dëm jashtëzakonisht të madh. Të tilla raste ekzistojnë në Kosovë dhe sa vijnë dhe shtohen", shton Kerveshi.
Zvarritja e lëndëve, shkelje e të drejtave të njeriut
Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë që përveç kërkesës për kompensim në KGJK, nëse nuk janë të kënaqur me vendimin e këtij të fundit, të bëjnë kërkesëpadi për kompensim në Gjykatën kompetente.
Pavarësisht që kjo e drejtë ekziston formalisht, pak prej tyre e kanë ushtruar. Në një hulumtim paraprak të Preportr thuhet se për herë të parë në vitin 2018 , ndonëse kërkesëpadia ishte bërë vite më parë, një palë e dëmtuar e ka fituar rastin në gjykatë në të gjitha shkallët, dhe në emër të kompensimit ka marrë 38 mijë euro që i bjen gati 10 për qind të shumës totale që e ka Këshilli Gjyqësor i Kosovës për kompensim.
Duke parë zvarritjen e lëndëve në përgjithësi nga sistemi i drejtësisë në vend, qytetarët e shpallur të pafajshëm, më përpara pranojnë që të arrijnë marrëveshje me KGJK-në për kompensim, sesa të bëjnë padi civile dhe të rrezikojnë që lënda e tyre ose të shqyrtohet pas shumë vitesh ose të parashkruhet. Rrjedhimisht ata marrin kompensime minimale për pafajësinë e tyre.
Në Kosovë mungon një mekanizëm i brendshëm ligjor, nëpërmes të cilit qytetarët të cilëve u është shkelur e drejta në një gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor, në kuptim të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), do të mund të kërkonin kompensim për shkak të shkeljes së kësaj të drejte.
Nuk mundesh në dy raste me përdorë shumën e njëjtë të kompensimit. Asnjë person nuk është në pozicion të njëjtë.
Hilmi Jashari, Avokat i Popullit
Sipas Avokatit të Popullit, zvarritja e lëndëve shkel Kushtetutën e Kosovës që garanton të drejtën për gjykim të drejtë brenda një afati të caktuar kohor.
"Në raportet tona të vitit të kaluar kemi përmendur se mesatarja për të përfunduar një lëndë në Kosovë është 8.5 vjet e që sipas standardeve të Konventës Evropiane konsiderohet zvarritje e procedurës, shkelje e nenit 6, për shkak se shteti duhet të sigurojë zgjidhje efektive brenda afatit sa më të shkurtër kohor", ka thënë Jashari, duke shtuar se "veç për faktin që u është zvarritur procedura 8 vjet e gjysmë, Gjykata Evropiane e Strasburgut i ka obliguar shtetet që janë nënshkruese të konventës t'i kompensojnë qytetarët sepse ua ka shkelë të drejtën për gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm kohor".
Duhet kujtuar se vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) përcaktojnë qartë se çdo shtet, jo vetëm se ka obligime negative të mos i shkelë të drejtat e përcaktuara në Konventë, por ka edhe obligime pozitive të mbrojë këto të drejta nga rreziku i shkeljes nga persona të tjerë.
Në raportin e fundit të institucionit të Avokatit të Popullit thuhet se gjykatat vazhdojnë të ballafaqohen me numër të konsiderueshëm të lëndëve të vjetra që vazhdojnë të mbesin ende të pazgjidhura, dhe numri i përgjithshëm i lëndëve civile nuk është reduktuar, por është vazhdimisht në rritje.
"Si rezultat i numrit të madh të lëndëve civile nëpër gjykata themelore, qytetarët detyrohen të presin periudha të gjata kohore për t'iu shqyrtuar e finalizuar lënda. Njëkohësisht, është shqetësues fakti se trendi i lëndëve që mbeten të pazgjidhura nga viti në vit është vazhdimisht në rritje, dhe nëse nuk ndërmerren masa për ta përmirësuar këtë gjendje, atëherë gjyqësori mund të shkojë drejt kolapsit", thuhet në raport.
Jashari vlerëson se ekziston problem i madh me legjislacionin në Kosovë sa i përket raportit të barabartë mes qytetarëve dhe shtetit.
"Pjesa më e madhe ligjeve janë të natyrës "shteti duhet të sigurojë këtë apo atë të drejtë për qytetarët" mirëpo nuk ka askund ndonjë dispozitë ndëshkimore nëse shteti nuk arrin të sigurojë apo garantojë atë të drejtë. Sikur të kishim dispozita ndëshkimorë do të hapej porta që shteti të mbahet i përgjegjshëm dhe llogaridhënës ", ka thënë Jashari.
Ndërsa sipas avokatit Kujtim Kerveshi çështja e kompensimit do të marrë vëmendjen e duhur me kohë e sidomos pasi procesi i integrimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të avancojë.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK