Prishtinë, 28 Shkurt 2022
Punëtorët e sektorit privat në Kosovë vazhdojnë të jenë ndër më të diskriminuarit në tregun e punës. Ata ballafaqohen me probleme të shumta sa i përket kushteve të punës dhe marrëdhënies së punës me punëdhënësit. Të shumtë janë ata që punojnë pa kontrata të punës, punojnë me orar të tejzgjatur pa u paguar për punën shtesë, e shumë prej tyre edhe largohen nga puna pa paralajmërim. Ndër problemet e tjera me të cilat ballafaqohet ky sektor janë vonesa e pagave, mos gëzimi i të drejtës për pushim vjetor, mujor dhe javor, e shumë probleme tjera që ata i hasin në çdo ditë të tyre të punës.
Këto probleme janë evidentuar nga raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, nga sindikatat, por të njëjtat janë faktuar ndër vite edhe nga hulumtime të ndryshme që ka realizuar Preportr lidhur me këtë çështje.
Shumica e punëtorëve të këtij sektori nuk janë të informuar për të drejtat e tyre të punës, ndërsa edhe ata të cilët janë më të informuar, nuk i raportojnë shkeljet të cilat u bëhen në vendin e tyre të punës, për shkak të frikës nga pasojat e ndryshme me të cilat mund të përballen.
Sipas raportit statistikor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020, numri i të punësuarve në Kosovë është 347,071 mijë, ndërsa vetëm sektori privat numëron mbi 260 mijë punëtorë. Sipas këtyre të dhënave del që ky sektor ka numër më të madh të punëtorëve në vendin tonë. Paga mesatare në Kosovë është prej 350 euro në muaj, ndërsa paga minimale varion nga 130 deri në 170 euro në muaj, varësisht nga mosha e të punësuarve.
Të drejtat të cilat rrjedhin nga raportet punëdhënës dhe punëmarrës, janë të rregulluara në forma të ndryshme me legjislacionin në fuqi. Këto të drejta fillimisht janë të garantuara me Kushtetutën e vendit tonë, me ligjet e aplikueshme të cilat garantojnë të drejtat nga marrëdhënia e punës, me akte tjera nënligjore si dhe me kontrata.
Duke u nisur nga ajo se të drejta të shumta të kësaj natyre realizohen edhe në të drejtën civile, për shkak se të njëjtat janë marrëdhënie kontraktuese, Preportr përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës statistikat e kontesteve të punës për vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020 dhe 2021, mirëpo për këto dy vitet e fundit përkundër kërkesave, nuk kemi pranuar të dhënat. Këto statistika përfshijnë të gjitha gjykatat themelore në Republikën e Kosovës.
Nga të dhënat e siguruara nga KGJK, rezulton se në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës për vitet 2016, 2017, 2018 dhe 2019 kanë qenë gjithsej 10717 lëndë në punë të kontesteve të punës, nga të cilat 6727 lëndë janë zgjidhur me aktgjykim gjykues në bazë të pohimit, me aktgjykim gjykues në bazë të mungesës, me aktgjykim gjykues në bazë të shqyrtimit kryesor, me marrëveshje gjyqësore, me tërheqje të padisë, me ndërprerje të procedurës si dhe 564 lëndë prej tyre janë zgjidhur në mënyrë tjetër. Ndërsa lëndë të pazgjidhura të kontesteve të punës në fund të vitit 2019, në gjykatat themelore në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj kanë qenë gjithsej 4068 lëndë.
Ballafaqimi me diskriminime të shumta
Preportr ka biseduar me disa punëtorë të sektorit privat lidhur me të drejtat e tyre të punës, por vetëm disa nga ta kanë pranuar të prononcohen, duke kërkuar t’mos u publikohet identiteti, pasi që rrezikojnë edhe atë vend të punës që e kanë.
E.G e cila paguhet 250 euro në muaj udhëton çdo ditë nga fshati për në qytet për të shkuar në punë, duke paguar për një biletë autobusi rreth 80 centë vetëm për një drejtim. Deri më tani ajo ka ndërruar disa vende të punës, ku kryesisht ka punuar si sektoriste në dyqane të ndryshme mirëpo gjithmonë i është dashur të udhëtojë, dhe asnjëherë nuk i është siguruar transporti nga asnjë punëdhënës.
Në punën që tani e bën si arkëtare në një dyqan të shitjeve në qytetin e Malishevës, ajo thotë se ka kontratë të punës dhe se i paguhen kontributet në Fondin e Kursimeve Pensionale. Ajo thotë se brenda orarit të punës është e detyruar të kryejë edhe punën e sektoristes, pastrueses si dhe shumë punë të tjera brenda kompanisë.
Në punët e mëparshme që ajo ka bërë thotë se asnjëherë nuk ka pasur kontratë. E pyetur nëse ka kërkuar ndonjëherë për t’iu bërë kontrata e punës apo nëse është ankuar në ndonjë institucion lidhur me mos pajisjen me kontratë të punës, ajo ka thënë se nuk është ankuar asnjëherë. Arsyeja që nuk është ankuar asnjëherë në asnjë institucion thotë se ka qenë frika e humbjes së vendit të punës.
Sipas Ligjit të Punës, çdo punëdhënës është i obliguar të lidhë kontratë me punëmarrësin, përmes të cilës rregullohen të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e të dyja palëve kontraktuese.
Sipas nenit 60 të po këtij ligji, ndër të tjera punëdhënësi është i obliguar që në rast të lëndimeve të të punësuarit, të marra gjatë kryerjes së punës, t’i ofrojë sigurimin për kompensimin e shpenzimeve.
“Shumë herë jam lënduar gjatë punës mirëpo nuk kam marrë asnjëherë ndonjë pagesë shtesë për shpenzimet që i kam bërë për vizita tek mjekët dhe shpenzimet për barna, ndërsa sa i përket pushimit mjekësor, nuk kam pasur asnjëherë te asnjë punëdhënës. Në rast se kam qenë e sëmurë dhe më është caktuar pushim nga mjeku, më janë hequr mëditjet për aq sa nuk kam shkuar në punë ”, thotë ajo.
Sa i përket kompensimit për orët shtesë të punës ajo tregon se ka punuar shumë herë jashtë orarit të punës, dhe është paguar pak, jo aq sa është dashur të paguhej për orët shtesë.
Për përvojën e saj në shumë vende të punës thotë se gjithmonë është ndjekur nga trajtimi i keq në punë duke filluar edhe nga mënyra se si punëdhënësi ka komunikuar dhe është sjellë me të si dhe me shumicën e punëtorëve të tjerë. Për më tepër thotë se ky trajtim ka ndikuar edhe në shëndetin e saj mendor.
Në kuadër të këtij hulumtimi, Preportr përmes platformës ECR ka publikuar një pyetësor përmes të cilit ka marrë përgjigje nga punëtorët e sektorit privat lidhur me kontratat e punës dhe problemet tjera me të cilat ata ballafaqohen në vendin e tyre të punës.
Sipas përgjigjeve të marra përmes këtij pyetësori, orari i tejzgjatur, mos pagesa e orëve shtesë, pushimi javor dhe ai vjetor si dhe vonesa në paga janë ndër shkeljet më të shpeshta në kontratat e tyre.
Sipas perceptimit të respodentëve tri problemet kryesore me të cilat ballafaqohen punëtorët e sektorit privat janë: Pagat e ulëta, puna jashtë orarit dhe mungesa e pushimit javor dhe vjetor.
Një punëtor që punon në një servis të automjeteve në qytetin e Istogut ka thënë se aty punon që tri vite dhe se asnjëherë nuk ka pasur kontratë të punës.
I pyetur nëse ka kërkuar që t’i bëhet kontrata e punës ai ka thënë se kërkesa e tij nuk është miratuar asnjëherë.
“Tek inspektorati nuk jam ankuar asnjëherë, ndërsa tek shefi jam ankuar shumë herë. Por, gjithmonë ka qenë përgjigja që do të ma bëjnë, kontratën pas një muaji, por veç e ka shtyrë dhe asnjëherë nuk kam pasur mundësi ta marrë kontratën”, ka thënë ai.
E kam lënduar dorën e djathtë, shefi më ka dërguar tek mjeku, e kam bërë kontrollën, i ka paguar barnat, dhe prapë jam kthyer në punë
Ai, ka treguar se asnjëherë nuk ka pasur pushim vjetor, dhe se arsyetimi i punëdhënësit të tij ka qenë se puna gjatë sezoneve është më e madhe dhe nuk mund të merret pushimi vjetor.
Edhe në rastet kur është lënduar në punë, atij nuk i është dhënë pushimi mjekësor.
“E kam lënduar dorën e djathtë, shefi më ka dërguar tek mjeku, e kam bërë kontrollën, i ka paguar barnat, dhe prapë jam kthyer në punë”, u shpreh ai.
Ai ka thënë se punon edhe jashtë orarit të punës por që nuk paguhet mjaftueshëm për orët shtesë, dhe se gjithashtu ndonjëherë i është dashur të bëjë edhe punë të tjera brenda kompanisë ku ai punon.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2020, fuqia punëtore numëron 468,451 mijë persona, prej të cilëve 347,071 mijë janë të punësuar në sektorin publik dhe atë privat, ndërsa numri i të rinjve nga mosha 15-24 të cilët nuk janë të punësuar si dhe nuk ndjekin shkollimin apo trajnime është rreth 112,936 mijë. Sipas ASK-së në vitin 2020 në Kosovë ka pasur 121,379 mijë persona të moshës 15-64 vjeç, që ishin të papunë. Krahasuar me vitet paraprake në Kosovë është rritur shkalla e papunësisë.
Shumë parregullsi të identifikuara nga Inspektorati i Punës
Inspektorati i Punës është një mekanizëm i rëndësishëm i cili e mbikëqyr zbatimin e Ligjit të Punës, si dhe zbatimin e Ligjit për Shëndet dhe Siguri në Punë, por edhe aktet tjera nënligjore që e rregullojnë marrëdhënien e punës mes punëmarrësit dhe punëdhënësit. Të dhënat e inspektimeve për vitet 2020 dhe 2021 tregojnë se janë evidentuar raste të shumta të punëtorëve pa kontrata të punës. Gjithashtu këto të dhëna tregojnë edhe për numrin e aksidenteve fatale dhe lëndimeve në vendin e punës. Sa i përket lëndimeve, jo të gjitha raportohen në inspektorat. Një hulumtim i mëhershëm ka treguar se ka dukshëm më shumë lëndime të punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë, sesa të dhënat që i ka poseduar inspektorati.
Edhe sipas pyetësorit të realizuar nga Preportr, vetëm 55% e punëtorëve deklarojnë se kanë kontrata të punës, por 74% prej tyre kanë thënë se kontratat e punës nuk respektohen nga punëdhënësit e tyre.
Ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Agim Millaku thotë se ky inspektorat aktualisht numëron rreth 36 inspektorë dhe se ky numër nuk është i mjaftueshëm për përmbushjen e detyrave që ka ky institucion.
“Me ketë vëllim të punëve edhe ata që janë, punojnë me vështirësi. Ndërkohë disa kanë vdekur, disa janë pensionuar, ato vende të tyre të punës nuk janë plotësuar me inspektorë të ri”, theksoi Millaku.
Sipas raporteve të Inspektoratit të Punës për vitet 2020 dhe 2021 pengesa kryesore për realizimin e sa më shumë inspektimeve ka qenë numri i vogël i inspektorëve. Sipas raportit të vitit 2020 në Kosovë ka pasur mbi 50.000 mijë subjekte aktive, ndërsa për vitin 2021 mbi 75.000 mijë subjekte aktive të cilat kanë punëtorë të deklaruar dhe sipas këtyre raporteve për të inspektuar çdo subjekt punues së paku një herë në vit, numri i inspektorëve karshi numrit të subjekteve punuese është tejet i vogël.
Millaku ka thënë se Inspektorati i Punës ka pasur një Plan Zhvillimor Strategjik nga viti 2017 deri në vitin 2021, por që këtij plani tashmë i ka skaduar afati kohor. Sipas tij, ky plan zhvillimor nuk ka pasur sukses sepse nuk është shtuar numri i inspektorëve ashtu siç ishte paraparë.
“Kemi planifikuar që çdo vit me i marr nga 20 inspektorë deri sa të plotësohet numri i mjaftueshëm, por që kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi kemi zvogëlim të numrit të inspektorëve”, ka thënë ai.
Millaku thotë se mos shtimi i numrit të inspektorëve, nuk është bërë për shkak të procedurave dhe konkurseve, të cilat po marrin kohë.
“Jemi në përpjekje të shtojmë numrin e inspektorëve të punës ashtu që mjaftueshëm ta mbulojmë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe akteve nën ligjore që rregullojnë marrëdhënien e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës në planin qeverisës të saj ka vënë prioritet mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës si dhe shtimin e numrit të inspektorëve. Edhe në programin, që është prezantuar gjatë fushatës zgjedhore, Kryeministri i tanishëm i Kosovës Albin Kurti ka thënë se do pesëfishohet numri i inspektorëve të punës, me synim parandalimin e diskriminimit të punëtorëve dhe parandalimin e rreziqeve në punë.
Preportr ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve, Financave dhe Transfereve, për të marrë përgjigje rreth planeve dhe strategjisë për përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët e sektorit privat, por përkundër insistimit, nuk kemi marrë përgjigje.
Mijëra punëtorë të sektorit privat pa kontrata të punës
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se të drejtat e punëtorëve në sektorin privat po shkelën në vazhdimësi që shumë vite dhe se nuk ka asnjë përmirësim në këtë aspekt, por vetëm përkeqësim.
Azemi mendon se Inspektorati i Punës e bartë përgjegjësinë më të madhe që të drejtat e punëtorëve në sektorin privat nuk janë përmirësuar. Për më tepër ai thotë se nuk janë të kënaqur me raportet zyrtare të këtij institucioni.
“Po ta kishte kryer mirë detyrën e vet Inspektorati i Punës sigurisht që sot nuk do të kishim mbi 50% të punëtorëve pa kontrata të punës, dhe pa kryerjen e obligimeve të punëdhënësve ndaj punëtorëve tek trusti pensional”, u shpreh ai.
Nga të dhënat e pyetësorit që ka realizuar Preportr, punëtorët e sektorit privat kanë thënë se edhe pse janë ankuar për shkeljen e të drejtave të tyre në institucione përkatëse ose tek punëdhënësit e tyre, nuk u janë përmirësuar kushtet e punës edhe pas ankesave të bëra.
Shkelje të rënda gjithashtu kemi pasur kur pronari e ka vërtetuar që punëtori e ka virusin. Në këto raste ia ka shkëputur marrëdhënien e punës, dhe në momentin që është shëruar punëtori, në shumicën e rasteve nuk i kanë kthyer në punë
Jusuf Azemi, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat
Azemi thekson se edhe gjatë pandemisë Covid – 19, ka pasur shkelje të shumta sepse punëtorët kanë qenë të detyruar të punojnë edhe pse kanë qenë të infektuar me këtë virus, e shumë prej tyre që kanë qenë të infektuar me virus janë larguar nga puna.
“Shkelje të rënda gjithashtu kemi pasur kur pronari e ka vërtetuar që punëtori e ka virusin. Në këto raste ia ka shkëputur marrëdhënien e punës, dhe në momentin që është shëruar punëtori, në shumicën e rasteve nuk i kanë kthyer në punë”, thotë Azemi, duke shtuar se ka pasur raste kur për punëtorët e sektorit privat, edhe pse shteti me pakon emergjente të vitit të kaluar, ka dedikuar mjete financiare për punëtorë, ato i kanë marrë vet pronarët e kompanive.
Ai thotë se edhe pse shumë punëtorëve u shkelen të drejtat e punës në mënyra të ndryshme, ata nuk e kanë besimin e plotë në Inspektoratin e Punës pasi që në shumicën e rasteve kur ata kanë kërkuar ndihmë në inspektorat, ky institucion nuk u ka dalë në ndihmë.
Azemi thotë se vazhdimisht kanë bërë kërkesa në institucionet shtetërore, lidhur me mos krijimin e kushteve të punës për punëtorët e sektorit privat, po ashtu edhe kërkesa lidhur me pagën minimale që kjo sindikatë ka parashtruar vazhdimisht.
“Kërkesat nga sindikata janë adresuar me vite të tëra, kërkesa kryesore ka qenë edhe është respektimi i ligjeve që i kemi në fuqi lidhur me raportet punëdhënës- punëmarrës”, ka thënë ai.
Edhe sipas raporteve vjetore të Inspektoratit të Punës një ndër shkeljet më të shpeshta është mos lidhja e kontratave të punës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ndërsa shkeljet tjera të evidentuara përgjatë këtyre dy viteve janë: ndërprerja e marrëdhënies së punës, mohimi i të drejtës për pushim vjetor, mohimi i të drejtës për pagë minimale të garantuar, mos pagesa për orët shtesë në ditët e pushimit javor si dhe të drejtat e tjera të punës të parapara në Ligjin e Punës.
Sipas raporteve vjetore të Inspektoratit të Punës nga siguria dhe shëndeti në punë parregullsitë më të shpeshta që janë evidentuara kanë qenë se punëdhënësit nuk i kryejnë obligimet e veta të përcaktuara me legjislacionin në fuqi. Ndër parregullsitë tjera të evidentuara nga inspektorati janë: mos vlerësimi i riskut në punë, mos trajtimi i punëtorëve për dhënien e ndihmës së parë, subjektet punuese nuk kishin kryer kontrollën mjekësore të punëtorëve në periudhat e caktuara kohore, si dhe mungesa e kushteve të tjera esenciale të punës të parapara dhe në Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë.
U.d i Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës Agim Millaku, thotë se sektori më i rrezikshëm për punëtorët është ndërtimtaria, ku përgjatë vitit 2020 vetëm në këtë sektor kanë ndodhur 30 aksidente.
“Për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore në përgjithësi IP-ja ka shqiptuar masën e gjobës ndaj punëdhënësve në 115 subjekte punuese, prej tyre vetëm në sektorin e ndërtimit 45 gjoba”, thuhet në raportin vjetor të punës.
Shkalla e lartë e informalitetit vazhdon të mbetet shqetësim kryesor
Sipas raporteve vjetore të Inspektoratit të Punës, pamundësia e inspektimit të subjekteve punuese krijon mundësinë e rritjes së punës jo formale dhe në këtë mënyrë krijohet pabarazi dhe konkurrencë e dëmshme në mes të subjekteve punuese. Punësimi jo formal shkakton dëme të shumta dhe pamundësi që punëtorët t’i realizojnë të drejtat e garantuara me dispozitat pozitive ligjore.
Në raportin e punës për vitin 2021 të Inspektoratit të Punës, thuhet se janë legalizuar 345 punëtorë dhe 29 subjekte.
Edhe Administrata Tatimore e Kosovës së fundi u ka mundësuar qytetarëve të Kosovës të verifikohen nëse janë të regjistruar apo të deklaruar nga punëdhënësi përmes një vegle në faqen zyrtare të këtij institucioni, ku edhe u ka mundësuar që të raportojnë apo denoncojnë punëdhënësin në rast se nuk janë të regjistruar.
Nga ATK-ja kanë thënë për Preportr se që nga momenti i lëshimit në funksion të këtij aplikacioni e deri më tani janë raportuar mbi 124 denoncime, që janë bërë nga punëtorët për shkak se nuk kanë qenë të regjistruar nga punëdhënësi i tyre.
Një ndër aktivitetet e këtij institucioni ka qenë edhe formalizimi i punëtorëve, në përgjigjen e ATK-së thuhet se numri i punëtorëve të formalizuar vitin e kaluar ka qenë 3829, ndërsa vetëm në muajin janar të këtij viti janë formalizuar 198 punëtorë.
Në anën tjetër edhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka realizuar një raport për monitorimin e zbatimit të legjislacionit të punës dhe punësimit në sektorin privat në Kosovë. Sipas IKS, subjekti kryesor i këtij raporti është realizuar me 80 kompani në mbarë Kosovën, duke përfaqësuar tre sektorët më aktivë ekonomikë në Kosovë, përkatësisht, Prodhimi / Përpunimi, Tregtia me Pakicë, dhe Shërbimet.
Sa i përket luftimit të informalitetit, sipas këtij raporti, 57.5% e të anketuarve raportojnë se paguajnë punonjësit e tyre tërësisht me para në dorë, ndërsa 15% e kompanive raportojnë për kompensim të pjesshëm të punonjësve me para në dorë.
Sipas anketës së realizuar nga kjo organizatë, 76.3% e kompanive raportojnë se nuk kanë staf të trajnuar për fushën e shëndetit dhe sigurinë në punë, dhe 63.8% e kompanive në mostër kanë raportuar se nuk kanë asnjë punonjës të certifikuar as në ofrimin e ndihmës së parë ose në reagimin emergjent.
Edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vitin e kaluar ka lansuar platformën “Qendra për Ndihmë Juridike dhe Avokim”, përmes së cilës u ka mundësuar punëtorëve të raportojnë lidhur me shkeljet e të drejtave në punë qoftë në sektorin privat apo publik. KDI përmes këshilltarëve ligjorë u ka ofruar ndihmë juridike që ato çështje që raportohen të trajtohen nga institucionet përkatëse. Sa i përket këtyre raportimeve sipas një raporti që KDI ka publikuar vitin e kaluar, thuhet se shumica e tyre janë anonime dhe se gjatë periudhës së pandemisë kanë qenë kryesisht të lidhura me shkeljen e të drejtave të punës, sidomos në sektorin privat.
“Me fillimin e pandemisë, KDI ka pranuar 19 raportime për shkeljet e të drejtave të punëtorëve të një mediumi, dy prej të cilëve shtatzëna (gazetar, redaktor, staf tjetër) u janë shkelur të drejtat elementare duke u përjashtuar nga puna pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me Ligjin e Punës”, thuhet ndër të tjera në raportin e KDI-së.
Në sektorin e ndërtimtarisë kemi shkelje më të madhe të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në vendin e punës, nga 25 kompani prej 60 që kemi inspektuar nuk e kanë pasur vlerësimin e riskut
Rinore Rexha, QPA
Në anën tjetër Rinore Rexha nga Qendra për Politika dhe Avokim, organizatë kjo e cila monitoron punën e Inspektoratit të Punës, tregon se së bashku me këtë të fundit, gjatë vitit 2021 kanë marrë pjesë në 60 inspektime, ku kanë parë nga afër se sa po zbatohet Ligji i Punës dhe Ligji për Siguri dhe Shëndet në vendin e Punës.
“Në sektorin e ndërtimtarisë kemi shkelje më të madhe të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në vendin e punës, nga 25 kompani prej 60 që kemi inspektuar nuk e kanë pasur vlerësimin e riskut, që është e drejtë themelore, nëse e kthejmë në punëtorë është një numër jashtëzakonisht i madh që nuk u mbulohet vlerësimi i riskut”, ka thënë Rexha.
Sa i përket marrëdhënies së punës ajo thotë se shumë punëtorë punojnë pa kontrata të punës, dhe se punëtorët nuk e kërkojnë kontratën e punës për shkak që janë të kënaqur që e kanë një vend të punës dhe për këtë arsye rezulton se informaliteti është shumë i lartë.
“Nëse e shohim sektorin privat dhe atë publik, sektori privat është sektori i cili ka numër më të madh të inspektimeve, mirëpo nëse shohim ankesat që bëhen, nga sektori publik është numri më i madh, dhe kjo ngritë pikëpyetje, se apo frikësohen punonjësit e sektorit privat për t’i kërkuar të drejtat në vendin e punës”, shtoi Rexha.
Ndërsa sa i përket sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës ajo thotë se në sektorin e ndërtimtarisë, dhe prodhimtarisë ka shkelje të mëdha të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në vendin e punës, si dhe brenda kompanive mungojnë zyrtarët që duhet të jenë përgjegjës për këtë fushë.
Ajo gjithashtu ka treguar se në monitorimet që i kanë bërë si organizatë kanë hasur në disa sektorë punonjës nën moshën 18 vjeç, e që kjo përben një rrezik të lartë për punën që zhvillojnë ata.