English
Scroll top

Zaptimi i vazhdueshëm

Partitë politike vazhdojnë t’i sistemojnë njerëzit e tyre në pozita të rëndësishme publike. Kjo mendësi ka filluar që nga qeveritë e para po vazhdon nga të gjitha partitë politike, sa herë ato marrin pushtetin. Preportr ka realizuar një hulumtim, i treti i kësaj natyre për të parë se në sa prej pozitave të larta publike janë punësuar persona me prapavijë politike përmes konkurseve publike dhe ka përfshirë periudhën 2017-2021. Të dhënat tregojnë se në këtë periudhë kohore, 222 zyrtarë...

Prishtinë, 07 Dhjetor 2022

Klientelizmi dhe patronazhi politik janë dy shtyllat mbi të cilat partitë politike në Kosovë e kanë shtrirë ndikimin e tyre në institucionet shtetërore.

Nga hulumtimet që Preportr i ka bërë ndër vite mbi patronazhin politik dhe klientelizmin shihet që partitë politike që kanë ardhur në pushtet kanë shtrirë ndikimin e tyre me punësimet që i kanë bërë në institucionet publike, më shpërblimin e financuesve të tyre, me nepotizmin etj. Partitë që kanë udhëhequr me qeverinë kanë synuar që në një periudhë shumë të shkurtër në pozitat më të rëndësishme publike t’i dërgojnë njerëzit e tyre. Një tendencë e tillë ka filluar nga partitë dikur të mëdha PDK dhe LDK dhe ka vazhduar pastaj nga të gjitha partitë tjera, kur e kane marrë pushtetin AAK, NISMA dhe së fundi VV.

Shiko Gazetën #34

Preportr, ka ndërmarrë një hulumtim, për patronazhin politik për periudhën 2017-2021. Gjatë kësaj periudhe me vendin kanë qeverisur katër qeveri, shumica prej tyre të përbëra nga koalicione të mëdha.

Qeveria e parë 2017-2019 përbëhej nga AAK, PDK, NISMA dhe komunitetet jo shumicë. Vetëm dy muaj gjatë pjesës së parë të vitit 2020 kanë qeverisur me vendin Lëvizja Vetëvendosje! dhe LDK. Kjo ka qenë qeverisja më jetëshkurtër e Kosovës që nga paslufta. Në gjysmën e dytë të vitit 2020 kanë qeverisur katër parti, LDK, AAK, Nisma-AKR dhe komunitetet jo shumicë, e njohur si Qeveria Hoti. Hulumtimi përfshinë edhe pjesën e parë të vitit 2021 ku me vendin po udhëheqë koalicioni parazgjedhor VV- Lista Guxo.

Hulumtimi përfshinë periudhën 2017-2021 dhe të dhënat tregojnë që një numër shumë i madh i zyrtarëve publikë të cilët përzgjidhen me konkurs kanë përkatësi të qartë politike, përkatësisht lidhje zyrtare. Pjesë e hulumtimit dhe verifikimit në periudhë prej katër muajsh kanë qenë të gjithë zyrtarët publikë që e deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Për periudhën e lartpërmendur, të dhënat tregojnë se kemi një numër prej 222 zyrtarëve publikë që kanë prapavijë të qartë politike.

Më së shumti të punësuar ka nga PDK me 77 persona, pasur nga LDK me 54. Gjatë kësaj periudhe vërehet rritje e numrit të të punësuarve nga AAK. Numri i tyre arrin në 38. NISMA që ishte dy herë pjesë e qeverisë gjatë periudhës 2017-2021 dhe udhëhiqte me disa nga dikasterët qeveritarë, ka një numër të madh të të punësuarve në institucione publike gjithsej 20 persona. AKR është njëra nga partitë që ka përfituar duke qenë pjesë e qeverive në punësimin e njerëzve të saj në pozita publike me 13 prej tyre.

Të dhënat e vitit 2021 tregojnë që edhe partia që tani është në pushtet Vetëvendosje!, siç duket po e vazhdon të njëjtën mendësi, atë të rehatimit të njerëzve të saj (ende në numër më të vogël), në pozita të rëndësishme publike. Gjatë këtij hulumtimi shihet që nga kjo parti janë punësuar shtatë persona, ku disa prej tyre janë punësuar gjatë mandatit të parë të Qeverisë Kurti.

Nga 222 të punësuarit gjatë periudhës 2017- 2021, 31 prej tyre i kanë ndërruar pozitat (më herët kanë punuar në institucione të tjera dhe pastaj janë punësuar në tjera institucione).

Ky është hulumtimi i tretë mbi patronazhin politik që realizohet nga Preportr. Pas realizimit të hulumtimit të parë për patronazhin në vitin 2014, Preportr kishte realizuar sërish një hulumtim për të parë shtirjen e patronazhit politik edhe për vitet 2015 dhe 2016. Duke përfshirë të tri hulumtimet dhe duke përdorur metodologjinë e njëjtë, të dhënat tregojnë se në periudhën 2010-2021, gjithsej 628 zyrtarë të lartë me pozita vendimmarrëse kanë lidhje me partitë politike.

Të dhënat e grumbulluara në hulumtimin e tretë tregojnë se ka pasur një trend të rritjes së numrit të të punësuarve nga partitë AAK dhe NISMA. AAK bashkë me NISMËN dhe PDK-në kanë udhëhequr me qeverinë në vitet 2017-2019. Duke i krahasuar të dhënat e hulumtimit të fundit, me hulumtimin e viteve 2015-2016 ku AAK kishte vetëm 8 të punësuar në pozita publike përmes konkurseve dhe NISMA vetëm një, te hulumtimi i fundit vërehet rritje e ndjeshme e të punësuarve nga këto dy parti, 38 nga AAK dhe 20 nga NISMA. Megjithatë në hulumtimin e viteve 2010-2014, AAK po ashtu kishte një numër të madh të të punësuarve në institucione publike, 25 gjithsej. Kjo dëshmon faktin se partitë politike posa vijnë në pushtet punësojnë njerëzit e tyre në pozita të rëndësishme publike përmes konkurseve publike

“Targetmi” i ndërmarrjeve publike

Në 24 ndërmarrje publike, janë verifikuar të gjithë zyrtarët që e deklarojnë pasurinë dhe të dhënat e siguruara tregojnë se 105 zyrtarë të lartë kanë lidhje me partitë politike. Nga hulumtimi ka rezultuar se në periudhën 2017-2021 me punësime në ndërmarrjet publike  prijnë LDK dhe PDK me nga 30, AAK me 18, NISMA me 12, PSD me 3, AKR me 2, LVV me 5, si dhe SKS, PSHDK, PD, PLE dhe KDTP me nga një.

Pozitat e zyrtarëve të lartë janë të ndryshme, por sipas të dhënave të mbledhura për ndërmarrjet publike, më së shumti të punësuar me prapavijë partiake emërohen në borde të ndërmarrjeve. Të dhënat tregojnë se prej 105 zyrtarëve që janë identifikuar në këtë hulumtim 39 prej tyre janë anëtarë të bordeve, 15 drejtorë të bordeve dhe 8 kryesues të bordeve. Gjithashtu, pozitë tjetër ku dërgohen më së shumti persona partiakë është ajo e kryeshefit ekzekutiv. Këtë pozitë sipas të dhënave e ushtrojnë 8 persona. Pozita e menaxherit ushtrohet nga 6 persona etj.

Instituti Demokratik i Kosovës para dy vitesh ka publikuar një raport në të cilin ka analizuar politizimin e ndërmarrjeve publike. Në këtë raport i kushtohet rëndësi bordeve udhëheqëse të ndërmarrjeve, pasi sipas këtij raporti, bordi udhëheqës ka një rëndësi shumë të madhe për funksionimin e ndërmarrjes, ndaj puna e tyre ndikon në jetën e qytetarëve dhe të shërbimeve publike, të cilat i marrin ata.

“Paragrafi 2 i nenit 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike kërkon që anëtarët e bordeve të jenë të pavarur. Sipas këtij ligji, pavarësia është interpretuar në forma dhe situata të ndryshme duke përmendur të gjitha rastet të cilat mund ta cenojnë pavarësinë dhe neutralitetin e udhëheqjes se bordeve”, thuhet në raport.

Pasi ligji për ndërmarrjet publike është interpretuar varësisht nga rrethanat, KDI ka kërkuar që të të ndryshohet dhe plotësohet ky ligj me qëllim të rritjes së transparencës dhe mbikëqyrjes së procesit të emërimit dhe përzgjedhjes të anëtarëve të Bordeve nga Komisioni Rekomandues dhe Qeveria e Kosovës në mënyrë që të pengohet politizimi i Bordeve nga përzgjedhja e anëtarëve joprofesional, duke i dhënë mundësinë kandidatëve që janë të paanshëm nga ngjyrimet partiake.

Politizimi dhe punësimi pa kriter ka bërë që shumë prej ndërmarrjeve publike të operojnë me humbje, disa prej tyre kanë qene në prag të falimentimit. Problematike në aspektin e humbjeve financiare dhjetë viteve të fundit është ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës.

Nga dymbëdhjetë ndërmarrjet që janë audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vitin 2021 del se Telekomi i Kosovës ka humbur financiarisht 10.8 milionë euro. Sipas ZKA-së edhe gjashtë ndërmarrje tjera kanë operuar me humbje dhe totali i humbjeve, përfshirë edhe Telekomin arrin në 17.3 milionë euro. Vetëm  5 prej tyre kanë pasur fitime në shumën prej 3.3 milionë eurove.

Institucionet e pavarura me të punësuar politikë

Gjatë realizimit të këtij hulumtimi, janë shikuar të gjitha institucionet e pavarura dhe të dhënat tregojnë se 19 persona që kanë lidhje me partitë politike janë punësuar në pozita të rëndësishme vendimmarrëse në këto institucione.

Të dhënat tregojnë se më numrin më të madh të të punësuarve përmes konkursit në institucione publike, prin PDK me 7 zyrtarë, pasuar nga LDK me 6, AAK ka 4 të tillë dhe nga një NISMA dhe AKR. Pesë prej tyre i kanë ndërruar pozitat (më herët kanë punuar në institucione të tjera të pavarura dhe pastaj janë emëruar në tjera institucione).

Pozitat që mbajnë këta persona janë nga kryetar bordi, anëtarë bordi, gjyqtar, zv,drejtor etj. Nga të dhënat e mbledhura për institucionet e pavarura, pozita ku janë përzgjedhur më shumë persona me përkatësi partiake është ajo e drejtorit. Në këtë pozitë, Preportr, ka gjetur se janë emëruar shtatë persona.

Megjithëse konsiderohet shumë e rëndësishme mbarëvajtja e punës së institucioneve të pavarura si rregullatorë në shumë fusha të rëndësishme për shtetin, në vazhdimësi është konsideruar se politizimi e ka dëmtuar në masë të madhe performancën e tyre. Është theksuar nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare se procesi i rekrutimit në pozita të rëndësishme në agjenci të pavarura nuk është i bazuar në meritë dhe rrjedhimisht kjo ndikon në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës. Një gjë e tillë ishte përmendur në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2018.

INDEP në vitin 2018 kishte dalë me një raport mbi funksionimin e agjencive të pavarura. Duke i parë mangësitë në funksionimin e këtyre agjencive, INDEP në këtë raport kishte përmendur si shumë të rëndësishëm raportimin dhe llogaridhënien para institucioneve, si Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë për mbarëvajtjen e punës së agjencive.

INDEP në këtë raport përmes disa rekomandimeve kishte kërkuar ndryshimin e rregullativës ligjore, në mënyrë që rekrutimi- emërimi në këto agjenci, të bëhet sipas meritokracisë dhe ajo që e kishte theksuar si shumë të rëndësishme, ishte pavarësia financiare e këtyre agjencive

Rehatimet masive nëpër ministri

Edhe në ministri numri i zyrtarëve të lartë që janë përzgjedhur përmes konkurseve publike, e që kanë lidhje me partitë politike është shumë i lartë. Preportr ka gjetur se 96 zyrtarë të lartë që punojnë në ministri kanë lidhje me parti politike, prej tyre 38 janë nga PDK, 17 nga LDK, 16 nga AAK, 10 nga AKR, 7 nga NISMA, 2 nga LVV, 1 nga PSD, 1 nga PD, 2 nga Partia Demokratike Turke, 1 nga NDS.

Në hulumtim janë përfshirë edhe ministritë që në vitet paraprake kanë funksionuar si entitete në kuadër të kabinetit qeveritar, si Ministria e Diasporës, e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e Infrastrukturës si dhe ajo e Integrimeve Evropiane. Pas formimit të qeverisë së re, këto ministri janë fuzionuar si pjesë të ministrive të tjera dhe Zyrës së Kryeministrit.

Pozitat të cilat janë identifikuar në këtë hulumtim që kanë lidhje me parti politike, janë vendimmarrëse në ministri. Preportr ka gjetur se 33 drejtorë dhe 6 ushtrues detyre të drejtorit që e ushtrojnë funksionin kanë lidhje politike. Pozita të tjera me më shumë lidhje politike janë ato të ambasadorëve 7, konsujve me 9, udhëheqësve me 7 etj.

Shumë herë është raportuar se administrata ka qenë e ngathët në kryerjen e detyrave në mungesë të reformave, politizimit dhe rekrutimit të personave pa meritë. Këtë vit në nivel qeveritar është diskutuar dhe janë ndërmarrë hapa për reformë në administratën publike. Kjo është konfirmuar nga Luan Dalipi, shef i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti. Ai ka deklaruar për Kosovo 2.0 se janë identifikuar probleme të rrënjosura me të cilat përballet administrata publike. Pas këtij identifikimi është krijuar Fondi i Ekselencës- një mekanizëm përmes të cilit qeveria shpreson ta ndihmojë stafin ministror për t’i zbatuar politikat publike dhe për t’i zgjidhur problemet e vazhdueshme përmes përfshirjes së ekspertëve dhe konsulentëve të jashtëm, vendorë dhe ndërkombëtarë.

Fondi i Ekselencës do të menaxhohet nga një njësi e centralizuar e ekspertizës në kuadër të Sekretariatit Koordinues të qeverisë, në kryeministri, e cila, siç ka deklaruar Dalipi, “ka një pasqyrë të përgjithshme të nevojave të qeverisë dhe mund t’i prioritizojë kërkesat që pranon”.

Në janar të vitit 2022, qeveria zyrtarisht e mori vendimin për krijimin e Njësisë së Ekspertizës. Krijimi i Fondit të Ekselencës pritet të finalizohet brenda vitit.

Sipas një raporti të gjerë për administratën publike të publikuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG), administrata nuk është bërë kurrë efikase edhe për shkak të politizimit.

“Administrata është bërë një instrument që siguron punësimin e anëtarëve të partive apo të familjarëve, ose edhe të votuesve potencialë”, thuhet ndër të tjera në raport.

Kjo qasje sipas raportit ka krijuar një administratë joproporcionale dhe të madhe krahasuar me funksionin dhe detyrat e saj, gjë që ka tejngarkuar financat publike, por edhe ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët.

“Kapacitetet aktuale menaxheriale dhe planifikuese s’mund të sigurojnë që politikat bazohen në analiza mbi vlerësimin e nevojave apo edhe të shpenzimeve efikase”, thuhet në raport.

Megjithëse e potencon mungesën e efikasitetit, BPGR, në raport thekson që gjendja mund të ndryshojë me amandamentimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe riinicimin e një Ligji të ri për Pagat në Sektorin Publik; Përgatitjen pa vonesë të akteve nënligjore, për të siguruar fillimin e implementimit të ligjeve; Përgatitjen e të gjitha niveleve të administratës për fillimin e aplikimit të praktikave dhe procedurave të reja, që rezultojnë nga legjislacioni i ri etj.

Ligjet lejojnë punësimet politike

Kuadri ligjor i cili e rregullon punësimin në administratë publike, duke filluar nga sekretarët e përgjithshëm e deri tek ai që rregullon punësimin në agjenci, rregullatorë të pavarur, përfshirë ndërmarrjet publike, duket se nuk e ndalon drejtpërdrejt politizimin e institucioneve publike.

Ndonëse Ligji për Shërbimin Civil, neni 11, specifikon se “pranimi në Shërbimin Civil të Kosovës bëhet në pajtim me parimet e meritës, aftësisë profesionale, paanshmërisë, mundësive të barabarta, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve”, megjithatë ky ligj nuk ka arritur ta parandalojë politizimin e administratës publike.

Predispozitat ligjore specifikojnë që bordet duhet të jenë profesionale dhe pa precedentë penal apo interesa personale. Sidoqoftë, ligjet mbi agjencitë nuk specifikojnë asgjë mbi përkatësinë paraprake politike. Si pasojë, drejtorët e këtyre agjencive të rëndësishme të pavarura mund jenë anëtarë të lartë vendimmarrës të partive politike apo edhe të përzgjedhur politikë.

Kurse tek procesi i përzgjedhjes së bordeve, Ligji për Ndërmarrjet Publike është më specifik. Ky ligj parasheh që anëtarët e këtyre bordeve të jenë të paanshëm politikisht. Më saktësisht, një kandidat të paktën 36 muaj para datës së aplikimit nuk mund të jetë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.