English
Scroll top

Dëmi i pakompensueshëm

Për shkak aktakuzave të pabazuara dhe vendimeve gjyqësore të kontestuara, qindra qytetarë të Kosovës janë privuar nga liria. Disa nga ta po kërkojnë kompensim financiar për dëmin që u është shkaktuar. Ata kanë kërkuar shuma të mëdha të parave, derisa buxheti i KGJK-së është i limituar. Disa i janë drejtuar edhe gjykatave për të kërkuar të drejtën e tyre dhe shteti mund të humbë miliona euro për shkak të gabimeve të prokurorëve dhe gjykatësve

Prishtinë, 25 Janar 2019

Muhamet Çertik sapo kishte pirë kafe në qytetin e Prizrenit dhe po kthehej në shtëpi, kur i telefonoi nëna dhe i tha se po e kërkonte policia. Ai i befasuar nga kjo “vizitë” e papritur në shtëpinë e tij në Prizren, kishte shkuar menjëherë në stacionin e policisë. Më të mbërritur aty, atij i ishin vënë prangat dhe i kishin thënë se ishte i dyshuar për një vjedhje të armatosur në një nga barnatoret e qytetit.

Ai thotë se policia nuk ishte sjellë mirë me të derisa e kishin marrë në pyetje.

“Më kanë maltretuar, më kanë rrahë shumë, sa e kam kërkuar ndihmën e mjekut”, thotë Muhameti.

Sipas tij, në stacionin e policisë ia kishin treguar xhirimin e kamerës ku kishte ndodhur vjedhja dhe e kishin pyetur se a ishte ai personi që shihej në xhirim. Muhameti kishte mohuar të ketë qenë në atë kohë në atë barnatore. Për më tepër ai thotë se në video nuk shihej fare fytyra e personit që e kishte kryer vjedhjen, por policisë i ishte dukur se e kishte ecjen dhe vrapimin e njëjtë me personin që është kapur nga kamerat e barnatores.

Muhameti tregon për Preportr se në stacionin e policisë ndërkohë kishte ardhur punëtorja e barnatores dhe kishte deklaruar se ai ishte personi që e kishte kryer vjedhjen nën kërcënimin e armës.

“Por ata më kanë vendosë vetëm mua në zyre që ajo të më identifikonte. Nuk ka pasë persona të tjerë, se ndoshta kish thënë për dike tjetër”, thotë ai.

Pas identifikimit që ia kishte bërë punëtorja, atij i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila i kishte zgjatur tetë muaj, pra deri në përfundimin e gjithë procesit gjyqësor. Ai kishte qëndruar në paraburgim në Prizren nga 21 shtatori i vitit 2016 deri me 19 maj 2017.

Muhameti kishte angazhuar një avokat dhe gjatë procesit të hetimeve doli se nuk kishte fakte se ai ishte autor i vjedhjes së armatosur dhe si rrjedhojë u lirua me vendim të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ai e ka mirëpritur vendimin, por thotë se ka qenë i vonuar dhe se kjo vonesë atij i ka shkaktuar shumë vuajtje.

Muhameti tregon se gjatë kohës sa është mbajtur në paraburgim, ai ka qëndruar në një qeli me tre persona të tjerë. Sipas tij, dy “shokët” e tij të qelisë ishin aty për shkak të vrasjeve të rënda, ndërsa i treti për shkak të kontrabandës me narkotikë. Qëndrimi për tetë muaj në një qeli me të dyshuarit e tjerë, thotë të ketë qenë i vështirë, pasi që nuk përshtatej aspak me ta.

Muhameti është 29-vjeçar dhe jeton me fëmijët e tij, nënën dhe motrën. Ai thotë se është kryefamiljar dhe se mbajtja në paraburgim i ka shkaktuar vuajtje edhe familjes së tij, pasi që e kanë përjetuar rëndë emocionalisht, por edhe kanë vuajtur për mbijetesë.

Për shkak të këtij paraburgimi Muhameti është ndarë me bashkëshorten, sepse sipas tij, edhe ajo ka menduar se ai e ka kryer veprën, duke marrë për bazë faktin se po mbahej disa muaj në paraburgim.

Muhamet Çertik/Foto: Besnik Boletini

Përveç se e ka përjetuar rëndë faktin se po qëndron në paraburgim si i pafajshëm, ai thotë se ka vuajtur shumë për vajzën 9-vjeçare dhe djalin 7-vjeçar.

“Gjatë qëndrimit prej tetë muajve në burg, vetëm njëherë i kam taku fëmijët. Nuk i kam thënë të vijnë më për vizitë, sepse ka qenë e rëndë dhe shumë emocionale për mua t’i takoj fëmijët në burg”, thotë ai.

Muhameti që e ka të kryer vetëm shkollën fillore, thotë se para se ta burgosin ka punuar kohë pas kohë kudo që ka gjetur punë.

“Aktualisht nuk jam duke punuar. Ende nuk po mund të vij në vete pas burgut që e kam mbajtë”, thotë ai.

Në anën tjetër thotë se mbajtja e tij për tetë muaj në paraburgim ia ka prishur edhe imazhin në rrethin ku jeton dhe se i duket se të tjerët po e shohin si kriminel. E kjo thotë se mund t’ia vështirësojë edhe më shumë gjetjen e një vendi të punës.

Duke marrë parasysh se është shpallur i pafajshëm, avokati i tij Gent Gjini ka bërë kërkesë pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensim financiar. Për shkak të privimit nga liria, vuajtjeve shpirtërore dhe shpenzimeve të tjera, ai ka kërkuar kompensim prej 12 mijë e 500 eurove.

“Me i thanë shtetit të Kosovës kthemi ato tetë muaj jetë, unë nuk t’i dua as 400 mijë euro, jo katër mijë”.

Muhamet Çertik

Pas shqyrtimit të rastit, KGJK-ja ka arritur marrëveshje me avokatin për ta kompensuar palën e tij me 4 mijë e 135 euro.

Muhameti thotë se kjo shumë nuk i ka mjaftuar as sa një çerek të asaj që ka vuajtur gjatë qëndrimit në paraburgim.

“Me i thanë shtetit të Kosovës kthemi ato tetë muaj jetë, unë nuk t’i dua as 400 mijë euro, jo katër mijë”, thotë ai.

Avokati Gjini ka thënë për Preportr se klienti i tij është kompensuar vetëm për ditët e qëndrimit në paraburgim. “Vuajtjet shpirtërore nuk janë llogaritur fare”, thotë Gjini.

Gjini thotë se në marrëveshjen për kompensim me KGJK-në, është cekur edhe një klauzolë, e cila thotë se pala e pakënaqur nuk do të mund të ngre padi për këtë çështje. Pala mbrojtjëse këtë klauzolë konsideron të padrejtë.

Aktakuza të pabazuara

Prokurorët shpesh kanë bërë aktakuza të pabazuara të cilat janë hedhur poshtë nga gjykatat. Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Këshillin Prokurorial i Kosovës, që nga viti 2014 ka pasur rritje të aktakuzave të hedhura poshtë nga gjykatat. Rritja më e madhe ka ndodhur në vitin 2016 ku janë hedhur poshtë 1 mijë e 320 aktakuza.

Numri i aktakuzave të ngritura nga prokurorët dhe të hudhura poshtë nga gjykatat:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është organi publik kompetent në lëmin e çështjeve gjyqësore, ku i dëmtuari e paraqet kërkesën për kompensim të dëmit.

Viteve të fundit ka pasur rritje të trendit të kërkesave për kompensim. Në vitin 2010 ka pasur 63 kërkesa, ndërsa në vitin 2017 numri i kërkesave ka arritur në 153. Astrit Hoti, drejtor i Njësisë për Çështje Ligjore, Analiza dhe Hulumtime në KGJK thotë se gjatë vitit 2018 janë trajtuar 138 kërkesa të tilla.

Në anën tjetër buxheti i KGJK-së është i vogël për të kompensuar shumat që kërkojnë të dëmtuarit. Në vitin 2018, buxheti për kompensimin e personave të arrestuar dhe të shpallur të pafajshëm ka qenë 350 mijë euro. Hoti thotë se për vitin 2019 është propozuar që KGJK-ja për kompensim të këtë në dispozicion 500 mijë euro.

“Paraburgimi është masa e fundit, pasi që ka edhe disa masa të tjera që janë me natyrë procedurale e të cilat një të dyshuar mund ta parandalojnë nga arratisja apo nga ndikimi në prova”.

Artan Qerkini, avokat

Avokati Artan Qerkini thotë se prokuroria dhe gjykatat duhet të kenë shumë kujdes sidomos me rastet e paraburgimit, sepse asnjë qytetar në bazë të legjislacionit aktual nuk ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim vetëm nëse është pjesë e procedurës penale, por ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim vetëm nëse është privuar nga liria.

Qerkini thotë se një nga arsyet e rritjes së kërkesave për kompensim është se prokuroria dhe gjykatat nuk kanë qenë të vëmendshme sa duhet kur e kanë dërguar një person në paraburgim apo në arrest shtëpiak.

Ai thotë se gjykatat më shumë duhet t’i aplikojnë ato masa për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por edhe për ta ruajtur buxhetin e shtetit.

“Paraburgimi është masa e fundit, pasi që ka edhe disa masa të tjera që janë me natyrë procedurale e të cilat një të dyshuar mund ta parandalojnë nga arratisja apo nga ndikimi në prova”, thotë Qerkini.

Lushtaku kërkon 1.4 milionë euro

Kompensim financiar ka kërkuar edhe Sami Lushtaku, ish-komandat i UÇK-së dhe ish-kryetar i Komunës së Skenderajt.

Ai është shpallur i pafajshëm, por para marrjes së këtij vendimi nga Gjykata Supreme, Lushtaku ka vuajtur katër vite e një muaj burgim.

Duke marrë parasysh që është shpallur i pafajshëm, avokati i tij Arianit Koci me 20 nëntor të vitit 2018, ka bërë kërkesë për marrëveshje për kompensim financiar me KGJK-në.

Në kërkesë thuhet se Lushtaku është dënuar dhe është mbajtur në burgim pa arsye, dhe kërkon kompensim në emër të dëmit material dhe jomaterial të shkaktuar si rezultat i dhimbjes, vuajtjes shpirtërore të intensitetit të lartë, cenimit të së drejtës së reputacionit dhe të drejtës së personalitetit, shpenzimeve lidhur me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, shpenzimeve për vizitat familjare, dërgimin e pakove dhe transportin për anëtarët e familjes.

Gjithashtu ishte kërkuar kompensim për detyrimet financiare ndaj avokatit për të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurën penale të zhvilluar ndaj tij.

Duke i marrë parasysh të gjitha arsyet e cekura më lart, Sami Lushtaku kërkon nga komisioni i lartpërmendur i KGJK-së kompensimin prej gjithsej 1 milion e 446 mijë e 890 euro.

Gjate gjithë procesit gjyqësor të zhvilluar ndaj Sami Lushtaku nga dita e arrestimit e deri në ditën e lirimit të tij nga të gjitha akuzat, janë mbajtur 50 seanca.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 8 nëntor 2013, pati ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Lushtaku “ka vepruar në mënyrë brutale, qëllimisht i ka marrë jetën një mashkulli të paidentifikuar të moshës rreth 40 vjeçare, duke i vënë pistoletën e llojit TT në kokën e tij, përderisa i njëjti person i kishte duart e lidhura nga dy ushtarë të paidentifikuar të UÇK-së”. I njëjti person ishte qëlluar me tri të shtëna në tokë, me ç‘rast edhe kishte ndërruar jetë, në një lokacion të papërcaktuar ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc”.

Për këtë vepër penale, Lushtaku ishte dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa është shpallur i pafajshëm për pikat e tjera të aktakuzës.

Mbrojtja e Lushtakut kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj aktgjykimit dënues dhe kjo gjykatë me 15 shtator 2016 e ka aprovuar në tërësi ankesën e mbrojtjes duke e shpallur atë të pafajshëm për veprën penale "Marrja e jetës me dashje të një personi civil të burgosur shqiptar". Por Gjykata e Apelit, duke e gjetur të bazuar ankesën e prokurorisë, e shpall fajtor Lushtakun për veprën penale "Krime lufte kundër popullatës civile" që ndërlidhet me përgjegjësinë komanduese. Tutje, mbrojtja kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme. Kjo gjykatë me 3 korrik 2017, e aprovoi ankesën e ushtruar nga mbrojtja, dhe liroi Sami Lushtakun nga të gjitha akuzat, duke e liruar atë nga paraburgimi.

play

Për shkak aktakuzave të pabazuara dhe vendimeve gjyqësore të kontestuara, qindra qytetarë të Kosovës janë privuar nga liria. Disa nga ta po kërkojnë kompensim financiar për dëmin që u është shkaktuar. Ata kanë kërkuar shuma të mëdha të parave, derisa buxheti i KGJK-së është i limituar. Disa i janë drejtuar edhe gjykatave për të kërkuar të drejtën e tyre dhe shteti mund të humbë miliona euro për shkak të gabimeve të prokurorëve dhe gjykatësve

Edhe Besim Shurdhaj ka qenë i akuzuar për krime të luftës. Ai ka qëndruar 85 ditë në paraburgim dhe 546 ditë në arrest shtëpiak.

Më 25 korrik 2011 Prokurori Special i EULEX-it ka parashtruar aktakuzë ndaj Besim Shurdhajt dhe tetë personave tjerë për krime të cilat supozohej se ishin kryer nga fillimi i vitit 1999 deri nga mesi i qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë dhe të burgosurve ushtarakë serbë në fshatin “Kleçkë” të Komunës së Lipjanit.

Më 11 dhjetor 2012, Gjykata Supreme e Kosovës anuloi Aktgjykimin dhe Aktvendimin për pranueshmërinë e provave dhe ktheu lëndën ku ishte edhe Besim Shurdhaj dhe të tjerët në rigjykim. Lëndët u ribashkuan me datën 17 shtator 2013 me Aktgjykimin e nxjerrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dhe përsëri të gjithë të pandehurit u shpallen të pafajshëm.

Pas këtij vendimi prokurori i EULEX-it ka bërë ankesë. Më 26 janar 2016, Gjykata e Apelit ka marrë aktgjykim me anë të së cilit ankesa e prokurorit është refuzuar si e pabazuar, dhe është konfirmuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës i datës 17 shtator 2013. Rrjedhimisht, aktgjykimi pas refuzimit të ankesës së PSRK-së nga Gjykata e Apelit konsiderohet i formës së prerë.

Për dënim material, përkatësisht fitimin e humbur për personat të dënuar ose të arrestuar pa arsye ligjore, nëse personat janë të papunësuar, shuma e përcaktuar e kompensimit që paguhet është 9 euro në ditë.

Artan Qerkini, avokat i Besim Shurdhajt thotë se gjatë gjithë këtij procesi të gjatë, klienti i tij është privuar nga liria dhe ka pësuar vuajtje shpirtërore dhe rënie të reputacionit si afarist.

Për këtë arsye Qerkini fillimisht ka bërë ankesë në KGJK për kompensim. Më 20 mars 2017 ka arritur marrëveshjet pjesshme me këtë institucion vetëm në lidhje me kompensimin e dëmit material - fitimin e humbur në vlerë rreth 5 mijë euro.

Ndërsa për dëmet e tjera nuk është arritur marrëveshje dhe avokati Qerkini më 24 mars 2017 ka bërë padi civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj KGJK-së, ku kërkon 300 mijë euro për klientin e tij.

Detajet dhe shuma e kompensimeve është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ për Zbatimin e Procedurës për Kompensimin e Dëmit për Personat e Dënuar ose të Arrestuar pa Arsye. Sipas këtij udhëzimi, për dënim material, përkatësisht fitimin e humbur për personat të dënuar ose të arrestuar pa arsye ligjore, nëse personat janë të papunësuar, shuma e përcaktuar e kompensimit që paguhet është 9 euro në ditë. Shuma e njëjtë u pranohet edhe personave të dënuar ose të arrestuar pa arsye nga baza e arrestit shtëpiak. Gjithashtu nëse personi përmes kontratës origjinale të punës, dëshmon lartësinë e pagës, i njëjti kompensohet në lartësinë e shumës bruto të pagës. Kompensimi përfshin shpenzimet e mbrojtjes sipas tarifës së Odës së Avokatëve të Kosovës, të cilat dëshmohen përmes procesverbaleve të seancave të zhvilluara dhe faturave të paguara përmes xhirollogarisë.

Po sipas këtij udhëzimi, në emër të kompensimit për shpenzimet e anëtarëve të familjes për vizitat e bëra personave të dënuar ose të arrestuar pa arsye, dërgimit të pakove dhe transportit për anëtarët e familjes, palët kompensohen me shumën prej 25 eurosh për një vizitë, përkatësisht me shumën maksimale prej 50 eurosh për dy vizita mujore.

Për dëmin jomaterial apo moral në emër të dhimbjeve të përjetuara psikike, shpirtërore, të frikës dhe të turpit, personi i dënuar ose i arrestuar sipas bazës së paraburgimit apo dënimit, kompensohet me 6 euro në ditë. E njëjta shumë kompensohet edhe për masën e arrestit shtëpiak.

Astrit Hoti drejtor i Njësisë për Çështje Ligjore, Analiza dhe Hulumtime në KGJK, thotë se komisioni për shqyrtimin e kërkesave mblidhet tri herë gjatë muajit dhe shqyrton 4-15 lëndë gjatë një seance.

Por Artan Qerkini thotë se Udhëzimi Administrativ i lartcekur nuk është obligativ për gjykatat, sepse ato i vlerësojnë provat sipas bindjes së tyre të lirë pasi që kjo është çështje ligjore dhe si e tillë nuk mund të rregullohet ndryshe me udhëzime administrative.

Kushtetua e Kosovës në nenin 29 e përcakton se secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. “Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj”. Ndërsa në pikën 5 të këtij neni garanton se çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.

Sipas Kodit të Procedurës Penale (neni 526), në rastet kur personat janë privuar nga liria për shkak të ndonjë aktakuze apo aktgjykimi, pasi të shpallen të pafajshëm me vendim të formës së prerë kanë kohë deri në tri vjet që të parashtrojnë kërkesë për kompensim financiar.

Po ashtu Kodi i Procedurës Penale në nenin 525 përcakton se "të drejtë në kompensim demi për dënim të paarsyeshëm e ka personi kundër të cilit është shqiptuar sanksioni penal në formë të prerë ose që është shpallur fajtor dhe është liruar nga dënimi, por që më vonë, sipas mjetit të jashtëzakonshëm juridik, procedura e rishikuar është pushuar në formë të prerë ose me aktgjykim të formës së prerë është liruar nga akuza".

Kompensimi në disproporcion me dëmet

Bexhet Shala, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), thotë se çdo vendim i gabuar gjyqësor ndikon në jetën e atij që akuzohet dhe pastaj lirohet si i pafajshëm dhe ky ndikim ka pasoja edhe tek familjarët e tyre.

Shala thotë se nëse u ndodh diçka e tillë qytetarëve në vende të zhvilluara, ata paguhen shumë, ndërsa në Kosovë pagesa është minimale dhe procedura zakonisht zgjat shumë.

“Kompensimi është në disproporcion me dëmet që i bëhen personit të caktuar”, thotë Shala.

Ai thotë se vendimet nga gjykatat merren nën presion të politikës dhe mediave. Sipas tij, kallëzimet penale, por edhe aktakuzat shpeshherë nuk ndërtohen duke u bazuar në fakte dhe për këtë arsye shpesh janë të paqëndrueshme.

Duke marrë parasysh se disa persona të akuzuar nga EULEX-i janë dënuar nga gjykata në shkallën e parë, por janë shpallur të pafajshëm në proceset e tjera gjyqësore, Shala thotë se kky mision në të shumtën e rasteve ka ngritur aktakuza të ndikuara politikisht apo në shërbim të politikës. Ai thotë se EULEX-i është përshtatur me situatën aktuale politike dhe është bërë pjesë e politikës.

Kanë krijuar aso pasoja që nuk ka mundur t’i paguajë asnjë kompensim”.

Bexhet Shala, KMLDNJ

Për këtë arsye ,sipas Shalës, kemi një vendimmarrje që u ka kushtuar shumë personave me humbje të karrierës, me degradim personal, profesional dhe familjar.

“Kanë krijuar aso pasoja që nuk ka mundur t’i paguajë asnjë kompensim”, thotë Shala.

Disa nga personat që janë privuar nga liria duke u akuzuar, ose janë dënuar dhe pas ankesave në gjykatat përkatëse janë shpallur të pafajshëm, kanë kërkuar ndihmë edhe nga KMLDNJ-ja për çështjen e kompensimit.

Behxhet Shala thotë se në vitin 2018 kanë pasur dy raste të tilla. Ai thotë se KMLDNJ-ja në këto raste e jep vetëm vlerësimin e dëmit që i është bërë personave në aspektin e shkeljes së të drejtave të njeriut. Ai thotë se në raste të tilla kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Derisa vazhdon të ketë aktakuza të pabazuara dhe vendimet gjyqësore të kontestuara dhe derisa duhet kohë e gjatë që të dyshuarit të shpallen të pafajshëm, qindra persona privohen nga liria, siç i ka ndodhur edhe prizrenasit Muhamet Çertik. Atij iu deshën tetë muaj për ta bërë sërish rrugën e njëjtë për t’u kthyer në shtëpi.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK