English
Scroll top

Rugova kontratë me vëllain e tij

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, akuzohet për veprën penale konflikt i interesit pasi në vitin 2014, komuna i kishte dhënë tender kompanisë së vëllait të tij në vlerë prej gati 300 mijë eurove, kurse kontratën e kishte nënshkruar vetë Rugova. Aktakuza në këtë rast është konfirmuar ani pse Rugova ishte deklaruar i pafajshëm dhe gjykimi pritet të vazhdojë në Gjykatën Themelore në Pejë

Prishtinë, 01 Gusht 2019

Haki Rugova është një prej figurave qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryetar i Komunës së Istogut që prej vitit 2010. Zgjedhja e tij si kryetar i Komunës së Istogut i dha hov jetës së tij politike. Rugova para këtij viti ishte anëtar i këtij subjekti politik në nivel lokal të cilin pakkush e njihte në qendër, ani pse ishte kushëri i afërt i themeluesit të LDK-së Ibrahim Rugovës. Sot të gjitha vendimet në parti merren edhe me bekimin e tij, e ai është edhe nënkryetar i saj. Thuhet se ai mori fuqi pasi për nëntë vjet arriti ta mbajë njërin prej bastioneve të fundit të subjektit politik, Komunën e Istogut, të cilën që prej pas luftës e udhëheq LDK-ja. Në zgjedhjet e fundit komunale Rugova gati e humbi komunën duke shkuar madje edhe në balotazh, dhe e mundi kundërkandidatin e tij, Gani Dreshajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me vetëm 14 vota dallim.

Rugova me profesion është inxhinier i elektroteknikës. Para viteve të nëntëdhjeta kishte punuar mësimdhënës, si dhe në Fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë. Prej vitit 1990 deri më 1999 ai kishte një biznes privat.

Shiko Gazetën #28

Rugova në vazhdimësi është akuzuar nga opozita në Komunën e Istogut se në punët publike që bëheshin me paratë e buxhetit në disa raste e favorizonte biznesin e vëllait të tij “Ma Con” sh.p.k. Hetime nga prokuroria për pretendimet e opozitës dhe mediave pati vetëm në rastin e tenderit të cilin komuna në vitin 2014 i kishte dhënë kompanisë “Ma Con” sh.p.k. dhe që kapte shifren e gati 300 mijë eurove, për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cërrcë dhe Lubozhdë. Aktakuza në këtë rast erdhi pas kallëzimit penal, të cilin e kishte paraqitur Agjencia Kundër Korrupsionit. Kjo ishte bërë pasi për rastin kishin raportuar BIRN dhe Internews Kosova.

Vetë Rugova në Agjencinë Kundër Korrupsionit kishte deklaruar se kishte aksione në këtë kompani deri në vitin 2013 kur hoqi dorë prej tyre. Emisioni Drejtësia në Kosovë, kishte gjetur në formularët e deklarimit të pasurisë, të paraqitura në Agjencinë Kundër Korrupsionit, që Rugova kishte deklaruar aksione në këtë kompani deri në vitin 2016. Rugova në një intervistë dhënë këtij emisioni pretendonte se aksionet ishin deklaruar gabim. Mirëpo në kompani punon ende gruaja e tij dhe vetë vëllai i Rugovës në një emision të Drejtësia në Kosovë në një mënyrë e kishte pranuar se kryetari Rugova është ende pjesë e kësaj kompanie. Aktakuza u finalizua në vitin 2018, ndërsa sivjet ajo është konfirmuar nga të dy shkallët – nga Gjykata Themelore në Pejë dhe nga Gjykata e Apelit. Rugova akuzohet se ka kryer veprën penale konflikt interesi nga neni 424 i Kodit Penal të Kosovës (Kapitulli XXXIV). Në seancat për konfirmimin e aktakuzës Haki Rugova është deklaruar i pafajshëm. Ende nuk është caktuar seanca për fillimin e shqyrtimit kryesor në këtë rast.

Aktakuza që Rugovën e ngarkon për konflikt interesi

Sipas aktakuzës që është konfirmuar, Haki Rugova akuzohet se në cilësinë e kryetarit të komunës kishte nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij.

Në dispozitivin e kësaj aktakuze thuhet se Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cërrcë dhe Lubozhdë. Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore ndërmjet Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro. Në këtë mënyrë, i akuzuari Rugova i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar. Andaj, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit nga neni 424 i KPRK-së (Kapitulli XXXIV).

Kjo gjendje faktike, sipas aktakuzës, vërtetohet nga mbrojtja e të akuzuarit, nga deklaratat e dëshmitarëve, pastaj nga provat materiale e sidomos nga kontrata e lidhur për ndërtimin e kanalizimit në fshatin Cërrcë-Lubozhdë të cilën e ka nënshkruar i akuzuari Haki Rugova dhe vëllai i tij Gani Rugova si përfaqësues i ndërmarrjes “Ma Con”.

I akuzuari Haki Rugova në mbrojtjen e tij ka deklaruar se të gjitha procedurat lidhur më kontratën i ka zhvilluar Zyra e Prokurimit e Komunës së istogut. Ai ka thënë se për projektin është shpallur konkurs publik, janë zhvilluar procedurat si në të gjitha rastet e tjera, dhe komisioni për vlerësim ka bërë përzgjedhjen. Sipas tij, pasi është bërë përzgjedhja, ka qenë edhe afati i ankesave të palëve të pakënaqura dhe me sa i kujtohet atij në këtë rast nuk ka pasur asnjë ankesë.

Pas kësaj është lidhur kontrata në mes të komunës dhe kompanisë fituese. Në aktakuzë Rugova e pranon se e ka nënshkruar kontratën me kompaninë e vëllait të tij, por nuk mendon që me këtë ka shkaktuar veprën penale, konflikt interesi. Ai në aktakuzë thotë se e ka nënshkruar atë pasi qëllimi i tij ka qenë që të shoh rrjedhën e punimeve. Rugova ka thënë se në vitin 2014, nuk ka qenë pronar dhe as bashkëpronar i kompanisë Ma Con, për faktin se aksionet që i ka pasur në këtë kompani ia ka dhuruar vëllait të tij. Rugova ka thënë se nuk ka marrë pjesë në vendimmarrje – këtë punë e ka bërë Zyra e Prokurimit dhe ka shkuar si procedurë e rëndomtë standarde dhe e bazuar në ligj. Ai ka thënë se punimët për ndërtimin e kanalizimit janë kryer brenda afatit.

Rugova nuk e pranon fajësinë

Në seancat për konfirmimin e aktakuzës Haki Rugova dhe mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha, i kanë paraqitur pretendimet e tyre që Rugova nuk është fajtor për veprën penale me të cilën akuzohet.

Në seancën e janarit të këtij viti, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Agron Matjani, sipas monitoruesit të Organizatës Çohu! Artan Sufajt, Rugova deklaroi se nuk e ndien vetën fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Prokurori Matjani në seancë deklaroi se mbetet pranë kualifikimit juridik të veprës penale dhe aktakuzës së ngritur ndaj Rugovës, duke thënë se të gjitha provat e propozuara do të dëshmojnë fajësinë e të akuzuarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha, në këtë seancë pati deklaruar se do të ushtrojë kërkesë për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me ç’rast një gjë të tillë e ka përkrahur edhe i mbrojturi i tij.

Pasi që i akuzuari nuk e pranoi fajësinë, gjykatësi Sylë Lokaj i ka ftuar atë dhe mbrojtësin e tij, që në afat prej 30 ditësh të parashtrojnë kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave dhe sipas tij, me aktvendim të veçantë do të vendosë eventualisht  për shqyrtimin e dytë.

Në këtë seancë, mori pjesë edhe përfaqësuesi i Komunës së Istogut, Adem Avdijaj, i cili ka thënë se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, pasi nuk ka dëm që i është shkaktuar këtij institucioni.

Edhe në seancën e marsit Rugova së bashku me avokatin e tij e kundërshtuan aktakuzën.

Avokati Berisha ndër të tjera kishte thënë se Prokuroria Themelore e Gjakovës ende nuk ka mësuar të bëjë dallimin mes kontratës për furnizim dhe kontratës për punë, duke shtuar se “duhet një njohuri e thjeshtë e të lexuarit për të kuptuar se kontrata e lidhur mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” nuk është kontratë për furnizim, as kontratë për shërbim, por është kontratë pune, siç është titulluar në preambulën e saj”.

Sipas tij, kjo kategori e kësaj kontratë e bën nënshkrimin e kryetarit të Istogut të panevojshëm, duke shtuar:“Prandaj pretendimi i Prokurorisë se z. Rugova, me nënshkrimin e tij ka vendosur lidhur me vlershmërinë e kontratës në mes Komunës dhe kompanisë “Ma–Con”, është tërësisht i pabazuar”.

Këto kërkesa nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Rugova i ka kundërshtuar si të pabazuara prokurori Ramiz Buzhala, i cili e zëvendësonte prokurorin Agron Matjani.

Sipas prokurorit Buzhala, i akuzuari Rugova, kur e kishte nënshkruar kontratën në favor të kompanisë “Ma-Con”, që drejtohet nga vëllai i tij, Gani Rugova, kishte marrë pjesë personalisht në një çështje ku anëtari i familjes së tij realizon interes financiar, duke shtuar: “me këtë veprim i hap rrugë realizimit të kontratës në dobi të firmës së vëllait të tij, dhe me nënshkrimin e të akuzuarit Rugova është mundësuar realizimi i interesit financiar për vëllain e tij”.

Ai gjithashtu tha se pretendimet e mbrojtjes se i akuzuari nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim që do të rezultonte me marrjen e vendimit lidhur me këtë tender nuk janë të qëndrueshme, duke shtuar: “në rastin konkret kemi të bëjmë me kontratë me vlerë të madhe konfrom Ligjit për Prokurimin Publik sipas të cilit kontrata me vlerë të madhe konsiderohet kontrata e furnizimit ose kontrata e shërbimeve, vlera e së cilës është e barabartë apo më e madhe ose mund të pritet të jetë e barabartë me 125 mijë euro, ku përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës të prokurimit duhet gjithashtu të nënshkruhet edhe nga zyrtari kryesor i autoritetit kontraktues”.

Sipas tij, kontrata është në pajtim të plotë dhe hyn në kuadër të Ligjit për Prokurimin Publik dhe se pretendimi i mbrojtjes së të pandehurit se kontrata e nënshkruar nga menaxherja e prokurimit Zize Bujupi, ka qenë e zbatueshme pa nënshkrimin e Haki Rugovës, është i pabazuar.

Ai kërkoi nga gjykata që kërkesën e tillë për hedhjen poshtë të aktakuzës ta refuzojë si të pabazuar.

Avokati Besnik Berisha e njoftoi gjykatën dhe prokurorinë se në rast të refuzimit të kërkesës për hedhjen poshtë të aktakuzës do të ftojnë në cilësinë e ekspertit të prokurimit Besim Mulajn, dhe do të angazhojnë edhe një ekspertizë financiare për të rrëzuar pretendimet e prokurorisë lidhur me fitimin e dobisë financiare të kompanisë “Ma-Con”.

Pretendimet e mbrojtjes hidhen poshtë

Pavarësisht pretendimeve të Rugovës dhe avokatit të tij për pafajësinë e tij, aktakuza në këtë rast është konfirmuar në javën e parë të muajit prill. Gjykata Themelore në Pejë e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, për veprën penale konflikt i interesit.

Në vendimin e gjykatësit të rastit Sylë Lokaj të cilin e ka siguruar monitoruesi Sufaj, thuhet se kërkesa e mbrojtësit të Rugovës për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj klientit të tij, është e pabazuar, duke shtuar: “Gjykata vlerëson se aktakuza si e tillë në një formë, i përmban elementet formale sikur që përcakton neni 241 par.1 të KPPK-së dhe gjykata vlerëson se në këtë fazë të procedurës, ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”.

Provat të cilat janë siguruar në fazën e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, sipas gjykatësit Lokaj janë të pranueshme, dhe të njëjtat do të administrohen dhe vlerësohen gjatë shqyrtimit kryesor.

Ndaj këtij vendimi pala e akuzuar është ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila po ashtu në javën e parë të muajit qershor e ka konfirmuar këtë aktakuzë dhe e ka cilësuar si të pabazuar pretendimin e mbrojtjes se prokuroria ka dështuar të argumentojë lidhjen kauzale mes nënshkrimit të kontratës dhe realizimit financiar për vëllain e të pandehurit, Gani Rugova.

Si të pabazuar, Apeli e ka konsideruar edhe pretendimin tjetër të mbrojtësit të Rugovës, avokatit Besnik Berisha, se në kohën e nënshkrimit të kontratës, Komuna e Istogut nuk kishte pasur nënkryetar dhe se të gjitha kontratat, pavarësisht vlerës së tyre, shkonin te kryetari Rugova për nënshkrim dhe se kontrata për të cilën akuzohet Rugova kishte qenë në fuqi nga momenti i nënshkrimit nga menaxherja e prokurimit në Komunën e Istogut.

Të gjitha këto pretendime, Gjykata e Apelit i ka hedhur poshtë për shkak se sipas saj, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mire – se Haki Rugova ka kryer vepër penale për të cilën po akuzohet.

Në vendimin e Apelit thuhet:“Nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani për tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilën është akuzuar i akuzuari Haki Rugova dhe se nga provat të cilat i ka propozuar prokurori për lexim gjatë shqyrtimit gjyqësor, në të cilat prova e ka mbështetur dyshimin e bazuar mirë me rastin e ngritjes së aktakuzës do të vlerësohen në shqyrtim kryesor”.

Apeli ka vlerësuar se të gjitha provat janë të pranueshme dhe të mbështetshme, të cilat do të shtjellohen në shqyrtimin kryesor. Gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar se edhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë për refuzimin e kërkesave për hedhjen poshtë të aktakuzës ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.

Edhe pas konfirmimit të aktakuzës avokati Besnik Berisha insiston se i mbrojturi i tij Haki Rugova është i pafajshëm.

“Nëse kemi një gjykatë të drejtë, objektive, do të dëshmohet se në rastin e Haki Rugovës nuk ka elemente të veprës penale, konflikt i interesit”, i ka thënë ai Preportr-it.

Rugova nuk u paraqit disa herë në gjykatë

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova disa herë vitin e kaluar nuk ishte paraqitur në gjykatë. Kjo kishte bërë që disa herë të shtyhej seanca për këtë rast. Monitoruesi i Organizatës Çohu!, Artan Sufaj, tregon se në rastin e Haki Rugovës, seancat janë shtyrë disa herë.

Seanca e parë në këtë rast, e paraparë të mbahej më 7 maj 2018, sipas tij kishte dështuar për shkak të mungesës së kryetarit Rugova, i cili përmes një parashtrese kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhej, me arsyetimin se ende nuk ka caktuar avokat mbrojtës.

Gjykatësi Sylë Lokaj kishte thënë se të akuzuarit Rugova do t’i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare, nëse ai nuk e bën një gjë të tillë.

Ndërsa, në seancën e paraparë të mbahej më 21 maj, Rugova nuk kishte prezantuar në seancë, edhe pse sipas gjykatësit Lokaj, ai ishte ftuar me rregull, por mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar. Gjykatësi Lokaj kishte paralajmëruar se në rast se i pandehuri nuk përgjigjet, do të ftohet përmes urdhëresës.

Seanca e 10 shtatorit të vitit të kaluar kishte dështuar jo për faj të Rugovës por të mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha. Ai nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës dhe me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes kishte kërkuar shtyrjen e seancës për një ditë tjetër.

Seanca e 5 nëntorit të vitit të kaluar nuk ishte mbajtur për shkak se i akuzuari Rugova e kishte njoftuar gjykatën se ishte në udhëtim zyrtar dhe gjykatësi i çështjes, Sylë Lokaj, ishte i angazhuar në një trajnim zyrtar.

Problemet me prokurorët

Lënda kundër kryetarit të Istogut, Haki Rugovës, fillimisht ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj. Më 17 janar 2018, prokurori Sinanaj me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimajt, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërgutin, si dhe Agim Kurmehajn, lënda ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Prokurori Haxhi Sinanaj në shkresën e tij të cilën e ka siguruar monitoruesi i Organizatës Çohu!, Artan Sufaj, kishte shkruar:“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”.

Lënda i ishte caktuar prokurorit Agron Matjani, por edhe ky jo në të gjitha rastet e kishte përfaqësuar atë. Pasi ishin zhvilluar hetimet ndaj tij (Matjanit), ai është zëvendësuar nga një prokuror tjetër, po ashtu nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, i cili e ka përfaqësuar rastin në fjalë vetëm njëherë dhe atë në seancën e marsit. Mbetet të shihet se kush do ta përfaqësojë aktakuzën e këtij rasti në shqyrtimin kryesor, a do të jetë ai Buzhala apo ndonjë prokuror tjetër.

Prokurori Matjani i caktuar ta përfaqësojë këtë lëndë është shkarkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 10 maj 2019. Ky institucion kishte marrë vendim për t’i propozuar Presidentit të vendit shkarkimin e tij nga detyra për shkak të mosrespektimit të rëndë të detyrave zyrtare, vendim që ka ardhur pas zhvillimit të procedurave disiplinore nga komisioni përkatës.

Pasuria e Rugovës dhe lidhjet me “MA. Con”, sh.p.k

Preportr i ka parë të gjitha deklarimet e pasurisë së Haki Rugovës në Agjencinë Kundër Korrupsionit, që nga viti 2010 e deri me 2019. Pasuria e tij nuk ka pësuar shumë ndryshime përgjatë viteve, por ai që prej vitit 2013 nuk ka deklaruar se është njëri prej aksionarëve në kompaninë që tani e udhëheq vëllai i tij, “Ma. Con”, sh.p.k.

Sipas deklarimit të pasurisë në vitin 2010, Rugova kishte 33.3 për qind të aksioneve në këtë kompani. Në dy vitet pasuese ai kishte 15 për qind të aksioneve në kompani. Edhe pse zyrtarisht aksionet ia ka falur vëllait të tij, Rugova nuk i ka shkëputur të gjitha lidhjet me ndërmarrjen në fjalë. Në deklarimet e pasurisë, në këtë kompani punon bashkëshortja e tij që prej vitit 2010.

Komuna e Istogut është akuzuar nga opozita në këtë komunë se e ka favorizuar kompaninë “Ma Con”, edhe në disa raste të tjera. Një rast që e ka trajtuar Preportr ka të bëjë me ndërtimin e memorialit Ibrahim Rugova, në qendër të qytetit. Fillimisht tenderin për ndërtimin e këtij memoriali e kishte fituar kompania “Intering”, e cila udhëhiqet nga vëllai i ish-asambleistit të LDK-së në këtë komunë, Hajrush Shoshit, i cili në këtë mandat e udhëheq Drejtorinë e Arsimit. Po ashtu, betoni që është përdorur për ndërtimin e sheshit është i kompanisë që udhëhiqet nga familjarët e kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugovës, “Ma. Con” sh.p.k. Këtë e ka pranuar vetë Hajrush Shoshi në një intervistë dhënë Preportr-it.

Opozita në këtë komunë e kishte dërguar rastin në prokurori, por prokuroria i kishte pushuar hetimet pasi që, sipas saj, në këtë rast nuk kishte pasur elemente të veprës penale, konflikt i interesit.

Kompania Ma-Con ishte favorizuar edhe në disa raste të tjera. Në një hulumtim që e ka bërë emisioni Drejtësia në Kosovë e që i ka shërbyer Agjencisë Kundër Korrupsionit për paraqitjen e kallëzimit penal, i cili është finalizuar me aktakuzë nga prokuroria, tregon se si qysh në vitin 2013 kur Haki Rugova ishte kryeshef ekzekutiv në Komunën e Istogut, kompania Ma. Con, kishte ndërtuar objekt shtatë katësh në pronën komunale. Në pronën komunale kjo kompani zhvillon edhe veprimtarinë e gurthyesit. Sipas të dhënave që i ka nxjerr Preportr, kompania Ma. Con, gjatë viteve 2009-2018 ka marrë dy licenca për shfrytëzim të gurit të fortë (gurthyes).

Florin Dreshaj, ish-asambleist i Lëvizjës Vetëvendosje!, në KK të Istogut thotë se në të gjithë rastet kur familja e kryetarit është favorizuar në punët publike ata kanë reaguar me gjithë partitë tjera që janë në opozitë, por reagimet e tyre nuk janë marrë parasysh.

“Ka raste kur tenderin e ka marrë një kompani tjetër, por punimet i ka kryer kompania Ma-Con, si rasti i memorialit. Ne e patëm dërguar këtë rast në prokurori por nuk pat ndodhur asgjë. Prokuroria në këtë rast i ka mbyllur hetimet me pretendimin që nuk kanë gjetur konflikt interesi”, thotë ai.