English
Scroll top

Saga e “Tokës”

Rasti “Toka” tash e disa vite nuk ka epilog. Shumë seanca kanë dështuar të mbahen sepse në disa raste mungonin avokatët, e në disa raste të akuzuarit. Në këtë rast është i përfshirë edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla. Ai akuzohet si organizator i një grupi kriminal që ka falsifikuar dokumente të parcelave të tokave duke i shitur ato. Aktakuza është ngritur nga një prokuror i EULEX-it, por tani prokurori dhe trupi gjykues janë vendorë. Lidhur me të gjitha akuzat, Azem Syla është deklaruar i pafajshëm

Prishtinë, 15 Maj 2020

Azem Syla ka lindur më 5 prill të vitit 1951 në fshatin Kishnarekë të Komunës së Drenasit. Ai ka një karrierë të gjatë si aktivist politik. Ka qenë i burgosur politik në vitet e 80’ta. Njihet edhe si një nga themeluesit dhe drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK).

Pas daljes në skenë të UÇK-së dhe themelimit të Shtabit të Përgjithshëm, Azem Syla emërohet komandant i këtij shtabi. Pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999, ai ishte Ministër i Mbrojtjes gjatë periudhës së funksionimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Azem Syla angazhimin politik e vazhdoi në Partinë Demokratike të Kosovës, duke qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të kësaj partie që nga themelimi. Për dy mandate ai ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së. Por mandatin e dytë nuk e çoi deri në fund. Më 28 prill të vitit 2016 ai dha dorëheqje nga ky post për shkak se po hetohej si pjesë e një grupi të krimit të organizuar.

Shiko Gazetën #32

“Nga sot ofroj dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha përgjegjësitë institucionale, nga të qenët deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Hetimi i filluar ndaj meje është i padrejtë, por unë dëshiroj t’i jap hapësirë dhe mundësi drejtësisë të punojë pa ndikime”, ka deklaruar Syla përmes një komunikate për media.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njërën me 17 persona dhe tjetrën me 22. Në këtë të fundit që është ngritur më 24 tetor 2016, përfshihet edhe Azem Syla.

Syla dhe 38 personat e tjerë akuzohen për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Ata akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Sipas aktakuzës, Azem Syla ka qenë organizator, mbikëqyrës, udhëheqës dhe drejtues i një grupi të organizuar kriminal që i menduan aktivitetet kriminale të grupit dhe e financuan atë. Syla akuzohet se i koordinoi aktivitetet kriminale dhe mbajti rol mbikëqyrës mbi gjithë operacionin. Caktoi anëtarë të tjerë të grupit të organizuar kriminal për rolet e tyre të veçanta brenda një hierarkie të përcaktuar, si dhe miratoi ose refuzoi propozimet operacionale nga anëtarë të tjerë të grupit të organizuar kriminal.

“Dha urdhra dhe udhëzime për anëtarët e tjerë të grupit të organizuar kriminal; Kërkoi raporte për sa i përket aktiviteteve të vazhdueshme kriminale nga anëtarët e tjerë të grupit, mori pjesë në veprat themelore penale, duke dhënë instruksione, udhëzime dhe miratim. Siguroi dhe mori shumicën e fitimeve nga aktivitetet”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Me datën 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare e këtij rasti që njihet si rasti “Toka”, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale për të cilat akuzohen.

Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, Arkadiusz Sedeck, pas pranimit të kundërshtimit të mbrojtjes, i kishte refuzuar ato, ndërkohë me datën 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë. Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, shkalla e dytë e kishte konfirmuar aktakuzën më 26 tetor 2017.

Mes paraburgimit, lirisë dhe arrestit shtëpiak

Vendimet lidhur me masën e sigurisë ndaj Azem Syles kanë qenë të shumta dhe të ndryshme. Ai disa herë është liruar nga paraburgimi, por prapë i është kthyer kjo masë, apo arresti shtëpiak.

Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës me 27 prill 2016 kanë bastisur shtëpinë e Azem Syles në Kishnarekë të Drenasit. Por këtë të fundit nuk e gjetën aty. Ndërkohë u konfirmua se ai ndodhej në Shqipëri. Syla u dorëzua pas tri ditëve në pikën kufitare në Vërmicë, ku u arrestua nga policia. Më 30 prill të vitit 2016 atij iu caktua paraburgimi për një muaj, i cili iu vazhdua ndërkohë edhe për tre muaj të tjerë. Por më 15 gusht të 2016-tës ai u lirua nga paraburgimi, duke iu caktuar si masë sigurie paraqitja në stacionin policor një herë në javë.

Gjyqtarja e EULEX-it, Jennifer Seal, i pati miratuar ankesat e avokatëve mbrojtës dhe e ka liruar nga paraburgimi Sylën.

“Provat materiale ashtu siç janë paraqitur nga prokuroria nuk konstatojnë lidhje të drejtpërdrejtë mes Azem Sylës dhe aktivistëve të vazhdueshme për pengimin të procedurave”, ka shkruar ndër të tjera Seal në vendim.

Syla vazhdoi të qëndrojë në liri, pasi Gjykata e Apelit vërtetoi këtë vendim.

Por rreth tri javë më vonë, ai u arrestua me vendim të gjykatëses së EULEX-it, Jennifer Seal. Arrestimi është bërë mbi arsyetimin se ai ka tentuar të ndikojë në njërin prej dëshmitarëve të mbrojtur në rastin për të cilin akuzohet.

Tutje, më 6 tetor 2016 ai mbetet në paraburgim, pasi që kërkesa për lirimin e tij ishte refuzuar nga gjyqtarja e EULEX-it Seal. Nga kjo kohë atij i është vazhduar paraburgimi edhe disa herë deri në janar të vitit 2018.

Me 14 janar të vitit 2018 Azem Syla është liruar sërish nga paraburgimi. Por rreth dy javë pasi që është liruar, Gjykata e Apelit, ia ka ndryshuar masën e sigurisë, duke i caktuar arrest shtëpiak. Ndërkohë, me 24 gusht 2018 trupi gjykues vendor i Gjykatës Themelore të Prishtinës, e ka liruar atë edhe nga arresti shtëpiak me arsyetimin se prokurori i rastit nuk ka kërkuar zgjatje të masës së sigurisë.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi ka deklaruar për Kallxo.com se Syla është liruar sepse “prokuroria nuk ka bërë propozim për zgjatjen e masës së arrestit shtëpiak dhe se nuk ka më asnjë masë të sigurisë”.

Kjo ka ndodhur pasi që prokurori Abdurrahim Islami i cili e përfaqësonte rastin ka dalë në pension dhe lënda nuk i ishte caktuar asnjë prokurori tjetër.

Dështuan shumë seanca

Edhe pse ishin caktuar shumë seanca, gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin mundur ta fillojnë këtë shqyrtim, pasi EULEX-i hoqi dorë nga ky rast dhe lënda kaloi te vendorët.

Rasti “Toka”, ka pasur zvarritje të shumta. Shumë seanca kanë dështuar të mbahen për shkak se mungonin avokatët, e në disa raste të akuzuarit. Gjithashtu disa seanca kanë dështuar për shkak të moskompletimit të trupit gjykues.

Lidhur me zvarritjen e këtij rasti, por duke e ngritur si shqetësim edhe për rastet tjera, pati reaguar edhe Ramush Haradinaj derisa ishte kryeministër i Kosovës. Ai më 14 mars 2018 gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se të akuzuarit po mbahen për vite të tëra në procese gjyqësore pa epilog.

“Po e mbytën burrë Azem Sylën që pesë vjet i ka bërë nëpër procese gjyqësore. Më shumë ka faj gjyqësori se ai njeri, apo edhe ndonjë njëri tjetër kushdo qoftë...pse duhet me zgjatë aq shumë, pse nuk po mundet të jepet një epilog? Korrupsioni e të gjitha të këqijat në këtë vend luftohen duke e bërë një gjyqësor efikas që kryen punë. Ose je i fajshëm, ose i pafajshëm. Është një afat kohor që ta jep një përgjigje. Nuk e kam për atë se kush ka qenë, ose kush është Azem Syla, e as aspekteve tjera të kontributeve të tij për liri, por një rast nuk mundet të shkojë në pakufi”, ka deklaruar Haradinaj.

Megjithatë, shqyrtimi gjyqësor i këtij rasti është mbajtur më 20 shkurt 2018. Në këtë seancë, gjykatësi i EULEX-it Petko Petkov, kishte njoftuar palët se ky rast do të transferohet për t’u gjykuar nga institucionet vendore.

Ky vendim ishte kundërshtuar nga prokurori italian Danilo Cecarelli, i cili e kishte ngritur aktakuzën. Ai vendimin e ka quajtur të turpshëm, duke shtuar se ky është një dështim i EULEX-it dhe paaftësi për të vendosur drejtësi.

“Kalimi te vendorët është përfundim i këtij rasti dhe ne e dimë se pse. Ka pasur kohë të mjaftueshme që misioni ta përfundojë këtë rast, sepse kanë qenë të caktuara mbi 50 seanca. Ky vendim nuk është vendim as i prokurorisë e as i gjyqtarëve, nuk do ta dimë kurrë kush e ka marrë këtë vendim, nuk ka përgjegjësi dhe llogaridhënie”, kishte deklaruar Cecarelli.

Aktualisht në rastin “Toka”, kryetar i Trupit Gjykues është Beqir Kalludra. Anëtarë të Trupit Gjykues janë Lutfi Shala dhe Violeta Namani, ndërsa Naim Abazi prokuror.

Edhe pas kalimit tek vendorët ka pasur zvarritje të shumta. Në vitin 2019 janë mbajtur disa seanca. Gjatë këtij viti janë caktuar gjithsej 13 seanca, por gjashtë prej tyre kanë dështuar. Tri seanca nuk janë mbajtur për shkak të mungesës së avokatëve, dy për shkak se munguan disa nga të akuzuarit dhe një seancë ka dështuar të mbahet për shkak se gjykata nuk i ka dërguar urdhëresat për t’i sjellë në seancë tre të akuzuar, të cilët ishin në paraburgim.

Monitoruesit e organizatës Çohu e kanë monitoruar në vazhdimësi këtë rast dhe kanë qenë të pranishëm në të gjitha seancat që kanë qenë të hapura.

Më 25 qershor 2019 është arritur të mbahet shqyrtimi gjyqësor. Gjatë kësaj seance prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi e dorëzoi tek trupi gjykues aktakuzën dhe e elaboroi verbalisht. Ai ka thënë se do të vërtetohet se të akuzuarit kishin marrë pjesë si grup kriminal, dhe se nga provat e shumta do të vërtetohet se ata janë fajtorë.

Por gjatë kësaj seance në fjalën hyrëse, prokurori Naim Abazi ka përmendur emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, duke zbuluar identitetin e tyre. Kjo gjë u konsiderua si skandal nga organizatat që e monitorojnë këtë rast.

Preportr kur i është referuar këtyre dëshmitarëve në këtë shkrim, ka përdorur inicialet A.A dhe N.N, për të ruajtur identitetin e tyre.

“Në këtë rast do të dëgjohen edhe dëshmitarët e mbrojtur A.A. dhe N.N. Rëndësi e veçantë është dëshmia e A.A., dhe besueshmëria e të cilave deklarata është e padiskutueshme ngase ato janë vlerësuar edhe nga instancat më të larta të kësaj gjykate”, ka thënë prokurori Abazi.

Lidhur me këtë çështje, po atë ditë ka reaguar Prokuroria Speciale, duke thënë se prokurori Abazi nuk ka zbuluar asnjë emër të dëshmitarëve të mbrojtur, por të dëshmitarit bashkëpunues. Për më tepër në reagim kërkohej që “të gjithë gazetarët dhe mediat, mos të publikojnë shkrime të pakonfirmuara nga Prokurori i Shtetit, e të cilat nuk e pasqyrojnë të vërtetën lidhur me punën në sistemin prokurorial”.

Por në materialin e incizuar dhe publikuar nga Kallxo.com, rezulton se në këtë seancë, prokurori Abazi i është referuar si dëshmitarë të mbrojtur dy dëshmitarëve.

Shqyrtimi i radhës është mbajtur me 11 shtator 2019. Kjo seancë ishte zhvendosur në ambientet e Gjykatës Themelore të Gjilanit për shkak se ajo e Prishtinë nuk ka pajisje teknike për të marrë dëshminë e dëshmitarit përmes video-linkut.

Ajo ka qenë e mbyllur për publikun, me arsye se në këtë seancë, përmes video-linkut, do të dëgjohej një dëshmitar bashkëpunues.

Duhet theksuar se kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra mbylljen e seancës e ka bërë në mënyrë selektive, duke larguar nga salla publikun, mediat dhe disa nga monitoruesit e shoqërisë civile, por jo edhe monitoruesit e EULEX-it, OSBE-së dhe ambasadës amerikane.

Edhe seanca tjetër e mbajtur pas shtatë ditësh ka qenë e mbyllur me arsyen e njëjtë.

Shqyrtimi tjetër gjyqësor është mbajtur më 20 nëntor 2019, ku para trupit gjykues janë dëgjuar dëshmitë e gjashtë dëshmitarëve.

Dëshmitari Habib Cakaj, pronar i disa parcelave në Çagllavicë, ka deklaruar se ato i kishte blerë nga Arton Vila (që në aktakuzë përshkruhet si shofer i Azem Syles) me një çmim prej 326 mije euro.

Ai në dëshminë e tij ka thënë se pasi e kishte blerë këtë pronë nga Vila, kishte pasur probleme me një familje serbe, si ish-pronare e kësaj prone, të cilët edhe e kishin paditur.

“Pasi kam marrë listën poseduese, e kam marr makinerinë me rregullu vendin e pllacit për vetura. Pas dy ditëve ka ardhur Bransilav Nikoliçi me vëllezërit e tij dhe fqinjët e tij, në total prej 20 personave dhe më ka thënë se kjo tokë është e jona pse ke hi këtu. Unë ju kam thënë se nëse keni dëshmi që kjo tokë është e juaja menjëherë do t’ua lirojë, ata nuk kishin asnjë dëshmi përveç fjalëve’’, ka thënë Cakaj.

Në shqyrtimin gjyqësor të datës 17 dhjetor 2019 është dëgjuar dëshmitari Muharrem Kadriu. Ai ka deklaruar se nga i akuzuari Shaban Syla kishte blerë pronë në Llapnasellë me një shumë prej 150 mijë euro.

Prona ishte në emër të një serbi me emrin Blagojeviç nëse nuk gaboj dhe këtë e kam kuptuar në gjykatë, por para se të shkoja në gjykatë kam menduar se kjo pronë ishte e Shaban Syles. Ai e kishte autorizimin dhe zyrtari i gjykatës tha se çdo gjë ishte në rregull.

Muharrem Kadriu, dëshmitar

Ai shtoi se gjatë asaj kohe, e kishte parë numrin kontaktues të Shaban Syles, në atë pronë, në të cilën thuhej se prona ishte në shitje, ku më pas e kishte kontaktuar dhe ishte takuar me të akuzuarin dhe kishin biseduar për çmimin e shitjes.

“Prona ishte në emër të një serbi me emrin Blagojeviç nëse nuk gaboj dhe këtë e kam kuptuar në gjykatë, por para se të shkoja në gjykatë kam menduar se kjo pronë ishte e Shaban Syles. Ai e kishte autorizimin dhe zyrtari i gjykatës tha se çdo gjë ishte në rregull’’, ka thënë dëshmitari Kadriu.

Ai ka thënë se ndërkohë, të njëjtën pronë, ia kishte shitur një personi tjetër. Siç duket ai kishte bërë një pazar të mirë, duke e shitur këtë pronë në shumën prej 440 mijë euro. Kadriu ka thënë se nuk e ka ditur se kjo pronë kishte probleme pronësore.

Edhe blerësi i kësaj prone, Ministër Jusaj është ftuar si dëshmitar në këtë seancë. Ai gjatë dëshmisë së tij ka thënë se prona i ishte bartur në emër të tij nga avokati tashmë i akuzuar Avni Maxhuni. Ai ka thënë se verifikimin e parcelës e ka bërë në zyrën kadastrale në Graçanicë dhe në gjykatë dhe se në bazë të dokumentacioneve gjithçka ka qenë në rregull.

“Nga momenti që unë e kam bartur pronën në emër timin deri më sot asnjëherë nuk e kam shfrytëzuar se menjëherë pasi kam përpiluar planin për investim dhe kam krijuar fondet për investime, kanë filluar telefonatat se nga e ke marrë këtë pronë dhe aty kam ndërprerë investimet”, ka thënë dëshmitari Jusaj.

Nga momenti që unë e kam bartur pronën në emër timin deri më sot asnjëherë nuk e kam shfrytëzuar se menjëherë pasi kam përpiluar planin për investim dhe kam krijuar fondet për investime, kanë filluar telefonatat se nga e ke marrë këtë pronë dhe aty kam ndërprerë investimet.

Ministër Jusaj, dëshmitar

Lidhur me rastin “Toka”, prokurori ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake një urdhër për sekuestrim të përkohshëm të 38 parcelave të tokës që dyshohet se ishin marrë përmes aktiviteteve kriminale e për të cilat është ngritur kjo aktakuzë. Shumica e tyre në Veternik dhe Graçanicë.

Përmes zyrës për informim të Prokurorisë Speciale të Kosovës Preportr ka dërguar pyetje për prokurorin Naim Abazi lidhur ecurinë e këtij rasti, se sa ka qenë e kompletuar aktakuza nga prokurori i EULEX-it, a ka pasur ndërrim të deklaratave nga dëshmitarët prej asaj që kanë deklaruar gjatë fazës hetuese dhe në seancat gjyqësore, ligjshmërinë e incizimeve që i ka bërë njëri nga dëshmitarët kryesor të rastit, etj. Por edhe pas pritjes për më shumë se një muaj dhe insistimit të vazhdueshëm, nuk kemi marrë përgjigje.

Manipulimi me dokumente

Sipas aktakuzës, ky rast përfshinë parcela të shumta të tokës, pronësia e të cilave disa dekada më parë u transferua nga individë të ndryshëm tek ndërmarrjet shoqërore. Në vitet e 90’ta, ligjshmëria e disa kontratave të shitjes të cilat lehtësuan këtë transferim të pronësisë është shqyrtuar nga Gjykatat Komunale. Në disa raste, janë lëshuar vendime të cilat kanë anuluar kontratat e shitjes së mëparshme dhe kanë urdhëruar kthimin e parcelave të konfiskuara nga ndërmarrja shoqërore (KBI “Kosova Eksport”) tek pronarët e tyre historikë.

Sipas aktakuzës, grupi i organizuar kriminal përfitoi nga rasti i individëve të cilët kanë vendime gjyqësore duke rivendosur titullarin e tyre për ish-tokën e familjes së tyre, por nuk kanë mundur që me sukses ta regjistrojnë të drejtën e tyre të pronësisë në regjistrin e tokave.

Këta individë janë të përkatësisë etnike serbe dhe disa prej tyre janë larguar nga Kosova për shkak të luftës në vitin 1999. Ky rast fokusohet në parcelat e tokës për të cilat titullari i së drejtës pronësore u mbajt nga tri familje të cilat, sipas aktakuzës, u vunë në shënjestër nga grupi i krimit të organizuar. Këto familje janë: Steviç, Simiç dhe Vujoviç.

Ky grup akuzohet se kanë marrë aktvendimet origjinale nga familjet serbe si dhe dosjet origjinale gjyqësore për procedurat të cilat rezultuan me këto vendime të gjykatës nga arkivat e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe arkivat shtetërore të Kosovës. Dosjet gjyqësore u ndryshuan më pas dhe dokumentet u falsifikuan.

“Të gjitha dokumentet të cilat i referohen parcelave të tokës, të cilat fillimisht u janë kthyer familjeve serbe, janë larguar (shlyer) dhe janë zëvendësuar me dokumente të reja të rreme. Vendndodhjet e dokumenteve origjinale janë të panjohura”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Aty thuhet se këto dokumente të falsifikuara përmbajnë ose ngastrat ekzistuese dhe ngastrat shtesë, ose i kane zëvendësuar në tërësi me ngastrat ekzistuese me emrat e tjerë të regjistruara në pronësi të ngastrave të “KBI Kosova Eksport”, të cilat kanë pasur vlerë më të lartë sesa ngastrat origjinale që theksohen në vendim.

“Dosjet e ndryshuara gjyqësore janë kthyer më pas në arkivat e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në Arkivin Shtetëror të Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

“Azem Syla – kreu i grupit kriminal”

Aktakuza e ngritur për këtë rast përshkruan veprimet grupore të të akuzuarve dhe Azem Sylën si udhëheqës kryesor i këtij grupi. Duhet theksuar se një pjesë e madhe e aktakuzës bazohet mbi deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur A.A të cilat prokurori i konsideron si të besueshme.

Sipas aktakuzës, ky grup ka marrë në mënyrë të paligjshme nga Arkivi i Gjykatës Komunale dhe Arkivi i Shtetit të Kosovës shkresat origjinale të lëndëve dhe vendimet origjinale të gjykatës dhe kanë falsifikuar të gjitha dokumentet, duke ia shtuar parcelave fillestare të tokës.

“Ata kane siguruar përmes mashtrimit autorizime të rreme dhe të paligjshme për të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për disa parcela të tokës. Ata kanë dorëzuar në Drejtorinë Kadastrale të Prishtinës një kërkesë për të transferuar pronësinë e parcelave të lartpërmendura të tokës nga pronësia shoqërore, në pronësi të familjes Steviç në bazë të vendimit dhe autorizimeve të falsifikuara, dhe i kanë dhënë ryshfet Kryetarit të Drejtorisë Kadastrale, Sabedin Haxhiu, për të bërë transferimin shpejt dhe në mënyrë të paligjshme”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë thuhet se ky grup ka marrë dhe ka fabrikuar autorizime të rreme dhe të paligjshme për të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në lidhje me parcelat e tokës të përmendura në vendimet e falsifikuara të gjykatës dhe kanë lidhur kontrata për shitje.

“Me sa duket autorizime të lëshuara nga Pavle Vujovic, Mirosllav Vujoviç, Milica Aleksiç, Dragica Stojanoviç (të cilët kanë qenë të gjithë të vdekur në atë kohë) Blazho Vujovic dhe Zharko Vujovic në favor të Shaban Syles”.

Sipas aktakuzës, ata kanë nxitur AKM-në (tash AKP) dhe Drejtorinë Kadastrale të Kosovës për të transferuar parcelat e tokës në pronësi shoqërore në Llapnasellë, Preoc dhe në Çagllavicë, në dukje në favor të familjes Steviç, por në të vërtetë në favor të grupit të organizuar kriminal.

Azem Syla dhe disa nga anëtarët e grupit akuzohen se kanë nxitur kryetarin e Gjykatës Komunale Nuhi Uka për të kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nxjerrje të kundërligjshme të vendimit gjyqësor dhe mashtrim në detyrë. Ata akuzohen gjithashtu se kanë nxitur edhe drejtorin e Drejtorisë Kadastrale të Prishtinës, Sabedin Haxhiun për të kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe mashtrimit në detyrë.

Sipas aktakuzës, Azem Syla dha urdhra, udhëzime dhe miratimin e veprimeve. Ndërkaq Shaban Syla dhe Shpresim Uka organizuan, drejtuan veprimet si nxjerrja dhe transferimi i autorizimeve të paligjshme dhe të rreme, nënshkrimin e kontratave të shitjes dhe regjistrimet e paligjshme të pasurisë në zyrën kadastrale.

“Azem Syla siguronte financimin fillestar për këtë biznes dhe ka mbajtur një rol mbikëqyrës mbi tërë operacionin Fahredin Gashi dhe Ramadan Uka ishin anëtarë të rangut të lartë të këtij grupi të përfshirë në nivelin që ishte drejtpërdrejt nën Shpresim Ukën dhe Shaban Sylën”.

Në aktakuzë thuhet se dëshmitari bashkëpunues në këtë rast A.A ka qenë anëtar për një kohë të gjatë i grupit dhe i njeh në tërësi anëtarët dhe aktivitet e tyre.

“Ai u largua nga grupi në vitin 2007, por mbeti në kontakt me disa nga anëtarët e grupit për një kohë dhe u kthye në Kosovë në vitin 2009. Ai u takua me disa prej tyre. Takimet janë regjistruar dhe këto regjistrime tashmë janë transkriptuar dhe janë përdorur si provë e pranueshme në rastet e mëparshme penale”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza e përshkruan Azem Sylën si të kujdesshëm në veprimet e tij sa i përket takimeve me anëtarët e grupit, por edhe në komunikimet përmes telefonit. Aty thuhet se takimet e rregullta të grupit mbaheshin në picerinë e dëshmitarit N.N në lagjen “Bregu i Diellit”, përballë Fakultetit Teknik.

“Azem Syla ulej në një qoshe, dhe kohë pas kohe ftonte anëtarët e grupit një nga një në tavolinë, duke i kërkuar përditësime. Kjo është konfirmuar nga A.A dhe N.N. [Ky i fundit] ka deklaruar se ishte e pamundur për dikë që të ulej me Azem Sylën, pa qenë i ftuar. Ai deklaroi se kur një person është thirrur për të biseduar me Azem Sylën, e ka thirrur shoferin e tij Arton Vilën, duke ia dorëzuar çantën dhe telefonat”, thuhet në aktakuzë. Këto masa sipas prokurorit Danilo Cecarelli janë ndërmarrë që asnjë bisedë të mos incizohej.

Por gjatë marrjes në pyetje, Azem Syla ka deklaruar se mund të ketë shkuar në këtë kafene, ashtu siç mund të ketë shkuar në ndonjë kafene tjetër dhe rastësisht mund të ketë takuar të pandehurit e tjerë. Ai deklaroi se kurrë nuk e ka takuar dëshmitarin A.A në këtë kafene. Syla ka deklaruar gjithashtu se nuk ka folur për biznes apo çështje të patundshmërisë në këtë kafene.

Prokuroria gjatë përgjimit të telefonave të të akuzuarve ka përshkruar detaje të komunikimeve mes anëtarëve të grupit për çështje që kanë të bëjnë me shitblerjen e tokave. Por përmes këtyre përgjimeve nuk përshkruhet se është dëgjuar Azem Syla duke folur direkt për këto çështje. Por aty janë cekur disa biseda mes anëtarëve të grupit, që e përmendin Sylën si person që merr vendime përfundimtare dhe që i ngarkon pjesëtarët e tjerë të grupit me detyra specifike.

“Kjo është e qartë nga një bisedë mes Arton Vilës dhe Shaban Sylës sa i përket kërkesës për anulimin e një prej shitjeve mashtruese në emër të Arton Vilës: ‘A.V: Përsëri kam pranuar një thirrje nga gjykata. S.S: Vërtet, dhe për çka është ajo? A.V: Është për anulimin e kontratës. S.S: Dreq, nuk e di pse vjen te ti. A.V: Të lutem kontrolloje se çka po ndodh, gjithashtu ‘Daja’ tha lëre Shabanin të merret me këtë”, citohet kjo bisedë në aktakuzë.

Lidhur me këto akuza, gjatë marrjes në pyetje më 8 korrik 2016, Azem Syla ka deklaruar se është i pafajshëm. Në aktakuzë citohet Syla të ketë thënë se ai është gjykuar gjatë gjithë jetës së tij, për njerëzit dhe shtetin e Kosovës, për të krijuar një shtet dhe se respekton shtetin dhe ligjin. Ai ka deklaruar se kurrë nuk është marrë me patundshmëri dhe se nuk ekziston asnjë dokument për këtë.

Besnik Berisha, avokat i Azem Sylës në seancën e 25 qershorit 2019 në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se EULEX-i e ka ngritur këtë aktakuzë vetëm për t’ia zgjatur mandatin vetes.

“Misioni i EULEX-it u arrit sepse ishte rasti ‘Toka’ që për bindjen time i shërbeu për ta zgjatur misionin e vet, por nuk u arrit misioni për ta quar këtë rast asnjëherë përpara, sepse e lanë në gjysmë jo vetëm prokuroria, por edhe ata vet, dhe fatkeqësisht na ngeli ndër vite duke u zvarritur jo për fajin e kësaj gjykate”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka thënë se do të provohet se i akuzuari Syla asnjëherë nuk kishte krijuar grup të strukturuar, nuk ka menaxhuar apo urdhëruar apo ndryshuar urdhra për plane organizative.

Berisha ka thënë se aktakuza ndaj Sylës mbështetet në dëshminë e një dëshmitari, A.A.

“Ky dëshmitar bashkëpunues, një kriminel që pranon krimin çdoherë për të marrë beneficione për të mos u ndëshkuar asnjëherë, ky është A.A që këta dëshirojnë me denu Azem Sylën në emër të dëshmisë së tij. Dëshmitari për mua mercenari i paguar, instrukturuar, i trajnuar me vite përmend dhe lakon emrin e Azem Sylës te këta njerëz”, ka thënë ndër të tjera Berisha.

Preportr ka kontaktuar me Besnik Berishën për të marrë një prononcim lidhur me mbarëvajtjen e deritanishme të procesit gjyqësor dhe komentet e tij rreth aktakuzës ndaj Azem Sylës, por ai nuk ka pranuar të flasë për këtë rast.

Shënim: Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Organizatës Çohu dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.