Prishtinë, 12 Dhjetor 2017
Viti që po lëmë pas ishte vit zgjedhor. Përveç që është garë në mes të kandidatëve për deputetë dhe për kryetarë të komunave, është edhe garë e mundësisë për të shpërblyer me punësime njerëzit e angazhuar në parti dhe në procesin elektoral.
Mundësia për punësimin në institucionet shtetërore shpesh nënkupton “miratimin” paraprak nga partitë në pushtet. Pra punësimi i militantëve partiakë që njihet ndryshe edhe si patronazh politik është një dukuri shumë e përhapur në Kosovë dhe që po e dëmton përformancën e shumë institucioneve dhe të vet shtetit.
Shtrirja dhe konsolidimi i patronazhit politik bëhet kryesisht për qëllime të dyfishta: shpërblim dhe kontroll. Përmes kësaj qasjeje, partitë politike kanë arritur t'i konsolidojnë organizatat e tyre, t'i forcojnë bizneset dhe grupet e caktuara ekonomike dhe të interesit, por edhe t'i mbajnë lidhjet me votuesit e tyre.
Të gjeturat tregojnë se patronazhi politik ka shtrirje gjithëpërfshirëse si në aspektin horizontal - i pranishëm nëpër të gjitha institucionet (qendrore dhe lokale) - ashtu edhe në atë vertikal - prekë shumë pozita vendimmarrëse në kuadër të hierarkisë së institucioneve publike.
Në kuadër të të gjeturave dëshmohet se vëllimi i punësimeve në institucione publike i individëve me përkatësi partiake është në proporcion të drejtë me fuqinë që partia apo koalicioni qeverisës ka në pushtetin qendror.
Ardhja e një partie politike në pushtet shpërfaqë menjëherë ndikimin e asaj partie në punësimin e njerëzve në pozita të larta vendimmarrëse. Hulumtimi i vitit 2014 për patronazhin politik dëshmoi se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) filloi punësimi i njerëzve të kësaj partie në pozita të larta vendimmarrëse. Kjo dukuri ridëshmohet në hulumtimin e Preportr për periudhën 2015- 2016. Me ardhjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në qeveri, është vërejtur menjëherë se të punësuarit në pozita të larta kanë lidhje politike me këtë parti. Konkretisht, kjo është vërejtur në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Kulturës, e sidomos në ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura, ku është shtuar dukshëm numri i atyre që janë punësuar, e që kanë lidhje me LDK-në.
Pas realizimit të një hulumtimi për patronazhin në vitin 2014, Preportr ka ndërmarrë sërish një hulumtim për të parë shtirjen e patronazhit politik edhe për vitet 2015 dhe 2016. Duke përfshirë të dy hulumtimet, të dhënat tregojnë se në periudhën 2010-2016, janë gjithsej 406 zyrtarë të lartë me pozita vendimmarrëse që kanë lidhje me partitë politike.
Ndërkaq, vazhdimësia e hulumtimit nga Preportr tregon se vetëm në vitet 2015 dhe 2016 janë 116 zyrtarë të lartë që janë punësuar në këtë periudhë kohore dhe që kanë lidhje me partitë politike. Prej tyre 91 zyrtarë punojnë ende në këto pozita.
Nga 116 zyrtarë të lartpërmendur, LDK prinë me 48 zyrtarë, pasuar nga PDK me 42, AAK me 8, AKR me 7, LVV me 5, SKS me 2 dhe NISMA, Lëvizja për Bashkim, KDTP, VAKAT me nga një zyrtar.
Nga numri total prej 116 zyrtarëve që janë evidentuar se janë punësuar në vitin 2015 dhe 2016, rezulton se 61 prej tyre janë të punësuar nëpër ministri. Lidhjet e tyre me partitë politike janë si vijon: 23 kanë lidhje politike me PDK-në, 22 me LDK-në, 7 me AAK-në, 6 me AKR-në ndërsa nga një zyrtar kanë lidhje me NISMA, LVV dhe LB.
Zyrtarët që i përmendëm më lartë që kanë lidhje me partitë politike janë të punësuar në pozita të ndryshme hierarkike nëpër ministri, prej pozitës së drejtorëve (18), sekretarëve të përgjithshëm, krye shefave e deri të udhëheqësit e departamenteve.
Ndërmarrjet publike çerdhe të partive politike
Patronazhi politik ka pasur shtrirje të theksuar në ndërmarrjet publike. Këto ndërmarrje janë përdorur për punësimin e militantëve partiakë pothuajse në të gjitha pozitat. Mënyrën e punësimit në ndërmarrjet publike e shpërfaqë edhe afera “Pronto”, ku përmes telefonit përzgjidheshin njerëzit e PDK-së në pozita të rëndësishme në këto ndërmarrje, e të cilat kanë rëndësi të madhe sa i përket menaxhimit dhe përformancës së ndërmarrjeve publike.
Preportr ka gjetur se vetëm në periudhën 2015-2016 në ndërmarrjet publike janë punësuar 35 zyrtarë të lartë që kanë lidhje me partitë politike. Nga këta 35 zyrtarë 14 kanë lidhje me LDK, 13 me PDK, 4 me LVV, 2 me SKS, një me AAK dhe një me AKR.
Siç shihet edhe në këtë rast ardhja në pushtet e LDK-së ka ndikuar që të rritet ndjeshëm numri i zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike që kanë lidhje me këtë parti. Pra ka pasur vetëm një cikël rrotativ, ku janë larguar zyrtarët e PDK-së dhe janë zëvendësuar me ata të LDK-së. Ndërkaq, është raportuar vazhdimisht në media se pozitat e larta të ndërmarrjeve publike janë ndarë paraprakisht gjatë marrëveshjeve për koalicione qeverisëse ndërmjet partive që kanë ardhur në pushtet.
Vendosja e personave partiakë në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike ndodh për shkak të dy interesave madhore të partive politike. Së pari, kjo shërben si shpërblim nga partia për anëtarët e saj. Së dyti, kjo shërben edhe për të afruar njerëz të tjerë në parti, pasi që partia konsiderohet nga ato “që kryejnë punë për anëtarët dhe votuesit e saj”.
Kapja e institucioneve të pavarura
Institucionet e pavarura, si agjencitë e pavarura, komisionet e pavarura, autoritetet rregullative etj., janë të mbushura me zyrtarë që kanë lidhje me partitë politike. Sipas hulumtimit të Preportr për këtë periudhë, 19 zyrtarë të lartë punojnë në institucione të pavarura kanë lidhje me partitë politike. Nga ta, 12 kanë lidhje me LDK, 5 me PDK, një me VAKAT dhe një me KDPT.
Kundër dukurisë së patronazhit politik është shprehur në vazhdimësi ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell. Në lidhje me këtë çështje ai ka ndërmarrë një iniciativë për të ndihmuar në përzgjedhjen e profesionistëve në ndërmarrje publike dhe në agjenci të pavarura.
Nuk duhet të pastrohen njerëzit prej një partie për t’u zëvendësuar me njerëz të një partie tjetër, ky nuk është hap përpara, ky është hap prapa
Ruairi O'Connell, Ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë
Ai në një intervistë për Preportr ka thënë se që nga paslufta dhe gati dhjetë vjet pas pavarësisë, është evidente që janë mbushur bordet dhe agjencitë e pavarura me njerëz të partive që nuk janë atje për shkak të profesionalizmit, por për shkak të nepotizmit dhe lidhjeve politike.
Ambasadori britanik e ka komentuar edhe veprimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili para disa javësh ka shkarkuar nga puna dhjetë drejtorë të ndërmarrjeve publike, të cilët janë përzgjedhur në këto pozita në kundërshtim me ligjin.
“Në përgjithësi të gjitha këto struktura duhet të pastrohen dhe të kenë njerëz të pavarur. Ky proces duhet të jetë sipas ligjit. Nuk duhet të pastrohen njerëzit prej një partie për t’u zëvendësuar me njerëz të një partie tjetër, ky nuk është hap përpara, ky është hap prapa”, u shpreh ambasadori O'Connell.
Ai thotë se në ndërmarrjet publike dhe në agjencitë e pavrara duhet të punësohen njerëz profesionistë me meritë dhe në këtë mënyrë ata të mos janë borxhli ndaj askujt që janë në ato pozita dhe rrjedhimisht do të punojnë për të mirën e vendit, e jo sipas direktivave të dikujt që i ka punësuar aty.
Duhet theksuar se vendosja e individëve me përkatësi të qartë partiake në institucionet kryesore dhe në pozita vendimmarrëse, si p.sh të prokurimit publik paraqet faktor dominant jo vetëm në ngritjen dhe konsolidimin e patronazhit politik, por edhe në krijimin dhe shtrirjen e një kulture klienteliste tek partitë politike. Në hulumtimin "Politika e Parasë" i realizuar nga Preportr, tregohet se shtrirja e klientelizmit tek partitë politike ka përmasa shqetësuese. Nga hulumtimi është treguar se vetëm brenda viteve gusht 2007-2014 janë shpërndarë rreth 220 milionë euro tek financuesit e partive politike.
Agron Demi nga Instituti GAP thotë se punësimet e militantëve partiakë në pozita të larta në ndërmarrjet publike dhe agjenci të pavarura, në mënyrë të theksuar janë shpërfaqur që nga viti 2008 dhe kanë vazhduar ndër vite pavarësisht ndërrimit të partive që kanë udhëhequr me institucionet.
“Me qeverisjen PDK-LDK është shpallë konkursi qysh në fillim dhe ka ndodhur e njëjta gjë si me 2008-2009, bordet janë ndarë për gjysmë. Njëjtë ka ndodhur edhe me bordet e agjencive të pavarura p.sh me Bankën Qendrore të Kosovës ku njeriu kryesor ishte nga PDK, i cili tash së fundi është zgjedhur sërish ministër. Njëjtë ka ndodhë me ATK-në dhe në institucionet e tjera”, thotë Demi.
Ai thotë se përzgjedhjet e tilla kanë efekte zinxhirore, dhe nëse marrim shembull bordet që janë organi më i lartë, ata vendosin për shembull në ndërmarrjet publike për kryeshefin ekzekutiv që në shumicën e rasteve është politik. Sipas tij, kjo ndikon që edhe njerëzit e tjerë që punësohen aty, shumica të jenë partiak, pastaj nëse i shohim raportet e këtyre ndërmarrjeve performanca është negative.
“E vetmja zgjidhje është që partitë politike të mos i kenë duart e lira që t’i dërgojnë njerëzit e tyre nëpër ndërmarrje publike dhe agjenci të pavarura. Kemi edhe Vetëvendosjen që ka vazhduar me të njëjtën qasje me ndërmarrjen “Pastrimi” që pati dërguar atje për drejtor një militant partiak, apo në Ndërmarrjen Publike Banesore që po ashtu e udhëheq një njëri i këtij subjekti politik. Këto raste mund të anashkalohen vetëm po të kishim gjykata të forta që merren më këto raste”, theksoi Demi.
Ai thotë se përveç politizimit, mbipunësimit dhe performancës së dobët, disa prej agjencive të pavarura nuk kanë qenë fare të nevojshme që të krijohen.Universitet e politizuara publike
Në periudhën kohore 2015 dhe 2016, vërehet një rritje e madhe numrit të atyre që kanë marrë pozita udhëheqëse në universitetet publike të Kosovës, e që janë të lidhur me partitë politike. Krahasuar me periudhën 2010-2014, vërehet një rritje e madhe e trendit.
Preportr duke u bazuar në metodologjinë e përcaktuar të hulumtimit, ka gjetur se në universitetet publike janë punësuar 32 zyrtarë. Nga ky numër i zyrtarëve rezulton se 12 kanë lidhje politike me PDK, 9 me LDK, 5 me AKR, 4 me AAK, 1 me NISMA dhe 1 me LVV.
Duhet theksuar se këto janë vetëm pozita udhëheqëse në universitete publike, pasi që ka një numër të konsiderueshëm të profesorëve që kanë lidhje me partitë politike, duke qenë madje edhe pjesë e listave zgjedhore.
Gjatë një hulumtimi që Preportr ka realizuar gjatë këtij viti, vetëm për Fakultetin Filozofik, Juridik, Ekonomik dhe të Mjekësisë, rezulton se ka një numër të madh të profesorëve që kanë lidhje me partitë politike.
Në këto fakultete, janë hulumtuar gjithsej 374 profesorë, ndër të cilët 50 figurojnë të kenë lidhje direkte me partitë politike apo shprehur në përqindje, 13.36 % e tyre, përqindje kjo që tregon se nuk bëhet fjalë për koincidencë, por ka politizim të thellë, veçmas kur ia shtojmë faktin se këto të dhëna janë vetëm për katër fakultete të UP-së.
Të dhënat e hulumtimit tregojnë se nga 54 profesorët që i ka Fakulteti Filozofik, 14 nga ta kanë bartur apo bartin funksione politike, ndër të cilët 9 janë nga PDK, 2 nga AKR, 1 nga LDK, 1 nga Vetëvendosje! dhe 1 nga-ish Partia Reformiste ORA, megjithëse në zanatin e ri, atë të politikanëve, disa profesorë kanë ndërruar partitë politike më shumë sesa një herë.
Në Fakultetin Juridik, nga 71 profesorë që ka ky institucion, 11 prej tyre kanë qenë apo janë aktiv në politikë, të cilët politikisht janë të kësaj përbërje: 6 nga PDK dhe 5 nga LDK.
Në Fakultetin Ekonomik, nga gjithsej 66 profesorë që ka ky fakultet, figurojnë 18 profesorë që ndër vite zanatin primarë e kanë pasur politikën. Nga ta, 10 vijnë nga LDK, 7 nga PDK, dhe një nga Vetëvendosje!
Në Fakultetin e Mjekësisë, gjendja qëndron ndryshe, nga 183 profesorë që janë gjithsej, 7 nga ta kanë ndarë fatin e politikës me kolegët e lartshënuar. Nga ta, 3 vijnë nga PDK, 1 nga LDK, 1 nga AAK, 1nga AKR dhe 1 nga Vetëvendosje!
Rirehatimi i njerëzve partiak
Hulumtimi i Preportr ka evidentuar edhe një dukuri që ka të bëjë me lëvizjen e zyrtarëve të lartë që kanë lidhje me partitë politike, nga njëra pozitë në tjetrën. Siç duket partia politike u është gjendur pranë edhe në rastet kur atyre u ka kaluar mandati ose kanë kërkuar pozitë më të mirë.
Imer Hamiti (AAK) i cili ka punuar në bordin e ndërmarrjes Termokos, aktualisht është anëtar i bordit në Ibër Lepenc, dhe Arsim Janova (LDK) që ka qenë kryeshef ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, tani është anëtar i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Muhamet Hamiti (LDK) i cili ka qenë ambasador i Kosovës në Britaninë e Madhe, tani është kryetar i Këshillit Drejtues në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës.
Bujar Pira (AKR), ka qenë dekan në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ndërsa tani (pas shndërrimit në universitet) është anëtar i Këshillit Themelor të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Alush Istogu (IQB/PDK) ka qenë drejtor i arsimit parauniversitar në MASHT, tani është u.d sekretar i përhershëm në këtë ministri.
Bajram Bujupi (PDK) ka qenë zv. drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, tash është drejtor i në këtë institucion.
Përpjekjet për meritokraci
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, përpjekja e disa faktorëve, si atij ndërkombëtar, OJQ-ve, medieve dhe të tjerëve ka qenë që në pozita të rëndësishme të punësohen njerëz profesionist. Por meqë gati dhjetë vite pas pavarësisë kjo gjë nuk po ndodhë ka edhe nga ata që ofrojnë një alternativë tjetër, që pozita të caktuara të lidhen drejtpërdrejtë me përfaqësues politikë dhe të bëhet e qartë se janë emërime politike.
Do të ishte më e mira që në masën më të madhe të mundshme që pozita të caktuara të lidhen drejtpërdrejt me përfaqësues politik dhe të bëhet e qartë se janë emërime politike. Kjo do të shpinte tek një lidhje më e qartë e përgjegjësive
Arben Hajrullahu, politolog
Politologu Arben Hajrullahu mendon se kjo do t’i bënte njerëzit e caktuar në këto pozita më të përgjegjshëm ndaj punës së tyre dhe në këtë kuadër do të dihej cila do të ishte lidhja e qartë e përgjegjësive.
“Duhet të mendohen alternativa. Duke pasur parasysh përvojën dhe mendësinë e rrënjosur në shoqërinë kosovare, ndoshta do të ishte më e mira që në masën më të madhe të mundshme që pozita të caktuara të lidhen drejtpërdrejt me përfaqësues politik dhe të bëhet e qartë se janë emërime politike. Kjo do të shpinte tek një lidhje më e qartë e përgjegjësive dhe të tejkalimi i situatave vetëmashtruese dhe vetë-shkatërruese për shumë institucione e për vendin në përgjithësi”, theksoi Hajrullahu, duke shtuar se përfaqësuesit e zgjedhur do të mund të mbaheshin në masë më të madhe përgjegjës, pasi që ne si qytetarë kemi vetëm mekanizimin e votës, realisht njërin nga mekanizmat më efikas për ndëshkimin apo shpërblimin e udhëheqësve në poste publike.
Hajrullahu thotë se mund të ketë gjithmonë ballafaqim të argumenteve pro dhe kundër se cilët sektorë duhet të rregullohen përmes emërimeve politike dhe cilët përmes konkurseve dhe në këtë mënyrë krijohet një llogaridhënie dhe një përgjegjësi më e madhe.
“Pra, krijimi i adresave të qarta të përgjegjësisë besoj se do ta thjeshtësonte punën dhe do të racionalizonte ndoshta edhe mënyrën e efikasitetit në punë. Mënyra e tanishme është ndoshta njëra nga mënyrat më e dëmshme e mundshme”, thotë Hajrullahu.
Ai thotë se është e qartë se ka poste që vërtetë duhet të bazohen në institucionin e konkursit dhe të meritokracisë dhe për këto poste për të cilat nuk është e mundshme të bëhet emërime politike, atëherë duhet të rritet masa e monitorimit.
Ambasadori britanik Ruairi O'Connell nuk pajtohet që në pozitat e larta të bëhen emërime nga partitë politike, por ato të bëhen sipas meritokracisë dhe të përzgjedhen nga komisione profesionale.
“Nuk është vetëm që këto struktura nuk funksionojnë në mënyrë profesionale, por që nuk kanë si qëllim interesin publik, por interesin partiak ose privat dhe kjo është shumë negative dhe e dëmton shumë Kosovën”, thotë ai.
Duke e parë që i gjithë procesi i rekrutimit të njerëzve në këto pozita kishte degraduar në Kosovë, Ambasada Britanike ka ndërmarrë një iniciativë për ta ndihmuar Kosovën që ky proces i rekrutimit të jetë sipas ligjit. Kjo ambasadë ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe oferta është që një kompani britanike do ta ndihmojë procesin.
“Oferta është që një kompani britanike do të krijojë një proces profesional, jo të ketë intervistë pesë minuta, por duhet të përgatitet një intervistë pak më të gjatë me të vërtetë për të kontrolluar kush është më i miri sipas standardeve profesionale”, thotë O'Connell.
Është e vërtetë që ka grupacione në Kosovë apo njerëz që kanë dashur të ndërhyjnë të fusin njerëzit e tyre në këto pozita, ne nuk jemi naiv që kjo nuk ndodhë
Ruairi O'Connell, Ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë
Më pastaj oferta përfshinë përgatitjen e një raporti për ministrin apo kryeministrin, varet prej pozitës, për të treguar kush në fakt kanë qenë kandidatët më të mirë.
Ambasada britanike i ka ndihmuar deri tani dy procese, njëra prej të cilave është ajo e përzgjedhjes së drejtorit të Doganës së Kosovës. Në proces të përzgjedhjes janë edhe dhjetë raste të tjera. Ai tregon se në rastin e përzgjedhjes së drejtorit të Doganës ka pasur tendenca për të ndikuar në këtë proces.
“Është e vërtetë që ka grupacione në Kosovë apo njerëz që kanë dashur të ndërhyjnë të fusin njerëzit e tyre në këto pozita, ne nuk jemi naiv që kjo nuk ndodhë”, thotë ai, duke shtuar që suksesi i këtij projekti varet nga vullneti i partive politike që janë në pushtet.
Ligjet nuk e ndalojnë patronazhin politik
Kuadri ligjor i cili e rregullon punësimin në administratë publike, duke filluar nga sekretarët e përgjithshëm e deri tek ai që rregullon punësimin në agjenci, rregullatorë të pavarur, përfshirë ndërmarrjet publike, duket se nuk e ndalon drejtpërdrejt politizimin e institucioneve publike.
Ndonëse Ligji për Shërbimin Civil, neni 11, specifikon se “pranimi në Shërbimin Civil të Kosovës bëhet në pajtim me parimet e meritës, aftësisë profesionale, paanshmërisë, mundësive të barabarta, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve”, megjithatë ky ligj nuk ka arritur ta parandalojë politizimin e administratës publike.
Predispozitat ligjore specifikojnë që bordet duhet të jenë profesionale dhe pa precedentë penal apo interesa personale. Sidoqoftë, ligjet mbi agjencitë nuk specifikojnë asgjë mbi përkatësinë paraprake politike të këtyre drejtorëve. Si pasojë, drejtorët e këtyre agjencive të rëndësishme të pavarura mund jenë anëtarë të lartë vendimmarrës të partive politike apo edhe të përzgjedhur politik.
Kurse tek procesi i përzgjedhjes së bordeve, Ligji për Ndërmarrjet Publike parasheh që anëtarët e këtyre bordeve të jenë të paanshëm politikisht. Më saktësisht, një kandidat të paktën 36 muaj para datës së aplikimit nuk mund të jetë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.
Databaza online e Patronazhit Politik
Rekrutimi i këshilltarëve politikë
Një dukuri që është përhapur viteve të fundit ka të bëjë me punësimet e këshilltarëve politikë në pozita të larta, sidomos nëpër ministri. Shumë këshilltarë politik para se të përfundojë mandati i qeverisë apo mandati i ministrave, punësohen si drejtorë të departamenteve apo edhe në pozita tjera të larta. Preportr ka gjetur janë plotë 26 këshilltarë politikë që ndërkohë kanë marrë pozita të larta përmes rekrutimit me konkurs. Kjo tregon se konkursi për ato pozita shpallet sa për sy e faqe, sepse këshilltarët politikë vetëm ndërrojnë zyrat nga kabineti i ministrave, në zyre të departamenteve të caktuara. Zakonisht ata marrin më së shumti pikë në testime dhe vlerësohen maksimalisht në intervista.
Metodologjia:
Ky hulumtim i Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese - Preportr, ka për qëllim të tregojë nivelin dhe shtrirjen e patronazhit politik - kapjen e institucioneve publike nga partitë politike.
Ky hulumtim është vazhdimësi e hulumtimit të realizuar në vitin 2014. Në këtë vazhdimësi janë verifikuar të gjithë zyrtarët e lartë që janë punësuar përmes konkurseve në vitet 2015 dhe 2016. Vetëm në këtë periudhë kohore janë gjetur 116 zyrtarë të lartë që kanë lidhje me partitë politike.
Databaza e krijuar nga të gjeturat përmban: Institucionin ku është punësuar zyrtari, emrin dhe mbiemrin, pozitën, datën kur e ka marrë postin, lidhjen me partinë politike dhe vazhdimësinë e punës ndër vite.
Në fokus të hulumtimit ka qenë vetëm niveli i pozitave të larta publike - ashtu siç janë të përcaktuara me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë. Hulumtimi nuk ka përfshirë zyrtarë të tjerë publikë të cilët nuk janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, edhe pse ka dyshime se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë punësuar përmes lidhjeve politike dhe familjare - patronazhit politik dhe nepotizmit. Në këto statistika nuk janë përfshirë edhe zyrtarët që kanë lidhje familjare (nepotizmi) me njerëz të partive politike dhe me zyrtarët e tjerë publikë.
Kriteret për ta përcaktuar lidhjen direkte politike të një zyrtari të lartë publik me një parti politike kanë qenë që: a) zyrtari i lartë publikë të ketë konkurruar në zgjedhje lokale ose parlamentare për ndonjë subjekt politik; b) zyrtari të ketë rezultuar se ka qenë/është anëtar i organeve të partive politike në struktura qendrore apo të degëve nëpër komuna; c) zyrtarët të kenë pasur poste politike në të kaluarën, si p.sh këshilltarët politikë, e që pas një kohe kanë marrë pozita të larta publike përmes konkurseve; d) zyrtari të ketë bërë fushatë politike në mënyrë publike, qoftë përmes rrjeteve sociale, qoftë përmes pjesëmarrjes në aktivitete të partive politike.