English
Scroll top

Komercializimi i privatësisë

Të dhënat personale të qytetarëve po përdorën në mënyrë joligjore nga kompani të shumta, të cilat përmes tyre bëjnë marketing të drejtpërdrejt duke promovuar produkte të ndryshme dhe duke përfituar. Kjo formë e marketingut është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me Ligjin për Telekomunikacionin. Zyrtarë të Agjencionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, thonë se përdormi i numrave të...

Prishtinë, 13 Korrik 2012

Me këmbëngulje kërkojnë t’i dëgjosh, duke mos e marrë parasysh nëse je në punë, apo ke ndonjë takim me rëndësi. Insistojnë për t’u takuar, për t’iu ndarë një kohë për produktin që e reklamojnë deri në acarim nervash. Këta janë agjentët e shitjes, një praktikë biznesi e filluar së voni në Kosovë, por me një ekspansion të konsiderueshëm.

Një metodë e tillë marketingu është ndjekur në vende të zhvilluara për një kohë të gjatë, por derisa në vende të ndryshme në Perëndim thirrjet janë krejt rastësore, në Kosovë këta agjentë të identifikojnë me emër, e ndonjëherë edhe me vendbanim apo vend pune. Kjo do të thotë se ata i marrin informacionet mbi individë të ndryshëm duke cenuar edhe privatësinë e tyre.

Kompani të shumta marketingu dhe kompani të sigurimeve janë duke përdorur marketing të drejtpërdrejtë përmes përdorimit të të dhënave personale të qytetarëve. Kjo marrje e të dhënave personale paraqet shkelje të Ligjit për të Dhënat Personale dhe Ligjit për Telekomunikacionin, i cili parasheh masa sanksionuese të konfiskimit të dosjeve dhe gjobitjes së kompanive në fjalë.

Praktikisht Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale vepron vetëm pasi që merr ankesa nga qytetarët, e deri më tani e ka marrë vetëm një ankesë nga një qytetar, të cilit i kishte ardhur një sms që të shkojë ta marrë kartelën bankare në njërën nga bankat në Kosovë pa aplikuar fare. Ky rast kishte ndodhur pasi që ankuesi kishte bërë një transaksion përmes bankës “TEB” dhe atij ia janë ndalur të dhënat personale, të cilat janë keqpërdorur në këtë rast për marketing. Në vendimin e vetëm të marrë në një rast individual nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale i kërkohet TEB-it që të ndalojë praktiken e përpunimit të të dhënave si dhe të asgjësojë dosjen e  ankuesit në fjalë.

Me qëllim të shmangies së keqpërdorimit të të dhënave personale Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka marrë vendime përmes së cilave i detyron operatorët e telefonisë mobile në Kosovë “Vala”, “Ipko”, “Z-Mobile” dhe “D3”, që pas verifikimit të nevojshëm të të dhënave të deklaruara gjatë regjistrimit të mos ndalin/mbajnë fotokopje të asnjë dokumenti në të cilin ka të dhëna personale. Gjithashtu ky agjencion ka marrë edhe disa vendime tjera për këta operatorë, të cilët i detyron që të krijojnë masa më të mëdha për nivelin e sigurisë, pasi që pas inspektimit të dosjeve të të dhënave është konstatuar se dosjet fizike dhe elektronike të abonuesve të operatorëve në fjalë nuk kanë siguri të mjaftueshme dhe mund të keqpërdorën.

”Preportr” ka kontaktuar edhe me dy operatorët më të pranishëm në tregun e telefonisë mobile “Vala” dhe “Ipko”, por zyrtarët për informim të këtyre dy kompanive nuk janë përgjigjur për këtë çështje.

Keqpërdorim për përfitime

Kompania e sigurimeve të jetës “Illyrialife”, është njëra nga kompanitë që përmes përdorimit të numrave të telefonit të qytetarëve pa autorizimin e tyre bën marketing të drejtpërdrejt, duke prezantuar ofertat e tyre qytetarëve për sigurimin e jetës, pa treguar se ku i kanë marrë numrat. “Preportr” ka kontaktuar me zyrtarë të kësaj kompanie, por ata nuk kanë refuzuar të komentojnë.

Ndërsa, një agjent i shitjeve dhe prezantimit në kompaninë “Protech”, (emër i njohur për Preportr) reklamon aparatin “Kerbe”. Ai është shumë aktiv në telefonimin e qytetarëve duke iu ripërsëritur rrëfimin për aparatin magjik, funksionet e të cilit nuk i tregon dot në telefon sepse janë shumë. Ai kërkon takim në mënyrë që demonstrimi i këtij aparati të bëhet në shtëpinë e të telefonuarit.. Ai zyrtarisht thotë se i merr numrat tek të afërmit e atyre që i thërret, por në praktikë ai nuk tregon se ku i ka marrë numrat e telefonit, ndërsa thotë të mos jetë në dijeni se kjo formë e marketingut përmes keqpërdorimit të numrave të telefonit është e ndaluar me ligj.

“Ne shkojmë nëpër familje dhe e prezantojmë aparaturën tonë dhe pastaj ata na i japin edhe ndonjë numër tjetër të afërmve të tyre, të ndonjë daje halle apo dikujt tjetër që e njohin dhe ata na pranojnë ose jo.... Unë nuk jam në njohuri që kjo mënyrë e kontaktimit është e ndaluar me ligj”, u shpreh ai.

Shefik Gerbovci, nga kompania e sigurimeve “Illyria”, thotë se kjo kompani i kontakton vetëm klientët që paraprakisht i kanë lënë numrat e telefonit kur kanë kryer një shërbim. “Ne i kontaktojmë vetëm klientët tanë që i kanë lënë numrat në kompaninë tonë kur kanë bërë ndonjë sigurim dhe vetëm ata i kontaktojmë, zakonisht para se me iu skaduar afati i sigurimit ose kur iu skadon dhe i njoftojmë paraprakisht”, thotë Gerbovci. Por sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, edhe kjo kompani duhet të marrë paraprakisht pëlqimin për t’i thirrur në telefon. 

Ibish Berbati, distributor gjeneral për Kosovë dhe Shqipëri i kompanisë “Rainbow”, thotë se i thërrasin vetëm ata persona të cilët kanë dhënë pëlqimin e tyre paraprakisht. Por në fakt kur përfaqësuesit e kësaj kompanie i thërrasin qytetarët u tregojnë vetëm se ku e kanë marrë numrin, e jo gjithherë i propozuari njoftohet më herët nga propozuesi. “Ne i sigurojmë numrat prej propozuesve që na i japin. Përshembull unë kam qenë te vëllau yt dhe ma ka propozuar emrin e juaj me adresë dhe numër të telefonit deri në momentin kur ai thotë thirre se kam fol me vëlla dhe mandej ne e kontaktojmë. Gjithashtu prezantuesi jep nënshkrimin e tij. Secili klient që jep një emër dhe me pëlqimin e të propozuarit ai përfiton nga kjo”, ka thënë Berbati.

Agon Bejta, Menaxher i marketingut në “Top shop”, thotë se kjo kompani përmes sistemit që përdorë respekton privatësinë e konsumatorit si dhe jep i rëndësi të madhe miratimit nga ana e tyre. Ai thotë se i thërrasin vetëm ata klientë të cilët së pari kanë thirrur në këtë kompani.

Të dhënat personale mbrohen me ligj

Mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë. Neni 36 mbron privatësinë dhe garanton mbrojtjen e të dhënave personale. Pika 1 e këtij neni thotë se “çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera”. Ndërsa pika 3 thotë se “Fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër, është e drejtë e pacenueshme. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të vendimit gjyqësor, nëse është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale ose për mbrojtjen e vendit, në mënyrën e parashikuar me ligj”.

Mentor Hoxhaj, zëvendës mbikëqyrës kryesor shtetëror i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, thotë se çdo formë e marketingut e drejtpërdrejtë ku përdorën të dhënat personale e qytetarëve pa pëlqimin paraprak të tyre është kundërligjore dhe sanksionohet me ligj. “Në bazë të nenit 5  të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, subjekti duhet të jap pëlqimin e tij ose saj për përpunimin e të dhënave, që do të thotë se personat të cilët kontaktohen nga kompanitë e sigurimeve, apo kushdo tjetër, duhet të kenë dhënë paraprakisht pëlqimin e tyre që të dhënat e tyre mund të shfrytëzohen - jepen edhe palëve të treta dhe se dëshirojnë te pranojnë sms apo thirrje të cilat kanë për qellim marketingun e drejtpërdrejtë. Gjithashtu qytetarët kanë të drejt të kundërshtojnë në çdo kohë, që të mos pranojnë marketing te drejtpërdrejtë”, theksoi Hoxhaj, duke shtuar se vetëm të dhënat që janë publike mund të përdorën në këtë mënyrë.

Ai thotë se kur Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e te Dhënave Personale, respektivisht Mbikëqyrësi Shtetërorë, vëren se të dhënat personale janë duke u përpunuar në kundërshtim me dispozitat e neneve 5 dhe 59 te Ligjit 03/L-172 për Mbrojtjen e te Dhënave Personale, merr masat në harmoni me ligjin në fjalë.

“Hapi i parë është inspektimi-hetimi i kontrollorit, lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale.  Hapi i dytë është marrja e Vendimit në bazë të nenit 49 të Ligjit 03/L-172 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.  Hapi i tretë është kontrollimi i zbatimit e vendimit”, ka thënë Hoxhaj.

Ai sqaron se vendimet e kësaj agjencie zbatohen dhe se kanë bashkëpunim me Policinë e Kosovës në këtë drejtim. Hoxhaj thotë se gjatë kryerjes së inspektimit dhe kontrollit, mbikëqyrësit kanë të drejtë të kontrollojnë dhe konfiskojnë çdo dokumentacion që ka të bëjë me përpunimin e të dhënave personale, pavarësisht nga besueshmëria ose fshehtësia e tij, transferimin e të dhënave personale tek shtetet tjera dhe organizatat ndërkombëtare si dhe me zbulimin për marrësit e jashtëm.

Ai thotë se agjencia ka kontaktuar dhe këshilluar operatorët e telefonisë mobile sa i përket marketingut të drejtpërdrejtë dhe se mbetet shqetësuese mundësia e keqpërdorimit të të dhënave personale në këtë drejtim. Sipas tij, agjencia mund të marrë masat e parapara me legjislacionin në fuqi, vetëm kur qytetarët ankohen se janë duke pranuar telefonat apo sms pa e dhënë pëlqimin paraprak të tyre. 


Edhe Ligji i Telekomunikacionit ndalon përdorimin e numrave pa parapëlqim


Shefi i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit Ekrem Hoxha, ka thënë për “Preportr” thotë se shfrytëzimi i sistemeve automatike të thirrjeve pa intervenim të njeriut (makinat automatike të thirrjes), makinat e faksimilit (faksi) ose posta elektronike për qëllimet e marketingut të drejtpërdrejtë, apo dërgimi/pranimi i komunikimeve të padëshiruara, mund të lejohet vetëm për parapaguesit të cilët më parë e kanë dhënë pëlqimin e tyre në formë eksplicite.

Të gjitha praktikat e dërgimit të postës elektronike për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, fshehja ose zhdukja e identitetit të dërguesit ose në emër të të cilit është bërë komunikimi, ose pa një adresë valide në të cilën pranuesi mund ta dërgojë kërkesën për ndërprerjen e komunikimeve të tilla, janë të ndaluara.

Ekrem Hoxha

Hoxha thotë se të gjitha praktikat e dërgimit të postës elektronike për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, fshehja ose zhdukja e identitetit të dërguesit ose në emër të të cilit është bërë komunikimi, ose pa një adresë valide në të cilën pranuesi mund ta dërgojë kërkesën për ndërprerjen e komunikimeve të tilla, janë të ndaluara.

Në departamentin e telekomunikacionit ku është e inkorporuar edhe pozita e Zyrtarit Ligjor përgjegjës për çështje e konsumatorëve nuk rezulton të jetë regjistruar ndonjë ankesë formale e parashtruar nga ana e qytetarëve.  “ART me fillim nga mesi i muajit Qershor ka aktivizuar edhe numrin pa pagese për shërbimin e konsumatoreve 0800 10 1000 ku brenda orarit të rregullt të punës mund të paraqiten gjitha rastet dhe shqetësimet e konsumatoreve”, ka thënë Hoxha.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka bërë një hulumtim në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale në Kosovë. Në këtë hulumtim thuhet se të dhënat e mbledhura nga regjistrimi i popullsisë mund të përdoren për këso lloje të grumbullimit të të dhënave në të ardhmen. Përderisa procesi u organizua në përputhje me Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe pronës, nuk kishte asnjë mekanizëm të pavarur për të mbikëqyrur këtë proces që e bën mjaft të diskutueshëm Regjistrimin e Popullsisë.

“Çfarë mund të konsiderohet brengosëse është se edhe pse të dhëna të rëndësishme janë mbledhur gjatë regjistrimit, gjatë përpunimit të këtyre të dhënave nuk kishte asnjë shenjë që Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është konsultuar”, thuhet në raport.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe gjatë procesit të Regjistrimit të  përdoruesve të telefonave mobil. Mentor Vrajolli hulumtues në QKSS, thotë se në Kosovë fatkeqësisht ka shumë mundësi që të keqpërdorën të dhënat personale për qëllime të përfitimeve.

“Duhet të këtë lidhje kuazale direkte në mes të përpunuesit të të dhënave dhe Titullarit të atyre të dhënave. Në të kundërtën, nëse procesuesi i të dhënave posedon dhe proceson të dhëna të cilat i ka mbledhur pa pëlqimin e titullarit të atyre të dhënave atëherë ai ka kryer shkelje ligjore dhe për këtë ai do duhet të sanksionohet për një veprim të tillë.

Andaj për të eliminuar përdorimin e praktikave të tilla edhe në të ardhmen, për raste të tilla Agjensioni do duhet të shqiptojë sanksione të rënda deri në privimin nga liria dhe dënimit me gjoba të larta.

Mentor Vrajolli

Ai thotë se sa i përket rasteve të lartcekura të 'marketingut agresiv', këtu kemi  të bëjmë me pasurim, respektivisht me tentim për pasurim duke përdorur metodave joligjore. Andaj për të eliminuar përdorimin e praktikave të tilla edhe në të ardhmen, për raste të tilla Agjensioni  do duhet të shqiptojë sanksione të rënda deri në privimin nga liria dhe dënimit me gjoba të larta. Ndërmarrja e masave të rrepta për këto rase do të shërbente si mjet për vetëdijesimin e keqpërdoruesve të tjerë potencial që të mos bëjnë shkelje të ngjashme në të ardhmen”, mendon Vrajolli.